Shënime nga karantina/ Nga K. P. Traboini/
Kisha në plan të udhëtoja për në Amerikë në fillim të Marsit, por që në shkurt kur mora njoftim se në Bergamo, Itali, vdiqën dy vetë, hoqa dorë se e parandjeva që linjat e avionëve ishin bërë çerdhe shpërndarje virusesh e askush nuk po u thoshte ndal linjave ajrore. E ma merr mendja se as i kanë dezinfektuar para apo pas çdo fluturimi. Më ka ndodhur jo pak herë që pas çdo udhëtimi për në Amerikë të kem probleme me shëndetin, në formë gripi apo diç tjetër. Nuk besoj në pastërtinë e mjedisit të avionëve të pasagjerëve. Ani pse biznes i madh. Para e madhe në xhepat e kompanive shumëkombëshe që në janar-shkurt, kur Vuhani po përvëlohej nga epidemia, as po e vrisnin mendjen se si të ndalohej përhapja e kësaj sëmundje të rrezikshme për njerëzimin. Të paktën ata të mos bëheshin mbartësit e saj nga një shtet në një tjetër. Nga një kontinent në një tjetër. Erdhi koha që u bë ndalimi por tepër vonë. Tërë bota u vonua. Tërë bota u infektua. Mungese përgjegjësie totale. Të mjerët italian e pësuan sepse nuk e imagjinuan stuhinë e vdekjes që po vinte në ketë vend të begatë njerëzish punëtorë duarartë, të gëzuar e jetëgjatë. Fati u solli të derdhnin më shume lot se askund tjetër ne Europën e lodhur e të përgjumur. Brenda një muaji, falë linjave të avionëve, tërë botës ju vu flaka, ju pllakosi vdekjen, duke krijuar një gjendje që askush nuk e di se si e kur do përfundojë e sa sa vdekje do te ketë akoma. Asnjeri nga ne nuk e di si do bëhet me veten tonë, do të jemi të gjallë apo të vdekur deri në stinën tjetër. Falë ndryshimeve të mirëqenies, nivelit të pastërtisë e përkujdesjes në raport me brezat e mëparshëm, mendonim se ishim jetë gjatë fatlumë, por krejt pa pritur stuhia e zezë që fryu nga Vuhani na kujtoi se mund të bëhemi edhe jetëshkurtër madje duke numëruar ditët. Këto përsiatje, herë me shpresë e herë pa pikë besimi se do na gjejë stina tjetër. Gjithnjë kur bluaja me vete, arrija në mendimin se duhet të jemi më të butë. Me të mirë e më të mirë kuptueshëm. Asnjë egërsi a mllef nuk na shpëton. Politikanët le të bëjnë ende si të marrë. Punë e tyre. Milionerët le të rrinë të fshehur pa nxjerre zë, sikur deri dje mos të ishin të zhurmshëm, me shpenzimet e tyre marramendëse, me mburrjet e tyre për gardëroba milion-dollarësh. Vrima e miut 300 grosh është sot për këto milionerë mburravecë që e kanë harruar krejt çfarë është altruizmi, bujaria e humanizmi. Mbledhësit e milionave nuk do ishte keq të kishin dhënë gjysmën e pasurive të tyre për të shpëtuar njerëzimin, por siç po shihet nuk po e bëjnë. Nuk mjafton që e shohim që një pjesë e botës është zhytur në mjerim, por këta bëjnë kinse nuk janë këtu, por në një planet tjetër. Po këta nuk kanë as mëshirë, as bujari, as humanizëm. Ku janë listat e milionerëve të revistës FORBES. Deri para epidemisë botoheshin emra të mburrur për pasuri përrallore. Paratë atyre ua ka dhënë populli, duke parë koncertet e tyre, filmat e tyre, duke blerë mallrat e tyre, duke punuar për ata, mirëpo milionerucët tani janë fshehur e numërojnë të vdekurit nëpër lajmet e botës, pa e vrarë mendjen se shpëtimi vjen nga shkenca, e shkenca që të zhvillohet për të mirën e njerëzimit do para, e paratë janë të ndara shumë keq, por jo për faj të tyre sigurisht, por të indiferencës së shtetit që si rregullator lë pa përkujdesje një garë të shfrenuar shoqërore dhe ekonomike ku i pasuri vazhdon të pasurohet pafundësisht e i varfëri të varfërohet tmerrësisht. E pra të dy palët paguajnë taksa. Të dy palët e mbajnë mbi shpatulla shtetin. Veç njëri mbret i pangopur në përfitime e tjetri Sizif kryelartë e fatkeq. Mirë është që njerëzimi ti thërrasë mendjes e shumë gjëra, siç thotë këto ditë edhe politologu amerikan Henry Kisinger, pas pandemisë bota të nisë ti bëjë ndryshe. E kjo nuk ka të bëjë me ide socialiste, siç mund të thotë ndokush (mos e thëntë Zoti rrafshimin e vlerave), por me funksionin rregullator të shtetit para të cilit të gjithë qytetarët janë të bababartë e meritojnë të njëjtën përkujdesje. Kësisoj shteti të ndjekë parimin se të gjitha gishtat e dorës dhëmbin njësoj. Një reformim i madh duhet veçmas në fushën e shëndetit publik, se jemi në luftë, armatimet e bombat nëpër depo flenë, por na mungojnë instrumentat mjeksore, që janë padyshim arma më efikase e kësaj lufte që duhet me çdo kusht ta fitojmë. Jemi në një botë morti dhe unë kam hequr dorë e i shmangëm çdo vështrimi politik në problematikat që na dalin përpara. Sepse jemi në kohë të mbijetesës. Nuk di askush çfarë është e nesërmja. E di se mjaft pasionantë që përqendrohen zellshëm nën ombrellën e konflikteve partiake politike, mund të mos kenë të njëjtin mendim e të më thonë se po i shërben këtij apo atij protagonisti politik e aspak karizmatik. Por gjithsesi dëshiroj të shprehem, të them se i gjithë përqendrimi duhet të jetë, sipas meje, për të ruajtur ekzistencën si popull, Ky është imediati historik i këtyre ditëve. Nuk ka pikë rëndësie kush është në qeveri e sundon e kush është në opozitë e turfullon. Se aty-aty janë. Një okë e pak, një okë pa pak, siç thotë populli. Rëndësi ka të organizohemi mirë. Të jemi më homogjen e më të ndërgjegjshëm se jemi përballë një katastrofe. Përpara një zinxhiri vrasës që me vullnet të mirë e fare pak sakrifica mund ta përballojmë. Duhet ta këpusim atë zinxhir fatal, ta këpusë secili nga ne duke u shmangur nga infektimi. Se shumë kush me moskokëçarje mund të bëhet një hallkë e linjës vrastare e t’ia çojë njeriut të vet të dashur. Duhet të gjithë bashkë të punojnë në një qëllim. Nëse dështojmë të gjithë bashkë, a veç e veç, pasojat e përgjegjësit do të jenë të mëdha për ne të gjithë. Nuk i shmanget gjyqit të ndërgjegjes askush. Ne kemi qeshur me formulime të tilla si “një për gjithë e të gjithë për një”, por erdhi koha ta vlerësojmë këtë shprehje se është një praktikë shpëtimtare. Çfarë e shtyu mjekun Dhimitër Kraja të lerë qetësinë e pensionistit e të kthehet në frontin e luftës për mbrojtjen e jetës së njerëzve, atje ku punoi 48 vjet? Pikërisht kjo ndjesi. U infektua, u rrezikua, por mrekullisht shpëtoi. Por gjithsesi ja vlejti sakrifica se na e konkretizoi humanizmin, e bëri më të pranishëm mes nesh, sepse për humanizmin flasim shumë, por e gjejmë në praktikë fare pak. Dhe të mos harrojmë se pas çdo lufte janë bërë gjyqe të atyre që i çuan popujt në katastrofë. E kurrsesi nuk dua të besoj se, shkaktarët e kësaj gjëme, pandemie, por edhe ata që e nënvleftësuan, nuk do të jenë pa pasoja e pa gjyqin moral publik. Shteti që është rregullatori i jetës së qytetarëve duhet të jetë me kapacitete të plota, me ekonomi të fortë e më i pasur e të mos vidhet, por gjithashtu të shpenzojë me shumë për nevojat e shërbimit publik. Si ka mundësi që ne nuk kemi veç dy-tre spitale shtetrore në Tiranën që i afrohen 1 milion banorëve, gati gjysma e popullsisë së shtetit përqendruar në një qytet. Si ka mundësi të kemi makina ambulance në gjendje të tillë që nuk transportohet as bostanet, specat e domatet e jo më njerëzit, ndërsa qeveritarët porosisin makina të reja milionëshe? Pse nuk vihen makinat e qeverisë në dispozicion të spitaleve e urgjencave në këto ditë pandemia e shtetrrethimi? O Zot sa pyetje mund të bëhen në këtë vend. Por askush nuk zoritet të jap një përgjigje. Madje as Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që mesa shihet mbahet kot, para të humbura, sepse nuk kemi asnjë veprim të fortë denoncues për korrupsion, kur këtu paratë villen me galop e me thasë. Pse shteti ti japi koncesione spitaleve private, të cilat punojnë me çmime të kripura mbi aftësitë paguese të qytetarëve, të punësuar qofshin apo pensionistë. Po sa para nxirren nga kromi, nga nafta, nga pasurit tjera minerare. Ku shkojnë këto para. Pse nuk bëhen publike shpenzimet e shtetit. Po të ishin te dhënat publike a do të kishte mundësi të kaparoheshin nga duar e zgjatura të korrupsionit që gjenden ngado. Pse duhet të bëjmë Check Up shëndetësor te një person privat, që qytetarët as nuk e bëjnë fare, por ai (ajo) merr miliona euro. Me ato para mund të ndërtoheshin edhe tre a katër spitale moderne. Ka diçka që nuk shkon në këtë vend. Asnjë parti që vjen në pushtet nuk jep llogari e as mban përgjegjësi për veprimet e veta financiare që e dëmtojnë mirëqenien e popullit e punojnë në favor të klaneve, oligarkëve, quajini si ti doni, por janë brejtës të pasurive kombëtare e shkaku kryesor për varfërimin e popullit. Për frymë të popullsisë, në bazë të pasurive natyrore, jemi populli më i pasur në Ballkan e më gjerë. Por në të vërtetë realisht jemi më të varfërit e Europës. Pse? Kush duhet ti përgjigjet kësaj pyetje. A mund të përgjigjen sadopak ata të kinse Kontrollit të Lartë të Shtetit që ngrohin vezët nëpër zyra shteti. SPAK-u duhet të mbaj shënim për gjithçka që ndodh në këtë vend dhe kur kjo furtunë e zezë të ketë kaluar, të verë përgjegjësit e zullumeve me shpatulla pas muri. Edhe ai apo ajo që ka marrë miliona me këto Check Up-et fiktive, që dreqit nuk i duhen gjë, ti kthejë një për një paratë e popullit. Ka ardhur koha që gjërat ti shohim ndryshe, të luftojmë si bashkësi që asnjë lek i popullit të mos shpërdorohet, por të ketë efikasitet e të shkojë në shërbim të tij. Ka ardhur gjendja aty ku më nuk mban. Fatkeqësi pas fatkeqësie. Varfëri pas varfërie. Duhet kaluar kjo furtunë e zezë që na gjeti të papërgatitur e të vjedhur njëkohësisht, që të nisim gjithçka me një mendësi të re. Të mos jemi indiferent ndaj fenomeneve të tilla që në Shqipëri të gjithë pushtetarët e të gjitha partive mjerisht e poshtërsisht, kanë guxuar ti bëjnë pa u hyre ferrë në këmbë. Për çfarë parashtrova nuk ka të bëjë me politikën në kuptimin e përkatësisë se krahëve të dallaveraxhinjve që kanë veshur petkun e politikanit, por këndvështrimi i problemeve në interes të popullit e të përparimit kombëtar. Zoti i shpëtoftë njerëzit e pafajshëm nga kjo gjëmë e zezë që ka pllakosur botën, por edhe nga politikanët e papërgjegjshëm që e vjedhin dhe e rrjepin popullin si të ishte një popull i huaj nën pushtimin e barbarëve!
5 prill 2020