• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NATO PRIRË NGA AMERIKA SHPËTIMTARE NË KOSOVË

March 24, 2020 by dgreca

-Para 21 viteve nisi ndërhyrja shpëtimtare për Kosovën e NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-24 Mars 1999: “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti Amerikan Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s. Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…/

-Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 raportoja nga Prishtina në Tiranë se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të NATO-s. Media shqiptare ka shkruar se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën…/

-Dita e Lirisë dhe Paqes  erdhi në 12 Qershor 1999, në mëngjesin e asaj dite të lume raportoja nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin  në Kosovë nga ora 05 e 17 minuta…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI(Me skume fotografi gjeng ne facebook Dielli vatra)

PRISHTINË, 24 Mars 2020/ Prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para 21 viteve, në 24 Mars 1999, për Kosovën e popullin e saj ndodhi fillimi i ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s me goditjet nga aviacioni luftarak të pozicioneve të forcave serbe që po bënin krime, masakronin e dëbonin shqiptarët në fushatën e egër të spastrimit etnik.

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 raportoja nga Prishtina në Tiranë se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të NATO-s.

Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.

 Shtoja se, “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se, “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve.

Lajmin e jepja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), për të cilën raportoja nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi të Kosovës.

Po atë lajm e dërgoja edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime, derisa në ato rrethana terri e lufte në Kosovë nuk mund të lexohej Agjencia Shtetërore-Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë as nuk mund të shihej Televizioni Shqiptar.

  Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

Nga radioja e vogël dgjohej edhe zëri i shpresës dhe besimit të madh, fjala e Presidentit Bill Clinton që i drejtohej kombit Amerikan.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

Ajo dritë shpëtimtare e lirie ishte e paralajmëruar…

Më pak se një vit më parë, në 29 Maj 1998, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, bëhej e ditur se Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në fillimet e pranverës së para 21 viteve, ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje – Francë, që kishte nisur në  6 Shkurt 1999 kishte përfunduar në 18 Mars me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit, në një konferencë shtypi në 5 Mars 1999 paralajmëronte nënshkrimin  e Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Po në atë 5 Mars 1999 kam raportuar edhe për një takim të Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, që ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup-Maqedoni, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë-Kosovë…

 Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

Ndërkohë, për shkak të rreziqeve,  shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me Misionin Vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike. Edhe në ato rrethana vazhdoja pa ndalur asnjëherë raportimet nga Kosova për në Shqipëri…

E, në 24 Mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike do bëheshin të pamundura.

Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë – Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…

Dhe, vazhdoja raportimet…Media shqiptare ka shkruar edhe se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën në 24 Mars 1999.

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe gjatë natës të shqiptarëve në shtëpitë e tyre në Mitrovicë, veprimtarëve e intelektualëve – udhëheqësit komunal Agim Hajrizi bashkë me nënën dhe djalin 12 vjeçar dhe poetit Latif Berisha.

Ai mëngjes i 25 Marsit 1999  sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr në shtëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpi shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Atë mëngjes të parë të pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisa kërkimin e ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt Kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli lajmit të 6 Majit 1999  i raportimeve që i bëja nga Kufiri jugor i Kosovës.

Lajmi, ku në ato rrethana nuk përmenda burimin – telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh nga një nënë mbrojë e gjallë bashkë me familjen e saj alarmonte: 

“Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të
qëndrojnë në shtepitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja… Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me
radhë pranë postes së re të Prishtines, në lagjen Dardania…”.

Cak i goditjeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet e forcave serbe ishte edhe ndërtesa e postës së vjetër që ishte bërë edhe bazë ushtarake e që u zhbë e nuk është më e ishte pranë ndërtesës së tashme kryesore të Qeverisë së Kosovës te Sheshi Gjargj Kastrioti – Skënderbeu në Prishtinë.

Raportimet që bëja dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 6 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë…

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë në Kumanovë, qytet në Maqedoni ku një pjesë e madhe e popullsisë janë shqiptarë, ishte arritur  Marrëveshja mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 116 shtete të botës…

 Njëmbëdhjet vite pas takimit të 29 Majit 1998 në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

Filed Under: Featured Tagged With: 24 marsi 1999:, kosova

Kosovë-Komision i posaçëm për parandalimin e Corona Virusit

March 12, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin e posaçëm për parandalimin e Corona Virusit. Të gjitha institucionet janë të obliguara të bashkëpunojnë dhe ta ndihmojnë komisionin për kryerjen e detyrave të tij/

