• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

APOLOGJIA E KOMUNISTIT ANTIKOMUNIST ZEF MALA

April 28, 2020 by dgreca

Nga K. P. TRABOINI/

 Fare pak flitet për një figurë që është anatemuar e mallkuar aq shumë në të gjallë të vet, një kalvar i vërtetë i shkaktuar prej “të vetëve”, bashkëidealistët e komunizmit, flitet pak ose aspak për deziluzionet historike me qënë se ne si shoqëri shquhemi për dritëshkurtësi dhe harrim. Është Zef Mala ai i ka sjell Shqipërisë një dem kolosol e të pa riparueshem mbase për një shekull me krijimin e grupit të parë komunist. Por ndoshta është ndër të vetmit pendesëtar të ideologjisë utopike, ndërkohë vrastare, duke thënë se, neve që sollëm farën e komunizmit në Shqipëri kurrë nuk do të na falë populli shqiptar. Problemi është se, përderisa po reabilitohen e lartësohen gjithçfarë soj plehrash në historinë tonë, që i kanë bërë gjëmën këtij vendi duke e përgjakur, pse duhet të lënë pas dore Zef Malen? Ky vend ka një dashuri përverse me varret e pushtuesve dhe tradhtarët e vet që e kanë katandisur si mos më keq të mjerën Shqipëri. Jepini pak lavdi edhe këtij Zefit të vogël dhe erudit ….se të paktën ai e pagoi me vuajtje deri sa edhe vdiq në burg prej shokëve të vet të idealit komunist të cilet u treguan mizorë ndaj atij që e pruri i pari flamën e idealit të tyre mjeran në Shqipëri, pa patur nevoje t’ia delegojnë pejanit Ali Kelmendi që nuk kishte asnjë influencë në Shqipëri vec bridhte si muhaxhir sa në Rusi në Francë ku dhe gjeti vdekjen pas një operacioni në stomak, por mjekët nxorren si shkak tuberkulozin se ishte hjekakeq ndërkohë Zef Mala përballej me dinjitet me gjyqet e qeverisë zogiste që e dënoi me 10 vjet burg. E dënuan dhe italianët në vitin 1939, sepse ishte një antifashist i vendosur, por arratiset nga burgu. Merret me veprimtari antifashiste në Shkodër. E arrestojnë sërish dhe meqë e  konsiderojnë element të rrezikshëm për fashizmin e dërgojnë per vuajtjen e dënimit në ishullin Shën Stefanit nga viti 1940-1943. Megjithese Zef Mala ishte me lëvizjen antifashiste në Pezë, Enver Hoxha gjeti vend e kohë të udhëzonte Nako Spirun më 4 prill 1944 që të ekzekutonte Zef Malën, por ketë veprim e konsideruan të nxituar dhe nuk ja zbatuan urdhërin.  Sa kohë që ishte Tuk Jakova ndër udhëheqësit e  Partisë Komuniste, Zef Mala kishte arritur ti shpëtonte persekutimit, por me rënien e dënimin e Tuk Jakovës, komunistin katolik shkodran nuk kishte më njeri ta merrte në mbrojtje nga urrejtja që kishte Enver Hoxha për të. Por jo vetëm për Zef Malen e Tuk Jakovën që i anatemonte herë pas here në fjalime delirante, por edhe për mbarë katoliçizmin shqiptar ndaj të cilit ushtroi gjenocit të egër, por që nuk konsiderohet i tillë nga pinjollët e monizmit, që kanë zënë vend në Akademi e Institutet shqiptare si historianë. Sikur të kenë edhe ata të njëjten urrejtje si Enver Hoxha ndaj eruditit Zef Mala dhe katolikëve në përgjithësi. Më këtë urrejtje patologjike enveriste është e natyrshme që Zef Mala te denohej. Ne periudhen partneritetit terrorist e dyshes Enver – Koçi Xoxes Zef Mala arrestohet e burgoset si anti sllav. Zhdukja e Koçi Xoxes në rivalitet me Hoxhën,  sikur e lehtësoi pak sa gjendjen e  Zef Malës që e nxorrën nga burgu. E caktojnë drejtor të Arkivës së shtetit kur bëri një punë shkencore plot pasion në mbledhjen e skedimin e materialeve historike sa mund të konsiderohet themelues i Arkives së Shtetit Shqiptar. Por kjo nuk mund të shkonte gjatë sepse urrejtja e hienes Enver Hoxha e ndiqte hap pas hapi. I mbetur pa mbrojtje, për Zef Malen rinisi kalvari i burgjeve të komunizmit që e çuan deri në verbim dhe vdekje në moshën 64 vjeçare, më 31 dhjetor 1979. Dhe e dini me sa vite burg është dënuar në jetën e tij Zef Mala, plot 60 vjet. Të cilat po ti bënte të plota duhet të ishte burgosur që kur ishte 4 vjeç në lagjen “Skanderbeg” të Shkodrës. Në urrejtjen patologjike ndaj tij bashkoheshin pushtuesit, fashistët, komunistët, enveristë, titistët dhe stalinistët. Të gjithë kundër Zef Malës që ishte i pari që përhapi e organizoi celulat e para komuniste në Shqipëri, veprim për të cilën ai me bindje të plotë mallkoi veten. E kam taku e kam fol me të rastësisht në Gjirokastër tek Hotel Sopoti, pa e ditur kush ishte ai plak i vogël me pallto të zezë e me gjyslykë të trashë si xham kavanozi. Kur po regjistrohesha për hotelin, nënpunësi brenda sportelit me pyeti: A e di me kë fole. Jo i thashë. Ke folë me revisionistin Zef Mala. U preva e mendova mos ishte ndonjë rreng spinesh. Gjirokastriti qeshi e me tha se është i mbaruar. Nuk merret njeri me të. Por në të vërtetë nuk shkoi as viti dhe u muar vesh se e kishin arrestuar dhe kishte vdekur në burg i mjeri. Enveri kishte dëshirë të shfrenuar me i pa të vdekur shokët e idealeve komuniste. Ishte pikërisht ai, diktatori, i cili përpiqej ta terratiste emrin e Zef Males duke mos i dhene anjë atribut veç titullimit tipik armik i partise dhe antimarksist i çoroditur. Ndikuar prej kesaj flame, shpesh shtrohet pyetja, Zef Mala apo Qemal Stafa? Për të plotësuar njohurit rreth G.K.SH. (Grupi komunist i Shkodrës) po shtojmë se ka një keqkuptim mbi rolin e Qemal Stafës në grupin komunist të Shkodrës. Qemali ka qenë një çunak gjimnazi kur Zef Mala kishte kishte nisur të përhapte idetë komuniste në Shqipëri. Zef Mala e ka afru në G.K.SH. gjimnazistin Qemal Stafa në vitin 1937, kur Qemali ishte 17 vjeç. Por propoganda enveriste meqë donte ta ulte figurën e Zef Malës. Ndërkohe që shkrimtari Petro Marko e vlerësonte Zef Malen si “mikun im i dashur Zef Mala, njeri shumë i kulturuar, sistemi pra nxirrte njoftime mashtruese sikur grupin e drejtonte Qemali dhe furrtari i pa shkollë Vasil Shanto. Zef Mala ishte intelektual, njohës i shumë gjuhëve, kishte bërë dy vite universitet në degën e filozofisë në Austri, botues revistash e gazetash, ndër më të njohurit e kohës së vet, botues i broshurës së parë komuniste në Shqipëri “Buletini jeshil” në 2 numura. Në fund të fjalës, kur Zef Mala hartonte programe dhe shkruante artikuj e analiza për kontraditat në shoqërinë shqiptare, Qema Stafa sajonte hartime shkollore. Dhe mediokrrit e komunizmit, një thënie të një shkrimtari të madh gjerman, F. Shiler, të rekomanduar nga mësuesi Skënder Luarasi si temë hartimi, ende ja atribuojnë Qemal Stafës. Kësaj i thonë kodra mbas bregut. Prandaj jepini Zefit çfarë i takon Zefit dhe Qemalit çfarë i takon Qemalit. Le ti fryjnë e shfryjnë sa të duan megafonët e ndryshkur të politikës, të dyve kusurin ua ka dhënë historia. Mësimin dhe pësimin. Aq me tepër kur Zef Mala me dinjitet ka pohuar atë që të tjerët as nuk kanë patur guximin ta mendojnë. Po cili ka qenë konkluzoni i jetës së Zef Malës? E thotë vetë ai si testament historik që ja vlenë ta kujtojmë e të mos e harrojmë: “Ne, që kontribuam në përhapjen e kësaj kolere të zezë, e cila lindi zi, lot, gjak dhe helm brenda zemrave të njerëzve e u solli shumë vuajtje, jemi ata që duhet të gjunjëzohemi dhe me zemër të hapur të kërkojnë falje”. Askush me shumë e më mirë se Zef Mala, me idealet e rreme e pësimet e disfatat që pati në jetë,  nuk e kuptoi çfarë në të vërtetë ishte thelbi i komunizmit:  kolerë, zi, lot, gjak, helm në zëmrat e njerëzve e popujve që hoqën kalvarin e dhimbjeve pa mëshirë e pa cak.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini

RA KY MORT E HIÇ S’U PAMË

April 5, 2020 by dgreca

Shënime nga karantina/ Nga K. P. Traboini/

Kisha në plan të udhëtoja për në Amerikë në fillim të Marsit, por që në shkurt kur mora njoftim se në Bergamo, Itali, vdiqën dy vetë, hoqa dorë se e parandjeva që linjat e avionëve ishin bërë çerdhe shpërndarje virusesh e askush nuk po u thoshte ndal linjave ajrore. E ma merr mendja se as i kanë dezinfektuar para apo pas çdo fluturimi. Më ka ndodhur jo pak herë që pas çdo udhëtimi për në Amerikë të kem probleme me shëndetin, në formë gripi apo diç tjetër. Nuk besoj në pastërtinë e mjedisit të avionëve të pasagjerëve. Ani pse biznes i madh. Para e madhe në xhepat e kompanive shumëkombëshe që në janar-shkurt, kur Vuhani po përvëlohej nga epidemia, as po e vrisnin mendjen se si të ndalohej përhapja e kësaj sëmundje të rrezikshme për njerëzimin. Të paktën ata të mos bëheshin mbartësit e saj nga një shtet në një tjetër. Nga një kontinent në një tjetër. Erdhi koha që u bë ndalimi por tepër vonë. Tërë bota u vonua. Tërë bota u infektua. Mungese përgjegjësie totale. Të mjerët italian e pësuan sepse nuk e imagjinuan stuhinë e vdekjes që po vinte në ketë vend të begatë njerëzish punëtorë duarartë, të gëzuar e jetëgjatë. Fati u solli të derdhnin më shume lot se askund tjetër ne Europën e lodhur e të përgjumur. Brenda një muaji, falë linjave të avionëve, tërë botës ju vu flaka, ju pllakosi vdekjen, duke krijuar një gjendje që askush nuk e di se si e kur do përfundojë e sa sa vdekje do te ketë akoma. Asnjeri nga ne nuk e di si do bëhet me veten tonë, do të jemi të gjallë apo të vdekur deri në stinën tjetër. Falë ndryshimeve të mirëqenies, nivelit të pastërtisë e përkujdesjes në raport me brezat e mëparshëm, mendonim se ishim jetë gjatë fatlumë, por krejt pa pritur stuhia e zezë që fryu nga Vuhani na kujtoi se mund të bëhemi edhe jetëshkurtër madje duke numëruar ditët. Këto përsiatje, herë me shpresë e herë pa pikë besimi se do na gjejë stina tjetër. Gjithnjë kur bluaja me vete, arrija në mendimin se duhet të jemi më të butë. Me të mirë e më të mirë kuptueshëm. Asnjë egërsi a mllef nuk na shpëton. Politikanët le të bëjnë ende si të marrë. Punë e tyre.  Milionerët le të rrinë të fshehur pa nxjerre zë, sikur deri dje mos të ishin të zhurmshëm, me shpenzimet e tyre marramendëse, me mburrjet e tyre për gardëroba milion-dollarësh.  Vrima e miut 300 grosh është sot për këto milionerë mburravecë që e kanë harruar krejt çfarë është altruizmi, bujaria e humanizmi. Mbledhësit e milionave nuk do ishte keq të kishin dhënë gjysmën e pasurive të tyre për të shpëtuar njerëzimin, por siç po shihet nuk po e bëjnë. Nuk mjafton që e shohim që një pjesë e botës është zhytur në mjerim, por këta bëjnë kinse nuk janë këtu, por në një planet tjetër. Po këta nuk kanë as mëshirë, as bujari, as humanizëm. Ku janë listat e milionerëve të revistës FORBES. Deri para epidemisë botoheshin emra të mburrur për pasuri përrallore. Paratë atyre ua ka dhënë populli, duke parë koncertet e tyre, filmat e tyre, duke blerë mallrat e tyre,  duke punuar për ata, mirëpo milionerucët tani janë fshehur e numërojnë të vdekurit nëpër lajmet e botës, pa e vrarë mendjen se shpëtimi vjen nga shkenca, e shkenca që të zhvillohet për të mirën e njerëzimit do para, e paratë janë të ndara shumë keq, por jo për faj të tyre sigurisht, por të indiferencës së shtetit që si rregullator lë pa përkujdesje një garë të shfrenuar shoqërore dhe ekonomike ku i pasuri vazhdon të pasurohet pafundësisht e i varfëri të varfërohet tmerrësisht. E pra të dy palët paguajnë taksa. Të dy palët e mbajnë mbi shpatulla shtetin. Veç njëri mbret i pangopur në përfitime e tjetri Sizif kryelartë e fatkeq. Mirë është që njerëzimi ti thërrasë mendjes e shumë gjëra, siç thotë këto ditë edhe politologu amerikan Henry Kisinger, pas pandemisë bota të nisë ti bëjë ndryshe. E kjo nuk ka të bëjë me ide socialiste, siç mund të thotë ndokush (mos e thëntë Zoti rrafshimin e vlerave), por me funksionin rregullator të shtetit para të cilit të gjithë qytetarët janë të bababartë e meritojnë të njëjtën përkujdesje. Kësisoj shteti të ndjekë parimin se të gjitha gishtat e dorës dhëmbin njësoj. Një reformim i madh duhet veçmas në fushën e shëndetit publik, se jemi në luftë, armatimet e bombat nëpër depo flenë, por na mungojnë instrumentat mjeksore, që janë padyshim arma më efikase e kësaj lufte që duhet me çdo kusht ta fitojmë. Jemi në një botë morti dhe unë kam hequr dorë e i shmangëm çdo vështrimi politik në problematikat që na dalin përpara. Sepse jemi në kohë të mbijetesës. Nuk di askush çfarë është e nesërmja. E di se mjaft pasionantë që përqendrohen zellshëm nën ombrellën e konflikteve partiake politike, mund të mos kenë të njëjtin mendim e të më thonë se po i shërben këtij apo atij protagonisti politik e aspak karizmatik. Por gjithsesi dëshiroj të shprehem, të them se i gjithë përqendrimi duhet të jetë, sipas meje, për të ruajtur ekzistencën si popull, Ky është imediati historik i këtyre ditëve. Nuk ka pikë rëndësie kush është në qeveri e sundon e  kush është në opozitë e turfullon. Se aty-aty  janë. Një okë e pak, një okë pa pak, siç thotë populli. Rëndësi ka të organizohemi mirë. Të jemi më homogjen e më të  ndërgjegjshëm se jemi përballë një katastrofe. Përpara një zinxhiri vrasës që me vullnet të mirë e fare pak sakrifica mund ta përballojmë. Duhet ta këpusim atë zinxhir fatal, ta këpusë secili nga ne duke u shmangur nga infektimi. Se shumë kush me moskokëçarje mund të bëhet një hallkë e linjës vrastare e t’ia çojë njeriut të vet të dashur. Duhet të gjithë bashkë të punojnë në një qëllim. Nëse dështojmë të gjithë bashkë, a veç e veç, pasojat e përgjegjësit do të jenë të mëdha për ne të gjithë. Nuk i shmanget gjyqit të ndërgjegjes askush. Ne kemi qeshur me formulime të tilla si “një për gjithë e të gjithë për një”, por erdhi koha ta vlerësojmë këtë shprehje se është një praktikë shpëtimtare. Çfarë e shtyu mjekun Dhimitër Kraja të lerë qetësinë e pensionistit e të kthehet në frontin e luftës për mbrojtjen e jetës së njerëzve, atje ku punoi 48 vjet? Pikërisht kjo ndjesi. U infektua, u rrezikua, por  mrekullisht shpëtoi. Por gjithsesi ja vlejti sakrifica se na e konkretizoi humanizmin, e bëri më të pranishëm mes nesh, sepse për humanizmin flasim shumë, por e gjejmë në praktikë fare pak. Dhe të mos harrojmë se pas çdo lufte janë bërë gjyqe të atyre që i çuan popujt në katastrofë. E kurrsesi nuk dua të besoj se, shkaktarët e kësaj gjëme, pandemie, por edhe ata që e nënvleftësuan, nuk do të jenë pa pasoja e pa gjyqin moral publik. Shteti që është rregullatori i jetës së qytetarëve duhet të jetë me kapacitete të plota, me ekonomi të fortë e më i pasur e të mos vidhet, por gjithashtu të shpenzojë me shumë për nevojat e shërbimit publik. Si ka mundësi që ne nuk kemi veç dy-tre spitale shtetrore në Tiranën që i afrohen 1 milion banorëve, gati gjysma e popullsisë së shtetit përqendruar në një qytet. Si ka mundësi të kemi makina ambulance në gjendje të tillë që nuk transportohet as bostanet, specat e domatet e jo më njerëzit, ndërsa qeveritarët porosisin makina të reja milionëshe? Pse nuk vihen makinat e qeverisë në dispozicion të spitaleve e urgjencave në këto ditë pandemia e shtetrrethimi? O Zot sa pyetje mund të bëhen në këtë vend. Por askush nuk zoritet të jap një përgjigje. Madje as Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që mesa shihet mbahet kot, para të humbura,  sepse nuk kemi asnjë veprim të fortë denoncues për korrupsion, kur këtu paratë villen me galop e me thasë. Pse shteti ti japi koncesione spitaleve private, të cilat punojnë me çmime të kripura mbi aftësitë paguese të qytetarëve, të punësuar qofshin apo pensionistë. Po sa para nxirren nga kromi, nga nafta, nga pasurit tjera minerare. Ku shkojnë këto para. Pse nuk bëhen publike shpenzimet e shtetit. Po të ishin te dhënat publike a do të kishte mundësi të kaparoheshin nga duar e zgjatura të korrupsionit që gjenden ngado. Pse duhet të bëjmë Check Up shëndetësor te një person privat, që qytetarët as nuk e bëjnë fare, por ai (ajo) merr miliona euro. Me ato para mund të ndërtoheshin edhe tre a katër spitale moderne. Ka diçka që nuk shkon në këtë vend. Asnjë parti që vjen në pushtet nuk jep llogari e as mban përgjegjësi për veprimet e veta financiare që e dëmtojnë mirëqenien e popullit e punojnë në favor të klaneve, oligarkëve, quajini si ti doni, por janë brejtës të pasurive kombëtare e shkaku kryesor për varfërimin e popullit. Për frymë të popullsisë, në bazë të pasurive natyrore, jemi populli më i pasur në Ballkan e më gjerë. Por në të vërtetë realisht jemi më të varfërit e Europës. Pse? Kush duhet ti përgjigjet kësaj pyetje. A mund të përgjigjen sadopak ata të kinse Kontrollit të Lartë të Shtetit që ngrohin vezët nëpër zyra shteti. SPAK-u duhet të mbaj shënim për gjithçka që ndodh në këtë vend dhe kur kjo furtunë e zezë të ketë kaluar, të verë përgjegjësit e zullumeve me shpatulla pas muri. Edhe ai apo ajo që ka marrë miliona me këto Check Up-et fiktive, që dreqit nuk i duhen gjë, ti kthejë një për një paratë e popullit. Ka ardhur koha që gjërat ti shohim ndryshe, të luftojmë si bashkësi që asnjë lek i popullit të mos shpërdorohet, por të ketë efikasitet e të shkojë në shërbim të tij. Ka ardhur gjendja aty ku më nuk mban. Fatkeqësi pas fatkeqësie. Varfëri pas varfërie. Duhet kaluar kjo furtunë e zezë që na gjeti të papërgatitur e të vjedhur njëkohësisht, që të nisim gjithçka me një mendësi të re. Të mos jemi indiferent ndaj fenomeneve të tilla që në Shqipëri të gjithë pushtetarët e të gjitha partive mjerisht e poshtërsisht, kanë guxuar ti bëjnë pa u hyre ferrë në këmbë. Për çfarë parashtrova nuk ka të bëjë me politikën në kuptimin e përkatësisë se krahëve të dallaveraxhinjve që kanë veshur petkun e politikanit, por këndvështrimi i problemeve në interes të popullit e të përparimit kombëtar. Zoti i shpëtoftë njerëzit e pafajshëm nga kjo gjëmë e zezë që ka pllakosur botën, por edhe nga politikanët e papërgjegjshëm që e vjedhin dhe e rrjepin popullin si të ishte një popull i huaj nën pushtimin e barbarëve!

