• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IDETË DHE PARIMET E ATË GJERGJ FISHTËS PËR ORGANIZIMIN E KOMBIT E TË SHTETIT SHQIPTAR(2)

December 19, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA- Atë Gjergj Fishta, veç detyrëve të veta kishtare, arsimore e kulturore, ka qenë edhe deputet në parlamentin shqiptar, mbasi kishte qënë edhe Sekretar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, kur Kryetari ishte Imzot Luigj Bumçi. Mbi veprimtarinë parlamentare, veç bisedave në mbledhjet e seancavet, ka edhe mjaft artikuj, në të cilët shpalosen pikëpamjet e tij mbi jetën politike. N’artikullin “Lirija e zgjedhjeve e obstruksioni i Opozitës”, në “Hylli i Dritës” n° 10, 1923, gjejmë mjaft mendime të deputetit të Shkodrës mbi jetën parlamentare. Hasim në dukuri që ngjasojnë me punimet e Kuvendit të ditëve tona, debatet e ashpra Shumicë – Opozitë, fyerjet, daljet nga salla, obstruksionizëm, korrupsion, blerje votash etj. Por është me interes të shqyrtohet sistemi i votimit me zgjedhës të dytë që, në një Vend me 95 % analfabetë, ishte quajtur më i miri për të zgjedhur deputetët. Autori ishte i mendimit të Opozitës, që kërkonte më shumë zgjedhës të dytë, sepse kështu do të kishte më pak mundësi blerjeje të tyre. N’ata vite të para të jetës parlamentare, për vetë stadin e zhvillimit të shoqërisë, janë të kuptueshme këto dukuri. Gjykimi i Fishtës mbi kolegët e parlamentit e të qeverive nuk është aspak vlerësues. 

“Për me sundue nji shtet, nuk âsht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçillëku, rrêna, tradhtija : duhet nderë, dije, urtí, burrní, qe se shka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija, po u zêjshin në shkollë e, madje me shum mund e djersë, e jo nder kafèshantanta t’Europës, e mejhane e paçaxhihane të Tiranës, tuj lujtë “tavull” e “bixhoz” e tuj pi “mastikë. …. Shifet kjartas prà, qi e shumta e nierzve të shtetit shqyptar jo veç se nuk duen, por as nuk janë të zott, me ja sjellë të marën e të mirën shtetit e komit, e sa prandej kta janë atà mikrob, qi janë tuj pi gjakun e tuj ja shkurtue jetën Shqypnis s’mjerë.” 

Kështu shprehej Atë Gjergji në pranverën e vitit 1924 në shkrimin “Delikti i Mamurrasit e gjêja e lingatueme e shtetit shqyptàr”. Janë gjykime të rrepta, që burojnë nga konceptet puriste t’autorit mbi politikën, apo është një fotografi e politikës shqiptare t’asaj periudhe ? Ndoshta e vërteta qëndron në mes të këtyre dy hamëndjeve, ndoshta merr pak nga të dyja. Veçse, për të qenë objektivë në përceptimin e së vërtetës mbi mënyrën dhe stilin e dialektikës politike në Shqipërinë e pavarur, duke u nisur nga marrëdhëniet ndërmjet protagonistëve e opinionet e shprehura për njëri tjetrin, provohet një hidhësirë në gojë e një trishtim në shpirt. Asnjë personazh i asaj jete politike nuk mbetet pa u përbaltur, rreptësia e gjykimit kalon çdo lloj përpjekje për të kuptuar një qëndrim apo një veprim në një çast të caktuar apo në një ndodhi të veçantë, kur ajo nuk përkonte me mendimin e analizuesit. Shumica dërmuese ishte e gatëshme të bënte vetëm proçese mediatike apo historike, pa e vënë veten në rolin e atij që kritikohej. Duke përjashtuar 47-vjetëshin e diktaturës komuniste, në të cilën gjykimi nuk jepej nëpërmjet opinioneve, por plotoneve t’ekzekutimit, viteve të gjata të burgut e, në rastin më të mirë, të interrnimeve pa fund, e gjithë politika shqiptare është një vazhdë kritikash, fyerjesh, paditjesh, përbaltimi të kundërshtarit, edhe atëherë kur çasti historik detyronte bashkimin në një mëndje e në një synim. Fatkeqësisht kjo dukuri vazhdon, edhe më shqetësuese në këta 30 vite të tranzicionit demokratik.  Konceptet e fair to play  dhe të respektit për mendimin ndryshe a, së paku të ballafaqimit të qytetëruar të argumentave të ndryshme, që patën filluar të japin sinjale të dobëta në vitet e fundit të Mbretërisë, u bënë hi e pluhur nga tirania komuniste dhe ende sot, mbas 30 vitesh, gjejnë shumë vështirësi e kundërshtime për të patur të drejtë qytetarie në Shqipërinë e shekullit 21.

Në këtë kuadër të përgjithshëm dëshpërues të historisë së politikës shqiptare, duhen inkuadruar edhe shkrimet e Fishtës, që nuk kanë kurrë në themelin e tyre interesin vetiak t’autorit, i cili nuk kishte asnjë dëshirë për të qënë politikan i mirëfilltë. Në lidhje me këtë pamje të karakterit e synimit të tij, po sjell një dëshmi mjaft kuptimplote të Mustafa Krujës, shkruar në një letër drejtuar Atë Paulin Margjokajt :

“E na, nacjonalistat intelektualë e pa intelektualë? Ashtu si na ka përshkrue Fishta me satirat e tija krejt vënerë, n’ato Anzat e Parnasit me mbishkrimin kuptimplotë ”Qeshem veç pse s’muj me kjá”, marrë s’di prej cilit poet a filosof latin. I mjeri Fishtë, sa i deshpryem ka dekun! S’e harroj kurrë kur u përpiqshem  në Shkodër në 1920 me i a mbushun mênden qi të hartojshim bashkë nji programë partije politike. Mbasi më suell do kohë me fjalë, s’i gjet vetit rrugë tjetër veçse me më shporrë me të vërtetën e idhët qi mendonte: “Pse po lodhe, more Mustafë, më tha, Shqipnija qi duem ti e un nuk bâhet”!” 

Po t’i shtojmë këtij episodi, tepër domethënës, faktin e njohur se ai dhe Luigj  Gurakuqi qenë kundërshtarët më të mëdhenj të ndonjë prirjeje për të krijuar partinë Demokristiane shqiptare në kohën e tyre, do të bindemi se shkrimet e tij publicistike nuk janë tjetër veçse shqyrtime ngjarjesh e personazhesh, nga këndvështrimi vetiak i intelektualit të shumanshëm e, më shumë, i atdhetarit të flaktë, në lidhje me ata probleme që ai i quante jetike e të rëndësishme për çastin e për t’ardhmen e Atdheut të tij. Në rolin e historianit e të kronistit parlamentar njëherësh, Atë Gjergj Fishta në shkrimin ”Trazimet e qershorit 1924”, na jep një tabllo mjaft interesante e të saktë t’atyre ngjarjeve, që çuan pastaj në t’ashtuquajturin “revolucion demokratiko – borgjez të qershorit”, me ikjen e Zogut në Jugosllavi e ardhjen e Opozitës në pushtet me kryeministrin me short, Fan S. Nolin. Në gjithë këtë paraqitje, që do t’ishte një bazë e mirë edhe për studjuesit e historisë, po shkëpus një frazë e cila na sjell mendimin e deputetit Fishta në lidhje me atentatin që u krye në hyrje të ndërtesës së parlamentit kundër Ahmet Zogut, nga ana e bashkëkrahinarit të tij, Beqir Valterit : “

“… ky atentat – të cilin në parim e dnojshin të gjithë shqyptarët e urtë e të mêçëm, tue kênë se vrasat politike posë se imorale, janë edhe shêj barbarsije të popullit kȗ ndodhin – bâni nji pershtypje të madhe në të gjith Shqypnin, e zêmra e popullit u tëhuej edhe mâ tepër prej kryetarit të Qeveris s’vet, pse atentatin ishte tuj e mbajtë si nji rezultat të politikës së tij të gabueshme e krejt personale.”

Është një koncept i lëvdueshëm, të cilin historiografia komuniste asnjëherë nuk e ka pohuar, duke qënë zëdhënëse e veprës së Enver Hoxhës e komunistëve shqiptarë, të cilët vrasjet politike i kishin alfën dhe omegën e veprimtarisë së tyre kriminale, duke arritur maja të pakapëshme n’asnjë periudhë të historisë së Shqipërisë. Por nuk është i vetmi mësim që del nga eseja e deputetit të Shkodrës, e cila nxjerr në pah edhe sjelljen e Qeverisë së Shefqet Vërlacit që nuk bëri detyrën e saj për të dënuar vrasësin e Avni Rustemit, e cila ishte dhe ajo një vrasje politike, duke dëshmuar se shumica dërmuese e politikës ishte e infektuar nga mendësia e dhunës.

“Tash qi âsht bâ Shqypnija, duen perbâ shqyptarët” është një tjetër esè e gjeniut kombëtar, e shkruar më 1930, me një titull që perifrazon një shprehje të një burri shteti italian, në fundin e shekullit 19. Është një analizë e hollë dhe objektive e gjëndjes shpirtërore të kombit shqiptar, e parakushteve që do të përcaktonin ecjen e tij në jetën e pavarur. Në këtë shkrim Atë Gjergji na paraqitet në veshjen e ndërgjegjes qytetare të Kombit, një institucion moral i domosdoshëm për qënien e tij. Si një njohës i mirë i historisë së botës, n’analizën e tij filozofi e sociologu mbështetet në gjykime njerëzish të mëdhenj të popujve të tjerë, që kanë trajtuar problemin. Në prag të 20-vjetorit të themelimit të Shtetit, Fishta 60-vjeçar, nga lartësia e një përvoje të gjatë përpjekjesh e ndihmesash për çështjen shqiptare, vëren me një ndjenjë të përzjerë kënaqësie e trishtimi atë që është arritur në këta pak vite. Kujton hidhërimin e thellë, por edhe guximin e madh t’atyre pak atdhetarëve që i besuan ëndrrës Shqipëri, mes mosbesimit të shumicës dërmuese të shqiptarëve, që nuk mund t’a konceptonin jetën e tyre jashtë Perandorisë Osmane, në të cilën kishin kaluar 450 vjet.

“Mirpo, kjo lirí e pamvarsí e Shqypnís, qi asokohe do t’ishte dukë nji ândërr, sod po âsht nji pȗnë e kryeme ; pse sod po ká nji Shqypní pernjimend të lirë e zojë m’vedi : Shqypní me Mbret të vetin, me Qeverí e Parlament të vedin e me nji ushtrí komtare….. edhè na sod presim ligjë e pare, e marrim e apim e lidhim besë e kontratë me kome tjera, si çdo tjeter shtet i lirë i ksaj bote. Kanë pasë krrokë dikurë – i ndjeftë Zoti – do zotní të mdhej atjè në Paris para Konferencës së Paqit, se s’ká Shqypní, se s’do të kishte kund Shqypní ; po, por sod ministrat e përfaqësuesit e atyne zotnive të mdhej në Tiranë, rrin tuj u kshillue shoq me shoq: jarebi, si do t’i dalim sod Naltmadhnís së Tij, Mbretit të Shqyptarve para…. E vërtetë se sod me sod Shqypnija âsht në grat per rruga, ura e rregullime ujnash, se ktȗ s’ká fabrika, avullore, udha të hekurta, etj….. Me kohë, me kujdes e me pȗnë të padáme Shqypnija, neper lirí e pamvarsí të veten, ká me perparue – do të përparojë.      

Kjo tabllo tregon, jo vetëm objektivitetin e lëvdueshëm të vëzhguesit e vlerësuesit të gjendjes pa pasionin e dikurshëm të pjesëmarrësit në politikë, por edhe kënaqësinë e ligjëshme të një qytetari që ka punuar me të gjithë fuqitë e tij të shpirtit, të mëndjes e të trupit, për të sendërtuar ëndrrën e “pamundur”, për të projektuar e hedhur themelet e një ngrehine, së cilës dikur pak kush i besonte. “Fillimi është gjysma e punës” thotë një proverb i yni. Fillimi qe tepër i vështirë, mes mosbesimit të gjithanshëm, intrigave dhe armiqësive të fqinjëve e përkrahësve të tyre të mëdhenj, tabuve mendësore të shqiptarëve, një lufte botërore, interesave të kastave e të individëve, padijes së një populli, mungesës së shkollave në gjuhën shqipe etj, etj. Intelektuali largpamës, të cilin e ka shqetësuar gjithmonë e ardhmja e  popullit të tij, të cilin e njeh mirë, mundohet të thellohet edhe një herë në një argument, që e ka trajtuar gjërësisht edhe më herët : a kanë filluar të vetëdijësohen kombëtarisht shqiptarët për detyrat e tyre vetiake e të përgjithëshme?

 Përgjigjen duhej t’a merrte nga marrëdhëniet e ndërsiellta mes qytetarëve të Shqipërisë së rilindur. Mjerisht, në këtë drejtim, dasitë krahinore, fetare e mendësore ishin ende shumë të fuqishme e pengonin krijimin e asaj bashkëqënieje që do t’i kthente pjestarët e një populli, që flasin të njëjtën gjuhë, në një bashkësi të ngjeshur njerëzish që kanë “tagre, detyrë e interesa të përbashkëta” siç e huazon përkufizimin poeti kombëtar nga oratori i madh i lashtësisë romake, Ciceroni. “Prej ktyne fjalve merret vesht, se per me kênë Shqypnija shtet pernjimend i pamvarshëm edhè me u mbajtë mkâmë si shtet e me perparue, nuk asht qi shqyptari të jét shqyptár vetëm me fis – me trup ; por duhet qi të jét shqyptár me shpírt: asi shqyptari, qi të përbâjë komin e jo vetëm popullin”. Kështu e sqaronte me shumë saktësi konceptin e kombit  të cilin e shtjellonte në të gjithë përbërësit e tij. Duhej farkëtuar “shpirti shqiptar”, duhej që “Shqiptaria” e Pashko Vasës të mos mbetej një ide abstrakte për përdorim propagandistik, por të hynte në thellësi të qënies së secilit. Për t’i a arritur kësaj, që do t’ishte themeli i qëndrueshëm i godinës shqiptare, duhej që pjestarët e bashkësisë shqipfolëse të dilnin nga lëvozhga e trashëgimisë historike të dëmshme, që i ka mbajtur të veçuar nga njëri tjetri ; duhej që ata të kuptonin se ndryshimet në besimet fetare nuk duhej të përbënin një ledh që t’i mbante të ndarë, por një larmi, e cila kthehet në një vlerë të shtuar në funksion të bashkësisë së idealeve dhe interesave ; duhej të kuptonin se dëmet apo dobitë që kishin patur në të shkuarën e gjatë perandorake, si pasojë e atyre besimeve, tashmë i përkisnin së kaluarës së pakthyeshme, se tani e tutje nuk do të quheshin më “turq” e “halldupë”, por qytetarë të barabartë të Shqipërisë arbërore; duhej të zgjeronin rrezen e shikimit përtej atij realiteti të ngushtë, në të cilin kishin jetuar deri njëzet vjet më parë. Kur të vërejnë e të binden shqiptarët se tashmë kanë një Atdhe të tyre,një Shtet që do të kujdeset për të gjithë njësoj, që do t’i japë mundësi secilit të bëjë jetën e tij simbas aftësive e përkushtimit vetiak, ata do të fillojnë të interesohen për mbarëvajtjen e atij Shteti, që do të jetë edhe begatia e tyre, atëherë do të fillojnë t’a duan atë e të ndjehen pjesë e tij. Për të korrur frutet e kësaj peme, të mbjellë vetëm njëzet vjet më parë, duhet një punë e madhe e një kohë e gjatë, një politikë e ndritur nga ana e klasës politike, për të ulur skajshmërisht dallimet mes njerëzvet, të çdo forme qofshin, fetare, krahinore, pasurore, për të nxitur shfaqjen e meritave dhe aftësive vetiake, që shkojnë në dobi të shoqërisë, duhet një shkollë e një klasë intelektuale, që t’a kenë si synim të parë edukimin e fëmijëve e të rinjve me idenë e atdheut të përbashkët e të dashurisë ndaj tij.

A do t’arrihet kjo domosdoshmëri e jetës kombëtare, a do të bëhen shqiptarët qytetarë të denjë e besnikë të Vendit të tyre ? Poeti kombëtar është skeptik për kohën në të cilën jeton : “Tash, me nji ksi mentaliteti në popull tonë jo vetëm se – për me folë pergjithsisht – s’mund të ket atdhedashní e ndërgjegje komtare ; por, shka asht ma zí, mêngon vetë parimi i sociabilitetit, pa të cilin as s’mund të kuptohet nji shtet civil mí shekull…. Mas mendimit të shkruesit të ktij artikulli, pra sod me sod ká Shqypní, por shqyptarë të vërtetë ká pak e aspak.” 

Por megjithatë ai është i vendosur : “na do t’i përbâjmë kta shqyptárë të vërtetë. E shî në ket punë ká me u dukë mâ s’miri fuqija e zotsija e jonë, po kje se prej nji populli kaq eterogjen e të trazuem psikologjikisht, mrrîjn me përbâ nji kom t’unjisuem e të zonë me mbajtë mkâmë e me bâ qi të përparojë e të lulëzojë nji shtet civil…”  

Ishte bejlegu i shekullit për Shqipërinë, lufta për mbijetesën e saj mes kombeve të qytetëruara. Ishte një sfidë së pari për inteligjencën  dhe për klasën drejtuese, por edhe për secilin qytetar të Shqipërisë. Kërkonte një zotim të përgjithshëm, një përpjekje të përbashkët të gjithë shqiptarëve të ditur, duhej që të vozitnin të gjithë në një drejtim, por klasa drejtuese, e ndarë në zogiste dhe kundër zogiste nuk bashkërendonte veprimet. Megjithatë projekti i pa shpallur zyrtarisht shkonte përpara, në sajë të intelektualëve të rinj, por edhe të atyre institucioneve shekullore atdhetare, siç ishte Kisha katolike. Në ballë të saj ishte Atë Gjergji, i cili, megjithë luhatjet që pësonte nga realiteti i zymtë, në dukje i pashpresë, nuk ishte mosbesues për t’ardhmen. Në thellësi të shpirtit ai shihte një rreze drite në tunelin e gjatë e t’errët të rrugës së Shqipërisë. Ajo dritë buronte nga besimi tek bashkatdhetarët e tij malsorë, virtuteve të të cilëve u kishte kushtuar veprën më madhështore të pendës së tij, “Lahutën e Malsisë”. Ai kthehet përsëri tek ta, tek forca e tyre e karakterit, tek virtutet e racës, që përbëjnë më shumë se një shpresë, një siguri : “Pse atje ka burrní, fisnikí, bujarí: ka besë, ka karakter kombtar të paprishun; ka…. moral të shndoshtë.” Ky i fundit ishte themeli mbi të cilin duhej të ngrihej Shqipëria e qytetëruar, bashkëkohore, evropiane, morali i thjeshtë, i trashëguar, i pastër, ai që i ka siguruar mbijetesën në furtunat e shekujve.

Me pak penelata u mundova të jap një tabllo të idesë së Atë Gjergj Fishtës për Atdheun e tij. Është një tabllo shumë e cunguar, sepse publicistika e tij është shumë e gjërë e për t’a trajtuar e komentuar duhen vëllime të tëra. Ideja e tij sot mund të ballafaqohet me realitetin shqiptar të pothuaj një shekulli më vonë. Në këtë shekull Shqipëria ka kaluar tragjedinë e saj më të madhe, komunizmin, që ka përmbysur gjithë sistemin e vlerave të botës në të cilën jetoi e punoi gjeniu poliedrik i shqiptarëve, Atë Gjergj Fishta, së bashku me veprën e tij. Fatmirësisht, ai sistem i kaloi analeve të historisë, dhe emri i Fishtës gjeti përsëri vendin e merituar në altarin e kombit e të kulturës shqiptare, me një shkëlqim të ri, sepse koha, në shumë drejtime, vërtetoi largpamësinë e tij prej gjeniu, nxori në pah vlerat e paçmuara të veprës së tij madhore e të larmishme, lartësoi në nivelin e merituar figurën e tij të gjithanëshme të klerikut shembullor, publicistit, kritikut, dramaturgut, poetit kombëtar, sociologut, filozofit, diplomatit, mësuesit e, mbi të gjitha, të atdhetarit, të shqiptarit të madh, që mbetet për jetë një nga farët më të ndritshëm të kombit e të kulturës së tij.

Fund

Filed Under: Analiza Tagged With: Ate Fishta, Eugjen Merlika, Idete dhe Parimet, kombi

IDETË DHE PARIMET E ATË GJERGJ FISHTËS PËR ORGANIZIMIN E KOMBIT E TË SHTETIT SHQIPTAR

December 11, 2020 by dgreca

-“Me e lshue Shqypnìn nder duer t’batakçive, âsht njapernja si me ja vjerrë ujkut mushknít m’qafë, me uzdajë se po t’i çon te shpija : ujku i han mushknít,  sidomos per n’kjoftë msue ndojherë me hangër m’to.”/

NGA EUGJEN MERLIKA/

Shqipëria në shpërgënj nuk duhej të ballafaqohej vetëm me opinionet e shtrembëra të shtypit evropian, me të cilët përleshej Fishta, por edhe me vetë politikën shtetërore të vendeve të ndryshme t’Evropës, jo dashamirëse kundrejt saj. Në shkoqitje të këtyre politikave, në vitin e mbrapshtë 1914, politologu françeskan nuk respekton aspak gjuhën diplomatike. Me krenarinë e malsorit të vetëdijshëm për epërsinë e tij morale, si njeri i fjalës së mbajtur e i respektimit të vlerave njerëzore, ai vërsulet mbi politikën e diplomacive evropiane me të gjithë forcën e penës së tij të hidhur. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij, nuk ka qenë asnjëherë i butë me “kurvën e motit”, kur ajo tregohej e padrejtë ndaj Vendit të tij e, fatkeqësisht, shekulli i shkuar nuk qe aspak i kursyer me padrejtësi kundrejt shqiptarëve.

“Kështȗ pra, pa nderë e pa kurrfarë burrniet Europa u prȗ ndaj Shqypnis shî n’kohë, kur kjo kishte mâ nevojë me kênë prej saj. E pra mretnien e Shqypnìs Europa e kishte krijue! Por shka se pabesnia e pushteteve t’Mdhà duel edhe mâ n’shesh n’t’caktuem t’kufijvet t’Shqypnìs.”

Për meshtarin atdhetar është e papërligjëshme që Evropa të qëndrojë vrojtuese e thjeshtë e faktit që ushtritë sërbe, greke e malazeze, si ujqit e tërbuar të zaptojnë tokat shqiptare, për të cilat ajo vetë kishte vendosur në Londër se duhet të bënin pjesë në një shtet të pavarur. 

“Me ç’sŷ e faqe Europa ka me pritë gjygjin e historìs, qi sodmesod, n’sŷ t’mkâmsve t’saj, po mund t’pertrîhen n’Shqypnì pȗnë t’dhȗnshme pa pasë nieri se kȗ me kja, se ku me lypë gjygj ? N’dy vjet qi Evropa ka marrë n’dorë pȗnën e Shqypnìs, jo veç se ndër ne nuk ka hî gjykatore t’ligjshme e t’njimêndët, por s’ka nji statut, s’ka nji themel ligjet, s’ka nji sundimtar t’vetëm qi t’ket dependencë t’vertetë prej Mretit e nji  fuqi t’ligjshme n’dorë. Gjaku i shqyptarit derdhet rrkajë, gjâja e shqyptarit hupë nder thoj t’mâ t’fortit…”

Tablloja e përshkruar është vërtetë tronditëse, një realitet i hidhur por, ndoshta do të kishte vënd edhe për një farë autokritike në planin e përgjithshëm, mbasi vitet 1913 – 14 nxorën në dritë, krahas padrejtësive të Fuqive të Mëdha edhe krijimin e rrymave e të dasive në gjirin e klasës drejtuese shqiptare. Rrëzimi i Ismail Qemalit dhe kalimi n’anën e Esat Pashës i mjaft prej intelektualëve shqiptarë nuk dëshmojnë për një qëndrim t’urtë e bashkësi mendimesh e qëllimesh në drejtimin e shtetit shqiptar në një çast vendimtar. Megjithatë protesta e Fishtës dhe padia e tij, jo vetëm qëndrojnë në planin historik, sa që ende sot, mbas më shumë se një shekulli, mjaft prej problemeve tona e kanë zanafillën pikërisht n’ato vendime e qëndrime, por dëshmojnë edhe ndjenjën e lartë të atdhedasurisë së shkrimtarit, për të cilin fati i Vendit është në majën e shqetësimit të shpirtit të tij vullkanik.

Ai fat nuk është vetëm në duart e të huajve. Për këtë ishte i ndërgjegjëshëm frati françeskan dhe ai ishte derti më i madh që bartëte në bisedat, në shkrimet, në takimet me bashkatdhetarë e me të huaj. Keqardhja për mangësitë e shqiptarëve, për nivelin e tyre t’ulët kulturor, për mungesën e konceptit t’idealeve dhe interesave të përbashkëta, për pamjaftueshmërinë e gjykimit dhe përceptimit të së vërtetës së marrëdhënieve mes tyre, janë shqetësime të përherëshme, që ngrenë krye vazhdimisht në shkrimet publicistike.

“Mjaft me ja lshue sŷt pa pajë e me gjak t’ftoftë, si i thonë, vepers qi na kemi zhdrivillue n’kto tetë vjetë, pse menjiherë kemi me u vertetue se na jemi prȗ, jo ndryshe veç si fmî e si e zeza e vedvedit qi kemi kênë gjithmonë. Po e xâm : mretin tonë nuk e ka xjerrë prej Shqypniet as inglizi as Franca as Rusia vetun, por e kan nxierrë shqyptarët!” 

Fishta historian shqyrton një nga çastet më të rëndësishme e vendimtare të historisë sonë, periudhën e shkurtër të mbretërimit të Princ Wied-it, e anashkaluar sipërfaqësisht nga historia zyrtare e regjimit komunist, e cila “zbuloi” me entuziazëm në rebelimin anadollak të Musa Qazimit e Haxhi Qamilit, bërthamën e parë të “revolucionit” komunist në Shqipëri, një ngjarje për t’u vënë në kornizë e për t’u nderuar si një shembull i lartë i “urtësisë” popullore. Si pasojë e asaj ngjarjeje tragjike për kombin, po aq vendimtare në kah negativ, sa edhe Shpallja e Pavarësisë në atë pozitiv, Shteti i ri shqiptar humbi rastin që i ishte dhënë, të ruante lidhjen me Evropën, nëpërmjet Princit të caktuar për t’u bërë Mbret në territorin e tij, simbas kërkesës së pjesës më të madhe të atdhetarëve shqiptarë. Ajo lidhje do të kishte qënë tepër e rëndësishme për rrugën që do të ndiqte Shteti i ri, duke fituar besimin dhe qëndrueshmërinë edhe në sytë e atyre Pushteteve të Mëdha që e kishin cunguar në krijimin e tij. Hapat e parë në drejtim t’organizimit të jetës shtetërore, megjithë vështirësitë e mëdha, u panë edhe n’ata pak muaj të qeverisjes së Princit. Por për një fatalitet të zi historik tonin n’atë periudhë të brishtë, do të fuqizohej e do të zotëronte një lëvizje që destabilizoi plotësisht atë përvojë pozitive, që ishte fituar në më pak se dy vjet pavarësie. Pasojat qenë shkatërruese, me vite të gjata pushtimi të gjithë territorit nga ushtritë ndërluftuese, me marrëveshje të fqinjëve për coptimin e tokave shqiptare, me rrezikimin për t’u zhdukur si shtet në Konferencën e Paqes. Autori i shkrimit, me largpamësinë dhe mprehtësinë e gjykimit, e vajton në vetvete atë çast të mbrapshtë historik, nuk nguron t’a shohë të vërtetën në sy e të nxjerrë përgjegjësitë që rrjedhin nga paformimi i ndërgjegjes kombëtare, si pasojë e prapambetjes së theksuar ekonomike, që i bën bashkatdhetarët e tij të jetojnë të ndarë në bashkësi të vogla, pa asnjë lidhje me njëra tjetrën. Prandaj ai përshëndet me entuziazëm nismat austro – hungareze për shtrimin e rrugëve dhe hapjen e shkollave. “Udhët e mara e shkollat e mira janë agimi i parë i gjytetnìs. E ta diejn shqyptarët, qi dersa t’ngurrojn me pȗnue rrugat e me la per shkolla, s’kan me kênë kurr popull i dêjë me pasë vetvetsì morale n’shekull ; pse edhè ne ja u dhaçin tjerët, kan me e shpartallue kta vetë, sikursè edhè i kemi shpartallue.” 

Është një diagnozë e saktë e patologjisë së çastit historik, që mbart në vetvete shpresën dhe hidhërimin deri në dëshpërim e mosbesim. Shkrimtari mundohet t’u hapë sytë bashkatdhetarëve, t’u verë piketat e arsyes në rrugën e tyre të ecjes drejt qytetërimit evropian, të cilin ai e quan si të vetmin model për t’u huajtur edhe prej tyre.

“Lypset qi t’gjith t’shestuemt e t’rregulluemt e jetës s’shoqnueshme n’Shqypnì t’jet themelue mî parsime t’gjytetnìs prendimore, por me shart qi, der kȗ ta bajë natyra e ktyne parsimeve, kta t’qiten n’punë mas gjenjes e etnologjís s’vendit e mas ndîsive t’popullit n’mnyrë qi t’ruhet paqja e zêmrave edhè karakteri komtar i shqyptarve.”

Publicisti, meshtari e poeti i lëshojnë Vendin urtësisë së shtetarit dhe largpamësisë të njohësit të thellë të grigjës së vet, që din t’a drejtojë në rrugën më të sigurtë e më me pak rreziqe. Evolucioni i shqiptarëve drejt mendësisë evropiane nuk mund të jetë një “deus ex machina” e përnjëherëshme, një kopjim i plotë e i vrullshëm i përvojave perëndimore e i futjes shabllone të tyre në jetën shqiptare. Në këtë rast do të kishim një çoroditje të plotë që në vend të përparimit do të sillte anarkinë e veprimeve dhe amullinë e mendimeve. Harmonizimi i parimeve të qytetërimit perëndimor me psikologjinë, traditat e formimin shpirtëror të shqiptarëve në masën dhe kohën e duhur, janë siguria që sheh autori që “komi shqyptar t’jet përnjimend kom e kom i qytetnuem” Por nuk mjafton që proçesi zhvillues mendësor i shqiptarëve të vihet në baza t’arësyeshme, që të prodhojë vetëdijesimin për domosdoshmërinë e thithjes dhe përnjisimit të përvojave të të tjerëve, nëse nuk bëhet përzgjedhje e klasës drejtuese nëse ajo nuk do të ketë shtatin moral e profesional të duhur.

“Me e lshue Shqypnìn nder duer t’batakçive, âsht njapernja si me ja vjerrë ujkut mushknít m’qafë, me uzdajë se po t’i çon te shpija : ujku i han mushknít,  sidomos per n’kjoftë msue ndojherë me hangër m’to.”  

Sa profetike këto fjalë të shkruara pothuajse njëqind vite më parë. Sa shumë i vërtetoi koha ato, sidomos që prej 70 vjetësh e këndej, madje edhe në vitet e demokracisë e të ngarendjes drejt Evropës, sa dëme i sollën Shqipërisë batakçinjtë në drejtimin e saj, sa shumë e varfëruan për t’u pasuruar ata. Ҫështja e moralitetit të klasës drejtuese është një temë që e rrok disa herë në artikujt e tij, duke vënë në lojë politikanët e improvizuar e demagogë, që nuk janë t’aftë të bëjnë asgjë tjetër, veçse t’i kushtohen “politikës” së thirrjeve pa përmbajtje, të reformave të rreme e formale, të mashtrimeve me qëllim që të fitojnë votat, për të pasur një pozitë që do t’u japë mundësi të përvehtësojnë sa më shumë. Që nga koha e Fishtës e deri në ditët tona kanë kaluar dhjetëvjeçarë të tërë, por kjo sëmundje e shqiptarëve duket se ende nuk ka gjetur shërim edhe se më 1921 shkrimtari i madh i drejtohej kështu bashkatdhetarëve të tij : “A vagabondët jashtë pune e jashtë Shqipnìs, ose ndryshe kemi sharrue me të egër e me të butë.” Fatkeqësisht shqiptarët nuk qenë t’aftë a nuk deshën t’a zbatojnë atë porosi, madje i vunë ata në krye të tyre e sharrimi qe më i plotë e më i rrezikshëm edhe se sa e përfytyronte poeti kombëtar.

Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: At Fishta, Eugjen Merlika, Idete dhe Parimet, kombi

RRËNUES TË MITIT APO RRËNUES TË KOMBIT?

September 7, 2017 by dgreca

-Gjergj Kastrioti si burri më i shquar në Arbëri dhe aq shumë mori emër sa edhe vetë sulltanët e kishin goditje psikologjike e ankth ekzistencën e rezistencën e tij. Ky nuk është mit. Ky është realiteti atij shekulli. Miti do të vinte më pas ashtu si trimave që pasi bëjnë trimëri u thurin këngë./

-Pyetje për një katolike dhe një ortodoks që Gjergj Kastriotin e quajnë mit komunist-/

3 Kolec

Nga KOLEC TRABOINI/Debatet e mia për qëndrimin meskin ndaj Gjergj Kastriotit nuk i bëj vetëm me vëllezërit e mi shqiptarë myslimanë, por edhe me ata që janë katolikë apo edhe ato ortodoksë si Fatos Lubonja, por që ndajnë mes vetës të njëjtin qëndrim e mendim nihilist e mohues. Kur lexon shkrimet e mendimet e këtyre vetëshpallurve anti-kastriot, të duket  sikur lavdia e historisë ua ha barkun. Ose nuk kanë tjetër me se merren dhe u gjet sebepi për të rrëzuar jetën e veprën e Gjergj Kastriotit nën pretekstin absurd të rrëzimit të Mitit, të vetmit figure kombëtare gjithë evropiane që kanë shqiptarët e pa të cilin del të jemi popull nomad ashtu siç duan të na quajnë armiqtë e djeshëm e të sotëm apo dhe të nesërm të Shqipërisë.Ca e ndërtojnë imazhin e vet duke ndërtuar, po ja që paska edhe nga ata që duke mos pas prirje ndërtuese, mesa duket u lëshohen kazmës për të rrënuar bazamente monumentesh që njerëzit kanë ngritur në nderim të historisë por edhe të vetvetes.

Ky kor i përzishëm ndaj një monumenti në sheshe e në zemrat e shqiptarëve, edhe mua si shumë të tjerëve më irriton, ndaj gjej rast ti përgjigjem kësaj motre shqiptare katolike shkodrane Jona Leqejza që mjerisht ndan të njëjtin mendim degradues me rrënuesit e “miteve”. Do të flas hapur, se e vërteta mund të jetë e ashpër por kurrë nuk bën dëm.

Nuk bën të shkruhet apriori me një retorikë të zbërdhultë, si një mulli që bluan pa pasur një kokërr misër në mokërr. Gjergj Kastriotin moj zonje  e nderuar shqiptare katolike shkodrane, ndaj të cilit anti-kastriotët shfryjnë si çyryk vapori me avull të shekullit të 19, nuk e krijoj retorika komuniste, siç ju e citoni duke ja faturuar lavdinë e Gjergj Kastriotit diktatorit Enver Hoxha. Kjo është si të flasësh përçart. Gjergj Kastriotin, ende pa lindur diktatori Enver Hoxha, madje 4 shekuj para se të lindte ai, e krijoj nevoja historike për tu mbrojtur e për të përballuar hordhitë barbare të lindjes që po i shkretonin tokat arbërore, burrat i vrisnin, gratë i bënin robinja, vajzat pasi i përdhunonin i fusnin në haremet e veta ose i shisnin, ndërsa djemtë kush qe mbi 14 u pritej koka dhe kush qe më i vogël dërgohej në kampe për tu bërë mish për top në ushtrinë turko-osmane.

A keni lexuar “Rrethimin e Shkodrës” të madhit Marin Barleti. 300 djemve të rinj luftëtarë të Drishtit që ju dorëzuan në besë ushtrisë turko osmane( besë karakteristike turko-osmane kjo), ju pre koka në një ditë përpara mureve të kështjellës së Rozafës. “300 djemve luftëtarë të Drishtit që dorëzuan në besë, ua prenë kokat një e nga një, për tmerr e turp të tyre” shkruan Barleti për pabesinë e pushtuesve. Po edhe kjo masakër gjaku është një mit. Po edhe në qoftë ashtu, është një mit me gjak shqiptari. A keni dëgjuar për jeniçerët. Nuk e di sa e si e lexoni historinë, por jemi të detyruar, pa bërë leksion të mërzitshëm, tu themi se heronjtë i krijon së pari koha në të cilën jetojnë e më pas vjen jehona. Dhe pas bëmave të mëdha që stepën Evropën në rrezik prej hordhive turko-osmane, figura e Gjergj Kastriotit u krijua ndër bashkëkohësit e vet, por edhe në Evropë duke e konsideruar heroin më të lavdishëm të shekullit te XV. Dhe kishte emra të mëdhenj historik Arbëria në atë kohë; Lek e Nikoll Dukagjini, Lek Dushmani, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Teodor Muzaka, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani e të tjerë të cilët tashmë më të vërtetë të duken si mite e legjenda, por kanë qenë persona real dhe bëmat e tyre në histori janë të mëdha.

Gjergj Kastrioti si burri më i shquar në Arbëri dhe aq shumë mori emër sa edhe vetë sulltanët e kishin goditje psikologjike e ankth ekzistencën e rezistencën e tij. Ky nuk është mit. Ky është realiteti atij shekulli. Miti do të vinte më pas ashtu si trimave që pasi bëjnë trimëri u thurin këngë. Dhe këngëtarët popullorë padyshim janë në të drejtën e tyre të lavdërojnë bëmat e heronjve të popullit të vet. Ndër të gjitha kombet bëhet kështu e jo vetëm tek ne. Merr Simon Bolivarin në Amerikën Latine. Është krijuar edhe një shtet me emrin e tij. Bolivari është  kthyer në një mit që askush nuk guxon ta nëpërkëmbin e çmitizojnë sepse e linçojnë publikisht. Ne as kemi qenë e as jemi në këtë gjendje. Përkundrazi kemi arritur deri në atë stad “përparimi” në degradimin të figurave që përbëjnë shenjën më të fortë të identitetit kombëtar sa e përdhosim të vetmen figurë kombëtare të njohur ndërkombëtarisht si shpëtuesi i Evropës. Dhe motivohemi sikur po e objektivizojmë historinë, siç bën mjerisht Fatos Lubonja, një analist për të cilin kam respekt, por që kalon në absurd në këtë rast se i duket se është specialist edhe për skënderbejadën, të cilën mendon se mund ta shkërmoqë si mit i vjetër e dalë kohe. Nuk guxon njeri ta pyes sepse të quan analfabet i historisë nga që nuk kemi tejqyrën e tij.

Por le të ndalojmë pak në këtë përqasje të mbrapsht ndaj fenomenit Gjergj Kastrioti. Të shohim se përse një realitet historik mori përmasat e legjendës.   Dhe kur. Pas 5 shekuj që ishte  harruar nga populli i mbetur i shtypur e në errësirën e mosdijen që mbolli dhunshëm pushtimi osman. E më tej nevoja për të krijuar një shtet të pavarur të shqiptarëve e bëri të natyrshme të gërmohet në histori dhe të rikrijohet figura e tij me aq fakte sa kishin. Por prapë si në rastin e parë në viti 1444 e deri në 1468 kur vdiq, ishte nevoja historike për atë, ndaj dhe u konsiderua si një mit ani pse ai ishte histori e vërtetë. Edhe intelektualët e shquar evropianë e pranuan rikrijimin e figurës historike dhe në saj të këtij “miti”, që i bezdis aq shumë nihilistët e historisë kohës së trishtuar të  Oliver Jens Schmitt, një historian kafenesh,  u arrit të bindeshin qarqet diplomatike evropiane që të kishte një shtet të shqiptarëve të Gjergj Kastriotit.

Është e sigurt se pa atë “mitin” e atij që sot po e konsiderojnë të papranueshëm dhe duan ta shprishin si plaka leshtë në gërhanë, nuk do të kishte sot një shtet shqiptar, as Kosovë nuk do të kishte dhe shqiptarët do të tjetërsoheshin me dhunë e vrasje siç bënë serbët dhe grekët në shekullin e XX. Me mit pa mit ai ishte një realitet historik, betejat i ka kryer, nuk i mohon dot as zvicerani Oliver Jens Schmitt, as orthodoksi Fatos Lubonja, as katolikja Jona Leqejza, aq më tepër radikalët islamikë. Por gjithsesi rilindësit tanë dinin çfarë po bënin, nuk kishin këtë mendjen tonë “të ndritur” që dimë vetëm të rrëzojmë e jo të krijojmë. Rilindësit e thirrën nga mesjeta apo e rikrijuan nuk ka rëndësi, por qëllimi ishte për të zgjuar këtë popull që flinte nën injorancën osmane, pra e bënë veprën e figurën e Gjergj Kastriotit si një pishtar për të parë udhën e lirisë.

Pa ndriçimin e mendjes dhe krijimin e shpresës nuk mund të bëhej asgjë. Natyrisht se ka gloria, por prapë se prapë është glorifikim i ngjarjeve shkuara për nevoja historike të kohës. Siç më lart e përmendëm kështu kanë bërë të gjithë popujt, francezët, amerikanët, anglezët me dhjetëra figura të tilla në historitë e tyre. Ne kemi vetëm një e duam ta shkërmoqim në emër të ca egove apo të revansheve fetare të atyre që janë pre e fanatizmit e padijes. Të kesh një hero kombëtar nuk është dëshirë apo ego individuale, është aspiratë kolektive, është shprehje e dëshirës për një indentitet të fortë përfaqësues. Shumë qytetarë amerikanë as që dinë ku bie Shqipëria, pyesin ku bie, e u themi diku në mes të Greqisë dhe të Italisë, të cilat i njohin se grekët kanë madhështinë e lashtësisë, italianët shkëlqimin romak dhe Garibaldin por kanë edhe Verdin. Dhe ata, amerikanët pra, thonë ahaaa…sikur të thoshin nuk e dimë dhe kaq. Por, po tu përmëndësh e kujtosh se një nga poetët më të mëdhenj amerikanë, me shtatore në Washington DC dhe në Boston, Henry Wadsworth Longfellow,  ka bërë një libër poemë për Skënderbeun ata ndjejnë afinitet dhe realizojnë njohjen.

Tani u dashka, sipas ca mendjeve shqiptare, të rrëmbejmë kazmën e ta shkërmoqim mitin se ky po na penguaka për të hyrë në suazën e perandorisë së re neo-osmane që po piketohet prej mendjeve të mykura në Ballkan.  

Lavdia e Gjergj Kastriotit nuk ka si të jetë një mit i komunizmit të Enver Hoxhës, siç e cilëson zonja katolike shkodrane Jona Leqejza, apo siç elaboron Fatos Lubonja me skepticizmin e tij karakteristik në intervista  që hyjnë si pykë në mes të lajmeve në News 24 e ku pyetja ju bë për Gudarët e Krokutët e Akademisë së mykur të Shkencave, ku ai nuk gjen asnjë vërejtje e kalon tek miti i Gjergj Kastriotit që u dashka zhbërë. Apo ekzemplari tjetër Kreshnik Çollaku, eksponenti i seksioneve të partisë demokratike që komenton nëpër media sociale si të ishte një riosh fanatik fetar, apo duke shkuar me tej siç do  ta paraqesë Gjergj Kastriotin banda e injorantëve të terrinës fetare neo-osmane në jazëk portalin “Impakt”.

Ju pëlqen apo jo këtyre apo atyre, me ose pa mit, i madhërishmi Gjergj Kastrioti, aty është, në histori, e do mbetet edhe kur tërë batalioni i kazmaxhinjëve apo mendje kandarëve e tërë handraku i këtij vendi do të shkojnë në amshim.

Kot lodheni. Ai e ka fituar betejën mbi invadorët e Atdheut të tij, por do ta fitojë edhe betejën historike mbi të gjithë ata që hedhin baltë mbi gur mbi fytyrën e tij të ndritur në histori, gurë themel të kombit shqiptar. Të jeni të sigurtë që do ta fitojë edhe betejën me kazmaxhijtë.

Hani sa të doni fara kungulli kur nxirrni qentë në shëtitje. Ai atje është. Në kohë me diell e kohë me shi. Në ngrica e furtunë. Nuk pyet as për rrufe e bubullima. Kur të tjerët struken ai aty qëndron. Madhështor si ai. Dhe do të jetë në jetë të jetëve.

Pas pyetjes që i kam bërë hierarkisë (e jo individëve) të komunitetit mysliman lidhur me qëndrimin rreth Gjergj Kastriotit, shtroj pyetjen edhe përpara atyre që i përkasin religjioneve të tjera e që merren po aq ligsht me heroin kombëtar të shqiptarëve:
Është koha të deklaroni, jeni rrënues të mitit apo rrënues të kombit?!

Filed Under: Analiza Tagged With: Heroi dhe miti, Kolec Traboini, kombi

Atdheu dhe Kombi – çështje madhore që nuk ndan por bashkon

September 6, 2017 by dgreca

3 Kolec

Nga KOLEC TRABOINI/

Kapur pas titullit e jo prej përmbajtjes shumë shqiptarë mysliman janë pozicionuar ashpër ndaj shkrimeve të mia por duke prekur dhe personalitetin tim, mirëpo ideja dhe thelbi i shkrimit tim ishte se pa Gjergj Kastriotin nuk mund të kishte e Shqipëri e as shqiptarë. Këtë të vërtetë unë e kam nxjerre nga historia dhe nuk është amplifikim i ideve apo platformave të ndokujt tjetër, apo agjende politike platformash qëllimkëqija, prandaj me duket ai acarim që e kalon etiken krejt pa ndonjë bazë morale dhe i paarsyeshëm. Shkrimi im në atë rast, por edhe tërë shkrimet e mija në fushë të gazetarisë nuk janë të pozicionuara kurrë fetarisht, nuk kanë të bëjnë me fe dhe trajtojnë vetëm probleme në interes të popullit dhe kombit shqiptar. Sepse këtu, more vëllezër shqiptarë, edhe në rastin e incidentit me mbulimin e shtatores së Gjergj Kastriotit, nuk është punë feje po punë kombi. Një grup ekstremistësh islamikë përpiqet të manipuloje shqiptarët myslimanë, nëse këtë ju nuk e kuptoni sot, do bini viktimë e tyre herët a vonë.

Luftoj me këta ekstremistë ka 20 vjet. Ky është thelbi i shkrimeve të mia, të shpëtojmë njerëzit nga influenca e nga manipulimet radikale. Ju që shani nëpër forumet sociale jeni të falur, por e vërteta nuk mbulohet me shoshë, doni apo nuk doni ju, dua apo nuk dua unë. Kush ndjehet shqiptar pavarësisht nga feja, duhet ti dalë zot Kombit dhe At Themeluesit të tij Gjergj Kastrioti. E kjo për të gjithë qëndron njësoj. Askush nuk ka pse të mendojë se e do Atdheun më shumë se tjetri.

Gjithsesi qoftë, tek qëndrimi ndaj Gjergj Kastriotit ndahen rrugët, atdhetarët nga tradhtarët e bukëshkalët, shqiptarët nga bacil mbetjet e turko-osmanëve apo dhe armiqve historikë, kushdo qofshin. Të tjerat i dini vetë. Mjafton ti shihni e ti ndiqni ngjarjet me qetësi dhe kthjelltësi, dhe patjetër me dashuri për këtë vend e për këtë popull. Po ju sjell një shkrim timin të shkurtër (si shkrim brenda shkrimit) publikuar 20 vjet me parë kur nisa polemikat me disa studentë ekstremistë që po përgatiteshin në universitetet e lindjes me një program të qartë për radikalizmin e shqiptarëve myslimanë të Shqipërisë dhe ndezjen e një konflikti fetar që edhe sot e kësaj dite është në agjendën e tyre me qellim krijimin e një shteti Neo-Osman në principet e Kalifatit Islamik.

*           *           *

Në raport me kombin, feja është një çështje e disi më e vogël, personale, e një njeriu në të drejtën e lirinë e tij themelore për besim, por atdhedashuria është një çështje madhore e miliona njerëzve. Mund te them vetëm kaq, se ju student në Universitetin Islamik në Kuala Lumpur të Majlazisë, O. J., shfaqni një urrejtje e mllef kundër kristianizmit dhe veçmas katolicizmit sa unë nuk kam dalluar tek asnjë shqiptar tjetër me fe myslimane apo fe tjetër. Kundërpërgjigja që ti i jep zotit Ardian Vehbiut, në tërësi, zbulon patosin tënd të jashtëzakonshëm për pushtuesit turko-osman të Shqipërisë, që e përdori fenë islame si një mjet për të shkombëtarizuar shqiptarët. Në të vërtete, pavarësisht konvertimit ku me dhunë e ku me privilegje, nuk ja arriti, por ndikoi në vonesën historike për shkëputjen nga Turqia.

Këtu gjen kontekst historik shprehja poetike e Pashko Vas Shkodranit ”Feja e shqiptarit është shqiptaria”, që në të vërtetë është një lajtmotiv atdhetar dhe jo ateist. Ju kot e pa baza e sulmoni edhe atë. Misionarët e fundamentalizmit islamik nga viti 1992-1997 u përpoqën, me para, me fondacione gjoja bamirëse, dhe me të gjitha mënyrat ta kthenin Shqipërinë në një shtet avangardë të Islamizmit radikal në Evropë dhe ndër ato bij shqiptarësh (në qoftë se e ndjeni veten të tillë), që ranë viktime e këtij revanshi oriental, jeni edhe ju. E kuptoj që të vjen ndoshta hidhur kur i dëgjon këto fjalë por dije se nisem nga asnjë faktor tjetër veç dhimbjes se ty në këtë rrugë që ke nisur, do të zbehen cilësitë si shqiptar. A nuk e pyet veten pse ke kaq mllef ndaj Skënderbeut? “Shpirti islamik i shqiptarit – sipas teje,- me tu bërë Shqipëria e pavarur, i liroi vendin të afërmeve të Vatikanit e Athinës… sepse Stambolli kish vdekur”.

Tani të pyes hapur, pse e jeton ti që ke lindur tepër vonë ketë “dramë historike”.

Këtë dramë e kanë përjetuar para teje ca si Haxhi Qamili e Musa Qazimi, të cilët rrëmbyen pushkët, ngritën flamurin e Turqisë dhe bënë kryengritje, e tek hiqnin zvarrë atdhetarët shqiptarë, thërrisnin si të çakërdisur “Dum Babën!”, domethënë babë Sulltanin e Stambollit. Të jetosh si dramë çlirimin nga pushtuesi vetëm për faktin se me atë të lidh feja, do të thotë se të janë fashitur e shuar ndjenjat kombëtare dhe e ke zëvendësuar me diçka tjetër. Raporti me Atdheun është guri i provës për çdo atdhetar të vërtetë. Ti mos pandeh se në Greqi nuk kishte mysliman në revolucionin e 1821. Edhe sot po të shkosh në Athinë do të gjesh grekë me mbiemër turk, por janë kreshtanë. Në Athinë ku kam jetuar pesë vjet, kam parë marketin me emrin Alizoti, kishte familje Haxhi, Vrioni, Karahasani e soj-soj. Ajo që ndodhi pas 1821 ishte se populli masivisht e braktisi fenë që erdhi bashkë me pushtuesin, gjë që populli ynë nuk e bëri. Është mirë apo keq kjo që ndodhi me ne, do ta kuptosh nga qëndrimi i Europës ndaj vendeve Islamike.

E për të gjykuar dhe arritur tek e vërteta mos u nis nga ato që thonë diplomacitë, por nga ato që bëjnë shtetet perditë. Europa ka qenë e mbetet tepër konservatore. Ju duhet ta dini çfarë ka thënë para pak kohësh Helmut Kohl: “Turqia myslimane nuk ka vend në Evropën kristiane” ( është fjala për Bashkimin Evropian), lexo gazetën “Bota Sot”, Zvicër 1997.

Nuk e kuptoj edhe urrejtjen e jashtëzakonshme që shfaqni ndaj Kadaresë sikur ky qenka “spiun”( fjalët e tua). Thelbi i kësaj urrejtje, me sa kuptoj, qëndron në një propozim miqësor që Kadare ka bërë dy vite më parë që, ne si komb, ndër kombet kristiane më të para në Evropë (në Durrës ka ardhur vetë Apostulli Shën Pali), pra ti kthehemi origjinës në fenë që kemi pasur. Ky nuk ishte propozim për tjetërsim por kthim i natyrshëm e i vullnetshëm tek vetvetja, ashtu siç e kishim para se të na pushtonin turko-osmanët. Pas kësaj Kadareja u sulmua rreptë nga mjaft fanatikë, sa ky u detyrua të mbrapsej nga ideja vet dhe të deklaronte në panik në një takim me shqiptarët kosovarë në Gjermani të cilët e akuzuan si anti islamik, se “edhe unë jam mysliman”. Krejt e pakuptimtë kjo deklaratë. Asnjë shkrimtar në botë nuk del të deklarojë besimin në publik sepse besimi është një çështje krejt vetjake. Në qershor 1995 kam botuar në gazetën “Egnatia” shkrimin satirik për gazetarin Mefail Maliqi që deklaratën e Ismail Kadaresë e konsideronte si një fitore islamike (lexo: e pjesës radikale), kur Kadare para së gjithash është një shqiptar e nuk i takon një pjese të popullsisë me besim fetar, por gjithë popullit të vet. Shkrimi im mban titullin “Gazetari Mefail Maliqi i bie fyellit në një vrimë”, por ti edhe pas kësaj deklarate të vonë e sulmon Kadarenë. Mos vallë edhe sulmi yt është në vorbullën e fanatizmit që e ndan popullin pjesë-pjesë? Pyet veten me qetësi dhe përpiqu të jesh më shumë shqiptar se sa fetar, sepse atdheu të lind, besimin e fiton por edhe mund ta humbësh nëse besimi të tronditet. Kur vdes njeriu në tokën e atdheut i pushojnë eshtrat përjetë.

Atdheu është mbi çdo gjë, mbi priftërinjtë e hoxhallarët. Besimi është një çështje vetjake e brendshme e një njeriu që nuk lind nevoja të demonstrohet.

Atdheu dhe Kombi janë një çështje madhore e miliona njerëzve në një kauzë të përbashkët që nuk ndan por bashkon.

*         *           *

Kjo ishte për atëherë, shkruar e publikuar plot njëzet vjet më parë në Boston, shtator 1997 me një dëshirë të mirë që studentët shqiptarë nëpër universitetet islamike të mos radikalizoheshin, por ata mjerisht siç ishin përgatitur ashtu dhe vazhduan, duke u përpjekur me çdo kusht e çdo mënyrë të ndikonin tek shqiptarët myslimanë me qëllim për ti përdorur ata për programet e tyre ekstremiste. U përqendruan se pari me propaganda fetare, duke treguar gjoja epërsinë e një kodi fetar mbi një tjetër, pastaj nisen përpjekjet për rrënimin moral të figurave që përbejnë themelet e kombit shqiptar. Bënë atë që bëjnë ndërtuesit kur duan të rrënojnë një shtëpi e të ngrenë një tjetër, pra të shembin shtetin shqiptar laik e të ndërtojnë një shtet fetar islamik radikal, e për këtë u hodhën edhe në rrënimin e historisë. Përfituan nga ideja se historia e krijuar në kohën e monizmit ishte manipuluar dhe duhej një histori e re sepse, sipas ekstremistëve turko-osmanët, nuk kanë qenë pushtues por shpëtimtarë të Shqipërisë e të shqiptarëve. Pra vrasësin e paraqesin si shpëtimtar dhe pushtimin Osman pesë shekullor e konsiderojnë si një lumturi e madhe e pa rrëfyer më parë dhe këtë ua paska fshehur shteti shqiptar.

Në avancim të ideve të tyre për ndërtimin e Shqipërisë Kalifat, sulmuan me të gjitha mjetet e propagandës Gjergj Kastriotin, gur themelin e kombit shqiptar. Pastaj nisën të merren me figura të tjera përfaqësuese që e ngrenë prestigjin e shqiptarëve në botë, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe e zgjeruan objektivin e sulmeve me Ded Gjo Lulin, Luigj Gurakuqin, Idriz Seferin e tjerë. Duke përdorur mjete teknologjike bashkëkohore arritën të përhapin idetë e tyre shkatërrimtare nëpërmjet rrjetave elektronike, por përfituan nga tolerance e tepruar e disa kanaleve televizive të Tiranës që u lanë hapësirë për propaganda antikombëtare këtyre kasnecëve të neo-osmanizmit turko-arab. Duke përfituar nga zhgrehja e apatia e Akademisë së Shkencave të Tiranës që ka rënë në duart e ca njerëzve të paaftë e karrieristë, në media e kudo nuk harruan ta ngrinin lart një figurë ndër më të urryerat në historinë e kombit shqiptar, Esat Toptani, të cilin e kanë pudrosur zellshëm edhe gazetarë në ekranet televizive apo duke botuar libra me qëllim për ta rehabilituar, ndërkohë duke denigruar djaloshin trim shqiptar Avni Rustemi.

Në këto rrethana, ajo që ndodhi në sheshin qëndror në Tiranë me monumentin e Gjergj Kastriotit, ngjarje të cilën kërkojnë ta minimizojnë pushtetarët përgjegjës për këtë kryeskandal, nuk është gjë tjetër veç qershia mbi tortë e ekstremistëve fundamentalist islamikë, që arritën të influencojnë edhe mbi drejtuesit e komunitetin shqiptar mysliman, të cilët të paktën në një ditë u bënë palë me ekstremistet. Edhe dalje e një figure hierarkike të komunitetit mysliman në Tiranë, duke i kërkuar falje e ndjesë komunitetit katolik për çfarë ndodhi turpësisht me shtatoren e Gjergj Kastriotit, është pjesë e provokimeve djallëzore sepse Gjergj Kastrioti nuk është figurë vetëm e komunitetit shqiptar katolik, por ai është heroi kombëtar i të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhën në botë duke përfshirë dhe shqiptarët mysliman, ortodoksë, evangjelistë dhe ateistë. Nuk e dimë sa në këtë ndjesë të dalë boje ka dorë djallëzia apo është e gjithë mosdija, niveli mediokër i oratorit, dhe mungesë e intuitës kombëtare.

Nuk është tepër herët për të thënë se si do të jenë rrjedhimet e deri ku na çon kjo rrugë revanshesh të fanatizmit fetar, për më tepër edhe të vrullit që kanë marrë hordhitë e neo-osmanizmit në trojet shqiptare. Nuk është tepër herët për të venë alarmin që ti pritet rruga mizorisë ogurzezë të fanatizmit fetar. Mendjelehtësia, anashkalimi, duke u fshehur pas tolerancave vetëmburrëse, nuk është gjë tjetër veç një vetëvrasje, të cilën populli shqiptar nuk e meriton se mjaft ka vuajtur nëpër shekuj.

Prandaj them, se kur flasin e shkruajmë në mbrojtje të identitetit tonë si shqiptarë, nuk është punë feje por është punë kombi dhe atdheu.

Shtator 1997-2017

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Atheu, bashkimi, Kolec Traboini, kombi

Kombi,rrënjët tona shpirtërore

April 13, 2016 by dgreca

Atë Antonio Bellushi : Kombi, janë rrënjët tona shpirtërore !/

“Arbëresh je TI, mos e harro, shpirtin e mëmës TI në zemër trashëgo’. Tek i pari editorial i “Lidhjes” shkruante: “Ti arbëresh të lidhesh me kulturën e vendit, ti arbëresh nëse jeton te qyteti, të krijosh lidhje me katundin tënd ku janë varret e të parëve Tuaj! Të lidhesh me shqiptarët që janë në Shqipëri, me shqiptarët që janë në Kosovë. Pastaj lidhje me shqiptarët në Amerikë, Kanada e Australinë e largët. Është një fjalë, një program. Një lidhje shpirtërore. Për këtë bëra një studim. Çka do të thotë kombësi. Arbëreshët në vitin 1700 folën për kombin shqiptar. Ç’është kjo kombësi shqiptare për arbëreshët, kur Shqipëria nuk ekzistonte si shtet!Mrekulli atdhedashurie !”

Kombi, janë rrënjët tona shpirtërore, besimi ynë, gjuha jonë, zakonet zona, kujtimet tona. Gjithë kjo pasuri kulturore e shpirtërore krijon një komb, me të cilin Ti jeton, jeton ëndrrën dhe bashkëpunon, pa dallime, pa kufizime. Pra një Shqipëri etnike, ku çdo shqiptar është im vëlla. Për këtë arbëreshët kur përqafoheshin me njëri – tjetrin, thoshin, ‘ku je im vëlla, gjaku im i shprishur’. Kjo kishte një domethënie të madhe. Gjaku do me thënë identiteti, kombi.
“Identiteti ynë është një identitet i hapur, ne respektojmë edhe tjerat kultura. Pra, shpirti i arbërit është i butë, nga dhjetëra anë është shumë i urtë, shumë i hapur”, thotë Bellushi

Antonio Bellishi ka botuar 12 libra, “Antologjia arbëreshe” proza gojore, për veshjet, këngët arbëreshe dhe ju dedikohet shkollave. Ndërsa tjetra është Antologji arbëreshe, ku janë përfshirë këngët, lojërat për rininë, ninullat, etj. “Arbërorët – Arvanit. Një popull i padukshëm” – Kërkime etnografike në Helladhë/ Gli arbërori – Arvaniti – Un popolo invisibile/ Ricerche etnografiche nell’Ellade (1965 – 2000) – Testi e documenti di cultura orale raccolti in 37 paesi albanesi nelle regioni dellìAcaia, Corinzia, Argolide, Attica. Beozia e Locride/ Presentazione di: Prof. Agron Xhagolli di Tirana (Albania); Prof. Zymer Neziri di Prishtina (Kosova); Avv. Vangjel Ljapi di Mandra – Elefsina (Grecia), Editore Centro Ricerche G. Kastriota,Frascineto 2004, pp. 350.

“Tekste dhe dokumente të kulturës gojore arbërore të mbledhura në 37 katunde arvanite. Në këto punime kemi këngë, vjersha dashurie, intervista me këta vëllezër arbëreshë, ku pimë një gotë me verë, nderohemi, gëzohemi. Janë pjesë të rëndësishme që vijnë nga këta vëllezër të pashkollë që asnjeri nuk i vlerësojë, e që për mua këta njerëz, janë krijues popullor, janë të mëdhenj. Këtu ka edhe fotografi të shumta, dhe ajo që është më e rëndësishmja, janë të shkruara me alfabet shqip. Edhe arbërorët e Greqisë i kanë disa botime për kulturën e tyre popullore gojore, por me alfabetin grek. Por, alfabeti grek nuk mund t’i pasqyrojnë gjithë bukuritë e këtyre tregimeve sepse është një alfabet i dobët.” i thotë   Ajete ZOGAJT , në intervistimin e saj
“  Në jetën e një populli a të një bashkësie, sado të ketë pasur trysni gjuhësore, kulturore, fetare, ekonomike etj., gjithmonë gjenden disa shenja të fshehura thellë në gjenin e tij, të cilat reagojnë sa herë rrezikohet humbja e kufirit të fundit të identitetit kombëtar. Ato shfaqen zakonisht si kujtesë e strehuar thellë në ndërdijen e çdo individi dhe njëkohësisht mbrenda kolektivitetit, prandaj kuptohen si përbërës të etnolinguistikës, por në thelb do të duhej të studioheshin brenda psikolinguistikës – thotë     Belushi.
Kolec Troboini shkruan:    “ Andon Bellushi (Antonio Bellusci) Prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindur në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës, (Itali). Diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”. Ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”. Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi. Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Është nderuar nga Qeveria Italiane, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës, etj.
Ky është qëllimi i misionit të Antonio Belushit, prift katolik i ritit bizantin nga Kolonia e arbëreshëve të Italisë, të cilin, sikur shprehej vetë ai, me arbëreshët e Italisë e lidh vendlindja e tij, me arvanitasit e Greqisë e lidh prejardhja patërore, me Shqipërinë e lidh prejardhja amëtare, ndërsa me Kosovën dhe viset shqiptare në ish-Jugosllavi e lidh ideja e shqiptarizmës, Atë Antonio Belushi është në mision të vazhdueshëm Zërin gjysëm të shurdhër të arbërorëve të harruar zërin e ninullave, të këngëve e të vajtimeve të vdekjes, e bëri të zëshëm dhe të dëgjuar edhe në Kosovë.
Referencat:
Andonio Velushi – Kolec Troboini
Arbëroret filluan të flasin, Myrvete&Begzad Baliu
Rrënja jonë mëmë – shqiptarizmi- Ajete Zogaj

Fahri Xharra,13.04.16
Gjakovë

Filed Under: ESSE Tagged With: Fahri Xharra, janë rrënjët, kombi, tona shpirtërore

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT