• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100-vjet më parë:TOPOJANI, “BALLI I PËRGJAKUR I LUMËS”, NË LUFTË DHE QËNDRESË, KUNDËR MASAKRAVE SERBE

November 4, 2013 by dgreca

Nga: Isa Halilaj-   studiues,“Mësues i merituar”/

1.

Në dhjetëvjeçarin e dytë, të shekullit XX, ndodhën ndryshime të mëdha në hartën e Ballkanit, kur Lufta e Parë Ballkanike (1912), ndonëse Shqipëria ishte shpallur e pavarur, coptoi me miratim të Fuqive të Mëdha, trojet shqiptare. Serbisë iu dhanë 19.000 km2, Malit të Zi një territor aq sa ishte vetë shteti malazez. Por edhe Bullgarisë e Greqisë iu dhanë pjesë nga trojet shqiptare, me  Çamërinë në krye.

Kjo ndarje grabitqare pushtuese e trojeve shqiptare, pushtimi ushtarak serb deri në Adriatik e Vjosë dhe mbajtja, pas vendimeve të Londrës, të rajonit  strategjik prej serbëve, ku përfshihej Luma, Dibra, Malësi e Gjakovës (Tropoja) dhe deri në thellësi, si dhe masakrimet e vuajtjet,  që u shkaktuan banorëve të këtyre anëve, ishin të papranueshme. Pikërisht për këtë, plasi kryengritja e përgjithshme shqiptare e shtatorit 1913. Në  të u përfshinë gjerësisht: Dibra, Tetova, Kumanova, Luma, Opoja dhe Malësia e Gjakovës, që i sollën humbje të mëdha ushtrisë serbe, në të vrarë e territor.1)

Në këto luftime u përfshinë edhe Luma, veçanërisht Kalaja e Dodës, Topojani, Gora dhe Opoja, të ndihmuar edhe nga Rrafsha e Lumës, Tërthorja dhe Përdrinja e Hasi me Malësi  të Gjakovës. Atyre u prinin trimat e njohur: Qazim Lika, Ahmet Iljazi, Nail Dani, Ramadan Zaskoci, Miftar Sul Kurpali e Bajram Daklani, gjithnjë sipas drejtimit nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, me Bajram Currin.

Kjo kryengritje tronditi rëndë Serbinë e Nikolla Pashiqit, e cila e nxitur dhe e ndihmuar nga Rusia, që akuzonte direkt  Austro-Hungarinë dhe Bullgarinë, u përgatit seriozisht për ta shtypur me hekur dhe zjarr qëndresën shqiptare. Pasi mobilizoi 110.000 trupa, në një vijë frontale prej 100 km, sulmoi rrufeshëm në drejtimin: Kumanovë- Strugë- Pogradec; Dibër- Peshkopi- Lumë dhe Gjakovë-Has, me armatimin modern të kohës si dhe me artileri e armë mitralimi, kundër një popullsie të pa armatosur dhe që ende lëngonte nga masakrimet e 1912-tës. Një armatë e tërë 2) ushtroi dhunë e terror të paparë në territorin shqiptar, Strugë- Tetovë  (Maqedoninë Perëndimore), ku u shkatërruan tërësisht 180 fshatra dhe me këto përmasa u goditën edhe Luma, Opoja e Vrrini dhe Malësia e Gjakovës.

2.

Në këtë shkrim do përqëndrohemi, këtë radhë, vetëm në përshkrimin e masakrave serbe, në zonën e Topojanit të Lumës. Ajo është një krahinë e njohur, si një nga shtatë bajrakët e saj, me vitalitetin e një populli të vyrtytshëm, punëtor e liridashës, besnik  i idealeve kombëtare. Shtrihet nga Gryka e Vanave e në Kallabak, nga Teja e Bicaj, te mali i Borjes dhe ka fshatrat: Topojan, Brekij, Xhaferaj, Turaj, Shtrezë, Novosej, Kollovoz, Nimçe, Lojme e Bele. Qendra është Topojani.

Banorët e kësaj krahine, të njohur si “balli i përgjakur i Lumës”, për heroizmin dhe sakrificat e mëdha për liri e pavarësi, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me gjakun e derdhur për trojet shqiptare, nga Prekupia e deri në Nish, Kacanik e Duhle, në Pikllimë e Glloboçicë. Për këtë gjë,  flet vetë historia, flasin pirgjet e varret e të rënëve, jehojnë këngët e trimave të rënë në beteja3).

Topojanësit, ndonëse nga gjiri i tyre nxorrën figura të shquara, si Sinan Pashën, disa herë sadriazem i Perandorisë Osamne e pashallarët e tjerë, iu përgjigjën Rilindjes dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për në luftën kundër sundimit otoman. U përfshinë besnikërisht në kryëngritjet shqiptare në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe deri në shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912. E njohur është pjesëmarria e tyre në betejat kundër osmanëve në Kaçanik e Shtimje, në Duhle e Qaf-Zhuri, në Vrri e Lumë, me prijës Ahmet Iljaz Qehajën, Abdyl Myrtën, Jemin Alinë, Bilal e Islam Bashën e tjerë.

Por trimëria, heroizmi dhe sakrifica sublime e topojanasve ,në luftën për trojet dhe lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar, kundër shovinizmit pushtues barbar serbo-sllav, ka njohur permasat e nje atdhetarizmi të pa shoq.  Ata u treguan atdhetarë, që u dhimbsej çdo pëllëmbë e tokës amtare. Ndaj ata, kur e panë se Porta e Lartë Osmane i bëri plaçkë tregu trojet shqiptare, me dobësimin e saj dhe ngjalljen e shtetit serb, u ngritën si trup i vetëm në luftë kundër  sulmit të ri pushtues dhe barbar sallavo-serb, që solli Lufta Ballkanike e viteve 1912 e 1913.

Në përbërje të 3000 lumjanëve dhe kosovarëve, gjatë viteve 1912-1913, topojanasit  luftuan me vetëmohim kundër ushtrisë serbe, në Shtimje – Caralevë dhe Duhle, të prirë nga trimat Ahmet Iljaz Qehja, Zaim Hamza dhe Abdyl  Mirtja. Në fushën e betejës mbetën të vrarë 9 dëshmorë: Zaim Hamza, Mustaf Bilali, Hamdi Aqifi, Halil Xhezahiri, Muharrem Allaraj, Dilë kamberi, Feriz Ahmeti, Mustaf Tahiri, Sadik Dautllari. Aty mbetën edhe katër dëshmorë nga Novosej: Xhelil Xheza , Kurtish Parllaku, Sulejman Beqa e Mehdi Noka.4)

Para kryengritjes së shtatorit  1913, topojanasit u pozicionuan në Lak të Gllopoçicës, duke u shkaktuar  serbëve shume të vrarë e të plagosur.  Po aty, duke luftuar deri trup me trup kundër mitralierëve serbë, ranë dëshmorë edhe 9 djem të tjerë nga Topojani e Brekija dhe aty i kanë varret: Arif Muharremi, Baftjar Tahiraj, Esat Allaraj, Farruk Islamaj, Shaqir Islamaj, Ibrahim Allaraj, Miftar Tahiraj, Qazim Allaraj e Bajram Hafuzi.

Në vazhdim të qëndresës burrërore, gjatë shtatorit e në fillim të tetorit 1913, pak para masakrës së Topojanit, kryengritësit e Topojanit, Opojës dhe Gorës, luftuan kundër reparteve serbe në Vranisht e Rapçe, rreth Pikllimës, të drejtuar nga Kadri Shahini, Qazim Lika e Nail Hysen Dani.5)  Në këto luftime janë vrarë 20 djem nga Topoja: Kadri Shahini, Mustaf Çuni, Bajram Maliqi, Hafuz Allaraj, Mehmet Shpata, Ramadan Allaraj, Sali  Karanxha,  si dhe nga Gora : Qerim Krasniqi, Murat Murati, Daljan Basha e Vehib Beqiri. Pati dhe shumë të plagosur e nga serbët mbetën mbi 30 të vrarë e të plagosur.6)

Forcat e mëdha e të freskëta të ushtrisë sërbe, duke përdorur zjarr e mitralime, armë që shqiptarët nuk i kishin, më në fund, bënë të mundur që ta thyenin kryengritjen e shtatorit 1913. Ushtria e ardhur nga Dragashi, pasi dogji e shkatërroi veçanërisht Opojën, mbuloi fshatrat e Topojanit me një terror e masakrim të padëgjuar. Në Novosej therën dhe hodhën në zjarr nënën e Islam Bashës, me femijët dhe një kunatë të saj.7) Pra, u  zhvillua një luftë hakmarrëse e pashembullt. Ekspeditat ndëshkimore armike mbuluan si korbat e zinj gjithë territorin, pa lënë asnjë mundësi organizimi dhe qëndrese popullore. Në befasi, dogjën shtëpitë e lidhën të gjithë burrat e djemtë dhe pushkatuan mbi 620 veta. Nga ata, në Topojan, në vendin e quajtur Rajme, u vrane njëherësh 400 veta, të gjithë burrat e fshatit, në 2 deri 8 frymë për familje, në mes të të cilëve 38 familje u shuan plotësisht. Në Brekij, aty në Huca, ku janë varret, po edhe te Proska e Lecës, te arat e Xhelilit në Lama e në Kingel të Dinës, janë vrarë e therur gjithësej mbi 120 veta. Ndërsa në Xhaferaj u vranë 40 burra dhe të gjitha shtëpitë u dogjën. Novosejasit ndihmuan në varrimin e të vrarëve dhe morën jetimët në familjet e tyre.

Masakrime barbare u bënë edhe në Nimçë. Aty, te Shpella e Ibrës, janë varrosur mbi 50 veta nimçianë, të fiseve  Hoda, Koboçi e me pak Toshi. Në Lojme, te vendi, që mori emrin Shtegu i Shehitëve, afer hidrocentraleve të rinj, janë masakruar 95 veta, pa kursyer gratë e fëmijët, të fisit Krasniqi, Meqi e Veizi. U eliminuan familjarisht Mahmut Selmani e Rushit Rexhepi.  Nazif Manit ia vunë kokën e prerë mbi një hu, në mes të fshatit; masakruan Hate Shaqirin, familjarisht; ndërsa Zyme Bislimin e therën, duke i nxjerrë fëmijën e palindur. Uvranë, në përleshje me serbët, Miftar Qerimi, Hashim Veizi dhe Istref Saiti, në Lojme e Ramadan Alija, në Brekijë.

E njëjta situatë, para dhe pas kryengritjes së shtatorit 1913, ndodhi në Opojë dhe Gorë. Në Restelicë u masakruan 9 krerë popullorë, në Brod 5 krerë popullorë, ndërsa në Gllopoçice myftiu i Gores dhe Opojës, kurse në Brrut të Opojës u pushkatuan 42 burra dhe u varrosën te Lugu i Brijës; 22 në Bresanë dhe 20 në Bellograd. Djegie e masakra u bënë edhe në Bresnë, Pllavë e Zgatar.

3.

Për Fshatrat e Topojanit, studiuesi Naim Manaj, në kontakt me dëshmitarë  okularë  të ngjarjeve, ka arritur të  evidentojë  një  pjesë të të masakruarëve me emra, në librin e tij, “Jehona e Topojanit”8).   Aty jep listën jo të plotë të personave e familjeve te masakruara të kësaj zone dhe konkretisht: Në Topojan 38 familje, në Brekijë, 72 veta , në Xhaferraj 33, në Lojme 50 familje me 91 veta, në Nimçë 29 të pushkatuar dhe hulumtimi i emrave vazhdon. Veç këtyre, autori jep edhe listën emërore të dëshmoreve të Topojanit, me 30 veta të shpallur, po mund të ketë dhe të tjerë.

Gjithë ky gjak i derdhur pa kursim, për “hatër te vatanit”, dokumentohet me varret, kujtimet e pasardhësve dhe këngët e trimave. Është i dokumentuar e argumentuar në kancelaritë dhe shtypin e kohës, në Ballkan, Europë dhe Amerikë. Revista “Spektër”( nr.89/2000)  citon gazetën gjermane “Frankfurt Zeitung”,  për masakrën në Lumë.9)  E njëjta revistë citon librin “Akuzë, që Ulërin”, të shkrimtarit hebre, Leon Freundlih. Ai ka protestuar për zhdukjen masive të shqiptarëve nga serbët, në ato vite. 10)   Jehona e e këtyre ngjarjeve ka gjetur pasqyrim te gazetat “Përlindja e Shqipërisë” (janar, 1914), “Liri e Shqipnisë” e “Corriera  Dela Sera”, me shkrimet e Sotir Kolesë. Ai jep maskarat e 27 fshatrave të Lumës, ku peshën më të madhe e mbajnë Topojani dhe Përbregu. Po këto masakra çnjerëzore përshkruhen, me mënyrën e tyre, edhe te gazetat “Radniqke Novine” dhe “Politika”  të Beogradit (1913), “Obzor” e Zagrebit, “Rruga Jonë” e Francës, “Sharri” i Opojës etj.

Kjo jehonë, për masakrat serbe në Topojan, ka gjetur pasqyrim me argumente në veprat e studiueseve tanë të mirëfilltë, si: Thoma Murzaku, Xheladin Shala, Shefqet Hoxha , Shaban Braha, Tahir Kolgjini, Qemal Mataj, Xhafer Kovaci, Naim Manaj, Vangje Kasapi, Akif Bajrami, Ramiz Fiqori, Muhamet Pirraku etj.

Për jehonën e këtyre ngajrjeve historike edhe vetë topojanasit e zona në fjalë kanë punuar e mund të kishin punuar më shumë, për ruajtjen e këtyre vlerave e transmetimikn e tyre te brezi i ri. Por rastet pozitive të kësaj përkujdesjeje, nuk kanë munguar, si nga veteranët Xhemali Izet Miftaraj e Hazir Sinan Aliaj, për varrezat dhe Naim Manaj, Agim Dafku, Avdi Noka etj., me shkrimet e tyre.

Domethënëse është se, në Lapidarin- Flamur, në qendër te Topojanit, shkruhet: “Me 15-20 tetor 1913, u masakruan barbarisht 620 djem të fshatrave Topojan, Brekijë e Xhaferaj, të cilët luftuan për mbrojtjen e Atdheut, kundër shovinistëve serbë”.  Pra, këto burime e monumente duhen ruajtur si vetë historia dhe jeta e popullit tonë, pa të cilën nuk mund të sigurohet  ardhja e brezave të rinj.

Literatura:

“The Voice of truth” June/Deci 2005. Shpalime historike: Kryengritja Shqiptare e vjeshtës së vitit 1913, nga Sheradin Berisha.

D.Tucoviq, te “Serbia dhe Shqipëria”, thekson: Kryengritja shqiptare e shtatorit, për shkak të së cilës Serbia u shtërngua të mobilizojëj përsëri afër tre divizione, është një shembull klasik, që tregon se si shkaktohen luftërat koloniale.

Sh. Braha: “Beteja e Drinit kundër agresionit serb”, Prizren, 2000.

N. Manaj: “Jehona e Topojanit”, 2003,  fq. 46-52.

Sh. Hoxha: “Luma në luftë për Liri”, Tiranë,2000, fq.16, 171.

N. Manaj: Vepra e cituar, fq.80.

Po aty, fq. 91.

N. Manaj: Vepra e cituar,  fq. 95-112.

Revista “Spekter” Nr.85 (2000), fq. 13, citon gazetën gjermane “Frankfurt Zeitung” për masakrënnë Lumë:”….fëmijët u dogjën në kashtë, në sy të prindërve dhe më pas u masakruan prindërit me batare pushkësh e me bajoneta”.

Sipas “Spektër”(fq.11), citohet libri “Akuzë, që ulërin” i Leon Freudlih, hebre, i cili shkruan: “Ushtria dhe bandat çernike serbe bënë barbarizma, që nuk kanë të përshkruar. Me qindra e mijëra burra të paarmatosur, të therur… Me qindra fshatra dhe qytete, të djegurae të rrafshuara për tokë!”

Tiranë, tetor 2013

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: 100 vjet me pare, Isa Halili, Lufta e Topojanit

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT