• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Kosovë kthehen 11 qytetarë nga zonat e konfliktit në Siri

July 19, 2021 by s p

PRISHTINË, 19 Korrik 2021- Gazeta DIELLI/ Behlul Jashari

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferenca për media lidhur me kthimin në Republikën e Kosovës së 11 qytetarëve nga zonat e konfliktit në Siri. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin ministri i Punëve të Brendshme, njëherazi Koordinatori Nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, z. Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovë, z.Samedin Mehmeti. Në fjalën e tij para gazetarëve, ministri Sveçla bëri të ditur se kthimi i këtyre qytetarëve, ku në mesin e tyre janë katër fëmijë, është bërë në bashkëpunim të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Me këtë veprim, Kosova, si anëtare e Koalicionit Global, dëshmon së është partner i përkushtuar dhe i gatshëm të përmbushë obligimet ligjore, si vendore dhe ato ndërkombëtare”, tha ministri Sveçla. Më tej, ai theksoi se të gjithë personat që kanë marrë pjesë në luftime në zonën e konfliktit, kanë kryer krime si dhe ata që kanë qenë të përfshirë në çfarëdo kapaciteti në organizata terroriste, do të dalin para drejtësisë. Në anën tjetër, ai theksoi se: “ne të do ndërmarrim të gjithë veprimet e nevojshme së bashku me institucionet relevante, për të ofruar mbështetjen e plotë për rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri ”.Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovë, z.Samedin Mehmeti tha se falë angazhimeve të tilla, ka rezultuar që situata aktuale të jetë shumë më ndryshe, për dallim me situatën e viteve 2013 dhe 2014. Ai bëri të ditur se gjatë këtij operacioni është arritur që të kthehen gjithsej 11 persona, në mesin e të cilëve gjashtë burra, një grua dhe katër fëmijë. Po ashtu, ai theksoi se deri më tani, të kthyer nga zona e konfliktit janë gjithsej 253 persona, prej të cilëve 130 burra, 39 gra dhe 84 fëmijë.Në fund, u theksua se situata e sigurisë në vendin tonë është e qetë dhe stabile, ndërsa Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që sipas misionit dhe detyrave të saj, në mënyrë të vazhdueshme të angazhohet në përmbushjen e aktiviteteve dhe objektivave të parapara sipas Strategjisë për parandalimin e përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: kosova, terrorizmi

Para 23 viteve në Kosovë ndodhte Bosnja, në Rahovec Srebrenica

July 17, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 17 Korrik 2021/ Në Rahovec prej sot deri në 22 Korrik 2021 zhvillohen aktivitetet e shënimit të “Epopesë së UÇK-së të Korrikut 1998”, organizuar nga Komuna. “Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar para 23 vitesh, në korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe për Radio Televizionin Shqiptar. “Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec”, citoheshin raportimet edhe në mbititullin e kryetitullin e gazetës kosovare të rezistencës “Bujku”, të 22 Korrikut 1998, në ballinën e së cilës  ishte edhe mbititulli “Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë”  dhe titulli   “Të masakruar, të vrarë dhe të djegur”. Ndërsa, në botimin e 25 Korrikut 1998 gazeta “Bujku” në ballinë kishte kryetitullin “Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit”. Me titullin  “Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës” citohej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga konferenca për shtyp. “Shumë të vrarë, të humbur pa gjurmë e të arrestur”, ishte titulli nga informata për ngjarjet në Rahovec e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. “Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën”, ishte mbititull e titull tjetër në ballinen e gazetës, e cila theksonte edhe se letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë. Gazeta e rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmes të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë.

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 Korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Raportoja se edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar. Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë. Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht. Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 Korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec. Në raportimet për situatën në Rahovec para 23 viteve, në 23 Korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha. Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën”. Ndërsa, në 24 Korrik 1998, po para 22 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”. “‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova. ‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe. ‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve. Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare”. Sias citimit të gazetës “Bujku”, pyetja ime drejtuar Presidentit Rugova në atë konferencë shtypi ishte kjo: “A po vonohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, kur dihen vlerësimet gjithnjë e më të shpeshta se këtu po ndodh Bosnja?”. Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 22 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës  në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi. “Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar. Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.  “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”,  ka thënë Gruda. Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. “Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohet në të parën nga 6 pikat e Rezolutës. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se sot po mbështetet një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës dhe se ky është veprim fisnik dhe i duhur, jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që  përfaqësohen,  por mbi të gjitha në emër të universales njerëzore dhe dëshirës për paqe dhe drejtësi. “Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i krimeve gjenocidale, të cilin po e bëjmë edhe përmes rezolutës së sotme, duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm dhe i kudondodhur, në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më. Ne sot përkujtojmë, me dhimbje e me respekt të thellë, martirizimin e 8372 burrave e djemve në Srebrenicë, por edhe dhimbjen e mijëra grave të përdhunuara, teksa shpërnguleshin dhunshëm për të krijuar realitetin e ri demografik. Ky krim mori emër, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e sanksionoi si gjenocid”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit Qeveria e Kosovës, do të kontribuohet që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajon.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, kosova

Zyra e Presidentes së Kosovës, institucioni më transparent në Ballkanin Perëndimor

July 16, 2021 by s p

 PRISHTINË, 16 Korrik 2021-Gazeta DIELLI/ Rrjeti Ballkanik i gazetarisë Hulumtuese- BIRN, ka publikuar një raport rajonal vlerësues të transparencës qeveritare dhe llogaridhënies në Ballkanin Perëndimor, në të cilin Zyra e Presidentes Vjosa Osmani gjatë kohës sa ajo ishte ushtruese detyre është cilësuar institucioni  më transparent në rajon në vitin 2020. Vlerësimi ka përfshirë institucione nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina. Sipas Raportit të BIRN, të dhënat e Zyrës së Presidentit të mëparshëm ishin krejtësisht e kundërta; kërkesat për të drejtë informimi nuk merrnin asnjë përgjigje ose refuzoheshin pavarësisht detyrimit ligjor. “Që nga 5 nëntori 2020, kur Vjosa Osmani u emërua Presidente në detyrë e Kosovës, të gjitha kërkesat për të drejtë informimi nga gazetarët e BIRN (si fatura shpenzimesh, të dhëna financiare, ose procesverbale takimesh) janë zbuluar plotësisht, dhe në një kohë rekord, madje edhe para përfundimit të afatit ligjor”, thuhet në Raportin e BIRN-it. Për periudhën 6 nëntor 2020 e deri ne fund te vitit 2020, Zyra e Presidentes ka pranuar 9 kërkesa për qasje ne dokumente publike. Këto kërkesa janë bërë një nga një person fizik, një  nga një anëtarë i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitet, Rregullore te Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, si dhe shtatë nga mediat. Në një diskutim të organizuar nga BIRN, Artan Murati, zëvendësshef i stafit të Presidentes, ka thënë se kjo transparencë e Zyrës është më shumë se vlerësim, përgjegjësi. Sipas tij, Zyra e Presidentes, është dhe do të jetë e hapur ndaj çdo kërkese të shtruar, duke ofruar informacionet e kërkuara. “Kemi hapur Zyrën përballë mediave, duke lehtësuar punën e tyre dhe duke dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë tonë për transparencë të plotë. Një hapje e tillë përballë kërkesave nga më të ndryshme jemi plotësisht të bindur se ka ndikuar edhe në besimin e qytetarëve në institucionin e Presidencës”, ka potencuar Murati.  Më tej, ai ka thënë se ekziston vullneti i plotë i Presidentes të vendit, zonjës Vjosa Osmani që Zyra e Presidentes të jetë e hapur plotësisht si në vendimet që merr, po ashtu edhe në shpenzimin e parasë publike. “Ky çmim sot, është një inkurajim për ne që të vazhdojmë me po këtë gatishmëri, që të jemi të hapur përballë secilës kërkesë, përballë secilit qytetarë në raport me secilin vendim apo shpenzim që bëhet në kuadër të Zyrës së Presidentes. Do të synojmë që të kemi qasje proaktive në këtë drejtim, duke shikuar mundësinë që dokumentet jo-sensitive të publikohen nga vetë Zyra”, ka theksuar në debat, Murati.

Dërgoi korrespondenti i Diellit në Kosovë, Behlul Jashari

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Transparenca, Vjosa Osmani

KOSOVA NË LOJËRAT OLIMPIKE NË TOKIO ME 11 SPORTISTË, DREJT MEDALJEVE TË REJA

July 13, 2021 by dgreca




Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 13  Korrik 2021/ Kosova me Flamurin e saj shtetëror është gati të niset drejt pjesëmarrjes me 11 sportistë në Lojërat Olimpike  në Tokio – Japoni, që do mbahen prej 23 Korrik deri më 8 Gusht 2021. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzoi Flamurin shtetëror Ekipit Olimpik të Kosovës – kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila në Lojërat Olimpike “Rio 2016” fitoi Medeljen e Artë.  Në ceremoninë madhështore mbrëmjen e djeshme në Prishtinë – në Amfiteatrin e Pishinës në malin e Gërmisë  bashkë me sportistët përfaqësues të Kosovës në Lojërat Olimpike e drejtuesit e lartë të Komitetit Olimpik të Kosovës në krye Presidentin Ismet Krasniqi ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë, ambasadorë, përfaqësues të komunave, sportistë, ish-sportistë, sportistë të shekullit e pjesëmarrës të tjerë. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, në fjalën e tij, duke i uruar fat dhe mbarësi ekipit olimpik, theksoi se ekipi olimpik i Kosovës ka ndryshuar pozitivisht nga Rio 2016, ku kishin tetë sportistë, dy me normë olimpike, kurse tani ka 11 sportistë, prej të cilëve gjashtë me normë olimpike. “Pavarësisht rezultateve tuaja, pavarësisht nëse do t’ju shohim apo jo në podium, ndihuni krenarë me arritjen tuaj, ndihuni krenarë për vendin që përfaqësoni, sepse ju jeni historia, jeni e ardhmja e ndritshme e sportit tonë, për çka ne jemi dhe do të jemi krenarë! Uroj t’ju shohim duke e lartësuar Flamurin tonë sa më shpesh”, tha mes tjerash Presidenti Krasniqi. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pjesëmarrja e Kosovës për herë të dytë në Lojërat Olimpike do të thotë ripërtëritje e krenarisë, duke marrë shembull lartësimin e Flamurit nga Majlinda Kelmendi në Rio 2016, derisa tha se edhe sportistët tjerë do ta ngrejnë lartë emrin e Kosovës dhe do t’ia shtojnë nderin mes qindra kombeve të tjera.

Me një video-mesazh motivues erdhi edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili nga Greqia ku ishte për vizitë zyrtare,  u tha sportistëve të ndihen krenarë dhe ta lartësojnë Flamurin tonë në Tokio 2020. Të pranishmëve iu drejtua edhe Ministri Machida nga Ambasada e Kosovës në Japoni. Flamurmbajtësja Majlinda Kelmendi tha se është krenari që këtë herë do ta mbajë Flamurin si kampione olimpike, derisa shprehu optimizmin se Kosovën do ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pjesë e ceremonisë ishte edhe Filharmonia e Kosovës me dy këngë me motive kosovaro-japoneze. Gjatë ceremonisë u prezantua edhe uniforma e ekipit olimpik, e cila krahas ngjyrave të Flamurit të Kosovës përmbanë edhe simbole dardane dhe ilire – imazhe të Hyjneshës në Fron dhe të Vrapueses së Prizrenit. Uniforma do të bartet nga lojtarët dhe trajnerët gjatë parakalimt dhe prezantimit zyrtar të ekipit të Kosovës në Tokio.

Në prag të Lojërave Olimpike Tokio 2020, para ceremonisë së dorëzimit të Flamurit për Ekipin Olimpik, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme ka pritur  drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye Presidentin Ismet Krasniqi. 

Ishte ky takimi i parë mes Presidentes Osmani dhe Presidentit Krasniqi, ku edhe uruan njëri-tjetrin për zgjedhjen e tyre në krye të Shtetit të Kosovës, respektivisht Komitetit Olimpik të Kosovës Presidenti Krasniqi shoqërohej edhe nga sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtarët e Bordit Ekzekutiv Avni Nuha e Halil Sylejmani, këshilltari Besim Aliti dhe shefi i misionit, Jeton Rudari. Presidentja Osmani e falënderoi Prsidentin Krasniqi për vizitën dhe u uroi sukses pjesëmarrësve të Kosovës në lojërat olimpike. Ajo i vlerësoi përgatitjet e Komitetit Olimpik të Kosovës për pjesëmarrje në këto lojëra dhe u shpreh e bindur se vajzat dhe djemtë e ekipit olimpik do të arrijnë rezultate të mira, duke e lartësuar emrin e tyre, por edhe emrin e Kosovës. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi e njoftoi Presidenten Osmani me përgatitjet që po i bën Komiteti Olimpik i Kosovës për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Tokio 2020, si dhe me përgatitjet e ekipit olimpik të Kosovës. Ai e falënderoi Presidenten për përkrahjen e vazhdueshme të saj dhe të institucionit që ajo e drejton për ekipin olimpik të Kosovës. Presidentja Osmani, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës, i ka uruar fat ekipit olimpik të Kosovës, me shpresën dhe besimin se nga Tokio 2020 do të kthehen me medalje. Presidenti Krasniqi i ndau Presidentes Osmani edhe uniformën zyrtare me të cilën ekipi olimpik i Kosovës do të paraqitet në Lojërat Olimpike. Që në 08 Korrik 2021, Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar listën përfundimtare të sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020 në gjashtë sporte – xhudo, mundje, not, atletikë, boks dhe shenjëtari sportive. Janë 11 sportistë, prej tyre gjashtë me normë olimpike: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, Akil Gjakova (të gjithë nga xhudo), Egzon Shala (mundje). Me ftesë nga Komisioni Tre-Palësh janë Donjeta Sadiku (boks) dhe Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive), ndërsa me ftesë sipas vendeve të univerzalitetit janë atleti Musa Hajdari dhe notarët Eda Zeqiri e Olt Kondirolli.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, gjatë prezantimit të listës, ka deklaruar se drejt Japonisë udhëtojnë me synime për të fituar medalje. “Në Rio 2016 kemi pasur tetë sportistë dhe kemi fituar një medalje të artë olimpike me heroinën tonë, Majlinda Kelmendi. Tani kemi 11 sportistë nga të cilët presim të japin maksimumin… Synimet tona janë të fitojmë medalje, suksesi i madh”, tha mes tjerash Presidenti Krasniqi. Sekretari i përgjithshëm Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka folur edhe për përgatitjet tjera para udhëtimit për në Tokio 2020. Boksierja Donjeta Sadiku tha se i është realizuar ëndrra për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike dhe këtë mundësi do ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke theksuar se drejt Tokios udhëton për medalje.

Të parët që do të udhëtojnë drejt Tokios janë ekipi i xhudos, të cilët nisen më 14 korrik dhe do të vendosen në Komunën e Sanxhos.

EKIPI OLIMPIK I KOSOVËS – LISTA

Majlinda Kelmendi – xhudo (-52 kg)

Distria Krasniqi – xhudo (-48 kg)

Nora Gjakova – xhudo (-57 kg)

Loriana Kuka – xhudo (-78 kg)

Akil Gjakova – xhudo (-73 kg)

Egzon Shala – mundje (-125 kg)

Drilon Ibrahimi – shenjëtari sportive (10 m. Pushkë ajrore)

Donjeta Sadiku – boks (57-60 kg)

Eda Zeqiri – not (400 m. stil i lirë)

Olt Kondirolli – not (100 m. stil i lirë)

Musa Hajdari – atletikë (800 m.)

Filed Under: Sport Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Lojrat Olimpike, Tokio

Kurti kërkon që Greqia t’i bashkohet vendeve që e kanë njohur Kosovën

July 9, 2021 by dgreca

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis/

ATHINË, 8 Korrik 2021-Gazeta DIELLI/

Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet ekzistuese historike midis dy popujve dhe të ngritë raportet me Greqinë, si element i rëndësishëm për stabilitetit afatgjatë rajonal, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në Athinë.

Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët, tha kryeministri Kurti.

Ai u falënderua për mbështetjen dhe për qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, që Greqia e ka dëshmuar sidomos në këta muajt e fundit, me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti kërkoi që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Kryeministri Kurti njoftoi homologun e tij grek mbi të arriturat e qeverisjes së re në Kosovë në këto 100 ditë të para, përfshirë këtu menaxhimin e mirë të pandemisë. Në këtë takim, kryeministri Mitsotakis rikonfirmoi përkushtimin e Greqisë në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për shtimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike Kosovë-Greqi.​

ATHINË, 8 KORRIK 2021- KRYEMINISTRI KURTI PO MERR PJESË NË TRYEZËN E RRUMBULLAKËT ME QEVERINË E GREQISË

Me ftesë të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë, në Athinë.

Në këtë tryezë, të 25-tën me radhë, organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” po marrin pjesë kryeministra e ministra të vendeve të ndryshme, zyrtarë qeveritarë, vendimmarrës, drejtues të korporatave dhe akademikë.Me temën “Nga distancimi social te solidariteti social”, kjo tryezë është hapësirë për dialog mbi çështjet që përcaktojnë botën, bazuar në përvojat e shteteve në ballafaqim me pandeminë COVID-19 dhe përpjekjet e përbashkëta për shoqëri më të qëndrueshme e më të barabarta.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Greqia, kosova, Mitsotakis

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT