Nga Qatip Mara/ New York/
Akti i shpalljes së Pavarësisë është një akt madhor që e ndan kohën e re historike të shqiptarëve në dy kohë: para dhe pas Pavarëisë. Deri para saj, historia jonë kombëtare kishte rrjedhur në një shtrat të ngushtë, ku shpesh rrebeshet dhe cunamet e ardhur nga jashtë, por herë –herë dhe nga brenda, e kishin dëmtuar dhe pse jo devijuar rrugëtimin natyral të verdiktit të botës shqiptare. Pavarësia bëri që ky shtrat të shkonte në normalitetin e vet dhe, pavaërisht nga sfidat me të cilat ajo do të ndeshej, deviza historike e saj do të mbetej e patjersueshme.
Ky akt, i realizuar pas vendimit historik për të shpallur Shqipërinë të lirë e të mosvarme më 28 nëntor 1912, i shoqëruar me ngrirjen e Flamurit Kombëtar, përbën një faqe të ndritur në analet e historisë sonë, me të cilën do të identifikohen në shekuj e mijëvjevcarë bijtë e shqipes krenare, sa kohë që të ketë jetë mbi këtë tokë, në të gjitha kohët dhe dimensionet e shpalimit të botës shqiptare. Pavarëisa do të mbetet në jëtë të jetëve, në të gjithë shekujt dhe mijëvjeçarët që do të vijnë, një orë e mbarësisë së botës shqiptare, në rrugën e identifikimit të saj me sistemin e vlerave të një bote, e cila ka gjithnjë e më shumë prirje për nga shembja e mureve izolacionistë dhe integrimi i gjithëkahshëm.
Pavarësia ishte dhe mbetet kurërozimi i ideve të gjeniut të lëvizjes sonë kombëtare Gjergj Kastriot Skënderbeu, sendërtimi i vizionit arkitipal të rilindasve tanë për Shqipërinë, mishërim i platformës së Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, kulmim i gjithë akisonit historik të kombit tonë, për të gjetur vetveten në udhëtimin e tij sa të vështirë e kapriçoz, aq dhe të lavdishëm historik. Në analet e kësaj Pavarësie u shkrinë në një të gjitha viset shqiptare, jugu dhe veriu, mali dhe fusha, Vlora, Dibra, Shkodra, Ulqini, Elbabani, Kosova etj, duke sjellë protagonistë që me bëmat e tyre atdhetare e mbartën atdheun si një peng dashurie të përjetshme, duke na treguar udhët nga mund të kalojë në të gjitha epokat dashuria për trojet stërgjyshore.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje. Këto treva, duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën, me mund e sakrifica të pashembullta, deri në sublimitet, formimit dhe funksionimit, ndonëse në rrethana të disfavorshme,të shtetit shqiptar.
Kuvendi i Vlorës, duke shpallur Pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave shqiptare, që dërguan përfaqësuesit e tyre në të, institucionalizoi një Besëlidhje të Re të shqiptarëve, në gjurmët e Besëlidhjes së Lezhës, të kryer nga Skënderbeu. Ky Kuvend e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë, shembi muret dhe muranat e kobshme të ngritura nga fryma e ndasive të gjithëfarësojshme, të ushqyera nga armiqtë tanë tradicionalë dhe projektoi bashkimin kombëtar. Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare e Ismail Qemalit, e dalë nga ky kuvend me frymë profetike, doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare dhe e të gjitha tokave shqiptare, pavarësisht se një pjesë e konsiderueshme e territoreve të kombit tonë ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike.
Fakti që edhe në deklaratat e notat e protestës, që qeveria e Ismail Bej Qemalit iu dërgoi shteteve ballkanike e komandave të tyre ushtarake, kërkonte largimin e menjëhershëm të forcave të huaja ushtarake nga trojet e pushtuara shqiptare dhe kthimin e tyre Shqipërisë, tregon se Asamblesë Kombëtare, që përfaqësonte të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët, nuk mjaftohej me një pavarësi të redaktuar dhe e shikonte aktin e Pavarëisë si një akt gjithëpërfshirës, brenda kufijve të Shqipërisë Reale, Shqipërisë Etnike apo thënë ndryshe, Shqipërisë Natyrale. .
Akti i 28 Nëntorit 1912 sanksionte të drejtën legjitime historike të kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e tij, bashkë me popujt e tjerë të Gadishullit të vjetër. Kjo ishte një e drejtë e mohuar nga paragjikimet e të mëdhenjve të kësaj bote, e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.
Nëse Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar, ne do t’i referohemi atij në të gjitha kohërat dhe brezat që do të vijnë, si një etalioni të së drejtës shqiptare, për të pasur një përfaqësim institucional të vullnetit tonë kolektiv, për institucionin e shtetit dhe të drejtën njerëzore e gjithëkombëtare, për t’u vetëqeverisur. Nga ana tjetër, me shpalljen e Pavarësisë, shqiptarët nënshkruan vullnetin e plotë të bashkimit nga skaji më i thellë i Veriut në skajin më të thellë të Jugut, duke hedhur në erë psikozat dashakeqe të çdo përçarje, qoftë trevore, qoftë politike apo fetare, në emër të unitetit kombëtar, të mishëruar në simbolin e flamurit dhe të lirisë e prosporitetit të bijve të shqipes..
Për t’u ngritur në lartësinë e këtij mesazhi gjithëkohor, popullit shqiptar iu desh të bënte një luftë të gjatë kundër sundimtarëve osmanë dhe synimeve grabitqare të fuqive të huaja. Një varg rrethanash të brendshme e të jashtme kanë bërë që këto lëvizje të mos arrinin dot objektivin. Por në çdo etapë ato kanë vënë në provë forcat materiale e morale të popullit shqiptar, kanë pasuruar përvojën e traditat e tij luftarake dhe kanë krijuar premisat për zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Në shek. XIX e në fillim të shek. XX kjo luftë u zhvillua mbi baza të reja shoqërore e politike dhe mori karakter të ndërgjegjshëm kombëtar. Ajo mobilizoi vetëdijen kolektive të bashkimit kombëtar në llogoren e një qëndrese të pashembullt, gjatë së cilës u promovua dinjiteti i një kombi që kërkonte me çdo çmim të rilindte si Feniksi nga hiri i kohëve të këqija dhe paragjykimi i dritëshkurtërve të kontinentit të vjetër.
Autonomia e shpallur nga Lidhja e Prizrenit dhe Pavarësia e institucionalizuar nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore në zinxhirin e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare, të lidhura organikisht ndërmjet tyre, si shprehje e vullnetit popullor dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e përfundim logjik i luftës çlirimtare. Por, Shpallja e Pavarësisë shqiptare ishte në të njëjtën kohë një etapë më e lartë, e përcaktuar nga zhvillimi progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat ndërkombëtare.
Prapambetja ekonomike e shoqërore e vendit ishte padyshim një faktor që vonoi rritjen e forcave organizuese e drejtuese të lëvizjes kombëtare e si pasojë e vështirësoi dhe e vonoi Shpalljen e Pavarësisë. Nga ana tjetër, grinjdet dhe përçarjet e vazhdueshme të parësisë, me anë të grupimeve dhe lobingjeve të tyre politiko-fisnore e të tjera dukuri penguese e shtynë për një kohë relativisht të gjatë shpalljen e Pavarësisë. Por, edhe pse Shqipëria ishte një vend i vogël e mbi të rëndonte zgjedha e një perandorie të madhe, një faktor themelor që e vonoi për dhjetëra vjet pavarësinë shqiptare ishte ai i jashtëm. Populli shqiptar ka qenë gjatë gjithë lëvizjes për çlirimin kombëtar thuajse i vetëm, pa aleatë të vërtetë, herë herë me aleatë të çastit, që hynin në lojë jo për hir të ndonjë dashurie për Shqipërisë, por për shkak të konjukturave të kohës. Ajo që e bënte më të trishtë gjendjen, ishte fakti se shtetet ballkanike fqinje, të cilat të parat patën siguruar pavarësinë, luftuan me të gjitha mjetet, duke filluar nga presionet diplomatike e duke mbaruar edhe me ndërhyrje të armatosura, kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila për nga qëllimet e saj ishte në kundërshtim me planet e tyre të skllavërimit ekonomik e politik dhe të copëtimit të Shqipërisë.
Edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat, gjatë gjithë shek. XIX patën përkrahur popujt e krishterë të Ballkanit (serbët, grekët, rumunët e bullgarët) të formonin shtetet e tyre të pavarura, për një kohë të gjatë, mbajtën një qëndrim mospërfillës ndaj çështjes shqiptare, duke iu dhënë “alibi” armiqve tanë tradicionalë në aventurën e tyre pushtuese e aneksuese ndaj trojeve historike të kombit shqiptar.Në këtë qëndrim pati ndikimin e vet edhe fakti që shqiptarët, të ndarë në tri fe (edhe pse i bashkonte një ndërgjegje e vetme kombëtare), me një shumicë zotëruese myslimane, shiheshin nga Evropa e sidomos nga Rusia e krishtere si një popull i huaj me to dhe më i afërt me turqit myslimanë. Jo vetëm Rusia, por edhe shtetet e tjera evropiane nuk qenë shkëputur ende në atë periudhë nga konceptet e vjetra teokratike për kombin, edhe pse perandorive shumëkombëshe teokratike, tashmë të lodhura e të drobitura, po iu vinte fundi. Në këto kushte, lufta për Pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të mbështetej veçse në forcat e popullit shqiptar dhe mund t’ia arrinte qëllimit vetëm kur të krijohej një konjunkturë e favorshme ndërkombëtare, kur kontradiktat ndërmjet Fuqive të Mëdha mund të shfrytëzoheshin me sukses për një platform reale për realizimin e saj.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte të tilla ndërkombëtare. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fazën e fundit të saj, ditën të shfrytëzonin me mjeshtëri koniunkturën politike që u krijua me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, kur në çështjen shqiptare u ndeshën me forcë interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Është meritë e këtyre atdhetarëve largpamës dhe, në mënyrë të veçantë, e atdhetarit dhe e diplomatit të shquar Ismail Qemali, që, duke u mbështetur në luftën e popullit shqiptar brenda vendit, zgjodhën drejt çastin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma e deriatëhershme politike e lëvizjes për autonominë në atë të pavarësisë. Dhe kjo u realizua pikërisht më 28 Nëntor 1912, kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha vendosën të hiqnin dorë nga ruajtja e status quo-së në Ballkan dhe kur planet e aleatëve ballkanikë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë e Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Tripalëshe.
Vendimi historik i 28 Nëntorit drejtohej megjithatë jo vetëm kundër politikës së Fuqive të Antantës dhe të shteteve fqinje të Ballkanit, por edhe kundër planeve të fuqive të Lidhjes Tripalëshe. Këto të fundit, sidomos Austro-Hungaria e Italia, si më të interesuarat për çështjen shqiptare, ishin në atë kohë për autonominë e Shqipërisë, nën sovranitetin e Sulltanit. “Pavarësinë” e saj ato e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të veta, si mjetin që do t’u hapte rrugën për të vendosur kontrollin ekonomik e politik mbi Shqipërinë, për ta përdorur popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, si mbështetje për shtrirjen e tyre në Gadishullin vjetër problematik të Ballkanit.
Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar, Pavarësia objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Epoka aktuale e riformulimit të problemeve të Ballkanit dhe tentativa për zgjidhjen e tyre duke ridimensionuar botën shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve të imponuar politikë, e vërteton më së miri këtë devizë të saj dhe e konturon aktin e Pavarësisë si një akt të plotë lirie e sovraniteti të një kombi, që i ka dhnënë qytetërimit modele rezistece ndaj të keqes dhe prêt prej tij të paktën një gjest mirënjohje për vlerat dhe kontributet e shpalosura.
Qatip Mara
New York 26.11.2014