• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SI I PUSHKATOI VITO KAPO DY LIBOHOVITË TË PAFAJSHËM

October 27, 2016 by dgreca

Vito Kapo ka ndërgjegjen e saj edhe pushkatimet e Dervish Bejkos, Pal Zefit, Hajri Pashajt e qindra të tjerëve/

1-vito-kapoVito Kapo ka qenë antare e presidiumit të Kuvendit Popullor që miratonte dënimet me vdekje. Ka miratuar dënimin me vdekje të Skënder Dajës dhe tre të burgosurve të tjerë të Revoltës së Spaçit më 24 maj 1973./

1-kolec-traboini-2012-pantheon-studio

Nga KOLEC TRABOINI / Ndërkohë që ka plasur një debat i madh a duheshin nderuar si martir të demokracisë 67 shqiptarë të pafajshëm që pushkatoi katili Mehmet Shehu në shtator 1943, shumë njerëz me lidhje gjaku apo shpirtërore me komunizmin e konsiderojnë këtë dekorim një gabim i madh. Në këtë kor bretkosash postkomuniste nuk rri pa u përzierë edhe gërmadha e diktaturës Vito Kapo, e cila e lëshoi zërin e saj si qyqe vjeshte në mbrojtje të krimeve të komunizmit. Lexoni çfarë thotë kjo hata e zezë:  “Nuk ka gjë më të ulët. E pashë dhe mu duk një çmenduri. Si mund të dekorosh ata që u bashkuan me pushtuesin e huaj kundër partizanëve, bijve të popullit. Ata kanë qenë dhe mbetën tradhtarë të Shqipërisë që jo vetëm nuk duhen dekoruar por nuk duhet të zihen fare në gojë” . Kjo plakë e rrjedhur, gruaja e eksponentit të komunistëve shqiptare Hysni Kapo, kërkon tu mësojë shqiptarëve se çfarë duhet të bëjnë e të mos bëjnë. Ajo ka guximin të mos i quaj as shqiptarë ata që u vranë egërsisht nga Mehmet Shehu, por thjeshtë e me përçmim: ballistë. Dhe as të analizoje sadopak se në çfarë rrethanash u vranë mizorisht ata 67 njerëz. Vito Kapo bën sikur nuk di  se pak më parë ishte bërë Marrëveshja e Mukjes ku partizanë e ballistë ranë dakort që me çlirimin e Shqipërisë do ta ndanin pushtetin në mes tyre. Nuk thotë fare Vito Kapo se ishin komunistët të udhëzuar nga miku i saj dhe armiku i popullit shqiptar Dushan Mugosha, që prishën në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Mukjes. Nuk thotë kjo gërmadhë plakë as faktin se kur u bë ajo masakër në Lushnjë nuk kishte pushtues askund. Sepse italianët kishin kapitulluar ndërsa gjermanet ende nuk kishin ardhur në tokat shqiptare prandaj nga na dalin këto viktima të komunistëve që të kenë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve. Vito Kapo ka qenë në forumet udhëheqëse të komunistëve rreth pesë dekada, edhe ministre ka qënë dhe e di mirë mënyrën si funksiononte demagogjia, gënjeshtra dhe mashtrimi komunist. Prandaj dhe në mënyrë krejt mashtruese i akuzon 67 viktimat e pushkatuara si bashkëpunëtorë të armikut pushtues, kur ato ditë pushtues nuk kishte asgjëkundi në Shqipëri. Po se çfarë është mashtruesja Vito Kapo  më mirë se kushdo e dinë libohovitet. Ka një ngjarje gjatë luftës që e tregon shpirtin gjakësor të kësaj shtrige të kuqe komuniste. Dihet se në mes të libohovitëve, për shkak te ndarjes partizanë e ballistë kishte plas një luftë vëllavrasëse.  Secila palë, herë partizanë e herë balliste,  vinin në këtë qytet paqësor dhe bënte masakra mbi popullsinë, rrëmbenin qytetarë dhe i pushkatonin. Në një nga këto ardhje, një njësit partizan rrëmbeu rreth 15 libohovitë dhe i mori me vete për ti dërguar në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë së Enver Hoxhës në Odriçan. Atje improvizuan një gjyq partizan dhe dy nga libohovitët që i mbanin si rob, u vendos ti dënonin me vdekje. Fillimisht i lanë të lidhur nën hijen e një peme deri sa të vinte koha për ekzekutimin.  Andej kalon partizania Vito Kapo që atë kohë shërbente në Odriçan pranë shtabit të Enver Hoxhës. Afrohet nga robërit libohovitë dhe pyet se çfarë janë këta. I thanë i kemi sjellë nga Libohova e janë familje ballistësh. Vito Kapo që ishte vetë nga Zagoria, i njihte libohovitët ndaj  iu afrua dhe i pyeti një për një. Pasi bëri këtë gjë u takua me atë që drejtonte gjyqin dhe e pyeti se sa do të pushkatonin. Dy, i tha ai partizani, besoj se kaq mjafton. Të tjerët do ti lëmë të lirë. Jo, thërriti partizania Vito Kapo. Jo dy, po katër. Pastaj shkoi tek ata që i mbanin të lidhur, zgjodhi dhe dy të tjerë, e kështu të katërt i mbajtën. Të tjerëve u thanë të iknin e po të donin mund të futeshin në radhët e partizanëve. Të katërt ata që i ndanë në një anë pas pak i pushkatuan. Kështu që dy shpirtra njerëzorë janë në ndërgjegjen e pavrarë shtrigës komuniste  Vito Kapo. Mirë është të pyetet kjo plakë se çfarë kishte me ata dy libohovitët e mjerë. Për me tepër duhet pyetur çfarë mban mend ende nga ajo kohë krimesh të përbindshme  e kjo para se të ketë rrjedhur krejt e të ketë dredhur bishtin. Këtë histori ma tregoi kohët e fundit një libohovit që nuk dëshiron të identifikohet sepse është person i njohur publik. Por ajo partizania shtabiste e Enverit nuk ka në ndërgjegje vetëm jetën e dy libohovitëve. Vito Kapo ka qenë antare e presidiumit të Kuvendit Popullor që miratonte dënimet me vdekje. Ka miratuar dënimin me vdekje të Skënder Dajës dhe tre të burgosurve të tjerë të Revoltës së Spaçit më 24 maj 1973. E ka miratuar vendimin me vdekje të 22 vjeçarit Skënder Daja vetëm pse këndonte me kitarë këngët e Adriano Çelentanos (Skënder Daja ishte bir i një babai të pushkatuar, Qemal Daja në 1953). Vito Kapo ka ndërgjegjen e saj edhe pushkatimet e Dervish Bejkos, Pal Zefit, Hajri Pashajt e qindra të tjerëve.   Dhe asnjë prej kriminelëve komuniste nuk është dënuar nga drejtësia për rolin e tyre si xhelatë në duart e diktatorit që ka ekzekutuar rreth 6500 shqiptarë. Nuk e dimë pse hesht Europa në këtë rigjallërim të rrezikshëm të elementeve që e terrorizuan popullin shqiptar për 50 vjet deri në kufijtë e gjenocidit. Ka një rigjallërim të llahtarshëm të vemjeve të kuqe. Mendojnë se ju ka ardhur ora për revansh. Prandaj është e kuptueshme se pse kjo plakë e kuqe komuniste në ngordhje,  ka guximin marrok të mbrojë krimet e komunistëve, sepse kështu ajo mbron dhe krimet e veta të përbindshme për të cilat mjerisht nuk është dënuar asnjë herë.  27 tetor 2016

 

Filed Under: Histori Tagged With: dy libohovite, Kolec Traboini, si i pushkatoi, Vito Kapo

NË UJËRAT TINËZARE TË PROPAGANDËS SERBE?

October 14, 2016 by dgreca

 

1-kolec-traboini-2012-pantheon-studioNga KOLEC TRABOINI /

Mjaftoi një lajm mashtrues i përgatitur në kulisat e Beogradit, sikur Donald Trump kishte thënë se ka qenë gabim sulmi mbi Serbinë në pranverë 1999, dhe menjëherë disa shqiptare nisën të fjalosin zhurmshëm sikur kandidati për President i SHBA është kështu e është ashtu. Nuk lanë fjalë pa thënë. Po ne të gjithë e dimë se ka jo pak shqiptare dembelë Stambolli që nuk kanë bërë një punë së mbari në jetën e tyre që nuk ngurojnë te  anatemojnë një Donald Trump, i cili ka krijuar një perandori pasurie në të gjithë Amerikën dhe në botë me punën e tij. Ai është shembulli më i mirë çfarë mund të bëjë një biznesmen i përkushtuar dhe i palodhur për vendin e vet. Tërë shpenzimet e fushatës prej miliona dollarë i vuri nga pasuria e vet e nuk bëri, siç kanë bërë deri tani presidentët e tjerë duke mbushur depozitat e veta milionëshe me donacione për fushatat elektorale. Pra, atë që është një shembull i punës vetëmohuese, modelin me të lartë në botë të investitorit të suksesshëm, dembelët e Shqipërisë tonë të shkatërruar nga politika e mafia,  e marrin si gjëja më e keqe që mund ti ndodh Amerikës po u zgjodh Donald Trump si president. Krijimi i psikologjise së gabuar si nxitje turmash, se po u zgjodh Donald Trump president dëmtohet Shqipëria, Kosova e shqiptarët është një veprim jo thjeshtë naiv por spekulues dhe në dem të interesave të shqiptarëve. Mjerisht në këto ujëra të turbullta noton edhe kryeministri shqiptar duke treguar një naivitet të pashoq, paaftësi për ta kuptuar politikën ndërkombëtare, aspak intuitë, çfarë të kujton presidentin jashtë kontrollit të logjikës në Filipine. Pra sikur të ishte një njeri që nuk di se çfarë flet e se çfarë përgjegjësie ka mbi supe kur bën deklarata mbi prishjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Shqipërisë dhe Amerikës. Ti marrësh gjërat kaq lehte në marrëdhëniet e politikën ndërkombëtare është e pafalshme, por kur një kryeministër në shtetin e tij sillet ende si një krye bashkiak që lyen fasada dhe merret me plehra për ta mbushur Shqipërinë me kundërmim helmues si të ishte plehërishta e Evropës, kësisoj të duket normale çdo lajthitje kryeministrore e këtij njeriu. Prej tij nëse vazhdon këtë rrugë pritet gjithçka dhe mund të them për të po ato fjalë që ka thënë ai për Donald Trump, që ekzistenca e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë është e dëmshme dhe e rrezikshme për popullin shqiptar. Madje më e rrezikshme se sa ai mendon për Donald Trump po të vinte ky i fundit në Shtëpinë e Bardhë. Po ne as ju nuk shkojnë askund me këto klasifikime aspak konstruktive dhe ekstremisht të dëmshme. Prandaj hiqjuni propagandave papagalle të mediave serbe apo miqve të tyre, hiqjuni marrëzive që për tu dukur snob modern a për te qenë gjoja sportiv, mbase edhe për t’ju shitur serbëve ca libra të mjerimit politik të shfaqeni kësisoj. Mos u shpreheni solidare me mendimet e tyre mbi qytetarin e madh amerikan Donald Trump, për të cilin zgjidhet apo nuk zgjidhet, bota për flet dhe do të flasë edhe po nuk u zgjodh. Je aq larg prej hijes së tij, o kryeministër. Zgjedhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhe nuk përbën asnjë rrezik për Shqipërinë, as Kosovën e as për shqiptarët në përgjithësi. Po ashtu mund të themi edhe për Hillary Clinton që është mike e deklaruar dhe e nderuar e shqiptarëve në të gjithë Ballkanin pa përjashtim. Kushdo që do të zgjidhet, nga të dy kandidatët për postin e presidentit,  ne si shqiptarë, në miqësinë e sprovuar amerikane do të themi “rroftë presidenti i zgjedhur, Zoti e bekoftë Amerikën!”. Ata që për këto zgjedhje bëjnë skedina me llogarira për përfitime politike, le të hiqen në një anë se të luash bixhoz me miqësinë e popullit shqiptar me Amerikën është e rrezikshme e ju çon në tradhti kombëtare si Enver Hoxha në vitin 1945-1946. E le të merremi me këtë kotecin tonë te vogël ballkanik ku po shqyejmë njeri-tjetrin politikisht, ndërkohë që këta të politikës po e rrjepin popullin shqiptar nga babëzia e pashuar për pushtet e pasuri. Le të merremi me handrakun tonë, ti pastrojmë hauret nga ky pisllëk çerekshekullor i pseudodemokracisë që po e shkatrrën shoqërinë shqiptare dhe po e bën brezin e ri  të pashpresë e të ike nga sytë këmbët në një hemorragji kombëtare të pambaruar.  14 tetor 2016

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Donald Trump, Kolec Traboini, propoganda Serbe

PËRKUJTOHEN NË TIRANË JOSIF DHE VASIL PANI

September 9, 2016 by dgreca

Përurohet libri kushtuar këtyre atdhetarëve “At e bir për mëmëdhënë”./

2-flet-koleci-ok

3-librat

Nga KOLEC TRABOINI/

Përurimi i një libri u bë shkas që në Muzeun Historik Kombëtar të mblidhen dardharë e devollitë, por edhe shkrimtarë e artistë për të përkujtuar dy nga figurat më të rëndësishme të Komunitetit shqiptar të Amerikës, veprimtarëve e drejtues të Shoqatës “Vatra” Josif e Vasil Pani. Libri është shkruar nga i biri i Vasil Panit, Sotiri, i cili jeton në Boston të Amerikës, pikërisht atje ku e kanë zhvilluar veprimtarinë atdhetare babai dhe gjyshi i tij. Veprimtarinë e hapi Kolec Traboini, i cili është kujdesur për botimin e librit. Ai theksoi se përtej përurimit kemi përkujtimin e këtyre dy figurave që nuk kursyen asgjë për çështjen kombëtare dhe meritojnë nderim e respekt nga të gjitha brezat që do të vijnë. Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm Fjalën kryesore e mbajti Prof. Nasho Jorgaqi, shkrimtar e studiues, i cili e njeh më mirë se kushdo veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës dhe ka botuar veprën voluminoze për jetën, veprimtarinë e krijimtarinë e Fan Nolit. Megjithëse e kam njohur veprimtarinë e Josif Panit, për mua tha Profesor N. Jorgaqi, ky libër është një vlerë e veçantë, sepse sillen kujtimet familjare gërshetuar aq mirë me dokumente të shumta dhe origjinale. Mund të thosha, theksoi shkrimtari Nasho Jorgaqi, se ky libër ka ardhur në kohën e duhur, madje  historia e komunitetit shqiptar të Amerikës do të ishte i mangët pa këtë libër për Josif e Vasil Panin. Në vazhdim ai solli fakte nga jeta e Josif Panit këtij njeri punëtor por të pasionuar që bënte njëkohësisht edhe punën e botuesit dhe të gazetarit. Ai ishte ndër veprimtarët e parë, u njoh e bashkëpunoi me atdhetarin e madh Sotir Peci, ishte edhe mik i ngushte e  besnik i Faik Konicës. E çuditshme por e vërtetë, vuri në dukje Profesor Nasho Jorgaqi, se Josif Pani ishte një njeri me ide të majta socialdemokrate,  ndërkohë që dihet se Faik Konica ishte i djathtë madje konservator, e megjithatë ishin miq shumë të ngushtë e kurrë nuk u prishën me njeri-tjetrin,  sepse të dy ishin atdhetar të mëdhenj dhe punonin me përkushtim për kombin. Ne vazhdim ai foli edhe për Vasil Panin, vazhdimësinë e ndritur të Josif Panit që Noli i madh e karakterizon atdhetar e bujar i madh e me shpirt të mirë. Vasil Pani ishte zgjedhur kryetar i “Vatrës” më shumë se asnjë njeri tjetër, në tre periudhat më të vështira të cilat i përballoi aq mirë sa siç thoshte Noli po të mos që Vasil Pani shoqata “Vatra” do të kishte pushuar së qeni prej kohësh. U sollën përshëndetjet e shoqatës “Devolli” dega Amerikë për kontributin e autorit të librit Sotir Pani i cili, u tha,  vazhdon veprën e babait e gjyshit të vet. Këtë botim shoqata e vlerëson një vlerë e shtuar në veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës. Letërsia jonë dokumentare sot ka një vepër tjetër të re, tha në fjalën e tij Prof. Musa Kraja duke e përgëzuar autorin dhe duke vlerësuar dy figurat kombetare Josif e Vasil Pani, të cilët qëndrojnë krahas atdhetarëve të mëdhenj të periudhës së Pavarësisë e me pas. E mori fjalën edhe Novrus Shtylla duke çmuar veprimtarinë e palodhur të Sotir Panit si vazhdues i denjë i babait dhe gjyshit të vet. Nga Bostoni një grup emigrantesh shqiptare, Fuat Memelli, Jani Plasa, Kiço Çeku dhe Kostandin Mosko i dërguan një përshëndetje, të cilën e lexoi Kolec Traboini. “Çdo 28 Nëntor, te shtëpia e Sotir Panit në Dardhë, është ngritur flamuri shqiptar, ndërsa me ardhjen në Amerikë, ngrihet te shtëpia e tij këtu në Boston. Siç ka thënë Fan Noli, ne mërgimtarët, vetëm degët kemi në dhera të huaja, ndërsa rrënjët i kemi në atdheun tonë.” – thuhej ndër të tjera në letrën e emigranteve shqiptarë nga Amerika. Të pranishmit i përshëndeti autori i librit “At e bir për mëmëdhenë” Sotir Pani, i cili theksoi se e ndjente për obligim të sillte kujtimet e dokumentat që me durim i kishte mbledhur, se pari për rrethin familjar, por kur e pa se dorëshkrimi kishte marrë një formë të plotë vendosi ti botojë. Ai falënderoi të pranishmit, shtëpinë botuese “Emal” dhe Muzeun Historik Kombëtar për ketë organizim që është një nderim dhe përkujtim për Josif e Vasil Panin që tërë ja kushtuan Atdheut. Po kush kanë qenë Josif e Vasil Pani: Nga fundi i shekullit 19-të i riu nga Dardha e Korçës Josif Ligor Pani emigroi ca kohë në Greqi ku ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë. Por atje u konfliktua me qarqet shovinistë të fqinjit të jugut dhe vendosi të shkojë emigrant në Amerikë në vitin 1903. Josifi qe ndër veprimtarët e parë e më të njohur për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij kishte dy drejtime kryesore, organizator shoqatash atdhetare që më pas do të formonin “Vatrën” dhe botues gazetash e revistash në gjuhën shqipe. Ishte botues i gazetave “Sazani” dhe “Drejtësia” si dhe autor i librit “Adriatiku dhe lufta europiane” . Gjithashtu autor i plot shkrimeve në gazetën “Dielli”.  Josif Pani ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Faik Konicën, me të cilin e lidhte një miqësi e madhe. Aq tipike ishte kjo miqësi sa që Faik Konica nuk pranonte të dilte në fotografi me ndonjë tjetër, këtë privilegj ia ka bërë vetëm gazetarit e botuesit Josif Pani.  Nën shëmbullin e Faikut, Josif Pani njihet për polemikat e forta me greket e Amerikës por edhe me shqiptarët që punonin për Greqinë në dëm të çështjes shqiptare. Josif Pani jepte kontribut të madh edhe në Federatën “Vatra” deri sa këtë veprimtari atdhetare  do ta vazhdonte i biri Vasil Pani. Në vitin 1922 kthehet në Atdhe, në fshatin Dardhë. Është e njohur lidhja e miqësia e tij me Hil Mosin që aso kohe ishte prefekt i Korçës dhe ndihmoi për hapjen e rrugës Korçë -Dardhë në vitin 1929. Faik Konica kur e mori vesh se Josif Panit kishte vdekur në Dardhë të Korçës më 14 maj 1934, ka shkruar:“Josif Pani, ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të këthjellta, bashkëpuntor i imi i vjetër dhe një mik i patundur.” Vasil Josif Pani ishte fare i ri kur në vitin 1912 u kthye nga Amerika në Shqipëri dhe u fut në radhët e luftëtarëve të çetës së Themistokli Gërmenjit. Mori pjesë në luftë kundër forcave andarte greke që donin të pushtonin Korçën e fshatrat përreth. Qëndroi në çetat atdhetare edhe në vitet 1913-1914, por edhe në xhandarmërinë e qytetit në ruajtjen e rendit, e më pas do të shkonte përsëri në Boston të Amerikës pranë babait të vet. Në gazetën “Drejtësia” 1920, atdhetari Naum Cerja ka shkruar:“Josifi (Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut  si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën dhe ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin, 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shenjtë të Atdheut me krahërorin dhe gjakun e tij.” Vasil Pani ka hapur asokohe një restorant të madh në Boston, i cili u bë qëndra ku mblidheshin shqiptarët dhe veprimtarët e “Vatrës” me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Vasil Pani një pjesë të madhe të fitimit në restorant e kalonte për Federatën “Vatra”, sa edhe Noli do ta pranonte se, të mos ishte Vasil Pani Federata Panshqiptare “Vatra” do të ishte shuar e harruar. Duke i njohur meritat, anëtarët e Federatës e zgjodhën fillimisht për 10 vjet kryetar i “Vatrës. Por u zgjodh dhe dy herë të tjera.  Vdiq papritur më 11 dhjetor 1947 në moshën 52 vjeçare. Fjalët e shprehura nga shqiptarët e Amerikës për këtë humbje të madhe janë me të vërtetë prekëse. Vetë Fan S. Noli për këtë figurë të Komunitetit Shqiptar në Amerikë,  ka vënë në dukje tre kategori ku mund të ndahej jeta e tij: Vasil Pani patriot, Vasil Pani si besnik, dhe Vasil Pani si shpirtmirë për ta përmbyllur me fjalët:  “Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmë….

6-edhe-nasho

2-koleci-me-sotir-panin

5-cibukuok

2-i-biriLAJMI I MUZEUT HISTORIK KOMBETAR/

“At e bir për mëmëdhenë”, historia e panjohur promovohet në Muzeun Kombëtar Historia e panjohur promovohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës vjen kështu nëpërmjet një libri të ri. Në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me titull “At e bir për mëmëdhenë” i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i m LAJMI I MUZEUT HISTORIK KOMBETAR “At e bir për mëmëdhenë”, historia e panjohur promovohet në Muzeun Kombëtar Historia e panjohur promovohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës vjen kështu nëpërmjet një libri të ri. Në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me titull “At e bir për mëmëdhenë” i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i mbushur me plot fakte, dokumente, fotografi dhe përshkrime të veprimtarive nga jeta e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Me 260 faqet e tij, libri është një histori e gjallë, e dokumentuar që i shton njohuritë edhe për shoqatën atdhetare “Vatra”, e quajtur dhe Qeveria Shqiptare në mërgim. Kolec Traboini u shpreh se, “Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm”. Gjatë ceremonisë së promovimit folen dhe prof. Nasho Jorgaqi si dhe Prof. Musa Kraja.

*Falenderojme shkrimtarin Kolec Traboini, qe e ndau kete ngjarje me lexuesit e Diellit

 

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Kolec Traboini, perkujtohet, Vasil Pani, Vatra

AT E BIR PËR MËMËDHENË

August 31, 2016 by dgreca

NGA KOLEC TRABOINI/ Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës në një libër të ri. Gjatë një takimi qe kish pasur Skënder Luarasi me të birin e Vasil Panit, i kishte thënë që nëse do të botosh ndonjë herë një libër për babanë e gjyshin, duhet ti vesh titullin “At e bir për mëmëdhenë”. Kaluan shumë vite që atëherë. Sotir Pani pas 1990, do të shkonte të jetonte përgjithmonë Amerikë, ku kishin punuar e jetuar babai dhe gjyshi i vet, dhe kjo porosi e marrë në atdhe nga një atdhetar i madh si prof. Luarasi, i biri i Petro Nini Luarasit, do ta shoqëronte kudo. Dhe ja në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me këtë titull i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. Ka qenë fundi i shekullit 19-të kur Josif Pani emigroi ca kohë në Greqi ku ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë. Por atje u konfliktua me qarqet shovinistë të fqinjit të jugut dhe vendosi të shkoje emigrant në Amerikë në vitin 1903. Josifi qe ndër veprimtarët më të njohur për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij kishte dy drejtime kryesore, organizator shoqatash atdhetare që më pas do të formonin “Vatrën” dhe botues gazetash e revistash në gjuhën shqipe. Ishte botues i gazetave “Sazani” dhe “Drejtësia” si dhe autor i librit “Adriatiku dhe lufta europiane” . Gjithashtu autor i plot shkrimeve në gazetën “Dielli”. Josif Pani ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Faik Konicën, me të cilin e lidhte një miqësi e madhe. Aq tipike ishte kjo miqësi sa që Faik Konica nuk pranonte të dilte në fotografi me ndonjë tjetër, këtë privilegj ia ka bërë vetëm gazetarit e botuesit Josif Pani. Nën shëmbullin e Faikut, Josif Pani njihet për polemikat e forta me greket e Amerikës por edhe me shqiptarët që punonin për Greqinë në dëm të çështjes shqiptare. Josif Pani jepte kontribut të madh edhe në Federatën “Vatra” deri sa këtë veprimtari atdhetare do ta vazhdonte i biri Vasil Pani. Në vitin 1922 kthehet në Atdhe, në fshatin Dardhë. Është e njohur lidhja e miqësia e tij me Hil Mosin që aso kohe ishte prefekt i Korçës dhe ndihmoi për hapjen e rrugës Korçë -Dardhë në vitin 1929. Faik Konica kur e mori vesh se Josif Panit kishte vdekur në Dardhë të Korçës më 14 maj 1934, ka shkruar: “Josif Pani, ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të këthjellta, bashkëpuntor i imi i vjetër dhe një mik i patundur.” Dihet sa i kursyer ishte Faik Konica në vlerësimet e lavdërimet e bashkatdhetarëve të vet, por për Josif Panin thoshte çdo lëvdatë. Vasil Josif Pani ishte fare i ri kur në vitin 1912 u kthye nga Amerika në Shqipëri dhe u fut në radhët e luftëtarëve të çetës së Themistokli Gërmenjit. Mori pjesë në luftë kundër forcave andarte greke që donin të pushtonin Korçën e fshatrat përreth. Qëndroi në çetat atdhetare edhe në vitet 1913-1914, por edhe në xhandarmërinë e qytetit në ruajtjen e rendit, e më pas do të shkonte përsëri në Boston të Amerikës pranë babait të vet. Në gazetën “Drejtësia” 1920, atdhetari Naum Cerja ka shkruar: “Josifi (Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën dhe ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin, 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shenjtë të Atdheut me krahërorin dhe gjakun e tij.” Vasil Pani ka hapur asokohe një restorant të madh në Boston, i cili u bë qëndra ku mblidheshin shqiptarët dhe veprimtarët e “Vatrës” me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Vasil Pani një pjesë të madhe të fitimit në restorant e kalonte për Federatën “Vatra”, sa edhe Noli do ta pranonte se, të mos ishte Vasil Pani Federata Panshqiptare “Vatra” do të ishte shuar e harruar. Duke i njohur meritat, anëtarët e Federatës e zgjodhën fillimisht për 10 vjet kryetar i “Vatrës”. Ishte koha kur shoqata Vatra pësoi nje ndarje ne mes te Bostonit dhe Detroitit ku vepronte Refat Gurazezi. Ai ishte kryetar i shoqatës Vatra deri në vdekjen e tij të papritur më 11 dhjetor 1947 në moshën 52 vjeçare. Fjalët e shprehura me këtë rast për këtë humbje te madhe janë vërtetë prekëse. Vetë Fan S. Noli për këtë figurë të Komunitetit Shqiptar në SHBA, ka vënë në dukje tre kategori ku mund të ndahej jeta e tij: Vasil Pani patriot, Vasil Pani si besnik, dhe Vasil Pani si shpirtmirë për ta përmbyllur me fjalët: “Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmës.” Edhe Faik Konica ka qenë një nga miqtë më të afërt të Vasil Panit. Në fotografinë që i kishte dhuruar më 16 maj 1937 Konica pat shkruar: “Mikut të dashur zotit Vasil Panit për kujtim”. Është ajo fotografi, me e bukura e Konicës, që për gjysmë shekulli u ruajt në sëndukët e familjes Pani dhe tanimë është bërë e njohur dhe përdoret gjerësisht nga media dhe shtypi shqiptar. Ajo fotografi me kushtimin është vendosur në kapakun e librit. Interesante është shtrimi i një problemi që ende nuk ka gjetur zgjidhje. Çfarë u bënë biblioteka dhe gjërat personale të Faik Konicës. Dikush e qarkullon një letër që gjoja Faik Konica ka shkruar para vdekjes duke lënë porosi si testament, por mesa duket, me faktet që sillen në këtë libër, ajo letër është e stisur. Faik Konica kish vdekur papritur me 15 dhjetor 1942. Sillen fakte se ai e ka biseduar me Vasil Panin, kryetarin e shoqatës”Vatra” se dëshira e tij ishte që të varrosej në Shqipëri nëse i ndodhte ndonjë gjë. Dhe Vasil Pani e mori përsipër këtë amanet, por ishte kohë lufte. Kështu që Faik Konica u varros në Forest Hills Cemetery të Bostonit. Në restorantin Court House u ruajtën gjerat e Konicës. Por me vdekjen e Vasil Panit nuk u muar vesh se ku shkuan rreth 3000 librat dhe disa nga gjërat personale të Faik Konicës. Zhdukja e këtij thesari diture ka mbetur mister edhe sot e kësaj dite. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i mbushur me plot fakte, dokumente, fotografi dhe përshkrime të veprimtarive nga jeta e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Me 260 faqet e tij , libri është një histori e gjallë, e dokumentuar që i shton njohuritë edhe për shoqatën atdhetare “Vatra”, e quajtur dhe Qeveria Shqiptare në mërgim. Një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohen por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm.