 
PRISHTINË, 12 Mars 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/  Qeveria e Kosovës në një mbledhje tjetër të jashtëzakonshme, sot, ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të Posaçëm për parandalimin e përhapjes së Corona Virusit COVID-19 në Kosovë.
Komisioni do të ketë këtë përbërje:
-Albin Kurti, Kryeministër, Kryesues;
-Avdullah Hoti, Zëvendëskryeministër i parë; Anëtar;
-Arben Vitia, Ministër i Ministrisë së Shëndetësisë; Anëtar; 
-Agim Veliu, Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike; Anëtar;
-Besnik Bislimi, Ministër i Ministrisë së Financave dhe Transfereve;  Anëtar;
-Hykmete Bajrami, Ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Anëtare;                                                                                           
-Anton Çuni, Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes; Anëtar;
-Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike;  Anëtare;             
-Emilija Rexhepi, Ministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal; Anëtar;
-Valon Prestreshi, Kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës; Anëtar;
-Fadil Kodra, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent; Anëtar;
-Ilir Murtezaj, Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës; Anëtar;
-Rashit Qalaj, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës; Anëtar;
-Ibrahim Xhaka, U.D. Drejtor i Përgjithshëm i Doganës, Anëtar;

-Valdet Gjinovci, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë; Anëtar;

-Rrahman Rama, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Anëtar;

-Përfaqësues i Inspektoratit të Shëndetësisë; Anëtar;

-Përfaqësues i Inspektoratit Farmaceutik; Anëtar;

-Përfaqësues i Inspektoratit të Tregut; Anëtar;

-Përfaqësues i Inspektoratit të Punës; Anëtar;

– Përfaqësues nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, Anëtar.

Komisioni ka detyrë ta menaxhojë procesin e parandalimit të infeksionit Corona Virus COVID-19 në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfshirë edhe kontrollin e zbatimit të ligjeve dhe akteve tjera nënligjore për mbrojtjen e konsumatorëve përmes organeve të autorizuara të Administratës shtetërore.

Të gjitha bizneset përfshirë, por pa u kufizuar, si farmacitë dhe bizneset tjera që ofrojnë produkte ushqimore dhe higjienike obligohen të operojnë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe të mos abuzojnë me çmime të produkteve medicinale dhe ushqimore.

Komisioni përmes organeve kompetente do ta mbikëqyrë gjithashtu edhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtën e Konsumatorit në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga abuzimi me çmime të produkteve medicinale dhe ushqimore.

Të gjitha institucionet janë të obliguara të bashkëpunojnë dhe ta ndihmojnë komisionin për kryerjen e detyrave të tij.

Komisioni do të mbikëqyrë punën e të gjitha institucioneve relevante që janë në kompetencë të Qeverisë dhe të koordinohet me institucionet tjera kushtetuese sipas rastit.

Komisioni ndër të tjera, siguron që materialet e domosdoshme të shpërndahen nëpër qendrat mjekësore në të gjitha komunat, tek policia, doganierët, policët kufitarë dhe të gjitha shërbimet e tjera emergjente; Të përgatiten objektet e nevojshme në rast nevoje për vendosjen personave të prekur; Hyrjet/daljet e qytetarëve nga Kosova të kontrollohen nga personeli shëndetësor; Bizneset të kryejnë punën e tyre me nder e përgjegjësi, të mos lëvizin çmimet, dhe institucionet përkatëse të kryejnë kontrollet në terren (në markete, në farmaci dhe pika të tjera ku ofrohen materialet bazike) bazuar në kompetencat ligjore që kanë në situata të tilla; Të ketë komunikim me mediat publike dhe private, duke kontribuar në informim të drejtë e të plotë të qytetarëve për masat që duhet ndërmarrë, por duke mos shkaktuar panik; Qytetarëve t’u ofrohen njoftimet dhe udhëzimet nga ana institucioneve përgjegjëse, që të veprojnë sipas tyre; Të kryejë edhe detyra të tjera të cilat kërkohen varësisht nga rrethanat e krijuara.

Komisioni është i obliguar t’ia propozojë Qeverisë për miratim masat parandaluese sipas legjislacionit në fuqi në përputhje me pikën 7. të këtij vendimi.

Sipas nevojave të punës dhe për realizimin e obligimeve të parapara me këtë vendim, Kryesuesi i Komisionit Ekzekutiv mund të ftojë ekspertë edhe përfaqësues të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Obligohen të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces për ofrimin e të dhënave dhe zbatimin e masave të kërkuara nga Komisioni.

Komisioni do t’i raporton Kryeministrit dhe Qeverisë në baza të rregullta ditore dhe sa herë që Kryeministri dhe Qeveria kërkon një gjë të tillë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Coronovirusi, kosova

Senatori Rand Paul – në mbështetje të idesë për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova

March 11, 2020 by dgreca

Senatori republikan nga Kentucky, Rand Paul, mbështeti deklaratën e senatorit David Perdue nga Georgia për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Në një postim në rrjetin twitter ai shkroi se “e mbështes paqen dhe tregtinë me të gjithë. Unë e inkurajoj Kosovën që të ndryshojë qasjen dhe të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme. Koha për t’i sjellë trupat tona në shtëpi pas kaq vitesh atje…”, shkroi ai.(VOA)

***

Senator Rand Paul ✔ @RandPaul

I support peace and commerce with all. I encourage Kosovo to turn a page, and work with Serbia for a lasting peace. Time to bring our troops home after so many years over there…

Të martën, senatori Perdue, shkroi se Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë praninë e tyre në Kosovë nëse ajo nuk është e përkushtuar për paqen.

Postimi i senatorit Perdue, u mbështet nga i dërguari i posaçëm i presidentit Trump, ambasadori Richard Grenell, nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe i biri i presidentit Trump, Donald Trump Jr., i cili në rrjetin twitter shkroi se pajtohet me senatorin Perdue. “Janë 650 trupa amerikane në Kosovë, koha që t’i kthejmë në shtëpi”, shkroi ai.

Postimi i senatorit Perdue ngjalli reagime e shqetësime në Kosovë ku prania amerikane dhe përfshirja në proceset politike vlerësohen të pazëvendësueshme.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se kryeministri i vendit, Albin Kurti, duhet të marrë vendime që i takojnë e që janë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe orientimit euro-atlantik.

“As vet liria, as shteti dhe as ekzistenca jonë nuk ka kuptim pa partneritetin tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të gjithë dëshmitarë se orientimi dhe vetmja alternativë e jona është që të jemi pjesë e BE-së. Nuk kemi alternativë tjetër por edhe jemi dëshmitar që të tjerët mund të na lënë edhe në gjysmë të rrugës siç na kanë lënë shpesh në baltë, siç na kanë ndëshkuar me liberalizimin e vizave. E vetmja adresë dhe i vetmi partner strategjik që na ka qëndruar afër në kohët më të rënda edhe sot dhe me besim për të ardhmen kanë qenë dhe janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne duhet të prodhojmë argumente pozitive për të lehtësuar mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën dhe në asnjë rrethanë të prodhojmë argumente për kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës sepse këto relacione aktuale dhe këto mesazhe që vijnë dhe ky realitet që është krijuar realisht është një realitet duartrokitës për aktorët anti pavarësi dhe fërkim i duarve i të gjithë atyre që kanë pritur që Kosova të lëkund këtë raport”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova, ndërsa u gjet nën thirrjet e partnerit të koalicionit të tij qeverisës si dhe institucioneve dhe partive politike që të ndërmarr verime për të shmangur tensionet me Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar trysninë ndaj qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe që ishin vendosur në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës dhe janë shprehur të pakënaqura me qëndrimin e kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tyre.

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, Senatori Rand Paul

Corona Virusi, Shqiperia shenon vdekjen e pare, Kosova, merr masa parandaluese

March 11, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës në mbrëmjen e sotme në Mbledhjen e 7-të: Aprovohen masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Corona Virus COVID-19/

-Shqipëri, shënohet vdekja e parë nga koronavirusi /

PRISHTINË, 11 Mars 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur sot në mbrëmje mbledhjen e shtatë, të jashtëzakonshme, në të cilën është marrë vendimi për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Corona Virus COVID-19.

Këto janë masat parandaluese të miratuara nga Qeveria e Kosovës:

1.      Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2.      Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër).

3.      Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese.

4.      Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

5.      Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.

6.      Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.

7.      Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

8.      Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9.      Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10.  Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.11.  Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shqipëri, shënohet vdekja e parë nga koronavirusi /

Në Shqipëri u rregjistrua me 11 Mars rasti i parë i një personi që humbet jetën pas infektimit nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se zonja 73 vjeçare, që vuante nga disa patologji kronike, ishte kthyer para disa ditësh në Durrës, pas një udhëtimi në Itali në zonën e Bolonjës….

ministria konfirmoi zbulimin edhe të tre rasteve të reja, që i bashkohen dy të tjerave të konfirmuara po sot. Prej tyre 4 janë kontakte të rastit të parë të zbuluar mesnatën e së dielës, ndërsa një tjetër është një i moshuar në Lushnje (78 vjeçar) me histori udhëtimi me Italinë. Deri tani nga të 15 rastet, 4 janë persona që nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, dhe të gjithë me histori udhëtimi në Itali, ndërsa 11 të tjerët rezultojnë të gjithë të jenë persona me lidhje të ngushta me 28 vjeçarin që u zbulua i pari.

Në total deri në mbrëmjen e së mërkurës, sipas njoftimit zyrtar “janë estuar 241 të dyshuar për COVID-19. Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim”.
Në dy ditët e fundit, Shqipëria ndërmori masa të forta shtrënguese, menjëherë pas zbulimit të rasteve të para. Autoritetet urdhëruan mbylljen për dy javë gjithë sistemin arsimor, stadiumet sportive dhe qendrat kulturore, ku mblidhen një numër i madh qytetarësh. Po ashtu në të gjithë vendin janë mbyllur dhe pub-et, klubet e natës, diskotekat, pishinat dhe palestrat.

Ditën e sotme autoritetet njoftuan për masa të reja shtrënguese. Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se ka propozuar “mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht; caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë urdhrin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetarë që nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës; caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij; vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik si dhe reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës”.

Në mbrëmje, siç kishte njoftuar dhe kryeministri Edi Rama, kanë nisur të paktën në Tiranë, kontrolle me postoblloqe në rrugët kryesore të kryeqytetit nga policia dhe njësitë e ushtrisë, për verifikimin e personave që mund të kenë shmangur vetkarantinimin.

Filed Under: Sociale Tagged With: Corono virusi, kosova, qeveria

Kosova nuk është çështje e brendshme koloniale e Serbisë

March 9, 2020 by dgreca

Prof.Dr.Mehdi HYSENI/

Duke qenë  se kryeministri i qeverisë  Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani janë dijeni për faktin se, zgjidhja e statusit të Kosovës nuk është bërë në frymën e së drejtës natyrale, të së drenjtës historike dhe të së drejtës ndërkombëtare (sepse Serbia nuk u sanksionua si shtet kolonial),  urgjentisht nevojitet që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, të miratojnë kërkesën zyrtare për dekolonizimin e Kosovës nga Serbia kolonialiste në Kushtetën e së cilës, Kosova ende figuron si “provincë serbe” (2006).

Kjo kërkesë, duhet  adresuar menjëherë Departamentit Shtetëror Amerikan, OKB-së, Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s. Ky, duhet të jetë objektivi më prioritar strategjik  i politikës, i diplomacisë dhe i drejtësisë së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të  parandalohet çdo marrëveshje politike, që nuk ka për objekt sanksionimin dhe dekolonizimin e  Serbisë ekspansioniste.

Mirëfili, përgjigja  e faktorëve ndërkombëtarë  kësaj kërkese të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, do t’i lironte nga çdo përgjegjësi direkte dhe indirekte  Albin Kurtin (kryeministër) dhe Vjosa Osmanin (kryeparlamentare) të Kosovës. Nryshe, mund të fitojnë “formulat politike” të pesidentit Hashim Thaçi dhe të të homologut të tij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq,  që cenojnë sovranitetin terrirotiral dhe shtetëror të Kosovës. -Aatëherë, ekzison rreziku që fati i qeverisë së Albin Kurtit, të vihet në pikëpyetje.

Si mund të ketë marrëveshje me Serbinë pa emërtimin dhe trajtimin e problemit kolonial serbo-shqiptar? !

-Së pari, në bazë të kërkesës që qeverisë së Kosovës,  Amerika, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja le të konstatojnë se kush është kolonizatori (fajtori) dhe, kush është i kolonizuari (viktima).Pra, pa ushtrimin e kërkesës protokollare të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, drejtuar Uashingtonit, Nju-Jorkut dhe Brukselit as Amerika, as OKB-ja e as BE-ja, me gjasë nuk do t’i qasen  problemit kolonial të Kosovës.-Edhe pse  Kosova, jo më pak se 100 vjet ishte plaçkë koloniale e Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999). Historikisht, politikisht, diplomatikisht dhe de fakto e dje jure kjo është esenca e problemit ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë.

Pra, së pari kemi të bëjmë me zgjidhjen e problemit kolonial të Kosovës, jo me  kurrfarë takse e as makse doganore. Ajo është vetëm pretekst politiko-propagandistik dhe diplomatik i Beogradit zyrtar, që të ushtrojë trysni ndaj Prishtinës zyrtare, në mënyrë që përmes faktorëve dhe mekanizmave  ndërkombëtarë ta detyrojnë për të nënshkruar ndonjë marrëveshje kompromisi në favorin e interesave të sovranitetit kolonial të Serbisë në Kosovë.

Pra, duhet kuptuar se, qëllimi i ngutshëm  dhe i përherhshëm politik, propagandistik dhe diplomatik  i Serbisë, është plotësisht simetrik me atë të regjimit pushtues të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, që çështjen koloniale të Kosovës,  në sy të Evropës, të Amerikës dhe të OKB-së, ta fshehin dhe ta trajtojnë si çështje të brendshme,  e jo si çështje të kualifikuar ndërkombëtare, e cila de fakto dhe de jure kërkon shqyrtim dhe sanksionim imediat juridiko-ndërkombëtar, sepse kolonializmi është vepër penale ndërkombëtare, që ndëshkohet sipas së Drejtës Ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke qenë se rrezikon zhbalalncimin e sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare,  sigurinë, paqen, si dhe rendin e ri juridik pozitiv ndërkombëtar.

Prandaj,  është e vështirë të lidhet ndonjë traktat ndërshtetër mes Kosovës dhe Serbisë, pa sapastrimin juridik dhe ligjor në dritën e së drejtës ndërkombëtare të RAPORTIT KOLONIZUES(Serbia) dhe DEKOLONIZUES (Kosova).

Në qoftë se  nuk shqyrtohet ky RAPROT KOLONIZUES-DEKOLONIZUES mes Serbisë dhe Kosovës nga bashkësia ndërkomëbtare sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, të së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit të ri juridik pozitiv ndërkombëtar, Serbia  si shtet kolonial nuk do të pranojë kurrë që të heqë dorë nga ish-kolonia e saj-Kosova.

Këtë fakt, duhet mbajtur parasysh si Prishtina zyrtare, ashtu edhe partnerët e saj evropianë dhe ndërkombëtarë. 

Ky është PROBLEMI me të cilin, pikëspari, do të dhej të merrej Qeveria e koalicionit (VV+LDK), jo taksa doganore, pavarësisht ushtrimit të trysnisë nga ana e Beogradit zyrtar. Natyrisht, presidentit serb Aleksandar Vuçiq si dhe qeverisë së Serbisë u ngutet që sa më parë ta heqin taksën për ta rivazhduar Dialogun e Brukselit me palën kosovare, sepse kjo është strategjia më profitabile për interesin nacional dhe shtetëror të Serbisë, që  para Evropës dhe botës demokratike,  edhe në shekullin XXI, ta fshehin PROBLEMIN KOLONIAL TË KOSOVËS (1912-1999)!

Serbia të dekolonizohet nga bashkësia ndërkombëtare  në bazë të së drejtës ndërkombëtare

Mirëpo, një objektiv i këtillë i bashkësisë ndërkombëtare, do të mund të arrihej vetëm me KËRKESËN E QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS.

Ndryshe nga politikat e qeverive të deritashme në Kosovë, kjo Qeveri  demokratieke, duhet të hartojë DOKUMENTIN me përmbajtje historike, politike, juridike, kombëtare, diplomatike dhe ndërkombëtare, në mënyrë që:

(1)        Së pari, domosdoshmërisht, të EMËRTOHET problemi;

(2)       Së dyti, të debatohet ky problem në kuadrin e Qeverisë, ku vendimin me konkluzionet përkatëse, t’i dërgohen për miratim Kuvendit të Kosovës;

(3)       Së treti, Dokumentin  e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria  përmes kanaleve diplomatike zrytare, urgjentisht t’ua dërgojë për shqyrtim:  Departamentit Shtetëror Amerikan, Bashkimit Evropian(BE) dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

-Qeveria e sotme reformatore (VV+LDK), duhet bërë një Platformë të tillë strategjike nacionale dhe shtetërore, në mënyrë që Kosova të trajtohet si PROBLEM KOLONIAL SHEKULLOR (1912-1999),   e JO si “problem” i tarifës doganore e as si “problem teknik”  i targave të veturave etj.

Realisht, kësaj  Qeverie të koalicionit (VV+LDK) i përket një barrë shumë e rëndë si kombëtare, historike, ashtu edhe politike e diplomatike, duke qenë se  politikat dhe qeveritë e mëparshme në Kosovë (e as qeveritë e politikat në Shqipëri), gjatë ’30 viteve të shkuara (1989-2020) nuk janë “kujtuar”, që së pari, t’ia vënë EMRIN PROBLEMIT, të cilin Kosova e ka pasur, dhe , fatkeqësisht ende e ka me Serbinë si shtet kolonial.

Për këtë gabim kardinal të mosemërtimit dhe të mostrajtimit të çështjes  koloniale të Kosovës, kështu flet kjo kronologji politike e kohës (1989-2020):

(1)       Në asnjë rresht të Deklaratës Kushtetuese  2  korrikut 1990, nuk figuron EMËRTMI i problemit kolonail të Kosovës e as kërkesa për shkolonizimin e saj nga Serbia;

(2)       Po ashtu, edhe në Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, nuk figuron  në asnjë rresht, EMËRTIMI i problemit kolonial të Kosovës;

(3)       Gjithashtu, edhe në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk figuron EMËRTIMI  i problemit kolonial të Kosovës;

(4)        Edhe në Kushtetutën e  Republikës së Kosovës së 15 qershorit 2008, as pjesën  hyrëse e as në ndonjë nen a paragraph të saj nuk figuron  EMËRTIMI i problemit  kolonial të Kosovës.

Si rrjedhim i këtyre gabimeve të pafalshme dhe iracionale, çështja e statusit të pavarësisë së  Kosovës, edhe pas njohjes së saj nga 100 shtete të OKB-së, prapë ka ngelur  OBJEKT DEBATI mes Beogradit dhe Prishtinës në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2018), ku kohëve të fundit po ushtrohet diktat dhe trysni e madhe ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, që sa më parë, të përfundojë ndonjë marrëveshjeje kompromosi politik me Beogradin zyrtar.

Mirëpo, që të mos përsëritën gabimet politike të Republikës së Rugovës (1990-1999)  dhe të Republikës së Hashim Thaçit (2008-2020), Qeveria e sotme e Albin Kurtit nevojitet që të hartojë Platformën e vet për zgjidhjen përfundimtare të problemit kolonial me Serbinë. Duke qenë se pa emërtimin e fajtorit, që në këtë rast konkret, është Serbia si shtet kolonizues, aneksues dhe gjenocidal 100-vjeçar të Kosovës dhe të shqiptarëve,  çdo marrëveshje e lidhur me Serbinë nuk do të garantojë  normalizimin e as kurrfarë zgjidhjeje  afatgjatë dhe paqësore  mes Beogradit dhe Prishtinës. –Thjesht,  për faktin se Serbia, edhe më tej, nuk do të heqë dorë nga politika dhe nga praktika e deritashme kolonialiste, hegjemoniste dhe militariste ndaj Kosovës, duke e konsideruar edhe më tej si plaçkë të veten koloniale si këtu e 100-vjet më parë (1912-1999). Kjo është fatkeqësia e Kosovës me Serbinë.

Prandaj, pa sanksionimin paraprak të kolonializmit të Serbisë, çdo marrëveshje a traktat i lidhur me të, do të jetë vetëm një shkronjë në akull. –Asgjë më shumë. Këtë e paralajmëron edhe Kushtetuta në fuqi e Serbisë (2006), ku thuhet “Kosova është krahinë e Serbisë”. Mbi këtë bazë, edhe politika, edhe diplomacia, edhe propaganda e  krerëve më të lartë të Serbisë, me Alekasandar Vuçiqin (president), me Ivica Daçiqin (kryeministër) dhe ministrin e Mbrojtjes, Aleksandar Vulin,  Amerikës, Evropës , edhe botës po i thonë “Kosovo je Srbija” (“Kosova është Serbi”).

Po, Marrëveshje me Serbinë, nëse kjo e njeh Republikën e Kosovës, sikurse Amerika  dhe 100 shtete të tjera të OKB-së

Kjo është logjika e drejtësisë, që e shpëton edhe Kosovën, edhe Serbinë nga konflikti kolonial njëshekullor (1912-1999).

Pra, për zgjidhjen e statusit kolonial të Kosovës, së  pari, kërkohet dekolonizimi i Serbisë, duke zbatuar normat dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe  objektivat e parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.- JO  “Plani i Ahtisarit plus Ahtisari”, që  minositeti serb të krijonte një minishtet serb brenda territorit dhe shtetit të Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT