• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Frank Shkreli: Maks Velo shkoi në amshim

May 9, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Maks Velon e kam takuar vetëm njëherë.  Ishte gjatë një vizite që ai bëri në zyrën time në Zërin e Amerikës (VOA) në Washington pas shembjes së komunizmit.  Më pat lënë përshtypjen se ai ishte disidenti shqiptar, që pak a shumë përputhej me vetitë e disa figurave të disidentëve të njohur të periudhës komuniste në Evropën Lindore dhe Qëndrore, shumë prej të cilëve kishin vizituar VOA-n gjatë komunizmit dhe pas shembjes së regjimeve komuniste në Evropën Lindore.  Maks Velo, jo vetëm në pamje fizike dukej si disidentët evropiano-lindorë, ashtu i pakujdesshëm në veshje dhe me flokë kaçurrelë të thinjur e të pakrehur, që kishim takuar në vizitat e tyre në Washington, të ardhur nga ish-Bashkimi Sovjetik, Polonia, Çekia dhe Hungaria komuniste, ndër të tjerë, por edhe rebel me mendime, analiza dhe reagime për të vërtetën e jetës nën komunizëm.

Idetë dhe mendimet e disidentëve anti-komunistë, përfshirë edhe Maks Velon – megjith ndonjë deklarate kontraversiale që mund të ketë bërë ai në të kaluarën, do të mbijetojnë Velon dhe disidentët e dikurshëm, si gjithnjë aktuale — mbi gënjeshtrat dhe të vërtetat, mbi abuzimin e të drejtave të njeriut dhe krimet nën komunizëm, si dhe mbi sfidat dhe kundërshtimet që i duhen bërë pushtetarëve gënjeshtarë e të pandershëm,  atëherë dhe sot.  Asnjë vend dhe asnjë sistem politik, nuk është imun ndaj këtyre të të pavërtetave ose gjysëm të vërtetave, sidimos të pushtetarëve autoritarë, si dhe ndaj propagandës së flliqtë të ish-regjimeve komuniste që edhe sot mbizotëron në disa vende ish-komuniste, përfshirë Shqipërinë.

E vërteta gjithmonë ka qenë dhe është një kërcënim për ish-diktatorët komunistë dhe për autoritarët e sotëm, pseudo-demokratë.  Këtë e kanë ditur mirë disidentët anti-komunistë dikur, përfshirë ish-disidentin çek, të ndjerin Vaclav Havelin, i cili në shkrimin e tij, “Fuqia e të pafuqishëmve” ka thënë se njerëzit nuk duhet të pranojnë gënjeshtërat nga autoritarët dhe diktatorët: https://telegraf.al/opinion-2/fuqia-e-te-pafuqishmeve-sipas-modelit-te-vaclav-havel/

Maks Velo mund të konsiderohet si njëri prej disidentëve shqiptarë, i cili ka denoncuar me forcë regjimin e Enver Hoxhës, si ish-i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga ai regjim, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu, krimin e madh për “prirje moderniste dhe anti-socialiste”.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, (AIDSSH) në një njoftim dha lajmin për kalimin në amshim të “Artistit, arkitektit, krijuesit origjinal e rebelit, i lindur në Paris, i diplomuar në Tiranë, i dënuar për agjitacion e propagandë në Spaç, me punë të rënda në minierë dhe i pranishëm e aktiv në jetën publike të kryeqytetit 30 vitet e fundit, me botime, projekte dhe nisma të reja”.  AIDSSH njofton gjithashtu se dy vjet më parë, Maks Velo kishte  tërhequr dosjen e tij (të Sigurimit të Shtetit) pranë AIDSSH dhe kishte vendosur ta botonte dosjen, si një dëshmi dhe denoncim të makinacioneve të sistemit komunist për shënjestrimin e artistëve dhe tjetërsimin e individit në diktaturë.

Në vitin 2018, një prej tre rrjetëve më të njohura të televizionit amerikan, NBC NEWS kishte përgatitur një program të posaçëm për “Dosjet e Regjimit Komunist në Shqipëri” dhe kishte zgjedhur pikërisht Maks Velon, si protagonistin kryesor të atij programi.  Me atë rast kam botuar një përmbledhje të programit të televizionit amerikan, NBCNEWS, për lexuesin shqiptar, të cilin po ua sjell në kujtim të Maks Velos, me rastin e kalimit të tij në amshim.
“

“NBC NEWS” PËR DOSJET E REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI

Gazeta Telegraf

26 Korrik, 2018

Frank Shkreli*

Njëri prej rrjeteve më të njohura multi-mediatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NBC NEWS, botoi të hënën në portalin e saj një shkrim mjaft të hollësishëm mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit, ish-policisë sekrete të regjimit komunist të Shqipërisë, Sigurimi. Për lexuesin shqiptar shkrimi mund të mos ketë ndonjë informacion të ri, por artikulli është shkruar duke pasur ndër mend lexuesin amerikan, i cili mund të ketë pak ose aspak njohuri në lidhje me mënyrën e veprimit brutal të Sigurimit të regjimit komunist shqiptar ndaj kundërshtarëve të regjimit, sidomos tani, pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, kur ish-vendet komuniste në Evropë e kanë kryer këtë punë me kohë, pothuaj menjëherë pas shembjes së komunizmit. Është interesant fakti gjithashtu që ky ent mediatik e ka gjetur të nevojshme për lexuesit e vet, që pikërisht në këtë kohë, të dërgojë një korrespondente të saj në Shqipëri për të raportuar mbi dosjet e regjimit komunist në atë vend. Kjo është me rëndësi, sepse publiku amerikan nuk ka asnjë ide se si qëndron çështja e dosjeve të komunizmit në Shqipëri, gati 30-vjet pas rënies së atij regjimi në atë vend. NBC News njofton publikun amerikan se, “Shumica e ish-vendeve komuniste i kanë hapur me kohë dosjet e periudhës së Luftës së Ftohtë, por ndryshe nga shumica e këtyre vendeve, Shqipëria ende nuk ka miratuar një ligj lustracioni për një pastrim sistematik të largimit nga detyra të ish-zyrtarëve komunistë, të cilët kanë marrë pjesë në krime gjatë periudhës së sundimit komunist”, megjithëse, shkruan NBC News, “Ky vend ballkanik prej rreth 3-milionë banorësh kishte njërin prej regjimeve më brutale në botë”.

Në artikull theksohet gjithashtu se, “Disa ekspertë e kanë krahasuar Shqipërinë komuniste me Korenë e Veriut, pasi kufijtë e saj ishin të mbyllur dhe shqiptarët ekzekutoheshin po të provonin të largoheshin nga vendi.” Enver Hoxhën, i cili udhëhoqi vendin që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vdekjen e tij në vitin 1985, NBC News e cilëson atë si një njeri që, “njihej se vuante nga paranoja, i cili ndërtoi mijëra bunkerë, anë e mbanë vendit, për t’u mbrojtur nga një invadim i huaj që nuk ndodhi kurrë.”

Maks Velo

Korrespondentja e NBC News, Katie Englehart ka zgjedhur piktorin dhe ish-të burgosurin shqiptar Maks Velon si protagonistin kryesor të kronikës së saj të dërguar nga Tirana. Maks Velo, një ish-i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga regjimi komunist, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu “prirje moderniste dhe anti-socialiste”. Ai ka thënë për NBC News, se pasi refuzoi të bashkëpunonte me Sigurimin, “diçka që unë nuk mund të bëja” është shprehur ai, Z. Velo është mbajtur në izolim dhe është marrë në pyetje për gjashtë muaj rresht, pastaj është dënuar me 10-vjet punë të rëndë në burgun famëkeq të Spaçit, raporton NBC News, në bazë të ligjit të tipit sovjetik, për “agjitacion e propagandë”. Ishte viti 1978, kulmi i diktaturës së regjimit të Enver Hoxhës, njofton NBC News, duke nënvizuar se Maks Velo, për pothuaj katër dekada tani, e pyet veten nëse ai kishte përfunduar në burgun e Spaçit si rrjedhim i spiunimit pranë autoriteteve të kohës, nga ndonjë person që ai e kishte njohur. Enti mediatik amerikan NBC News raporton për lexuesit amerikanë se vitin që kaloi, qeveria shqiptare hapi më në fund dosjet e policisë sekrete të shtetit, (Sigurimi), duke bërë të mundur kështu që kushdo që dëshiron mund të kërkojë dosjen e vet, duke mundësuar edhe identifikimin e atyre që mund të kenë bashkëpunuar me regjimin komunist për të spiunuar ata që mund të konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit.  Por korrespondentja e NBC News shkruan nga kryeqyteti shqiptar se, me gjithë vendimin për hapjen e dosjeve të Sigurimit, “Është vështirë të thuhet ekzaktësisht nëse koleksioni i dosjeve është i terë, pasi mendohet se agjentët e Sigurimit kanë zhdukur mijëra dosje gjatë viteve të fundit të regjimit komunist”, thekson NBC News.

Por, siç kanë bërë edhe shumë shqiptarë të tjerë, NBC News raporton se Z. Maks Velo e ka kërkuar dosjen e tij megjithëse fillimisht kishte hezituar ta shfletonte, por megjithëkëtë, nga dosja e tij, ka zbuluar se ai është spiunuar nga nja 20 veta, ndër të tjerë, edhe nga një mik i ngusht dhe nga ish-vjehrra e tij. Për hapjen e dosjeve, NBC News ka folur edhe me Z. Gentiana Sula, Drejtoreshë e Entit për Hapjen e Dosjeve, e cila ka thënë për entin e njohur mediatiak amerikan se, “Këtu vijnë çdo ditë njerëz për të bërë pyetje ndaj të cilave ata nuk kanë marrë përgjigje për një kohë të gjatë.  Në qoftë se ka gjëra për të cilat ata kanë nevojë të falin ose të kërkojnë falje, për veten ose për prindërit e tyre, ky është një rast i mirë për të bërë një gjë të tillë.  Shpeshherë”, ka thënë ajo për NBC News, “një bashkëpunëtor dhe një viktimë e Sigurimit, jetonin dhe vepronin në të njëjtin mjedis”.

Ndërkohë që diktatura komuniste u shemb në fillim të vitit 1990, njofton në kronikën e saj korrespondentja e NBC News, Katie Engelhart, agjentët e Sigurimit famëkeq shqiptar u tërhoqën në anonimitet duke u zhdukur nga qarkullimi, por megjithëkëtë, korrespondentja amerikane kishte gjetur një ish-agjent të Sigurimit, i cili është treguar i gatshëm të fliste me gazetaren amerikane. Ish-zyrtari i lartë i Sigurimit të shtetit shqiptar, Nesti Vako i tha NBC News se në kohën e regjimit komunist, agjentët e Sigurimit kishin vendosur mjete përgjimi anë e mbanë vendit, nëpër kafene, zyra dhe në të gjitha ambasadat e huaja, ndër të tjera. Vako u shpreh për NBC News se i “kishte pëlqyer shumë puna e tij (si agjent i Sigurimit) dhe se ishte tepër krenar për punën që kishte bërë”, duke shtuar se, “vetëm kishte zbatuar ligjin”. Ish-agjenti i Sigurimit ka thënë gjithashtu se ishte kundër hapjes së dosjeve, pasi hapja e dosjeve, sipas tij “nuk është një gjë e mirë”, ka theksuar ish-agjenti Nesti Vako, duke pasqyruar kështu edhe arsyen, se pse klasa politike dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare nuk duan të merren me të kaluarën komuniste.

Dosja e Z. Maks Velo ka gjithsejtë 250 faqe dhe atij i janë nevojitur disa muaj për ta kuptuar dosjen e tij, shkruan NBC News. Z. Velo ka thënë se nuk i vjen keq që e ka lexuar dosjen, megjithëse me hezitim, por nga ana tjetër, nuk mendon se me hapjen e dosjeve, ndonëse vonë, është mbyllur kjo çështje, as për të, as për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ai citohet të ketë thënë se, “Amerikanët thonë 100 herë në ditë “Më fal’, ndërsa këtu nuk thotë askush, kurrë “Më fal”, duke aluduar se dikush duhet të kërkojë falje për krimet e regjimit komunist, ashtu që më në fund, të fillojë shërimi i plagëve gjithnjë të hapura nga periudha e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Megjithëse vonë, duket se ditët e fundit, në këtë drejtim është hedhur një hap sado i vogël, edhe pse tepër vonë.Zëri i Amerikës njoftoi javën e kaluar se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) — një organizatë ndër-qeveritare që merret me personat e humbur, si përfundim i konflikteve dhe shkeljes së të drejtave të njeriut — nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me shtetin shqiptar për identifikimin e një grupi personash të viktimizuar dhe varrosur në Dajt dhe në Ballsh, nga regjimi komunist shqiptar i periudhës 1944-1991. “Marrëveshja tregon dëshirën për të mbrojtur të drejtat njerëzore të familjarëve të zhdukurve”, citohet të ketë thënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtori i programit të ICMP për Ballkanin Perëndimor, Methju Holliday. “Marrëveshja tregon vullnetin politik të shtetit shqiptar për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në një mënyrë efektive, ligjore dhe të saktë.

Të gjithë këto përpjekje bëhen, jo thjesht për të respektuar të vdekurit, por për të ngritur lart të drejtën e jetës, dinjitetin dhe ligjin”, – tha ai. Më mirë vonë se kurrë, por ku ishe ti dhe organizata jote deri tani, Z. Holliday? Gjatë gjithë kësaj kohe post komuniste kam shprehur vazhdimisht dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë gjë në këtë fushë, zakonisht ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane në Tiranë dhe jo i dëshirës së klasës politike shqiptare post-komuniste për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri. Prandaj, e gjithë kjo përpjekje – përfshirë marrëveshjen e fundit midis organizatës ndërkombëtare ICMP dhe autoriteteve shqiptare – është tepër pak dhe shumë vonë, nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe e enteve ndërkombëtare, përgjegjëse për këtë çështje. Por në fund të fundit, faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të këtyre 28 vjetëve post-komunizëm nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e nevojshëm për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës, siç vë në dukje edhe enti amerikan mediatik NBC News, në kronikën e saj nga Tirana.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, kaloi ne amshim, maks velo

PËRSHPIRTJE PËR PROF. LUME JUKA

April 26, 2020 by dgreca

-LUME JUKA fëmijëve Amerikan: Jam prej nji vendi me Nanë Terezën, prej Shqipnie-

NGA DALIP GRECA/

Këto ditë epidemie u shua një zë i njohur i inteligjencës shqiptaro-amerikane në New York, personalitet i përkushtuar në çështjen Kombëtare, profesorja e muzikës Lume JUKA. Znj.Lume Juka ishte e bija e Musa Jukes dhe Sadete Juka(Shpuza Abdurrahmani Kokotlija), ndërkohë që nëna e saj Sadete Juka ishte e bija e Mehmet Shpuzës Abdurrahmani Kokotlija, ish kryetar i Bashkise së Shkodrës në vitet 1925-1928.

Ku nuk kontribuoi Lume Juka: zëri i saj ndjehej kudo; në Vatër, në Komitetin Shqipëria e Lirë, tek Balli Kombëtar, tek Legaliteti, pena e saj kontribuonte në gazetat dhe revistat nacionaliste të diasporës, veçanërisht në gazetën Dielli. Lumja kishte në shpirt muzikën dhe poezinë, humanizmi ishte tipar i trashëguar tek ajo. Shkruante poezi. Sa herë kishte seminare a përkujtime të figurave kombëtare historike, sa here festohej Festa e Flamurit Kombëtar, Lumja ishte e pranishme dhe këndonte me shpirt Himnin Kombëtar. Lumaj ishte profesore e muzikës në një shkollë të mesme private në New York në 114 Street, ku punoi për tri dekada. Arsimimi i saj kaloi nëpër shkolla të nivelit të lart akademik të Francës  dhe Egjiptit, ndërkohë pasi arritën me familjen në SHBA më 1956, studio muzikë në Konservatorin e  Bostoni.

Në komunitetin shqiptar për shumë dekada ishte kontribuse. Kur u organizua 60 vjetori i gazetës Dielli në Nëw York në nëntor 1969, koha e artë kur u bashkuan në Boston dhe në New York arbëreshët, shqiptarët e Italisë dhe Shqiptarët e Amerikës nën ombrellën e Vatrës, Lumja ishte tepër aktive, ajo u motërzua me vajzat dhe gratë arbërshë që kishin ardhë në një ekip me 120 arbëresh. Lumja ishte me vajzat arbëreshe në krye të Paradës Shqiptare që u organizua me 28 nëntor 1969 në New York, por ishte edhe pjesë e koncerteve që u dhanë me atë rast së bashku me korin e vajzave arbëreshe.

Lumja, ishte krenaria shqiptare në Amerikë. Ashtu si e gjithë familja Juka, përfshirë nënën Sadete, edhe Lumja e kishet në shpirt humanizmin. Gjatë 30 viteve të fundit të  jetës së saj ajo ishte e përkushtuar si Motër e urdhërit të Nanë Terezës, dhe punoi me shpirt duke përcjellë filozofinë e Nënë Terezës.Ajo ndjehej krenare që Kombi Shqiptar kishte nxjerrë një personalitet të përmasave Kombëtare si nënë Tereza.

Nga koleksioni i gazetës Dielli kam marrë një ekstrat nga nëj esse e Lumes.

 Në numrin e 15 shkurtit 1979, në një rrëfim plot kolorit, Lume Juka, sillte shkrimin ”Festat e të vetmuemëve” . 

Shkrimit i paraprinte një thënie e urtë e Nënë Terezës, që i takonte dhjetorit 1978. Në të jepej ky mesazh:”Urija shpirtnore asht ma e zorshme se urija për bukë.Me e ndi vehten të hedhur e të përbuzun, asht gjaja ma e keqe që mund t’i ndodhi nji njeriu.Shkenca moderne mund të shërojë shumë sëmundje, por nuk ka , as ka me pasë kurrë, diçka që të zëvendësojë nji dorë e nji zemër që don…”.

Lume Juka përshkruan me një stil mallëngjenjës disa ditë të dhjetorit 21, 22 e 23 të vitit 1978, ku ajo si vullnetare e Misionit të Nënë Terezës, së bashku me disa murgesha dhe një grup fëmijësh, e ndriçuar nga drita ngazëllyese e Misionit Nënë Tereza, shkonte tek të varfërit, në Jugun e Bronxit ne Neë York, ku, siç shkruan ajo , njeriu andej pari; sidomos kur të zen nata, nuk ëset i sigurtë nëse ka me u kthye gjallë në shtepi: Vorfni, violencë, shpija të shkatërrume, xhama të thyem, zhumile gjithkund. Nji botë në vendi, që të bën me harrue se jeton në Nju Jork, qytet që strehon sa gjana të mrekullushme. Fëmijë të shumtë shihen nëpër rrugë.” Nanë Tereza thotë ”N’Amerikë njerëzit nuk vuejnë për nji copë buke, por vuejnë prej urije shpirtërore të tmerrshme, e cila gjindet edhe në të pasun.”

Autorja e shkrimit, Lume Juka, përshkruan rast pas rasti se të pamundurit, ndjejnë dritën e jetës edhe në çaste e fundit, kur pranë kanë Motrat e Nënë Terezës. Më pas ajo përshkruan veten mes një grupi fëmijësh që e kanë rrethuar dhe na përcjell këtë dialog emocionues te vete Lumes me femijet amerikane:

A ban me shikue se çfarë keni shkruar në atë bllok?-më pyeti nji djal.

Menjiherë ia diftova shënimet.

“Po unë, po unë?-si e kanë zakon fëmijët. U afruan rreth meje:

-Kjo s’është anglisht; as spanjisht. Çfarë gjuhe është?

Shqip…

Ç’ka don me thanë shqip?

Asht gjuha që ka folë Nana Terezë kur ka kenë fmi.

Po ju ku e keni mësue?

Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie.

Oh!-Jeni prej vendit të Nanë Terezës?-më shikuen me habi e me admirim.

Si i thonë në shqip”God”?

Zot!

O God

O Zot!

O God Help Us? O zot na ndihmo! Shpejt e mësuen me e shqiptue. Pak minuta zani i tyne tingëllus e i prekshëm, u ndigjonte tue thanë:

“O Zot na ndihmo…O Zot na ndihmo!…

  **** 

PUSHOFTË NË PAQË SHPIRTI I LUME JUKËS!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, kaloi ne amshim, New York, Pershpirtje per Lume Juka

Imzot Rrok Mirdita kaloi ne amshim!

December 7, 2015 by dgreca

NJOFTIM PËR SHTYP I ARKIDIOQEZËS METROPOLITANE TIRANË – DURRËS/

*Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkev Metropolit i Arkidioqezes Tirane – Durres kaloi ne amshim! Pushofsh ne paqe Imzot Rroku!/

Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës me shumë dhimbje njofton se sot me datë 7 dhjetor 2015, rreth orës 14.30, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, si pasojë e një hemoragjie cerebrale, ka kaluar në shtëpinë e Atit, Bariu i saj, Shkëlqesia i Tij Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë – Durrës. Qysh me datë 4 dhjetor 2015 Imzot Mirdita ka pësuar një insult cerebral. Menjëherë i është nënshtruar atë ditë një ndërhyrje kirugjikale dhe është ndjekur në repartin e terapisë intensive të Neurokirigjisë ku ka vazhduar në gjëndje kome. Pavarësisht të gjitha përkujdesjeve dhe përpjekjeve nga ana e stafit të Neurokirigjisë, gjëndja e tij ka ardhur duke u përkeqësuar derisa sot ka ndërruar jetë.

Kush ka qenë Imzot Rrok Mirdita?

Mons. Rrok Mirdita ka lindur në Këllezen të Ulqinit (Mal i Zi), më 28 shtator 1939. Shkollën fillore dhe të mesme e ka ndjekur në vendlindje. Ka kryer Liceun Klasik dhe studimet filozofike dhe teologjike në Zagreb, me rezultate të shkëlqyera.
U shugurua meshtar më 4 korrik 1965 nga Arqipeshkvi i Tivarit, Aleksander Tokic. Deri në 1973 ka zhvilluar veprimtarinë e vet baritore ndër famullitë shqiptare të dioqezës së Tivarit (Mal i Zi). Në këtë vit dërgohet nga Arqipeshkvi i Tij Në Neë York për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në nevojat baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronks (Bronx).
Në përkim me Arqipeshkvin e Tivarit Eminenca e Tij Card. Terence Cook, Arqieshkvi i Neë York,
me një dekret të 19 qershorit 1981 e inkardinon në dioqezën e tij duke e ngarkuar me veprimtarinë baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në 1985 Eminenca e Tij Kradinal O’Connor Arqipeshkëv i Neë York-ut e emëron administrator të qendrave Katolike Shqiatare “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe “Shën Pali”.

Në 28 shtator 1989 emërohet nga i njëjti arqipeshkëv, famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës”, e themeluar nga vetë Mons. Rrok Mirdita.

Gjatë viteve në Neë York do të merret me përkushtim të veçantë me çështjen e të larguarve nga Shqipëria, me të cilët bashkëndan dramën e dhimbjes e fatkeqësinë e të afërmve të mbetur në atdhe, të cilët i trajtojnë si tradhëtarë.

Në 1991 viziton Shqipërinë, që e kishte njohur përmes emigranëve shqiptarë të Sh.B.A-së dhe solidarizohet me plagët e këtij vendi të martirizuar.

Në 1992 Papa Gjon Pali i II e emëron Arqipeshkëv i Durrës – Tiranë. Pas këtij emërimi largohet për tu vendosur në Shqipëri duke u përkushtuar për ngritjen shpirtërore dhe promovimin njerëzor të popullit besuar kujdesit të tij baritor.

Më 24 prill 1993shugurohet Ipeshkëv nga Papa Gjon pali i II, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri , në Katedralen e Shkodrës, së bashku me tre klerikë të tjerë të mbijetuar nga regjimi komunist. Të njëjtën ditë bën hyrjen zyrtare në dioqezë së bashku me Atin e Shenjtë.

Në vitet 1994-2000 është president i Caritasit Shqiptar dhe angazhohet fuqishën në lehtësimin e vuajtjeve të shkatuara nga lufta e Kosovës. Më 29 mars 1999 i bën thirrje institucioneve të ndryshme Katolike të Europës për t’iu ardhur në ndihmë popullsisë në nevojë të skajshme, thirrje së cilës i përgjigjen me efktshmëri shumë prej tyre.

Në vitin 1996 zgjidhet Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe kryetar i parë i Shoqërisë Biblike Ndërkonfensionale në Shqipëri, shoqëri e sapo themeluar.

Në vitin 2000 Sovrani i Maltës i jep titullin Kapelan i Kryqit të Lartë ad honorem duke e vënë në kategorinë e mësuesit të madh.

Në vitin 2002 përfundon ndërtimin e Kishës Katedrale të Shën Palit Në Tiranë, duke i dhuruar bashkësisë katolike një pikë referimi për rritjen shpirtërore, gjë që do të lejë shenjë në zhvillimin shoqëror e shpirtëror të vendit.

Në janar të vitit 2005 Papa Gjon Pali i II e lartëson në rangun e Arqipeshkvit Metropolit dhe më 29 qershor të të njëjtit vit merr nga Papa Benedikti i XVI në Bazilikatën e Shën Pjetrit Platinium e Metropolit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i jep titullin Qytetar Ndrei, duke vlerësuar ndihmesën e jashtakonshme të Arqipeshkvit për zhvillimin e harmonisë fetare, rilindjen e besimit në të gjithë vendin dhe maturinë me të cilën ka ndihmuar në kapërcimin e vështirësive politike. Po të njëjtin titull i jep edhe Kryetari i Bashkisë Rrëshen për ndihmesën e shkëlqyer në ndërtimin e strukturave kishtare.
Për më se 13 vite Arqipeshkvi është angazhuar që Kisha Katolike më Shqipëri në këtë dioqezë të rëndësishme, t’i vijë në ndihmë të gjithë kategorive të popullsisë.
Për këtë arsye i ka nxitur misionarët që të angazhohen në fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore ( fillore, e të mesme), azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qëndrave shëndetësore, dhe atyre për fëmijët e braktisur, si dhe një qendër për rekuperimin e të rinjve të prekur nga droga, dhe e gjithë kjo pa bërë diskriminime fetare e shoqërore.

Në vitin 2006 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Alfred Moisiu i ka akorduar “Urdhërin Nënë Tëreza” me motivacionin: “për kontributin e dhënë në ndërtimin e institucioneve të Kishës Katolike në Shqipëri; për vëmedjen e veçantë të dialogut ndërfetar; për nagazhimin në themelimin einstitucioneve të ndihmës sociale dhe ndihmesës së njerëzve në kushte të pafavorshme”.

Në maj 2006 asambleja e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e zgjedh rishtas Kryetar të saj.

Ne vitin 2010 presidenti i Republikes Z. Bamir Topi i akordon urdherin Gjergj Kastrioti Skenderbeu, me 13 maj 2013 Akademia Ndekombetare Bonifaci 8 i akordon titullin Akademik Nderi.(E percolli: Dom Gjergj Meta)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Imzot Rrok Mirdita, kaloi ne amshim

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT