Sprovimet e vështira dhe vuajtjet e popullit të Sanxhakut janë përshkallëzuar sidomos në periudhën nga 5 janari deri më 7 shkurt të vitit 1943 kur është kryer gjenocid kryesisht kundër popullsisë së besimit islam të luginës së lumit Lim nga Bijello Polja deri në Foçë. Sipas dëshmive të dokumentuara në këtë periudhë janë masakruan rreth 9200 Sanxhaklinjë. Popullsia e kësaj treve është persekutuar pa dallim gjuhe, përkatësie kombëtare (shqiptarë apo bosh Jake). Kjo ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore – luftë e cila për çetnikët kishte edhe karakter “kryqëzate”.
Shkruan: Ismet Azizi/
Duhet përkujtuar se Pavle Gjurishiq ishte komandanti çetnik i cili, ndër të tjera, udhëhoqi një nga veprimet më brutale kundër popullit të Sanxhakut dhe Bosnjës lindore në fillim të viti 1943. Konsiderohet se Gjurishiq ka qenë krimineli më i madh në Luftën e Dytë Botërore në Mal të Zi por dhe më gjerë.
Myftiu i Sanxhakut, Muamer Zukorliq, për “Srebrenicën e Sanxhakut”, thotë: “Sipas raportit të komandantit çetnik Pavle Gjurishiq, Gjeneralit Drazha Mihajlloviq, në gjysmën e dytë të muajit shkurt të vitit 1943. në Luginën e lumit Lim njësitë çetnike të Ushtrisë së Mbretërisë Jugosllave kryen gjenocid ndaj 9200 sanxhaklinjve të pafajshëm. Në raport theksohet se 1.200 të vrarët ishin të aftë për ushtri, ndërsa 8000 të tjerë ishin gra, fëmijë dhe pleq”, shkruan bosnjaci.net
Historiografia shqiptare në dy dekadat e fundit ka bërë përpjekje të dukshme për zbardhjen e ngjarjeve dhe zhvillimeve politiko-ushtarake në trevat etnike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë qëllim janë organizuar me dhjetëra simpoziume shkencore në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj, në të cilat janë ofruar fakte dhe dëshmi të pakontestueshme për krimin dhe gjenocidin ndaj popullsisë civile shqiptare nga ana e forcave të ndryshme pushtuese çetnike e komuniste.
Krimet çetniko-komuniste janë kryer në vijimësi, sa herë që u është dhënë mundësia, e që për fat të keq deri më sot kanë ngelur në errësirë.
Të dhënat burimore flasin qartë se forcat serbo-malazeze çetnike të përkrahura me logjistikë dhe me armë nga ushtria italiane, shkatërruan përtokë, me zjarr në 82 fshatra në Krahinën e Bihorit më 5 – 6 janar të vitit 1943 nga ana e forcave çetnike serbomalazeze, të udhëhequr nga krimineli i njohur çetnik, Pavle Gjurishiq. Siç bëjnë të ditur dokumentet arkivore shqiptare, brenda dy ditëve janë vrarë, therur, masakrua mbi 4 628 banorë shqiptarë, qindra të tjerë janë zënë rob (shumica gra e vajza të reja) kurse mbi 15.000 janë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre për t’u vendosur në vende më të sigurta. Krahina e Bihorit ishte zonë neutrale midis vijës së demarkacionit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila mbikëqyrej nga autoritetet civile e ushtarake italiane.
Krahina e Bihorit gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte zonë neutrale midis vijës së demarkacionit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila mbikëqyrej nga autoritetet civile e ushtarake italiane.
Bihori i Sanxhakut ishte lënë zonë e demarkacionit midis zonës së interesit gjerman (Serbisë së Nediqit), zonës italiane (Mbretërisë së Malit të Zi) dhe farsës “Shqipëri e Madhe” nën kurorën mbretërore të Italisë. Mirëpo, mbi këtë teritor kishte vu dorë Mali i Zi, me përkrahje të plotë nga ushtria fashiste italiane.
Popullsia e zonës neutrale, konsideronte për gjendjen e krijuar dhe për masakrën në Bihor, janë fajtore autoritet shqiptare, si dhe autoritetet ushtarake italiane të Malit të Zi, për moskujdesje ndaj sajë. Sipas tyre zona neutrale e cila nuk i takonte askujt ishte mundësi e mire që sersbomalazezët të realizojnë qëllimin e tyre të pastrimit etnik të kësaj treve. Qeveria shqiptare nuk kishte marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e saj. Popullata akuzoi qeverinë sepse nuk ishte në gjendje as ta armatos popullin që të vetorganizohen në mbrojtjen jetës së tyre, edhe pse një gjë e tillë iu ishte premtuar, ose te e fundit populli nuk iu bë me dije që të gjinden vet ashtu si dinë dhe munden.
Pasi që tashmë për masakrën e Bihorit ishte dëgjuar gjithandej, qeveria e Tiranës formoi një komision i cili do ta analizonte gjendjen e krijuar në këtë trevë , dhe ta njoftoj qeverinë për masakrën e shkaktuar ndaj popullatës së Bihorit dhe pasojat e sajë.
Qeveria Libohova e Mbretërisë Shqiptare e dërgoi në Bihorin e martirizuar një komision shtetëror, në krye me Nënministrin e Tokave të Lirueme, juristin Qazim Bllaca. Në komision ishte edhe Thoma Luarasi, me karrierë politike në këtë ministri, dhe tre ushtarakë të lartë italianë, mandej një numër i parisë shqiptare të Dukagjinit me Demë Ali Pozharin, Emrush Miftrain, Bajram Gashin etj, kurse në vend komisionin e shoqëroi një delegacion i Sanxhakut në krye me patriotin e zjarrtë shqiptar Mulla Osmanin e Petnicës .
Dhe, nga të dhënat që mblodhi, emër për emër, ky komision, në Masakra e Bihorit nga serbo-malazezet, të mbështetur në ushtrinë italiane dhe të vështruar nga afër prej ushtrisë antifashiste – komuniste të Titos, pësuan: Burra – 590 të vrarë, 185 të therë, 119 të grirë; gra – 340 të vrara, 285 të thera, 266 të grira; fëmijë – 701 të therur, 705 të djegur, 447 të grirë. Të plagosur: burra – 359, gra – 275 dhe gra të reja e vajza të deportuara në kampet çetniko-drazhiste për t’i shfryer epshet shtazarake prej ushtarit kanibalist sllav ortodoks – 251. Asnjë nuk shpëtoi nga thika për të dëshmuar krimin shtazarak të serbo-malazezit. Ua humbën edhe varret. Pra, gjithsej viktima 4 628 veta – fëmijë, gra, burra.
Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në fondin arkivor të viti 1943 (janar – korrik), gjendet dosja nr. 5, me 57 fletë, ekzistojnë disa dokumente origjinale dërguara kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë z. Ekrem Bej Libohovës nga ana e Komisioni të zgjedhur enkas për ta konstatuar gjendjen faktike, të cilat në mënyrë të pakontestueshme dëshmohet krimi dhe gjenocidi serbo-malazias mbi banorët shqiptar të kësaj zone. Dokumentet në fjalë do t‘i paraqesim në formë origjinale.
Dokumenti i I -rë
“Tiranë, me 30 Kallnuer, 1943-XXI, Shkëlqesisë Ekrem bej Libohova, Kryetar i Këshillit të Ministrave
Shkëlqesi
Në vijim të kthjellimeve që patëm nderin të Ju apim mbi ngjarjen e tmerrshme që ndodhi në Bihor, në krahinat e Senicës e të Bjelopolës, sikurse na porositët, po paraqitim së bashku me këtë shkresë, nji relacion mbi ato mizorina, i forcuem me dhjetë copë dokumenta provuese. Shkëlqesia e Juaj e din vehtë se ç’masa duhet marrë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve – gadi 10.000 shpirt – që janë tue vuejtun keqas, si edhe mbi çka duhet bamë qi ata mizorina mos të përsëriten dhe populli mund të shkojë në vend të vet. Edhe mbi atë pikë simbas porosisë së Juaj, e kemi dhënë mendimin tonë këshillues. Tue qenë të sigurt se Qeverija Mbretnore do t’a merrë parasysh këtë çështje me rëndësin e me ngutësin që meriton, mbeteni me shumë nderime.
N’emër të muhaxhirëve të Bihorit
P.S.
I lutemi së ndershmes Kryesi t’ia përcjellë sa më parë Kryqit të Kuq Shqiptar dokumentat origjinale, mbasi atij instituti i janë drejtue.
Dokumenti i II-të
Promemoria mbi ngjarjet e tmerrshme në zonën e Bihorit
1.- Katundet shqiptare të Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles, në zonën që quhet neutrale, midis Malitzi dhe Shqipnis, sepse nuk mvaret prej Administratës malazeze por as nuk asht e bashkueme me Mbretnin shqiptare , janë ba lama e nji tragjedije të tmerrshme qi ndodhi në ditët 5 e 6 Kallnuer 1943.
2.- Banorët e atyne krahinave fatkeqe qi priteshin me padurim, por plot shpresë e besim, bashkimin e tyne me Nanën Shqipni, sikurse e don e drejta dhe vullneti i atij populli qi ka vuejtun për kohë të gjatë nën zgjedhën e Malazezve, u ban dëshmorë të nji dëshire të shejtë, ata kanë pa me sy, ndër ato ditë të zeza, çka nuk ka ndodhur kurrkund ndër vise t’ona.
3.- Çetnikët malazez e serb, katër a pesë mijë, dhe ndoshta ma shumë, nën komandën e Vojvodës Pavle Gjurishiq ose t’urdhënuem prej “tij” u avitën tinas katundeve të Bihorit, tue kalue lumin, togje – togje, në të mugët e natën. Sa t’a kuptojë popullsia rezikun, çetnikët, u vërsulën kundër saj si bisha t’egra dhe e filluan me terbim veprën e tyne shnjerëzore tue prishun, tue gjegun e tue masakrue. Në pak kohë 82 katunde u prishën e u shfaruen. Banorët e tyne, të tmeruem, duelën në mes të natës prej shtëpizave që të shpëtojnë prej zjarrit, të veshun e të shveshun. Por ranë në duert e çetnikëve t’egjër, të cilët i grinë me pushkë, me thika e me shpata. Nuk kuryen as pleq, as gra, as fëmijë të njomë. Kush shpëtoi prej dorës së çetnikëve, e gjet vdekjen në bjeshkë prej të ftohtit. Kush mundi t’i shpëtojë vdekjes tue ikur, ka me e pasë për gjithë jetën në trup e në shpirt, vulën e tmerit e të vuajtjeve. (vijon)
Kah po shkojnë Goranët e Gorës
Të kota kanë qenë përpjekjet e liderëve boshnjak dhe shqiptar nga të gjitha viset e Ballkanit që në kuadër të gjithëkorpusit boshnjak t’i fusin edhe popullsinë gorane të trevës së Gorës, me gjithatë ata mbetën goran, e jo boshnjak, e që për shumë kend është shumë e natyrshme. Që nga viti 1990, kurë në Pazarin e Ri të gjithë myslimanët jo shqiptarë ranë në dakort që të përfshihen të gjithë në korpusi gjithëboshnjak, por goranët e Gorës ende nuk kanë arrit të jenë pjesë e popullit Boshnjak./
Nga Ismet Azizi/
Goranët janë popull i veçantë i sllavëve të jugut të cilët jetojnë rrëzë maleve të Sharrit në trekufishin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedoninisë. Për shkak të largësisë së kësaj zone nga rrugët kryesore, te ta janë ende të ruajtura kryesisht elemente e gjuhës së shekullit të tetëmbëdhjetë, dhe madje edhe elementet e sllavishtes së vjetër. Goranët gjuhën e tyre e quajn neshki e cila është më e përafërt me gjuhën maqedone. Goranët i përkasin fesë islame. Xhamia e parë është ndërtuar në fshatin Mlike në vitin 688 sipas hixhres, ndërsa në themelet është shënuar se Ahmed -agë Piri e ka rindërtuar na vitin 1238.
Nuk është problemi te deklarimi i tyre. Tek e fundit është e drejtë elementare e çdo kujt të deklarohet ashtu siq edhe ndihet. Por problemi me goranët e Gorës qëndron krejt ndryshe.
Të kota kanë qenë e përpjekjet disa vjeçare të liderëve politik të Kosovës dhe atzre Boshnjak nga Sanxhaku dhe Bosnja, që goranët t’i joshin të inkurporohen në institucionet e Republikës së Kosovës. Ata mbetën sot e kësaj ditë pjesë e sistemit të republikës së Serbisë.
Popullata e Gorës, trevë e cila shtrihet në skajin më jugorë të Kosovës nuk e njohin realitetin kosovar, gjegjësisht për ta nuk ekziston Republika e Kosovës. Goranët e Gorës jetojnë dhe veprojnë nën sistemin ligjor dhe institucioneve të Srebisë. Tetëdhjetë për qind e e kësaj popullate në forma të ndryshme marrin të ardhurave nga Serbia. Shkollat pa kurfar problemi punojnë dhe finanacohen nga sistemi serb.
Vranishta, është njëri nga fshatrat më të mëdha në Gorë ku është selia e komunës e cila funksionon sipas sitsemit te Serbisë.
Rreth 9 ooo banorë të kësaj treve bazë për të mbijetuar i kanë pagat e punonjësve në sektorin e arsimit dhe të komunës dhe marrjae pagës minimale që marrin punëtorët e ish-kompanive, mandej ndihmat sociale dhe shtesat fëmijënore, të cilat për rrethanat kosovare janë deri diku të larta.
Në kuadër të sistemit arsimor serb këtu veprojnë gjashtë shkolla fillore dhe një shkollë e mesme, ku vijojnë mësimin rreth 900 nxënës. Megjithatë, në krahasim me arsimin, shëndetësia sipas tyre ballafaqohet me më shum probleme, sepse të sëmurit trajtohen në institucionet shëndetësore shqiptare, për shkak të largësisë së institucioneve shëndetësore serbe.
Goranët mëtojnë të jenë në kuadër të Bashkësisë së komunave serbe/
Pos serbëve të Kosovës qendrore edhe përfaqësuesit e goranëve në zgjedhjet e kaluara lokale shpallën listë të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme. Ata ishin të vendosur se pas zgjedhjeve lokale do të jenë pjesë përbërëse e Bashkësisë së komunave serbe. Një pjesë e Goranëve nën udhëheqjen e Adem Hoxhës, tentuan edhe ta regjistrojnë partinë e tyre të quajtur “Jugo”, që sipas tyre për shkak të emrit i cili përkon me ish shtetin Jugosllav,KQZ-ja nuk ua lejoi.
Qeveria e Serbisë sikurse në të gjitha komunat edhe në Gorë, gjithmonë ka emëruara kryetar të trupit të përkohshëm. Kryetar i trupit të përkohshëm i komunës së Gorës , ka qenë i meruar Adem Hoxha, i cili posa ishte emëruar u bëri hirrje të gjitha Goranëve të dalin në zgjedhjet lokale të Kosovës të caktuara për 3 nëntor me qëllim të marrjes së pushtetit në këtë komunë, të cilën do t’ia bashkangjes Bashkësisë së komunave serbe.
Duke i analizuar të gjitha rrethanat e krijuar shihet qartë se qëllimi është që Goranët pas zgjedhjeve lokale të bëhen pjesë përbërëse e Bshkësisë së komunave serbe, sepse edhe deri më tash arsimi dhe shëndetësia e trevës së Gorës funksionon në kuadër të sistemit shtetëror serb.
Të gjitha këto rrethana të krijuara, apo që do të krijohen në të ardhmen, na bëjnë të kuptojmë se Bashkësia e komunave serbe do të shtrihet deri në pjesën më jugore të Kosovës
Sërbizimi i vazhdueshëm i trojeve shqiptare
Shtimin e lartë natyror të popullsisë shqiptare në Ish-Jugosllavi, studiuesit dhe politikanët serbë në vazhdimësi e kanë shikuar nën prizmin e veçorive biologjike, socio-kulturore, psikologjike dhe religjioze të etnisë shqiptare. Me qëndrimet e tyre shoviniste, akademikët dhe politikanët serbë gjithmonë kanë synuar të manipulojnë zhvillimet demografike të shqiptarëve. Në një masë të madhe, për fat të keq, ia kanë arritur këtij qëllimi./
Shkruan: Ismet Azizi/
Lugina e Preshevës veçohet me homogjenitet të lartë etnik, kompaktësi territoriale, vazhdimësi etnike-demografike dhe me trungun etnik shqiptar. Argumentet janë të shumta siç janë ato arkeologjike, linguistike, toponomastike etj. Ky element është më i shprehur në komunën e Preshevës dhe Bujanocit, kurse në komunën e Medvegjës prania e shqiptarëve është zvogëluar, në raport më serbët, kryesisht si rrjedhojë e emigracionit të shqiptarëve dhe vendosjes së kolonëve serb e malazez. Në të tri komunat, deri vonë, janë shënuar tregues të lartë të natalitetit, mortalitetit dhe shtimit natyror, me tendenca të rënies graduale. Serbia, për ndryshimin e përbërjes etnike-demografike në Kosovë dhe viset e tjera etnike shqiptare, përpiloi projekte dhe programe kolonizuese, asimiluese dhe shfarosëse, të cilat çuan në luftërat e armatosura të fundshekullit XX. Luftërat sollën çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia, ndërsa konfliktet e armatosura në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës ia bënë të njohur faktorit ndërkombëtar gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare.
Gjeografi serb Jovan Cvijiq, në punimet e tij përpiqet të mohojë autoktoninë e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës duke i paraqitur shqiptarët si të ardhur nga krahinat e Shqipërisë Veriore. Ai i vlerëson shqiptarët si njerëz të vrazhdë, jo tolerantë, gjysmë barbarë dhe plaçkitës e uzurpues të pronave të huaja. Më tej, në mënyrë të hapur, Cvijiq pretendon aplikimin e metodave maltusianiste për të penguar rritjen demografike të popullsisë shqiptare. Shkrimet e Cvijiqit, Garashaninit, Çubrilloviqit etj. mbi shqiptarët në Ballkan, rrjedhimisht edhe në Luginën e Preshevës, shprehin idetë dhe aspiratat hegjemoniste të Serbisë për pushtimin e tokave shqiptare, me qëllim zgjerimin territorial deri në daljet në dete. Këto ide përcillen edhe nga pseudoshkencëtarë të mëvonshëm serb.
Serbia, për ndryshimin e përbërjes etnike-demografike në Kosovë dhe viset e tjera etnike shqiptare, përpiloi projekte dhe programe kolonizuese, asimiluese dhe shfarosëse, të cilat çuan në luftërat e armatosura të fundshekullit XX. Luftërat sollën çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia, ndërsa konfliktet e armatosura në Maqedoni dhe Luginë i bënë të njohur faktorit ndërkombëtar gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare.
Deri në regjistrimin e vitit 1921 Lugina banohej kryesisht nga shqiptarët, me gjithë se vërehet një zvogëlim i tyre krahasuar me statistikat e mëhershme të Perandorisë Osmane të realizuara në vitet 1519, 1528 dhe 1570. Edhe në këtë regjistrim popullsia evidentohet sipas përkatësisë fetare dhe gjuhësore. Të dhënat tregojnë se në Preshevë dhe Bujanoc mbizotëron popullsia e besimit mysliman. Turq kishte pak përveç disa familje agallarësh, bejlerësh dhe nëpunësish. Pjesa dërrmuese e popullsisë myslimane ishin shqiptarë. Megjithatë, të dhënat për popullsinë myslimane (17.686 banorë) dhe ortodokse (19.788 banorëve) nuk shprehin të vërtetën mbi strukturës kombëtare të popullsisë.
Metodologjia e deklarimit të popullsisë sipas përkatësisë fetare dhe gjuhësore, por jo sipas përkatësisë kombëtare, në kushtet e analfabetizmit shumë të lartë në mesin e popullsisë shqiptare, lejonte mundësi manipulimi gjatë përpunimit dhe publikimit të rezultateve.
Një arsye tjetër është moszbatimi i regjistrimit në gjithë territorin e Luginës, sidomos në fshatrat kodrinore-malore të Karadakut. Gjatë regjistrimit të vitit 1921, rrethi i Preshevës nuk përfshinte disa fshatra të Karadakut, të cilët ishin të lidhura me rrethin e Gjilanit dhe Kumanovës.
Periudha nga viti 1921, deri në Luftën e Dytë Botërore është me pasoja të rënda demografike, si shpërngulja shqiptarëve, kryesisht në Turqi. Të shpronësuar me pretekstin e zbatimit të reformës agrare dhe nën trysninë e asimilimit fetar, kulturor dhe etnik, shumë shqiptarë u detyruan t’i lëshojnë vatrat e tyre, ku u vendosen kolon serbë. Në këtë mënyrë, shteti jugosllav arriti të ndryshojë pjesërisht përbërjen etnike-demografike të kësaj treve. Reforma agrare ndonëse paraqitej si një aksion për përmirësimin e marrëdhënieve pronësore-juridike dhe social-ekonomike, si dhe të pozitës së popullsisë fshatare, në thelb kishte dhe synonte keqësimin e gjendjes së popullsisë shqiptare, përmes shpronësimit, për t’i detyruar të shpërngulen, ndërsa në tokat e tyre të silleshin kolon serbë me familjet e tyre.
Planet dhe elaboratet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve kanë përfshirë edhe Luginën. Në këtë mënyrë regjimi jugosllav ka arritur të ndryshojë strukturën etnike dhe fetare në dëm të popullsisë shqiptare. Këto ndryshime vërehen sidomos në të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 1931, kur vërehet rënie e numrit të popullsisë myslimane në Preshevë nga 89,42% në 76,08%; në Bujanoc nga 58,30% në 57,14%. Ndërkohë, pjesëmarrja e popullsisë serbe është rritur në shumicën e vendbanimeve: në Preshevë nga 10,57% në vitin 1921, në 23,67% në vitin 1931; në Bujanoc nga 41,70% në 42,71%.
Një ngjarje shumë e rëndësishëm në kuadër të zhvillimeve demogjeografike në Luginën e Preshevës është vendosja e popullsisë shqiptare të shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit. Struktura etnike e popullsisë në Sanxhakun e Nishit ishte e përzier. Shqiptarët përbënin shumicën në kazatë: Toplicë, Kurshumli, Kosanicë, Jabllanicë e Pusta Rekë, por jetonin edhe në territoret e Veternicës, Gërdelicës dhe Masuricës.
Shpërngulja e popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit ndodhi kur Serbia, pas luftërave serbo-osmane, e futi nën kontroll këtë territor, si dhe pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për t’i njohur Principatës Serbe sovranitetin mbi territorin e Sanxhakut të Nishit. Në Sanxhakun e Nishit ishin rreth 600 vendbanime shqiptare, nga të cilat, në 370 shqiptarët ishin shumicë. Sipas historianit S. Uka, nga Sanxhaku i Nishit u shpërngulën rreth 200.000 shqiptarë.
Të dhanuna të rëndësishme ofron studiuesi i mardhënieve shqiptaro-britanike Daut Dauti, në librin e tij “Çështja Shqiptare në Diplomacinë Britanike 1877-1880), ku na ofron raportin e kozullit britanik. Raporti është i pajisur me detaje të shumta dhe shifra të cilat paraqesin numrin e popullsisë që kishte jetuar nga rajoni i Nishit e deri te kufiri i sotëm i Kosovës me Serbinë. Sipas tij, gjatë sundimit otoman Nishi kishte 19 000 banorë. Diku rreth 10 000 ishin të krishterë, 8 000 mysliman ( këtu llogariteshin 1500 shqiptarë, turq por edhe ushtarë, 700 hebrej dhe 300 çerkez). Struktura e popullsisë kishte ndryshuar dukshëm me rënien e qytetit nën serbët. Nishi në shtator të viti 1879, kishte 13 000 banorë d.m.th. 6000 banorë më pak se gjatë sundimit otoman. Prej tyre 12 000 ishin serbë (2000 më shumë se sa nën sundimin otoman). Numri i myslimanëve të mbetur ishte 300, i hebrenjëve 700 por nuk kishte mbetur asnji çerkez. Nga 15 xhamitë që ekzistonin tashti kishin mbetur vetë 3 pa u rrënuar.
Mandej Dauti na jep edhe nji raport të nënkosullit otoman Nikollaidesi që përmbante shifra edhe të banorëve shqiptarë të 87 fshatrave të rrethit të Leskofçes (Leskocit) që jetonin në 2445 shtëpi. Numri i banorëve shqiptarë në këto fshatra ishte 16 327, prej tyre ende jetonin në pronat e tyre 1954 veta, kurse ishin shpërngulur 13 862. Të vrarë apo të vdekur nëpër burgjet serbe ishin 511 veta.
Në Urkuipes (Prokuple) ekzistonin 72 fshatra shqiptare me 1785 shtëpi dhe 13 289 banorë. Numri i atyre që ishin shpërngulur arrinte shifrën 12 468 kurse 771 ishin vrarë në luftë me serbët.
Rajoni i Kurshumlisë kishte 68 fshatra shqiptare me 1563 shtëpi dhe 12 734 banorë. Prej tyre 11 924 ishin shpërngulur kurse 810 kishin vdekur në luftë. Këto janë vetëm disa të dhëna të autorit të bazuara në dokumente britanike të cilat dëshmojnë përqindjen e lartë të përbërjes së popullsisë nga shqiptarët në këto troje që kishin rënë nën sundimin serb dhe nga ku u dëbuan shqiptarët të cilët nuk u kompensuan kurrë për pasurinë që e lënë pas.
Popullsia shqiptare e shpërngulur u vendos në Kosovë, Bujanoc, Preshevë, Maqedoni dhe në Turqi. Në Preshevë dhe Bujanoc dhe në fshatrat kodrinore, është vendosur kryesisht popullsia shqiptare e rrethit të Vranjës dhe Masuricës. Popullsia muhaxhirë krijoi lagje të veçanta dhe fshatra të tëra duke i populluar nga muhaxhirë të ardhur nga trevat e Masuricës. Pjesa dërrmuese e muhaxhirëve janë shpërngulur disa vite pas Kongresit të Berlinit, gjegjësisht pas vitit 1882.
Popullsia e vendosur në fshatra ndikoi në varfërimin e mëtejshëm të vendasve. U rrit numri i popullsisë bujqësore dhe i asaj të mbajtur, u rrit copëtimi i mëtejshëm të pronave etj.
Me shpërnguljen e shqiptarëve Serbia synonte të bëjë pastrimin etnik të territorit dhe kolonizimin e tij me serb. Shpërngulja, Serbisë i krijoi një realitet të ri etnike-demografik ne hapësirën nga Nishi deri në Kosovë, të cilin do të tentoj ta shtrije edhe në trevat tjera etnike shqiptare.
Në periudhën 1948-1953 popullsia është shtuar mesatarisht për 1068 banorë në vit, 1953-1961 – me 540 b./vit, 1961-1971 – me 432 b./vit, 1971-1981 – me 348 b./vit, 1981-1991 – me 369 b./vit, 1991-2002 – 1134 b./vit. Gjithsesi, vihet re luhatje në ecurinë e rritjes: nga 6.72% në periudhën 1948-1953, në 3,71% në periudhën 1971-1981, për të arritur në 11,16% në periudhën 1991-2002.
Në komunën e Preshevës është shënuar rritje e vazhdueshme e numrit të popullsisë: nga 246 b./vit në periudhën 1948-1953, deri në 906 b./vit në periudhën 1991-2002. Shkalla e natalitetit në Serbi është 9.3 ‰, ndërsa shkalla e mortalitetit 14.2 ‰, çka do te thotë se shtimi natyrorë është -4.8 ‰. Shkalla e natalitetit në Preshevë është 13.6 ‰, ndërsa e mortalitetit 7.2 ‰, çka do të thotë se shtimi është 6.4 ‰.
Presheva sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002 kishte 40 000 banorë, me 90% e banuar me shqiptar.
Në komunën e Bujanocit ka pasur shtim të popullsisë, por me një luhatje të ndjeshme: nga 393 b./vit në periudhën 1948-1971, në 286 b./vit në periudhën 1971-1991 dhe 422 b./vit në periudhën 1991-2002. mortaliteti 7.8 ‰. Përndryshe Medvegja nga viti 1953 ka shënuar zvogëlim të vazhdueshëm të numrit të popullsisë për 258 banor në vit. Komuna e Medvegjës sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002, kishte 7163 banorë, 26.17% (2816) e tyre ishin shqiptarë. Bujanoci sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002 kishte 31 291 banor dhe 10 000 banor të cilët jetojnë jashtë komunës. Pra 55 % shqiptarë, 34% serb, dhe 9% rom.
Deri në vitin 1981, popullsia e Luginës kishte shtim të lartë natyror, por në zvogëlim të ndjeshëm: nga 22,1‰ në vitin 1961, në 14,4‰ në vitin 1981 dhe 2,5‰ në vitin 2010.
Vlerat e natalitetit, mortalitetit të përgjithshëm dhe të foshnjave, si dhe e shtimit natyror në vitin 2010 janë nën 10‰, që do të thotë se popullsia Luginës, sipas kriterit të lëvizjes natyrore është në përfundim të periudhës së gjatë të transicionit demografik.
Nëse bëjmë një krahasim me trevat serbe në Serbi, atëherë mund të thuhet gjendja është deri diku e lakmueshme. Por, nëse krahasojmë me trendët demografike të trevave tjera shqiptare, sidomos me ato në Kosovë dhe Shqipëri, atëherë gjendja aspak nuk është e lakmueshme, bile është mjaft kritike. Lugina e Preshevës, sidomos treva e Medvegjës, nëse vazhdon një trend i tillë i shpërnguljes dhe rënies së shtimit, rrezikohet të mbetet pa shqiptarë. Andaj është momenti i fundit që të dy qeveritë tona ta trajtojnë dhe ta kthejnë vëmendjen kah këto treva dhe në bisedimet e ardhshme me Serbinë të futet në agjendë të bisedimeve edhe çështja e kthimit dhe përmirësimit të jetës së atyre pak banorëve që kanë mbetur.
Protestat anti-qeveritare në Ulqin dhe Rozhajë
Protesta dhe peticioni ”STOP Diskriminimit – Duam të arsimohemi si shqiptarë”, që u organizuar ditë më parë në Ulqin për realizimin e të drejtave të shqipëtarëve që jetojnë në Rozhajë, Plavë,Guci, Malësi e Tivar, pati jehonë edhe në pjesën veriore të Malit të Zi.
Shkruan: Ismet Azizi/
Në Rozhajë, të premten u mbajtën protesta e parë anti-qeveritare në të cilën morën pjesë qindra pjesëmarrës. Protesta u drejtua nga përfaqësues të punëtorëve nga Rozhaja, Bijelo Pola dhe Plevla ndërsa në tubim morën pjesë edhe ish punëtorët nga komunat tjera të veriut të Malit të Zi, gjegjësisht të Sanxhakut Jugor siç e quajnë sanxhaklinjtë.
Nga protesta në Rozhajë, banorët e pakënaqur të Sanxhakut Jugor kërkuan nga Presidenti i Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, që të thërrasë urgjentisht një seancë të Parlamentit, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës të jetë zgjidhja e situatës së rëndë ekonomike në këtë pjesë të Malit të Zi. Përveç kësaj protestuesit kërkuan dorëheqjen e Ministrit për Punë dhe Mirëqenies Sociale, Predrag Boskoviq, për shkak të heqjes së ndihmave sociale, kundërshtimit për pensionimin e punonjësve të kësaj treve dhe mospërmbushjen e premtimit ndaj punëtorëve invalidë të punës. Ata kërkuan edhe shkarkimin e shefit të delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Mitja Drobniçit.
Banorët e pakënaqur të veriut të Malit të Zi kërkuan nga qeveria që të merë një vendim që pensioni minimal të mos jetë më i ulët se paga minimale. Protestuesit kërkuan nga Ministria e Financave të kthej pasurinë e ndërmarrjes “Gornji Ibar”, të marra në mënyrë të paligjshme nga aksionarët e vegjël dhe të punësuarve. Protestuesit kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave të premten e ardhshme edhe në Rozhajë, Bielo Pole dhe Plevlë.
Protesta e banorëve të Rozhajës, e quajtur “Ta shpëtojmë Rozhajën”, u organizua nga organizata jo-qeveritare Aksionarët e Vegjël të “Gornjeg Ibra”.
“Nuk kemi më kohë të presin, veriu i Malit të Zi është i diskriminuar, i lënë pas dore dhe i shkatërruar, madje vazhdon të shkatërrohet. Qytetarët shpërngulen jashtë, atyre po iu merret edhe kafshata e fundit e bukës”, thuhet në deklaratën e lëshuar të Aksionarëve dhe punonjësve të “Gonjeg Ibra”.
“Ne do të vazhdojmë të protestojmë derisa kërkesat tona të plotësohen sepse nuk ka kthim. Nëse kërkesat nuk plotësohen menjëherë, atëherë protesta do të zgjerohet”, thuhet në deklaratë.
Më herët kjo OJQ ka thënë se në Rozhajë, mbi 6000 qytetarë jetojnë me ndihma sociale, nga të cilat ndihma nuk mundë të mbijetohet. Me mijëra banorë janë shpërngulur, të rinjtë për çdo ditë largohen, pensionistët mbijetojnë me nga 100 euro, ndërsa ish punëtorët me vetëm 70 euro, të cilat i marrin nga byroja e punës.
Aksionarët dhe punonjësit konsiderojnë se më në fund qytetarët e Rozhajës, punëtorët, pensionistët, studentët dhe të rrezikuarit social patjetër duhet tërhequr vërejtjen për gjendjen e vështirë në Rozhajë.
Banorët e Rozhajës janë tubuar në momentin e fundit që të tërheqin vërejtjen ndaj diskriminimit shumvjeçarë dhe shkatërrimit të Rozhajës, si dhe tërë veriut të Malit të Zi. Rozhaja gjithmonë ka disponuar me resurse ekonomike të cilat ka ditur ti shfrytëzojë gjithnjë deri sa pushteti nuk ka vendos dorën e vetë në këto pasuri duke e shitur atë me çmime shumë të vogla. Janë shuar fabrikat dhe ndërmarrjet Gornji Ibar, Dekor, Kristall , Bisernica dhe kjo gjë e ka rënduar jetën e banorëve jo malazez dhe jo serb që dominojnë në këtë pjesë të Malit të Zi.
Bota do të arrijë t’i ketë 11 miliardë banorë?
Nga Ismet Azizi/
Në artikullin e botuar në revistën Science, demografët nga disa universitete dhe anëtarët e Këshillit të OKB-së për popullsinë, kanë ardhur në përfundim se në vend të balancimit të popullsisë së përgjithshme në botë, në gjysmën e dytë të shekullit të 21-të, siç e kanë paraparë në OKB për më pak se 10 vjet, popullsia e botës do të vazhdojë të rritet edhe pas viti 2100 (mund të lexoni në revistën National Geographic, “Population Seven Billion” in National Geographic) .Madje për herë të parë, duke përdorur metoda të reja statistikore (“probabilistic”), revista Science, paraqet disa vlerësime të pavarura – 9.6 miliard njerëz do të jetojnë në Planetin Tokë në vitin 2050, mandej 10.9 miliardë deri në vitin 2100. Autorët vijnë në përfundim se ka gjasa të shumta se numri i banorëve në planetin Tokë në vitin 2100 do të jetë diku në mes të 9.6 dhe 12.3 miliardë .
Megjithatë, në revistën Global Environmental Change, Wolfgang Lutz dhe kolegët e tij nga Instituti International Institute for Applied Systems Analysis (IIASA) në Vjenë, duke përdorur metoda të tjera statistikore dhe vlerësime me angazhimin e një numri të madh të ekspertëve, arritën deri te një vlerësim hipotetik që popullsia do të arrijë bie nën 9.4 miliardë banorë në vitin 2075, por që nga ajo kohë deri në vitin 2100 do të bjerë diç edhe nën 9 miliardë banorë .
Megjithatë, të dy grupet e ekspertëve konfirmuan se India do të bëhet vendi më i populluar në botë, e cila do të arrijë kulmin me numër të banorëve deri në vitin 2100 prej më se 1.5 apo 1.6. Popullsia e Kinës do të ketë një rënie të vogël, ndërsa shpërthimi demografik do të arrihet në Afrikë, në jug të Saharasë. Sipas të dhënave të OKB-së, popullsia në këtë rajon mund të dyfishohet, nga më pak se një miliard banorë që i ka sot, në pothuajse 4 miliardë banorë. Afrika në vitin 2100 do të jetë e banuar me një dendësi të madhe se që ka Kina sot.
Siç thot John Wilmoth, she i UN Population Division, këto nuk janë parashikime, këto janë projeksione se çfarë do të ndodhë nëse vazhdon trendi aktual i rritjes së popullsisë.
Ismet Azizi
- « Previous Page
- 1
- …
- 7
- 8
- 9
- 10
- 11
- Next Page »