5 prill 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, Ra ky Mort

FENOMENI ÇILI DHE VEMJET INTELEKTUALE QË MBANTE ME BUKË

February 29, 2020 by dgreca

Nga Kolec P. Traboini/

        Le të paraqesim një vështrim ndryshe nga mediokriteti mediatik dhe kastat sunduese, të cilat pompojnë mediat me gërvima si teneqe të prishura për rastin e një arrestimi të bujshëm që më kujton shprehjen “Moj këmborë e madhe, qumështi gjysmë okare!”

Rasti Henry Çili, pronar i Universitetit Europian të Tiranës dhe botues i gazetës MAPO (në mjaft raste kritike e veprimeve të qeverisë socialiste), i arrestuar nga policia për tentativa korrupsioni të zyrtarëve të lartë të drejtësisë, pastrim parash e tjera llogje prokurorësh provincialë, është krejt ngjashëm si në një roman të famshëm të Honore De Balzakut “Iluzionet e humbura”. Një provincial me emrin Lysien Shardon kërkon të sfidojë qarqet e larta e shoqërinë mondane parazite në Paris; por krimbat parisienë e shfrytëzuan, e hëngrën, e varfëruan dhe e bënë për gijotinë.

       Henri Çili, ky emër ndërruar për lavdi, që ëndërronte të futej në rrethin e fisnikërisë intelektuale, ky Lysien Shardon shqiptar,  ato 750 mijë euro që do merrte nga një fshatar fatkeq nga Lazarati (që kërkonte të lehtësonte sadopak dy djemtë e vet në burg për vrasje),  nuk i donte për vete. Çili mbante një profesorat me bukë, ndër ta deputetë e njerëz të politikës së lartë, funksionarë partish, kalemxhi gazetash e portalesh, sofistë, deri dhe ish ministra, të cilëve ua botonte librat dhe u jepte para nga ai thesi,  që policia e quan në daljet e veta publike “para të pista”. Gruri i pistë pra paskan bërë bukë të bardhë për llafeologët e Tiranës. E këta e morën në qafë. A e dini sa thjeshtë vishej Çili? E keni parë nëpër Tiranë, apo në veprimtari kur bënte ato konkurset e letërsisë? Ashtu siç vishen sot në të gjithë fshatrat, apo njerëzit e thjeshtë në qytet, pa asnjë tendence për tu dukur, kur, ata që mbante me bukë, pedagogë-demagogët pra, pispilloseshin, ngrefoseshin e kakarisnin si gjeli mbi mullar të bajgave, veçmas nëpër panelet televizive, ku i jepet mend gjithë botës nën shembullin e ndritur të gjithologut tonë lavdimadh e mendjengecur. Ambicia e Henry Çilit nuk qe pasuria, por hyrja në rrethin e të zgjedhurve, në hollet e famës të këtij kryeqyteti këtu në një provincë të Europës, ku populli rron në breg të detit e në kulm të mjerimit. E ka thënë Noli aq mirë… Pra atij i duheshin parat për tu bërë i zgjedhuri i shoqërisë së lartë, i vip-rripave të Tiranës,  ku nuk mund të hysh aq lehtë nëse nuk je në agjendën e kryeujqërve të këtij vendi. Çili punoi e gaboi (nëse vërtetohet korrupsioni) për tu siguruar mirëqenie vemjeve intelektuale, të cilat dhe po e groposin sepse Çilit i mbaruan paratë. Kish kohë që thoshin është trokë. Mbyll gazetën e hap gazetën. Kësisoj lëkura e tij vlente vetëm për propagandë leshiste, kinse luftohet krimi në këtë vend, ku regjistrohen deputetë e ministra në bashkëpunim me njerëzit e hurit e litarit në vjedhje votash. Ku kriminelët, kryetar bandash, që kanë vrarë me dhjetëra njerëz, të dënuar për krimet me burgim të përjetshëm, lirohen dhe i punësojnë në Bashki. Hajt pra se po dënohet Çili. Të zërë vendin e atij kryekriminelit që u lirua nga burgimi i përjetshëm për vrasje të shumëfishtë dhe u punësua në Bashki.  E nga kush do dënohet? Nga vetë kriminelët aspak më të mirë se Çili që e anatemojnë pasi e ropën

Pyetjen se me kë po e bënte aferën e korrupsionit në drejtësi Henry-Naim Çili, mos e bëni se ai ( emri i të cilit nuk thuhet), po punon natë e ditë për reformën në drejtësi, ky yll karvani që kurrë s’po ndrin.

“Jalla shofero,  ku je tue shkue?!” thotë populli i thjeshtë në një këngë të vjetër vulgare mejhanesh. Gjithologu në timon nuk përgjigjet se mban mbi supe peshën e rëndë të gjithë globit, si Anteu…maje plehut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fenomeni Cili, Kolec Traboini

SHKODRA, MALËSIA E MADHE DHE MIRDITA

October 5, 2019 by dgreca

Trinia e shenjtë e trevave veriore /

Nga KOLEC P. TRABOINI/ Kur je mirditor je ndopak shkodran, por kur je malsor nuk mundesh mos me kenë –  e nisa kësisoj, me një lloj aforizme që më lindi në krye të këtij shkrimi, sepse ka njerëz në këtë botë shqiptare, që si dje, sot e pse jo edhe nesër, flasin e do të flasin si t’u vijë mideja, stomaku apo oreksi, shpreheni si të doni këtë fenomen degradues. Duke qenë lokalistë të sëmure, disa nxjerrin në sipërfaqe të llomotitjeve moçalore virtuale veç eksese në marrëdhëniet ndërkrahinore. Merren me ngjarje të vogla, sipërfaqore,  pa asnjë peshë në jetën e një kombi  dhe u japin konotacione negative historike. Ka plot të tillë dhe janë shtuar në mënyre të mnershme. Duket që dikush, nga jashtë në këto treva ilirike, derdh miliona euro-dollarë në xhepat e plëngprishësve për ti parë shqiptarët si një popull nomad, një popull i armiqësuar mes vedit, që për këtë shkak nuk dinë as të vetëqeverisen. E ka thënë dikur Kol Jakova, shkrimtari shkodran që me keqardhje them se sot nuk e kujton askush,  “Parja e huaj e shkreta”. Mirëpo dikujt, në aleancën e shtriganëve antishqiptarë,  e vërteta e mirëkuptimit mes shqiptareve u prish punë, sepse ajo është si një kandil drite në terrinën ku ndodhemi, jo nga dëshira por nga prapambetja. Se në të vërtetë ende jemi në errësirë, kryekreje në errësirën e mendjes mbetur peng i haraçeve të së kaluarës. Kur të nisësh të presësh dru në pyll, sopatën kape mirë nga bishti, e jo, siç ndokush mbrapsht na mëson. Kësisoj di të them se eksese ka në çdo bashkësi në botë, por kurrkush nuk e tipizon një popull a një komb me këto. Nuk ka stive pa një dru të shtrembër, natyrisht. Nuk ka pyll pa derra thotë populli. Dhe kot nuk e thotë. Edhe brenda një familje, e jo ma në mes të dy krahinave, të mos ketë ndodhi të papëlqyeshme. Por me çfarë di e me çfarë kam pa e ndigju, ma shumë ngatërresa ka pas mes vetë shkodranëve të qytetit, vendalive pra, se sa shkodranëve e mirditorëve, që përkundrazi, Shkodrën e kanë pas si qytetin e vet shpirtëror, krenaria e mbarë veriut e me gjërë. Edhe legjenda e zezë e ngritur për tradhti të Markagjonëve ndaj Dedë Gjon Lulit, që dikush e pompon zhurmshëm edhe sot e kësaj dite,  është diç më shumë se një mentalitet krahinor, është një manipulim historik. Nuk dua ti hyj hollësive, por të them ma të qenësishmen. Dihet në interes të kujt krijoheshin këto stigmatizime historike; që krahinat e Veriut të ishin të përçara dhe të mos kishin qëndresë përballë  murtajës së zezë a të murtajës së kuqe. Pastaj, kryekreje tradhtinë ma të madhe dhe vrasjen e Dede Gjon Lulit e bëri Europa, ajo kurvë plakë, historiko-histerike (nuk dua ta aktualizoj të kaluarën, por ndërgjegjja duhet të vazhdojë ta vrasë), që pa asnjë motiv e pa asnjë arsye historike e ndau Hotin përgjysmë. Vrau krahinën që për trimëri e urti ishte në ballë të kuvendeve shqiptare të Malësisë së Madhe. E preu në mes Malësinë për të mekun qëndresën e shqiptarëve.  Sot kalamenden shumë për Francen, kinse të na mbushin mendjen se jemi popull frankofon e jo viktimë e pamëshirës së saj,  por historia që na djeg nën lëkurë na tregon se ajo ishte kryekurva. Me misionin e perversitetit politik, Franca ishte mentoria e serbëve, vrasësve të popullit shqiptar. Prandaj të mos ngulmojmë të kërkojmë armiq mes vetes vend e pa vend, por të gjejmë motive në histori që na njëjtësojnë si popull e si komb. Të mos e ndajmë nga mendja mendimin se, Bashkimi Shqiptar mund të jetë sot një ide e cila duke u ushqyer me atdhedashuri në mënyrë të përditshme, bëhet dëshirë përvëluese e duhet ta mbajmë në gjoks siç mbahej dikur prushi në hi për të bërë zjarr të nesërmen. Në këto troje kështu kemi bërë që në kohët e lashta pellazgjike e të vazhdojmë ta mbajmë vatrën bashkimit kombetar ndezur. Dikush do të thotë nuk duam zjarr e prush po duam me pa botë me sy se po lëbyremi nga shkëlqimi i huaj. Le ti mbajmë e harmonizojmë të dyja këto dëshira. Hebrenjtë e ndërtuan shtetin e Izraelit së pari në mendjet e zëmrat e veta për 2500 vjet, hapërda nëpër tërë skajet e botës, nëpër ëndërrime brezash,  nëpër travaja e lotë gjaku, deri sa erdh çasti fatlum, i cili të shfaqet nëse këmbëngul në kërkim e përkushtim të pa trandur.   Mendjet e kthjellëta, me zemër kombëtare e dashuri për vendlindjen, duhet të dinë të ndajnë të mirën nga e keqja historike, të dobishmen nga e dëmshmja. Se që ta kthjellojmë mendimin, brenda krahinës së të parëve të mi, Hot, edhe për këtë bash të trimërisë e të besës malësore, dalin shpifës të përjargur që thonë se kinse Gjergjin, djalin e vogël të Dedë Gjon Lulit, nuk e kanë vra turqit në luftën e Tuzit, por e kanë qëlluar të vetët prapa krahëve. E dihet mirë se ku po u rreh çekani këtyre sajuesve të historisë sipas stilit komunist hoxhist në Shqipëri apo shovenist titist në ish Jugosllavi. Ka plot sajesa të tilla, ka plot njerëz që, për paret e huaja të shkreta apo nga terrina e mendjes, përhapin në popull histori që na ndajnë e na përçajnë sa me ju dhimbtë gurit e drunit. “Kjoft mallkue kush qet ngatërrime/ ndër kta vllazen shoq me shoq, /kush e ndan me fjal e shkrime,/ çka natyra vetë përpoq”- shkruante i madhi Ndre Mjeda. Nuk mbetet veç të them, Amen! Si konkluzion i natyrshëm mund të them se ka qenë fat i madh për Shkodrën si qytet, që ka pas shpatulla të mbrojtura nga Malësia e Madhe e deri në Dukagjin e Nikaj Mërtur dhe krejt afër nga Mirdita. Fat historik jetik e shpëtimtar, për të cilin fjalët e mirënjohjes duhej të shkruheshin në një monument me gërma të arta. Ka 2500 vjet që Shkodra mbijeton si mbretëreshë, falë maleve që i rrinë si një aureolë lavdie e përjetshme. Tetor 2019

Mine coins – make money: http://bit.ly/money_crypto

Filed Under: Histori Tagged With: Kolec Traboini, Kolec Traboini-Shkodra-Mirdita-Malesia e Madhe-Trinia

AROMË SHKODRE

February 14, 2019 by dgreca

1 I biri Karmeles

Përsiatje vetjake duke lexuar rrëfimet e jetës të muzikantit Karlo Radoja./

Nga Kolec TRABOINI/

Duke e lexuar librin e Karlo Radojës, me të cilin jam moshatar, le e rrit në të njëjtin qytet, ve re se rrethanat e jetës na kanë vu disa herë në të njëjtën hulli pa u njohur nga afër. Karlo ka qenë në Liceun Artistik Tiranë, e në atë konvikt të liceut të vjetër ku një vit ma vonë kam shkuar edhe unë, atbotë në Shkollën Pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka”. Kemi qenë në një kohë në shkollë në Tiranë e shumë njerëz që përmend në kujtimet e veta kanë qenë miqtë e koleget e mi, si ta zëmë muzikanti Robert Radoja, apo këngëtari i paharruar Tonin Tershana. Ky i fundit në atë kohë ishte në Shkollën e Kulturës, flitet për vitin 1964, tek kazermat e Ali Rizait, Qyteti i Nxënësve. Banonim në të njëjtin konvikt me Toninin, deri sa një ditë më takoi e me tha, po iki nga shkolla e u kthye në Shkodër.

Në librin me kujtime të Karl Radojës e gjeta Tonin Tershanën në kohën kur ishte në Estradën e Ushtarit, ndërsa Karlo në Orkestrën e Ansamblit të Ushtrisë. Rrethanat e kanë dërguar Karl Radojën mësues muzike në Tropojë, pikërisht në atë kohë, 1967, unë kam qenë ushtar në atë vend. Ka punuar në Fabrikën e Cigareve ndërsa unë përballë, tek Kombinati i Drurit, krejt saktë Fabrika e Fibrës ku kishim inxhinier të paharruarin Bujar Bedalli.

Shumë nga njerëzit që përshkruan Karlo në rrëfimet e jetës së tij, po e përsëris, i kam njohur, dhe ve re ka arritur me vërtetësi të përcjellë jetën e atyre viteve, veçmas 1970-1990. Janë ngjarje të shumta, e për shkak të shkollimit si muzikant i ka qëlluar të jetë shumë afër në gëzimet e njerëzve, në dasmat e shkodranëve. Jeta e tij me kujton jetën e Kol Idromenos në rini, kur bashkë me motrën Tone shkonte nëpër dasma e gëzimet e familjeve shkodrane; ai, Kola, si instrumentist dhe e motra si këngëtare. Kësisoj jeta qytetare (më vjen ndërmend në këtë çast njeri ndër muzikantët popullore më pikantë, Pjetër Gjini, që përmendet me admirim në këtë libër),  vinte pra me një ripërtëritje nëpër breza duke krijuar një traditë të mrekullueshme në familjet shkodrane. Ndoshta si askund tjetër

Ka ngjarje, kujtime personale e familjare por edhe marrëdhënie me njerëz të tjerë në kushtet e jetës e privimeve së asaj kohe. Mënyra e përshkrimit më pëlqen sepse nuk ka asnjë stisje letrare. I qëndron të vërtetës, janë kujtime të thjeshta e jo biografi e letrarizuara; këtu qëndron merita dhe e bukura në këtë libër.

Ishte e natyrshme që njerëzit që e kanë rrethuar në ato vite të vështira, nuk e kanë pas të gjithë në të mirë, se kemi pas rreth nesh edhe njerëz që, me dashje apo pa dashje, mund të na kenë bërë ndoshta keq. Autori ka shënuar gjithçka që ka parë e ka ndjerë, si ka vepruar dhe çfarë ka pësuar. Kemi në faqet e librit të Karlo Radojes “I biri i Carmeles dhe i Ndocit” një regjistrim nga këndvështrimi i përjetimeve të thella personale. I përpiktë, me ngjarje e emra reale. Dhe mirë ka bërë në këtë drejtim. E kujt i vlejnë kujtimet ku gjithçka mund të duket e mirë dhe e bukur, kur jeta në të vërtetë mund të ketë qenë një ferr plot travajë. Po kjo natyrisht që nxjerr probleme. Se, kur unë shkrova një copëz kujtim mbi kohën e rinisë kur u ktheva nga ushtria, krejt troke e pa strehe, pa asnjë mjet jetese,  një drejtor ndërmarrje me gjithë rekomandimet që kisha nga Zina Franja – të cilës i kërkova ndihmë se të gjitha dyert e jetës i kisha të mbyllura, – ai drejtor pra, nuk më pranoi në punë. Më tregoi derën. Shko ku të duash po jo në ndërmarrjen time. I biri, që bashkë me babain, drejtorin e komunizmit tashmë jeton në Kanada, u ngrit e më kërkoi llogari me pretendimin se, “nuk ka qenë babai im kështu. E respekton gjithë Shkodra “- tha. Po mor zotni, Shkodra e respekton, por pa punë e pa strehë isha unë e jo ti. Pikërisht për këtë hezitojnë të shkruajnë kujtimet e veta artistët apo edhe njerëzit e thjeshtë.

Edhe sikur unë, autori i këtij shënimi,  ti kisha bërë ndonjë të keqe Karlo Radojës, të isha rrahur me të, ta zëmë, si bashkëmoshatarë rrugicash de, e ta shkruante në libër, nuk ka pse të më mbetej qejfi. Them kështu sepse po shoh ndonjë reagim të nxituar që e tejkalon dashamirësinë në leximin e një libri me kujtime personale të Karlo Radojës. Po marr një shembull edhe nga jeta ime, për të treguar se kujtimet nuk shkruhen për ti bërë qejfin këtij apo atij personi, i afërt apo i largët qoftë, por për të thënë çfarë i ka ndodhur në jetë njeriut, çfarë është përvoja e një jete. E në jetë ndodhin gjëra të bukura e të pabukura. Në faqet e librit lexova se mësuesi i letërsisë Ndrek Beni i ka futur një shpullë nxënësit Karlo Radoja, dhe ky i fundit ka shkruar për këtë. Ngjarje shkollash sigurisht. Mësuesit tanë kanë qenë të mirë (edhe unë e kam pas babanë Palok Traboini mësues e krenohem për këtë), ata kanë qenë vërtetë të drejtë e parimorë, por edhe të rrepte dhe e kanë pas dorën e gjatë. Përdornin edhe vizoren, si mësuesi im i pa harrur Kol Alimhilli. Ne i duam dhe e nderojmë kujtimin e tyre, por ashtu siç kanë qenë e jo të sheqerosur nëpër kujtime bajate. A duhet, ta zëmë, ti thonë autorit, pse ke shkruar për këtë apo atë ngjarje apo person në kujtimet e tua? Thashë me lart po zë një shembull edhe nga vetja ime. Krejt ngjashëm me ndodhinë e  nxënësit Karlo Radoja me mësuesin Ndrek Beni më ka ndodhur edhe mua me mësuesen e bukur e admiruar Gita Shllaku.
Mësuesja, për të cilën ende në Shkodër këndohet kënga e Gac Çunit  “Kaçurrelat e tua”,  kur isha në klasë të gjashtë më dha një paravesh, saktësoj, aspak për fajin tim, por të një nxënësi pas meje që me shqetësonte pas kurrizit me një maj pene. Po mësuese Gita nuk e pa atë, ndjeu reagimin tim kur po i thoja trazovaçit pas meje më lër rehat. Pse flet më tha, mësuesja, dil përpara klasës e me futi atë shpullën që me djeg edhe sot. Më tha ulu në bankë por unë dola nga klasa e nuk u ktheva kurrë më në shkollën ku ishte mësuese Gita. Ndoshta Lek Jana apo Luan Burgia, që përmendën në këtë libër, të cilët i kisha shokë klase disa vjet e mbajnë mend. Kjo është histori e vjetër dhe ka vlerë vetëm për kujtimet e mia personale të cilat nuk ka pse të mos i shkruaj. Më vonë kur isha rritur e kam takuar mësuesen në Gjuhadol, e plakur por mrekullisht ende e bukur.  Me pyeti e i thashë se kisha mbaruar Universitetin e tashme punoja ne Kinostudio e jetoja në Tiranë. Mbeti pa mend. Pastaj kemi qeshë të dy dhe më tha se ajo shpulla ime të paska dhanë të mbaren. Tani a duhet ndokush nga të afërmit e mësueses sime të më thotë pse ma përmende njeriun tim? Jo, se janë kujtime personale, e ato nuk kanë qëllim për të denigruar askënd, por për thanë të vërtetën sado vetjake, që fundja nuk i bëjnë dëm askujt.

Kështu edhe me kujtimet e Karlo Radojës, që në disa vende është e hidhur por kjo hidhësi nuk buron nga ai, as nga shpirti i tij, por nga ata që i kishte afër e ndonjë prej tyre ja kishte me të keq. Kam shkruar e botuar mbi tridhjetë libra, nuk më mungon përvoja, por them të drejtën më pëlqen shumë mënyra se si i ka shkruar kujtimet e veta muzikanti Karlo Radoja në librin “I biri i Carmeles dhe i Ndocit”.

Prej çdo libri, sado i thjeshtë e pa pretendime të jetë, mëson diçka, diçka që të nevojitët në jetë, kryekreje për të qenë vetvetja e jo të sheqerosësh realitetin, sepse kujtimet e jetës nuk shkruhen për të bubulluar, as për të çuditur të tjerët apo mikluar njerëz, por për të hyrë thellë në shpirtin e njeriut e për ta zbuluar atë në dritë të diellit. Do të përdorja një shprehje proverbiale latine, mbase e dalë nga goja e Jul Cesarit “Erdha, pashe, fitova!” – kështu ndodh kur lexon një libër të mirë me rrëfimet e jetës së një artisti.

Pasi lexova librin me kujtime të Simon Rrotës, bashkë me librin e Karlo Radojës, u mbusha me Shkodrën time të shekullit që shkoi, plot ngjarje e njerëz që, ani pse kurrë ma nuk kthehen, më erdhën aq pranë e nuk do të ikin prej meje kurrsesi. Kësisoj ndodh kur, një piktor i madh dhe një muzikant i njohur, që dinë çfarë është harmonia e ngjyrave dhe e tingujve, dinë njëjtësisht të përbashkojnë atë harmoni edhe me fjalën e shkruar në kujtimet e jetës së tyre me aromë Shkodre.

Filed Under: ESSE Tagged With: arome shkodre, I biri i Karmeles, Kolec Traboini

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT