• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PORTRETI I ISMAIL QEMALIT NË KËNGËT E POPULLIT

November 13, 2016 by dgreca

Me rastin e 104 vjetorit te Pavaresise/
 2-ismail-qemali-315x200-300x190
Nga   IDAJET JAHAJ/
 Populli ynë nuk u këndon politikanëve, veçse në rastin e Ismail Qemalit, të cilin, në vargjet e tij, e cilëson si “politikan- diplomat të artë”. Ismail Qemali ishte një personalitet, dhuntia e të cilit bashkoi shpirtrat e patriotëve shqiptarë rreth çështjes së madhe të Flamurit. Xhevairet e tij populli nuk ua fal, veçse heronjve të sprovuar, që kanë shkrirë jetën e tyre me atë të përgjithshmen – kombëtaren. Ai u ka kënduar trimave, kapedanëve, luftëtarëve dhe udhëheqësve të shquar për liri e pavarësi, punëtorëve të pushkës e të penës, që ndritin një fytyrë – atë të Shqipërisë. Midis tyre figura e Ismail Qemalit zë një vend të veçantë nderi.
Për kryeveprën e tij të flamurit ai bëri një odise të gjatë, një heroizëm të pashoq, përpjekje e sakrificë plot mundime shumëvjeçare, duke i rënë kryq e tërthor kontinentit … derisa e realizoi veprën e shkëlqyer të 1912-ës. “Ta dini ç’kam hequr” – u thoshte ai bashkatdhetarëve atëherë, dhe në këto pak fjalë drithëron heroizmi i tij i pashembullt.
Populli ynë e ka ndjekur hap pas hapi në vargje lëvizjet e liderit, nga çasti kur ai u shkëput nga perandoria osmane, më 1900. Si një kronikë besnike, muza popullore i regjistroi këto lëvizje që nga “pëllëmba që i dha Sulltani”, … ikjen e tij nga deti me gjemi, vajtjen në Francë “te krajlitë e Parisit”, e kudo nëpër Evropë. Vetë ky regjistrim veprimesh është njëherazi edhe shenjë e nderimit të madh për veprën e patriotit të shquar.
 
Mora lajmin këto ditë, o shokë, se ç’paska ngjarë,
Thonë se vdiq një profit, i thoshin Smail Qemalë;
Gjezdisi Evropën gjithë, erdhi e vdiq në Italjë!…
 
Shumë herët ka folur Ismail Qemali për përparimin e Shqipërisë, por 12 vjetët e tij – një dekadë e ca – në fillim të shekullit të 20-të, qenë kërkimet e pareshtura, përpjekjet e mundimshme të tij derisa realizoi DITËN E MADHE TË PAVARËSISË. Populli i Vlorës do ta priste me festë më 1908:
 
Dilni, o vlonjatë të tërë
Buzë molit sërë-sërë,
Me anije vjen lezeti,
Ismail Qemal rrëmeti...
 
Ai kishte bredhur shtetet, kancelaritë. Dhe kudo që shkoi “diplomati kryelartë / mban në dorë vulën e artë!/. Akti i 1912-ës ishte shpërthim i njëhershëm i shpirtit të gjithë rilindësve bashkë. Ato gryka e gjuhë të zjarrit kombëtar (të kombit më të vjetër të Evropës) do të shfrenin idealin, qëllimin, zemrën e furinë në duart e bashkuara rreth shtizës së flamurit me palët kuq e zi. Në këtë shtizë do të ndriçonte mbi të gjitha, dora e bardhë e plakut të ndritur – autorit kryesor të veprës.
 
Ç’po fryn era e flamurit,
Sytë e pushkëve gëzojnë…
 
Vetëm një shpirt i tillë, mahnitës, mund të thurë vargje të tillë. 
Ndërsa Ismail Qemali do të afrohej nga Durrësi, nëpër Myzeqenë plot baltra e ujëra, këtu në Vlorë:
 
Zu flamuri të llamisë,
Marigoja të qëndisë,
Për ditën e perëndisë…
…Të qëndisë Marigoja,
Me ato llërët e njoma
Flamurin që vishej Vlora,
Hapej e ngrihej shqiponja…
 
Marigoja ishte njeri, i përveçëm, grua, por duart e saj, zemra e saj, hovi i saj, ishin flatrat e shpirtit të një populli, të një kombi, prej shekujsh të shtypur e të etur për liri. Marigoja u bë kështu simotra e Donikës së Kaninës, sikur ajo (Donika) ta sillte prej Krujës flamurin e të shoqit .. këtu te qyteti ku ishte dhëndërr… Ismaili “mblodhi çikat një nga një / dhe tha: shqipja u bë/”. Festa s’kish të krahasuar. Ndodhi vetëm në nëntorin e parë të vitit 1444, në Krujën e legjendarit Skenderbe. Dhe tani në Vlorë:
 
Gëzojnë fusha dhe male,
Ngritën muzikën e madhe;
…Gëzon Shqipëri e shkretë,
Që doli në këtë jetë,
Nëntëqind e dymbëdhjetë
Hodhi rrënjë e mbiu fletë…
 
Dhe ishte një ciceron i vargjeve dhe i bukurisë së këngës labe, nga Vlora – himarjoti Neço Muka, ai që thuri vjershën e famshme të asaj dite, një nënhymn të flamurit:
 
Më 28 nëntor në këmbë u ngrit Shqipëria,
Smail Qemali në Vlorë bashkë me shokët e tija,
I tha popullit me gojë “Poshtë, o shokë, robëria!”
Evropa le ta dëgjojë, nuk ka vend këtu Turqia!
 
Dhe muza popullore konkludoi për flamurtarin:
 
Ti na nxorre sipër varrit,
Na prure nderin e ballit!
 
Qindra e mijëra vargje dhe këngë përbëjnë opusin madhështor të mirënjohjes dhe nderimit të masave të popullit për Burrin e Flamurit. Lumi i ndritshëm i tyre nuk pati ‘më të përmbajtur e të ndaluar.
I gdhendi ATIJ  portretin. Aq bukur, aq prekës, aq piktorik, sa rrallëkujt në histori:
 
Ismail, o yll lirie,
Vlorë sokakut kur vije,
Burrë i madh që bëje hije!
 
Metaforat, krahasimet, hiperbolat, sidomos epitetet, populli nuk i kurseu e për këtë nuk ka frikë se gabon: “Smail beu farfuri / Atdhetar gjer në thua / Qemali ynë i florinjtë / O zog i shkruar me pëndë / Diplomati gojëartë/…” 
Herë e krahason me qenien e butë e të brishtë: zanë e perrí (si s’e pandehu njeri / të vdiste ai perri/), e herë me tonalitetet e forta e madhështore: dragua, asllan… (asllani ndërroi jetë). Dhe vazhdojnë: “plaku i bardhë, dorëbardhë, mjekër e flokëbardhë (është çudi emocioni që shkakton simbolika e bardhësisë te ky njeri!), ballëkurorë / Kishte lerë me këmishë / për fatin e Shqipërisë / … sorkadh mali, diell e hënë, etj.
Populli, nga natyra opozitare e tij, nuk i këndon qeverisë, por në rastin e Ismail Qemalit bën përjashtim:
Lumthi ne për qeverinë,
Smail benë, farfurinë,
Na gëzoi Shqipërinë,
Hapi shkollat dhe lirinë…
 
E në mes të morisë së vargjeve për portretin e tij, filozofi poet konkludon për udhëheqësin: 
 
Bëre shumë për mëmëdhenë,
Sikur shumë si Ty të qenë,
Të qenë shumë si Tyja,
Do qe bërë Shqipëria
Faqedritë e syshkëndija,
Ta kish zili gjitonia…
 
Prapë rapsodi mediton, pas afro një shekulli, për esencën e portretit të tij burri:
 
Kush është Smail Qemali?
-Gur i rëndë, gur tabani,
Gur me zemër, brumë stërralli,
Gur mermer nga më i bardhi…
 
Eposi lirik popullor e ngriti figurën e tij edhe në simbolikën hyjnore:
 
Ky plaku Smail Qemalë,
Vlorës seç i dha mejdanë,
E bë Mekë për t’u falë!
 
Në vargje atij i ka thurur tyrben, varrin, lulishten ma avlli, ushtarin që i bën roje, ritet dhe pelegrinazhin. Kolonat me njerëz i përkulen e i bëjnë “muzikë e violi…” Rrezja hyjnore e shpirtit të popullit e ledhaton atje te varri:
 
-Ç’u bë Ismail Qemali?
Qe një shenjt shqiptari,
Flamurin në Vlorë e vari…
 
Aq i madh është ndikimi i tij edhe në vargjet e mëvonshme të fatit të popullit shqiptar, saqë  vajtojca- nënë e thërret për hallet e vendit:
 
Ngreu, o ëngjëll, ngreu pak,
Se na vure në merak,
Pa mejtohemi çdo darkë:
Kush d’e ndezë këtë prak?…
 
“Praku” është Shqipëria, vendi, trojet etnike, prej nga ku pritet lumturia e siguria e shqiptarëve, jetesa si komb e popull. Edhe pasi Shqipëria u bë, ndonëse e cunguar në hartën e saj, përsëri nëna e thërret atë, – birin e saj të madh – I. Qemalin, të fluturojë mbi atdhe:
 
Ngreu, o ëngjëll, fluturo,
Shqipërinë e vizito,
Popullin na e beko,
Dhe të ligat i largo!…
 
Një mision të tillë “mbinjeriu” mund ta kishte vetëm një hero si I. Qemali. Edhe këtu epitetet hyjnore nuk reshtin: “plaku i uruar / cefël / shenjt / … i bekuar…” Adhurimi arrin përmasa përlotuese:
 
 
Të falem, Baba Qemali,
Siç i falet babës djali,
Pranomë të vij te balli,
Të të sjell ca lule malli.
 
Të gjithë malet i brodha,
Shqipërisë lulet ja zgjodha,
Ti i njihje lulet tona,
Nga ngjyra dhe nga aroma…
 
Dhe vajtojca e popullit e ledhaton edhe të vdekur heroin:
 
O lezet mbi lezete,
Po qysh re në gjumë e fjete?
Kaptove gjith’ ato dete,
Për Shqipërinë u trete…
 
E kështu, vajtimi arrin përmasa biblike, homerike, këtë herë nga Çamëria:
 
Klajnë burra, klajnë gra,
Si fëmija për baba;
Klajn’ dhe malet me dëborë
Atë zemër, atë dorë,
I vu Shqipërisë kurorë…
 
Shpirti i tij për hallet e vendit endet:
 
Në Kaninë ma bëri varrë,
Sazanin ta kem karshi;
Një dritare të ma lini
Që të shoh për Shqipëri…
 
Siç ka thënë një studiues i shquar europian : “Nëqoftëse në Vlorë nuk do të ishte ngritur flamuri i Pavarësisë nga Ismail Qemali më 1912, sot bota do të kishte humbur edhe shenjëzën e fundit të gjallë të pellazgjisë – Shqipërinë”. Prandaj vepra e Ismail Qemalit është e shumfishtë madhështore. Populli e shpreh edhe më thellë mirënjohjen ndaj kësaj vepre. Figurën e ndritur të prijësit ai e zbret edhe atje – në qiellin e kaltër intim të shpirtit të nënave – tek ninullat e djepit, ku përkunden brezat e brishtë shqiptarë. Nëna i këndon foshnjës:
 
Fli, o djalë, o krah ylberi,
Të më bëhesh si Skënderi!
O djalë, të keqen nëna,
U bëfsh Ismail nga mëndja!
M’u rritsh si drita e syrit,
Si llaf’ i baba Smailit!
 
Veprën e tij Ismail Qemali e bëri në qytetin e tij – Vlorë. Aty ku kishte lindur, ku të parët e tij ndriçonin nga shqiptarizmi i kulluar. Aty e rrethuan të gjitha viset shqiptare, por veçanërisht vlonjatët, ku fytyrën ia përndriti “ai zjarri i shenjtë e i kulluar i patriotizmit të rrallë”. Ky zjarr ia lehtësoi atij vuajtjet dhe veprën. Prandaj rapsodi- poet i rezervon në vargje një vend e konsideratë diçka të veçantë kësaj Vlore, që e ngriti në krah prijësin e vet nga Skela te Shtiza e Flamurit dhe u rreshtua fitimtare në çdo betejë që urdhëroi AI.
 
Pa shihni se ç’bëri Vlora?
Mban mbi krye shtatë kurora!
Moj Vlorë e bukur në gropë,
Pasqyra në gjithë botë!…
 
Dikur Pirroja i madh u tha ushtarëve të tij: “Unë jam shqiponja, por edhe ju – krahët e mij!”. Po ashtu zhgaba -Ismail Qemal- u rrethua në çdo hap nga patriotët shqiptarë të çdo krahine, ku çdo derë në Vlorë u hap kanatash për burrin e flamurit, për shërbimet dhe porositë e tij ndaj kësaj çështjeje. Ishte ajo frymë e liderit kombëtar që frymëzuan edhe epopetë e tjera shpëtimtare të atdheut, po këtu, në Vlorë. E prandaj është emociononte e kurdoherë prekëse thënia e një kosovari të urtë se:“Çdo shqiptar ka dy zemra në gjoksin e tij: “Në njërën -zemrën e tij, e në tjetrën-VLOREN”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jaho, Ismail Qemalit, portret

Ismail Qemalit dhe vëllai Erdogan

May 14, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Kishat na i bëri Greqia. Dhe për këtë i jemi mirënjohës Janullatosit. Xhamitë po na i bën Turqia. Dhe për këtë i jemi mirënjohës Erdoganit. Parlamentin po na i ribën Turqia. Dhe për këtë prapë i jemi mirënjohës Erdoganit. Shtëpitë në Gjirokastër po na i meremeton po Turqia. Dhe prapë ne i jemi mirënjohës Erdoganit.
Lind pyetja, po ne, çfarë do bëjmë vet?
1)Në hollet shqiptare të pritjes shtetare, në rrugë, në qoshe . Përmes fotoshopëve në webe të ndryshëm, Rexhep Taip Erdogan, parakalonte përpara relievit të Ismail Qemalit. Por edhe nën tabela rruge po me emrin e plakut të Vlorës. Njeriut që shpalli pavarsinë e Shqipërisë nga Turqia. Nga ecja aq me elegancë dukej sikur sulltani i ri i thoshte shqiptarit rebel se, prapë ke çengeli im ngelët.
Cili është ky sulltan që hodhi para me bollëk për vëllezërit shqiptarë?
Prej kohësh ka shpallur një armik opozitar, me emrin Fetullah Gylen. Madje nën emrin e këtij armiku, që e cilëson si mentor të terrorit, justifikon luftën politike pa kompromis me kundërshtarët e tij politikë. Mbron abuzimet me pushtetin, tenderimet publike, duke i dhënë vetes absolutizmin politik. Kulmin e arriti në dhjetorin e 2013 me arrestimet e pafundme nga fëmijët e ministrave dhe zëvedësministrave, tek prokurorë e gjykatës, shefa policie e gjithfarësoj race që përbente sipas tij një kërcënim për paqjen në Turqi.
Protestave të popullit u është përgjigjur gjithmonë me dhunën e uniformave.
Ndërtoi një pallat presidencial me vlerën 370 milion euro. I filloi punimet kur ishte Kryeministër i Turqisë. Dhe e inaguroi ditën që u bë President i saj.
Eshtë cilësuar një lloj binjaku i Putinit. Pasi e kopjon edhe në formën qeverisëse. Në ndërrimin e pushtetit. Mes miqve e shokëve të sërës së tij. Erdogan, Gyl, dhe së fundmi Davotogluja. Një lloj Lavrovi i Kremlinit.
Dikur na këshilloi të rishikonim tekstet e shkollës në lidhje me periudhën e pushtimit osman. Dje na kërkoi të dënonim terroristët gylenistë. Kështu mos u habisni që pas kësaj, ndonjë nga kolegjet turke, aty në vendin tonë, të mbyllen për sabotazh, a spiunazh kundër shtetit shqiptar dhe atij vëlla turk.
2)Fetullah Gyleni…, dijetari 74 vjeçar që sot jeton në shtetin e Pensilvanisë të Shteteve të bashkuara, para disa muajve dha një interviste. Foli për herë të parë për raportin e tij me vendin e lindjes. Për arsyet e moskthimit aty. Midis të tjerave theksoi se edhe këtu, ku po jeton, shkon të flej me mendimin se mund të mos zgjohet nesër.
Po cili është ky njeri që vërtet shtë kërcënimi real i pushtetit të Erdoganit? Babai i terrorizmit apo babai i asaj lëvizje të moderuar që mban emrin e tij. Dhe që përqafohet pa teserë partie nga shtresat më të përparuara të shoqërisë.
Janë një sërë burrash të po kësaj Turqie që i heqin atij kapelen. Nga Sulejman Demirel, Turgut Ozal, Bulent Exhevit, Mesut Yelmaz etj. Madje edhe stoikja femër, Tansu Çiller.
Eshtë i pari imam, ligjërues i tolerancës fetare për dialog midis feve në botën e gjerë.
Për këtë takohet me Patriarkun e Stambollit, Bartholomeu.
Takohet me Papën Gjon Pali i II në Vatikan.
Pret një përfaqësi të gjerë të hebrejve në Amerikë.
Ideator dhe prezent në Pajtimin Kombëtar . Darke e madhe e Turqisë në dimrin e vitit 1997.
Mikëpritës i përfaqësueve të Bashkimit Botëror të Kishave.
Njeriu që i është rezervuar reportazhi më i madh televiziv për së gjalli në Turqi me mendimin dhe veprën e tij.
Eshtë një ithtar i islamit të moderuar edhe në çështje zakonore si shamia e kokës. Ai nuk ka qënë dhe nuk është për atë.
Ai sot është një manjat i kolegjeve nëpër botë, mbi edukimin dhe fenë. Edhe këtu në Amerikë firma e kolegjeve të tia është e fortë. Në Gjermani po ashtu. Në Afrikë njihet si një baba i përparimit.
E sa të tjera.
A mund të jetë terrorist një njeri i tillë.
3)Shqipëria është bërë shumë pragmatiste. Madje edhe opinionet ishin të natyrës që, çfarë na duhet ne lufta politike e Erdoganit. Na duhen paratë e tia. Megjithëse në historinë tonë, pragmatistët i kemi shfarosur, i kemi shpallur tradhtarë të kombit. I kemi quajtur kuislingë e të tjera. Kurse sot, pragmatizmi nuk është tradhëti. Mjafton që një sulltan, një baron droge, a një alien të derdhi para aty. Të tjerat nuk na interesojnë.
Po a niset vallë mbarë kështu, shtëpia e besimtarëve. Në fund të fundit, a kemi klerikë? A kemi qeveri? A punojmë? A prodhojmë? Sepse çdo tre mujor jepen shifra të kënaqshme bilancesh.
Arritjesh. Sidomos nga doganat.
A ka baltë Shqipëria? A ka çimento? A ka hekur për të bërë kupola?
Ku janë vulnnetarët që ndërtuan hekurudha, që hapën tunele, që ngritën hidrocentrale etj? Ku janë këta njerëz që të vrasin po tu kritikosh Ramën.? Apo kryetarin e Parlamentit që e priti i dobësuar një dorë e gjithë qeshje Erdoganin.?
Ky është sukses qeveritar, mbledhje ndihmash.? A nuk quhesh më i shitur tek tjetri.? I mvarur.? Apo i kapur nga fyti?
A e di Erdogani se ne quajtëm Rilindje periudhën e përpjekjeve për tu shkëputur nga Turqia.? Apo e parë në syrin e tij, Rilindja tashmë i përket Turqisë Erdoganiste?
4)Para një muaji shkrova një reportazh për shtëpinë e ish Kryeministrit tonë, Noli. E gjeta atë shtëpi diku në qëndër të Fort Lauderdalel-it. Këtu në shtetin e Floridës. E nisa në shume editore në Shqipëri, me ndjesinë e sensibilizimit për një vëmendje të qeverisë ndaj kësaj banese ku prehet historia jonë. Mirëpo asnjë nga këto editoriale nuk denjoi ta botonte. Ia nisa edhe Kryeministrisë. As nga këtej nuk mora ndonjë shenjë. Më kujtohet para dy vjetëve, kur i kujtoja Presidentes së Kosovës diçka mbi rolin e njeriut të parë. Të paktën e mora një sinjal. Kjo, jo për vlerën e njërit apo tjetrit, por për atë vlerën e komunikimit. Heshtja është më e keqe se kundërshtimi.
Gjtihsesi, vetëm një njeri biznesi dhe një gazetar që jeton në Amerikë, kërkuan të dhëna më të detajuara. Shkrimin e botuan të gjithë webet jashtë Shqipërisë. Por asnjë brenda saj.
Sot mora përgjigjen e duhur për mosbotimin. Edhe nga opinionistët. Edhe nga qeveritarët shqiptarë. Ata duan sugjerime kur u jep para. Jo të japin para.
Kështu më duhet t’i them Imzot Nolit, që të mos mërzitet pse ia kanë shitur kishën. Pse e kanë braktisur. Jemi në kulmin e lypjes. Njohim dhe respektojmë vetëm atë që na jep.

Filed Under: Editorial Tagged With: dhe vëllai Erdogan, Ilir Levonja, Ismail Qemalit

MBRINE NE SKELE ISMAIL QEMALI – PËRURIMI I SHTATORES, NË 27 NËNTOR SHESHI “PAVARËSIA”

November 24, 2012 by dgreca

Nga GËZIM LLOJDIA/

Ka mbritur në sheshin e Skelës me synim të qëndroj aty përherë ,Ismail bej Vlora. Përurimi i shtatores do të kryhet në 27 nëntor në sheshin “Pavarësia”.Shtatorja e Ismail beut u realizua nga skulptori Zeqir Alizoti në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare .Monumenti i plakut të Vlorës,që ngriti flamurin dhe krijojë qeverinë në vitin ‘12 u financua nga bashkia Vlorë dhe u vendos në një nga sheshet kryesore të qytetit të Flamurit në sheshin e njohur me emrin :”Pavarësia”.Skulptori ka gdhendur plakun e Vlorës në këmbë me një vështrim në thellësi të shekujve .Në njërën dorë mbanë xhaketën dhe në dorën tjetër por të përkulur mbanë mesazhin. Një pamje ballore mjaftë e gjetur e cila të tërheq dhe të ngjall emocion. Mesazhi i skulptorit është i qartë. Në të tre variantet skulptori ka menduar edhe për flamurin. Ai shfaqet dukshëm pas figurës të plakut të Vlorës. Shtatorja e plakut të Vlorës themeluesit të shtetit, është vendosur në sheshin përpara universitetit të Vlorës në shpinën e tij monumenti ka një fushë pamje nga deti.

Ismail Qemali është njeriu që ngriti flamurin por deri më sot nuk ka një monument të tij .Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë shqiptarë u përjetësuan në një monument në qendrën e sheshit historik të Flamurit. Studiuesit e shumtë kanë përkrahur idenë se aty është ngritur flamuri në ditën e pavarësisë. Aty është vepra me dinamike, një monument punuar me bronz i njohur si Monumenti i Pavarësisë. Një masiv bronzi ,17 m e lartë,përfunduar në 28 nëntor 1972.

Në të njëjtin vend ku është Lulishtja “I.Qemali”, është varri i patriotit I.Qemali,

obelisku me luftëtarin e lirisë. Ndërtuar në vitin 1932. Në këtë zonë kanë ekzistuar disa shtëpi,por u prishën me vendim të bashkisë së Vlorë në vitin’32,për të ndërtuar lulishten “I.Qemali”.Ka qenë një interesim i kryebashkiakut të Vlorës Ali Asllanit. Eshtrat e plakut të Vlorës u sollën nga Kanina,ku ishte varrosur në 1919 sëbashku me dy kryeministrat e tjerë në kopshtin e teqesë së Kaninës dhe tyrben e kësaj teqeja,që është shpallur monument për kohën dhe rëndësinë e saj.

Monumenti i skulptorit Zeqir Alizoti,do të jetë i pari ku figura e patriot të shquar të përjetësohet në një monument të vetën në sheshin e Skelës .Lidhja që krijohet këtu është edhe historike.Duke qenë se në sheshin e Flamurit gjendet pjesa kryesore e kompleksit muzeal në Skelë gjendet muzeu kombëtar i Pavarësisë,selia e Qeverisë së parë të I.Qemalit. Ndërtesa e Muzeut të Pavarësisë Kombëtare është autentike,që ruan vështrimi e asaj kohe. Materialet këtu janë të sistemuara si në kohën kur punoi qeveria e Vlorës me Kryeminsitër I.Qemalin.Ajo gjendet në rrugën Vlorë-Skelë,afër detit,por pamja e saj,fytyra e saj vështron nga hapësira e detit, kryesisht nga gjiri i Vlorës. Eqrem bej Vlora, e ka përshkruar në këtë mënyrë këtë vajtjen e I.Qemalit në këtë ndërtesë:”Në fund të marsit Ismail beu u kthye nga Londra,vecse nuk erdhi më për të banuar në shtëpinë e Xhemilit,por zuri në Skelë atë vilën e vogël,por shumë të këndshme të karantinës,që administrohej nga Komisioni Ndërkombëtar i Shëndetësisë…”

Kryeministri I.Qemali

Kryeminstri Ismail Qemali punoi 40 vjet në administratë deputet,vali.17 vjeç ishte përkthyes në Ministrinë e Jashtme,guvernator në Varna,Tripoli.U internua nga perandoria osmane në Anadoll në një mungesë prej 7 vjetësh.1900 arratiset në Greqi me një anije angleze.Kryeminstri kishte 10 fëmijë.6 djem, 4 vajza.Në zyrën e kryeminstrit në muzeune Skelës është një foto e tij me 6 djemtë e tij. Më 1864, siç shkruan edhe veë, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk (Bullgari), Ismail Qemali u dashurua me Kleoniqi Surmeli, e bija e Antonit, një fisnik grek nga Edirneja, nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-95). «Martesa ime,- shkruan Ismail Qemali,- me gjithë zhurmën që kishte shkaktuar, më dha shumë prova simpatie nga ana e miqve të mi». Me Kleoniqi Surmelin pati lumturinë, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë: gjashtë djem: Mahmud bej Vlora(1871-1920), Tahir bej Vlora (1875-1932), Et’hem bej Vlora(1885-1937), Xhevdet bej Vlora (1888-1910), Qazim bej Vlora (1893-1953), Qamil bej Vlora (1895-1950) dhekatër vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (1955), Ylvije (1934), një vajzë vdiq pas lindjes

Skulptori Z.Alizoti është mare gjatë me punimin e figurës së Ismail Qemalit.Kur e pyeta gjashtë muaj më parë se cilat ishin veprat e tij krijuese ai më shpjegoi se po përgatiste vepra të llojit monumente për dy figura të shquara si Ismail Qemalin dhe Zenel Gjolekën prijësin e tradhtuar ,monumenti i këtij të fundit do të jetë të veçantë ai do të ngrijë në bonz prijësin në kalë. Dhe ky monument do të ketë vend në një nga sheshet e qytetit të Flamurit. Figurën e plakut të Vlorës ,skulptori ka vite që e bluan në mëndje ,një ditë derdhi në fonderinë e tij,tre maketet e vogla të cilët do të sjellin një ndër të përzgjedhurat për tu vendosur definitivisht në Skelë. Është puna e këtij skulptori për vizitorët e 100 vjetorit që do të zbresin në qytetin e Flamurit do të kenë mundësi të marrin një portrete të plakut të Vlorës ,punuar në shamot derdhur në fonderinë e tij ,mirëpo e vendosur në kornizë druri. Jo vetëm kaq po ky skulptor ka realizuar edhe shtizën e flamurit në mermer e realizuar artistikisht me mjeshtëri nga dora e skulptorit vlonjat Alizoti.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Busti, Gezim Llojdia, Ismail Qemalit, mberrin ne Skele

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT