-Kosova 10 vjet pavarësi, presidenti Thaçi në mbledhjen e qeverisë: Rrugëtimi ynë është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik/
-Presidenti bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë/
-Kryeministri Haradinaj ka theksuar angazhimin e qeverisë që tre propozimet e presidentit t’i procedojë në një afat sa më të shpejtë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 5 Shkurt 2018/ Rrugëtimi ynë, i Kosovës, është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik, tha sot presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërkohë që nisin aktivitetet festës së 10 vjetorit të pavarësisë/
“Qeveria e Kosovës e ka pasur, e ka dhe do ta ketë mbështetjen time të plotë në thellimin e reformave në legjislacion, në ekonomi, në politikë, në konsolidimin e brendshëm e ndërkombtërar si shtet”, u shpreh presidenti.Duke theksuar të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës dhe rajonit ai tha se, “është momenti i duhur që Bashkimi Evrlopian të konfirmojë se i përket tërë Evropa Juglindore”.
Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës presidenti Thaçi bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë.Duke folur për këto tre propozime presidenti i Kosovës, Thaçi tha:“Në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë dhe dekadat e ardhshme, duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror.
Në shërbim të këtij qëllimi, kabinetit qeveritar i bëra tri propozime, të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të vendit tonë.Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e Kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore, si domosdoshmëri e kohës dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës.
Së dyti, e dimë se vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por ,kjo nuk mjafton. Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë ‘Muzeu i Pavarësisë’, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.
Dhe, së treti, kryeqyteti i Kosovës, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e Obeliskut të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilët do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota”.
Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ishte ftuar që me një fjalë t’i adresohej Qeverisë në mbledhjen e sotme.Në vijim të mbledhjes, pas adresimit të presidentit Hashim Thaçi për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar angazhimin e qeverisë që tre propozimet e presidentit t’i procedojë në një afat sa më të shpejtë.Kryeministri njoftoi kabinetin qeveritar me zhvillimet e përgatitjeve për shënimin e dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë që mbahen nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës.
Kosova në 10 vitet e pavarësisë ka bërë progres të gjithanshëm, ka vlerësuar presidenti Thaçi, në fillimin e këtij muaji, kur kremtohet jubileu i dhjetëvjetorit të 17 Shkurtit historik 2008.
“Këto kanë qenë 10 vite të progresit të gjithanshëm, të konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm shtetëror të Kosovës, të 115 njohjeve ndërkombëtare, të anëtarësimit në shumë e shumë organizata ndërkombëtare”, ka theksuar Thaçi në takim me mediat, ku ishte edhe korrespondenti i akredituar i Gazetës DIELLI.
Kosova e pavarur deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.
Presidenca e Kosovës është duke bërë akreditimin e gazetarëve për mbulimin medial të aktiviteteve për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.
“Në kuadër të manifestimeve për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nga 8 deri më 18 shkurt 2018, do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore, sportive dhe politike. Në këto aktivitete do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare”, theksojnë në Presidencë.
Presidenca e Kosovës bën të ditur se ndonëse shumica e aktiviteteve do të jenë të hapura për mediat, aktivitetet e planifikuara në 17 dhe 18 shkurt 2018 do të jenë më të kufizuara, prandaj për të lehtësuar punën dhe për t’iu mundësuar qasje në këto aktivitete, gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët, si vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë, duhet të pajisen me kartelat e veçanta të akreditimit për shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Me mbështetje e organizim nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme, gjatë fundjaves së kaluar në Prishtinë janë mbledhur dhjetëra wikipedian vullnetarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, ndërkohë që javën tjetër do të ketë edhe nga Evropa për ta pasuruar enciklopedinë e lirë wikipedia me artikuj dhe fotografi mbi Kosovën.
Ky aktivitet, është organizuar me rastin e shënimit të vitit jubilar të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që synohet që të vazhdojë të shtrihet në gjithë Kosovën, duke përfshirë vullnetarë të ri dhe kreativë.
Wikipedianët vullnetarë nëpërmjet Wiki-Academy Kosovo 2018, vetëm gjatë fundjaves së kaluar kanë pasuruar enciklopedinë Wikipedia me qindra artikujt dhe fotografi, ndërkohë që po aq pritet të shtohen edhe gjatë ditëve të ardhshme të punës dhe brenda dy punëtorive të radhës, që do të mbahen në fundjavën e ardhshme, në 10 e 11 Shkurt 2018 në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK).
FILLOJNË PËRGATITJET PËR MANIFESTIMIN “EPOPEJA E UÇK-së”
Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria e Kosovës miratoi vendimin për t’i rekomanduar presidentit të Republikës që të autorizojë ministren e Integrimeve Evropiane për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit zhvillimor të asistencës teknike në procesin e integrimeve evropiane.U miratu edhe vendimi për t’i rekomanduar presidentit të Republikës që të autorizojë ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Erasmus Plus”, program i Bashkimit Evropian për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.Qeveria mirtoi edhe nismat për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të grantit në mes Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për financimin e projektit për menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe projektit për shërbime profesionale të pranuesit në kuadër të Programit II të menaxhimit të mbeturinave.Me kërkesë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës qeveria vendosi që të përjashthet nga procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik blerja e pajisjeve të ndjeshme për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.Kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Ministria e Forcës së Sigurisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Zyra për çështjen e kategorive të dala nga lufta, të fillojnë përgatitjet për manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, që do të zhvillohet në javën e parë të marsit nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.
***
-Fjalimi i plotë i presidentit Hashim Thaçi drejtuar kabinetit qeveritar për nder të 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës -5 Shkurt 2018/
I nderuari Kryeministër Haradinaj
Të nderuar zëvendës-kryeministra, ministra
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj
Ju faleminderit shumë i nderuar kryeministër Haradinaj për ftesën që të marr pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.Jemi në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë, që për mua, për secilin nga ju, e mbi të gjitha për qytetarët tanë, duhet të jetë një moment krenarie për rrugën tonë të shtet ndërtimit.Gjithashtu, jemi në prag të publikimit të strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor e cila patjetër që duhet të krijoj mundësi unike për anëtarësim në BE për Kosovën dhe tërë rajonin.Është momenti duhur që Bashkimi Evropian të konfirmojë se tërë Evropa Juglindore i përket BE-së, e jo ideologjive tjera që cenojnë vlerat dhe parimet perëndimore. Nënshkrimi i MSA-së për ne ka qenë mirënjohje për reformat që kemi bërë në të gjithë sektorët: në ekonomi, në politikë dhe në sundim të ligjit.Por është edhe udhërrëfyes për rrugën tonë integruese në BE.Duke ju uruar dhe përgëzuar për punën i nderuari kryeministër dhe kabinetin tuaj, unë ftoj qeverinë që të punoj më intensitet të madh për zbatimin e MSA-së dhe të Agjendës Evropiane të Reformave. Në kuadër të kësaj edhe të gjitha institucionet, edhe Presidenca, edhe Parlamenti, edhe nivelet lokale në një bashkëpunim të ngushtë edhe me shoqërinë civile, edhe me mediat, personalitet publike dhe me të gjithë njerëzit kontributdhënës.Natyrisht, fokus i vazhdueshëm i yni duhet të jetë zhvillimi ekonomik, ishte historike nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re nga Qeveria e Kosovës, për çka ju uroj dhe përgëzoj i nderuari kryeministër për rolin tuaj udhëheqës.Rritja e mirëqenies së qytetarëve, rritja e cilësisë së arsimit, shërbimeve mjekësore, rritja e kujdesit për familjet e dëshmorëve dhe kujdesi i vazhduar për veteranët e UÇK-së, hapja e vendeve të reja të punës, e shumë e shumë çështje tjera mbeten prioritete të të gjitha institucioneve të vendit.
I nderuari kryeministër Haradinaj,
Kabinet qeveritar,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Mua më vjen mirë që në këto dhjetë vjet të shtetit tonë kemi shënuar progres të vazhdueshëm, edhe pse jo gjithmonë aq sa meritojnë qytetarët tanë.
Kërkesat e qytetarëve kanë qenë shumë më të mëdha, se mundësitë që kemi pasur si shtet.
Por trendët janë pozitive dhe një gjë e tillë duhet të na motivoj të gjithëve që të ecim përpara.
Shtet-ndërtimi për ne, nuk ka qenë aspak një proces i lehtë për arsyet që ne të gjithë i dimë.
Kosovës i është dashur që të përballet me sfida shumë të mëdha për të konsoliduar shtetësinë tonë jo vetëm në arenën ndërkombëtare por edhe në planin e brendshëm.
Vetëm para dhjetë vitesh, pjesa veriore e Kosovës ishe nën kontrollin e strukturave ilegale të Serbisë.
Ndërsa realiteti i sotëm atje është krejt ndryshe. Kemi arritur të mbajmë zgjedhje komunale dhe qendrore, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, përmes të cilave qytetarët tanë kanë zgjedhur liderët e tyre që janë të përfaqësuar në Parlament, në Qeveri dhe në institucionet lokale.
Kemi instaluar policinë dhe gjyqësorin tonë.
Në pikat kufitare në veri të Kosovës janë policët dhe doganierët kosovarë.
I nderuari kryeministër Haradinaj,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Brenda kësaj periudhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me shtetet e rajonit.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ka dhënë rezultate pozitive, ani pse ka mbetur për tu bërë edhe shumë.
Tani jemi futur në fazën përmbyllëse të këtij procesi dhe jemi duke punuar që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare e cila nënkupton normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe pajtim nder shtetëror.
Pa asnjë dyshim, sot jemi shembull i mirë i paqes dhe pajtimit, shembull i dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira me të gjithë.
Për një shtet të ri, të vogël, të shkatërruar nga lufta, këto të arritura, për një kohë kaq të shkurtë, janë inkurajuese.
Derisa po përgatitemi të festojmë ditëlindjen e dhjetë të shtetit tonë, jemi krenar me të arriturat e njerëzve tanë në shumë fusha.
Medaljet në sport, shpërblimet në art e kulturë, të arriturat në shkencë e inovacion të të rinjve kosovarë e bëjnë krenar çdo qytetar të Republikës sonë.
Sukseset e tyre meritojnë edhe më shumë vend në hapësirën tonë publike dhe vëmendje më të madhe të institucioneve tona.
I nderuari kryeministër Haradinaj,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Derisa numërojmë të arriturat e shtetit të Kosovës, sigurisht që nuk mund të mos i përmendim edhe aspiratat për të ardhmen si dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi.
Edhe pse e dimë se cili është destinacioni ynë, rruga deri në NATO e BE nuk është e lehtë dhe e shpejtë.
Kjo kërkon përkushtim dhe punë të përqendruar në përballimin e sfidave, atyre të menjëhershme si dhe të atyre afatgjata.
Sfidat e menjëhershme mbesin plotësimi i të gjitha kushteve për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, transformimin e shpejtë e të suksesshëm të Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës, luftimi i radikalizmit dhe ekstremizmit si dhe ruajtja e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve tjera negative.
Por duhet qenë inkurajues në angazhimet që kemi bërë deri më tani, sepse kemi plotësuar kriteret për liberalizim, natyrisht duke mirëpritur dhe janë shumë të mirëseardhur përpjekjet e fundit që të gjendet një rrugëdalje për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Është për lëvdatë edhe puna e pjesëtarëve të FSK-së që të përfshijnë të gjitha komunitetet dhe të shtojnë nivelin e profesionalizmit, ndërtimin multietnik të kësaj ushtrie, duke bërë të mundur themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Si shoqëri kemi qenë të vendosur dhe kemi vepruar bashkë, në nivel institucional dhe në nivel të përgjithshëm shoqëror, që ta parandalojmë depërtimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në shoqërinë tonë.
Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë aktive e luftës antiterroriste, pra e koalicionit global antiterrorist.
Duke qëndruar prapa obligimeve tona ndërkombëtare, nga njëra anë demonstrojmë përgjegjësi të lartë para bashkësisë ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, ruajmë dhe forcojmë partneritetin me aleatët tanë ndërkombëtarë.
Ndër sfidat afatgjate janë ato të njëjtat që kanë qenë sikur të gjitha shtetet tjera fqinje – zhvillimi ekonomik dhe forcimi i sundimit të ligjit.
Edhe sa i përket gjykatës speciale ani pse e padrejtë historikisht, Kosova ka marrë obligimet e veta dhe do t’i kryej me përpikëri marrëveshjet që kemi arritur.
Edhe ky vendim është bërë për të ruajtur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n.
I nderuari kryeministër Haradinaj,
Kabinet qeveritar
Është e vërtetë që në historinë tonë, nocioni shtet shumë gjatë ka qenë sinonim i një trupi të huaj dhe armiqësor.
Por, fatbardhësisht, prej çlirimit të Kosovës, e sidomos dekada e fundit dëshmon faktin që për herë të parë në histori kemi shtetin tonë, që punon për paqe, siguri dhe mirëqenie të qytetarëve tanë.
Ndërtimi i shtetit kërkon sakrifica dhe punë të përhershme.
Ne e kemi për detyrë që të punojmë me përkushtim për forcimin e mëtutjeshëm të shtetit tonë.
Për këtë qëllim, ne duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror.
Qeveria e Kosovës, e ka pasur e ka dhe do ta ketë mbështetjen time të plotë.
Do ta ketë mbështetjen time të plotë në thellimin e reformave në legjislacion, në ekonomi, në politikë, konsolidimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar si shtet.
Prandaj, ju uroj i nderuari kryeministër Haradinaj ju dhe ekipin tuaj, për hapat që i keni ndërmarrë në këtë periudhë të shkurtër kohore.
Jam shumë i vetëdijshëm për lëshimet, dobësitë, sfidat që mund të ballafaqohemi në punët tona ditore, por rrugëtimi ynë është i qartë i saktë, dhe me vizion euroatlantik.
Në shërbim të këtij qëllimi, si presidenti i Republikës së Kosovës, duke ju falënderuar edhe njëherë për ftesën tuaj që të marrë pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë në prag të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, duke përfituar nga kjo mundësi e sotme, por edhe traditë e re që uroj që të vazhdon edhe në të ardhmen, unë dua të bëj sot me mirëkuptimin tuaj tri propozime të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e kabinetit qeveritar dhe të qytetarëve të vendit tonë.
Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore si domosdoshmëri e kohë dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës.
Së dyti, vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por kjo nuk mjafton.
Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë Muzeu i Pavarësisë, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.
Dhe së treti, kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e një Obelisku të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilit do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota.
Unë dua të besoj së shteti ynë, përkundër sfidave të mëdha që kemi, do të gjej mënyrën e duhur për t’i bërë realitet këto projekte të rëndësishme, të cilat do të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë historike pozitive.
I nderuar kryeministër Haradinaj,
Kabinet qeveritar,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Këto dhjetë vite kanë qenë vite të suksesit por edhe të mësimit me përgjegjësitë dhe obligimet që kemi përballë institucioneve tona shtetërore.
Kemi ecur shumë dhe kemi arritur suksese të pamohueshme.
Jemi mirënjohës për sakrificat e bëra nga gjenerata të tëra për shtetin tonë.
Pas pak do të shënojmë edhe 20 vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe Epopejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E dimë se cili është destinacioni ynë, integrimi i Kosovës në OKB, BE dhe NATO, për këtë na nevojitet punë dhe përkushtim i të gjithëve, i Qeverisë, Presidencës, Parlamentit, partive opozitare, shoqërisë civile, mediave, të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë dhe mbështetjen e diasporës, por unë kam besim se bashkë do t’ia arrijmë.
Kam besim tek qytetarët tanë, ne duhet ta kultivojmë besimin e qytetarit tek politika dhe institucionet që duke punuar së bashku dhe me përkushtim, jo vetëm që do të ecim me hapa të sigurt drejt familjes euro-atlantike, por do të forcojmë edhe më tepër dashurinë dhe respektin për shtetin tonë, për të kaluarën tonë, por para së gjithash për të ardhmen tonë.
Edhe njëherë Gëzuar dhjetëvjetorin e shtetit të Kosovës juve kryeministër i nderuar, juve Kabinet qeveritar, qytetarë të Republikës së Kosovës, është një nder dhe kënaqësi e veçantë që kisha këtë mundësi që t’ju drejtohem sot dhe ju falënderoj për këtë mundësi edhe njëherë i nderuari kryeministër.