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: AT E BIR PËR MËMËDHENË, Josif e Vasil Pani, Kolec Traboini

LUMI I ANTON GOJÇAJT

August 29, 2016 by dgreca

 

1 Libra te Anton Gojcaj 1… Lumi i Anton Gojçajt e ka gjetur shtratin e vet, një shtrat ku ai si mjeshtër, do të vazhdojë të përpëlitet natë e ditë në një shqetësim të pagjumë për fjalën e zgjedhur dhe magjinë e poezisë./

Nga KOLEC TRABOINI/

Anton Gojçaj, jo vetëm që është një poet e prozator që nuk le motiv pa e thurur mjeshtërisht e fjalë që i buron nga shpirti pa e gdhendur me pasion, por ka edhe një përmasë tjetër që nuk bie aspak më poshtë dy të parave. Është tepër njerëzor, i komunikueshëm, e ka dëshirën e mirë të kërkojë e të zbulojë vlera tek krijuesit shqiptarë të letërsisë së sotme në gjithë përfshirje, them kombëtare sepse kam parasysh hapësirën Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi dhe Diasporë, sa mund të thuash pa e tepruar se janë të paktë  ata që mund ta mbërrijnë me iu afruar në atë cak të atyre tre dimensioneve që e karakterizojnë Anton Gojçajn. Ai është gjurmues i palodhur e këmbëngulës, ndjekës hap pas hapi i letërsisë së mirë. Zbulues i vlerave ndër shkrimtarë të tjerë, kërkon libra, e në mes të librave, vazhdon si të ishte një gjahtar perlash që flenë në fundin e deteve e veç presin daljen në dritë. E sikur u thotë lexuesve shih sa bukur e bëjnë përthyerjen e rrezeve të diellit. Kjo është bukuria e jetës, e reflektimit të saj nëpërmjet artit. Anton Gojçaj do të mund të mbetej në dy  dimensionet e tij  si poet e eseist.  E nisi udhën e krijimtarisë me vëllimin poetik “Poezi” (Illyricum, Tuz 2001) dhe duke kërkuar një shtrat më të gjerë, vërshimi i lumit të tij kaloi në prozë: “Qengji i harruar në mal”, tregime, (“Shpresa”, Prishtinë 2003).  Pas kësaj në rend vjen i treti libër me ese në kërkimin e Anton Gojçajt që nuk ndalet: “Tema e heroit nacional në Letërsi”, (AIKD, Prishtinë 2004). Erdhi dhe “Passio” Buzuku 2004 Prishtinë, si një rrëke malore me ujëra të kthjellëta për të mbushur shtratin e vet krijues si për të na thënë se të gjithë lumenjtë rrjedhin në vendlindje. Një roman ky model për dramën e njeriut larg atdheut, mishëruar në kthimin e piktorit të famshëm në Amerikë Jozef Montanaro si një Odise i përhumbur në botën shqiptare,  ku kish harruar edhe emrin e vet.  Ky kthim në trojet e veta, tek fëmijëria, tek emri i tij Zef Gjoni,  ishte rrugëtimi i fundit për ta mbyllur jetën në qetësi e në paqe. Thirrja e tokës e kushtrimi i të parëve qenka një tundim i madh për njeriun. Ky subjekt që punon në 90 faqe libër thotë më shumë se ca prej romaneve që janë në modë prej trashësisë, por që  nisin e kurrë nuk mbarojnë me shkakun e thjeshtë se lexuesi i lodhur skajshëm i lë për gjysmë. Anton Gojçaj parapëlqen fjalën e saktë, të shkurtër, figurative, si e folura e pleqve të Malësisë,  të cilët urtia i bën më të kursyer, sikur fjalën ta nxirrnin nga pusi. Jo më kot në një prej eseve të tij për letërsinë, në librin “Fakticiteti në letërsi” (Buzuku, Prishtinë 2007), Anton Gojçaj shkruan plot pasion për prozën letrare të Pater Anton Arapit, i cili në kryeveprën e vet “Andrra e Pretashit”  trajton jetën e malësorëve të një shekulli më parë, por aty gjen aq dritë sa për të ndriçuar e parë jo vetëm të shkuarën por edhe të ardhmen. Ëndërrimet për jetë nuk kanë të shuar në këto troje malësorësh me karakter të fortë, ku, sa shuhet një ëndërr ndizet një tjetër si pishtar i pashuar brezash. Anton Gojçaj, ky autor në një  rrjedhë që nuk ka as kohë e as dëshirë të ndalet, vjen me “Shijen e librit” (AIKD, Prishtinë 2009), një vëllim me recensione, interpretime dhe ese. Edhe në këtë libër Anton Gojçaj vazhdon zbuluesen e vet në krijimtarinë letrare pa u kufizuar, në hapësirën ballkanike e gjithkund ku letërsia shqipe kultivohet, por me vështrime edhe në letërsinë botërore. Kështu krahas shumë emrave të krijuesve shqiptarë që nga Ismail Kadare, Nikollë Berishaj, Alfred Çapaliku, Gjek Marinaj, Xhevdet Bajraj, Ndue Ukaj, Anton N. Berisha, Fran Camaj, Nik Ukgjini, Lumnije Hoxha, Nail Draga, Ibrahim Berjashi, Basri Çapriqi e tjerë gjen vështrime dhe ese për veprat e botuara në shqip të Platonit, Charles Bukowskit, Ezra Poundit, Gynter Grasit, Italo Zvevos, si dhe mbi pikëpamjet estetike të Shën Tomë Akuinit, estet i dritës diellore e tjerë. Pavarësisht se Anton Gojçaj, një autor si kalliri me shumë bukë që e mban kokën ulur, shprehet modestish për krijimtarinë e vet në librin “Shija e Librit” ku shkruan:  “T’i shkruaj  dhe t’i botoj përshtypjet e mia për librat kam filluar gjatë studimeve. Si duket, unë qysh atëherë e kam pasur të qartë se në letërsinë artistike s’do jem i suksesshëm”, por me çfarë tregon në vazhdimësinë e tij krijuese koha nuk i dha të drejtë.  Talenti para se të jetë vepër është një shfaqje. E atë shfaqje Anton Gojçaj e kishte pasur që në librin e parë. Ndaj prurja e veprave të reja cilësore  nga ky autor, për  lexuesit apo kolegët shkrimtarë nuk është e papritur. Madje edhe ribotimi i romanit “Passio” në Podgoricë në vitin 2015 dhe interesi i lexuesve që u shfaq për të,  vërteton saktësinë e mendimit të studiuesit dr. Anton Berishaj: “Passio paraqet një kryevepër “të vogël”  të mirëfilltë  të letërsisë bashkëkohore shqiptare”. Po do të ishte i mangët vlerësimi për autorin pa këqyrjen e ashtit të poezisë së tij, që edhe ajo është e vogël në volum por origjinale, me individualitet e ndjesi të thellë. Autori Anton Gojçaj siç shfaqet mjeshtër i fjalës së zgjedhur e ndërtimit të subjekteve e karaktereve në prozë, ndjehet po aq mrekullisht në poezi. Tek poezia e Anton Gojçajt gjen motive hapësinore deri përtej oqeanesh, nuk ka kufizim në këndvështrimin e tij,  por poezia e tij gjithherë shfaqet atje ku ndjehet më mirë, në shkëmbinjtë e malit të Hotit, ku dëgjohet kënga e fëllanxave të malit e ku autori lëshon thirrjen e tij dashunore:  “Vrapo e dashura ime”: buka e bardhë përngjasim vetëtime me shpejt se yjet e hëna vrapo e dashura ime shirat në ty lahen flakërojnë vegime dhelpër është klepsidra vrapo e dashura ime pritjen zjet thellimi ngutuni gëzime herët bëhet vonë vrapo e dashura ime Që nga koha kur botoi vëllimin e parë poetik e deri tek “Dëgjohet një violinë, në suferinë…” poezi, (Enti botues “Gjergj Fishta” Lezhë 2011), kishte kaluar plot një dekadë, por poezitë e Anton Gojçajt vijnë po aq emocionuese, të thella nga mendimi, puhizë në ndjesi, që para se të shkojnë e kërkojnë  motive larg në kohë e hapësirë, më së shumti ngulmojnë në zbulimin e vetvetes, në përjetime që gjithçka e kalojnë në filtrin e shpirtit. Le të sjellim poezinë e cila është përzgjedhur si  titull libri “Dëgjohet një violinë, në suferinë…” Qielli është një portë e mbyllur. Pas portës gjithmonë ka diçka. Qielli është bordel i pafund Miliarda yje si miliarda gra të zhveshura e joshin udhëtarin e lodhur të shtrihet mbi ta. Dëgjohet një violinë… Fryn Një suferinë. Qielli shkundet. Yjet bien një e nga një. Si gjethet. Si mbretër të posarrëzuar prej fronit. Si mbeturina të sofrës parajsore. Qielli është dritare e hapur kudo. Më kot autori Anton Gojçaj e paragjykonte prozën e artin e tij poetik siç e cituam më lart. Ato vërtetë nuk flasin zhurmshëm, nuk buçasin, nuk thërrasin t’u bësh eho, siç u bëjnë ca autorë krijimeve të tyre, por janë si ato lulet e vogla apo fijet e barit që me qetësinë e brishtësinë e vet, pak e nga pak, bëjnë shteg e lulëzojnë në shkëmb. Dhe jo pak herë lulet e shkëmbit janë po aq të bukura, madje shpesh edhe më të bukura se ato që rriten në lëndina të buta e ku qëllon të shkelen me këmbë. Kush ka shëtitur në mal, ku të duket gjithkah thatësirë gri, ka vënë re një aromë të magjishme të cilën askund tjetër nuk e ndjen. Janë aromat e luleve te malit. Vargjet e tij rrjedhin natyrshëm, zbresin si petale që rrëzon era në pranverë, herë-herë të bëhen si fluturzat e borës që shkrijnë në buzët e nxehta të vajzave. Të asaj që i jep titullin një prej poezive të tij më të bukura, një perlë dashurie e denjë për çdo antologji lirike të poezisë kombëtare por edhe ndërkombëtare:  “Vajza që ecën me ombrellë nëpër borë”: sa shumë që duheshim atë mbrëmje me borë si s’ta bëra me dorë si s’ma bërë me dorë kur luanim qiellorë me djallëzoren ironi si s’ma bëre me sy si s’ta bëra me sy do të duhemi përsëri netëve pa orë do të vishemi me florë do të shkrihemi në bore Aq e mbyllur është kjo poezi, po dhe të tjera si kjo në krijimtarinë e Anton Gojçajt, sa të duket si një perlë me të cilën të dashurohen sytë, aq sa autori nuk ia ka ndjerë nevojën as shenjave të pikësimit sepse ato tre strofa në 12 vargjet përbëjnë një unitet mendimi e fjalësh, konfigurimi estetik, të cilat lexohen me një frymë, madje ajo nëpër eter sikur të sjell edhe tingujt e një muzike në imagjinatën tënde si lexues, e ndoshta ky instrument mund të jetë ajo që autori e thërret në titullin e librit, një violinë në suferinë. Shumë prej poezive mbresëlënëse të Anton Gojçaj lënë poetikisht pa frymë për nga shkalla e lartë e përjetimit emocional. Gjithçka zhvillohet shpejt, aq shpejt sa të përngjan sikur je me vështrim në qiellin mbrëmësor. Sheh një yll që këputet tek lë një vrragë të thellë si prush zjarri, e ani pse ylli është shuar, vazhdon të lërë gjurmë dritë në sytë e tu, në kujtesën tënde. Pikërisht për këtë thonë se poezia ka magji, është dehja e fjalëve, është fryma e shpirtit që të prek edhe atëherë kur mendon se je larg prej botës së emocioneve dhe frymëzimit. Ajo të vjen pa pasur nevojë ta thërrasësh. Ajo vjen tek njeriu në shumë trajta por në rastin më fatlum kemi metamorfimin poetik të fjalës si drithërimë drite Por a është kjo arritje e mjaftueshme për ta konsideruar se autori është në pikën më të lartë të trajektores së vet krijuese, aq më tepër se tashmë  ai është një nga autorët më të veçantë që e pasurojnë letërsinë shqipe. Duke e ditur psikologjinë e Anton Gojçajt, marrëdhëniet e tij me artin, rrethanat e jetës ku formohen prirjet dhe karakteri,  do të thosha se vetë autori do ta konsideronte të pamjaftueshme rrugëtimin e tij të deritashëm letrar. Sepse ja çfarë thotë në  poezinë e tij “Energjia e poezisë”: “Universit i duhet edhe një vers”. Pra çdo përkryerje është një shteg i ri  për të vazhduar udhën e guximshme të artit, një rrugëtim ky që nuk ka fund. Ajo çfarë dimë apo hamendësojmë për krijimtarinë e larmishme të shkrimtarit është se  lumi i Anton Gojçajt e ka gjetur shtratin e vet, një shtrat ku ai si mjeshtër, do të vazhdojë të përpëlitet natë e ditë në një shqetësim të pagjumë për fjalën e zgjedhur dhe magjinë e poezisë.

2 Libra te Anton Gojcaj 2

Filed Under: LETERSI Tagged With: i Anton Gojcajt, Kolec Traboini, Lumi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT