Me rastin e 104 vjetorit te Pavaresise/
Nga IDAJET JAHAJ/
Populli ynë nuk u këndon politikanëve, veçse në rastin e Ismail Qemalit, të cilin, në vargjet e tij, e cilëson si “politikan- diplomat të artë”. Ismail Qemali ishte një personalitet, dhuntia e të cilit bashkoi shpirtrat e patriotëve shqiptarë rreth çështjes së madhe të Flamurit. Xhevairet e tij populli nuk ua fal, veçse heronjve të sprovuar, që kanë shkrirë jetën e tyre me atë të përgjithshmen – kombëtaren. Ai u ka kënduar trimave, kapedanëve, luftëtarëve dhe udhëheqësve të shquar për liri e pavarësi, punëtorëve të pushkës e të penës, që ndritin një fytyrë – atë të Shqipërisë. Midis tyre figura e Ismail Qemalit zë një vend të veçantë nderi.
Për kryeveprën e tij të flamurit ai bëri një odise të gjatë, një heroizëm të pashoq, përpjekje e sakrificë plot mundime shumëvjeçare, duke i rënë kryq e tërthor kontinentit … derisa e realizoi veprën e shkëlqyer të 1912-ës. “Ta dini ç’kam hequr” – u thoshte ai bashkatdhetarëve atëherë, dhe në këto pak fjalë drithëron heroizmi i tij i pashembullt.
Populli ynë e ka ndjekur hap pas hapi në vargje lëvizjet e liderit, nga çasti kur ai u shkëput nga perandoria osmane, më 1900. Si një kronikë besnike, muza popullore i regjistroi këto lëvizje që nga “pëllëmba që i dha Sulltani”, … ikjen e tij nga deti me gjemi, vajtjen në Francë “te krajlitë e Parisit”, e kudo nëpër Evropë. Vetë ky regjistrim veprimesh është njëherazi edhe shenjë e nderimit të madh për veprën e patriotit të shquar.
Mora lajmin këto ditë, o shokë, se ç’paska ngjarë,
Thonë se vdiq një profit, i thoshin Smail Qemalë;
Gjezdisi Evropën gjithë, erdhi e vdiq në Italjë!…
Shumë herët ka folur Ismail Qemali për përparimin e Shqipërisë, por 12 vjetët e tij – një dekadë e ca – në fillim të shekullit të 20-të, qenë kërkimet e pareshtura, përpjekjet e mundimshme të tij derisa realizoi DITËN E MADHE TË PAVARËSISË. Populli i Vlorës do ta priste me festë më 1908:
Dilni, o vlonjatë të tërë
Buzë molit sërë-sërë,
Me anije vjen lezeti,
Ismail Qemal rrëmeti...
Ai kishte bredhur shtetet, kancelaritë. Dhe kudo që shkoi “diplomati kryelartë / mban në dorë vulën e artë!/. Akti i 1912-ës ishte shpërthim i njëhershëm i shpirtit të gjithë rilindësve bashkë. Ato gryka e gjuhë të zjarrit kombëtar (të kombit më të vjetër të Evropës) do të shfrenin idealin, qëllimin, zemrën e furinë në duart e bashkuara rreth shtizës së flamurit me palët kuq e zi. Në këtë shtizë do të ndriçonte mbi të gjitha, dora e bardhë e plakut të ndritur – autorit kryesor të veprës.
Ç’po fryn era e flamurit,
Sytë e pushkëve gëzojnë…
Vetëm një shpirt i tillë, mahnitës, mund të thurë vargje të tillë.
Ndërsa Ismail Qemali do të afrohej nga Durrësi, nëpër Myzeqenë plot baltra e ujëra, këtu në Vlorë:
Zu flamuri të llamisë,
Marigoja të qëndisë,
Për ditën e perëndisë…
…Të qëndisë Marigoja,
Me ato llërët e njoma
Flamurin që vishej Vlora,
Hapej e ngrihej shqiponja…
Marigoja ishte njeri, i përveçëm, grua, por duart e saj, zemra e saj, hovi i saj, ishin flatrat e shpirtit të një populli, të një kombi, prej shekujsh të shtypur e të etur për liri. Marigoja u bë kështu simotra e Donikës së Kaninës, sikur ajo (Donika) ta sillte prej Krujës flamurin e të shoqit .. këtu te qyteti ku ishte dhëndërr… Ismaili “mblodhi çikat një nga një / dhe tha: shqipja u bë/”. Festa s’kish të krahasuar. Ndodhi vetëm në nëntorin e parë të vitit 1444, në Krujën e legjendarit Skenderbe. Dhe tani në Vlorë:
Gëzojnë fusha dhe male,
Ngritën muzikën e madhe;
…Gëzon Shqipëri e shkretë,
Që doli në këtë jetë,
Nëntëqind e dymbëdhjetë
Hodhi rrënjë e mbiu fletë…
Dhe ishte një ciceron i vargjeve dhe i bukurisë së këngës labe, nga Vlora – himarjoti Neço Muka, ai që thuri vjershën e famshme të asaj dite, një nënhymn të flamurit:
Më 28 nëntor në këmbë u ngrit Shqipëria,
Smail Qemali në Vlorë bashkë me shokët e tija,
I tha popullit me gojë “Poshtë, o shokë, robëria!”
Evropa le ta dëgjojë, nuk ka vend këtu Turqia!
Dhe muza popullore konkludoi për flamurtarin:
Ti na nxorre sipër varrit,
Na prure nderin e ballit!
Qindra e mijëra vargje dhe këngë përbëjnë opusin madhështor të mirënjohjes dhe nderimit të masave të popullit për Burrin e Flamurit. Lumi i ndritshëm i tyre nuk pati ‘më të përmbajtur e të ndaluar.
I gdhendi ATIJ portretin. Aq bukur, aq prekës, aq piktorik, sa rrallëkujt në histori:
Ismail, o yll lirie,
Vlorë sokakut kur vije,
Burrë i madh që bëje hije!
Metaforat, krahasimet, hiperbolat, sidomos epitetet, populli nuk i kurseu e për këtë nuk ka frikë se gabon: “Smail beu farfuri / Atdhetar gjer në thua / Qemali ynë i florinjtë / O zog i shkruar me pëndë / Diplomati gojëartë/…”
Herë e krahason me qenien e butë e të brishtë: zanë e perrí (si s’e pandehu njeri / të vdiste ai perri/), e herë me tonalitetet e forta e madhështore: dragua, asllan… (asllani ndërroi jetë). Dhe vazhdojnë: “plaku i bardhë, dorëbardhë, mjekër e flokëbardhë (është çudi emocioni që shkakton simbolika e bardhësisë te ky njeri!), ballëkurorë / Kishte lerë me këmishë / për fatin e Shqipërisë / … sorkadh mali, diell e hënë, etj.
Populli, nga natyra opozitare e tij, nuk i këndon qeverisë, por në rastin e Ismail Qemalit bën përjashtim:
Lumthi ne për qeverinë,
Smail benë, farfurinë,
Na gëzoi Shqipërinë,
Hapi shkollat dhe lirinë…
E në mes të morisë së vargjeve për portretin e tij, filozofi poet konkludon për udhëheqësin:
Bëre shumë për mëmëdhenë,
Sikur shumë si Ty të qenë,
Të qenë shumë si Tyja,
Do qe bërë Shqipëria
Faqedritë e syshkëndija,
Ta kish zili gjitonia…
Prapë rapsodi mediton, pas afro një shekulli, për esencën e portretit të tij burri:
Kush është Smail Qemali?
-Gur i rëndë, gur tabani,
Gur me zemër, brumë stërralli,
Gur mermer nga më i bardhi…
Eposi lirik popullor e ngriti figurën e tij edhe në simbolikën hyjnore:
Ky plaku Smail Qemalë,
Vlorës seç i dha mejdanë,
E bë Mekë për t’u falë!
Në vargje atij i ka thurur tyrben, varrin, lulishten ma avlli, ushtarin që i bën roje, ritet dhe pelegrinazhin. Kolonat me njerëz i përkulen e i bëjnë “muzikë e violi…” Rrezja hyjnore e shpirtit të popullit e ledhaton atje te varri:
-Ç’u bë Ismail Qemali?
Qe një shenjt shqiptari,
Flamurin në Vlorë e vari…
Aq i madh është ndikimi i tij edhe në vargjet e mëvonshme të fatit të popullit shqiptar, saqë vajtojca- nënë e thërret për hallet e vendit:
Ngreu, o ëngjëll, ngreu pak,
Se na vure në merak,
Pa mejtohemi çdo darkë:
Kush d’e ndezë këtë prak?…
“Praku” është Shqipëria, vendi, trojet etnike, prej nga ku pritet lumturia e siguria e shqiptarëve, jetesa si komb e popull. Edhe pasi Shqipëria u bë, ndonëse e cunguar në hartën e saj, përsëri nëna e thërret atë, – birin e saj të madh – I. Qemalin, të fluturojë mbi atdhe:
Ngreu, o ëngjëll, fluturo,
Shqipërinë e vizito,
Popullin na e beko,
Dhe të ligat i largo!…
Një mision të tillë “mbinjeriu” mund ta kishte vetëm një hero si I. Qemali. Edhe këtu epitetet hyjnore nuk reshtin: “plaku i uruar / cefël / shenjt / … i bekuar…” Adhurimi arrin përmasa përlotuese:
Të falem, Baba Qemali,
Siç i falet babës djali,
Pranomë të vij te balli,
Të të sjell ca lule malli.
Të gjithë malet i brodha,
Shqipërisë lulet ja zgjodha,
Ti i njihje lulet tona,
Nga ngjyra dhe nga aroma…
Dhe vajtojca e popullit e ledhaton edhe të vdekur heroin:
O lezet mbi lezete,
Po qysh re në gjumë e fjete?
Kaptove gjith’ ato dete,
Për Shqipërinë u trete…
E kështu, vajtimi arrin përmasa biblike, homerike, këtë herë nga Çamëria:
Klajnë burra, klajnë gra,
Si fëmija për baba;
Klajn’ dhe malet me dëborë
Atë zemër, atë dorë,
I vu Shqipërisë kurorë…
Shpirti i tij për hallet e vendit endet:
Në Kaninë ma bëri varrë,
Sazanin ta kem karshi;
Një dritare të ma lini
Që të shoh për Shqipëri…
Siç ka thënë një studiues i shquar europian : “Nëqoftëse në Vlorë nuk do të ishte ngritur flamuri i Pavarësisë nga Ismail Qemali më 1912, sot bota do të kishte humbur edhe shenjëzën e fundit të gjallë të pellazgjisë – Shqipërinë”. Prandaj vepra e Ismail Qemalit është e shumfishtë madhështore. Populli e shpreh edhe më thellë mirënjohjen ndaj kësaj vepre. Figurën e ndritur të prijësit ai e zbret edhe atje – në qiellin e kaltër intim të shpirtit të nënave – tek ninullat e djepit, ku përkunden brezat e brishtë shqiptarë. Nëna i këndon foshnjës:
Fli, o djalë, o krah ylberi,
Të më bëhesh si Skënderi!
O djalë, të keqen nëna,
U bëfsh Ismail nga mëndja!
M’u rritsh si drita e syrit,
Si llaf’ i baba Smailit!
Veprën e tij Ismail Qemali e bëri në qytetin e tij – Vlorë. Aty ku kishte lindur, ku të parët e tij ndriçonin nga shqiptarizmi i kulluar. Aty e rrethuan të gjitha viset shqiptare, por veçanërisht vlonjatët, ku fytyrën ia përndriti “ai zjarri i shenjtë e i kulluar i patriotizmit të rrallë”. Ky zjarr ia lehtësoi atij vuajtjet dhe veprën. Prandaj rapsodi- poet i rezervon në vargje një vend e konsideratë diçka të veçantë kësaj Vlore, që e ngriti në krah prijësin e vet nga Skela te Shtiza e Flamurit dhe u rreshtua fitimtare në çdo betejë që urdhëroi AI.
Pa shihni se ç’bëri Vlora?
Mban mbi krye shtatë kurora!
Moj Vlorë e bukur në gropë,
Pasqyra në gjithë botë!…
Dikur Pirroja i madh u tha ushtarëve të tij: “Unë jam shqiponja, por edhe ju – krahët e mij!”. Po ashtu zhgaba -Ismail Qemal- u rrethua në çdo hap nga patriotët shqiptarë të çdo krahine, ku çdo derë në Vlorë u hap kanatash për burrin e flamurit, për shërbimet dhe porositë e tij ndaj kësaj çështjeje. Ishte ajo frymë e liderit kombëtar që frymëzuan edhe epopetë e tjera shpëtimtare të atdheut, po këtu, në Vlorë. E prandaj është emociononte e kurdoherë prekëse thënia e një kosovari të urtë se:“Çdo shqiptar ka dy zemra në gjoksin e tij: “Në njërën -zemrën e tij, e në tjetrën-VLOREN”.
Pelivan says
Te lumte Idajet jahaj! E ke gdhendur portetin e me te madhit kombetar, shqiptarit te vertete,te vlonjatit te mencur e burr mbi burrat, Ismail Qemalin.Jo,askush s’do e bente me mire nje tjeter portret.Pa mburrka a lulushamka… Por, thjesht,paster ashtu sic ish dhe mbeti ai,bardherori burr.Respekte per jy profesor Idajeti.