• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vlera e simboleve kombëtare, 16 janar 1991 nga K.P.Traboini

January 16, 2021 by dgreca

Nga Kolec P.Traboini/

Gazeta RD Nr. 3, f.4,  16 janar 1991 Ribotohet pas 30 vjetesh shkrimi i K. P. Traboinit: –  Presidenti të zgjidhet nga populli – Të hiqet data 24 maj 1944 – Të hiqen kallzat e grurit nga stema e republikës – Të hiqet ylli nga flamuri kombëtar Nga KOLEC TRABOINI Çfarë do ti paraqitet Kuvendit të parë pluralist në Shqipëri? (në qoftë se do të jetë i tillë). A është ne dinjitetin e kombit që një grup pune të hartojë një kushtetutë dhe ajo të paraqitet në Kuvend me disa diskutime formale. Mos vallë ngjarjet e tanishme në vend po na bëjnë të harrojmë një detyrë kaq sublime?  Po të bëhet kjo,  atëherë nesër ne të gjithë do të ndodhemi përpara ligjeve të cilat nuk do të rrojnë ndoshta  as sa Kushtetuta e ’76. Pa marrë përsipër të zbërthej nenet e veçanta, detyrë tepër e vështirë që kërkon mendimin juridik të specializuar, do të përpiqem të shpreh disa mendime në aspektin e vlerës së simboleve kombëtare të paraqitura në Projekt-kushtetutë, e cila nga mënyra si është trajtuar do të çojë herët apo vonë në konfrontime mendimesh në auditorin e gjerë, por edhe në Kuvendin e ardhëm.Sot më tepër se kurrë në dobi të interesave kombëtare duhet të hartohet një kushtetutë me një jetë sa më të gjatë, e cila të përballojë jo vetëm gjendjen e ditës, por edhe për rrjedhimet historike në jetën kombëtare. Një kushtetutë që pasqyron vetëm interesat e një çasti, të një partie, nuk mund të ketë jetë të gjatë, ajo do të demaskojë vetveten duke u kthyer në një mekanizëm për të ruajtur një statukuo, apo ndoshta një sundim… Aq më tepër që ligjet humane i njohin njerëzit si qytetarë të lirë e jo si monopole partish qofshin këto edhe përparimtare.Të mos harrojmë se kushtetuta qindravjeçare amerikane i ka rrënjët edhe tek Abraham Linkolni, legjislatori i madh i të drejtave të njeriut. A nuk mundemi edhe ne,  pa imituar të tjerët, të ndërtojmë një kushtetutë në të cilën ngjarjet e ditës, sado te vrullshme, partitë që mund të lindin apo shuhen,  që mund të vinë në pushtet apo mund të largohen nga pushteti: individët që zotësia apo rasti mund t’i sjellë në krye të shtetit, të mos mund të lozin me këtë instrument të gjithëpushtetshëm, që shpreh sovranitetin e popullit.Duke lexuar projektkushtetutën ndodhesh para shumë pikëpyetjesh që gjithsecili  do t’i përgjigjej sipas mënyrës së vet.Pse i duhet kushtetutës një hyrje me një tirandë lavdesh për këtë apo atë forcë politike? Forcave politike meritat le tua shkruaj historia, që me pluralizmin politik hapi faqe të re për të gjithë – ndërsa faqet e kushtetutës që shprehin sovranitetin e popullit të jenë si gurë te latuar mirë.A nuk na lodhi lavdia?!Tek e fundit kombi ynë është një gjysmë trupi që po lëngon në të dy shtrirjet e tij… dhe po druhem se është çast fort i papërshtatshëm për t’i kërkuar meritat edhe po t’i kemi.E parë në aspektin simbolik shtrohen pyetje gjithfarësh, si duhet të jetë mjedisi ku do mblidhet kuvendi sovran i popullit? A duhen aty simbole ideologjike që bien ndesh me aspiratat e përfaqësuesve të ndryshëm të popullit, qofshin këta edhe në pakicë. Si duhet bërë që deputetët ta ndjejnë veten në kuvend të barabartë me partinë në pushtet që gjithnjë ka zënë presidiumet.Sistemi pluralist kërkon një kushtetutë tepër solide, pa ekuivokë, pa mundësi shpërdorimi. E parë gjithnjë në aspektin simbolik,  me të gjitha ato kompetenca që i jepen presidentit, a nuk po shfaqemi si një Republikë presidenciale, ku presidenti merr vlerat e simbolit të kombit, bashkë me atë të zotëruesit të pushtetit.Në qoftë kështu a nuk është në dobi të harmonisë, të mirëkuptimit, të unitetit mbarëkombëtar që Presidenti i Republikës të votohej direkt nga populli. Kështu çdo individ të shohë edhe simbolikisht në figurën e njeriut në krye të piramidës shtetërorë edhe vullnetin e vet.E dyta, që kjo figurë e cila shpreh edhe unitetin e kombit (neni 86), të rrokë simpatinë kombëtare, a nuk është më e përshtatshme që ai, që nga çasti kur zgjidhet president, me lirimin nga detyra e deputetit (neni 88), të zhvishet edhe nga çdo lloj hierarkie partiake, në mos të shkëputet fare nga veprimtaria e partisë të cilës i përket në çdo aspekt. Kjo do të sillte që qytetarët e vendit të mos dëgjonin në gojën e presidentit edhe fjalime që nuk mbrojnë interesa të përgjithshme, por mbrojnë interesat e një pakice, sikurse është partia e tij.A nuk do të çonte ky gjest i ligjëruar në kushtetutë në mendimin se presidenti mban balancën e drejtësisë kombëtare, se shteti nuk është më monopol partish?Do të ishte një fatkeqësi e re kombëtare në qoftë se historia e shkuar, të cilën nuk po marrim përsipër ta gjykojmë, të përsëritet qoftë dhe në mënyre të kamufluar.Një çështje mjaft delikate është se projektkushtetuta të jep idenë e një shteti me një moshë të re 47-vjeçare. Historia e kombit shqiptar, me gjithë fatin e tij tragjik nuk nis më 1944, por edhe në qoftë  se për disa ka nisur aty, nuk është në interesin mbarë kombëtar që ta qethim historinë sipas modës që vjen apo shkon, sipas erës që fryn nga lindja apo perëndimi…A mos kështu ushqejmë ata dashakeqës të kombit shqiptar që thonë se viti 1912 ishte një sajesë diplomatike?!Ne po luftojmë të njihet shteti i Arbërit, megjithëse vonë, tepër vonë; ne kemi datën simbolike 1444 me Kuvendin e Lezhës, kemi Lidhjen Shqiptare  të viti 1878, kemi vitin 1912, por edhe vitin 1924 kur Shqipëria ishte Republikë, prandaj a duhen ngushtuar sinorët e historisë së vjetër për hir të historisë së re. Është fjala për 24 Majin 1944 kur historia na gjeti në rikrijimin e një shteti në gjysmën e hapësirës kombëtare. Në qoftë se kohërat janë treguar të pamëshirshme në fatin kombëtar të shqiptarëve, ky nuk është një shkak  për të na u errur perspektiva, kjo nuk do të thotë se ne të ardhmen në Evropën e Bashkuar e shohim të mjegulluar si komb. Koniukturat politike ndryshojnë aspiratat kombëtare mbeten.Mbasi është fjala për stemën e Republikës, shtrohet pyetja pse shqiponja duhet të rrethohet me kallëza gruri, ç ‘shprehje kombëtare  merr kjo, mbase në atë kohë, gjysmë shekulli më parë  kishte shpjegimet e veta, por tani në prag të vitit 2000 gjërat kanë ndryshuar… Një stemë me kallëza a nuk është  pothuaj se e ngjashme me të gjitha stemat e vendeve të shtypura  të Europës Lindore nga diktatura staliniane në kuadrin e uniformitetit socialist. Sa për atë se çfarë i duhet venë mbi kokë shqiponjës, një yll me pesë cepa (simbol i pesë kontinenteve) apo një përkrenare të Skënderbeut, siç u shpreh dikush në një bisedë, le ta lemë shqiponjën të lirë; sa më pak ta ngarkojmë me simbole partiake e ideologjike aq më mirë do të fluturojë ajo, aq më lart e aq më bukur.   © Kolec P. Traboini

Filed Under: Analiza Tagged With: KOLEC P.TRABOINI, Vlera e Simboleve Kombetare

KUJTESA-MITINGU I 10 JANARIT 1991

January 9, 2021 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/

Duke ditur se manipulimet e historisë janë arti i fallxhorëve të politikës, prej vitesh e kisha lënë në heshtje mënyrën e organizimit e zhvillimit të mitingut madhështor të krijuesve e intelektualëve të Tiranës në kapërcyell të vitit 90-91 kur ende diktatura mbahej në këmbë, mirëpo tani që ish-kryeministri i Shqipërisë e cilësoi si “mitingun tonë”, ndërsa kryetari i PS, edhe ai nga ana e tij në librin e vet “Kurban” e konsideron si një miting partiak, unë edhe më tej nuk mund të hesht, sepse tashmë kjo heshtje do të ishte e pakuptimtë. Këta liderë partish janë në të drejtën e tyre të bëjnë kurban bëmat e veta gjatë këtyre dy dekadave, por jo të personalizojnë apo privatizojnë ngjarje në të cilat kanë qenë thjesht të ftuar e jo organizatorë. As njëri e as tjetri. Kanë aq shumë merita mbi shpatulla këta burra të telikosur shteti sa do të qe e pakuptimtë të rëndoheshin edhe si nistore mitingjesh të bëra prej të tjerëve. Mos vallë me këtë duan të nënkuptojnë se jashtë partive nuk ekzistonte asfare aspirate për liri e demokraci dhe se kurrkush tjetër veç partiakëve nuk mund të shkruajë histori? Në librin që botuesja Arlinda Dudaj përcolli me eufori në mediat televizive, “Kurban” të Edi Ramës, kryetarit të opozitës së djeshme, thuhet tekstualisht: “…pak ditë më pas kur ( nënkuptohet Sali Berisha- shënimi im K.T.) donte të na pengonte Ardianin (Klosin), Kasemin( Trebeshinën) dhe mua të flisnim në mitingun ku për herë të parë u godit në fjalën time hapur në shesh figura e Enverit, te Stadiumi “Qemal Stafa”, ku na drejtoi gishtin në sy pa u mbledhur ende njerëzit duke na thënë se “ju s’mund ta merrni fjalën sot se s’kemi kërkuar leje në polici për ju…” Këtë pjesë libri botuar në gazetën “Panorama” viti X. Nr.3248 datë 28 tetor 2011, redaksia ose autori e kanë shënuar me titull: “Si më largoi Berisha nga mitingu i PD në `91”. Ne nuk dimë çfarë t`i themi Edi Ramës, as nuk mund t`i japim ndonjë këshillë, sepse ai është në majë të piramidës socialiste e tash edhe pushtetit e zor se i shkon zëri ynë aq lart, por gjithsesi e mira do të qe që ata këshilltarë që i mban me bukë, që mesa shihet janë të painformuar, nuk lexojnë as çfarë shkruhet në gazetat shqipe, apo në TVSH pikërisht për këtë njoftim të gabuar që përcjell tek lexuesit e vet. Është shkruar në shtyp se Mitingu që përmend Edi Rama nuk është iniciuar e as organizuar nga PD dhe as ndonjë organ tjetër përpos se prej krijuesve të Kinostudios. Do ta shtjellojmë këtë ngjarje të para dy dekadave më me hollësi, por le të shohin se çfarë mendimi kanë për këtë çështje pala tjetër antagoniste e politikës konfliktuale shqiptare. Mesa duket për gjithçka janë në kundërshti këto dy forca politike që zotërojnë vendin, por në një gjë janë në një mendje, që mitingun e parë të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike janë bërë nga PD. Po të mos isha unë që e kam inicuar e organizuar ketë miting, padyshim që nuk do të kisha marrë mundimin t`i përgënjeshtroj këta dy burra shteti, dy kryeministra të Shqipërisë që turp është të them se ma vodhën metingun. Mu ka mbush mendja top se në Shqipëri gjithçka vidhet, përderisa edhe mitingjet. Para se të hedhim dritë mbi këtë ngjarje, le të shohim çfarë thotë kryeministri i shkuar, që aso kohe ishte këmborë e madhe. *      *      * “Ky njeri, – thotë në një konferencë shtypi kryeministri Berisha për opozitarin e vet të kolltukut, Edi Rama, – do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur. E pashë drejt e në sy e i thashë: – kë duhet të varim? Ata, – më tha – Komitetin Qendror dhe Byronë Politike. Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike.” Në pikëpamje partiake e vetmja gjë që mund të them është si nistori edhe i formimit të degës së PD për Kinostudion, se as në atë kohë e as sot nuk kam qenë e nuk jam i mendimit se ne, veprimtarët e lëvizjes demokratike në terren, po formonin degët e partisë së liderëve të rinj. Ky nocion nuk ekzistonte në kokën time e të kolegëve të mi, sepse na ishte shpifur ideja e themeluesit të partisë komuniste dhe nuk na pëlqente të notonim në ato ujëra kultesh. Sa i përket bindjeve të mia, dhe besoj jo vetëm të mia, që i kam shprehur që në numrin 3 të gazetës RD, janar 1991, ku kërkoja heqjen e yllit të kuq komunist nga Flamuri dhe kallëzave të grurit nga stema e Republikës, Partia Demokratike e atyre ditëve është formuar si një imediat historik, si parti e demokracisë dhe e kurrnjë individi të përveçëm në këtë vend të rënduar nga kulti gjysmë shekullor i individit. Kulti i Enver Hoxhës,(pse jo dhe i Zogut) i kishte lodhur aq shumë psiqikisht njerëzit (flas më tepër për intelektualët e jo turmat që nëpër tërë shekujt vetëm kanë brohoritur), saqë nuk kishim dëshirë të dëgjonim për liderë në ballë të tribunave. Por kjo çështja e personalizimit të partive, tashmë nuk është në preokupimin tim, sepse nuk bëj pjesë në asnjë prej tyre, kryekreje për faktin se nuk janë ato për të cilën mendoja se do të ishin. Le ta marrë mbi shpatulla kushdo që dëshiron të bëjë karrierë e të luftojë për mirëqenie e lavdi personale, sepse tashmë partitë janë leva Arkimedi për të marrë pushtetin dhe pushteti mjeti me të cilin mund të bëhen para me bollëk duke përdorur të dyja duart, në njërën duke mbajtur pankarta kolosale të luftës kundër korrupsionit, ndërsa në tjetrën duke mbushur xhepat e vet, ndërkohë që boshatisen xhepat e shtetit. Që në atë kohë, soj-soj beniaminësh e ligavecësh të rinj të politikës, vinin rrotull dhe me lajka përpiqeshin të ngjiteshin në shkallët e pushtetit e mund të themi se ia arritën mjeshtërisht. Luftëtarët më të mëdhenj zë buçitës me bla-bla-bla oratorike gjatë daljeve nëpër podiume ishin komunistët, bijtë e rrethi i afërt i tyre, por edhe ish-spiunët e sigurimit. Ata më shumë se kushdo kishin nevojë të shfaqeshin si liderë të rinj dhe të mbulonin erën e keqe të së kaluarës së vet të palavdishme. Dihet që politikanët e interesit e jo të idealit janë si minjtë që braktisin të parët anijen që mbytet. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Minjtë e kuq nisën të zhargiten e llangosen blu. Kjo blujadë nuk ishte e vështirë të binte në sy. Kushdo që ishte ndryshe, që nuk kishte të tilla orekse, por vepronte thjesht nga dëshira për të parë popullin e lirë pasi të shembej komunizmi, e ndjente veten të huaj në mjediset e këtyre liderëve të rinj që, kush e kush t’i ngrinte shpatullat më lart se njëri-tjetri. Koha e tregoi se lufta për pushtet që u bë në mes të liderëve të rinj të vetëquajtur demokratë, ishte aq e ashpër dhe e pa kompromis sa të duket se më shumë luftonin njëri-tjetrin se sa me farën e keqe të komunizmit, e cila vërtet ishte tek kuadrovikët e Partisë së komunistëve shqiptarë, por edhe këta liderë të rinj ishin të molepsur jo pak me sporet e kuqe. Tani le të shqyrtojmë shprehjen e kryeministrit që tekstualisht thotë: -“Ky njeri do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit”.

*      *      *

Biblioteka e Universitetit gjendet pranë sheshit që tashmë quhet “Nënë Tereza“ dhe nga pas ka stadiumin kombëtar. Tërë gjasat janë që ish-kryeministri Berisha t’i referohet jo mitingjeve të Partisë që e ka formuar ai, sepse nuk dimë të ketë bërë partia e tij ndonjë miting në atë shesh, përkundrazi më i spikaturi ka qenë mitingu madhështor i intelektualëve të institucioneve artistike të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Mirëpo nëse është fjala pikërisht për këtë miting, ish-kryeministri është i paqartë sepse e personalizon. Madje shkon edhe më tej kur thotë se ky njeri, pra Edi Rama, atëbotë pedagog i Insitutit të Lartë të Arteve, paska shkuar në mitingun e PD-së. Përkundrazi, ishte kryepartiaku Sali Berisha që shkonte në atë miting ku Edi Rama ishte në mjedisin e vet prej intelektualësh të institucioneve artistike të kryeqytetit (ani pse në mënyrë habitore edhe vetë Edi Rama në “Kurbanin” e tij e bën kurban këtë miting duka ja faturuar PD-së dhe duke ia mohuar vetvetes), çfarë tregon se të dy këta kanë rreth vetes këshilltarë të paaftë, sepse Kryeministri dhe Kryeopozitari ( tashmë anasjelltas ne kolltuk qeveritar) sjellin referenca të gabuara në Median Publike që vetë i kanë nën pronësi e vetë i quajnë kazan e hale. Ai miting nuk ka qenë iniciativë e asnjë partie, ai është organizuar nga krijuesit e Kinostudios, por thënë saktë ka qenë nisiativa ime personale dhe nuk ka njeri që i del për zot kësaj pune veç meje. Po pse e bëra këtë? Sepse po vija re se pak intelektualë të institucioneve artistike të kryeqytetit po solidarizoheshin me partinë e re demokratike që sapo ishte formuar. Po krijohej përshtypja se intelektualët krijues ishin indiferentë, gjë që nuk ishte e vërtetë. Aq më tepër neve si kineastë na takonte të ishim nisiatorë për faktin se kushdo në Shqipëri e dinte sesi kolektivi krijues i Kinostudios e kishte përcjellë me bisht ndër shalë, sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë dhe anëtarin e byrosë politike, Foto Çami, sa u përhap fjala nga kuadrovikët e partisë diktaturë se në Kinostudio kish bërë fole armiku. Ndër veprimtaritë që kam zhvilluar ato ditë të fundit të dhjetorit 1990, ka qenë edhe hapja e një fushate ndihmash monetare për PD-në. Mblodha një grup punonjësish dhe kërkova të krijonim degën e PD-së për Kinostudion. Për këtë kam shkuar e takuar Azem Hajdarin, i cili e pëlqeu dhe e përkrahu idenë e krijimit të degës së PD dhe më pajisi me një autorizim të posaçëm me firmën e tij. Atë ditë që e kam takuar, e kam pritur gjatë të zyrat e PD në rrugën “Fortuzi”, sepse më thanë se është në një mbledhje tek Presidenti Ramiz Alia. Kur Mark Topallaj e pyeti për Sali Berishën, Azemi na tha se “Saliun e mbajti Ramizi në zyrë”. Vërtetë nuk jam në gjendje të vërtetoj se si e pse e mbajti në zyrë Ramiz Alia Sali Berishën dhe çfarë kanë qenë bisedat e tyre, por fjalët e Azem Hajdarit i kam dëgjuar me veshët e mi. Pra takime kokë më kokë Sali-Ramiz vërtetohen në mes të dhjetorit 1990. Deri me sot nuk kam lexuar askund rrëfime të Sali Berishës për këto takime të mbyllura e biseda kokë me kokë me diktatorin Ramiz Alia. Dua të sjellë në kujtesë edhe diçka, duke i parë lëvizjet e mia, sepse edhe Kinostudio ka patur të paktën 12 spiunë me “500”, dy oficerë sigurimi të veshur civilë, kanë shkuar në Kinostudio dhe kërkuan të më takojnë, por atë ditë kam qenë me xhirime jashtë Tirane. Kanë takuar drejtorin duke kërkuar prej tij të dhëna për personin tim. Viktor Gjika më ka thirrur e njoftuar se të kanë në sy të keq ata të Ministrisë së Brendshme, ndaj bëj kujdes për vetën dhe shtoi se u përpoqa sa munda të marr në mbrojtje. Pa patur parasysh këtë presion, vazhdova punën për formimin e degës së PD-së për institucionin tonë. Fotografitë e asaj dite janë ende në fondin e kameramanit Spartak Papadhimitri në Tiranë. Kjo sa për njoftim që të mos ngrihet ndonjë i vonuar, që ka hyrë në PD nja dhjetë vjet më pas dhe brenda natës na u gjend ministër e të na thotë ky i përkëdhelur i tarafit -“Po, ne s’të njohim fare”. Se këta, fillimin e historisë së partisë blu apo rozë e llogarisin nga dita kur kanë nxjerrë lugën nga brezi e kanë nisur të hanë mjaltë qeverisje sa janë dendur mirë. Nga fundi i dhjetorit 1990 kam shkuar në Ministrinë e Brendshme dhe ata ma prenë shkurt se nuk japim leje për mitingje se ato janë ekskluzivitet i partive të miratuara me legjislacion prandaj të shkoni e të bëni kërkesën nëpërmjet tyre. Siç dukej ishin marrë të gjitha masat nga Partia Punës mbase në marrëveshje edhe me krerët e PD-s, që çdo veprimtari të mbikëqyrej duke mbyllur çdo shteg të iniciativave qytetare prej të cilave kishin frikë. Duke mos pas rrugë tjetër kam shkuar në selinë e PD ku kam takuar një dibran që rrinte në holl si punë sekretari për informacionin me emrin Zenel Hoxha, sot është drejtues i Dhomës Shqiptare Britanike të Tregtisë dhe Industrisë (ABCCI). Zenel Hoxhës i kam kërkuar ndihmë që të nxjerrë një leje për zhvillimin e mitingut, për arsye se lejet për mitingjet nuk mund tu jepeshin drejtpërdrejte qytetarëve, por duhej të kalonin për tu vërtetuar nëpërmjet zyrave të partive. Zenel Hoxha më ka kërkuar të mbush një formular ku duhej të përshkruaja qëllimin e mitingut, ditën , orën, dhe kush do të ishin organizatorët që do mbanin përgjegjësi ligjore në rast incidentesh gjatë zhvillimit të tij. Pasi e kam mbushur e firmosur formularin me kërkesën për një miting krijuesish e intelektualësh të Kinostudios, më ka kërkuar edhe emrat e dy personave të tjerë që do të shënoheshin si garant në atë letër e që bashkë me mua do të ishin përgjegjës para ligjit për zhvillimin e mitingut, fjalët e tij. Kërkesë që ai me emrat tonë do ta paraqiste në Ministrinë e Brendshme. I kërkova ndihmë regjisorit Mark Topallaj që u shpreh i gatshëm ta firmoste. Duhej edhe një i tretë, të cilin duke mos pasur mundësi ta gjeja menjëherë, sepse duhej të shkoja sërish në Kinostudio, vendosa të shënoj regjisorin Saimir Kumbaro dhe ta lajmëroja më vonë, i bindur që Saimiri nuk do të kundërshtonte vënien e emrit të tij në atë listë, ani pse pa e lajmëruar. Kësisoj si nismëtar i atij mitingu bëra dhe një akt të kundra ligjshëm, i ndërgjegjshëm se do te dënohesha penalisht, duke firmosur në vend të një tjetri. Falsifikim i dënueshëm. Ndoshta koha dhe rrjedhimet historike më shfajësojnë. Shënova datën për zhvillimit e mitingut 10 janar 1991, ora 4 pas dite, tek sheshi para stadiumit “Qemal Stafa”. Të gjitha detajet i kisha menduar më parë. Vendosa këtë orë qëllimisht sepse shumica e ndërmarrjeve e mbyllnin punën në 3 e një orë na duhet për tu mbledhur, por gjithashtu në atë orë ishin të lirë të gjithë studentët e Universitetit dhe Akademisë së Arteve.  *      *      * Tërë problemi ishte se Ministria e Brendshme në fillim rrinte duke i lëvizur datën mitingut e kur përfundimisht u caktua një datë, nisi odiseja e vendit ku do të zhvillohej. Në shtatë ditët e fundit, shtatë herë është ndërruar vendi i zhvillimit të tij. Kjo nxirrte shumë problem, sepse sa herë ndërrohej vendi, aq herë isha i detyruar të shkoja e të lajmëroja tërë institucionet artistiko-kulturore të Tiranës. Na thanë, nuk ua japim sheshin pas Bibliotekës Universitare, por do të shkoni ta zhvilloni tek Fusha e lagjes “Ali Demi”. Ditën tjetër, kërciste telefoni i Zenelit e një zë i rëndë oficeri thoshte: “Nuk do ta bëni atje, por do të shkoni tek fusha e druve në Qytetin e Nxënësve, tek kazermat e Ali Rizait”. A është e saktë? – i thosha Zenelit. “Eja nesër prapë më thoshte Zeneli, i cili bënte punën e ndërmjetësit. Pas kësaj niste vrapi im nëpër institucionet që nga Kinostudioja tek Opera, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Estrada e Cirku, Radio Televizioni, Ndërmarrja Botuese, Instituti i Kulturës Popullore, Insituti i Monumenteve të Kulturës ku më priste me shprehjen “Prap e anulluan, derrat!”- e ndjera Fatbardha Shkupi. Pastaj me vrap tek Filologjiku, Universiteti dhe Instituti i Lartë i Arteve. Ishte një lodhje e rraskapitje e krijuar me qëllim që të na bënim të hiqnim dorë ose më e pakta, duke e ndërruar vendin shtatë here, njerëzit do të futeshin në konfuzion dhe nuk do të mblidheshin në një vend, por do të shpërndaheshin në tre vende. Ditën e fundit, datë 10 janar 1991, aty nga ora 11:00 u gjenda me një fryme tek Zenel Hoxha për të pyetur për herë të fundit ai me tha se Ministria e Brendshme na njoftoi se ishim të lejuar ta bënim atje ku kishim kërkuar, por do të mbanin përgjegjësi të plotë personale nëse devijonte nga programi. Merreni me mend çfarë tensioni. Kishin mbetur vetëm pak orë. Të gjitha institucionet e dinin se mitingu do të zhvillohej tek Qyteti i Nxënësve tek “Kazermat e Ali Rizait!. M`u krijua përshtypja se ky miting ishte paracaktuar të dështonte. Bëra vrapimin e fundit atletik, një maratonë e vërtetë nëpër Tiranë dhe si njoftova kë munda, shkova drejt e tek sheshi pas Bibliotekës Universitare. Isha i pari. Krejt vetëm. I rraskapitur dhe i pangrënë. U ula në një shkallë guri e po qetësoja frymën, kur nisen tek-tuk të duken njerëz që më pyesnin se a do të ketë këtu një miting. Më së fundi arritën të mblidhen jo më shumë se njëqind vetë. Nisën ta marrin fjalën njerëz që e kishin dhënë emrin në listën që kisha në dorë, por edhe spontanisht. Kisha ndërmend të flisja dhe unë por nuk kisha pikë fuqie, pastaj i thashë vetes, nëse ky miting zhvillohet mirë, unë e kam thënë fjalën time më mirë se më oratori në megafon. Nuk shkoi shumë dhe erdhën studentët Akademisë së Arteve dhe ata të Universitetit Politeknik. Nisa të shoh njerëz që mund të ishin çfarëdo, por jo intelektuale. I kisha thënë një të njohurit tim inxhinier në kombinatin e drurit dhe ai i kishte njoftuar të gjithë, por edhe në ndërmarrje të tjera kish shkuar fjala. Kur mitingu ishte në gjysmën e kohës së caktuar, në shesh nuk mund të lëvizje prej dendësisë së njerëzve. Më kot e mbaja letrën në dorë, kurrkush më nuk mund ta drejtonte atë miting. Çdo gjë ishte në dorën e spontanitetit. Edi Rama tha atëherë këto fjalë: “Na skuqën si indianë, na zverdhën si kineze e na nxinë si afrikanë”, por ama, ai nuk është përzënë nga ai miting. Kundërshtitë dhe meritë vetjake që kishin ata që aspironin për të ngjitur shkallët e pushtetit( a ishin caktuar për atë punë nga diktatori) janë çështje që nuk kanë asnjë lidhje me këtë miting historik, të cilin dikush mbase qëllimisht e ka harruar ngaqë nuk e kanë bërë vetë dhe as dine fare si është organizuar. Kaq shumë thirrje kundër diktaturës nisën të lëshohen nga qytetarët, sepse ata të tribunës ishin të përmbajtur, sa fjalimet u bënë jo vetëm të padëgjueshme por edhe të pakuptimta. Në mes të atyre që nguteshin për të folur vura re dy kategori, njëra përbëhej nga ata që ëndërronin të ngjisnin shkallën e karrierës, tjetra nga ata që kërkonin të mbulonin diçka pas vetës. Ky ishte stili, ky ishte e vazhdon të jetë karakteri i shumë laskandraqve që flasin nëpër foltore partish e shoqatash, madje edhe në Kuvendin e madh të Popullit, duke spekuluar me hapjen e dosjeve, kur spiunët e deklaruar i mbanin pranë vetës, i përkrahnin e ju gjenin edhe ndonjë vend të ngrohtë për të bërë allishverishe e korrupsion. Deri dhe ministra e deputetë spiunë. Mbyllja e mitingut, ishte jo fund por fillimi i shprehjes së revoltës popullore. Ishin mbledhur mijëra njerëz në sheshin para Universitetit rreth e qark shatërvanit. Kish nisur të errësohej dhe disa njerëz kishin gjetur qirinj dhe i kishin ndezur. Dikush ndizte gazeta të vjetra duke i bërë si pishtarë. Turma prej mijëra vetësh po derdhej si një lumë. Ishte një lum vigan që kërkonte shtrat dhe hapësirë për të vërshuar. Dëshira ishte që ky lumë njerëzor të vërshonte në bulevardin kryesor, mes Kryeministrisë dhe selisë së Komitetit Qendror për t’i bërë sfidë atyre që tashmë dridheshin si minjtë duke kujtuar kufomën e pushkatuar të Çausheskut të Rumanisë. Sigurimi e nuhati dhe bllokoi rrugën kryesore duke lejuar vetëm kalimin e pjesshëm në trotuar. Turma prej mijëra vetësh duke kënduar “Se mjaft në robëri,/e mjera Shqipëri,/o djem rrëmbeni pushkët-ë,/ja vdekje, ja liri”, ktheu drejtim dhe mori nga rruga e Librit Universitar drejt kryqëzimit të Tiranës së Re. E tërë Tirana buçiste. Nuk e di pse atë natë ndjehesha më i lumtur së kurrë e më dukej se kisha bërë gjënë më të mirë në jetën time. Dhe këtë mendim e ndjenjë kam edhe sot kur i kujtoj ato skena, që nuk mund të përsëritën kurrë më. Në mitingu i 10 janarit 1991 ishte pararendësi i një zhvillimi tjetër madhështor, populli, punëtoret dhe studentet e intelektualët me pas do te guxonin dhe e plandosi përdhe duke e hequr zvarrë bronzin e diktatorit më të egër e të paskrupullt të Europës pas Luftës se Dytë Botërore. Mirë të gjitha këto që i mori historia, po çfarë kanë dy kryeministra që edhe pas 27 vjetësh dalin e na e vjedhin mitingun antikomunist të Tiranës se ashtu ishte domethënia e tij? Ndoshta se ai që vidhet gjithnjë është populli. E popullit gjithherë i vidhet jo vetëm pasuria por edhe historia. Dhe ja shpërblejnë duke vënë buste e monumente sharlatanësh nëpër rruge e sheshe të cilët vjen koha prapë për ti rrëzuar. Aspirojnë bronz të lavdishëm politikanët tanë, ndaj hedhin mbi supe e veta gjithfarë historish e trimërisht të sajuara e shfaqen si Don Kishotë më armë të ndryshkura. Për të qeshur, por edhe për të qarë gjithashtu… © Kolec Traboini “Vitet 1990-1991 në memorien time”. Dorëshkrime. Në foton poshtë në Kinostudio, dhjetor 1990, me grupin e lëvizjes demokratike, Kolec P. Traboini, Reiz Cico,Vasil Tabaku e tjerë. Foto nga Spartak Papadhimitri.



Filed Under: Histori Tagged With: 10 Janar 1991, KOLEC P.TRABOINI, MITINGU

KAMBANA E ZOTIT NË BOSTON SOT RA PËR SOTIR VASIL JOSIF PANIN

January 5, 2021 by dgreca

Nga Kolec P. Traboini/

Nuk ma bën goja ta them e as dora ta shkruaj se ai na la përgjithmonë. Nuk do ta kemi më të mirin e të urtin Sotir Panin, birin e Dardhës. Një shkak më shumë në këto kohë të trishtueshme gjamesh, për t ‘na u duk kjo bota si varr. Edhe me shkakun se lavdinë e kemi më së shumti tek të vdekurit se sa tek të gjallët. Ju djemtë e tij Andrea e Vasil në Boston, të rroni e ta kujtoni me nipërit e të afërmit, por ati juaj i ka lënë vetes nder ne miqtë e tij, aq shumë vend sa ta kujtojmë sa të kemi jetë. Kam shkruar e botuar në shtyp për Sotirin, për atin e tij Vasilin, por edhe gjyshin Josif Panin, po sot duart mu prenë e për mikun tim nuk më shkruhet as një fjalë kur duhet te thosha me mijëra, sepse shumë të varfëra po më duken fjalët për një njeri të madh, shqiptaro-amerikanin Sotir Pani, që në çdo frymëmarrje kishte Atdheun dhe Dardhën e Korçës, që sot është mbuluar me borë pikëllimi. Pushofsh në Paqe, o biri e nipi i të mëdhenjve Vasil e Josif Pani, që lanë pas një emër të madh në historinë e shqiptareve të Amerikës e që edhe ti Sotir e shkrove në librin tënd testamentin e nje jete “At e bir për Mëmëdhenë”. Tani u bëtë tre në atë botë. Por emrat tuaj mbeten përgjithmonë nder ne.Nuk desha kurrë ti shkruaja këto fjalë elegjiake për ty miku im Sotir, por kur Zoti i bie kambanës për njeriun, nuk mbetet veç të përkulemi në fatin tonë e të kthehemi në hirin e tij.

K. P. Traboini4 janar 2021

Filed Under: Komunitet Tagged With: KOLEC P.TRABOINI, Sotir Pani

MËSUESI I PUSHKATUAR PJETËR PALI DHE HAXHIU NGA POSTRRIBA

September 16, 2020 by dgreca

Rrëfim nga KOLEC P.TRABOINI-

Sa i përket të pushkatuarve të Kryengritjes së Postrribës, nga Hoti ka qenë  një mik e i afërt familjar i babait tim që, veç të tjerash, i lidhte dhe profesioni i mësuesit.  Ky ishte mësuesi Pjetër Pali, i cili u lidh me kryengritësit e Postrribës me ndërmjetësimin e Mustaf Jakupin që ka qenë furrtar në Rus Katolik në Shkodër, përballë kishës dhe kishte krijuar një grup në përkrahje të kryengritjes antikomuniste të 9 shtatorit 1946. Me ta ka qenë edhe Gjelosh Vat Maçi, nga Hoti i Ri, sakat ky e punonte nënpunës në Prefekturë, por mesa kujtoj nga tregimet familjare, edhe Gjon Leka, i biri i Luc Gjelosh Lekës dhe vëllai i kompozitorit Zef Lekaj ka qenë i lidhur me ketë kryengritje. Kur është bërë një si punë gjyqi, mësuesin nga Hoti Pjetër Prenush Pali e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan me 2 dhjetor 1947, ndërsa pjestarin tjetër të këtij grupi që siç thuhej ishte ndër kryesorët, drejtuesi i grupit  Mustaf Jakupi, si bani 4 apo 5 vjet burg çuditërisht e lëshuan dhe e mbaj mend në fëmini që vazhdonte të ishte furrtar në Rus Katolik, përballë Kishës. Ishte zijosh hijerëndë dhe kishte miqësi me shumë njerëz. Sa herë e shihja furrtarin me vinte ndërmend tregimi i Dadës Katrinë për mësuesin e pushkatuar Pjetër Pali, e seç me vinte një si dhimbje. Pse kishin pushkatuar pikërisht mësuesin nga Hoti?! Por furrtarin Mustaf Jakupi jo, madje e kishin liruar shpejt dhe vazhdonte të kishte furrën që në atë kohë konsiderohej një burim i mirë fitimi. Edhe Gjelosh Vata e Gjon Lekaj  nga Hoti i Ri kanë bërë burg politik të gjatë.  Nga kujtimet e pakta fëminore për atin tim Palok Traboini është edhe udhëtimi që bënim bashkë me biçikletë për në fshatin Postrribë ku ai kishte miq, me së shumti ish nxënës të tij të cilët e ftonin. Çdo festë Bajrami babai im ishte i ftuar të shkonte te miqtë e vet në Postribë dhe ndër këto festa më merrte edhe mua. Vdekja e babait e ndërpreu këtë miqësi me familjet postrribase. Por ndodhi që më vonë të njihesha me një plak të vjetër nga Postrriba. Mund të ketë qenë nga Mes-Myslimi a Dragoçi por ne të gjithëve matanë urës se Mesit u thoshin postrribakë sepse emri i Postrribës ishte më i njohuri në Shkodër e rrethina. Quhej Haxhi, ishte sakat, një plak i moçëm hokatar të cilin nuk kishte nevojë ta pyesje sepse e fillonte vetë bisedën. E meqë ishim të rinj asokohe na thoshte, “bëji një nder plakut, ik na blej një bukë gruni se kollomoqin nuk e ha as dreqi.” Nuk e di e njihte apo nuk e njihte babain tim, por ai thoshte”Mësues Palokën, po, e kam njohtë”. Ndoshta Haxhiu i shkretë thoshte ashtu për hir të bukës se grunit që shitësja atij nuk ja jepte ani pse rrinte me orë të tëra para dyqanit dhe priste që ne ta ndihmonim të mos ikte me torbat bosh në Postrribë. Gjithmonë kam qenë kureshtar dhe nuk kishin të mbaruar pyetjet që i bëja të moshuarve. Kur e pyeta një herë se a dhimbtë këmba e a merrte ilaçe, ai bëri sikur nuk e dëgjoi  pyetjen. Mesa dukej nuk donte të kujtonte diçka që ishte ma e fortë se dhimbja e plagës. “Ka keq e ma keq”- me tha një ditë.-“ Unë te paktën e kam gomarin po një shoku jem nuk e ka as gomarin e ka mbet në shpi.” Pastaj kalonte me hoka të cilat nuk e di pse na i thoshte dhe çfarë ishte kuptimi i vërtetë i tyre. Fshatarët shpesh kanë një kod të vetin në të folur që ndryshon kuptimin e fjalëve. “Ne mos marrsha sot bukë gruni me vedi do të shkoj puna si atij që shkoi në Domen”- tha një ditë. Dhe qeshi me vete. “Si asht puna e atij domnorit?”- e pyetëmNisi të recitonte ngadalë këto fjalë: “Ku ishe? Në Domen. Çka na solle? Kromen. Drishti qe i pat mendtë hangri ato që lanë qent”. Padyshim që Haxhi fliste në mënyrë të figurshme. Nuk është se i krijonte vete këto shprehje, se ato ishin pjese e zhargonit popullor të krahinës, por mënyra si e thoshte dhe e lidhte me bukën e gojës na vinte në mendime. Haxhiu plak ishte burrë i mençur dhe hokat i bënte kinse për tu dukur se ishte i kënaqur nga jeta. Nuk na u durua një herë pa e pyetur se çfarë kishte pësuar ai shoku i tij fatzi që nuk dilte dot as nga shtëpia. Veç ti shihje sytë e Haxhiut atë çast, si një vetëtimë në qiell të kthjelltë. “Po more rrezikziu. E ngatërruan me do të tjerë fatzi dhe i morën ti pushkatonin. Ishte ditë e të gjithë ata, 16- a 18 burra, si i pushkatuan i lanë aty në një gropë të madhe ku i hodhën veç  pak dhe përsipër që të mos i shqyenin qentë. Ky rrezikzi kishte marrë  disa plumba në trup, por kishte mbet gjallë. Nisi me luajt mes trupave e në një farë kohe vuni re se kishte ra nata. Atëherë mezi doli prej gropës. Ju deshën disa orë sa të shkonte zvarrë deri në shpi të vet. Qeni lehi,  por e njofti të zotin e nisi me kja si kjajn qentë. Njerëzit në shpi nuk po mujshin me dalë jashtë në ërrësinë,  por ma së fundi kur nisi me kris dera, e hapen e thirren “Po kush je ti more?”, Rrezikziu tha jam filani. E kishin kja një herë për së dekuni e tash po e kjanin për së gjalli. E ngritën dhe e futën në shpi, i lanë plagët, i dhanë bukë e nuk po dinin se çka me ba me njeriun që e dinin në vorr të pushkatum. E pleqënuen mirë e mirë dhe nga frika se mos pushkatonin edhe pjestarë të tjetër të familjes, vendosen që të nesërmen ta dorëzonin. Dhe ashtu banë. Kur u mor vesh nga pushteti, u thanë të mos flisnin me askënd e të mos thoshin asgja. Rrezikziun e morën, i banë një gjyq tjetër te mshehtë e meqë e kishin marrë krejt kot, pa asnjë lidhje me kryengritjen dhe nuk i gjetën pushkë,  vendosen ti jepnin 20 vjet burg. Nuk bani veç gjysën e doli sakat prej plumbave që kishte marrë. Gjallë e për gazep asht edhe sot…” Haxhiu i Postrribës na shikonte ne e ne e shikonim atë. Asnjë palë nuk reagonte se nuk donim të vinim njëri-tjetrin në pozitë të vështirë, aq me tepër se këto biseda ishin delikate. Gjithsecili kuptoi aq sa deshi. Aty u thanë e aty u lanë. Haxhiu merrte rrugën drejt verilindjes mbi gomarin e tij dhe hejbet me bukë dhe ne në Gjuhadol vazhdonin jetën në rutinën e përditshme. Gjithmonë pyesja veten, por jo atë, ishte apo nuk ishte Haxhiu njeriu që kishte dalë nga varri. Kjo skene më rrëqethte. Edhe pse kaluan shumë e shume vite,  kurrë nuk mu largua mendimi se  këtë histori treguar për një tjetër rrezikzi e kishte pësuar vetë Haxhiu sakat që vinte nga Postrriba në Shkodër mbi gomarin e tij për të blerë ndonjë bukë gruri  “se kollomoqin nuk kishte dreq që e hante”. Ashtu më ka mbet përgjithmonë në kujtesën time  Haxhiu nga Postrriba. Piktura “Plaku i Postrribës”nga Kol Idromeno

Filed Under: ESSE Tagged With: Haxhiu nga Psotriba, KOLEC P.TRABOINI, Mesuesi, Pjeter Pali

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT