• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ora e vëllait

November 5, 2017 by dgreca

H. Tarelli me kostum kombëtarPoezi kushtuar vëllait Hytbi Tarelli, piktor e skulptor, i cili mbushi një vit që s’është mes nesh. /

Hytbi Tarelli.Në studio

Ne Foto: Skulptori Hytbi Tarelli ne studio/

Ora e vëllait/

Kadri TARELLI/

Një orë xhepi, më pruri vëllai, dhuratë,

Nga Kanadaja, ngjyer në bojë florori.

Mbi të, treni i prerive, nis udhën e gjatë.

Kujtim nga vendi i largët, ma dërgonte i biri.

Mërgoi vëllai, familjarisht, si mijëra të tjerë,

Në udhët e botës, me plot shpresëhumbur.

Pragu s’i mbajti dot, i flaku, i nxorri në erë,

po shpirti mëmëdhetar, mbeti i pa tundur.

 

Artist ishte, me penel e daltë në dorë,

Pikturoi natyrën, gdhendi heronj e mendimtarë

Adem Jasharin në Kosovë, flamurin në Vlorë,

Skënderbeun, Ismailin, Boletinin me luftëtarë.

 

Nënë Terezën tonë, shenjtore si perëndi,

e adhuronte, i falej e mbushej frymëzim.

Shpirti i tij në parajsë, sot lutet në çdo shtëpi,

Se veprat flasin e bërtasin, për komb e bashkim.

 

Në xhep të jelekut, orën mbaj përherë.

vakt pa vakt e hap, kohën me të mat.

Kjo dhuratë e vogël, paska shumë vlerë,

Vëllai me vepra, i gjallë, mbetet prap!

 

Kadri Tarelli

 

Durrës më datë: 04, të vjeshtës së tretë, 2017

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kadri Tarelli, Ora e Vellait, Skulptori Hytbi Tarelli

ARSIMI SHQIP NË SUEDI

September 9, 2017 by dgreca

Monument mësuesve të mërgatës shqiptare/

kadritarelli-1

Nga Kadri Tarelli/

Ndjek me vëmendje shkrimet që publikohen shpesh nëpër faqet e shtypit të shkruar dhe në portalet e internetit, lidhur me arsimin shqip të fëmijëve të mërgimtarëve tanë nëpër botë. Dëshirë e një mësuesi të hershëm, që e nisi dhe e grisi jetën në arsim, që të njoh përpjekjet dhe arritjet e kolegëve mësues nëpër vende të botës ku ka shqiptarë. Çdo herë i  përshëndes këta misionarë të dijes e të shqipes, që përpiqen me të gjitha forcat dhe mundësitë që u krijohen. Së  pari të mbijetojnë vetë, më pas edhe të mbajnë gjallë gjuhën amtare, te të vegjëlit dhe të rinjtë shqiptar. Është një përpjekje madhore, pasi jo kudo gjen teren të përshtashëm, ku shteti dhe komuniteti vendas janë mirëkuptues, dashamirës dhe ndihmues, pa përjashtuar edhe mundësitë e organizimit të vetë shqiptarëve. Ky një kapitull më vete, sepse është edhe çelësi i suksesit.

Kam takuar e biseduar me shumë kolegë, kur vinë në Shqipëri në periudhën e verës. I admiroj, ndaj diku edhe kam shkruar për ta. Më vjen mirë që shpesh organizohen tubime e kuvende me mësues nga diaspora, përmend takimin e fundit në Gjakovë, këtë verë që shkoi 2017, ku morën pjesë një numër i madh mësuesish. Nuk dua të ndalem tek vështirësitë, që janë të pranishme kudo, që po ashtu janë edhe të ngjashme. Është interesant se, po ashtu të njëllojta janë edhe përpjekjet e tyre, për të kapërcyer pengesat, që: O zot sa shumë që janë! Aqsa vargu i tyre nuk ka fund.

Po qendroj tek “Vepra 2. Arsimi shqip në Suedi”, të autorit Hysen Ibrahimi, vetëm për një arrsye të thjeshtë: Arritjet e atij komuniteti shqiptarësh, në zhvillimin e arsimit shqip në veriun e largët të Europës, në Suedi, si shembull e model për të gjithë dashamirët dhe punëtorët e arsimit shqip në diasporë. Dikush do të thotë i zemëruar: pse me Suedinë po na krahason, ku ndihma dhe kujdsi janë në majën më të lartë dhe s’ kanë të krahasuar me vendet e tjerë, sado të zhvilluar qofshin. Mbase kanë të drejtë, por po të njohin përpjekjet e mësuesve shqiptar, dhe pengesat që hasën në fillimet e tyre, do të binden se edhe ata nuk e gjetën udhën të shtruar. Mjafton  të lexojnë këtë libër pak voluminoz, por që vlen shumë. Jo pse ka shumë dokumente, ndodhi, shkrime, proces-verbale, emra mësuesish e plot e plot gjëra të tjera, por se tregohen me hollësi dhe me shumë vërtetësi të gjitha mundimet e shqiptarëve, për të hapur klasa dhe shkolla, ku të flitet e të mësohet shqip.

Ky libër, është më shumë se një dokument, është një monument që u ngrihet mësuesëve të mërgatës shqiptare në Suedi. Ata meritojnë shumë e më shumë. Pikërisht në faqet e këtij libri, do të gjejmë mësëshumti, guximin, zgjuarësinë, durimin dhe qëndresën e shpirtit shqiptar, për t’u përballur, së pari me mbijetesën, një dukuri mëse e njohur e çdo emigracioni. Dhe, njëkohësisht për t’u ndeshur me pengesat, që organizonte Serbia dhe shteti Jugosllav, me njerëzit e vet dhe me politikën bllokuese e përçmuese ndaj shqiptarëve. Kjo ishte beteja më e parë, që duhesh fituar dhe që u fitua falë qëndresës, vullnetit e mençurisë shqiptare, sepse bënë të mundur shpërthimin e atij “bunkieri” të informimit agresiv e dashakeqas ndaj shqiptarëve.

Pas kësaj, një tjetër betejë duhesh fituar. Ishte ndoshta më e madhja përballje në atë vend të largët, zotësia për të bindur autoritetet vendore suedeze, se shqiptarët nuk janë as serb e as jugosllav dhe se gjuha shqipe nuk ka as lidhje as ngjasim me sllavishten. Duhesh përmbysur kjo teori e propogandë e mirëorganizuar nga serbët dhe shteti Jugosllav, me të cilën ishin ngopur autoritetet vendase dhe vështirë të thyheshin. Fatmirësisht ata u bindën në të drejtën e mërgatës shqiptare, pasi për ta, ishte befasi qëndrimi dhe veprimi i intelektualëve dhe në veçanti i mësuesve, të cilët për disa vite me radhë punuan pa pagesë. (Një formë pune shumëvjeçare e shkulur nga veprimtaria arsimore në Kosovë, në kushtet e sundimit serb). Nuk vonoi të çelë “Lulja e parë”. Ishte fundi i viteve 1960-1970. Më konkretisht vjeshta e vitit 1968, kur nga mësuesi Bejzat Beqiri, u hap e para shkollë ku mësohej shqip. Më pas u hapën edhe shkolla të tjera, pavarësisht pengesave të shumta, që s’ju ndanë asnjëherë. Sot veprojnë, 263 “çerdhe” të arsimit shqip në Suedi. Faqe 25.

Vitet rrjedhin. Mërgimtarët shqiptar në Suedi shtohen, sidomos pas viteve 1990, si rezultat i genocidit serb, por që gjejnë forca të organizohen. Kështu krijojnë këshilla të prindërve, pak më vonë themeluan “Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptar”, me emrin “Naim Frashëri”. Aq e dukshme ishte jehona e tyre, sa znj. Maj Bejier, (Drejtoreshë e entit të lartë shkollor në Ministrinë e arsimit të Suedisë), ndihmoi me të gjitha mundësitë, duke filluar që nga financimi dhe deri te përpilimi i teksteve për mbajtjen e gjuhës shqipe në gjithë Suedinë. Kjo është edhe arrësyeja, që Hysen Ibrahimi, autori i këtij libri, i cili është edhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, vlerëson këtë personalitet të arsimit suedez, për seriozitetin ndaj detyrës. Ai e përmend këtë zonjë të nderuar me shpirt të bukur, mbushur me humanizëm ndaj mërgimtareve tanë, të cilët gjetën në atdheun e saj, strehë, punë dhe liri me tepri.

Takimet e shumta me mësues dhe shkrimtarë shqiptar, që banojnë në Suedi, më ka dhënë mundësi të dëgjoj shumë ngjarje dhe histori që të habisin. Të gjitha janë pasqyruar në librin “Arsimi shqip në Suedi. Vepra 2”, ndaj po ndalem vetëm te ajo që rrëfen Sadulla Zendel-Daja, të cilit në Prill 2016, munda t’i marr një intervistë të shkurtër. Ai rrëfen dhe emocinohet, kur e rikthen veten në 60-vite të shkuar: “Mësuesi serb po i thotë drejtorit të shkollës, se këta fëmijë vijnë nga Kosova dhe kanë një dialekt të jugut të Serbisë, ndaj nuk më kuptojnë mua. Aty ndërhyra unë, duke ju drejtuar fëmijëve: – Dëgjoni! Dëgjoni! Unë jam shqiptar. – Më tej përmenda shumë emra familjarësh që jetonin në  qytetin Nybro. Fëmijët u gjallëruan dhe filluan të flasin, duke thënë: – Po more! Edhe mu ma quajn babën qashtu! …Po pra, ju, ju kuptojmë! – u përgjigjën fëmijët. Ata të gjithë u çuan nga bangat dhe më rrethuan si zogjtë pranë klloçkës”. E kisha shumë pranë këtë burrë të moshuar dhe vura re, se si u gjallërua, kur po fliste për ato ngjarje të shumë viteve më parë. – “Ishte një ditë e shenjtë, një ditë e pritur gjatë”. – Thotë i mallëngjyer me sytë gati të përlotur. Kjo ngjarje me një fotografi të madhe të Dajës u publikua në shtypin vendas, në gazetën “Barometera”. 05. Mars, 1975. Faqe 66.

Këto ndodhi, që tani rrëfehen pranë zjarrit, ishin pika kthese në njohjen dhe ndërgjegjësimin e autoriteteve vendase, për tragjedinë që luhej e jetohej në Kosovë. Veprimtaria e intelektualëve shqiptar dhe shembulli i mësuesve, durimi, këmbëngulja dhe zotësia, bëri të mundur që të fitohet edhe kjo betejë, aqsa qeveria suedese e vuri në ligj arsimimin e fëmijëve mërgimtar, duke siguruar lokal, mjete shkollore, transport, etj, etj. Të gjitha të financuara nga shteti. Ishte një fitore e madhe që i bën nder vendit mikpritës, por edhe shqiptarëve tanë, të cilët, sa herë u jepet rasti, nuk reshtin që të falënderojnë këtë popull dhe këtë komb me shpirt të madh.

Tani të gjithë njëzëri e pranojmë se, pikërisht përpjekja për gjuhë e shkollë shqipe, ishte faktori numër një, që ndërgjegjsoi edhe politikën dhe politikanët, në qëndrimin ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të saj. Kemi parasysh ngjarjet që pasuan në vitet e fundshekullit XX, që sollën luftën çlirimtare, lirinë e më pas pavarësinë e Kosovës. Suedia ishte i pari vend europian, që njohu pavarësinë e Kosovës.

Para katër vitesh, fund nëntori 2013, në kuvendin që u organizua në Durrës, në përurimin e librit “Thesari kombëtar”, volumi 1-2, në përshëndetjn time, mes të tjerave thashë këto fjalë: “Suedezët ju krijuan kushte dhe qetësi, por ju qëndruat dhe vrapuat, duke u treguar vetes dhe të tjerëve, se ç’mund të bëjnë shqiptarët, kur kanë liri”. Besoj se pata të drejtë në gjykimin tim, pasi shkrimtarët, mësuesit dhe artistët shqiptar në Suedi nuk janë ndalur në gjithë këto vite. Nëse në fillim, problemi i parë ishte mësimi i gjuhës shqipe, tani pretendojnë më shumë. Ata së fundi kanë botuar librin “Thesari kombëtar”, volumi 7-8, që është një arritje e mirëpritur në kulturën dhe letrat shqipe. Jo vetëm kaq, kan krijuar dhjetra shoqata atdhetare e kulturore në të gjithë Suedinë. Po përmend vetëm shoqatën kulturore “Migjeni”, që vepron në qytetin e Borasit. Edhe diçka më shumë: kanë themeluar “Lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klementi, XI. Albani””, një organizëm shumë i çmuar, që unë do ta quaja “Shtëpia e intelektualëve shqiptar”, në Suedi. Përmend, se dy shkrimtarë të mërgatës sonë, Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri, janë anëtarë të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë. (Kërkoj ndjes nëse ka edhe të tjerë). Besoj se nuk është pak. Të gjithë intelektualët së bashku, krijojnë mundësinë e njohjes dhe shkëmbimit të vlerave, duke afruar më shumë të dy popujt dhe kulturën e tyre.

Meqënëse jam gjithnjë në kontakt me veprmtarinë letrare të shqiptarëve të atij vendi, më duhet ta theksoj se, krijimtaria e tyre është për t’u admiruar, pasi botojnë shkrime, revista e libra. Përkthejnë në të dy gjuhët shqip e suedisht, krijojnë fjalorë me disa dhjetramijëra fjalë, shqip-suedisht dhe suedisht-shqip. Organizojnë vizita të ndërsjellta me mësues dhe shkrimtarë suedez dhe shqiptarë. Disa vite me radhë në Durrës, kam patur nderin të shoqëroj disa mësues të ardhur nga shkolla “Fjardingskolan” në Boras, drejtor Per Kettsen dhe mësueset Sonja Person e Anette Ekelung, së bashku me mësuesin, shkrimtar dhe publicist Sokol Demaku. Po kështu, grup pune nga shkolla “Demokracia” në Durrës, kryesuar nga drejtor Avdyl Buçpapaj dhe nëndrejtor Zabit Rexhepi, dy herë kanë kthyer vizitën te miqtë e Suedisë.

Në këtë udhë miqësie, kujtoj se, dy punonjëse të bibliotekës publike të Durrësit, drejtore Flora Dervishi, së bashku me Keti Psatha, vizituan Suedinë në kuadër të lidhjes së biblitekave të Durrësit me të Borasit. Në vashdim përmend se Dr. Prof Murat Gecaj, Viron Kona, Nuri Dragoi, Zydi Dervishi, kanë qënë disa herë në Suedi dhe kanë shkruar artikuj dhe libra. Po kështu kanë vizituar Shqipërinë edhe shkrimtaret suedeze, Brita Stenberg, Kristin Bjamdotter, ndërkohë Anna Mattson, vjen tek ne dy vite radhazi, 2016 – 2017. Diku në një shkrim, të korrikut 2016, me titull “Shkrimtaret që na erdhën nga Suedia”, jam shprehur: ……. “Koha rrjedh, ndërsa jeta vazhdon. Nuk di se ç’kanë ndërmend të bëjnë dy shkrimtaret suedeze, (Anna Mattson dhe Brita Stenberg), mikeshat e nderuara të Lezhës, Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit. Është në dëshirën dhe vullnetin e tyre, por unë, si edhe shumë të tjerë që patën mundësi të njihen me to, shpreh kënaqësinë dhe shpresën që t’i kemi përsëri mes nesh, me veprën e tyre të përkthyer në shqip”.

Pak më sipër theksova se, intelektualët shqiptar që jetojnë e veprojnë në Suedi, janë për t’u admiruar, sepse nuk janë kënaqur e velur nga arritjet e para, pasi ka edhe të tjera fusha ku shkëlqen shpirti krijues i tyre. Ata  kanë ngritur edhe stacione radioje dhe TV, ku trasmetohen emisione në gjuhën shqipe. Kush ka ndjekur sado pak jetën publike, letrare dhe artistike të shqiptarëve në këtë vend nordik, mrekullohet nga veprimatritë e shumta me tematikë të thekur shqiptarie e atdhedashurie.

“Thesari Kombëtar”, volumi: 1-2-3-4-5-6-7-8 dhe “Vepra 2. Arsimi shqip në Suedi”, janë enciklopedi të jetës dhe veprimtarisë atdhetare, arsimore, letrare e artistike të mërgatës shqiptare në Suedi. Unë nuk di që tjetërkush, në tjetër vend, të ketë bërë një punë kaq të madhe, për pasqyrimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës, arsimit dhe kulturës sonë kombëtare.

Na mbetet vetëm t’i urojmë: Suksese!

 

Kadri Tarelli

Durrës më 06. 08. 2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: ARSIMI SHQIP NË SUEDI, Kadri Tarelli

“THESAR KOMBËTAR” VJEN NË TROPOJË

August 18, 2017 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
1 Tropoja

Kuvend në paraqitjen e volumeve 7 dhe 8 /

1 Papa Kelemendi

Një telefonatë dhe një ftesë nga Z. Viron Kona: “Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, vjen në Tropojë”. Nuk u habita, më më shumë u mrekullova nga ky lajm i lakmuar, pasi do të takoj miqt e mi, shkrimtarë e veprimtarë shqiptar, mërgimtarë që banojnë në Suedi, me të cilët jam njohur në Durrës, katër vite më parë, në nëntor 2013, kur u përuruan volumet 1 dhe 2. Aty unë pata nderin të përshëndes tubimin e athershëm. Me shpresë, madje më shumë me bindje, thashë këto fjalë: – “Volumet e “Thesarit Kombëtar”, janë një enciklopedi e jetës dhe e punës 40–50 vjeçare, duke filluar që me mërgimtarët e parë e deri në ditët e sotme. Pikërisht këtu do t’i gjeni të gjitha dhe do të bindeni, se si e kanë filluar ata, që nga hiçi.….. Suedezët ju dhanë “tokën”, ju dhanë edhe klimën e lirisë, që e kanë me bollëk, ndërsa ju mbollët dhe rritët “Pemën e lirisë”. Me shpirt urova: “Ju lumtë! Vazhdoni kështu se jeni në rrugë të mbarë. Koha dhe historia do ju vlerësojë, kombi do ju nderojë!”. Me lajmin që më erdhi, u ndjeva i përkëdhelur. Paskam patur të drejtë! Ata e mbajtën fjalën, vazhduan udhën e krijimtarisë atdhetare. Unë përsëri jam mes tyre, bashkë me intelektualët tropojan, në kuvendin më të ri, në përurimin e dy vëllimeve, 7 dhe 8, të këtij “Thesari” me gurë të çmuar e të rendë, në historinë dhe kulturën shqiptare.

E pranova ftesën dhe ujdisëm takimin, pasi unë do të nisesha nga Durrësi, ndërsa Viron Kona, Nuri Dragoj dhe Bashkim Saliasi më prisnin në Tiranë. Rruga kaloi bukur, mes kolegësh shkrimtarë dhe studjues, që nuk reshtën së rrëfyeri për ç’janë duke shkruar dhe ç’kanë ndërmend të botojnë së shpejti. I çuditshëm, madje i pëlqyeshëm ky soji i shkrimtarëve dhe krijuesve, që e nderojnë njëri – tjetrin dhe shpesh bëjnë vërejtje dashamirë, duke nxitur mendimin për studime, akiva, gjetje materiali dhe ndërtimin estetik të librave për botim.

Më 27 korrik, ditën e enjte, në ora 11.30 ishim në qytetin e bukur Bajram Curri, kryeqendër e Tropojës trime, ku u takuam me organizatorët dhe miqt e ardhur nga Suedia. Ora 12.00, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, i drejtuar nga z. Lulzim Logu, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, mbështetur nga Bashkia Tropojë, organizuan në mjediset e Muzeut Historik Tropojë, një takim kulturor.

Është për t’u vlerësuar pritja dhe qëndrimi i ngrohtë në mesin e komunitetit artdashës tropojas, të cilët vazhdimisht mbështesin aktivitetet e organizuara nga “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve, Tropojë”. Të gjithë bënë çmos, për të mirëpritur e kënaqur “dasmorët” e ardhur nga larg. Kjo kuptohet lehtë edhe nga një fakt i thjeshtë, që në krye të mikpritësve është edhe nënkryetari i Bashkisë të qytetit Bajram Curri, z. Astrit Margjekaj, si dhe punonjësi kulturor i kësaj bashkie z. Can Tahiri.

Si fillim një befasi! Një spektakël muzikor. Në hollin e muzeut, të mahnisin ritmet e gjalla të valles tropojane, kërcyer nga valltaret e ansamblit “Dardania”. Të them të drejtën, si sot, asnjëherë nuk e kam ndjerë kaq pranë magjinë e valles tropojane. Në këtë kuvend letrarësh dhe artistësh, përfshiheshin përurimet e librave “Thesar Kombëtar i Mërgatës shqiptare në Suedi”, vëllimi 7 – 8. Bashkë me to edhe vepra “Arsimi shqip në Suedi”, botuar nga z. Hysen Ibrahimi, si dhe libri poetik me titull, ”Në endrra digjet nata”, i autorit Hasan Qyqalla, nga Lidhja e Shkrimtarëve shqiptar në Gjermani.

Në takim kishte krijues shqiptar nga Gjermania, Austria, Zvicra, Maqedonia, Kosova dhe Mali I Zi, të cilët e begatuan takimin me ndjesi atdhetarie e shqiptarie. Ata përcollën copëza jete dhe frymëzim malli, në interpretimet poetike me vargje të tyre, por edhe nga autorë të njohur shqiptar, si Mjeda, Fishta, Migjeni, etj. Takimin e parapriu një kuvendim i ngrohtë i të gjithë krijuesve shqiptar mesveti, njëkohësisht edhe këmbimi i librave, si pjesë e krijimtarisë më të re të tyre.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, z. Hysen Ibrahimi përshëndeti të pranishmit e shumtë që kishin mbushur sallën. Në fillim falënderoi organizatorët mikpritës, si nikoqirë të shtëpisë, njëkohësisht edhe të gjithë të mirëseardhurit në këtë kuvend letrarësh. Ai, me pak fjalë, parashtroi të gjithë veprimtarinë atdhetare të lidhjes, në këtë gjashtë-vjetor të themelimit, (26 Nëntor 2011). Më pas theksoi: E gjithë puna jonë si kryesi e lidhjes, ka synuar që, të gjithë shkrimtarët, artistët dhe krijuesit shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Suedi, t’i organizojmë e t’i bashkojmë nën një ombrellë të përbashkët, në mënyrë që, puna dhe veprimtaria e tyre të jetë më e lehtë, më institucionale, më e dobishme dhe më e suksesshme. Qëllimi madhor i lidhjes është që, publikimi i veprave letrare, artistike, publicistike dhe shkencore, t’i shërbejë, në radhë të parë atdheut e kombit, historisë, letërsisë e artit me ngjyra kombëtare. Të gjitha përbëjnë këtë “Thesar kombëtar”, ku kemi futur edhe krijime nga diaspora e shpërndarë nëpër botë, por edhe nga trojet etnike e shteti amë Shqiparia. E gjithë kjo punë përmblidhet në pak fjalë: T’i mbajmë mërgimtarët sa më të lidhur me mëmëdheun, të rrisim kapacitetet intelektuale e krijuese, duke i treguar botës se kush jemi dhe çfarw dimë të bëjmë. Vetëm me artin, kulturën dhe traditat tonë të vyera, ne rrokim dinjitet për t’u pranuar në botën e madhe”.

I dëgjoja këto fjalë dhe mendoja: Sa shumë do të bënin shqiptarët po të vepronin kështu si bashkëatdhetarët tanë në Suedi. Sa emër të mirë dhe nder, do të kidhte atdheu ynë, Shqipëria, Kosova dhe trojet tona etnike. Kam përshtypjen, (këtu dua të jem i gabuar), se organizimi i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve “Papa Klementi XI. Albani”, është model për t’u njohur dhe ndjekur nga shumë shoqata si motra, të shpërndara nëpër botë, kudo ku ka shqiptarë. Unë nuk di të ketë të dytë, për nga veprimtaritë e shumta nëpër qytete të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe në Suedi, ku shpalosin vlerat e “Thesarit tonë kombëtar”. A nuk meritojnë admirim këta “heronj” të letarve, kwta idealistw që, arrijnë të punojnë, të mbijetojnë, dhe të krijojnë!? Këtyre veprimtarëve punë shumë e gjumë pak i shkojnë përshtat fjalët e të diturit Jakov Milaj, ku te “Raca shqiptare”, shprehet: “Thesari më i çmuar i një vendi nuk përbëhet prej pasurisë së tokës e të nëntokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve, prej gjakut që qarkullon nëpër venat e tyre”.

Më pas, fjalën e mori pedagogu dhe krijuesi Bedri Paci me origjinë nga Bujani i Tropojës, tani pedagog shumëvjeçar, me shumë emër, në disa Universitete të Suedisë. Kjo ishte një gjetje interesante dhe e bukur për të gjithë pjesmarrësit, sepse ai i njohu të ardhurit dhe bashkëvendorët, me aktivitetin e tij shkencor dhe krijues. Ndërsa referuan me punimet e tyre profesoresha nga Gjakova Migena Arllati, poeti Dan Kosumi, profesor Mehmet Rukiqi etj. Në takim kishte edhe vlerësime dhe mirënjohje mes krijuesve dhe aktivisteve të kulturës, pjesë e pandarë e bashkëpunimit mes shqiptarwve nga diaspora dhe Tropoja.

Takimin e përshëndeti edhe shkrimtari ynw i shumënjohur ne mesin e bashkëatdhetarëve tanë në Suedi, por edhe në Tropojë z. Viron Kona, i cili mes të tjershë, theksoi: “Të dashur motra dhe vëllezër! Ju na sillni përherë vlera lirie dhe atdhetarie! Ndihem i nderuar që, edhe në emër të miqve të mi të ardhur nga Tirana dhe Durrësi, të përshëndes sot këtë tubim të bukur dhe plotë vlera. Kam kënaqësi të përqafoj vëllezërit tanë shqiptarë të Suedisë, por dhe ata të Gjermanisë e të Kosovës, të cilët enkas, kanë ardhur sot këtu në qytetin “Bajram Curi” (Tropojë), në vendlindjen e trimërisë dhe të  heroizmit.

Mërgata shqiptare e Suedisë, ndriçon dukshëm rrugën për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe të identitetit kombëtar. Është ky një grup përfaqësues i bashkëkombësve tanë, që si zogjtë shtegtar, kanë ardhur dhe vijnë vazhdimisht, nga Europa veriore, nga Suedia, për t`i ngritur e ndritur edhe më shumë vlerat e lirisë në atdheun e tyre, herë në Tiranë e Prishtinë, herë në Durrës e Kurbin, në Pejë e Mitrovicë, në Therandë e Rugovë, në Gjakovë, Drenicë e Vushtrri dhe sot në Tropojë”.

Të pranishmit e mirëpritën dhe vlerësuan vendimin dhe veprimin, që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, pranoi “Anëtar nderi”, studjuesin e njohur z. Nuri Dragoj dhe Profesorin e shkencave sociale z. Zydi Dervishi, të cilët i’u bashkuan listës së gjatë të emrave të pranuar më parë, ku mes të tjerëve janë edhe Murat Gecaj e Viron Kona nga Tirana dhe Flora Dervishi nga Durrësi.

Po kështu me duartrokitje u përcoll nderimi me medalje, për poetin dhe gazetarin tropojas Gjon Neçaj, kompozitorin e njohur Skënder Doshlani, poetin e njohur nga Kosova Tahir Bezhani, si dhe poetin Lulzim Logu, për kontribut në shërbim të kulturës, traditës, krijimtarisë letrare dhe publicistike.

Pas këtij kuvendi të nisur e të bitisur kaq mirë e bukur, dreka në restorant “Krasniqe” në Bujan, kurorëzoi një ditë të këndëshme e të ngarkuar me shumë ndjesi atdhetarie. Një ditë e shumëlakmuar, artistike, kulturore, ditë afrimi e miqësie, mes krijuesve shqiptar, ku gjalloi kënga, vallja dhe humori i thekur, nga valltarët, artistët dhe krijuesit nikoqirë të Tropojës e Kosovës. E gjithë veprimtaria është një nismë e bekuar, është një ngjarje me vlera kombëtare, për t’u përshëndetur dhe përgjithësuar.

Urime organizatorëve! U mirëtakofshim në tubime të tjera, po kaq të mirëpritura dhe të arrira, në dobi të kulturës dhe çështjes sonë kombëtare!

 

Kadri Tarelli

 

Durrës më: 28, të Korrikut, 2017.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Kadri Tarelli, Thesare Kombetare, Tropoje

SHPENDI TOPOLLAJ, NJË ZË I VEÇANTË NË KRITIKËN LETARE SHQIPTARE

January 30, 2017 by dgreca

Nga Kadri Tarelli /

kadritarelli-1

Shpendi Hulësi Topollaj, ky shkrimtar durrsak shumë prodhimtar librash, në mbi 45 botime, në disa gjini, si romane, novela, tregime, poezi, studime, publicistikë dhe kritika letare, sot paraqitet para publikut letërsidashës me librin e tij të fundit: “Po thahet shpirti”. Kritika letrare – portrete”, i cili është i pesëmbëdhjeti në kolanën “Kritika letare” të tij.Unë i kam lexuar të gjitha pjesët e këtij libri të bukur dhe me shumë vlera njohëse mbi analizat leratre të disa librave dhe autorëve të tyre. Jo pa qëllim e nisa këtë shkrim, me dëshirën që të jap disa mendime rreth këtij botimi, jo për të kundërshtuar, por për të diskutua apo rrahur mendime me ata që thërrasin dhe bërtasin se tani nuk ka kritikë letare, aq sa po vyshket e po thahet kjo gjini e kërkuar. Në fakt edhe ata kanë të drejtë të tjrerrin kështu fjalën, se nuk ka më një qendër ku të gjykohen shkrimtarët dhe librat  e tyre si qëmoti, në të quajturin “Realizmi socialist”. Më vjen çudi, se si  nuk jemi çmësuar në këto 25 vjet pas diktature. Ka edhe një arrësye që mjeshtrat e fjalës dhe të letrave shtyhen të mendojnë kështu, sepse ata që merren me kritikë letare janë të pakët, pasi kjo gjini letare është më e vështirë, njëkohësisht më e papaguar. Nuk po zemërohem me ta, veç po u drejtohem: A mundet kush t’i përgjigjet kësaj pyetje: kush merr përsipër të harxhojë kohë e mund për studime të tilla letare, që kërkojnë, veç të tjerave, kulturë dhe aftësi analizuese? Sepse edhe shtëpitë botuese që duhet ta bëjnë, as e venë ujin në zjarr për këtë punë. Aq më tepër, kur në të njëjtën kohë, asnj kritik nuk ka fuqi ekonomike t’i bëjë publicitet librit dhe punës së tij. Me keqardhje shtoj këtu edhe shpërfilljen e nonjë autori libri,  që nuk të thonë as faleminderit, e jo më të të ftojnë për kafe, e mirënjohje. Nuk di sa mund të biem në një mendje me lexuesin, për këto që mendoj e po rëfej.

Nuk po marr përsipër të studjoj e të shprehem për këtë dukuri me mjaft rëndësi, sepse është temë mjaft e gjërë. Po mjaftohem të ve përballë librin “Po thahet shpirti”, për të thënë se ka kështu edhe kokëkrisur si Shpendi Topollaj që nuk reshtet së studjuari dhe së shkruari për vlerat letare të autorëve të ndryshëm, si ndaj atyre që i quajmë kollosët e letërsisë, po ashtu edhe për autorë të panjohur, apo pa shumë “Emër”, shpesh edhe të rinj në moshë dhe krijimtari. Me sa kam vënë re, Shpendi ka një huq të mirë, duhet thënë për t’u admiruar, sepse për çdo libër që lexon dhe që mendon se ka vlera letrare dhe ideore, mban shënime dhe shprehet duke vënë brenda edhe emocionet vetiake, që nuk mund të komandohen dhe të ndalen, njëkohësisht ngulet fort te forca e mendimit të autorit dhe mësimet që nxjerrim nga fjala e qëndisur me art. Kam përshtypjen se kësaj ane i mshon me tepri, pasi ndjesitë janë të çstit, ndërsa vlerat universale që i qëndrojnë kohës, shpesh edhe shekujve, janë gurë të gdhendur në kështjellën e nditur të diturisë dhe të artit. Besoj se këtu kritiku Shpendi ka parasysh fjalët e Rusoit: “Shkalla e vlerës së një libri, varet jo vetëm nga fakti se sa të emocionon, por dhe sa të bën të mendohesh”.

E ftoj lexuesin të lëçisë me ëndje disa pjesë, e më pas të tërën dhe do të më japë të drejtë nga ngazëllimi dhe forca e mendimit dhe analizës. “Poet, t’u bë detyrë e vërteta,/ misioni yt fisnik./Le të drejtojnë njëqind shigjeta,/shkruaj mos ki frik! Është thirrja e poetit Vladimir Masallov në librin me poezi “Zjarri”, të cilit Shpendi i kushon një shkrim shumë të bukur, për ta vënë të parin në këtë libër. Nuk e teproj kur po them se ka një frymëzim gati hyjnor, që thurr prozë poetike kushtuar librit me poezi. E kush tjetër mund të këndojë kaq buur, veç poeti për poetin? Këto vargje kushtuar dashurisë, janë të zgjedhura si ilaç për të dashuruarit: “Dashuria jote ma ndezi ndjesinë,/që mesa duket e kisha harruar./Më grishi, më shpuri në çmendinë,/ më rindezi zjarrin që më qe shuar.

Nga i gjithë studimi këtij libri, Shpendi bën një ndërhyrje me mjaft delikatesë, duke prekur një problem të kohës që po kalojmë: “Vepra e Masallovit, plot ndjenjë, muzikalitet dhe ëmbëlsi na kthen tek ajo poezia, që sado po i largohemi, nuk ka për të vdekur kurrë. Nuk ka për të vdekur, pasi e mbajnë gjallë poetët e pavdekshëm, që e thanë aq vërtetësisht të vërtetën. Një mesazh që i vlen popujve dhe kohrave, mbase më shumë shoqërisë sonë të çoroditur dhe kohës së trazuar që po kalojmë: “Të heq kapelen miku im poet./për ty kam nderim./E vërteta është buka jonë./vetë ti je pagëzimi im”.

Vetë Shpendi me shkrimet e tij sikur na thërret t’i lexojmë këto libra, pasi na shtojnë njohjen dhe na bëjnë më të përgjegjshëm, më të arrësyeshëm në gjykimin e ndodhive të ndodhura e që po ndodhin. Lexojeni dhe gjykoni vetë, shkrimin: “Stalinizmi shqiptar në sytë e mprehtë të dy francezëve”. Rreth librit “Bulevardi Stalin. Nr. 57”. Autori me një gjuhë të hidhur, shpesh majë shigjete që ngulet në mish, analizon “Ferrin e Dantes” në shoqërinë tonë, në periudhën e mallkuar të komunizmit. Ai me të drejtë, sikur na na godet me pëllëmbë për të na zgjuar nga gjumi që nuk na ka dalë akoma, sepse nuk u besojmë thirrjeve të një populli që vuajti duke mos qënë fajtor, ndaj duhet t’u besojmë dhe t’u jemi mirënjohës edhe dy të huajve francez, të cilët e panë, e jetuan, e prekën dhe ndjenë vetë “Parajsën komuniste”, kur ata rëfejnë: “Nuk na ngelej tjetër: ose ta shpërfillnim këtë vend, ose ta zbulonim me mjetet tona pa e ndyshuar vetveten”. “Ata, fatmirësisht zgjodhën të dytën. – shprehet  Shpendi, i cili vazhdon: – Ne edhe na gënjenin, se aq e kishim mundësinë e njohjes e të krahësimt, por jo ata dy francezët e mirë e të mençur, që vinin nga zemra e perëndimit demokrat”.

Një tjetër shkrim që të bën të dridhesh dhe të mburresh njëherazi është: “Uran Butka në rrugën e ndritur të të parëve të tij”. (rreth librit “Ringjallja”), ku Shpendi Topollaj thotë i deshpëruar: “Me të vërtetë është për t’u çuditur me ne shqiptarët: ka shumë nga ata që më lehtë pranuan krimet e diktaturës, sesa demaskimin e tyre, kur demokracia ua krijoi mundësinë për ta parë dhe për ta thënë të vërtetën”. Ai e ka fjalën për historianin dhe studjuesin Uran Butka, i cili ka nxjerrë në dritë shumë dokumenta, që të djegin guart kur i prek dhe të bëjnë të dridhesh, të skuqesh, më shumë të nxihesh, kur i lexon. Ai, me profeci filozofike shkruan në librin “Masakra e Tivarit”: “Një komb nuk mund të jetë i lirë, nëse nuk njeh historinë e tij…..”. Ndërsa Shpendi shprehet: Uran Butka është bindës në pasqyrimin e mendimeve të veta pasi ai u jep më shumë rëndësi faktit, ilustrimit dokumentar të atyre ngjarjeve dhe njerëzve që përshkruan”. Ajo që ve rë Shpendi te ky autor, është vërtetësia e fakteve. Kështë ka bërë në të gjith librat e tij, sikundër edhe te libri monografik kushtuar të atit, Safet Butka. Vetë Shpendi i bindur në atë çka njohu e mësoi, thotë: “Safet Butka, është njeri i shquar, veprimtaria e të cilit në interest e arsimimit të popullit, mbetet një nga shembujt  e rrallë të dashurisë për atdhe”.

Të jem i sinqertë me veten u befasova nga çfarë mësova nga shkrimi kushtuar profesorit Alfred Uçi, ku Shpendi merr përsipër të analizojë “Filozofinë e donkishotizmit”, duke dhënë gjykimin se: “është njëri nga librat që i qëndron më mirë çdo kohe”. Unë nuk e kam lexuar këtë libër dhe kisha mbetur në mësimet e shkollës së mesme, ku Don Kishoti mbetej personazh që me bëmat e tij na shkrinte gazit. Po ja që paska një mendim ndryshe, madje filozofik, duke na thënë se Don Kishotë ka në çdo kohë, pse jo edhe tek ne, ku vetë profesori i nderuar shprehet: “Nuk besoj se ka patur ndonjë shkrimtar ose artist shqiptar, që pat lexuar në vitet 60-70, “Don Kishotin”, që të mos e ndjente vetën si në kohën e inkuizicionit, kur gjykohej e dënohej letëria kalorsiake”. Dhe Shpendi shton: “Don Kishotët, shpesh ishin në krye të punëve, merrnin poza sikur do ndërtonin një botë të re, ku e ku më të mirë se kjo e jona dhe nuk shihnin greminën ku po na çonin. Edhe ata hiqeshin si gjysëm shenjtorë….”. Vetë profesori Alfred Uçi kumton: “A tallet bota me Don Kishotin, apo Don Kishoti tallet me botën?”. Edhe unë pajtohem me profesorin dhe me Shpendin: Don Kishoti tallet me botën, mjerr ata që i ngjajnë, apo nuk e përfillin.

U ndala vetëm te disa shkrime kritike, nga disa që ka në libër, duke i qëndruar besnik fjalës së lashtë se: “Nuk ka nevojë të pish tërë butin për të provuar verën, mjafton një gotë”, pasi të bukur janë edhe tëtjerë shkrime kushuar librave dhe personaliteteve të letrave: Fatmir Terziu, Shefik Stublla, Jani Lufi, Hysen Haxhiaj, Abdulla Tafa, Dhimtraq Trajani, Kaim Murtishi, Nuhi Vinca, Agim Bajrami, etj, etj. Në secilin prej tyre nuk është e vështirë të vesh në dukje disa veçori që e bëjnë shpendin të dallueshëm nga të tjerët. Lexuesi i nderuar që ka lexuar së paku një libër të tij, besoj se e ka vënë re stilin e rrjedhshëm të mendimit, gjetjen e fjalës në fjalorin e zgjedhur, pa zbukurime dhe paskuptime. Redaktori dhe korrektori kanë pak ose aspak punë, pasi ai ka një përkujdesje deri në imtësi, që libri dhe lexuesi mos të vuajë nga vogëlimat.

Meqënse kam njohur shumicën e librave të Shpendit, për pak prej tyre kam bërë edhe nonjë shkrim të vogël, dua të shtoj diçka. Besoj se nuk jam unë i pari që e zbuloj një veçori dalluese të këtij autori fjalë zjarrtë dhe penë artë, i cili në kritikën letrare që merr përsipër të shtjellojë, gatuan aq bukur brumin e librit, duke gjetur e prekur mesazhet universale e njerëzore, që i përcjell me aq finesë, të cilat i vlejnë çdo individi dhe shoqërisë në tërësi. Shpendi nuk luan me fjalë, ai i beson asaj, ndaj e thurr dhe e qëndis artistikisht çdo shkrim, me shprehjë e fraza të letraëve dhe filozofëve, që nga antikiteti e deri në ditët e sotme, aqsa çdo shkrim në vetvete është një krijim i ri letrar, që i bën nder veprës dhe kritikës. Mbase nuk e teproj kur i shprehem lexuesit, se kjo punë e mrekullueshme është rezultat i aftësive të tij si studjues dhe krijues, njëkohësisht kulturës letrare e filozofike që zotëron dhe që e përdor mjeshtërisht, si askush tjetër.

Unë besoj se Shpendit i shkojnë përshtat fjalët e të diturit Jakov Milaj, te “Raca shqiptare”: “Thesari më i çmuar i një vendi nuk përbëhet prej pasurisë së tokës e të nëntokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve, prej gjakut që qarkullon nëpër venat e tyre”.

I uroj Shpendit, autorit fjalëbukur, të këtij libri me kritika letrare, punë të mbarë dhe suksese në krijimtari.

 

Kadri Tarelli

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kadri Tarelli, Po thahet Shpirti, Shpend Topallaj

MATEMATIKA ËSHTË EDHE POEZI

December 11, 2016 by dgreca

1-profesori

Kuvend në paraqitjen e librit të Pertef Zgjanollit/

1-tarelli-grup

Nga Kadri Tarelli/

Përkufizimin letrar, “Matematika është edhe poezi”, e bëri shkrimtari dhe poeti durrsak Vaso Papaj, i frymëzuar nga një takim matematcienësh, në një mbasdite të freskët vjeshte durrsake tw vitit 2016. Ishte Pertef Zgjanolli që me rastin e përurimit të librit të tij “100 + 1. Problema, sofizma, enigma, ushtrime”, i mblodhi kolegët mësues dhe botues librash matematike, të cilët me nderim i quaj “Punëtorë e mbretëreshës së shkencave”. Për të mos u lodhur lexuesi, qëllimisht në ballinë, autori shkruan: “-Për nxënësit dhe studentët, – për mësuesit e rinjë të matematikës. – për dashamirët e matematikës”.

Kuvendin e hapi Agim Shehi, autor i disa librave, duke u shprehur: Libri “100 + 1. Problema….”, është i veçantë që nga idea e ndërtimit, e deri në paraqitjen e problemave dhe zgjidhjeve të tyre. Ky libër ka vlera përdorimi për mësuesit, për përgatitjen e talenteve të reja, sepse veç njohurive matematike, plotson edhe kulturën shkencore e historike. Shumë personazhe, Pitagora, Diofanti, Arkimedi, Apolloni, Euklidi, Herkuli, Enea, etj, si pjesë e problemave, ngacmojnë dhe nxisin kërshërinë te cilitdo nxënës.

Më pas Naim Kërçuku vazhdoi: Urime autorit! Libri më i ri i mësuesit të talentuar të matematikës, kolegut Pertef Zgjanolli, është si një bahçe e gjelbëruar me pemë e lule shumëngjyrshe, ku vendin e tyre e zenë problemat, sofizmat, enigmat dhe ushtrimet matematikore. Shpesh ato janë të lidhura me jetën në qytetin tonë të Durrësit, duke e bërë librin më të ngrohtë, sepse i ka dhënë dritë e gjallëri qytetarie. Autori me ndjesinë e një mësuesi pasionant, i bën heronjët të flasin me gjuhën e matematikës. Besoj se është një meritë e tij dhe një vlerë e shtuar e librit, pasi kjo lëndë e sertë dhe e vështirë për nxënësit bëhet më e pëlqyeshme, më pak e egër.

– Secili prej nesh ka diçka për të thënë. – Kështu e nisi fjalën Eqerem Shehu, -Unë e vlerësoj punën dhe përkushtimin e “Mjeshtrit të konkurseve”, z. Pertef, pasi e kam njohur vite të shkuar kur punonim bashkë në një shkollë. Mundimi ishte i madh, por kënaqësia akoma më e madhe pas konkurseve që organizonte dhe drejtonte kolegu ynë i nderuar. Jam i bundur se kjo përvojë po i shërben autoritë të shkruajë e të botojë rreth 14 libra kushtuar matematikës. Me këtë rast po ngre një shqetësim që na takon të gjithë autorëve që botojmë libra: më shumë kujdes redaktimit dhe korrektimin letrar, pasi kjo është pjsë e kulturës të të shkruarit dhe bukurisë së librave.

– Pavarësisht se është libër matematike, ka brenda edhe letërsi edhe poezi. – Këto ishin fjalë e para të Vaso Papajt, i cili vazhdoi: – Falënderoj autorin që na mblodhi në këtë kuvend të bukur kushtuar matematikës, ku “Mbretëresha” ka bukuri, ka poezi dhe na frymëzon për poezi. Gjykoj që në takimet që organizon “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve” të Durrësit, të jenë të pranishëm edhe hartuesit e librave të matematikës. Libra të tillë i duhen shkollave, sidomos mësuesve që drejtojën konkurset dhe olimpiadat. Mendoj se duhen gjetur forma, që të tillë libra të bëhen pjesë e fondit të bibliotekave të shkollave.

Në fjalën e tij z. Stavri LLambiri, përmendi: Miku ynë Pertefi nuk i ndahet botimit të librave, një veprim sa idealist aq edhe fisnik, që na ka mundësuar të njihemi më shumë me njëri-tjetrin. Në shumicën e herëve kemi biseduar dhe diskutuar për librat dhe botimet. Kjo punë kaq e madhe shumë vjeçare është një shërbim i madh që i bëhet mësimit dhe nxënësve të talentuar, që ta duan matematikën dhe të guxojnë të merren me të. Tipar dallues në këtë libër është se, nuk ka përsëritje të vetvetes, të ushtrimeve dhe problemave. Duke qënë se këto libra i përkasin në lënde të vështirë, gjykoj se duhen më shumë përpjekje për një publicitet më të menduar, në mënyrë që ato mos të mbeten në raftet e botuesit, por të bëhen pronë e mësuesve dhe nxënësve.

Ka një të vërtetë në këtë mes. Vepra e mësuesit të nderuar Zgjanolli, si metodist dhe botues i librave të matematikës, herë pas here është pasqyruar edhe në mediat e shkruara, me artikuj të ndryshëm. Mbase është pak, por duhet vlerësuar e mbështetur çdo shkrim apo njoftim, jo si reklamë, siç jemi mësuar në këto kohët e reja, por një ngacmim e nxitje më shumë, duke përfshirë edhe mediat vizive. Duke i bërë jehonë librit, si mjet i dobishëm për të gjithë nxënësit, veçanërisht për talentet në matematikë, e vlen të citoj disa prej tyre, si shkrime të merituara e të mirëpritura.

  • Agim Shehi. Gazeta “Mësuesi”. 16 12. 1995. Artikull: “Lojra dhe problema”.
  • E. Adriatika. Gazeta “Republika”. 05. 03. 1998. Shkrimi: “Durrësi kujtohet i pari për “7 Marsin”.
  • Bashkim Minga në dy artikuj në kohë të ndryshme: 1. Gazeta “Mësuesi”. 2007. “Vlera e veprimtarive, zgjojnë interest e nxënësit”, dhe 2. Gazeta “Mësuesi”. 11. Mars 2009. Shkrimi: “Gëzim i përbashkët”.
  • Bashkim Kadiu. Gazeta “Blevard”. 07. 12. 2010. “Pertef Zgjanolli, mësuesi që jeton në botën e matematik-fizikës”.
  • Xhevahir Gradica. 1. Gazeta “Bulevard”. 28. 11. 2014. Shkrimi: Pertef Zgjanolli, mësuesi, metodisti dhe matematicieni, që ushen arsimin me modelin dhe botimet e tij”. 2.  Gazeta “Bulevard”. Mars 2016. Shkrimi: “Pertef Zgjanolli. Mësuesi që furnizon arsimin me metoda dhe libra matematike”.

Në këtë hulli shkrimesh ka edhe të tjerë autorë, si Luan Jaupi dhe Agron Çami, që s’kanë përtuar të shkruajnë me dashuri e nderim për Pertefin si mësues, mjeshtër i organizimit të konkurseve dhe olimpiadave dhe botues librash.

Kur në bisedë e pyeta Pertefin: Pse ke filluar të botosh kaq vonë? Më përgjigjet me modesti: “Librat e mi i pëlqenin, por më nxirrnin lloj-lloj justifikimesh. Nuk e shtyja më shumë interesimin, kur dëgjoja se shumë libra, përfshi këtu edhe të kolegëve durrsak, përcilleshin kështu si unë, ose botoheshin pa emrin e autorit”. Vonë, shumë vonë, në Maj 2013, Bashkia e Durrësit dhe DAR, e vlerësuan me titillin: “Mirënjohje”.

Në këtë takim matematicienësh, me dy fjalë përshëndeta edhe unë. I përkas fushës së historisë, ndaj nuk marr përsipër të flas për cilësinë dhe përmbajtjen e librit. Me të le të merren specialistët, nxënësit, mësuesit, pedagogët dhe prindërit. Ata e kanë detyrën dhe privilegjin për t’u njohur me bukurinë e këtij libri, që ndihmon dhe frymëzon të gjithë shkollarët, në veçanti ata që kanë talent e guxim, durim dhe trimëri, të cilët sulen të ngjisin shkallët e pallatit të “Mbretëreshës”.

E përshëndes z. Pertef edhe për një arsye tjetër: Është çmenduri të hysh në udhën e librave, ku puna nuk shpërblehet dhe më pas duhen edhe ca para  për ta botuar, bukur fort për mësuesit që i kanë xhepat e shpuar. Po lavdi zotit që ka dhe do të ketë edhe kokëkrisur të tillë, sepse ndryshe nuk do të kishim libra dhe vepra kaq të duhura për shkollën dhe shkollarët.

Besoj se nuk gaboj kur them se, poeti luan me fjalën, ndërsa matematicieni luan sinfoni pa pentagram, ku notat janë numrat, simbolet, formulat, drejtëzat, këndet, figurat dhe trupat gjeometrik në hapsirë. Mendim më shtyn më tej akoma. Dijetarët ngulmojnë te idea se, suksesi arrihet me shumë punë, pastaj talenti, ndërsa punëtorit të matematikës i duhet, së pari talent, e më pas punë e durim prej skllavi.

Heroi ynë Pertef Zgjanolli, është në një rradhë me disa nga matematicienët e Durrësit, të cilët gjatë viteve kanë plot botime serioze, që i bëjnë nder shkencës, arsimit dhe qytetarisë durrsake. Janë mjaft të njohur  emrat e mësuesve, Islam Alika, Bardhyl Ballanca, Vangjel Tati, Agim Shehi, Murat Dervishi, Muzemil Osmani, Gjergj Frashëri, Stavri Llambiri, Mihallaq Boshku, Sofokli Garo, Myzafer Begteshi, etj. Ata vlerësohen dhe përmenden, në biseda mes kolegësh, nëpër institucionet arsimore dhe shkencore, këtu në Durrës dhe në Shqipëri, më tej akoma në trevat mbarë shqiptare, madje disa prej tyre edhe nëpër vende të ndryshme të botës. Do të dëshiroja që kësaj liste të matematicienëve që botojnë libra, sot të gjithë në pension, të moshuar e të thinjur, t’u shtonja edhe emra të rinj, por që nuk i gjej dot. Durrësit nuk i kanë munguar as talentet, as punëtorët dhe as dashnorët e matematikës.

Më mbyllje, mësuesi veteran Fiqiri Resuli shprehet: E admiroj kolegun tonë Pertef, për guximin dhe durimin për të botuar libra edhe në këtë moshë të avancuar. Askush nuk mund ta ndalojë në këtë betejë. Mbase për këta lloj idealistësh kokëkrisur e pat fjalën Napoleon Bonaparti, kur pat thënë: “Më të mirët e gjeneralëve mbeten në fushën e betejës”.

Pertefit Urime! Shëndet të mirë dhe jetë të gjatë për krijimtari të bukur dhe të dobishme. Po shtoj pak fjalë të grabitura nga matematika:

“Jeta e njeriut është një thyesë, vlera e së cilës përcaktohet, nga numëruesi që vendos shoqëria dhe nga emruesi që e vendos vetë autori”.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kadri Tarelli, Matematika, poezi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT