• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A KANË GREKËT LIGJ LUFTE ME ITALINË?

January 24, 2018 by dgreca

Çfarë duan varret e pushtuesve grekë në Shqipëri?/

1 Kolec Traboini3

Nga KOLEC TRABOINI/

Një takim tre ditor i mbyllur u zhvillua në Korçë në mes të dy ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë. Duke e marrë me mend se ministri që përfaqëson Shqipërinë në këto bisedime nuk ka nxjerrë zë sa i përket të vërtetave të dhimbshme historike, do të kishim dashtë që ministrit grek ti shtroheshin disa pyetje. Ta zëmë: A kanë e në agjendën e vet ende politikanët e Greqisë ligj lufte me Italinë? Po me Gjermaninë… Meqë e paskan ende ligjin e luftës me Shqipërinë që kurrë nuk ka bërë ndonjë luftë pushtuese në histori.

Si mund të ketë ende në fuqi ligj lufte në mes të dy vendeve të Natos, të Bashkimit Europian do të ishte pyetja tjetër? Si mendoni se ka akoma ligj lufte në mes të Francës dhe Gjermanisë….Bah….Grekët me të vërtetë janë të çmendur, ndërkohë që politikanet tanë janë debila. Me plot kuptimin e fjalës.

Ne vërtetë u këndojmë trimërive e legjendarizojmë historinë, por nuk besoj se ka një komb tjetër të ketë pasur politikanë e shtetarucë më tradhtar të poshtër se kjo e mjera jonë Shqipëri. Prandaj jemi humbës në histori. Cili vend në Europë ka humbur më shumë territore se Shqipëria dhe cili vend tjetër ka pushtuar më shumë territore të tjera se sa Greqia.Territore shqiptare sigurisht.

Pse vazhdojmë të jemi humbës edhe sot e kësaj dite? Në Kosovë do ti japin troje shqiptare Malit te Zi me të ashtuquajturin demakracionin i vijës se kufirit. Veç për ca viza në pasaportë. Mjerim. Por edhe turp gjithsesi. Politikanet europianë këndellen. Këndej do ta mbushim Shqipërinë me varre greke. Na u shpifën me këto varre ne këto dy pëllëmbë tokë që na kane lënë si Atdhe pasi na gjymtuan e grabitën gjysmën e trojeve shqiptare. Po fundja Le ti marrin kockat e të vrarëve të vet në tokën e vet se nuk kanë rënë për Shqipërinë e shqiptarët po për Greqinë ne atë kohe lufte, duke e bërë Shqipërinë e pushtuar fushëbeteje për interesa e veta shovinistë. Pse nuk e dimë ne që çakejtë e Athinës kërkonin Vorio Epirin kur Epiri i Jugut ishte territor historikisht shqiptar. Ndërkohë viktimat e Çamërisë nuk kanë varr në trojet e veta të lashta. Pse nuk e ngremë zërin për Gjenocidin grek ndaj shqiptareve. Për masakrimin e burrave e grave, fëmijëve e pleqëve. Nuk dinë të flasin diplomatët tanë?

Por heshtin si mumie. Se në Shqipëri ka ndodhur e paimagjinueshmja. Postkomunizmi ishte e vazhdon të mbetet një komunizëm i kamufluar aq ligsht që i shet interesat kombëtare. A mund të mendohej në 1991 se i biri i kuadrit të lartë të Enver Hoxhës, Sulejman Bushati do të bëhej Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe do të kishim kryetar parlamenti ministrin e brendshëm të diktaturës. Interesat e kujt do të mbrojë ai ministri i Sul Bushatit?! Jam i bindur se në takimin 3 ditor në Korçë ky pinjoll i komunizmit vetëm ka shituar interesat e Shqipërisë e shqiptarëve pa asnjë përfitim veç atij personal të klanit qeverisës. Padyshim sepse varret e ushtarëve pushtues greke anë e mban tokave shqiptare janë shitje të interesave kombëtare, një plan dinak afatgjatë brenda strategjisë shoviniste greke.

Po, po, këtu ka ndodh e paimagjinueshmja.

I shkreti popull në çfarë mjerimi ekonomik dhe intelektual ka rënë, një popull që edhe kur e rrahin dhe e poshtërojnë nuk e ngre zënë. Ja venë varrin e grekut që erdhi si pushtues si monument tek dera dhe shqipua hesht. Sa shumë po nguten brenda e jashtë Shqipërisë për ta shkatërruar e poshtëruar këtë komb. Këtë komb që ka zgjedhur si mjet lufte heshtjen pa e ditur se heshtja është humbësja më e madhe në histori.

Filed Under: Analiza Tagged With: A KANË GREKËT, Kolec Traboini, LIGJ LUFTE, ME ITALINË?

MITINGU I 10 JANARIT 1991

January 8, 2018 by dgreca

2 Kolec TraboiniJam i detyruar të dëshmoj sepse histeria e këtyre kryeministrave përvetësues të Mitingut të 10 janarit 1991, u përsërit edhe me 1 dhjetor 2017 në Parlamentin shqiptar. E pangopur kjo lukuni politike!/

Nga KOLEC TRABOINI/

Duke ditur se manipulimet e historisë janë arti i fallxhorëve të politikës, prej vitesh e kisha lënë në heshtje mënyrën e organizimit e zhvillimit të mitingut madhështor të krijuesve e intelektualëve të Tiranës në kapërcyell të vitit 90-91 kur ende diktatura mbahej në këmbë, mirëpo tani që ish-kryeministri i Shqipërisë e cilësoi si “mitingun tonë”, ndërsa kryetari i PS, tani në pushtet edhe ai nga ana e tij në librin e vet “Kurban” e konsideron si një miting partiak, unë edhe më tej nuk mund të hesht, sepse tashmë kjo heshtje do të ishte e pakuptimtë. Këta liderë partish janë në të drejtën e tyre të bëjnë kurban bëmat e veta gjatë këtyre dy dekadave, por jo të përsonalizojnë apo privatizojnë ngjarje në të cilat kanë qenë thjesht të ftuar e jo organizatorë. As njëri e as tjetri. Kanë aq shumë merita mbi shpatulla këta burra të telikosur shteti sa do të qe e pakuptimtë të rëndoheshin edhe si nistore mitingjesh të bëra prej të tjerëve. Mos vallë me këtë duan të nënkuptojnë se jashtë partive nuk ekzistonte asfare aspirate për liri e demokraci dhe se kurrkush tjetër veç partiakëve nuk mund të shkruajë histori?

Në librin që botuesja Arlinda Dudaj përcolli me eufori në mediat televizive, “Kurban” të Edi Ramës, kryetarit të opozitës së djeshme, thuhet tekstualisht: “…pak ditë më pas kur ( nënkuptohet Sali Berisha- shënimi im K.T.) donte të na pengonte Ardianin (Klosin), Kasemin( Trebeshinën) dhe mua të flisnim në mitingun ku për herë të parë u godit në fjalën time hapur në shesh figura e Enverit, te Stadiumi “Qemal Stafa”, ku na drejtoi gishtin në sy pa u mbledhur ende njerëzit duke na thënë se “ju s’mund ta merrni fjalën sot se s’kemi kërkuar leje në polici për ju…” Këtë pjesë libri botuar në gazetën “Panorama” viti X.Nr.3248 datë 28 tetor 2011, redaksia ose autori e kanë shënuar me titull: “Si më largoi Berisha nga mitingu i PD në `91”. Ne nuk dimë çfarë t`i themi Edi Ramës, as nuk mund t`i japim ndonjë këshillë, sepse ai është në majë të piramidës socialiste e tash edhe pushtetit e zor se i shkon zëri ynë aq lart, por gjithsesi e mira do të qe që ata këshilltarë që i mban me bukë, që mesa shihet janë të painformuar, nuk lexojnë as çfarë shkruhet në gazetat shqipe, apo në TVSH pikërisht për këtë informacion të gabuar që përcjell tek lexuesit e vet. Është shkruar në shtyp se Mitingu që përmend Edi Rama nuk është iniciuar e as organizuar nga PD dhe as ndonjë organ tjetër përpos se prej krijuesve të Kinostudios.Do ta shtjellojmë këtë ngjarje të para dy dekadave më me hollësi, por le të shohin se çfarë mendimi kanë për këtë çështje pala tjetër antagoniste e politikës konfliktuale shqiptare. Mesa duket për gjithçka janë në kundërshti këto dy forca politike që zotërojnë vendin, por në një gjë janë në një mendje, që mitingun e parë të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike janë bërë nga PD. Po të mos isha unë që e kam inicuar e organizuar ketë miting, padyshim që nuk do të kisha marrë mundimin t`i përgënjeshtroj këta dy burra kombi dy kryeministra të Shqipërisë që turp është të them se ma vodhën metingun. Mu ka mbush mendja top se në Shqipëri gjithçka vidhet, përderisa edhe mitingjet. Para se të hedhim dritë mbi këtë ngjarje, le të shohim çfarë thotë kryeministri i shkuar, që aso kohe ishte këmborë e madhe.

*      *      *

“Ky njeri, – thotë në një konferencë shtypi kryeministri Berisha për opozitarin e vet të kolltukut, Edi Rama, – do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur. E pashë drejt e në sy e i thashë: – kë duhet të varim? Ata, – më tha – Komitetin Qendror dhe Byronë Politike. Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike.”

Në pikpamje partiake e vetmja gjë që mund të them është si nistori edhe i formimit të degës së PD për Kinostudion, se as në atë kohë e as sot nuk kam qenë e nuk jam i mendimit se ne, veprimtarët e lëvizjes demokratike në terren, po formonin degët e partisë së liderëve të rinj. Ky nocion nuk ekzistonte në kokën time e të kolegëve të mi, sepse na ishte shpifur ideja e themeluesit të partisë komuniste dhe nuk na pëlqente të notonim në ato ujëra kultesh. Sa i përket bindjeve të mia, dhe besoj jo vetëm të mia, që i kam shprehur që në numrin 3 të gazetës RD, janar 1991, ku kërkoja heqjen e yllit të kuq nga Flamuri dhe kallëzave të grurit nga stema e Republikës, Partia Demokratike e atyre ditëve është formuar si një imediat historik, si parti e demokracisë dhe e kurrnjë individi të përveçëm në këtë vend të rënduar nga kulti gjysmë shekullor i individit. Kulti i Enver Hoxhës,(pse jo dhe i Zogut) i kishte lodhur aq shumë psiqikisht njerëzit (flas më tepër për intelektualët e jo turmat që nëpër tërë shekujt vetëm kanë brohoritur), saqë nuk kishim dëshirë të dëgjonim për liderë në ballë të tribunave. Por kjo çështja e personalizimit të partive, tashmë nuk është në preokupimin tim, sepse nuk bëj pjesë në asnjë prej tyre, kryekreje për faktin se nuk janë ato për të cilën mendoja se do të ishin. Le ta marrë mbi shpatulla kushdo që dëshiron të bëjë karrierë e të luftojë për mirëqenie e lavdi personale, sepse tashmë partitë janë leva Arkimedi për të marrë pushtetin dhe pushteti mjeti me të cilin mund të bëhen para me bollëk duke përdorur të dyja duart, në njërën duke mbajtur pankarta kolosale të luftës kundër korrupsionit, ndërsa në tjetrën duke mbushur xhepat e vet, ndërkohë që boshatisen xhepat e shtetit.

Që në atë kohë, soj-soj beniaminësh e ligavecësh të rinj të politikës, vinin rrotull dhe me lajka përpiqeshin të ngjiteshin në shkallët e pushtetit e mund të themi se ia arritën mjeshtërisht. Luftëtarët më të mëdhenj zë buçitës me bla-bla-bla oratorike gjatë daljeve nëpër podiume ishin komunistët, bijtë e rrethi i afërt i tyre, por edhe ish-spiunët e sigurimit. Ata më shumë se kushdo kishin nevojë të shfaqeshin si liderë të rinj dhe të mbulonin erën e keqe të së kaluarës së vet të palavdishme. Dihet që politikanët e interesit e jo të idealit janë si minjtë që braktisin të parët anijen që mbytet. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Minjtë e kuq nisën të zhargiten e llangosen blu. Kjo blujadë nuk ishte e vështirë të binte në sy. Kushdo që ishte ndryshe, që nuk kishte të tilla orekse, por vepronte thjesht nga dëshira për të parë popullin e lirë pasi të shembej komunizmi, e ndjente veten të huaj në mjediset e këtyre liderve të rinj që, kush e kush t’i ngrinte shpatullat më lart se njëri-tjetri. Koha e tregoi se lufta për pushtet që u bë në mes të liderëve të rinj të vetëquajtur demokratë, ishte aq e ashpër dhe e pa kompromis sa të duket se më shumë luftonin njëri-tjetrin se sa me farën e keqe të komunizmit, e cila vërtet ishte tek kuadrovikët e Partisë së komunistëve shqiptarë, por edhe këta liderë të rinj ishin të molepsur jo pak me sporet e kuqe. Tani le të shqyrtojmë shprehjen e kryeministrit që tekstualisht thotë: -“Ky njeri do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit”.

*      *      *

Biblioteka e Universitetit gjendet pranë sheshit që tashmë quhet “Nënë Tereza“ dhe nga pas ka stadiumin kombëtar. Tërë gjasat janë që Kryeministri Berisha t’i referohet jo mitingjeve të Partisë që e ka formuar ai, sepse nuk dimë të ketë bërë partia e tij ndonjë miting në atë shesh, përkundrazi më i spikaturi ka qenë mitingu madhështor i intelektualëve të institucioneve artistike të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Mirëpo nëse është fjala pikërisht për këtë miting, kryeministri është i paqartë sepse e personalizon. Madje shkon edhe më tej kur thotë se ky njeri, pra Edi Rama, atëbotë pedagog i Insitutit të Lartë të Arteve, paska shkuar në mitingun e PD-së. Përkundrazi, ishte kryepartiaku Sali Berisha që shkonte në atë miting ku Edi Rama ishte në mjedisin e vet prej intelektualësh të institucioneve artistike të kryeqytetit (anipse në mënyrë habitore edhe vetë Edi Rama në “Kurbanin” e tij e bën kurban këtë miting duka ja faturuar PD-së dhe duke ia mohuar vetvetes), çfarë tregon se të dy këta kanë rreth vetes këshilltarë të paaftë, sepse Kryeministri dhe Kryeopozitari ( tashmë anasjelltas) sjellin referenca të gabuara në Median Publike që vetë i kanë nën pronësi e vetë i quajnë kazan e hale.

Ai miting nuk ka qenë nisiativë e asnjë partie, ai është organizuar nga krijuesit e Kinostudios, por thënë saktë ka qenë nisiativa ime personale dhe nuk ka njeri që i del për zot kësaj pune veç meje. Po pse e bëra këtë? Sepse po vija re se pak intelektualë të institucioneve artistike të kryeqytetit po solidarizoheshin me partinë e re demokratike që sapo ishte formuar. Po krijohej përshtypja se intelektualët krijues ishin indiferentë, gjë që nuk ishte e vërtetë. Aq më tepër neve si kineastë na takonte të ishim nisiatorë për faktin se kushdo në Shqipëri e dinte sesi kolektivi krijues i Kinostudios e kishte përcjellë me bisht ndër shalë, sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë dhe anëtarin e byrosë politike, Foto Çami, sa u përhap fjala nga kuadrovikët e partisë diktaturë se në Kinostudio kish bërë fole armiku. Ndër veprimtaritë që kam zhvilluar ato ditë të fundit të dhjetorit 1990, ka qenë edhe hapja e një fushate ndihmash monetare për PD-në. Mblodha një grup punonjësish dhe kërkova të krijonim degën e PD-së për Kinostudion. Për këtë kam shkuar e takuar Azem Hajdarin, i cili e pëlqeu dhe e përkrahu idenë e krijimit të degës së PD dhe më pajisi me një autorizim të posaçëm me firmën e tij. Atë ditë që e kam takuar, e kam pritur gjatë të zyrat e PD në rrugën “Fortuzi”, sepse më thanë se është në një mbledhje tek Presidenti Ramiz Alia. Kur Mark Topallaj e pyeti për Sali Berishën, Azemi na tha se “Saliun e mbajti Ramizi në zyrë”. Vërtetë nuk jam në gjendje të vërtetoj se si e pse e mbajti në zyrë Ramiz Alia Sali Berishën dhe çfarë kanë qenë bisedat e tyre, por fjalët e Azem Hajdarit i kam dëgjuar me veshët e mi. Pra takime kokë më kokë Sali-Ramiz vërtetohen në mes të dhjetorit 1990. Deri me sot nuk kam lexuar askund rrëfime të Sali Berishës për këto takime të mbyllura e biseda kokë me kokë me diktatorin Ramiz Alia. Dua të sjellë në kujtesë edhe diçka, duke i parë lëvizjet e mia, sepse edhe Kinostudio ka patur të paktën 12 spiunë me “500”, dy oficerë sigurimi të veshur civilë, kanë shkuar në Kinostudio dhe kërkuan të më takojnë, por atë ditë kam qenë me xhirime jashtë Tirane. Kanë takuar drejtorin duke kërkuar prej tij të dhëna për personin tim. Viktor Gjika më ka thirrur e njoftuar se të kanë në sy të keq ata të Ministrisë së Brendshme, ndaj bëj kujdes për vetën dhe shtoi se u përpoqa sa munda të marr në mbrojtje. Pa patur parasysh këtë presion, vazhdova punën për formimin e degës së PD-së për institucionin tonë. Fotografitë e asaj dite janë ende në fondin e kameramanit Spartak Papadhimitri në Tiranë. Kjo sa për njoftim që të mos ngrihet ndonjë i vonuar, që ka hyrë në PD nja dhjetë vjet më pas dhe brenda natës na u gjend ministër e të na thotë ky i përkëdhelur i tarafit -“Po, ne s’të njohim fare”. Se këta, fillimin e historisë së partisë blu apo rozë e llogarisin nga dita kur kanë nxjerrë lugën nga brezi e kanë nisur të hanë mjaltë qeverisje sa janë dendur mirë.

Nga fundi i dhjetorit 1990 kam shkuar në Ministrinë e Brendshme dhe ata ma prenë shkurt se nuk japim leje për mitingje se ato janë ekskluzivitet i partive të miratuara me legjislacion prandaj të shkoni e të bëni kërkesën nëpërmjet tyre. Siç dukej ishin marrë të gjitha masat nga Partia Punës mbase në marrëveshje edhe me krerët e PD-s, që çdo veprimtari të mbikëqyrej duke mbyllur çdo shteg të iniciativave qytetare prej të cilave kishin frikë. Duke mos pas rrugë tjetër kam shkuar selinë e PD ku kam takuar një dibran që rrinte në holl si punë sekretari për informacionin me emrin Zenel Hoxha, sot është drejtues i Dhomës Shqiptare Britanike të Tregtisë dhe Industrisë (ABCCI). Zenel Hoxhës i kam kërkuar ndihmë që të nxjerrë një leje për zhvillimin e mitingut, për arsye se lejet për mitingjet nuk mund tu jepeshin drejtpërdrejte qytetarëve, por duhej të kalonin për tu vërtetuar nëpërmjet zyrave të partive. Zenel Hoxha më ka kërkuar të mbush një formular ku duhej të përshkruaja qëllimin e mitingut, ditën , orën, dhe kush do të ishin organizatorët që do mbanin përgjegjësi ligjore në rast incidentesh gjatë zhvillimit të tij. Pasi e kam mbushur e firmosur formularin me kërkesën për një miting krijuesish e intelektualësh të Kinostudios, më ka kërkuar edhe emrat e dy personave të tjerë që do të shënoheshin si garant në atë letër e që bashkë me mua do të ishin përgjegjës para ligjit për zhvillimin e mitingut, fjalët e tij. Kërkesë që ai me emrat tonë do ta paraqiste në Ministrinë e Brendshme. I kërkova ndihmë regjisorit Mark Topallaj që u shpreh i gatshëm ta firmoste. Duhej edhe një i tretë, të cilin duke mos patur mundësi ta gjeja menjëherë, sepse duhej të shkoja sërish në Kinostudio, vendosa të shënoj regjisorin Saimir Kumbaro dhe ta lajmëroja më vonë, i bindur që Saimiri nuk do të kundërshtonte vënien e emrit të tij në atë listë, ani pse pa e lajmëruar. Kësisoj si nismëtar i atij mitingu bëra dhe një akt të kundra ligjshëm, i ndërgjegjshëm se do te dënohesha penalisht, duke firmosur në vend të një tjetri. Falsifikim i dënueshëm. Ndoshta koha dhe rrjedhimet historike më shfajësojnë. Shënova datën për zhvillimit e mitingut 10 janar 1991, ora 4 pas dite, tek sheshi para stadiumit “Qemal Stafa”. Të gjitha detajet i kisha menduar më parë. Vendosa këtë orë qëllimisht sepse shumica e ndërmarrjeve e mbyllnin punën në 3 e një orë na duhet për tu mbledhur, por gjithashtu në atë orë ishin të lirë të gjithë studentët e Universitetit dhe Akademisë së Arteve.

*      *      *

Tërë problemi ishte se Ministria e Brendshme në fillim rrinte duke i lëvizur datën mitingut e kur përfundimisht u caktua një datë, nisi odiseja e vendit ku do të zhvillohej. Në shtatë ditët e fundit, shtatë herë është ndërruar vendi i zhvillimit të tij. Kjo nxirrte shumë problem, sepse sa herë ndërrohej vendi, aq herë isha i detyruar të shkoja e të lajmëroja tërë institucionet artistiko-kulturore të Tiranës. Na thanë, nuk ua japim sheshin pas Bibliotekës Universitare, por do të shkoni ta zhvilloni tek Fusha e lagjes “Ali Demi”. Ditën tjetër, kërciste telefoni i Zenelit e një zë i rëndë oficeri thoshte: “Nuk do ta bëni atje, por do të shkoni tek fusha e druve në Qytetin e Nxënësve, tek kazermat e Ali Rizait”. A është e saktë? – i thosha Zenelit. “Eja nesër prapë më thoshte Zeneli, i cili bënte punën e ndërmjetësit. Pas kësaj niste vrapi im nëpër institucionet që nga Kinostudioja tek Opera, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Estrada e Cirku, Radio Televizioni, Ndërmarrja Botuese, Instituti i Kulturës Popullore, Insituti i Monumenteve të Kulturës ku më priste me shprehjen “Prap e anulluan, derrat!”- e ndjera Fatbardha Shkupi. Pastaj me vrap tek Filologjiku, Universiteti dhe Instituti i Lartë i Arteve. Ishte një lodhje e rraskapitje e krijuar me qëllim që të na bënim të hiqnim dorë ose më e pakta, duke e ndërruar vendin shtatë here, njerëzit do të futeshin në konfuzion dhe nuk do të mblidheshin në një vend, por do të shpërndaheshin në tre vende. Ditën e fundit, datë 10 janar 1991, aty nga ora 11:00 u gjenda me një fryme tek Zenel Hoxha për të pyetur për herë të fundit ai me tha se Ministria e Brendshme na njoftoi se ishim të lejuar ta bënim atje ku kishim kërkuar, por do të mbanin përgjegjësi të plotë personale nëse devijonte nga programi. Merreni me mend çfarë tensioni. Kishin mbetur vetëm pak orë. Të gjitha institucionet e dinin se mitingu do të zhvillohej tek Qyteti i Nxënësve tek “Kazermat e Ali Rizait!. M`u krijua përshtypja se ky miting ishte paracaktuar të dështonte. Bëra vrapimin e fundit atletik, një maratonë e vërtetë nëpër Tiranë dhe si njoftova kë munda, shkova drejt e tek sheshi pas Bibliotekës Universitare. Isha i pari. Krejt vetëm. I rraskapitur dhe i pangrënë. U ula në një shkallë guri e po qetësoja frymën, kur nisen tek-tuk të duken njerëz që më pyesnin se a do të ketë këtu një miting. Më së fundi arritën të mblidhen jo më shumë se njëqind vetë. Nisën ta marrin fjalën njerëz që e kishin dhënë emrin në listën që kisha në dorë, por edhe spontanisht. Kisha ndërmend të flisja dhe unë por nuk kisha pikë fuqie, pastaj i thashë vetes, nëse ky miting zhvillohet mirë, unë e kam thënë fjalën time më mirë se më oratori në megafon. Nuk shkoi shumë dhe erdhën studentët Akademisë së Arteve dhe ata të Universitetit Politeknik. Nisa të shoh njerëz që mund të ishin çfarëdo, por jo intelektuale. I kisha thënë një të njohurit tim inxhinier në kombinatin e drurit dhe ai i kishte njoftuar të gjithë, por edhe në ndërmarrje të tjera kish shkuar fjala. Kur mitingu ishte në gjysmën e kohës së caktuar, në shesh nuk mund të lëvizje prej dendësisë së njerëzve.

Më kot e mbaja letrën në dorë, kurrkush më nuk mund ta drejtonte atë miting. Çdo gjë ishte në dorën e spontanitetit. Edi Rama tha atëherë këto fjalë: “Na skuqën si indianë, na zverdhën si kineze e na nxinë si afrikanë”, por ama, ai nuk është përzënë nga ai miting. Kundërshtitë dhe meritë vetjake që kishin ata që aspironin për të ngjitur shkallët e pushtetit( a ishin caktuar për atë punë nga diktatori) janë çështje që nuk kanë asnjë lidhje me këtë miting historik, të cilin dikush mbase qëllimisht e ka harruar ngaqë nuk e kanë bërë vetë dhe as dine fare si është organizuar. Kaq shumë thirrje kundër diktaturës nisën të lëshohen nga qytetarët, sepse ata të tribunës ishin të përmbajtur, sa fjalimet u bënë jo vetëm të padëgjueshme por edhe të pakuptimta. Në mes të atyre që nguteshin për të folur vura re dy kategori, njëra përbëhej nga ata që ëndërronin të ngjisnin shkallën e karrierës, tjetra nga ata që kërkonin të mbulonin diçka pas vetës. Ky ishte stili, ky ishte e vazhdon të jetë karakteri i shumë laskandraqve që flasin nëpër foltore partish e shoqatash, madje edhe në Kuvendin e madh të Popullit, duke spekuluar me hapjen e dosjeve, kur spiunët e deklaruar i mbanin pranë vetës, i përkrahnin e ju gjenin edhe ndonjë vend të ngrohtë për të bërë allishverishe e korrupsion. Deri dhe ministra e deputetë spiunë. Mbyllja e mitingut, ishte jo fund por fillimi i shprehjes së revoltës popullore. Ishin mbledhur mijëra njerëz në sheshin para Universitetit rreth e qark shatërvanit. Kish nisur të errësohej dhe disa njerëz kishin gjetur qirinj dhe i kishin ndezur. Dikush ndizte gazeta të vjetra duke i bërë si pishtarë. Turma prej mijëra vetësh po derdhej si një lumë. Ishte një lum vigan që kërkonte shtrat dhe hapësirë për të vërshuar. Dëshira ishte që ky lumë njerëzor të vërshonte në bulevardin kryesor, mes Kryeministrisë dhe selisë së Komitetit Qendror për t’i bërë sfidë atyre që tashmë dridheshin si minjtë duke kujtuar kufomën e pushkatuar të Çausheskut të Rumanisë. Sigurimi e nuhati dhe bllokoi rrugën kryesore duke lejuar vetëm kalimin e pjesshëm në trotuar. Turma prej mijëra vetësh duke kënduar “Se mjaft në robëri,/e mjera Shqipëri,/o djem rrëmbeni pushkët-ë,/ja vdekje, ja liri”, ktheu drejtim dhe mori nga rruga e Librit Universitar drejt kryqëzimit të Tiranës së Re. E tërë Tirana buçiste. Nuk e di pse atë natë ndjehesha më i lumtur së kurrë e më dukej se kisha bërë gjënë më të mirë në jetën time. Dhe këtë mendim e ndjenjë kam edhe sot kur i kujtoj ato skena, që nuk mund të përsëritën kurrë më. Në mitingu i 10 janarit 1991 ishte pararendësi i një zhvillimi tjetër madhështor, populli, punëtoret dhe studentet e intelektualët me pas do te guxonin dhe e plandosi përdhe duke e hequr zvarrë bronzin e diktatorit më të egër e të paskrupullt të Europës pas Luftës se Dytë Botërore.

Mirë të gjitha këto që i mori historia, po çfarë kanë dy kryeministra që edhe pas 27 vjetësh dalin e na e vjedhin mitingun antikomunist të Tiranës se ashtu ishte domethënia e tij? Ndoshta se ai që vidhet gjithnjë është populli. E popullit gjithherë i vidhet jo vetëm pasuria por edhe historia. Dhe ja shpërblejnë duke vënë buste e monumente sharlatanësh nëpër rruge e sheshe të cilët vjen koha prapë për ti rrëzuar. Aspirojnë bronz të lavdishëm politikanët tanë, ndaj hedhin mbi supe e veta gjithfarë historish e trimërisht të sajuara e shfaqen si Don Kishotë më armë të ndryshkura. Për të qeshur, por edhe për të qarë gjithashtu…

© Kolec Traboini “Vitet 1990-1991 në memorien time”.

Dorëshkrime

Filed Under: Analiza Tagged With: I 10 JANARIT 1991, Kolec Traboini, MITINGU

Mark Gurakuqi “Gjithmonë më josh fluturimi!”

December 5, 2017 by dgreca

nga Kolec Traboini/1 Mark GurakuqiMARK GURAKUQI(2 nëntor 1922- 16 shtator 1970)

15-Kujto_Poetin_Traboini_Sulkuqi_2011Një brez poetësh shqiptarë të së kaluarës tashmë në shekullin e ri thuajse janë harruar krejt. Kështu ka ndodh e do të ndodh gjithherë vartësisht nga jeta moderne që është aq e vrullshme sa nuk të le kohë për meditim e qëmtim ndër kohë të perënduara të diktaturës a më përtej. Por njerëzit kanë jetuar e kanë dashuruar gjithherë. Edhe në kushtet më të vështira sepse dashuria është mbijetesë dhe triumf.  Na vjen në mendje një poezi e Pol Eluarit “Shtetrrethimi” që e prek atë temë të përballimit të diktatit e dhunës aq mrekullisht. Është në nderin e atyre që kanë pasion të jetës letërsinë që të bëjnë kujtesën historike të autorëve që nuk janë më ndër të gjallët. Edhe ky cikël që përcjellim është në kuadër të ribotimit të plotësuar të antologjisë “Kujto Poetin”( Kolec Traboini, Iliriana Sulkuqi, Pantheon Books 2011). Aq më tepër bëhen të nevojshme këto  përcjellje poetike në kohën tonë, se disa prej tyre nuk qenë vetëm poetë, si në rastin e Mark Gurakuqit, por edhe mësues të pasionuar të letërsisë dhe hartues të shumë shkrimeve mbi letërsinë shqipe të traditës.

Mark Gurakuqi  mbasi kreu shkollën Normale të Elbasanit shkoi për studime në Firence të Italisë. Me pushtimin e Shqipërisë nga fashistët ai i ndërpreu mësimet dhe u kthye në atdhe si shumë studentë të tjerë shqiptarë. Pas mbarimin e Luftës së Dytë Botërore i vazhdoi studimet e larta për letërsi në Bullgari. Me përfundimin e tyre u caktua mësues në Gjimnazin e Tiranës, ndërsa në vitin 1957 u emërua pedagog i  letërsisë shqipe në Universitet. Ndërroi jetë papritur në Tiranë në moshën 47 vjeçare më 16 shtator 1970. Vëllimin  e parë poetik e botoi në vitin 1951 “Këngë për jetën”, për të vazhduar me “Pranverë” 1955, “Këngë për dashurinë” 1957, “Në udhët e jetës” 1960,  dhe “Në gjurmët e viteve” 1964. Poezitë këtij cikli i sjellim sipas origjinalit në gegnisht, siç janë në botimin “Mark Gurakuqi – Vepra letrare 1”.

Kritiku Adriatik Kallulli për Mark Gurakuqin ka shkruar:

“Pedagog i talentuar i letersisë shqipe, studiues dhe poet, një nga penat më aktive në shtypin letrar në vitet 50 – 60 ”

Kolec P. Traboini

5 shtator 2017

_____________

MARK GURAKUQI

FLETORET E ZVERDHAME

Oh, kto fletore t’mia të zverdhame!

Sa vite e pluhun përmbi to randojnë!

Po der të vijë çasti im i mbramë

Për mue relike t’ shenjta do qëndrojnë.

Aty prap ndiej çdo rrahje t’ zemrës sime,

stampue aty jan’ gjurmët lan’ nga vitet,

aty më buzëqeshin andërrimet

dhe afshi i një jete që s’ venitet.

Aty asht gdhend’ çdo hap i imi në jetë,

çdo trill a udhëkryq apo ngurrim,

një faqe me qortim sikur më flet

e tjetra sikur m’ ndjell për fluturim!

NË GJURMËT E FËMINISË…

…E ditët shkasin kshtu pa u kujtue

e vitet lanë gjurmë n’ ftyrat tona…

Ndër fusha ma nuk shkojmë me vrapue

as dhe kodrinash me lëshue balona.

N’ rrugica pa krye ma s’ lozim “kukë”,
pemët e fqiut ma nuk i trazojmë,

beteja legjendare s’ bajm’ në rrugë,

me shpata druni në betej’ s’ vrapojmë…

Kjo burrave të pjekun s’ u ka hije,

veçse sa herë udhëve kalojmë

do donim të baritnim mbas fëmijëve

e rishtas me ta lodrat ti fillojnë!

LIMAN E DET N’ FURTUNË JE PËR MUE

Ti m’ pyet në t’ kam për zemër!…Fort të due:

jo veç për dehje t’netëve pa gjumë,

jo veç për gazin, që më ke dhurue,

por dhe për shqetësimet valëshumë;

liman e det n’ furtunë je për mue…

KANGË

Agim. Në qiell u shue i fundmi hy.

Rrjedh drita e kthjellët porsi uj’ burimi.

Zgjohet natyra krejt gazmend. Për ty

m’ bahet n’ kët çast më flet gjith’ rruzullimi.

PRANVERË NË TIRANË

Trokitje pranverore në Tiranë.

S’ka yj e hanë  –

vetëm shi ciklon,

por udhën

nëpër bulevard të gjanë

ma ndrisin sonte

llambat me neon.

Si një pasqyrë e madhe

e pamatë,

nga shiu që ra tash udha po shkëlqen,

unë eci nëpër natë

dhe ndjej pranverën

joshëse

si vjen!

ZJARR

Dimni erdh e toka ngriu,

kudo akull e acar,

por s’më than dot mue veriu

se ti zemrën më ndez zjarr.

SHTEGTARË…

Ne erdhëm si shtegtarë të etuem

dy udhëve të ndryshme dhe u gjetëm,

si ujnat e dy gurrave u bashkuem

edhe në një u tretëm.

Ne u takuem me u nda në prag të vjeshtës.

Pa lot. Pa psherëtima. Pa rënkime.

Më the ti “lamtumirë” e buzëqeshe:

Mir’se të vijn’thëllimet!

POETËT

Jo, s’jan’ poetët porsi djem të qetë

që vargjet si n’ gjergjef  i qëndisin;

nuk jan’ si engjëj paqësor’ me fletë,

që kantilena njerëzve u nanurisin.

Poetët jan’ si shenat e zemruem,

si ato mbi armik lëshohen me buçim,

jan’ si ushtarë për betej’ rreshtuem,

si tehe shpatash t’ etshme për shpagim.

Dhe n’ se din’ t’ kapin tingujt ma mahnitës

e t’ përmallohen n’ një agim me vesë,

nse himne din’t’i thurin dritës,

për jetën e për dritën din’ dhe t’ vdesin.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjithmone, Kolec Traboini, Mark Gurakuqi, ne fluturim

KOLEC TRABONI, “MJESHTËR I MADH”

November 24, 2017 by dgreca

1 Traboini MetaNDEROHEM ME TITULLIN “MJESHTËR I MADH”/

Në kuadrin e 100 vjetorit të jetimores së parë shqiptare 1917-2017 dhe javës së ndërgjegjësimit për të shtuar kujdesin për fëmijët jetimë, Presidenti i Republikës z. Ilir Meta bëri edhe disa dekorime e dhënie titujsh. Me nr. dekreti 10653, datë 15 nëntor 2017, Presidenti i Republikës me akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” me këtë motivacion: “Për merita të shquara si personalitet i artit, publicistikës dhe kulturës shqiptare, duke u bërë shembull frymëzimi, në veçanti, për gjeneratat e fëmijëve jetimë, të cilëve ai u përket”. Me këtë rast falenderoj Presidentin e Republikës z. Ilir Meta dhe Institutin Kombëtar për Integrimin e Jetimëve Shqiptarë me drejtor të  përgjithshëm Ilir Çumani. Si dhe kujtoj me veneracion të gjitha ata që në fëmininë e rininë time mu gjendën pranë e sot nuk jetojnë më, duke filluar nga mësuesi im i klasës së parë Lin Mushkalla, në vazhdimësi Njac Nenshati, Pjetër Pali e Kol Alimhilli,  drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër Persa Grabova, mësuesin tim të paharruar të gjuhës shqipe Pjetër Elezi që më thërriste gjithmonë me mbiemër, mësuesin i letërsisë Lec Shllaku e të tjerë.           Një kujtesë mirënjohje e veçantë shkon për atin tim të munguar Palok Traboini, mësues e luftëtar, publicist i pavarësisë dhe sekretar i Ded Gjo Luli, Dadën time Katrina Traboini, vajzën e Motrës Tone, që më nxiti në fushën e artit që kur linda, duke më venë emrin e dajës së vet, të paharruarit Kol Idromeno. E ndaj këtë kënaqësi me të afërmit, me të gjithë bashkmalësorët e mi në Traboin e mbarë Malësinë e Hotit, me bashkshkodranët e mi, me bashkemigrantët në Greqi dhe Amerikë, si dhe me miqtë dhe dashamirësit e letërsisë.        E në fund (për nga rendi por e parë për nga rëndësia) një mesazh për të gjithë ata që rrethanat i sjellin të jenë në fatin tim të fëminisë; ju pëllumba me krah të plagosur kurrë mos harroni se në një shtet social dhe në një shoqëri humane mund të fluturohet edhe me një krah! Kolec Palok Traboini 23 nëntor 2017

Filed Under: Kronike Tagged With: Kolec Traboini, Mjeshter i Madh

FAQJA E BARDHË E HISTORISË

October 27, 2017 by dgreca

2Anton GojcajFAQJA E BARDHË E HISTORISË- (Kolec Traboini, Miti i Hotit, Tiranë 2017)/

1 MITI HOTIT Kopertine 1Nga ANTON GOJÇAJ/Kolec Traboini shpërtheu si krijues pas rënies së sistemit monist. Është autor i rreth 30 veprave letrare. Spikat në lirikë dhe publicistikë. Një apostull i fjalës së lirë dhe i kulturës demokratike. Vepra e tij më e freskët, “Miti i Hotit”, tipologjikisht paraqet një përzierje diskursesh (diskursit historik, publicistik, letrar).  Të gjithë artikujt, ose kapitujt, mund të cilësohen si ese, përveç njërit që është reportazh. Fija që i lidh kapitujt është tematika e Hotit dhe hotjanëve.

Mite në shkencë quhen rrëfimet e lashta për hyjnitë dhe shejtnitë para së gjithash greke, por jo vetëm greke. Ky libër nuk bën fjalë për hyjni greke as iliro-pellazgjike, por flet për disa figura luftëtarësh të shquar malësorë, gjegjësisht hotjanë. Fjala “mit” këtu përdoret në kuptimin e lavdisë, në vend të saj mund të qëndronte “legjenda”, ose personalitete të lavdishme nga Hoti…

Në epokën tonë (aktualisht) pëlqehet më shumë demitizimi, deheroizimi… Zëra të ndryshëm, në media, nga foltoret, në libra, theksojnë nevojën për “çmitizimin” dhe deheroizimin e personalitete të caktuara, deri edhe të kryetrimit (ndër)kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Dhe nuk ndalen vetëm me të.

Traboini u bie ndesh rrymave të çastit, të cilët kapërcejnë nga njëri ekstrem në tjetrin, deri dje ishin adhurues të mëdhenj të të njëjtëve heronj, deheroizimin e të cilëve e kërkojnë tani me ngulm. Këto rryma përfaqësohen nga intelektualë dhe kuazi intelektualë që zhurmojnë në kor, si t’i dirigjonte dikush, të njëjtat refrene të mësuara përmendësh, të kopjuara nga qarqe perëndimore, por që (atje) janë thënë e thuhen në kontekste për shumë arsye të papërputhshme me realitetin tonë. Puna ka ardhur deri aty, sa individë të caktuar siç është Koleci, duke rrezikuar që dikush t’i marrë për donkishotë të cilët kanë humbur sensin e arsyes, ndjejnë detyrimin t’i kundërvihen kësaj tendence duke shkruar një apologji të llojit të vet. Një apologji e tillë është “Miti i Hotit” i Kolec Traboinit dhe në perspektivën e “frymës apologjike” e kam përjetuar edhe gjuhën dinamike, nganjëherë glorifikuese, që zbardh dhe analizon bëmat e hotjanëve të njohur gjatë shekujve. Qëllimi apologjik i veprës e përligj ligjërimin panegjirik.

Mitin e Hotit hotjanët e krijuan me gjak. Ai nuk i përket vetëm një prijësi apo vetëm dy-treve prej tyre, megjithëse është një praktikë e përbotshme që lavdia t’u vishet prijësve. Vërtetë, vlerat e një fisi, bashkësie, vendi, maten me arritjet e bijve dhe bijave më të mirë, ashtu siç maten bjeshkët për nga majat më të larta. Mirëpo, pjesë në atë lavdi duhet të ketë edhe shumë luftëtarë të tjerë, tashmë të harruar, heroizmi dhe vetëflijimi i të cilëve u pushtua nga heshtja dhe u mbulua nga sintezat përgjithësuese dhe relativizuese të historive zyrtare, të cilat gjithmonë diktohen nga interesat e kohës të rrymës që mban pushtetin.

Ky libër nuk synon edukimin e kreshnikëve të rinj sipas kallëpit të moçëm. Epoka e luftëtarëve ka ikur. Kreshnikët e sotëm armë e kanë librin.

Ajo që dhemb është shpërfillja, keqinterpretimi dhe nganjëherë shpërfytyrimi i heronjve të Hotit në debate dhe tryeza shkencore dhe kuazi-shkencore. Me këtë libër autori sikur porosit: jepuni kreshnikëve çka u takon kreshnikëve! Një vend të dinjitetshëm, si faqja e bardhë e historisë kombëtare.

Vlera e këtyre eseve nuk qëndron te datat e sakta dhe te citimi i dokumenteve zyrtare apo i literaturës historike. Këto të fundit janë krehur dhe përshtatur (lexo: manipuluar) shpesh, sipas  nevojave të qarqeve me pushtet. Megjithatë, shembujt, të dhënat dhe sqarimet që jep autori janë interesante dhe të qëndrueshme. Ai shpesh nxjerr sinteza të ndjeshme dhe të paanshme, si p.sh.: “Shteti komunist e ka vlerësuar Dedë Gjo Lulin, por në një anë e vlerësonte në anën tjetër gjithë familjen e fisin e tij e persekutoi në mënyrën më të egër e më çnjerëzore.” (f. 51)

Figurat me të cilat Koleci e hartoi “Mitin e Hotit” janë personalitete historike, prej mishi e gjaku, me biografi reale dhe të mirënjohur për pjesëtarët e fisit të tyre por edhe të kombit në kohën kur ata vepruan. Emrat e tyre vështirë i gjen në tekstet historike apo në enciklopeditë kombëtare të autorëve të cilët më shumë sesa shkencëtarë të mirëfilltë janë burokratë servilë, të cilët duke u ikur “fytyrave” dhe ngjarjeve të vërteta i  bëjnë lëmsh të gjitha. Jo gjithmonë nga padituria, por edhe nga smira. Do të ishte shumë më keq, e ka indicione se kjo po ndodh, që kështu veprojnë me një mision të caktuar akoma të mbajtur pas kulisave, për t’u përgatitur terrenin ideologjive të caktuara të cilat presin pjekjen e kushteve për të dalur në mënyrë të hapur. Heronjtë e tij kanë karaktere dhe ideologji të ndryshme, Dedë Gjon Luli është tribun popullor, Nikoll Gojçi partizan e komunist, kurse Gjelosh Luli antikomunist. Por të gjithë e ndoqën me pasion dhe me konsekuencë idealin e vet, me çmimin e jetës.

Stili i autorit nuk është i një opinionisti anemik, të dashuruar në vetveten. Karakteri i tij nuk i duron dhelpëritë intelektualiste, të cilat shpesh të vetmin qëllim e kanë bishtërimin e së vërtetës. Retorika e Kolec Traboinit është e rreptë dhe provokuese. Ai jo vetëm mbron, por edhe godet. Jo vetëm konteston, por edhe hulumton. Edhe kur priret kah subjektivizmi, jep argumente e veta me një logjikë sa racionale aq edhe burrërore. Është një polemist i lindur, që t’i kujton polemistët tanë klasikë, F. Bardhin, Gj. Fishtën, F. Konicën etj.

Ky libër vlen të lexohet. Atë duhet kuptuar dhe konsideruar si një gurë me peshë në digën parandaluese kundër ideologjive të reja që duan të shpërfillin historinë reale për të vendosur një paradigmë të re historike, që mbështetet mbi fabrikimin dhe falsifikimin e historisë. Ky libër është homazh për Hotin dhe hotjanët kudo që janë, e në veçanti për ata që sakrifikuan veten, e ndonjëri edhe gjithë familjen, për atdhe e liri.

Filed Under: Histori Tagged With: Anton Gojcaj, Kolec Traboini, Miti i Hotit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT