• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mirënjohje ushtarit

July 3, 2020 by dgreca

(poezi për 4 Korrikun)/

NGA JULIA GJIKA*/

Ushtari është vëllai im, i yti./

Ushtarët janë dhurata e botës,/

ndjekin urdhrin,/

janë nderi i kombit./

Gdhihen pa fjetur/

në marshime/

me vesën e argjëntë,/

që s’është gjë tjetër

veç loti i nënave

këputur në ankthet

e pritjeve.

Rendin përpara,

mbështjellë në krahët e erës,

që s’ ësht’ veç padurimi i nënave

në shkretëtirën e luftës së egër.

Kudo ku japin frymën e fundit,

blatojnë këngën e fitores.

Të parat e dëgjojnë nënat,

kur luten për ta.

*Nga libri “MUZG”, Botimet SNAJ, 2007.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Julay 4th, Julia Gjika, Mirënjohje ushtarit

S’KA MË KOHË

June 3, 2020 by dgreca

 JULIA GJIKA NË SOFRËN POETIKE TË DIELLIT/

 S’ KA MË KOHË/

 “I mjeri unë! Jam i humbur, sepse jam njeri me buzë të papastra, që jetoj mes një populli me buzë të papastra…” (ISAIA: 6; 5)/

Njësoj jemi ne njerëzit,/

njësoj, pavarësisht nga racat./

Kemi priviligjin të jemi njerëz,

se mund të ishim krimba, uritha, akrepa, gjarpërinj.

Diçka kemi prej krimbi, urithi, akrepi, gjarpëri.

Në shekullin XXI që jetojmë,

Zot, na shpëto nga vetja jonë!

Egoiste, lakmitare, mashtruese!

Sa kohë na duhet për shpëlarje?

“Pendesa, e vetmja barkë që nuk mbytet

është në pritje” – thosh Viktor Hygoi.

Sa kohë duhet për të kuptuar si jetohet,

jashtë krimit, anktheve, kompromiseve, maktheve?

Për të qënë të lirë,

të çliruar nga muret e mentaliteteve.

Protestat në Amerikë i pa gjithë bota.

Turpin, krimin e një polici të bardhë, 

që i mori frymën një njeriu me ngjyrë.

Ngjyra e lëkurës,

nuk të bën të jesh më i mirë,

a më i keq se të tjerët.

Vetë privilegji i të qënit njeri, jo ngjyra, 

të këndojë, si qumështi me dashuri kur e mëkon nëna.

Protestat e dhunshme, 

ngrejnë branda nesh humnera të tjera,

stuhi dhe katastrofa.

Cfarë do të thonë për mua, për ty,

kur kufoma jonë do të presë nesër

duart e të tjerëve të na vendosin në banesën e fundit?

Me dy fjalë lamtumire për jetët tona,

apo si qeni në vreshtë, qënie të papenduara?

“Pendesa e vetmja barkë që nuk mbytet”,

po pret me durim.

Nuk duhet humbur kohë, sepse s’ka më kohë!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika, S'ka me kohe

DESHMI AKUZE

April 13, 2018 by dgreca

Julia Gjika/

DESHMI AKUZE/

(Kushtuar Elena Gjika Merlika dhe shoqeve të saj, që kaluan jetën në kampet e dëbim it Tepelenë, Grabian, Savër, etj)/1 elenagjikaNë Foto:Elena Gjika Merlika/

Shi, bie shi i dëndur./

I dëndur është dhe pylli./

Vajza dhe nuse ngarkuar me dru të rënda,/

përthyhen si purtekat./

– ”Na jep fuqi o Zot, të mos thyhemi!”/

Lutej Elena duke çapitur nëpër rrëpira.

Psherëtimat i bashkohen ajrit që dridhet.

Mbi shpatullat e tyre lëkunden vandakët

e mbirënduar nga shiu.

Me zjarrin e tyre do të ngrohen te kampi, xhelatët.

Shi, bie shi i dendur në Tepelenë

Rrëshqet me djersën dhe lotët,

rinia që humbi rrëpirave.

Aty brenda telave me gjëmba,

arritën ato si zogjt e dimrit.

Pleq, plaka dhe fëmijë

presin brenda gazermave

t’i ngrohin me zjarrin e shpirtit.

Në qiellin e mbyllur u gdhëndën emrat e tyre,

akuzë për kohën.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: DESHMI AKUZE, Elena Gjika Kruja, Julia Gjika

Julia Gjika në Sofrën Poetike të Diellit

February 14, 2018 by dgreca

Julia Gjika/

Julia_Gjika

Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/

FLAMURTARES KOSOVARE/

Nuk dija asgjë për ty/

deri ditën e demonstratës,/

as emrin./

Me emër të ri të thirrën:/

“FLAMURTARE”./

Më erdhe pranë Ylfete,

të ndjeva frymëmarrjen.

Kur ngrite lart flamurin,

shpalose dëshirat rinore,

kur plumbat të goditën,

u drodhën zogjtë e ikën,

u këputën petalet e marsit,

u përflak drita e diellit,

dhe e gjithë Kosova.

I fale trupin, emrin,

“Flamurtare e Lirisë”.

Kosovës i linde

të reja Shote Galica.

Mars – Prill, 1981.

– – – – – – – –

Kushtuar dëshmores Ylfete Humolli, nxënësja që i doli para tankut sërb e mbështjellë me flamur.

IBRAHIM RUGOVËS

Atë që askush nuk e shihte,
Ti e pe, ende udhën pa e nisë:
Qiellin e kaltër përtej reve,
Kosovën, në krahët e Lirisë.

Tek shkëmbinjtë përplasen valët
Era shkon e vjen si e marrë.
Njerëzit, gurët edhe drurët
Kanë ankth, kanë acar.

Zjarrin që të digjte në zemër,
Si trim e durove pa ankim.
Deri në shtratin e vdekjes
Me dashurinë fole, i urti Ibrahim.

Të ftohta ditët e atij Janari,
Të ftohta muret nëpër oda,
Luadhet e malet e Kosovës,
Mbuluar nga ngrica e bora.

Nata harron të largohet,
Shpirti po ikën ca nga ca.
Zemra dhe truri i munduar,
Në duart e natës dhimbjet i la.

Lot i fundit i jetës rrëshqet
Njeriun e Madh paqja mbështjell.

                Janar, 2006


GËZIMI I FITORES

Mezi e pe ditën.

Mezi e ndave nga nata e gjatë.

Mezi erdhi Fitorja.

S’ishin pak tragjeditë,

humbjet, dhimbjet s’ishin pakë.

Kjo ditë Kosovë,

i ngjan stinës së pranverës.

Gëzimin solli,

me kthimin e dallëndysheve,

me kthimin e yjeve në qiell.

Si një trup i vetëm ke dalë

nuk të nxënë sheshet.

Nëpër botë,

me kohë u shitën biletat.

Rrugë të reja gjetën dasmorët,

për të ardhur te ty.

Eshtë e diel,

Qielli është i kaltër,

Fytyra jote shkëlqen.

Pritja ishte e gjatë, përtej durimit.

Me zë te plotë, me zë të fuqishëm shpërthen.

Me korin e ëngjëjve,

me fuqinë e dallgëve të oqeanit.

Rruga e gjatë e mundimeve

mbeti pas.

Fitorja është ulur

pranë sofrës së madhe, Dardani

buzëqesh me fytyrën e heronjve.

Eshtë e diel,

Shpirtrat gëzojnë

Toka dhe Qielli kanë festë

Në varrezat, martirët

të qetë janë tani.

Asgjë nuk vajti dëm

As gjaku i derdhur.

Ata që e dinë se çfarë ndodhi dje,

nën këtë qiell,

ndoshta nuk dinë shumë,

ndoshta pak, shumë pak dinë.

Por qielli yt i di të gjitha.

Ky qiell di kaq shumë.

Ndaj sot nuk mbahet,

derdh dritë e ngrohtësi.

Pranvera rrit barin e ri, me shpejtësi.

E gëzofsh Fitoren Kosovë !

Shteti më i ri në Botë.

Bota të njohu KOSOVË!

            Shkurt, 2010.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 10 vjetori i Kosoves, Julia Gjika, ne sofren poetike, te Diellit

SERENATAT KORÇARE NGAZËLLUAN BASHKËKOMBESIT NË AMERIKË

May 31, 2016 by dgreca

Nga Julia GJIKA/

Në Foto:Kantautori Kulla në Koncertin e Bostonit/

Muaji i Majit erdhi me shpërthimet e ngjyrave të pranverës, duke lënë pas dimrin e ashpër si kudo edhe këtu në Worcester, MA. Komuniteti shqiptar i këtij qyteti ardhjen e pranverës së  këtij viti e gëzoi bashkë me madhështinë që  solli festa tradicionale e Pashkëve të Mëdha më 1 Maj, kur u përkujtua ringjallja e Krishtit.

Gëzimi i kësaj feste tradicionale u reflektua gjatë shumë ditëve me aktivitete të  ndryshme si brenda ambjenteve të kishës Fjetja e Shën Marisë dhe jashtë saj. Ajo që  e bëri dhe më të këndshëm e më interesant Majin e këtij viti ishte ardhja e Korçës me serenatat e saj, dukuri të cilën e krijoi kantautori i mirënjohur Maks Kulla me këngët e tij. Ai erdhi bashkë me zonjën e tij Xhuli për vizitë tek e motra Effi Qeleshi për disa javë. Effi dhe bashkëshorti i saj, z. Mihallaq Qeleshi së bashku me familjet e vajzave të tyre e shëtitën vizitorin nëpër parqe, muze, Hard Rock Cofee Restorant, ku kanë kënduar legjendat e rockut, kazino, etj. Mirëpo dhurata që i ka dhënë Zoti këtij burri me zërin melodioz, bëri që ai  t’ua kthente kënaqësitë shumëfish jo vetëm anëtarëve të familjes Qeleshi, por dhe shumë banorëve të Massachusetts-it e Connecticut me serenatat korçare, të cilat i këndoi në disa mbrëmje që u organizuan prej komunitetit shqiptar të këtyre dy shteteve, me përkujdesjen e z. Frank Zdruli dhe z-njës Anisa Luarasi.

Shoqëria “Djemtë e Shën Marisë” (Worcester, MA), sipas rregullit të vet të martën e parë të çdo muaji, organizon takimin e saj të radhës. Gjatë takimit jepet raporti për shpenzimet e fitimet e shoqërisë, hahet një darkë dhe herë pas here ftojnë një folës. Gostinë e sponsorizojnë biznesmenë të ndryshëm, kurse të ardhurat që mblidhen prej pagesës sësejcilit pjesëtar nga 13 dollarë, i kalojnë shoqërisë, e cila i përdor ato sipas nevojave e planeve mirëbërëse që cakton Këshilli i Kishës.

Të martën e parë të muajit Maj, pra më 3 Maj 2016, u organizua darka e radhës prej shoqërisë “Djemtë e Shën Marisë”. Këtë darkë, meqënëse rastisi të ishte një ditë mbas festës së Shën Gjergjit, biznesmeni i suksesshëm Gjergji Disho dhe bashkëshortja e tij z-nja Kreuza, sponsorizuan shpenzimet e darkës speciale me mish qingji dhe raki të nxjerrë vetë këtu në USA. Midis 80 pjesëmarrësve, kësaj here u ftua dhe vizitori korçar Maks Kulla, i cili ishte i njohur dhe shok i ngushtë me shumë prej tyre. Mbas seancës së mbledhjes dhe ngrënies, kantautori mori kitarën dhe e ktheu darkën në një koncert të këndshëm, gjatë të cilit bashkuan zërat e tyre dhe shumë korçarë të vjetër e të rinj.

Ky ishte koncerti i parë spontan për nga organizimi në ambjentet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”. Këngët buçitën deri në orët e vona të mbrëmjes. Tërheqëse ishte se dhe disa burra të moshuar, të lindur këtu në Amerikë, kënduan bashkë me këngëtarin duke shprehur respektin e tyre për baballarët e nënat që ua kishin mësuar ato këngë që në fëmijëri. U shpalos etja për këngët e vjetra, serenatat korçare, të cilat kishin filluar t’i krijonin atdhetarët tanë të Rilindjes si Mihal Grameno, Spiridhon Ilo, Pandeli Cale e pas tyre grupi “Lira” në vitet 1920-të. Pas kësaj mbrëmjeje ditët e muajit Maj u bënë më të ngjeshura me aktivitete.

Mbas disa ditësh, Effi dhe Mihallaqi ftuan familjen Disho dhe disa familje të tjera në restorantin e tyre Coffee Mug, (286 Southbridge Street Webster MA) për darkë, ku u kënduan sërisht serenatat korçare drejtuar prej këngëtarit Kulla.

Në komunitetin shqiptar të qytetit Worcester MA shquhen individë me aftësi organizuese për veprimtari të ndryshme. Midis tyre bie në sy z-nja Anisa (Hoxha) Luarasi, me profesion ekonomiste, drejtoreshë e buxhetit për Financën në Worcester State University. Anisa me bashkëshortin e saj z. Redi Luarasi ndihmojnë komunitetin dhe Kishën në forma të ndryshme, ajo si organizatore koncertesh me këngëtarë e këngëtare që i sjell nga atdheu, kurse i shoqi me punë tëndryshme për riparimin e difekteve që ndodhin brenda e jashtë kishës.

Më 14 Maj në Boston, në Marriot Burlington, Anisa organizoi koncertin e quajtur “SPRING” ku kishte ftuar nga Shqipëria këngetaret e famshme Eli Fara e  Mariola Kacani. Në këtë koncert i ftuar special ishte dhe Maksi Kulla, si dhe orkestra e Alban Hoxhës, Drejtor i spektakteve në RT, në klarinetë Maksi, Vathi pedagog në shkollën e muzikës Tiranë, Dj Jorgo Boston. Në këtë koncert morën pjesë mbi 200 dëgjues, të ardhur jo vetëm nga rethinat e Bostonit, por dhe nga shtetet New Hampshire e New York. Pa u shlodhur nga ky koncert më 15 Maj, Anisa organizoi me po këta këngëtarë  me po këtë orkestër koncertin tjetër në “AQUA TURF CLUB”, Waterbury CT. Këtu pjesmarrja ishte mbi 500 dashamirës të artit dhe bashkëkombës erdhën të çmalleshin me këngët e Atdheut. Pjesëmarsit ishin jo vetëm nga shteti Connecticut, por dhe nga New Yorku, New Jersy, New Hamshire, Massachussetts, etj.

Maksi i emocionuar thotë se nuk di si t’i falenderojë organizuesit, motrën dhe kunatin e tij, që e shoqëruan kudo, dhe sidomos dy mbesat Marjolën dhe Adelajdën, pa të cilat, ai nuk do të mund të arrinte të merrte pjesë në këto koncerte, mbasi distancat në Amerikë janë të tilla që nuk mund t’ia dalësh pa u vënë në dispozicion “shoferë” me makinat e tyre të shpejta.

Para se të largohej Maks Kulla pati dëshirën të ndihmonte kishën “Fjetja e Shën Marisë” për të mbledhur fonde për shpenzimet që  u duhenkatër të rinjve prej anëtarëve të kësaj kishe gjatë vajtjes nëShqipëri në këmbim përvoje duke jetuar e vepruar së bashku me të rinjtë e tërejat e kishës shqiptare orthodokse të Elbasanit. Organizatorja Anisa bashkë me sekretaren e kishëz, z-njën Deby  u treguan te gatshme dhe të shpejta. Më 21 maj u realizua mbrëmja familjare “Ejani të kënaqemi duke kënduar së bashku serenatat korçare” në St. Mary Church Hall me këngëtarin Maks Kulla dhe organistin Mikel Shkëmbi. Sejcili pjesëmarrës dha donacion sa dëshiroi.

Si të gjitha mbrëmjet që organizohen në ambjentin e kishës edhe kjo u hap me përshendetjen dhe lutjen e Fr. Timothy Lowe dhe gjatë ngrënies së mezeve shpërthyen serenatat korçare, gjinia e preferuar e kantautorit Kulla, me të cilat ai çeli e bëri mbrëmjen të paharrueshme. Djaloshi Mikel Shkëmbi, një emigrant i ri që jeton e punon në Worcester MA e shoqëroi këngëtarin me organo, violinë e kitarë.

Të pranishmit ishin nga të gjitha moshat, fëmijë e të rritur, të lindur këtu e në atdhe. Z. Bob Steffo me të shoqen Diana, me djalin Gregory, nusen  dhe mbesën, pra tre breza të lindur nëAmerikë kënduan serenata dhe kërcyen vallet popullore sikur të ishin përgatitur në kurset e valleve. Po ashtu dhe vajzat e z. Bill Kamenica u aktivizuan gjatëgjithë mbrëmjes, sidomos Mark Dionisi, dhëndri i vogël, i cili ështënjë veprimtar i palodhur në gjithëaktivitetet e kishës sonë. Bill (Vasil) Kamenica ka emigruar këtu qëkur ishte 6 vjeç. Që në moshë të re ky emigrant u lidh fort pas kishës dhe ka ndihmuar si pak kush në gjithë veprimtaritë e saj, prandaj atë e ka emëruar Peshkopata Orthodokse Amerikane “Kalorës të Shën Gjergjit”, titull që u jepet besimtarëve më të devotshëm. Vallet pa u lodhur i kërcyen motër e vëlla Carol e Bob Laska, sikur të ishin ritur me vallet shqiptare.

Në tavolinën ku isha ulur unë me bashkëshortin tim, u ulën dhe çifti Alketa e Fredi Athanas bashkë me një komshijen e tyre pogradecare. Ata kishin ardhur nga qyteti  Manchester NH. Alketa me Fredin janë njerëz alegro, ata nuk mungojnë në ngjarje të tilla, me thotë Anisa. Ata kanë më shumë se 20 vjet martuar, por duken si të jenë 20-vjeçarë, ndonëse aq kanë djalin e tyre të madh.

Në këtë MBREMJE FAMILJARE, ne hymë në valle dhe i kërcyem ato me mall , sepse na tërheq ai ritëm i njohur, ai ritëm që  kemi mësuar qysh fëmijë, siç po hidhet para syve tanë duke na çuditur, duke  na lënë pa gojë për veshin e tij muzikor dhe dashurinë për vallet shqiptare, i vogli dyvjeçar e gjysem Nikolla Zdruli. Ai  mban si mikrofon në doçkën e tij të djathtë një stilolaps që e shtrëngon fort para gojës. Franklin Zdruli dhe e shoqja ndjehen të lumtur që po i rritin dy pëllumbat në vëndin ku ëndrrat bëhen  realitet. Kushedi një ditë ky vogëlush do të bëjë emër në fushën e muzikës dhe ne ia urojmë suksesin me gjithë shpirt.

Z. Steffo  e rrëmben Nikollën e vogël në krahët e tij dhe nuk lodhet duke hequr vallen me rrotullime, duke mbushur sallën dhe gjithë sa ishin aty me  gëzim që nuk pershkruhet me fjalë.

Në të tilla mbrëmje bie në sy puna e mirë që ka bërë mjeshtri i valleve Dhimitër Demiri, i cili ka drejtuar kursin e valleve për mëse 10 vjet me të rinjtë e kësaj kishe. Nxënësit e tij, shumë prej të cilëve tani janë studentë universitetesh ose punonjës në ndërmarrje të ndryshme shquhen në të gjitha festat, pikniket dhe festivalet e kishës sonë.

Mbas këngës “ Dua më shumë Shqipërinë”, me të cilën u hap mbrëmja, vijuan serenatat, të cilat shpesh këndoheshin së bashku me pjesëtarët e sallës…

Harruam se ishim në Amerikë, na u duk vetja sikur ishim në ndonjë festë a dasëm në Korçën tonë. Duartrokitje të vazhdueshme, gjallëria e këngëtarit, zëri i tij melodjoz e ndezën atmosferën nga kënga në këngë. Serenatat njëra më emocionuese se tjetra, jo vetëm përcillnin emocione, por dhe mesazhe malli për mëmëdheun, dashuri për bukurinë dhe virtutet e vajzës shqiptare, për vitalitetin e popullit shqiptar, etj.

Malli për Atdheun u ul këmbë kryq në atë sallë të elektrizuar. Këtë e tregonin fytyrat e Natashës, Maksimit,  Edit, Valbonës, Ilir Zguros, Adelajdës, Maniolës, Effit, Mihallaqit, e të gjithëve pa përjashtim, si e fëmijëve të tyre, sytë e përlotur të të moshuarve, vallet që hiqeshin me patos nën tingujt e muzikës. Amerikano-shqiptari Bob Steffon nuk la valle pa kërcyer, me krahët hapur si një shqiponjë, me kërcimin e lehte si të një djaloshi adoleshent u admirua nga pjesëmarrësit, të cilët e rethonin me duartrokitje dhe emocione, duke ndjekur ritmin e muzikës, duke u bërë si një trup i vetëm. Atmosfera u mbush me dashuri e krenari për vlerat e vendit që i kemi lënë përtej oqeanit. Kemi nevojë shpirtërore për të tilla momente gëzimi e përmallimi, që na pasurojnë botën tonë shpirtërore.

Më tej këngëtari bëri një ndërhyrje me humor:

-”Unë kam rënë në dashuri në jetën time vetëm një herë”.

Salla shpërtheu në të qeshura.

-”Po, po, thotë Maksi, një herë me një ezmerkë , po të më thoshin ta filloja jetën nga e para, kë do të zgjidhja për të dashur, do t’ u thoja padyshim EZMERKEN, fjalën e ka për gruan e tij, Xhulin, e cila e shoqëron në çdo fjalë dhe notë muzikore, ndërsa ai ia fillon këngës “Ezmerkë moj lezet me kripë / Ndalu pak… ndalu pak…

Me radhë,  ai vijon këngët: “Për të gjitha nënat tona”,  këngë e kenduar dikur prej këngëtares kosovare me famë Nexhmie Pagarusha; “O moj korçare sa e bukur je”, “Një ditë të bukur Maji”, “Syçkat si ato të tuat”, “Te rrapi në Mashkullorë”, etj, etj.

–Në repertorin tim kam pothuaj mbi 50 këngë, thotë kantautori, kam bashkëpunuar me poetë të vendit , muzikantë për orkestrimet, si Ardian Jorgji e të tjerë, gjithashtu kam edhe krijimet e mija.

Ne hymë në valle të dehur nga muzika e vendit tonë, bashkuam duart me të panjohur, duar të padukshme na tërhiqnin me forcë, ishin duart e mallit, hodhëm hapin qetësisht pas të parit, që na udhehoqi me buzëqeshje të butë, që i ngjan butësisë së barit, blerimit, atij blerimi në Maj, kur mbushen luadhet dhe malet, ndërsa ndihemi si në shtëpinë tonë dhe jemi të lumtur së bashku.

–Të kontribuojmë jashtë kufijve të atdheut, e kemi peshqeshin më të vyer që na dha LIRIA pas 50 vjet diktaturë – thotë Maksi i emocionuar. Unë nuk munda të kryeja studime në Konservator për muzikën, por si u thashë edhe më parë Zoti u kujdesua për mua duke më dhënë dhuratën më të cmuar, zërin, duke më thënë mos e humb dhe une s’bëj gjë tjetër veç mbaj premtimin. Komuniteti i Usterit (Worcesterit) dhe kudo ku shkova, bashkatdhetarët më pritën me dashuri, me kulturë dhe entuziazëm. Jam i ngarkuar me shumë mbresa, i gëzuar për çdo njeri që takova, kur qeshnin ata mua më qeshte zemra.

Muzika që kantautori Kulla përcolli në këto koncerte ia shtoi Majit ngjyrat dhe tingujt , i lumturoi dashamirësit e artit, bashkëkombësit. Ata shprehën dëshirën për ta patur sërish mes tyre. Maksi premtoi se në të arthmen do të vijë me këngë më të bukura, që shpirti i tij po i ndjen qysh tani, sepse ngrohtesia dhe duartrokitjet e pjesmarësve e thonë.

Për një pjesë emigrantësh që nuk mundën të vijnë në këtë MBREMJE FAMILJARE, dhe që jetojnë në pallatin “Ilirian Gardens”, pranë Kishës Ortodokse Shqiptare, u kujdes si gjithmonë çifti i angazhuar Eleni Millona dhe bashkëshorti i saj Sotir Millona, të cilët përgatisin një herë në muaj “Orën e kulturës shqiptare” për të argëtuar e kulturuar shqiptaro-amerikanët që pleqërohen në këtë godinë.

Vidioklipi i përgatitur në Korçë me këngët e kantautorit u shfaq në TV dhe u ndoq nga zonjat Jorgjia, Meri, Drita, Polikseni, Gjylizari, Dolorezi,Violeta, Valentina, Aferdita, Lefteria, Marika, etj në dhomën e madhe që përdoret për takime e koncerte. Shumica janë nga Korça jo vetëm u çmallën me serenatat korçare, por dhe me bukuritë e qytetit,  natyrën e rrethinave, hotelet e restorantet lluksoze që janë ndërtuar gjatë këtyre viteve të fundit, të xhiruara me kujdes. Falenderuan çiftin Millona për punën e përkushtuar që bëjnë. Këngçtarit Kulla i percollen urimet e rastit dhe falenderime për kënaqësitë që u dhuroi në këto ditë të bukura të Majit të sivjetëm, duke u sjellë Korçën, “Parisin e vogël” këtu në atdheun e dytë…

Filed Under: Reportazh Tagged With: BASHKËKOMBESIT, Julia Gjika, ne Amerike, NGAZËLLUAN, SERENATAT KORÇARE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT