Nga bashkepunetori i Gazetes”Dielli” ne Kosove, Prof. Ismet Azizi,i cili eshte organizator i aktivitetit, vjen ky njoftim: Me datën 23 10 2015 në ora 12.00 në Amfiteatrin e Fakultetit Filologjiik – “Salla e Kuqe “ mbahet Kuvendi themelues i Organizatës“ Kosova për Sanxhakun”. Shpresojmë se do të merrni pjesë në punimet e këtij Kuvendi , të cilin prezenca juaj do ta nderoj dhe do ta bëjë madhështor.Shpresojmë se do ta përcilleni dhe përkrahni këtë nismë, e cila ka për qëllim ndërtimin e urave vëllazërore mes Sanxhakut dhe Kosoves.
Ftesa eshte per Federaten Panshqiptare et Amerikes”VATRA” dhe Gazeten”DIELLI”
Vëllezërit Dreshaj, luftëtarë legjendarë të Sanxhakut!
Bilall Dreshaj (Dresheviq) i njohur si Biko, (1910 – 1987) dhe Dervish Dreshaj (Dresheviq) i njohur si Deko, (1907-1981) ishin luftëtarë shqiptarë të Sanxhakut të Tregut të Ri, të cilët luftuan përkrah Aqif Blytës në mbrojtjen e Sanxhakut nga çetnikët dhe komunistët./
Shkruan: Ismet Azizi/
Kur bëhet fjalë për udhëheqësin politik e ushtarak të Sanxhakut – Aqif Blytën, është e pamundur të mos përmenden edhe vëllezërit Dreshaj (Dresheviq). Vëllezerit Bilall dhe Dervish Dreshaj përkrah Aqif Blytës, Shaban Polluzhës, Xhemail Koniqanit kanë qenë personalitete të rëndësishme në mbrojtjen e këtij qyteti nga sulmet e aradhave çetnike të Drazha Mihailoviqit.
Sanxhaklinjëve u është deshur 50 vite kohë për ti përmbledhë forcat që me rastin e formimit të Këshillit Nacional Mysliman të Sanxhakut, ta rehabilitojnë Aqif Blytën, legjendën e këtij qyteti i cili gjate Luftës se Dytë Botërore organizoi mbrojtjen e popullsisë së kësaj ane nga çetnikët. Pushteti komunist Blytën dhe vëllezërit Dreshaj i kishte shpallur tradhtarë, bashkëpunëtorë të okupatorit gjerman.
Vëllezërit Dreshaj janë lindur në fshatin Gllogovik të Peshterit. Dervishi u lind në vitin 1907 ndërsa Bilalli në vitin 1910. Për këta dy vëllezër, qytetarët e Pazarit të Ri kishin dëgjuar në vjeshtë të vitit 1940, ku në një rrahje me xhandarët ishin burgosur por shumë shpejt kishin ikur nga burgu dhe ishin arratisur në male. Pas thirrjes që ua kishte bërë Aqif-efendiu, vëllezërit Dreshaj në maj të vitit 1941 kthehen në Pazarin e Ri ku qytetarët kishin përgatitë një pritje madhështore. Lufta i kishte gjetur në moshën 30 vjeçare, të përgatitur shumë mirë fizikisht. Me tu kthyer në qytet, Dreshajt vihen në shërbim të Aqif Blytës nga i cili merrnin detyra të rëndësishme për ta organizuar mbrojtjen e qytetit nga çetnikët, të cilët bënin masakra në viset tjera.
Ata formuan policinë myslimane me qëllim të mbrojtjes së popullatës. Kjo polici karakterizohej me disiplinë të fortë dhe efikasitet të lartë në teren. Para se të merrnin vendet komanduese në polici, vëllezërit Dreshaj ishin dëshmuar në mbrojtjen e Pazarit të Ri, në zhbllokimin e tij dhe në kundërsulmin që e kishin kryer forcat e bashkuara shqiptaro-boshnjake më 16 dhe 17 nëntor të vitit 1941. Derisa Myslimanët në njërën anë luftonin për ta mbrojtur popullsinë civile nga gjenocidi çetnik, në anën tjetër Rifat Burxheviqi, komunist i njohur, me bashkëpunëtorët e tij mundoheshin të formojnë celulën komuniste në qytet. Duke e ditur se kjo mund t’a ndaj dhe dobësojë popullsinë e Pazarit të Ri me rrethinë, Bilalli dhe Dervishi e shpartallojnë organizatën komuniste kurse anëtarët e sajë i burgosin. Në mesin e popullsisë boshnjake të këtij regjioni ka të tillë që nuk i shikojnë me simpati veprimet e vëllezërve Dreshaj. Sipas tyre, ata kanë qenë të pamëshirshëm në luftë me komunistët dhe fajësohen për vrasjen e vëllezërve Hamzagaj nga Tutini.
Një sukses tjetër që Dreshaj kanë treguar është edhe lufta me partizanët në malet Jarut në tetor të vitit 1944. Bilalli dhe Dervishi kanë mbajt lidhje të ngushtë me komandën e policisë myslimane në viset tjera të Sanxhakut: me hoxhë Sylejman Paqarizin, Hasan Zvizdiqin, Xhemail Koniqaninin. Ata kanë furnizuar me armë popullatën shqiptare të Peshterit dhe të Luginës së Limit të cilët ishin në luftë kundër forcave të çetnikëve serbo-malazezë.
Komanda e njësive çetnike vepronte në Nova Varosh. Më 16 prill 1942, komanda çetnike i raportoi Milan Nediqit se “Muslimanët në Sanxhak merrnin armë nga Shqipëria dhe Pazari i Ri”. Kah fundi i vitit 1944 në shumicën e fronteve të luftës në Evropë gjermanët po pësonin humbje kurse njësitë partizane në Sanxhak përparonin. Prandaj, ishte e logjikshme se njësitë e policisë myslimane do të pësojnë humbje dhe do të shkapërderdheshin. Megjithatë Bilalli dhe Dervishi, si edhe shumica e komandantëve të Sanxhakut, u bënë ballë partizanëve. Një ndër përballjet e fundit ishte në malet Jarut, jo larg Tutinit, në tetor të vitit 1944. Nën ndikimin e propagandës, para luftëtarëve të brigadës së shtatë malazeze popullsia e Peshterit u largua nga vendi i tyre dhe fshatrat mbetën të zbrazëta. Peshteri kah fundi i tetorit të 1944 ra në duar te brigadës së shtatë malazeze.
Çetnikët duke parë se edhe do ta humbin luftën, iu bashkuan partizanëve me qëllim të përbashkët për neutralizimin e forcave myslimane. Në sulmin e bërë në Pazarin e Ri më 26 nëntor 1944, marrin pjesë brigada e shtatë partizane, dy batalone të njësitit partizan të Ibrit, brigada e nëntë e artilerisë bullgare dhe qeta partizane e Golisë. Këto njësi ishin nisur nga drejtimi i Rashkës dhe Mitrovicës. Kishte mbet e lirë vetëm një dalje kah fshati Vidovë. Pas një beteje të përgjakshme ushtarët gjermanë dhe policia myslimane filluan tërheqjen në drejtim të fshatit Vidovë, Vojniq, Pozhegë dhe në malet Ninajë. Gjatë një kohe, vëllezërit Dreshaj janë fshehur në një shpellë në Bobovik, e njohur me emrin Shpella e Ujkut.
Sipas Dr. Sabile Keqmezi- Basha, Vëllezërit Dreshaj ka qenë pjesëmarrës të Kuvendit të Dobërdolit më 4-5 gusht 1945, në të cilin kuvend u themelua ilegalja shqiptare “Besa Kombëtare” në krye me prof. Ymer Berishën. Organizata ilegale-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare” ishte formuar kryekëput kundër ideologjisë komuniste. Dhe qëllimi suprem i saj ishte bashkimi i tokave shqiptare. Sadik Radovci dhe Bilall Dreshaj (Dreshoviqi) ishin caktuar udhëheqës politik dhe ushtarak për Sanxhak.
Organizata i kishte ngarkuar me detyra të posaçme. Ata kishin për detyrë likuidimin e personave, kryesisht tradhtarëve, në mesin e të cilëve ishin bashkëpunëtorët e OZN-ës. Ata kishin për detyrë të organizojnë përcjelljen e tradhtarëve dhe personat që bashkëpunonin me okupuesin, t’i dorëzonin në shtab dhe sipas vendimit të shtabit të likuidohen.
Vëllezërit Dreshaj dhe dy bashkëluftëtarët e tyre tre muaj me radhë i kishte ushqyer dhe fshehur Demir Kaleviqi në shtëpinë e tij. Nga aty ata tërhiqen në drejtim të luginës së Suhudollit deri në Koritë, që pastaj nëpër Kosovë të kalojnë në Maqedoni e pastaj në Greqi. Vëllezërit Dreshaj dhe shokët e tyre që ishin me ta, lëviznin gjatë natës, ndërsa gjatë ditës pushonin- kështu në këtë mënyrë ruheshin nga njësitë partizane që ishin në përndjekje të tyre.
Kështu arrijnë të kalojnë terrenet e vështira në drejtim të Dibrës, Kërçovës dhe Gjevgjelisë dhe arrijnë në Greqi për të vazhduar tutje për Turqi. Ata u vendosën në Adapazar në brigjet e Detit të Zi ku kishte sanxhaklinjë tjerë që kishin shkuar më herët. Në Adapazar , Dreshjat janë marrë me hoteleri. Sukseset e tyre në luftë shumë shpejt ishin përhapur në popull. Si antikomunist i përbetuar, Bilall Dervishi mori pjesë në luftën e Koresë (1950-1953), në të cilën Turqia, SHBA-të dhe forcat e Komonveltit luftuan në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Bilalli nga kjo luftë u kthye si hero me gradën kapiten. Në kërkesën e Jugosllavisë së atëhershme komuniste që vëllezërit Dreshaj t’iu dorëzohen autoriteteve jugosllave, Turqia ishte përgjigj negativisht. Komunistët, pjesëtarët e forcave të policisë myslimane, të cilët ishin organizuar për mbrojtjen e trojeve të veta nga çetnikët dhe nga sllavo-komunistët i kanë vra e përndjekë, ndërsa çetnikët i amnistonin, bile u dhanë edhe funksione të ndryshme në organet shtetërore.
Bilal dhe Dervish Dreshaj jetuan në Adapazar deri në fund të jetës së tyre duke përjetuar pleqërinë e thellë. Bilall Dreshaj vdiq në vitin 1987, ndërsa Dervish Dreshaj në vitin 1981.
Karagjorgje shqiptar nga Sanxhaku!
Nga Ismet Azizi/
Lufta në mes Austro-Hungarisë dhe Turqisë, e njohur si Lufta e Vjenës, e cila ka zgjatë nga viti 1683 deri në vitin 1699, ka shkaktuar ndryshim të madh në strukturën etnike të popullsisë së Sanxhakut. Lufta ka shkaktuar shumë viktima dhe shkatërrime, ku si rrjedhojë pason shpërngulja e popullsisë së Sanxhakut në shumë drejtime. Në drejtim të Bullgarisë dhe Azisë së Vogël është shpërngulur popullsia e besimit islam. Popullsia katolike e fisit Kelmend është shpërngulur në drejtim të veriut në Srem dhe është vendosur në fshatrat: Hrtkovci, Nikinci, Pllatiqevo dhe Jarak. Një degë e të shpërngulurve në drejtim të Shumadisë dhe është vendosur në fshatin Rudnik. Në këtë fshat është vendosur gjyshi i Karagjorgjes, Jovan (Xhon ) Marash Klimenti(Kelmendi).
Ekzistojnë kontradikta në lidhje me origjinën Karagjorgjes. Burimet serbe thonë se Gjorgje (Gjergji) Petroviq (Pjetri) ka prejardhje malazeze nga fisi Vasojeviq. Atje ka lindur gjyshi i Karagjorgjës (Gjergji i Zi), Jovani ( Xhoni) dhe katër vëllezërit e tij. Dy nga të tjerët u shpërngulën në Serbi. Jovani ( Xhoni) me bijtë e tij Petrin (Pjetrin) dhe Mirkon u vendosën në fshatin Vishevc, qarku i Lepeniçkit të Kragujevcit. Karagjorgje është djali i Petrit dhe i ëmës Marica (Maria).
Autorët në librin “Historia e fshehtë -Karagjorgjët” (“Sakrivena istorija – Karađorđevići”) me të dhëna të argumentuara kanë sistematizuar prejardhjen e familjes së shenjtë sunduese nga fisi Kelmend (Kliment siç thonë ata), nga veriu i Shkodrës, nga e ashtuquajtura Shqipëria e Epërme apo Shqipëria e Lartë. Të dhënat arkivore vërtetojnë se për prejardhjen e tyre kanë pasur njohuri të shkëlqyeshme edhe vet Karagjorgjët. Edhe më tepër, mbreti Petar i Parë dhe prinici Pavle i cili më së shumti hulumtoi, nëpërmjet hulumtuesve të tij, të cilët i pagoi oborri mbretëror.
Bashkë autor të këtij publikimi janë gazetari i kompanisë “Novosti” Milorad Boshnjak dhe hulumtuesi i pavarur Slobodan Jakovleviq, ndërsa bashkë botues janë shtëpitë botuese “LIO” dhe “Dositej” nga Gornji Milanovci.
Një burim tjetër thotë se Karagjorgje ishte i biri i Petrit dhe nip i vojvodës Jovan (Xhon) Mrshiq (Marash) Klimentit (Kelmendi). Babai i Gjorgjës Petar Jovanoviq Klementi u shpërngul nga Kelmendi i Malësisësë Shqipërisë dhe u vendos në Malësinë e Sanxhakut dhe më pas në vitin 1756 në rrethin e Kragujevcit. Aty i ka lindur djali i tij Gjorgje (Gjergji). Pra, nga këto fakte del që shqiptari i konvertuar në ortodoks dhe i serbizuar, është themelues i dinastisë sunduese serbe. Para se të arrijë në këtë pozitë të lartë, ai kishte ekzekutuar në Ostruzhnicë, në rrethana të tmerrshme të atin e tij, e më pas në Topolla edhe vëllaun e tij.
Karagjorgje, udhëheqësi i kryengritjes së I-rë Serbe të vitit 1804, pas thyerjes së kryengritjes, largohet nëpërmes Zemunit në Austro-Hungari. Pas katër viteve në mërgim, udhëheqësi përsëri vjen në Serbi (1817), ku edhe përfundon tragjikisht. Ai u vra me urdhër të rivalit të tij Millosh Obrenoviq, i cili në këtë mënyrë është përpjekur të arrij favore te autoritetet turke.
Autorët e librit “Karagjorgjeviqët – historia e fshehur” i referohen “Glasnik Zemaljskog muzeja Bosne i Hercegovine” të vitit 1910, Nr 22, në të cilin thuhet se një pjesë e fisit Kliment (Kelmend) ka arrit rreth vitit 1737, në rrethinën e vendbanimit Rudnik, gjatë tërheqjes së ushtrisë austriake nga Sanxhaku.
Aty thuhet se në atë kohë arritën rreth 500 familje shqiptare të cilët ishin “shtatshkurtër, të vrazhdë dhe mizor”, të cilët mezi flisnin serbisht, donin blegtorinë dhe ishin me karakter të qëndrueshëm.
Autorët, Bosnjak dhe Jakovleviq veçanërisht i referohen veprave të Andrija Luburiqit, të cilat janë të botuara në vitin 1937, në të cilat potencohet se fisi ortodoks i Kelmendasve feston Shën Klementin e Romës, të cilën festë, gjoja se e kanë kremtuar edhe Karagjorgjët.
Autorët argumentojnë se këtë festë e kanë festuar Kragjorgje, biri i tij Aleksandri dhe nipi Petri, i cili “papritmas, në Cetinjë mohojë “krsne slave” (“kryqëzimin e shenjtë”) .
Ata, Boshnjak dhe Jakovleviq, pretendojnë se Mbreti Petri e dinte origjinën e paraardhësve të tij. Mandej mbreti Petri kishte vlerësuar lart ndihmën që i ofruan Kelmendasit, gjatë tërheqjes së ushtrisë serbe nëpër Shqipëri në fillim të Luftës së Parë Botërore. Sipas tyre Kelmendasit e konsideronin mbretin serb pasardhës të tyre.
Këtë fakt më së miri e ka përshkruar Dr. Jovan Tomiq, profesor në Universitetin e Beogradit, mik i madh i Peter Karagjorgjeviq. Ai, studentëve të tij këtë të vërtetë ua ka prezantuar dhe nga ta ka kërkuar ta mësojnë këtë histori. Megjithatë, historianët serb këtë të vërtetë mundohen ta fshehin nga opinioni.
Thuhet se kur u ekzekutua Karagjorgje, bashkë me te u ekzekutua edhe shoku i tij besnik Naumi, i cili nuk u nda nga ai. Prandaj, populli serb e kanë një thënie “besnik si Naumi”.
Mandej, ekziston edhe një shpjegim për “Naumin grek nga Argirorokastra”. Argirokastra është Gjirokastra në Shqipëri dhe se emri Naum nuk është i shpeshtë te grekët. Ndërsa te Shqiptarët është shumë i shpeshtë.
Se historianët serbë janë manipulator të shquar flet edhe një histori interesante për Konda Bimbashin. Fjala është për një shqiptar të dëshmuar dhe një mik i dëshmuar edhe nga serbët, i cili ka rrugën e vet në Beograd, por , që me shekuj fshehët origjina e tij shqiptare.
Petrit Imami, në librin e tij; Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj (Samizdat B92, 1998), për Kond Bimbashin thotë se ai ishte komandant i “trupave ‘Epirote’, shqiptar ortodoks nga Epirit”. Bile edhe historiani tejet i njëanshëm siç është Vladimir Stojančević, i cili në librin e tij botuar nga SANU në vitin 1994 shqiptarët i quajti Albanci ( jo Arbanasi apo Arnauti, I.A.), thotë: “nga beqarët në mesin e kryengritjes serbe ishte Kond-Bajraktari, shqiptari ortodoks nga kufiri i Toskërisë dhe Epirit”, dhe shton se me Kondon serbë të ikur ka “më shumë nga bashkatdhetarët e tij”. Një bashkëkohës i këtyre ngjarjeve, Llazar Arsenijeviq Batallaka, tha: “Unë kam njohur shumë të krishterë, në mesin e tyre, bullgarë, Greko-shqiptarë (Grkoarnauta) dhe Cincaroshqiptarë (Cincaroarnauta) që kanë mbetur me serbët kur Gushanac u largua nga Beogradi…”
Këto raste nuk janë të vetme. Kontribut Kryengritjes së Parë serbe i kanë dhënë jo vetëm shqiptarët, të ikur nga ushtria turke, por edhe disa fise të krishtera shqiptare (Kelmend, Grudë, Hot,..), ndërsa kryengritësit armët i kanë siguruar nga Rrafshi i Dukagjinit, të prodhuar kryesisht nga shqiptarët të përkatësisë fetare islame, kështu që një pushkë e gdhendur me emrin e mjeshtrit “Osman”, e cila ruhet në Muzeun e Kryengritjes së Parë serbe, mendohet se i përkiste Karagjorgjës.
Toponimet shqipe në Sanxhak dhe Bosnjë
Kur bisedohet ose kur debatohet me ndonjë serb, gjëja e parë që ai thotë për Sanxhakun, është se ky vend quhet Rashka dhe kurrsesi Sanxhak. Serbët thonë se fjala Sanxhak rrjedh nga turqishtja. Kanë të drejtë. Emri i Sanxhakut është një fjalë turke sikurse edhe 8742 fjalë të tjera turke që janë përvetësuar nga gjuha serbe, siç janë:sat, sapun, pare, rakija, delija, çekiq, makaze, jorgan, jastuk, hajduk etj. Emri Sanxhak në turqisht do të thotë flamur apo bajrak./
Shkruan per Diellin: Ismet Azizi/
Por, një fakt pak i njohur është se fjala Rashka (latinisht Rascio) nuk është me origjinë serbe, gjegjësisht sllave. Emri Rashka rrjedh nga kështjella e lashtë ilire Arsa pranë Novi Pazarit. Pra Serbët emrin Arsa e bënë Ras (Rasi i Vjetër ) dhe më vonë e shëndrruan në Rashkë. Me të njëjtin emër është emërtuar një qytet 20 km në lindje të Novi Pazarit dhe lumi Rashka i cili buron jo larg kështjellës së lashtë ilire Arsa.
Për lumin Rashka dhe qytetin Rashka, akademiku Ejup Musheviq thotë se emri i lumit rrjedh nga fjala shqipe “rrasë”, pllakë guri. Mandej edhe për lumin Ibër thotë se rrjedh nga fjala shqipe: i bardhë apo që shkumon.
Boshnjakët janë me prejardhje Ilire, ndërsa sanxhakasit shqiptarë të asimiluar, gjë që është dëshmuar gjenetikisht. Ilirët janë populli më i vjetër që ka jetuar në këto hapësira. Dëshmi për këto konstatime janë emrat e shumë vendbanimeve, të lumenjve dhe maleve, siç janë vendbanimi Tutin ( qyteti i Teutës), Pruzhanj (Prush-i), lumenjtë Tara, Ibri (i bardhë), Rashka (Arsa , rrasë), Lim ( lum), Vapa (vapë-a), rrafshnalta e Peshterit (tersi, thatë-si), etj.
Gjithashtu, edhe emri Bosna (Boson) rrjedh nga gjuha ilire. Fjala ilire Bosona do të thotë lum. Filologu Anton Mayer për ermin Bosnja thotë se e ka bazë të lashtë indo-evropiane “bas” ose “bhog”, që do të thotë “rrjedhë ujore”. Pra, Bosnja ka kuptim të njëjtë sikurse lumi . Disa burime romake në këtë drejtim përmendin fjalën ‘Bathinus flumen’ ose ‘Bassinus ilir’, që do të thotë “ujë i rrjedhshëm”. Duke u bazuar në të dhënat e historianit grek, Apianit, të shekullit të erës sonë, prof. Imamoviq thotë se në territorin e sotëm të Bosnjës ka jetuar fisi ilir Posen, gjegjësisht Bosen. Këtë emër më vonë e trashëguan Boshnjakët mesjetarë gjegjësisht Bosanci (Bosanacët). Disa hulumtues tjerë, emrin e Bosnjës e vejnë në lidhje me emrin e drejtuesit të famshëm të rezistencës së armatosur ilire ndaj pushtuesve romake, i njohur si Baton ose Bato.
Fjala ”Slaven” vjen nga fjala latine “Sclav”, që do të thotë skllav (Eng.slave).
Popujt e lashtë në Bosnjë dhe Hercegovinë:
Ilirë 40%
Romanë 20%
Kelt 15%
Sllavë 15%
Hun 6%
Trakë 4%
Popujt e lashtë në Kroaci:
Ilirë 34%
Sllavë 20%
Kelt 18%
Roman 12%
Fenikas 8%
Popuj helen 8%
Këto janë të gjitha fakte që tregojnë se ilirët iu dhuruan boshnjakëve kulturën, karakteristikat etnike e politike. Nëse nuk është ashtu atëherë shtrohet pyetja: ku janë ilirët që 4000 vite jetuan në këto hapësira në kuadër të një mbretërie të vetme të madhe?
Duke aluduar në prejardhjen ilire të boshnjakëve Pavlo Ostoviq, anëtar i Komitetit Jugosllav gjatë Luftës së Parë Botërore, me një rast boshnjakëve iu kishte drejtuar: “Ju jeni boshnjak, por e keni lënë pas dore historinë e juaj para-turke. Nëse ju nuk e dëshironi këtë histori si tuajën, atëherë serbët dhe kroatët do të thonë se është tyre “. Këto fjalë janë shënuar edhe nga H.Crnovrshanin dhe N. Sadikoviq në veprën e tyre “Sanxhaku, vend i skllavëruar”.
Sanxhaku ka një sipërfaqe prej 8.687 km katrorë dhe 530 000 banorë. Së fundmi ndahet në atë verior ( në Serbi) dhe jugor (në Mal të Zi). Kryeqyteti është Pazari i Ri (Novi Pazari). Kufizohet me Serbinë, Malin e Zi, Republikën e Kosovës, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Shqipërinë. E përbëjnë këto komuna: Pazari i Ri, Tutini, Sjenica, Prijepole, Nova Varosh, Bijello Pole, Rozhaja, Plava, Plevle dhe Beranë.
Sanxhaku është një territor i veçantë administrativ. Në aspektin ushtarak emri “Sanxhak” do të thotë ” Flamur”. Gjatë sundimit otoman emri Sanxhak ka nënkuptuar territor ushtarak. Më vonë ky emër ka paraqitë një territor të shkallës së dytë pas Vilajetit apo Pashallëkut.
Sipas shënimeve të viteve 1905-1906 në këtë Sanxhak jetonin 37,775 banorë. Shënimet japin të dhëna për përkatësin fetare të 27,980 banorëve mysliman (shqiptar) dhe 19,795 të krishterë (ortodoks – shqiptarë dhe serbë). Gjatë luftës së Dytë Botërore Novi Pazari ishte nën mbrojtjen e forcave vullnetare të rajonit. Më 4 nëntor 1941 forcat e armatosura çetnike i sulmojnë vendasit të cilëve ju vijnë në ndihmë rreth 3200 vullnetarë nga Rrafshi i Kosovës, Drenica dhe Rrafshi i Dukagjinit nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës.
A ekziston pakica turke në Sanxhak!?
Shoqata e turqve në Serbi, dorë e zgjatur e qeverisë serbe, u bën thirrje boshnjakëve në Sanxhak për të mbledhur nënshkrime për formimin e pakicës turke.
Ismet Azizi
Boshnjakët, të cilët pranojnë të jenë pjesë e këtij projekti, janë të detyruar të heqin dorë nga identiteti i tyre boshnjak dhe të deklarohen si pjesëtarë të pakicës turke.
Krerët e shoqatës arsyetohen se në këtë mënyrë bëhet përafrimi me popullin boshnjakë të Turqisë, duke premtuar se pas këtij projekti dhe përmes shoqatës do të fillojnë investimet nga Turqia në Sanxhak.
Prapa kësaj shoqate qëndron qeveria lokale në Novi Pazar të cilën e udhëheqë SDP e Rasim Lajiqit. Siq raportojnë mediat lokale në Sanxhak, kryetari i shoqatës, Alo Nemac, është bashkëpunëtor i ngushtë i Rasim Ljajiqit.
Po ashtu, në këtë qytet shpejt është përhapur lajmi se bëhet fjalë për një aktivitet të dyshimtë. Disa media kanë raportuar se qëllimi kryesor i mbledhjes së nënshkrimeve për formimin e Këshilli Kombëtar të Turqve, është përfitimi ekonomik i udhëheqësve të shoqatës.
Historiani dhe nënkryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak (BNV) Rexhep Shkrijel nuk dëshiron të komentojë nëse kjo shoqatë ka qëllime të fshehura, por thotë se sigurisht se ka disa arsye që njerëzit nga ky rajon mund të deklarohen si turq.
Diku rreth 40 vjet më parë, 10 për qind e popullsisë së Novi Pazarit kanë folur rrjedhshëm gjuhën turke kurse para kësaj kohe, sipas Shkrijelit, ka patur edhe më shumë. Ka shumë të ardhur në këto treva nga Turqia siç dëshmojnë mbiemrat e tyre, thotë ai. Mjaft njerëz nga këto vise kanë qëndruar në Turqi, kanë shërbyer në ushtrinë turke, kanë punuar atje, dhe janë kthyer në Sanxhak. Gjuha me kalimin e viteve harrohet, por identiteti mbetet, ka deklaruar Shkrijel, duke shtuar se edhe gruaja e tij është turke dhe se fëmijët e tij deklarohen si turq.
Ndërsa kohë më parë, kur u ngrit pluhur i madh në lidhje me personalitetin e Aqif Blytës, profesor i nderuar kishte dhënë një deklaratë, e cila kishte tërbuar shumë kënd në Sanxhak dhe Serbi, duke thënë: Boshnjakët e Sanxhakut janë krenar për prejardhjen e tyre shqiptare. “Popullata e Sanxhakut kurrë nuk e ka mohuar përkatësinë kombëtare të prijësit më të shquar të tyre Aqif Blytës, i cili veproi për këtë popull që nga formimi i Xhemijetit e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Ka ardhur momenti që t’ia bëjmë me dije shtetit serb se shumica e popullsisë së Sanxhakut janë me prejardhje shqiptare dhe këtë të vërtetë ata nuk e mohojnë.”
Në anën tjetër, kryetari i KKB dhe lider i SDA së Sanxhakut, Sulejman Uglanin, këtë iniciativë të Shoqatës të Turqve e sheh si truk të nacionalistëve serbë dhe të forcave serbomëdha. Uglanin ka deklaruar se “dëshira e tyre është që t’i përçajë boshnjakët, ta zvogëlojnë forcën e tyre dhe ti parandalojnë ata që të ushtrojnë të drejtat e tyre”.
Thirrjes së qytetarëve që të deklarohen si turq e kanë dënuar edhe mediat elektronike të afërta me Myftiun e Sanxhakut, Muamer Zukorliqin. Në shkrimet e tyre thuhet se boshnjakët në këtë mënyrë do të humbasin identitetin e tyre kombëtar dhe një gjë e tillë do të qoj në ndarjen e tyre të mëtejmë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- …
- 11
- Next Page »