• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Serbia deri në vitin 2050 humb një milion banorë

October 1, 2017 by dgreca

Serbia deri në vitin 2050 humb një milion banorë – shtim natyror pozitiv vetëm Senica (1,1), Novi Sadi (1,3), Presheva (3,1), Novi Pazari (6) dhe Tutini (7.9)./

Ismeti profil

Nga Ismet Azizi/ Gazeta”DIELLI/

Serbia, siç paralajmërojnë  demografët  radhitet në vendin e gjashtë  për nga mosha e popullsisë në Evropë,   dhe për një   vit “humbë”   një qytet të madhësisë së Prijepoles  apo BeçejitSerbia është vendi i gjashtë me moshë më të vjetër  në Evropë, dhe mosha mesatare e popullsisë është 42.9 vjet! Numri i njerëzve mbi 65 vjeç është 33 për qind, gjegjësisht është  më i lartë se numri  i popullsisë  nën moshën 15 vjeçe. Në Serbi çdo vit mesatarisht  vdesin 102.455 njerëz ,  ndërsa  lindin vetëm 67.459 foshnje. Kjo do të thotë që çdo vit Serbia  humb 35 000 banorë,  gjegjësisht një qytet  të madhësisë së Prijepoles, Beçejit ose të komunës së Savski venacit, shkruan e përditshmja  novosti.

Nga viti 2006 deri në vitin  2016, numri i banorëve në Serbi, vetëm në bazë të rritjes natyrore, është  zvogëluar për rreth 385,000 banorë. Prandaj nuk është e çuditshme që para disa dite  agjencia e inteligjencës amerikane CIA, në publikimin e saj të cilat i publikon për të gjitha vendet e botës, në Serbi plakja e popullsisë ka  potencuar  është një   sfidë e madhe.Sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë, situata demografike në Serbi karakterizohet nga një rritje natyrore dukshëm negative dhe zgjerimi i zonave të depopullimit. Më së paku foshnje lindin  në Serbinë jugore dhe lindore. Komunat e vetme në Serbi që kanë shtim natyror pozitiv  janë Senica (1,1), Novi Sadi (1,3), Presheva (3,1), Novi Pazari(6) dhe Tutini (7.9).

Pritjet se numri mesatar i lindjeve për një grua,  nga ajo aktuale 1.4,  se mund të arrihet relativisht  lehtë  në nivelin e dy fëmijëve në dekadat e ardhshme janë praktikisht jorealiste, jo vetëm për popullatën tonë, por për shumicën e Evropës – thotë Vladimir Nikitović, doktor i demografisë në Institutin e Shkencave Sociale.

Nikitoviq për novostin shton: “Megjithatë, mesatarja e 1.85 fëmijëve të lindur për grua mund të jetë qëllimi i parë realist i politikës sonë të popullsisë, siç tregohet nga të gjitha hulumtimet përkatëse demografike në kontekstin evropian. E ardhmja e tillë demografike në mënyrë të qartë thekson se nuk mund të presim   ndalimin e rënies dhe plakjes së popullsisë së Serbisë nga mesi i shekullit, por këto procese të paktën mund ta zbutim.”Studimet e këtij instituti thonë se shansi i Serbisë për mbijetuar është të bëhet shtet migrues, sikurse vendet e Evropës Perëndimore. Krijimin e një zone të shpopullimit në Evropën Lindore – në Slloveni, Kroaci, Rumani, Bullgari, Moldavi – krijon, sipas Nikitoviq, hapësira për ardhjen e emigrantëve. Popullatat e vjetra do të kenë nevojë për   fuqi punëtore të re, ndërsa  dikush do të duhet të vijë në këto zona për t’u kujdesur për të moshuarit, përfundon Nikitoviq.

Filed Under: Kronike Tagged With: banore, humb një milion, Ismet Azizi, Serbia deri në vitin 2050

Faktorë të “lodhjes” së identitetit të peshterasve

June 15, 2017 by dgreca

Represaliet, dhuna, shpërngulja, analfabetizmi faktorë të “lodhjes” së identitetit të peshterasve!/Uglla ( Ugao) viti 1915Duke shfletuar literaturën që posedoj për Sanxhakun më ra në sy një e vërtetë e hidhur: ”Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla”. Si është e mundur një gjë e tillë, do të mundohem ta shtjelloj më tutje.

Nga Ismet Azizi/

Deri në vitin e 90-të, të shekullit të kaluar, gjegjësisht fundi i viteve të 80-ta nuk kishim analiza , shkrime apo të dhëna  të sakta për gjendjen dhe pozitën e popullsisë së Sanxhakut. Ndër të parët dhe të  rrallët është autori Avdia Avdiq i cili u mor me këtë problematikë. Për pozitën arsimore kulturore të Sanxhakut shkruan: “Për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në periudhën në mes të dy luftërave botërore, është vështirë të flitet, posaçërisht nga viti 1930, kur popullata, pothuajse tërësisht ishte analfabete. Sanxhaku ka qenë i njohur jo vetëm si regjion i pazhvilluar, por edhe për prapambeturinë në aspektin kulturor dhe arsimor. Në fshatra të tëra nuk ka pasur kush të lexoj ndonjë shkresë, gjë që është dashur të udhëtohet me orë të tëra. Novi Pazari ishte qyteti në Jugosllavinë e atëhershme më i madhi për nga numri i analfabetëve. Sipas regjistrimit të popullsisë  së viti 1931, 60% e meshkujve  të moshës mbi 10 vjeçare ishte e pa arsimuar, ndërsa ajo e femrave ishte 92 %. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për  popullsinë e përgjithshme, mandej pjesa dërmuese ishte popullsi fshatare, e cila jetonte në kushte të vështira jetësore. Dallimet e mëdha ishin edhe sipas qyteteve, p sh qarku i Tutinit, që ishte i banuar vetëm me shqiptarë dhe boshnjak, shkalla e analfabetizmit ishte  89%, ndërsa ai i Novi Pazarit 63%. Posaçërisht në Sanxhak, popullsia Muslimane (shqiptare dhe boshnjake I.A) ishte e tëra pothuajse analfabete. Ishte rast i rrallë që ndonjë Myslimane të jetë e arsimuar. Faktorët për një gjendje të tillë ishin të shumëfishtë, nga ato: popullsia myslimane nuk ka dashtë ta pranoj shkrim- leximin serb, ndërsa të vetin nuk e kishin,e deri te ajo se myslimanëve nuk ju duhet, posaçërisht femrave myslimane.”

Në tërë Sanxhakun në vitin 1931 kanë ekzistuar vetëm 127 shkolla fillore katër klasash. Shkollat kryesisht ishin në vendbanime të mëdha, ndërsa fshatrat  malore, sidomos ato të Peshterit ishin pothuajse pa asnjë shkollë, pra popullata ishte fare e paarsimuar.

Në tërë Sanxhakun në këtë kohë ekzistonin vetëm katër gjimnaze katërvjeçare ( gjimnazi i ulët) të cilat herë punonin herë ishin të mbyllur. Novi Pazari kishte vetëm një gjimnaz të ulët tetë vjeçar, edhe kjo shkollë mandej zbret në atë katërvjeçar, kështu që vetëm Plevle kishte një gjimnaz  tetëvjeçar në tërë Sanxhakun.

Shkollat ishin me numër të vogël të nxënësve. Prindërit nuk ishin të interesuar t’i shkollojnë fëmijët e tyre, rezistonin t’i dërgojnë fëmijët në shkolla. Posaçërisht popullsia Myslimane, sidomos  vajzat nuk ishin të interesuar t’i arsimonin. Pushtetarëve të atëhershëm kjo iu shkonte për shtati. Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, e kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla. Si është e mundur një gjë e tillë?!Do të mundohem ta shtjelloj më tutje.

“Sa më larg shkollave dhe kulturës, për popullin ishte më mirë”; ishte bindja e popullatës Muslimane. Por edhe ata që kishin dëshirë që t’i shkollonin fëmijët e tyre nuk kanë pasur mundësi materiale.

Mali i Zi hyri në Luftën ballkanike me qëllim të zgjerimit të territorit të saj në drejtim të Shqipërisë dhe në verilindje drejt Sanxhakut.

Gjatë marrjes së territoreve, pothuajse pa luftë forcat malazeze kudo që hynin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë e pafajshme, Pasi që kishin marrë trevën e Bjelopoles, atë të Kolashinit, Plavën dhe Gucinë, Ushtria malazeze  niset drejt Senicës së cilës i shkon në ndihmë edhe ushtria serbe, të cilët kah do që shkonin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë vendase myslimane. Në tetor të viti 1912 shumë shpejt dorëzohet dhe bie në duart e ushtrisë serbo- malazeze. Udhëheqësi famëkeq ushtarak malazez Boshkoviq, menjëherë të nesërmen fillon çarmatosjen e popullsisë së Peshterit. Boshkovi vendoset në fshatin Doliq të banuar krejtësisht me popullsi shqiptare ku edhe kishte kaluar natën. Doliqin dhe disa fshatra të Peshterit  i çarmatosin dhe i mblodhën mbi 100 pushkë, Një raport i oficerëve flet; “të gjitha fshatrat i kanë sjellë armët, përveç një pjese e cila nuk i solli me dëshirë, por rezistuan dhe filluan të gjuajnë  mbi ushtrinë tonë gjë që qëndruam burrërisht dhe i vranë dhe i therën 20 kriminel. Në këtë raport nuk flitet për humbjen që kishin pësuar nga luftëtarët të cilët mbronin vendin e tyre nga ushtria okupatore serbo-malazeze. Në raport nuk janë raportuar të dhëna për njësitë ushtarake të këtij batalioni a kanë pasur humbje  apo të plagosur në radhët e tyre.

Për shpërnguljen e popullsisë së Sanxhakut, gjatë kësaj periudhe, po veçojmë autorin Safet Banxhoviq i cili shkruan; “Pas Luftërave ballkanike fillon me të madhe  shpërngulja e popullsisë për Turqi, para se gjithash pas krimeve të kryera ndaj tyre. Posaçërisht pas qërimit të hesapeve të ushtrisë malazeze me peshterasit, të përcjellë me plaçkitje, ndezjen e shtëpive. Për rrugën e “Stambollit”, e cila për shekuj ishte e rëndësisë jetësore, letrari Qamil Sijariq më vonë kishte shkruar; “E shkretë është ajo rrugë nëpër fushën e Peshterit, dhe s’ka në te hane, s’janë më hanxhinjtë dhe kafexhinjtë, nuk është askush sepse njerëzit kanë shkuar në anët tjera, të duket se me ta ka shkuar edhe uji- nuk është askush. Kalldërma e dikurshme, kush e di se e kujt, mund të jetë, e romakëve, ndoshta e turqve, e ka mbuluar barishta. Barishta më së shumti paraqitet aty ku dikur ishin hanet. Pavarësisht sa qëndron, apo sa do të presësh asgjë nuk do të dëgjosh, Kanë shkuar nga këtu kaherë karvanët,”

Krimet që i ka bërë Boshko Boshkoviq, sipas autorit Avdiq, flet Skender Turkoviq ( Hukiq) 90 vjeçar.

“Ende pa mbërri ushtria malazeze  iu kishte  shkuar porosia, me të cilën  i këshillohet popullatës myslimane që para se të vjen ushtria malazeze, në shtëpitë e tyre duhet të vendosen flamujt e bardhë, të gjithë t’i dorëzojnë armët, dhe municionin, të gjithë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të jenë të gatshëm t’ju përgjigjen ftesës se ushtrisë. Kush nuk iu përgjigjet këtyre urdhrave do të jetë i vrarë. Objekti për mbledhjen e armëve ishte caktuar shtëpia  më e madhe në qendër te fshatit Doliq. Shtëpia kishte 11 dhoma, dhe në te jetonin  6 familje. me 70 anëtarë

Një dhomë ishte caktuar për Boshkoviqin dhe një dhomë për palët të cilat i sillte patrulla. Kjo dhomë shërbente për  rrahjen dhe maltretimin, para se t’i ekzekutonin apo i zhduknin. Me vendosjen e Boshkoviqit me ushtrinë e tij fillon edhe plaçkitja e popullsisë, duke ua marrë kafshët për sigurimin e ushqimit. Mbledhja e armëve ishte pretekst për të ua bërë jetën të padurueshme, me qëllim përfundimtar pastrimin etnik të kësaj treve. Likuidimet kryesisht bëheshin me vrasje nga pushkët por edhe me therje. Gjithsejtë në Doliq janë vrarë 20 persona pa asnjë arsye. Boshkoviq i pakënaqur me këtë vazhdoi të njëjtën gjë ta bëjë edhe nëpër fshatrat tjera. Në Ugëll vritet Hajredin Qelaj, me dy djemtë e tij, mandej Hidë Uglanini, me gjithë vëllain e tij, hoxhë Omeri të cilin e vrasin me 13 plumba dhe e therrën në fyt. Përveç vrasjes së 5 njerëzve të pafajshëm ata i djegin dy shtëpi, dhe hanin e Hajredin Qelës. Para se ta bëjnë këtë, kishin plaçkitur 700 krerë dele, dhe 60 krerë gjedhe. Të njëjtën ditë në Boroshticë kanë vrarë Tahir Shkrelin, ndërsa në Tuzinje 10 persona të pafajshëm, mandej edhe tre në fshatin Bërniq. Në vazhdim e sipër në fshatin Rasno vrasin një person të Rshlaninëve. Qëllimi i tyre ishte të vazhdojnë edhe në fshatrat tjera, por për shkak se nga ana tjetër kishte hyrë ushtria serbe ata u desh të kthehen mbrapa. Edhe në kthim e sipër,  nëpër vendbanimet tjera ata vazhduan ta bëjnë të njëjtën gjë. Ushtria malazeze, vazhdoi me plaçkitje e vrasje kudo që iu jepej rasti. Kur kishin arritur në Koritë( në anën malazeze të Sanxhakut I. A) atje tashmë armët ishin mbledhur për t’i dorëzuar, dhe ishin vendosur në vend të caktuar, flamujt e bardhë ishin vendosur në të gjitha shtëpitë e Muslimanëve. Të gjitha masat e ndërmarra, si në Doliq, e edhe në fshatrat tjera, nuk i shpëtoi Myslimanët. Me metoda perfide,  marrjen e armëve, mandej,  therjen e popullit duarthatë, u përdorën edhe këtu sikurse edhe në pjesët tjera të Sanxhakut disa vite më vonë. Në këtë fshat ushtarët malazezë vranë 58 meshkuj dhe dy gra, të cilat u munduan t’i mbrojnë bashkëshortët e tyre. U vra edhe një djalosh 18 vjeçar, të vetmin që kishin prindërit, të cilin e ëma ashtu të sëmur, i shtrirë në shtrat, e mbështjell për kraharorin e sajë, duke ju lutur që ta kursejnë. Nuk kishin mëshirë. Së pari ia prenë hundën, mandej para syve të së ëmës e vrasin. Ishte tragjedi e madhe e këtij fshati dhe për banorët e tij të cilët ishin viktimë e një politike brutale.”

Çarmatosja e popullsisë ka vazhduar të zbatohet edhe pas Luftës së parë botërore gjegjësisht  menjëherë pas ri okupimit nga ushtria e Mbretërisë Serbe.

Çarmatimi ka pasur të bëjë me faktin se kjo popullsi konsiderohej e disponuar armiqësisht ndaj “gjendjes së re”. Citon Hakif Bajrami, autorët serb B. Hrabak, D Jankoviq,

Se deri kur kishte arritur në planin e çarmatimit, mësojmë nga raporti rezervë i Shtabit të Divizionit të Kosovës, dërguar Komandës së Armatës së tretë në Shkup, ku thuhet se kjo komandë ka forca të mjaftueshme për çarmatimin dhe se plani tejet sekret numër 172 mund të realizohet, por vetëm duke përdorur dhunën ndaj popullsisë shqiptare.

Për çështje të çarmatimit, në qarkun e Rashkës ishin në dispozicion dy qeta të Regjimentit 24 me 2 topa malesh në Novi Pazar dhe një çetë në Tutin.

Për shpërnguljen e shqiptarëve shkruanin të gjitha gazetat, duke “shpresuar” se për një kohë të shkurtër do të shpërngulen të gjithë shqiptarët. Askush nuk mundi t’i mohojë vuajtjet e fshatarëve të Mitrovicës, të Vuçitërnës, të Sanxhakut dhe të Prishtinës që kanë pësuar mjaft dhe nuk mund të qëndrojnë më, por po i lëshojnë tokat e veta dhe po shpërngulen prej atdheut të vet. Shumë familje kanë lënë krejt çka kanë pasur dhe janë nisur për Turqi. Po dihet se shumë familje tani (1923) gjenden në Bullgari, pa të holla dhe jeta e tyre është në rrezik prej sëmundjeve të ndryshme. Për shpërngulje  po përdoret propaganda e dhunës,  Terrori ishte bërë dukuri sidomos në prag të zgjedhjeve.

Ali Hadri, në veprën e tij LNÇ në Kosovë  shkruante: “Kur merret parasysh pozita dhe gjendja jashtëzakonisht e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavinë borgjeze, është plotësisht i arsyeshëm mendimi se Jugosllavia e vjetër për shqiptarët ishte burg me plot kuptimin e plotë të fjalës”.

Lidhur me propagandën serbomadhe nëpërmjet “Klubit Kulturor Serb”, studimi që shkaktoi më së tepërmi erupcion për të ndërmarrë aksione brutale e që ka qenë ndër akuzat më të rënda  kundër  pushtetit që nuk u “interesua” më tepër për të asimiluar popullsinë shqiptare, është padyshim  elaborati i Dr. Vasa Çubriloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”. Problemi i shqiptuarve theksoi ai, nuk lindi sot, ai, sipas tij, ishte problem edhe në mesjetë. Praninë e shqiptarëve Çubriloviqi e quante “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Qeveria Serbe e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë  serbe. Për të pasur efekt pozitiv  theksonte ai, duhet krijuar psikoza të nevojshme në këto forma: Është e njohur se masa shqiptare bie shumë vështirë nën ndikim dhe bindjet e veta i ruan me fanatizëm. Për këtë, në mes masave tjera  kësaj radhe po përmendim  atë që preferon në lidhje me ligjet të cilat duhet shfrytëzuar deri në maksimum, në mënyrë që t’i vështirësohet jeta  me anë të gjobave, burgimeve, me përdorimin e të gjitha formave të paskrupullt të të gjitha metodave policore me dënime në masë. Mandej e masave  sanitare., rrëzimi i mureve dhe gardhiqeve, masave në veterinari, rritjen e tatimeve. Shqiptari duhet të ngacmohet, duke ua prishur varret, ndalimin e martesave, duhet detyruar që fëmijët të dërgohen në shkollat, ku fyhej  elementi shqiptar dhe ku nxënësve u thuhej se shqiptarët janë njerëz me bishta.

Hajredin Hoxha, në punimin e tij në “Përparimi”; Politika e eliminimit të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë së vjetër, shkruan: “Gjoka Perina po ashtu ishte i mendimit si Çubriloviqi. Ky titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë thekson praninë e shqiptarëve në regjionin e Sanxhakut. Sipas Perinës popullsia shqiptare në Kosovë paraqet rrezik të përhershëm. Perina preferon shpërnguljen  ciklike brenda për brenda shtetit, sepse ndërrimi i këtillë i popullsisë nuk kërkon mjete të mëdha, ndërsa popullsia shqiptare , thotë ai, do të humbasë në detin e gjerë sllav.”

Represaliet, dhuna, shpërngulja, vazhdoi gjatë Luftës së I- rë, pas , në mes të Dy Luftërave Botërore, por edhe pas luftës së Dytë Botërore. Aksioni i mbledhjes së armëve në Jugosllavinë e Titos, nuk i kurseu sa shqiptarët e Peshterit. Peshterasit ishin therë në sy edhe gjatë  pushtetit të Sllobodan Millosheviqit. Peshterasit vazhdojnë të jenë element i padëshiruar edhe sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve të qeverive në Serbi.

Ishin këto vetëm disa të dhëna të cilat dëshmojnë për të kaluarën e hidhur të popullsisë së Sanxhakut me theks të veçantë të peshterasve. Dhe, nga kjo mund të konkludojmë se shqiptarëve të Peshterit, rreziku më i madh iu kanosej nga asimilimi, ishte pikërisht ndjekja e shkollimit në shkollat serbe, çka, që deri diku edhe u dëshmua. Shqiptarët e Peshterit kurrë nuk iu nënshtruan  pushtimit serbo- malazez. Ata ruajtën fenë, doket, zakonet, mënyrën e jetesës, por, në masë të madhe e humbën gjuhën shqipe.

Filed Under: Histori Tagged With: Faktorë të “lodhjes” së identitetit, Ismet Azizi, të peshterasve

Shqiptarët, autoktonë, me të vjetrit në Ballkan

April 23, 2017 by dgreca

*Cvijiqi: Peshterasit janë të gjatë,vitalë,elastikë,syshqiponjë,të sojit të bukur…!/

*Në librin e tij, studimet antropogjeografike Cvijiqi trajton aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve mes mjedisit gjeografik me kulturën shpirtërore dhe materiale në Ballkan. Cvijiqi, në vitin 1905 ishte një nga profesorët e parë të rregullt në Universitetin e Beogradit. Në analizat shkencore që u ka bërë veprave të Cvijiq-it, Akademik H. Islami vjen në përfundim se Cvijiqi “ishte joobjektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”./

Burra te fisit ShalaNga Ismet Azizi/Ndër studiuesit më të dalluar në shkencën sllave, i cili ka dhënë një kontribut të dalluar antropogjeografike ka ardhur në përfundim se popullsia shqiptare është me origjinë iliro-pellazge dhe është një ndër popujt indoevropianë më të vjetër e autokton në Ballkan. Në konstatim të këtillë kanë ardhur edhe autorë të tjerë sllavë, të cilët do t’i përmendim më vonë.

Megjithatë, konstatimet e këtilla nuk kanë qenë në interes të politikës sllave, posaçërisht të asaj serbomadhe. Borgjezia serbe e kohës së Cvijiq-it, ka udhëhequr një politikë kryekëput ekspansioniste-gllabitqare. Qëllimi i saj, duke u dhënë rëndësi faktorëve natyrorë, ka qenë që t’i okupojë ato vende, të cilat mundësojnë dalje në det dhe që kanë rëndësi gjeostrategjike. Për të arritur këtë qëllim është dashur në fillim vendi të çlirohet nga okupuesi osman, e pastaj sa më tepër që është e mundur të marrin vend nga trojet e popujve të tjerë. Në mënyrë që të arrihej objektivi i caktuar i qeverisë serbe, më vonë edhe asaj jugosllave, para dhe pas LDB-së, duhej t’i vinin në ndihmë edhe punëtorët e shkencës, në krye me Akademinë e Shkencave.

Pikërisht, për këtë qëllim, Cvijiqi me mbështetësit e tij të kohës dhe pasuesit e mëvonshëm, duke harruar atë që kanë konstatuar më parë, filluan të plasojnë teza të reja për çështjen shqiptare të paqëndrueshme në fushën shkencore, që u kanë shërbyer interesave të politikës shtetërore gllabitqare. Këto teza të Cvijiq-it gjejnë mbështetje edhe në kohët e mëvonshme nga autorët sllavë.

Shkolla gjeografike e drejtimit antropogjeografik, të cilën e themeloi Jovan Cvijiqi, dallohej me dy cilësi: e para, mbështetet në sqarimet parciale dhe në shtrembërimin e fakteve, që flasin për autoktoninë e shqiptarëve, dhe, e dyta, ka pasur qëllime kryekëput politike.

Në analizat shkencore që u ka bërë veprave të Cvijiq-it, ky studiues i dalluar në fushën shkencore vjen në përfundime mjaft korrekte. Në interpretimet e informacioneve dhe të dhënave nga terreni, Cvijiqi “ishte joobjektiv, spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”, nënvizon Akademik Hivzi Islami.

Në vijim po japim pjesë të shkrimeve të autorit në fjalë, të cilat kanë të bëjnë me mjedisin, gjegjësisht, Sanxhakun, ku takohen popullsia sllave dhe shqiptare. Në aspektin gjeografik, fiset më të forta etnografike të Gadishullit Ballkanik[1] janë: banorët e Kodrave të Malit të Zi, pjesët e Hercegovinës, Peshterit dhe viset e Shqipërisë veriore. Banorët e këtyre trevave i kanë ruajtur formën e vjetër të vëllazërisë fisnore, gjinive-fiseve dhe organizimin e tyre. Këta, kryesisht, janë shumë të gjatë, vitalë, elastikë dhe kurrsesi të trashë, fytyrë me plot shprehje, syshqiponjë, të sojit të bukur/racës, në Gadishullin Ballkanik: të gjithë edhe shqiptarët myslimanë, siç i quan ai arbanasët muhamedanë.

Në jetën e përditshme janë shumë të përmbajtur, në të shumtën e rasteve nuk konsumojnë asnjë lloj pije alkoolike, ndërsa duhan dhe kafe shumë rrallë. Pothuajse nuk ka individ me të meta fizike, të degjeneruar siç thotë ai. Ata e kanë ruajtur moralin e fortë malor, shpesh me veçori bujare, me ndjenja të thella për bashkësinë familjare dhe flijimin, e cila nuk mungon as pranë viktimave më të çmuara. Nga këto veçori rrjedhin veçori të shumta etnografike dhe antropogjeografike. Këto veçori janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kulturën dhe zakonet e popujve bizantinë dhe cincarë. Për arbanasët (shqiptarët) toskë në jug, thotë se kanë shumë tipare bizantine dhe cincare, pak edhe në dukje janë të tillë.

Në pjesët veri-perëndimore të viseve të Serbisë[2] blegëtorët i quajnë “Arnautin”, por ky është emri që nuk tregon njeriun e pasur me bagëti, por tani njerëzit e këtyre rajoneve, gjegjësisht, banorët e Sjenicës dhe Peshterasit i quajnë arnautë (shqiptarë). Ndërsa, banorët e trevës së Novi Pazarit dhe të Senicës, të cilët, në masë të madhe i kanë banuar trevat e Stari Vllahut dhe Shumadinë, thuhet se kanë ardhur nga Arnautllaku (Shqipëria). Shumë fshtara në Shumadinë e ulët quhen treva të arnautëve (shqiptarëve), siç janë: Rogaci, Babana etj. Mandej, edhe Uzhiqasët, të cilët kanë zbritur për të jetuar në Jadar dhe Maçvë. Njerëzit e atyre vendeve i kanë quajtur arnautë (shqiptarë). Banorët e Kragujevcit, të cilët kanë ardhur nga trevat e Rashkës (Sanxhakut) i kanë quajtur arnautë (shqiptarë).

Në Serbinë lindore nuk është emri i pazakontë arnautë, dhe është i lidhur me imigrantët nga rrethina e Rashkës (Sanxhakut), ku janë në numër të madh. Kështu, lagjet e fshatrave i kanë quajtur  lagje arnaute, ndërsa lumi që kalon nëpër qytetin e vogël të Bolevacit quhet Arnaut, siç kemi rastin edhe me shumë vorbulla. Shumica e të ardhurëve në Serbi[3], nëpër qytetza, ku janë përqëndruar Cincarët, rryma më e madhe për nga numri i të ardhurëve janë nga Hercegovina, Kodrat e Malit të Zi, trevës së Novi Pazarit, Bosnjës, kryesisht, në Shumadi, por ka edhe arbanasë (shqiptarë).

Në Sanxhakun e Novi Pazarit[4] në mesin e të ardhurëve, në trevën e Sanxhakut ka Vasojeviq, dhe një numër i madh i fisit Kuç, sidomos përgjatë luginës së lumit Lim. Cvijiq në veprën e tij, përveç tjerash shkruan:“Procese të rëndësishme etnografike kanë ndodhur në ato vise ku janë takuar popujt sllavë dhe ai shqiptar në Mal të Zi.[5] Arbanasët janë serbizuar edhe në Mal të Zi. Të origjinës së tillë janë një pjesë e fisit Kuç dhe Piper, përveç asaj Vasojevićqët janë zgjeruar në kurriz të klimentëve. Të njohura janë traditat gojore të origjinës së përbashkët të Vasojeviqëve, Piperëve dhe Ozriniqëve me Hotin dhe Krasniqin[6] dhe afërsitë në mes tyre. Për fiset në Mal të Zi, thuhet se i kanë asimiluar popullsinë e vjetër në Bukumir, Kriçke dhe Potarje, dhe në mesin e tyre edhe fiset fqinje shqiptare”.

[1] Јован Цвијић – Антропогеографски проблеми Балканског полуострва,  faqe 30, 31

[2] Po aty, faqe 137

[3] Po aty, faqe 187

[4] Po aty, faqe 194

[5] Po aty, faqe 6

[6]  Po aty, faqe 222

Filed Under: Histori Tagged With: Cvijiqi, Ismet Azizi, Peshterasit, syshqiponjë

Historia e shqiptarëve që e mbrojtën Sanxhakun nga çetnikët

March 16, 2017 by dgreca

Lufta për mbrojtjen e Pazarit është shprehje e cila ka hyrë në histori si shprehje treguese për zhvillimet luftarake në Sanxhakun e quajtur Sanxhaku i Novi Pazarit, i cili deri në vitin 1912, kur u okupua nga Serbia, ishte pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës. Në këto luftime, për qëllim të mbrojtjes së popullatës së rrezikuar nga shfarosja, janë ballafaquar trupat e armatosura shqiptare me ato sllave.

cetnik-780x439

Nga Ismet Azizi/

Në Sanxhak në vitin 1941, jetonin rreth 254 mijë banorë. Nga ky numër 57 për qind e popullsisë kanë qenë të besimit ortodoksë dhe 43 për qind myslimane ( shqiptarë e boshnjak). Analfabetizmi i popullsisë së përgjithshme ishte në shkallë prej 76 për qind. Në vitin 1931, Sanxhaku kishte në dispozicion shtatë mjekë dhe 171 shtretër në spitale. Prandaj, vdekshmëria foshnjave ishte 142 në 1000 foshnje të lindura.

Parë nga pikëpamja ekonomike, Sanxhaku ishte pjesa më e pazhvilluar e tërë shtetit të atëhershëm, pa asnjë objekt të veçantë industrial, me bujqësi krejtësisht ekstensive. Gjatë dimrit të 1941-1942 mbizotëroi uria e cila ka shkaktuar rritjen e vdekshmërisë së popullsisë. Përveç tjerash, popullsia joserbe e kësaj treve ishte e keqtrajtuar e pa të drejta elementare njerëzore; e urryer dhe duke iu hakmarrë në çdo aspekt ne emër të sundimit osman, e po ashtu duke u trajtuar nga Serbia si element i rrezikshëm dhe i urryer.

Në të njëjtën ditë kur kishte kapitulluar Mbretëria Jugosllave, më 17 prill 1941, Ushtria gjermane hyri në Pazarin e Ri. Banorët e Pazarit nuk fshihnin kënaqësinë me rastin e ardhjes së gjermanëve, sepse shpresonin se në kuadër të qeverisjes së re do të “frymojnë” më lirisht.

Aqif Blyta, me urtësinë që e karakterizonte, e njofton komandën e lartë gjermane me historinë jo vetëm të Pazarit, por krejt viseve shqiptare, të ndarë padrejtësisht nga shteti amë më vitin 1913. Pas kësaj, trimi i Pazarit do të shihet edhe në tubimet e popullit në Pejë e Mitrovicë ku me fjalën e urtë u tregon për qëllimet e komandës së lartë gjermane, duke i siguruar ata se trupat nuk mund të konsiderohen pushtuese.

E vërteta është (pavarësisht se ç’mund të kenë qëllimet strategjike të Gjermanisë) se me vendosjen e forcave gjermane në territoret e Mitrovicës, Pejës, Pazarit e Rozhajës, masakrat serbe pushuan.

Në malet rreth Pazarit të Ri, kah mesi i vitit 1941 u formuan njësitë të përbëra nga serbët e rrethit të Dezhevës dhe Moravicës. Malet e Kopaonikut, Rogoznës, Golisë, Javorit, si dhe luginat e lumit Ibër në drejtim te Rashkës dhe Kralevës, vlonin nga kriminelët çetnikë me në krye me Dragoljub Mihaloviqin -Drazhën..

Komanda gjermane, duke respektuar të drejtën për autonomi, u lejoi dhe u mundësoi krerëve të Sanxhakut të rikthejnë qeverisjen e cila iu ishte marrë pas Luftës Parë Ballkanike. Në takimin që u mbajt në Mitrovicë, të cilin e kishte organizuar Krajs komanda më 19 prill 1941.,qeverisja politike dhe udhëheqja iu dorëzua myslimanëve të Sanxhakut. Në këtë këshillim morën pjesë Aqif Blyta dhe Ahmet Daci. Vendet kyçe udhëheqëse në kryeqytetin e Sanxhakut – Pazarin, i morën Aqif-efendia, Ahmet Daci dhe Bahri Abdurrahmani (Abdurahmanoviq).

Të gjithë pozitat kryesore të cilat më herët i mbanin serbët, i morën sanxhaklinjtë, ndërsa nga xhandarmëria u larguan të gjithë serbët dhe malazezët, sepse Aqifi nuk kishte besim në ta. Largpamësia e tij u tregua më vonë shumë e qëlluar në ngjarjet të cilat u zhvilluan më vonë, si hap me vend në shpëtimin e Pazarit dhe me këtë edhe tërë Sanxhakun – sepse çelësi i mbrojtjes ishte në këtë qytet. Për komandant të xhandarmërisë u emërua Azem Haxhoviq.

Në radhë të qytetarëve më të respektuar të asaj kohe, pos Aqif Blytës ishin edhe krerët, si: Ahmet Daci, kryeshef i rrethit dhe kryetar komune në Pazarit; Ejup-agë Lajqi; Hafiz Ibrahim Rigjanoviq, gjykatës i sheriatit; Murat – efendia Sukiq, myfti;- Xhemajl agë Bosnja; Mahmut agë Elfiqi.

Egërsirat çetnike pa ndërpre përgatiteshin se si ta thyejnë “zemrën e Sanxhakut” – Pazarin e Ri. Atëherë në krye të Këshillit për mbrojtjen e Pazarit të Ri u vu Aqif Blyta. Këshilla të ngjashëm u formuan në shumicën e qyteteve të Sanxhakut. Aqifi në tërësi kontrollonte situatën në qytet dhe rrethinë. Menjëherë e mobilizoi tërë popullatën e aftë për luftë dhe shpërndau armët dhe në të njëjtën kohë dërgoi tri delegacione që të thërret në ndihmë vëllezërit shqiptarë nga Kosova dhe Peshteri, si dhe nga rrethet tjera.

Delegacionin i cili u nis për në Kosovë, e përbënin qytetarët e Pazarit të cilët ishin me namë: Hanefi Lajqi, Rasim agë Nishliu, Hazir agë Kërleshi dhe Fehim agë Hoqa. Fehim agë Hoqa ishte i lindur në Pazar, por babanë e kishte nga Kosova dhe kishte lidhje të shkëlqyeshme me udhëheqësit shqiptarë të cilët mbanin pothuajse tërë qeverisjen në Kosovë. Duke iu falënderuar ndikimit të tij u arrit ndikimi te udhëheqësit shqiptarë, si te Xhafer Deva, Pajazit Boletini, Adem Voca dhe të tjerë. Aqif Blyta me kohë armatosi popullatën. Pas marrjes së ftesës për ndihmë, 3200 shqiptar të Kosovës arritën me shpejtësi të pamenduar nëpër malet e Rogoznës, në Pazarin e Ri.

Forca të mëdha çetnike me vetëbesim kishin filluar të futen nëpër fshatra. Me shpejtësi marramendëse arritën vullnetarët nga Kosova nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës. Në të njëjtën kohë, nga drejtimi i Dohoviqit dhe nga Ribariqi arrinin luftëtarë nga Peshteri, Bisheva dhe luftëtarët e Xhemajl Koniqaninit. Çetnikët në panik iknin në drejtim të Rashkës, nga edhe kishin ardhur. Por, në tërheqje ua kishin zënë priten afër Banjës së Pazarit, shqiptarët që kishin ardhur nga Kosova e që në tërësi i shkatërruan. Tek kriminelët e vrarë në jangjikët (çantat) e tyre u gjetën gozhda të mëdha të cilat i kishin marrë me vete që kur ta marrin në dorë qytetin, myslimanët t’i kryqëzojnë dhe t’i gozhdojnë. Luftëtarët e Peshterit, të cilët kishin arritur, i detyruan çetnikët që të tërhiqen në drejtim të Rashkës.

Shqiptarët trima i udhëhiqte legjendari Shaban Polluzha, i cili me të arritur në Duga Polanë, fshati më verior i banuar me popullsi myslimane – shqiptare – njësive, gjegjësisht forcave ushtarake dhe banorëve, me një fjalim të shkurtër po me një autoritet të pakontestueshëm, iu thotë: “Të nderuar vëllezër, kemi ardhur këtu për të kryer një mision të shenjtë; jemi këtu për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga çetnikët e tërbuar. Ju, siç jeni në dijeni, kriminelët serbë kanë vrarë e masakruar popullatën e pafajshme të kësaj ane. Ne, kur kemi pasur mundësi, gjithnjë kemi ndihmuar popujt e rrezikuar. Prandaj, në këtë kontekst, duhet kuptuar këtë mision i cili në planë të parë ka karakter humanitar e njerëzor. Por, me këtë mbrojmë edhe një pjesë të shqiptarëve që jetojnë në këto anë. Uroj që lufta të na shkoj mbarë dhe besoj se kemi forcë dhe moral që t’i dëbojmë hordhitë çetnike nga Sanxhaku i përgjakur”.

Ne kujtimet e Brahim Spahiut thuhet se luftëtarëve në Duga Polanë iu drejtua edhe Mulla Ilaz Brojës, i cili në kontekst të ritit fetar ka theksuar se “misioni juaj është njerëzor dhe se dikush mund të bjerë edhe në vijën e frontit, prandaj përshëndetuni me njëri-tjetrin. Te Zoti jeni të drejtë. U priftë e mbara”.

Për fat të keq, në Sanxhak e edhe në Kosovë dihet pak për kontributin e Shaban Polluzhës dhe bashkëluftëtarët e tij, duke mos llogaritur qytetarët e vjetër të Pazarit të cilët me respekt të madh flasin për ato kohëra.

Në Luftën për mbrojtjen e Pazarit kanë dhënë jetën 144 luftëtar shqiptarë nga Kosova, varret e të cilëve ndodhën në varrezat më të Mëdha të Pazarit në Gazillar. Nga Peshteri dhe krahina e Rozhajës kishin arritur rreth 2000 ushtarë të udhëhequr nga Mulla Jakup Kombi (Kardoviq). Çetnikët gjatë këtyre 65 ditëve (nga 2 tetori deri më 7 dhjetor 1941), organizuan tri sulme drejt Pazarit të Ri, ndërsa policia e Pazarit, nën udhëheqjen e Haqif Blytës, kishte kryer një kundërsulm të fortë në drejtim të Rashkës.

Në këtë luftë pranë Rashkës u dallua “ trimi në kalë të bardhë”, Xhemajl Koniqanini, cili udhëhoqi luftëtarët e rrethinës së Tutinit. Ejup Mushoviq, në veprën e tij “Novi Pazari dhe rrethina” thotë: “Sulmi i parë ndaj Pazarit të Ri është kryer me 4 nëntor 1941. Qëllimi i sulmit ishte marrja e qytetit nën kontroll dhe shfarosja i popullsisë myslimane. Sulmi ka zgjatur nga ora 4:00 deri në ora 10:00. Ky sulm i çetnikëve ishte i pasuksesshëm. Pas këtij sulmi, Aqifi në qytet solli forca të reja dhe në shenjë hakmarrje organizoi sulmin ndaj Rashkës. Ky sulm filloi më 16 nëntor në ora 10:00 dhe u krye më 17 nëntor rreth orës 16:00. Në këtë sulm morën pjesë 2600 shqiptarë dhe boshnjak të armatosur më mirë”.

Pas sulmit të parë të çetnikëve, Aqif Blyta organizoi një kundërsulm me qëllim që t’ju shkaktoj dëme të mëdha. Me këtë rast ishte i ndihmuar nga komandanti i milicisë së Tutinit, Xhemajl Koniqaninit, dhe nga vëllezërit Dreshaj. Kishin pasur mundësi ta marrin Rashkën nën kontroll, por ishin ndalur nga gjermanët që mos të bënin një gjë të tillë.

Sulmi tjetër i çetnikëve në Pazarin e Ri është kryer më 21 nëntor me forca më të mëdha sesa herën e kaluar. Ky sulm zgjati vetëm një ditë. Gjatë këtij sulmi, çetnikët i djegën të gjitha fshatrat myslimane. Kësaj here Pazari i Ri me sukses është mbrojtur. Sulmi i tretë i Pazarit të Ri ka qenë më specifik. Në këtë sulm kanë marrë pjesë edhe gjermanët, të cilët çetnikët i kishin mashtruar sepse iu kishin thënë se qytetin e kanë nën kontroll komunistët. Posa filloi sulmi, rreth orës 4:00 më 4 dhjetor, gjermanët kishin zbuluar mashtrimin dhe ishin kthyer në Rashkë bashkë me çetnikët.

Lufta për mbrojtjen e Pazarit, gjegjësisht popullsisë nga shfarosja, ishte jo vetëm veprim i duhur dhe i domosdoshëm, por edhe më tepër human. Kjo luftë është ndër luftërat e rralla në të cilën u tregua jo vetëm ndihma vëllazërore por edhe organizimi brilant i udhëheqjes së trupave mbrojtëse.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Historia e shqiptarëve që e mbrojtën Sanxhakun, Ismet Azizi, nga çetnikët

JANARI I VITIT 1945 I KOBSHËM EDHE PËR MËSUESIN E DEVOTSHËM BEDRI GJINAJ

January 23, 2017 by dgreca

Nga Ismet AZIZI/

1 bedri Gjini 1

Ne Foto: Bedri Gjinaj. Shaban Palluzha: “ Djemt me shkollë shohin me katër sy”/

Bedri Gjinaj është një ndër figurat më të njohura dhe më të nderuara të arsimit në Mitrovicë, në Kosovë, Sanxhak e më gjerë. Bën pjesë në radhën e veprimtarëve më të shquar të arsimit shqiptar, i cili punoi me kompetencë e devocion për zhvillimin e arsimit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri). Kontribut çëtjes shqiptare i dha edhe sa ishte në pozitën  e sekretarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.  Ishte një ndër burrat e intelektualët më të mëdhenj dhe më të nderuar të kombit.  

Gjatë kohës sa punoi në Mitrovicë (1941-1944), u rrethua me dashurinë e respektin e veçantë nga të gjithë. Edhe pse vendlindja e tij Mitrovica, gjendej në veri të Kosovës e Shqipërisë, ai dëshironte që ta bënte atë qendër të koalicionit shqiptar. Për këtë arsye u afrua dhe bashkëpunoi me gjithë atdhetarët, nacionalistët shqiptarë. Shpesh, për t’u marrë vesh me patriotë e demokratë, me njerëz me influencë e me traditë kombëtare, udhëtoi në Prishtinë, në Vushtrri, në Pejë, në Prizren, në Podujevë, në Pazar të Ri, Skënderaj etj. Punën, zellin dhe idetë e tij ia çmonin e respektonin ministri Ernest Koliqi, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Bedri Pejani, Aqif Blyta, Ago Agaj, Vehbi Frashëri, Rexhep Krasniqi e shumë nacionalistë të tjerë. Përpiqej me tërë qenien që t’i bashkonte të gjitha forcat aktive aktuale, me përjashtim të komunistëve, sepse ata i konsideronte si bashkëpunëtorë të bolshevizmit rus e shërbëtorë të Serbisë. Gjatë kohës kur Mitrovica me Vushtrrinë, me Podujevën e më Pazarin e Ri ishin ndarë dhe i përkisnin zonës gjermane të interesit, Bedriu zhvillonte një aktivitet të dendur që kjo zonë me strategji historike e ekonomike t’i bashkohet me çdo kusht Shqipërisë. Prandaj i thërriste patriotët e intelektualët shqiptarë që të bëhen të gjithë një gojë, të bashkohen në një vend sidomos sa i përket çështjes së Mitrovicës: “Po të bashkohemi të gjithë, do të fitojë Mitrovica, po fitoi Mitrovica e po u bashkua me truallin mëmë, do të fitojë Kosova, do të fitojë Shqipëria!”

Pas okupimit të Mitrovicës nga ana e forcave ushtarake të Jugosllavisë titiste, Ali Shukriu lëshoi urdhëresë për arrestimin e Bedri Gjinajt. Për t”iu shmangur arrestit, Idriz Geci nga Llausha dhe  Hamëz Mehmeti nga Luboveci, ilegalisht e nxorën nga  Mitrovica Bedriun, Bahriun, vëllanë e tij, dhe nënë Hajrijen.  Ata i strehuan së pari në Llaushë e mandej Lubovec dhe  Siçevë. Pas një takimi me Miftar Bajraktarin, dhe pas  shqyrtimit të situatës së përgjithshme në rajon, Bedriu shprehu dëshirën të takohet me Shaban Palluzhën. Takimit i tij me Shaban Palluzhën u bë në mbledhjen e Shtabit  të mbajtur më 30 11 1944, në Palluzhë, ku, pos tjerash, u vendos që Bedri Gjinaj  të emërohet  këshilltar i komandantit të Brigadës së  Drenicës – Shaban Palluzës. Që nga  e nesërmja Bedriu filloi të punojë me një vullnet të madh  në punimin e shkresave, informatave, raporteve  dhe analizave  mbi situatën politike she ushtarake, duke e konsultuar rregullisht dhe duke e informuar komandantin e Brigadës së Drenicës, Shaban Palluzhën. Më vonë Shaban Palluzha thuhet t’i kishte thënë Bedri Gjinajt “ Djemtë me shkollë shohin me katër sy”, prandaj angazhimi i tyre për liri është i domosdoshëm.

Në fillim të vitit 1945, komunistët, të cilët idealin e çlirimit nga fashizmi e shndërruan në ide vepruese kriminale kundër vëllezërve të tyre, sepse kishin guximin qytetar që me plot gojën t’i thoshin të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, pra ta tregonin sllavokomunizmin si tragjedi për shqiptarët, arritën ta zënë me dredhi. Sipas dëshmitarëve okularë (shkruan Azem Hajdin-Xani) Bedri Gjinaj dhe Avdyl Zhubi janë arrstuar në mënyrë enigmatike, në Krushefc më 18 janar 1945.

Në radhët e Brigadës së Drenicës, OZN-a kishte arritur të fusë  spiunët e vet të veçantë, përmes së cilëve Ali Shukriu arrinte të  informohej për çdo gjë lidhur me situatën në Drenicë e më gjerë, prandaj, kur mori vesh se ku ndodhej Bedri Gjinaj, hartoi planin për ta  zënë. Ali Shukriu dhe Bedri Gjinaj ishin lindur dhe rritur në Mitrovicë. Bedriu ishte i gjithanshëm, shumë më me autoritet, prandaj ky shkëlqim i tij ia zbehte yllin. Ishin edhe kundërshtarë politikë: Bedriu nacionalist, ndërsa Aliu komunist e vegël e serbëve. Dy spiunët e caktuar nga Ali Shukriu , shkuan në  vendon ku ndodhej Bedri Gjinaj dhe gjëja se  Shaban Polluzha ka dhënë porosinë që Bedri Gjinaj dhe  Avdyl Zhubi “të mos vijnë në Skenderaj, por të qëndrojnë aty sepse Skënderaj  mund t’i identifikojnë komunistët. Pra, sipas tij, qëndrimi në fshatin Kryshefc “asht ma i sigurt”. Kështu , partizano-çetnikët menjëherë pas largimit të  Brigadës së Shaban Palluzhës, i morën dhe i dërguan në  Skenderaj, ku, me urdhër të  eprorit të tyre, Ali Shukriut, ua lidhën këmbë e duar me tel, i hipën në një kamion të zbuluar dhe i dërguan  në vendlindjen e tyre  në Mitrovicë. Në sheshin matanë Urës së Ibrit i ekzpozuan para qindra  qytetarëve, që i kishin tubuar me dhunë, për të treguar se ja kështu do ta pësojnë të gjithë ata që e kundërshtojnë ideologjinë komuniste dhe bashkimin e Kosovës me Jugosllavinë, përkatësisht Serbinë. Bedri Gjinaj dhe Abdyl Zhubi u burgosën në kazermën ushtarake në Mitrovicë.

Më 23 janar Brigada e Drenicës arriti në Podujevë pa  Bedri Gjinajn, këshilltarin e komandantit Shaban Polluzha. Feriz Bojaj nga fshati Kërrnicë, njëri  prej njerëzve e afërt të Shaban Palluzhës citohet të ketë thënë  se deri në Podujevë  komandanti ka pyetur tre-katër herë  për Bedri Gjinajn.Ato ditë OZN-a burgosi edhe tri mësuese të shkollës fillore “Skenderbeg” të Mitrovicës, që kishin bashkëpunuar me Bedri Gjinajn: Lina Shkrelin, Melihate Devën dhe Zehra Zhubin, nërsa kishte ekzekutuar pa gjyq mësuesin Ali Gaxha..

Ali Shukriu, me pamjen e fitimtarit, kundërshtar i përbetuar i Bedriut, shtihej se i dhimbsej “shoku” i fëmijërisë, prandaj, para se ta  likuidonte përfundimisht, donte ta plotësonte edhe një dëshirë: ta vdetyronte t’i përulej, t’i binte  ne gjunjë, ta luste që t’i falte jetën, shkruan  Fazli Hajrizi në monografine e tij për Bedri Gjiajn. Ali Shukriu kishte vepruar njësoj edhe me rastin e  arrstimit të Aqif Blytës, mikun dhe bashkëpunëtorin  e ngushtë të  Bedri Gjinajt, duke i thënë: ”A edhe ty po më duhet me të arrestu? Si e lejove vetën që një grue e flliqtë me të trathtue”? (I .A)

Pas arrestimit, Bedriun e kanë mbajtur disa ditë në burgun e Mitrovicës, pastaj e kanë dërguar në bashkë me të tjerët të Prishtinë. Në burgun e Mitrovicës dhe në atë të Prishtinë  në këtë kohë ndodheshin edhe shumë  patriotë të tjerë, në mesin e tyre edhe njëri nga  komandantët e Luftës së Pazarit të Ri, Bajazit Boletini. Në prill të po atij viti i kthejnë sërish në burgun e Mitrovicë. Avdyl Zhubin dënohet me 18 vjet burg të rëndë, ndërsa Bedri Gjinajt ia përgatitën kalvarin më të egër. Ushtruan mbi të tortura më çnjerëzore në hetuesi e në burg, sa të Mitrovicës, sa në atë të Prishtinës. Ia dërrmuan e shkatërruan atë trup atleti, ia rrënuan shëndetin. E dërguan gjoja në spital për ta mjekuar nga “tifusi”, mirëpo aty e helmuan. Sipas mendësisë së tyre, vetëm duke e likuiduar atë fizikisht, do ta zhduknin idealin madhor të tij, vetëm duke e vrarë atë, do ta vrisnin edhe ëndrrën e popullit shqiptar për liri. Pushteti partizano-çetnik e varrosi  fshehurazi në një vend, edhe sot të panjohur.

2 Bedri GjiniNe Foto: Gjashtë vëllezër dhe një motër. Nga e majta: Vetoni, Shemsiu, Lulja, Bedriu, Sokoli (ulur në prehër të Bedriut), Nuriu dhe Bahriu (prapa në këmbë)(Fotografi e viteve ’30 e familjes Gjina)
3 Bedri Gjini
Anëtarët e Lidhjes Popullore Shqiptare (Organizatë nacionaliste shqiptare), që drejtohej nga intelektualë nga Mitrovica e Pazari i Ri: Bedri Gjinaj (i pari nga e majta në këmbë) midis disa atdhetarëve të kohës: Rexhep Mitrovica (në mes, ulur), Ago Agaj, Vehbi Frashëri, Imer Lutfiu, Tafil Boletini, Ali Draga, Kudret Kokoshi, Nexhip Deva, Shaban Mustafa e Dr. Xhelal Mitrovica (në mes, në këmbë)

 

Filed Under: Histori Tagged With: BEDRI GJINAJ, Ismet Azizi, MËSUESI I DEVOTSHËM

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT