nga Kolec Traboini/MARK GURAKUQI(2 nëntor 1922- 16 shtator 1970)
Një brez poetësh shqiptarë të së kaluarës tashmë në shekullin e ri thuajse janë harruar krejt. Kështu ka ndodh e do të ndodh gjithherë vartësisht nga jeta moderne që është aq e vrullshme sa nuk të le kohë për meditim e qëmtim ndër kohë të perënduara të diktaturës a më përtej. Por njerëzit kanë jetuar e kanë dashuruar gjithherë. Edhe në kushtet më të vështira sepse dashuria është mbijetesë dhe triumf. Na vjen në mendje një poezi e Pol Eluarit “Shtetrrethimi” që e prek atë temë të përballimit të diktatit e dhunës aq mrekullisht. Është në nderin e atyre që kanë pasion të jetës letërsinë që të bëjnë kujtesën historike të autorëve që nuk janë më ndër të gjallët. Edhe ky cikël që përcjellim është në kuadër të ribotimit të plotësuar të antologjisë “Kujto Poetin”( Kolec Traboini, Iliriana Sulkuqi, Pantheon Books 2011). Aq më tepër bëhen të nevojshme këto përcjellje poetike në kohën tonë, se disa prej tyre nuk qenë vetëm poetë, si në rastin e Mark Gurakuqit, por edhe mësues të pasionuar të letërsisë dhe hartues të shumë shkrimeve mbi letërsinë shqipe të traditës.
Mark Gurakuqi mbasi kreu shkollën Normale të Elbasanit shkoi për studime në Firence të Italisë. Me pushtimin e Shqipërisë nga fashistët ai i ndërpreu mësimet dhe u kthye në atdhe si shumë studentë të tjerë shqiptarë. Pas mbarimin e Luftës së Dytë Botërore i vazhdoi studimet e larta për letërsi në Bullgari. Me përfundimin e tyre u caktua mësues në Gjimnazin e Tiranës, ndërsa në vitin 1957 u emërua pedagog i letërsisë shqipe në Universitet. Ndërroi jetë papritur në Tiranë në moshën 47 vjeçare më 16 shtator 1970. Vëllimin e parë poetik e botoi në vitin 1951 “Këngë për jetën”, për të vazhduar me “Pranverë” 1955, “Këngë për dashurinë” 1957, “Në udhët e jetës” 1960, dhe “Në gjurmët e viteve” 1964. Poezitë këtij cikli i sjellim sipas origjinalit në gegnisht, siç janë në botimin “Mark Gurakuqi – Vepra letrare 1”.
Kritiku Adriatik Kallulli për Mark Gurakuqin ka shkruar:
“Pedagog i talentuar i letersisë shqipe, studiues dhe poet, një nga penat më aktive në shtypin letrar në vitet 50 – 60 ”
Kolec P. Traboini
5 shtator 2017
_____________
MARK GURAKUQI
FLETORET E ZVERDHAME
Oh, kto fletore t’mia të zverdhame!
Sa vite e pluhun përmbi to randojnë!
Po der të vijë çasti im i mbramë
Për mue relike t’ shenjta do qëndrojnë.
Aty prap ndiej çdo rrahje t’ zemrës sime,
stampue aty jan’ gjurmët lan’ nga vitet,
aty më buzëqeshin andërrimet
dhe afshi i një jete që s’ venitet.
Aty asht gdhend’ çdo hap i imi në jetë,
çdo trill a udhëkryq apo ngurrim,
një faqe me qortim sikur më flet
e tjetra sikur m’ ndjell për fluturim!
NË GJURMËT E FËMINISË…
…E ditët shkasin kshtu pa u kujtue
e vitet lanë gjurmë n’ ftyrat tona…
Ndër fusha ma nuk shkojmë me vrapue
as dhe kodrinash me lëshue balona.
N’ rrugica pa krye ma s’ lozim “kukë”,
pemët e fqiut ma nuk i trazojmë,
beteja legjendare s’ bajm’ në rrugë,
me shpata druni në betej’ s’ vrapojmë…
Kjo burrave të pjekun s’ u ka hije,
veçse sa herë udhëve kalojmë
do donim të baritnim mbas fëmijëve
e rishtas me ta lodrat ti fillojnë!
LIMAN E DET N’ FURTUNË JE PËR MUE
Ti m’ pyet në t’ kam për zemër!…Fort të due:
jo veç për dehje t’netëve pa gjumë,
jo veç për gazin, që më ke dhurue,
por dhe për shqetësimet valëshumë;
liman e det n’ furtunë je për mue…
KANGË
Agim. Në qiell u shue i fundmi hy.
Rrjedh drita e kthjellët porsi uj’ burimi.
Zgjohet natyra krejt gazmend. Për ty
m’ bahet n’ kët çast më flet gjith’ rruzullimi.
PRANVERË NË TIRANË
Trokitje pranverore në Tiranë.
S’ka yj e hanë –
vetëm shi ciklon,
por udhën
nëpër bulevard të gjanë
ma ndrisin sonte
llambat me neon.
Si një pasqyrë e madhe
e pamatë,
nga shiu që ra tash udha po shkëlqen,
unë eci nëpër natë
dhe ndjej pranverën
joshëse
si vjen!
ZJARR
Dimni erdh e toka ngriu,
kudo akull e acar,
por s’më than dot mue veriu
se ti zemrën më ndez zjarr.
SHTEGTARË…
Ne erdhëm si shtegtarë të etuem
dy udhëve të ndryshme dhe u gjetëm,
si ujnat e dy gurrave u bashkuem
edhe në një u tretëm.
Ne u takuem me u nda në prag të vjeshtës.
Pa lot. Pa psherëtima. Pa rënkime.
Më the ti “lamtumirë” e buzëqeshe:
Mir’se të vijn’thëllimet!
POETËT
Jo, s’jan’ poetët porsi djem të qetë
që vargjet si n’ gjergjef i qëndisin;
nuk jan’ si engjëj paqësor’ me fletë,
që kantilena njerëzve u nanurisin.
Poetët jan’ si shenat e zemruem,
si ato mbi armik lëshohen me buçim,
jan’ si ushtarë për betej’ rreshtuem,
si tehe shpatash t’ etshme për shpagim.
Dhe n’ se din’ t’ kapin tingujt ma mahnitës
e t’ përmallohen n’ një agim me vesë,
nse himne din’t’i thurin dritës,
për jetën e për dritën din’ dhe t’ vdesin.