• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JO KOSOVË, POR DARDANI, NEGOCIM POR JO PREKJE E INTEGRITETIT TERRITORIAL

August 4, 2020 by dgreca

ELENI KOCAQI FLET EKSKLUZIVISHT PËR DIELLIN: JO KOSOVË , POR DARDANI, NEGOCIM POR JO PREKJE E INTEGRITETIT TERRITORIAL-

  • Elena Kocaqi: Grup legjitim pune për dialogun Kosovë-Serbi, jo negociata koncensionare për interesa personale, grekët në shumice janë me origjinë shqiptare. …

Intervistoi për Diellin Eneida Jaçaj-New York-

Eneida Jaçaj

Historiania Elena Kocaqi, njëherësh pedagoge në Universitetin e Durrësit, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, ka folur për çështje shumë të nxehta dhe tejet delikate, si dialogu Kosovë-Serbi, ndryshimi i emrit Kosovë, marrëdhëniet me Greqinë, si dhe ndikimi rus në Ballkan. Studiuesja e historisë ka deklaruar se duhet të ngrihet një grup i posaçëm legjitim pune, për të mbikëqyrur dialogun Kosovën-Serbi. Por, sipas saj, që të ngrihet një grup i tillë pune, duhet të zhvillohen zgjedhje të reja, pasi qeveria e Abdullah Hotit nuk ka mandat nga populli për këtë.  Elena Kocaqi kërkon që në dialogun Kosovë-Serbi të mos negociohet integriteti territorial i Kosovës, pasi pavarësinë ia dha Amerika, si dhe politikanët të mos i lëshojnë Serbisë koncensione për interesa të tyre personale. Kocaqi kërkon që emri Kosovë të ndryshojë në Dardani, pasi emërtimi Kosovë është emër sllav. Sa i takon Greqisë, Elena Kocaqi deklaron se grekët janë ne shumice shqiptarë ortodoks,  ndërsa shtoi se Tirana zyrtare nuk është aspak serioze për të diskutuar çështje delikate me shtetin grek.   

 -Pas një periudhe shkëputjeje, më 16 korrik u rikthye sërish në skenë dialogu Kosovë-Serbi. Çfarë prisni nga dialogu Kosovë-Serbi 2020, dhe si e shihni rolin e SHBA-BE në këtë fazë kaq delikate të dy vendeve?

Dialogu Kosovë -Serbi deri më tani ka dështuar, për shkak të trajtimit të vendit nga klasa politike si domen personal. Klasa politike në Kosovë ka vënë në diskutim integritetin territorial të vendit. Kjo klasë i kaloi Maqedonisë si dhuratë dy mijë e pesë qind hektar tokë dhe Malit të Zi tetë mijë e dy qind hektar tokë dhe, në tentativën e  fundit për  t’i dhënë Veriun Serbisë, ajo u ndalua nga faktori ndërkombëtar. Pra, dialogu dështoi në Uashington, sepse disa politikanë të marrë vesh me Serbinë në mënyre të njëanshme jo vetëm preknin integritetin e vendit, por edhe gjithë ekuilibrat gjeo-strategjikë në Ballkan, dhe kjo prekje është e palejueshme nga Fuqitë e Mëdha. Për Kosovën nuk është e dobishme të shkojë në dialog me Serbinë, vetëm duke i lëshur koncesione asaj. Pala shqiptare duhet të bëjë zgjedhje të reja; të nxjerrë një qeveri legjitime, dhe kjo qeveri të ngrejë një grup pune që do hartojë edhe një plan pune për negocim. Grupi i punës duhet të mos negociojë kurrë pavarësinë, si dhe integritetin territorial, dhe kur them për integritet e kam fjalën jo vetëm për moslëshim territori, por edhe për mos krijimin e enklavave serbe brenda vendit. Pavarësia dhe integriteti u vendosën nga lufta e NATO dhe Amerikës në 1999, dhe klasa politike nuk ka asnjë të drejtë t’i negociojë ato.Autonomia territoriale që aplikohet në kuadër të BE, është standard evropian dhe më ketë standard problemi i të drejtave të serbeve është i mbyllur. Në vend të kësaj, Kosova duhet të kërkojë dëmshpërblim lufte dhe zgjidhjen e problemeve të tjera që ka me Serbinë. Madje, Kosova duhet të kishte paditur Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare, dhe vonesa është e pajustifikuar. 

-Ju keni kërkuar ndryshimin e emrit të Kosovës, ne Dardani. Çfarë mund të na thoni më tepër për prejardhjen e vërtetë të emrit Kosovë? Sa do të ishte i realizueshëm ky ndryshim, dhe si do të pritej nga Serbia?

Emri Kosove është emër sllav, pasi po të shohësh vetëm në google map në të gjithë botën sllave ka disa vendbanime me emrin Kosovë. Të identifikosh shtetin shqiptar me një emër sllav apo dhe ta deklarosh si kosovar, kjo është e papranueshme. Vilajeti i Kosovës u krijua nga Osmanët me insistimin e Rusisë në vitin 1877, me qëllim që gjithë ky territor t’i kalonte shtetit serb me fallcifikime historike,  ku një nga shkaqet e pretendimit është edhe emri saj sllav. Deri vonë, ai rajon shqiptar është quajtur Dardani dhe është e papranueshme mbajtja e një emri të tillë, Kosovë. Serbia nuk do pranojë ndryshimin, sepse asaj me ndryshimin e emrit i bien të gjitha pretendimet për të. Aq kohë që mbahet  një emër sllav, aq kohë edhe do vazhdojnë pretendimet. Me ne shqiptarët ndodh çudia!! Sllavët na imponojnë emrat e tyre në tokën tonë dhe na marrin emrat ilir, siç është edhe rasti i Maqedonisë, ku të vetmit maqedonas aty janë shqiptarët dhe jo sllavët. Ndryshimi është vullnet politik dhe kryhet brenda ditës nëse politika do të donte. Edhe sikur të kishte në të ardhmen një bashkim politik Shqipëri- Kosove, janë disa rajone të lidhura me shqiptarët si Dardani, Epir, Maqedoni, Iliri që duhet t’i mbajnë këto emra sepse me to ruajmë origjinën dhe identitetin tonë etnik.

-Eksponentë të njohur në fushën e diplomacisë kanë deklaruar se Rusia ka shtuar ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, duke dashur të pengojë integrimin e këtyre vendeve në NATO dhe BE. Si e shihni ndikimin e Rusisë në Ballkan qoftë dhe në të ardhmen, dhe cilat janë interesat gjeo-politike të Putinit ne ketë rajon? 

Rusia e ka pasur zonën e vet të interesit Ballkanin, dhe ishte ajo që krijoi nga hiçi shtetet ortodokse në Ballkan në shek e XIX dhe i zgjeroi ato në trojet shqiptare, ne emër të pan sllavizmit. Edhe sot vazhdon t’i ketë ato interesa.

-Keni deklaruar se grekët dhe shqiptarët kanë të njëjtën prejardhje. Pra, nuk ka komb grek, por vetëm shqiptar. Ku e bazoni deklaratën tuaj?

Të dhënat historike tregojnë se fiset antike në Peloponez dhe Atik ishin nga origjina Pellazg dhe Ilir si shqiptarët sot. Gjuha që quhet greke antike është gjuhë teknike, por mbi baza pellazgjishten apo shqipen, pasi shohim që homerishtja afrohet me shqipen e dialektit gegë sot dhe vet Ilida fillon me fjalën Mini, mënia, -meria. Grekët modern në 1821 ishin shqiptarë ortodoksë dhe vllehë ortodoksë, dhe në revolucion nuk ka asnjë kryengritës që të jetë grek nga origjina, por janë shqiptarë, madje, shqipja është folur në Parlament në atë kohë. Shqiptarëve iu vendos gjuha e kishës dhe vet Greqia ka ndërruar për dy shekuj 3 herë gjuhën zyrtare. Në 1923 u dëbuan myslimanët e Greqisë  ndër ta shumica shqiptarë, dhe u sollën ortodoksë nga Azia, dhe ky ishte spastrim fetar dhe genocidal mbi kombin shqiptar. Greqia është një bashkësi fetare dhe jo etnike, pasi quhesh grek se je ortodoks dhe flet gjuhën teknike nuk ka rëndësi fare se çfarë etnie je. Ata të detyrojnë të lësh etninë dhe mos të flasësh gjuhën mëmë siç ndodh me shqiptarët në Greqi, që nga arvanitët dhe ata të emigruar, të cilët nuk kanë asnjë shkollë për të mësuar gjuhën shqipe. Madje, me këtë politikë, Greqia po tenton të asimilojë edhe vet Shqipërinë. 

-Shpesh herë në politikën shqiptare është debatuar për ligjin e luftës me Greqinë. Zyrtarë të lartë të shtetit grek e kanë mohuar se ekziston ende ligji i luftës, pasi sipas tyre është rrëzuar që në vitin 1987. Megjithatë, nuk ka transparencë të plotë sa i takon këtij ligji. Por, a ekziston vërtet një ligj lufte mes dy vendeve?

Dy vende anëtare në NATO nuk mund të kenë ligj lufte, sepse neni 5 i Traktatit të NATO sanksionon mbrojtjen kolektive. Ligji i luftës, një ligj aspak real duhet të ishte me Italinë aq kohë sa ishte lufta, dhe me mbarimin e luftës nuk kishte pse të ekzistonte as me atë. Ndërsa mbajtja e një ligji lufte me  Shqipërinë një vend i pushtuar, është justifikim për të sulmuar dhe për të shkelur të drejtat e shqiptarëve, në kuadër të një politike agresive. Juridikisht nuk ka dhe nuk mund të ketë ligj lufte, thjesht është presion mbi naivët politikë të Tiranës. 

-Si e shihni rolin e politikës së jashtme shqiptare sa i takon çështjes çame në pergjjithesi, varrezave çame, si dhe çështjes së detit me Greqinë. A po tregohet serioze dhe aktive pala shqiptare për të diskutuar çështje kaq te rëndësishme me Greqinë?

Tirana zyrtare as i ka fare në axhendën politike këto çështje në lidhje me Greqinë. Tirana zyrtare sillet si shtet vasal dhe jo si vend i pavarur. Asnjë lloj autoriteti politik të reciprocitetit nuk ka treguar Tirana këto 30 vjet. Mendoj se duhet ndryshuar sjellja politike e Tiranës, dhe duhet një mbështetje nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

-Vrasja e ushtarit ekstremist grek Kostantinos Kacifas nga forcat RENEA, duket sikur i acaroi  marrëdhëniet me Greqinë. Megjithatë, si i parashikoni në të ardhmen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë?

Ishte një akt kundër shtetit shqiptar! Kudo në botë të qëllosh me orë të tëra mbi forcat e sigurisë së vendit, sigurisht në zjarr e sipër do të ekzekutohesh. Ishin qarqet ekstremiste naziste ato që shkaktuan probleme, dhe që qeveria shqiptare as duhet t’i kishte lejuar te hyjnë, por që me pas i shpalli non grata. Rol në acarimin e  situatës luajnë edhe ata që vet shpallen pjesë e minoritetit, sepse marrin fonde pasi e kane bërë një lloj biznesi këtë çështje. Atyre u intereson acarimi i situatës, sepse u shtohen fondet që përfitojnë me pa të drejte nga taksa paguesit grekë. E ardhmja e marrëdhënieve është vetëm reciprociteti, si e vetmja bazë në marrëdhëniet midis shteteve të pavarura, parim ky që nga antikiteti. 
-Është hedhur më herët teza për një Shqipëri Natyrale, Shqipëria e vitit famëkeq 1913, ku kufijtë e saj u copëtuan për interesa të Fuqive të mMëdha. A do të sillte trazira në Ballkan nëse do të thelloheshin përpjekjet për një Shqipëri Natyrale?

 Shqipëria natyrale nuk është ajo e 1913, por ajo e 1800-ës që fillon në Mesdhe dhe mbaronte në Dalmaci. Kur mbërrijmë në 1913, Shqipëria ishte copëtuar disa herë, në fillim me krijimin e shteteve ortodokse ballkanike që i morën asaj gjysmën e popullit dhe pjesën më të madhe të territorit, me copëtimin e 1878 ku u zgjerua Serbia dhe ai final i 1913, ku Shqipëria u ricopëtua sërish. Pra, nga Shqipëria e vërtetë kanë mbetur vetëm disa copa që duhet t’i ruajmë. Shqipëria dhe Dardania duhet ta kishin filluar procesin e  bashkimit ekonomik pa dogana e taksa dhe pa pengesa në rrugë.  Pastaj kalohej në një bashkim politik federativ pa asnjë problem. Ndërsa shqiptarët në shtetet e tjera duhet të luftojnë për të drejtat etnike si në Maqedoni, Greqi, Turqi, Mal të Zi dhe Serbi. Diaspora në Amerikë mund të luajë rol në proceset në boten shqiptare, duke qenë e bashkuar në formën e një lobi përtej interesave egoiste. Kjo diasporë luajti rol të madh edhe në sabotimin e tentativës për copëtimin e Kosovës, dhe ka mundësi të bërë më tepër në këtë drejtim. Politika Amerikane është miqësore ndaj vendit tonë, dhe ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës shtetit amerikan për sa ka bërë për ne. Ndaj faktori shqiptar në Amerike duhet të lobojë fort, dhe kjo bëhet me bashkëpunim shoqatash dhe regjistrimin e popullsie shqiptare aty, si dhe me qëndrim unik të përbashkët kur vjen puna tek interesi kombëtar. 

Filed Under: Featured Tagged With: ELENI KOCAQI, Interviste, kosova

KOSOVA ËSHTË E ORIENTUAR NË KAPACITETE MBROJTËSE

July 29, 2020 by dgreca

-Kryeministri Avdullah Hoti vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Qendrën Mjekësore të FSK-së .Ministri i Mbojtjes Anton Quni njoftoi edhe me luftën speciale që po e bëhet në mediat ruse, se gjoja FSK-ja, ka blerë armatim fshehurazi nga Gjermania në vlerë deri në 170 milion euro…Deklaroi se kapacitete kërcënues posedon Serbia, si me armatimin që ka, me teknologjinë prodhuese dhe buxhetin e lartë që posedon, kurse Kosova është e orientuar në kapacitete mbrojtëse, e ka buxhetin transparent, dhe ngritja e FSK-së, është duke u bërë në koordinim me partnerin strategjik SHBA, dhe në transparencë me NATO-n/ 

PRISHTINË, 28 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Te Marten, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, kanë vizituar Qendrën Mjekësore të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. 

Kryeministri Hoti, fillimisht u prit në ambientet e Ministrisë nga ministri Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm i MM-së, Faruk Geci, shefi i Kabinetit të Ministrit, Jashar Ramadani, si dhe stafi i lartë i ministrisë dhe FSK-së. 

Ministri Anton Quni pas urimit të mirëseardhjes e njoftoi kryeministrin Hoti, me gjendjen si e ka gjetur ministrinë dhe FSK-në, me punën e mirë që është bërë edhe nga ministrat paraprak, dhe me angazhimet aktuale për tranzicionin e FSK-së, bazuar në ligjet e reja dhe me mision të ri, që ka si Ministria e Mbrojtjes ashtu dhe FSK-ja, duke i kushtuar vazhdimisht rëndësi bashkëpunimit me partnerin strategjik SHBA-të, bashkëpunimet bilaterale, për prezencën dhe bashkëpunimin e mirë me ekipin e NALT-it, që është prezentë, si në Ministri ashtu edhe në Forcë. 

Për angazhimin e FSK-së, në kuadër të gjendjes së pandemisë COVID-19, ku FSK-ja ka dhanë kontributin në mbështetje të autoriteteve civile, me logjistikë, transport dhe gatishmërinë që ka për të dhënë mbështetje me kapacitete shtesë në raste të përkeqësimit të gjendjes, duke vënë në dispozicion edhe kapacitetet për akomodim dhe për trajtim. 

Ndër të tjera, ministri Quni e njoftoi kryeministrin Hoti edhe me luftën speciale që po e bëhet në mediat ruse, se gjoja FSK-ja, ka blerë armatim fshehurazi nga Gjermania në vlerë deri në 170 milion euro, të gjitha këto sipas ministrit Quni bëhen për të destabilizuar paqen në Ballkan, dhe për të krijuar pretekst për armatosjen e mëtejme të Serbisë, si dhe duke  tentuar  të komprometojë bashkëpunimin tonë  të mirë dhe transparent me shtetin e Gjermanisë. 

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me këtë rast, e  njoftoi  kryeministrin Hoti me angazhimet konkrete të FSK-së, me planin e zhvillimit dhe transformimit, me trajnimet dhe shkollimet që po bëjnë ushtarët dhe oficerët e FSK-së, në akademitë ushtarake të vendeve mike dhe partnere. Për menaxhimin e financave të FSK-së, buxhetin aktual dhe pajisjen me teknikë të nevojshme për të rritë operacionalitetin e FSK-së sipas planit të zhvillimit dhe ngritjes së FSK-së. Ai foli për takimin që ka pasur me ministrin e shëndetësisë Armend Zemaj, për bashkëpunimin e mirë që ka Qendra Mjekësore e FSK-së me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me QSUK-në. 

Në fjalën e tij, kryeministri Hoti, falënderoi për pritjen duke ju shpreh përgëzimet ministrit Quni dhe komandantë Ramës, për punën e bërë deri më tash, duke theksuar se FSK-ja është  me besueshmëri më të lartë në vend, që na bënë me u ndie krenarë të gjithëve, dhe është një storie e suksesit, vlerësim që e ka dëgjuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë. 

Ai me këtë rast, shprehu gatishmërinë që në emër të qeverisë së tij, të jap mbështetjen e  duhur pavarësisht rrethanave aktuale, për të punuar në zbatim dhe realizimin e planit të transformimit dhe ngritjeve të kapaciteteve të FSK-së. 

Gjatë vizitës në Qendrën Mjekësore të FSK-së, kryeministri Hoti u shoqërua nga ministri Zemaj, ministri Quni, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, sekretari i përgjithshëm i MM, Faruk Geci dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ai u pritë nga rreshtermajori përgjegjës Afrim Preteni, i cili prezantoi kapacitet e kësaj qendre, mjetet që posedojnë, dhomat e akomodimit në rast nevoje për të shtruar të sëmurët dhe kapacitet tjera që ka kjo qendër. 

Duke vlerësuar lartë punën e FSK-së, në deklarimin para mediave, kryeministri Hoti, tha: “Inspektuam spitalin ushtarak për të parë kapacitete që FSK-ja, do t’i vëmë në dispozicion në rast se do të kemi nevojë t’i përdorim. Unë nuk jam njeri ushtarak, por jam i impresionuar dhe emocionuar me disiplinën ushtarake. Do të punojmë së bashku me stafin për të përballuar situatën nëpër të cilën po kalojmë. I falënderova për mbështetjen që ka dhënë FSK-ja për institucionet tjera që tash po duket se po përkeqësohet dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që i kemi përpara”. 

Më pastaj, kryeministri Hoti me tërë delegacionin, vizituan automjetet e blera HMMWV që ishin të rreshtuara në pistën e FSK-së. 

Në fund të këtij aktiviteti, ministri Quni, duke ju përgjigjur interesimit dhe pyetjeve të gazetarëve, dha një prononcim për media, me theks të posaçëm për deklaratat e fundit që vijnë  nga Rusia dhe  Serbia, dhe tendencën e kësaj të fundit për armatosje shtesë. 

Ministri Quni deklaroi se kapacitete kërcënues posedon Serbia, si me armatimin që ka, me teknologjinë prodhuese dhe buxhetin e lartë që posedon, kurse Kosova është e orientuar në kapacitete mbrojtëse, e ka buxhetin transparent, dhe ngritja e FSK-së, është duke u bërë në koordinim me partnerin strategjik SHBA, dhe në transparencë me NATO-n, duke shprehur gatishmërinë e FSK-së, për tu angazhuar në misione paqësore, se FSK-ja është forcë që rritë stabilitetin në rajon dhe me gjerë. Kosova nuk ka shprehur asnjëherë ambicie territoriale ndaj fqinjëve, ashtu si Serbia që e ka Kosovën ende në preambulën e kushtetutës së saj. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Hoti, kosova, mbrojtja

Kosova blen automjete të blinduara nga SHBA

July 26, 2020 by dgreca

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, konfirmoi për Radio Evropa e Lirë se në Kosovë të shtunën ka arritur një kontingjent me automjete të blinduara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për FSK-në.
Sipas tij, arritja e këtij kontingjenti ka të bëjë me një kontratë që Kosova e nënshkruar me SHBA-në vitin e kaluar.
Ai shtoi se blerja e automjeteve të blinduara është bërë me buxhetin e Kosovës.
“Është pjesa e dytë e kontingjentit që ka ardhur. Javën e kaluar ka ardhur një pjesë dhe tani është kompletuar. Bëhet fjalë për automjete të blinduara, tipit Humvee nga SHBA-ja”, tha Rama.
Kosova e painteresuar t’i hyjë garës për armatosje
Gjenerallejtënant Rama, megjithatë tha se numri dhe kostoja e automjeteve tash për tash është informacion i klasifikuar, por shtoi se për këtë gjë mund të flitet në të ardhmen. Ai tha se mund të priten edhe kontrata të tjera me SHBA-në.
“Realisht, kjo është kontratë e klasifikuar. Mbi bazën e nevojave do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Në të gjitha kontratat i kemi me SHBA-në edhe për sistem të armatimit edhe për këto automjete taktike. Edhe vitin e ardhshëm do t’i kemi (kontratat) tjera”, tha Rama për REL.
Rama shtoi se vitin e kaluar Kosova ka marrë si donacion 27 automjete ushtarake të njëjta (Humvee) nga SHBA-ja, kurse para dy vjetësh është realizuar edhe një blerje prej 24 automjetesh.
Në 2018, ndërmjet kompanisë amerikane AM General dhe Qeverisë së Kosovës u nënshkrua kontrata për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.
Sipas Ramës, blerjet e automjeteve të reja të blinduara, u bën bazuar në kërkesat dhe nevojat që ka FSK-ja.
“Kjo po bëhet në bazën e ngritjes së kapaciteteve, por njëkohësisht është bazuar edhe në ligjet e reja, në mandatin edhe misionin e ri”, tha Rama.
Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Rrugëtim 10-vjeçar për Ushtrinë e Kosovës
Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.
Më herët është thënë se transformimi dhe ngritja e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës nga 55 milionë euro në vit, sa ka qenë në vitin 2018, në afër 100 milionë euro në vit, diku pas 5 apo 6 vjetësh. Për transformimin e FSK-së, është planifikuar që buxheti për çdo vit të rritet me nga 5.5 milionë euro, që deri më tani, sipas Ramës, kjo gjë është përkrahur.
Kosova ‘nuk kursen’ buxhet për Ushtrinë
Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.
Me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, planifikohet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë.(Evropa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: Autoblinda, kosova, SHBA

Kosova i ka plotësuar të gjitha standardet për liberalizimin e vizave

July 23, 2020 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Avduallah Hoti, takim virtual me drejtuesit e  Qendrës së Politikave Evropiane (Europian Policy Centre), ku morën pjesë mbi 40 Eurodeputetë/

Prishtinë, 23 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avduallah Hoti ka realizuar sot një takim virtual me drejtuesit e  Qendrës së Politikave Evropiane (Europian Policy Centre), ku morën pjesë mbi 40 Eurodeputetë. Ndonëse në këtë bashkëbisedim janë trajtuar një varg temash, që prekin marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, biseda është përqendruar sidomos te çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në fillim të këtij takimi, kryeministri Hoti i ka njoftuar bashkëbiseduesit për hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid 19, si dhe për implementimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike të vendit, ndërsa, më pastaj, ai ka shjelluar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për t’i përmbushur kërkesat e shtruara për liberalizimin e regjimit të vizave. 

Në këtë kontekst, kryeministri Hoti rikujtoi se Komisioni Evropian e filloi dialogun për liberalizmin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Në qershor të vitit 2012, Komisioni ua dorëzoi institucioneve të Kosovës një listë kriteresh që duheshin plotësuar, të cilat identifikuan legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të përparuar drejt liberalizimit të vizave. Udhëzimi përbëhej nga 95 standarde, më shumë sesa për secilin vend tjetër të rajonit, në lidhje me migracionin, menaxhimin e kufijve, sigurinë dhe të drejtat themelore.

Gjatë viteve në vazhdim, vijoi kryeministri Hoti, Komisioni adaptoi katër raporte për dialogun për vizat në Kosovë, ndërsa në vitin 2016 ky Komision propozoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës pas përmbushjes së dy kritereve të fundit të mbetura, që ishin ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i ka përmbushur edhe këto dy kërkesa, duke i përmbushur të gjitha standardet e kërkuara në udhëzimet për liberalizim.

Parlamenti Evropian, më 13 shtator 2018, ra dakord për të filluar bisedimet për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe këtë qëndrim e rikonfirmoi edhe më 28 mars 2019. Po ashtu, pati edhe një votim tjetër në shtator 2019, në Komitetin për Liberalizim, që votoi për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian. Kjo votë u konfirmua në seancën plenare të Parlamentit Evropian, më 9 tetor 2019 në Bruksel.

Por, me gjithë konfirmimin e Komisionit për përmbushjen e të gjitha kritereve lidhur me liberalizimin e vizave dhe votave pohuese të Parlamentit Evropian, procesi është ende në pritje të një vendimi nga Këshilli i Evropës. Një nga shqetësimet e shteteve anëtare është se liberalizimi i vizave për Kosovën do të shkaktojë një valë të re migracioni. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se është arritur shumë përparim në administrimin e migracionit, ndërsa numri i kërkesave për azil nga Kosova është i papërfillshëm. 

Bazuar në të dhënat e Zyrës Evropiane për Mbështetjen e Azilit, azilkërkuesit nga Kosova nuk duhet të jenë më shqetësim për BE-në. Ndërkaq, sipas të dhënave të Eurostat-it, Kosova pati një prirje të rënies së migrimit gjatë viteve të fundit dhe në këtë pikëpamje qëndron më mirë se shumë vende të tjera të rajonit.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Kryeministri Hoti

Kosova në dialogun me Serbinë edhe për çështjen e të zhdukurve

July 14, 2020 by dgreca

Para takimit të së enjtes të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Kryeministri Hoti pret përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve/

PRISHTINË, 14 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/


Në vigjilje të takimit të së enjtes të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, që do të mbahet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takoi sot përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve.

Në këtë takim, të pranishëm ishin kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Grupin punues për çështjen e zhdukurve, Ibrahim Makolli, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi dhe përfaqësuesi i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të të pagjeturve, Ahmet Grajqevci.

Përfaqësuesit e këtyre institucioneve e njoftuan Kryeministrin Hoti për zhvillimet e deritanishme në procesin e gjatë e të vështirë të të pagjeturve, për sfidat aktuale në këtë proces dhe për synimet e mëtejme në përshpejtim dhe përfundim të procesit, bën të ditur njoftimi dërguar nga Zyra e shtypit e Qeverisë së Kosovës.

Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur,  edhe 1641 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë të përfunduar para 21 viteve në Qershor 1999.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

Dialogun në Bruksel të ndërprerë para 20 muajsh Kosova dhe Serbia e rifilluan të dielën e 12 Korrikut përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 Korrikut 2020 kur pritet edhe takimi i Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Para këtij zhvillimi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në 10 Korrik, të organizuar nga Presidenti Francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe Presidentin e Serbisë Vuçiç.

Filed Under: Komente Tagged With: kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT