• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA NUK DO TË LEJOJË CENIMIN NGA SERBIA

November 23, 2018 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli: Nuk do të lejojmë cenimin e Kosovës nga Serbia/

1 a Veseli tereza

PRISHTINË, 23 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë shypi sot në mesditë ka thënë se vendimet e fundit të shtetit të Kosovës kanë për synim të ndalin destruktivitetin e liderëve institucionalë të Serbisë kundër Kosovës.

Në një konferencë për gazetarë, Kryeparlamentari Veseli theksoi se vendimet e shtetit të Kosovës janë janë legjitime, legale dhe transparente. Vendimet e institucioneve të Kosovës, sipas Veselit, nuk duhet assesi të interpretohen si vendime të drejtuara ndaj një komuniteti të caktuar.“Republika e Serbisë, lidershipi i saj, duhet ta kuptojë se politika e urrejtjes, bllokimit dhe provokimit ndaj Kosovës është duke rrezikuar stabilitetin rajonal. Është kundër frymës së dialogut të proklamuar. Kjo politikë nuk i ndihmon bashkëjetesës mes shqiptarëve, serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë. Ka ardhur koha që të ndalen provokime të tilla”, tha Veseli.Më tutje, Kryeparlamentari Veseli tha se nuk do të lejojnë veprime që mund të shkaktojnë pasiguri ose jo stabilitet në vendin tonë.

 “Nuk do të lejojmë cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nuk do të lejojmë veprime që kërcënojnë shqiptarët, serbët dhe komunitetet tjera në veri të vendit. Nuk do të lejojmë veprime që cenojnë bashkëqytetarët tanë serbë kudo që jetojnë në Kosovë”, tha Veseli.Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionet e Kosovës dhe të mos bien pre e provokimeve dhe gjuhës së urrejtjes.“Kosova është e angazhuar që të zgjidhë problemet me Serbinë në mënyrë konstruktive, përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Por, kjo nuk do të thotë se ne do të tolerojmë pafundësisht synimet destruktive ndaj shtetit tonë apo përpjekjet për të tensionuar çdoherë gjendjen në Kosovë. E ardhmja e Kosovës dhe e gjithë rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është e angazhuar që të garantojë stabilitet, sundim të ligjit në çdo pjesë të territorit të vet. Shteti i Kosovës do të respektojë plotësisht obligimet ndërkombëtare që ka marrë. Gjithashtu, institucionet e Kosovës do të funksionojnë dhe veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, tha kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Filed Under: Politike Tagged With: Cenim, Kadri Veseli, kosova, Serbia

Zonja Mogherini, ju lutem shkoni në shtëpi!

November 23, 2018 by dgreca

1 Bucpapaj Mogherini

Nga Elida Buçpapaj/

Qeveria e Kosovës të mërkurën vendosi masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala e mbështeti menjëherë Kryeministri Ramush Haradinaj.

Po ashtu i menjëhershëm ishte reagimi nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini që kërkoi tërheqjen e menjëhershme e kësaj takse. Mogherini tha se “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja për 100 për qind është shkelje e pastër e CEFTA-s dhe frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.” Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nga ana e tij, nënvizoi se për “Një kohë të gjatë Kosova është penguar në transport se CEFTA nuk ka fuksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Vendimi i qeverisë së Kosovës erdhi një ditë pasi Serbia festoi triumfuese fitoren që kishte arritur lobimi i saj diplomatik për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku kanë votuar kundër edhe të paktën tre shtete anëtare të BE-së!

Shefja e diplomacisë së BE-së nuk shprehu asnjë lloj qendrimi kur Kosova, për shkak të ndërhyrjeve të Serbisë, humbi për të tretën herë mundësinë e anëtarësimit në INTERPOL. Ndërsa reagoi sa hap e mbyll sytë kur iu cënuan interesat ekonomike të Serbisë.

Zonja Mogherini, ju i trajtoni serbët si bijtë tuaj të privilegjuar, ndërsa si njerkë shqiptarët, kur do të duhej të ishit Nënë e mirë edhe për serbët edhe për shqiptarët, në të mirë të gjeneratave të reja dhe të integrimit të Kosovës e Serbisë në BE!

Ju jeni një njerkë si tek përralla e Hirushes – Cinderella – apo si Madam Thénardier tek romani Të mjerët e Victor Hygoit!

Kam shkruar përpara disa vitesh se Kosova është si geto në zemër të Europës, sepse ka mbetur e braktisur nga BE-ja, e mashtruar, e nëpërkëmbur, e trajtuar si shtet i dorës së dytë apo të tretë si ato plaçkat që shiten lirë në treg! Ju kujtoj se Srebrenica ka ndodhur nën hundët e indiferencës së zyrtarëve të lartë të llojit tuaj, që nuk meritojnë kurrësesi të jenë në krye të BE-së!

Jeni një burokrate me zemër të akullt, paçka se keni lindur në një vend me plot diell që është pjesë e NATO-s dhe Perëndimit, që ka marrë vendimet deçizive për Kosovën e të ardhmen e saj e rajonit, që padyshim nuk janë zvarritja dhe tërheqja zvarrë e proceseve.

Ju mbani qendrime favorizuese ndaj njërës palë dhe diskriminuese ndaj palës tjetër, pa marrë parasysh se Kosova është shteti viktimë; ju vononi integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE, sepse ushqeni iluzionet mitomane serbe për aneksim të Kosovës që e kallën rajonin në flakë .

Duke vepruar kësisoj, me papërgjegjshmëri për rolin që keni, sikur thotë Ilir Deda, deputeti i Parlamentit të Kosovës, ju e keni humbur krejtësisht kredibilitetin tek institucionet dhe tek Populli i Kosovës! Ja si shkruan deputeti Ilir Deda për ju: “Mogherini kërkon heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë dhe thotë që është në kundërshtim me “frymën” e MSA-së? Eh po ne, dhe jo vetëm ne në Kosovë, qe 5 muaj po kërkojmë që Mogherini të prononcohet kundër ndarjes së Kosovës; të reagojë kundër Serbisë që po punon në mënyrë agresive kundër Kosovës duke e shkelur “frymën” e normalizimit të marrëdhënieve; dhe po, po kërkojmë që BE t’i përmbushë obligimet e saj ndaj Kosovës. Çuditërisht ajo vetëm ka heshtë, mos të them që i ka injoruar këto kërkesa. Kështu e ke kur Mogherini e humbë kredibilitetin”, ka thënë Deda.”

Pa kredibilitet nuk mund të qendroni në postin e Përfaqësueses të Lartë të BE-së!

Sepse keni përfituar vetëm të mirat dhe privilegjet e postit, pa përmbushur detyrimet!

Nuk e keni prishur asnjëherë gjumin për hallet dhe problemet që e shqetësojnë popullin e Kosovës, ndërkohë që hidheni si shigjetë kur Qeveria e Kosovës ndërmer një veprim reaksion – ndaj armiqësisë që tregon hapur qeveria e Serbisë e cila kurorëzoi me shampanjë lobimin e saj për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Sepse ju e dini se – Ad ogni azione corrisponde una reazione uguale e contraria – ! Pa mendoni sikur ju të mendonit për të mirën shqiptaro-serbe, që të festonin me shampanjë edhe njëra palë dhe tjetra njëherësh!

Ku ishit ju Përfaqësuese e Lartë e BE-së që drejtoni dialogun më absurd në botë, kur i kërkoni vetëm njërës palë të përmbushë detyrime, ndërsa palën tjetër e mbështesni kur i shkel detyrimet më sinjifikative të fqinjësisë të mirë midis dy vendeve!

Si qendroni ju indiferente ndaj lobimit që bëri Serbia për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL?

E dini ju se çfarë do të thotë dialog? E dini ju se dialogu vendoset mbi themelet e barazisë, reciprocitetit dhe interesit bilataral në respekt të integritetit territorial të seicilit vend! Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon kundër shtetit të Kosoves, pavarësia e të cilit u vendos nga Perëndimi që e ka njohur Kosovën shtet, pas një konflikti të egër me viktima të pafajshme, që detyroi një milionë shqiptarë të largohen nga banesat e tyre dhe që përfundoi vetëm me ndërhyrjen e trupave të Aleancës Verio-Atlantike.

Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon që shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës të heqin dorë nga kjo njohje?!

A nuk e kuptoni se ky është një proces prapaktheu?

A nuk e kuptoni që ky proces i kthen shqiptarët dhe serbët drejt konfliktit?

Natyrisht që e kuptoni se nuk jani as injorante dhe as analfabete! Jeni vetëm e njëanëshme, në kundërshtim me parimet themelore të humanizmit europian ku mbështetet liria dhe demokracia! Prandaj nuk e meritoni të jeni kryediplomate e BE!

Zonja Përfaqësuese Lartë e BE-së ka ardhur koha të shkoni në shtëpi sepse qendrimet tuaja nuk janë të pavarura ndaj palëve; nuk janë në të mirë të paqes dhe stabilitetit afatgjatë të rajonit; nuk janë në të mirë të pajtimit dhe bashkekzistencës rajonale dhe as të integrimeve të shteteve të Serbisë e Kosovës në BE!

Dialogut bizar që drejtoni ju i kam dedikuar edhe një poezi:

Antidialog

Poezi nga Elida Buçpapaj

Dialog në erë
dialog në ferr
arbitri dirigjon
në Bruksel

ti dhe viktima
sy për sy
në hije dhe diell

dialog në erë
dialog në terr
arbitri dirigjon
në Bruksel

dialog në log
dhëmb për dhëmb
që urat shemb

dialog i qorrtë
dialog i lodhtë
dialog i ngordhtë

ti me dhëmbë çeliku
të implantum
viktima
me dhëmbë
të thymë, të coptum

dialog në terr
viktima në hell
arbitri dirigjon
në Bruksel

viktima vikat
ka hak
ti veshët
me dyll i mbush
Brukseli hepohet
pro teje për fushë

vikama e viktimës
shpirtin përtej e shpon
Brukseli baketën
e dirigjentit
e hedh në hon

edhe pastaj gjithë ovacion
këlthet
rrofte dialogu
dialogu asht mbret!

 

antidialog poezi nga elida buçpapaj

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Haradinaj, kosova, Mogherini

Kosova, taksë 100% për mallërat nga Serbia e Bosnja

November 21, 2018 by dgreca

-Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj e bëri të qartë se tash ky është realiteti dhe kjo masë e ndërmarrë sot duhet të zbatohet një qind për qind. Masa prej 100 për qind ndaj Serbisë, shkak i bllokimit të vendit për t’i gëzuar të drejtat e CEFTA-s/

1 a Voton qeveria

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/*

PRISHTINË, 21 Nëntor 2018/ Në mbledhjen e pasditës së sotme të Qeverisë së Kosovës, vendimi për vendosjen e masës mbrojtëse, që  nga 6 nëntori 2018 ishte 10 për qind, për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është ndryshuar dhe taksa do të ketë vlerën 100 % të mallrave të importuara nga këto vende. Gjithashtu do të ndalohet importimi i produkteve që në etiketa dhe deklarata përcjellëse të mallrave të importuara shkruajnë emërtimet “Kosovë dhe Metohi”, “Kosovë 1244”, “Kosovë UNMIK”. Në arsyetim të vendimit thuhet se, Marrëveshja e CEFT-as në raportet tregtare Kosovë-Serbi është shkelur në vazhdimësi nga pala serbe, që nga nënshkrimi i saj.

“Jemi dëshmitar që një kohë të gjatë se Kosova është bllokuar, nuk është lejuar që t’i gëzojë të drejtat e CEFTA-s, është penguar përmes origjinës së mallit pra duke mos e njohur origjinën e mallit, është penguar në transport, analiza dhe në çdo instrument tjetër. CEFTA, nuk ka funksionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është dëshmi. Serbia është duke e cenuar edhe sigurinë kombëtare, pra kjo është qasja që ka ardh nga Serbia në vazhdimësi në periudhat e fundit”.  Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e 76-të të Qeverisë,  nga ku kjo e fundit mori vendim për vendosjen e masës prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks.

Kryeministri Haradinaj, tha se, pasi është bërë një analizë e respektimit të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia, shihet se në të gjitha vitet e kaluara, prej kur ekziston CEFTA, Serbia i ka vendosë Kosovës barriera jotarifore, jo taksë e ngjashme sikurse që e ka vendosë Kosova, por e ka kontestuar origjinën e mallit dhe vetvetiu malli i Kosovës ka pasur vështirësi të hyjë në Serbi.

“E ka vështirësuar dakordimin e analizave për çdo produkt që ka hyrë, ka vendosë procedurë të verifikimit të analizës dhe e ka bërë të pamundur të hyjë ose të transportohet. Ka penguar transportin, pra vulat e dyfishta. Ka përdorur plot masa, me të cilat Serbia nuk e ka respektuar CEFTA-n. Edhe pse Kosova është ankuar disa herë radhazi te CEFTA dhe institucione tjera të BE-së, prapë Serbia nuk e ka respektuar këtë masë, shtuar këtu edhe agresivitetin politik, pengesat që ia bënë vendit”, e bëri të qartë kryeministri Haradinaj duke thënë se Qeveria e vendit nga sot, obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, vendimi ky që ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ndër tjerash, duke i listuar shkeljet që ia kanë bërë në vazhdimësi Serbia dhe Bosnje Hercegovina Kosovës, siç janë mosrespektimi i rregullave të origjinës dhe bashkëpunimit në administrimin doganor, përdorimi i vulave paralele të cilat nuk i njihen Kosovës, Menaxhimi i Integruar i Kufijve, ku nuk kanë vendosur kontroll efektiv mbi qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, dëme materiale dhe siguria e ultë në brezin kufitar, pastaj Energjia nga ku 30 milionë euro humbje direkte në vit dhe rreth 300 milionë euro humbje si rezultat i mungesës së qasjes në energji, e po ashtu ndihma shtetërore që në çdo euro të shitur në Kosovë Serbia i stimulon kompanitë serbe me 30 cent, dhe shumë shkelje tjera, kryeministri Haradinaj, shtoi se kjo është një masë legjitime që kanë marrë institucionet e Kosovës, jo nga dëshira, por për shkak të sjelljes shqetësuese të Serbisë ndaj Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, e bëri të qartë se tash ky është realiteti dhe kjo masë e ndërmarrë sot duhet të zbatohet një qind për qind.
 

6 NËNTOR 2018: QEVERIA E KOSOVËS VENDOSI MASË MBROJTËSE – TAKSËN 10% PËR PRODUKTET E IMPORTUARA NGA REPUBLIKA E SERBISË DHE NGA BOSNJA DHE HERCEGOVINA

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 74-të, në 6 nëntor 2018, ka miratuar vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Masa mbrojtëse nënkupton taksën prej 10 për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Republikën e Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën. Përjashtim nga kjo masë do të bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.
* Me shume fotografi nag mbledhja e sotme e Qeverise i gjeni ne fb(dielli vatra)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Bosnja, kosova, mallrave nga Serbia, takse 100%

Kosova duhet ta ketë kryeqytet Mitrovicën

October 17, 2018 by dgreca

–Të mbrosh Mitrovicën do të thotë më tepër se sa të mbrosh një pjesë të Kosovës. Të mbrosh Mitrovicën do të thotë të mbrosh Kosovën./1 Nexhmedin Spahiu– Ky shkrim u botua para mëse dy dekadave dhe është pjesë e librit të autorit “Shqiptarët dhe sërbët në luftën finale për Kosovën” botuar në Tiranë më 1998. Aktualiteti i tij po shpërfaqet tani kur sërisht po sjellët në rend të ditës ndarja e Kosovës-

Nexhmedin Spahiu*

Deklaratat e fundit të Gelbartit, të ngarkuarit amerikan për ish-Jugosllavinë, shënojnë përkrahjen më të fortë të deritanishme në drejtim të synimeve të shqiptarëve të Kosovës. Përkrahja e zgjedhjeve të 22 Marsit 1998 në Kosovë, nga ana e amerikanëve, shpreh momentin vendimtar në konfliktin shqiptaro-sërb rreth Kosovës. Pjesën tjetër të deklaratës së Gelbartitm atë se administrate amerikane i konsideron joreale kërkesat për pavarësinë e Kosovës duhet kuptuar si shprehje sa për t’u hedhur si syve sërbëve.

Kjo pjesë e deklaratës është e parëndësishme për momentin, sepse kjo nuk do të thotë se në një të ardhme jo të largët Amerika nuk do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Madje kjo formulë është aplikuar edhe me rastin e referendumit në Bosnje. Në atë kohë amerikanët përkrahnin integritetin e Jugosllavisë (d.m.th moscopëtimin e saj) dhe poashtu përkrahnin referendumin në Bosnje ku qytetarët e Bosnje e Hercegovinës duhet të deklaroheshin në janë për qëndrim të mëtutjeshëm në Jugosllavi apo për shkëputje prej saj. Menjëherë pas këtij referendumi filloi lufta dhe Amerika e njohu pavarësinë e Bosnje e Hercegovinës.

Çfarë mund të thuhet për Kosovën tani? 

Pas gjithë këtij ndërkombëtarizimi të çështjes së Kosovës, është mëse e sigurtë se ajo nuk mundtë zhbëhet, siç u zhbë Çamëria, Kraina e Kninit, Zhepa, Srebrenica etj. Natyrisht, as edhe ndonjë zgjidhje e ndërmjetme në formë autonomie nuk është e realizueshme, sepse kjo tanimë është një gjë e sprovuar dhe e ezauruar, një foshnje që lind nuk mund të kthehet më në barkun e nënës.

Kosova tanimë ka lindur si problem ndërkombëtar dhe ajo nuk mund të kthehet më mbrapa e të bëhet problem i brendshëm i Sërbisë. Edhe aleatët më të ngushtë të Sërbisë, si Greqia e Rusia, e pranojnë se Kosova është, të paktën, problem ballkanik. Madje Greqia ka marrë edhe një nismë ndërmjetësimi nga ana e saj, të cilën shqiptarët nuk e pranuan pikërisht që Kosova të mos ngelet në suazat e çështjes ballkanike.

Tek e fundit, asnjë problem në Ballkan nuk u zgjodh përmes autonomive edhe pse kjo shprehje u përdor së tepërmi gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje. Problem i Kosovës është problem kolonial e jo problem minoriteti dhe, deshën apo nuk deshën shqiptarët, sërbët, apo të tjerët, ky problem ka për t’u zgjidhur ashtu siç janë zgjidhur edhe problemet e tjera koloniale në botë.

Kush mbetet rreziku më i madh për Kosovën?

Rreziku i copëtimit të Kosovës, përkatësisht i spastrimit etnik të një pjese të saj, e cila do të jetë më me interes për Sërbinë, dhe prurja e shqiptarëve dhe Bashkësisë Ndërkombëtare para aktit të kryer është rreziku më i madh aktual për Kosovën. Situata aktuale në Kosovë po shkon drejt kësaj. Në vija të përgjithshme sërbët duan pjesën e Kosovës, të cilën gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania hitleriane e ndali për vete dhe nuk ia dha aleatës së saj, Italisë, përkundër tendencës së saj për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Pra është fjala për Mitrovicën dhe rrethinën e saj, e cila në atë kohë ishtë me e rëndësishmë për Hitlerin se sa gjithë Shqipëria, Maqedonia, e pjesa tjetër e Kosovës bashkë.

Tani sërbët synojnë ta spastrojnë etnikisht këtë pjesë duke i shtyrë shqiptarët në pjesën tjetër, të cilën pas bisedave të gjata diplomatike me ndërmjetësues të fuqishëm do të detyrohen t’ia njohin pavarësinë. Për këtë nuk flasin vetëm pozicionimet e policisë dhe ushtrisë sërbe në momentin aktual, por edhe veprimtaria e shtetit sërb gjatë këtyre 8 viteve të fundit. Veprimi i pushtetit sërb në Mitrovicë dhe rrethinë të saj ka qenë i amplifikuar dhe shumëpërmasor. Çdo gjë që e pllakosi Kosovën gjatë këtyre 8 viteve, Mitrovicën e pllakosi në mënyrë të shumëfishuar (represioni, eksodi, varfëria etj.), aq sa qytetarët e saj, nga më të pasurit në Kosovë, u shndërruan në më të varfërit e saj. Madje ka kohë që sërbët propagandojnë se Trepça tanimë është shterrur dhe nuk ka ndonjë vlerë. Natyrisht, kjo bëhet që shqiptarët të anojnë nga propozimi potencial që ta lëshojnë atë  pjesë. Shtrohet pyetja:

A duhet shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në tërësi të pajtohen që Mitrovica me rrethinë t’u mbetet sërbëve?

Kur të vijë koha e këtyre dilemave do të dalin në skenë politikanë e intelektualë, që do të thonë: më mirë të shpëtojmë diçka se asgjë. Pra, të pajtohemi me fatin që Kosova të mbetet pa Mitrovicën dhe rrethinën e saj, me shpresë se mos bëjmë ndonjë gjë me vonë. E njejta dilemë u paraqit edhe në kohën e Ismail Qemalit: më mirë të pranojmë këtë gjysmë Shqipërie, se mos bëjmë ndonjë gjë më vonë për Kosovë e Çamëri. Pas 30 e ca vitesh Çamëria u fshi nga faqja e dheut dhe gjysmë Shqipëria tjetër nuk u bë e gjallë. Kurse sa i përket paralelizmit për Kosovën, dallimi është që, nëse do të bëhej kjo zgjidhje, Mitrovica dhe rrethina e saj do të mbetej e humbur përgjithnjë.

Çfarë do të thotë Kosova pa Mitrovicën me rrethinë?

Mitrovica me rrethinë paraqet Kosovën atë çfarë paraqet Durrësi për Shqipërinë në çfarëdo lloj preojeksioni. Ajo paraqet në radhë të parë pjesën më ta pasur të saj. Me gjigantin e saj xehtaro-metalurgjiko-kimik, “Trepça”, është e lidhur e gjithë industria e Kosovës. Pavarësia e Kosovës pa Mitrovicën me rrethinë nuk do të ishte asgjë tjetër veçse fiktive. Në një rast të tillë Kosova e mbetur do të përgjërohen për futje të sërishme nën Sërbi, sepse nuk do t’i duhej gjë pavarësia e tillë. Në planin gjeografik, Mitrovica është i vetmi qytet kosovar ku bashkohen 4 lumenjë, dy prej të cilëve: Ibri dhe Sitnica, janë më të mëdhenjtë në Kosovë. (Prishtina dhe Tirana janë të vetmet kryeqytete në botë që, o nuk kanë lumenjë, o nuk janë bregdetare). Pos Prizrenit, Mitrovica është i vetmi qytet kosovar që ka kalanë e vet.

Në planin gjeostrategjik, të kesh në dorë Mitrovicën do të thootë të kesh në dorë gjithë Kosovën.

Në planin historik, Mitrovica me rrethinë paraqet pjesën më të plleshme shqiptare, përsa u përket lëvizjeve dhe figurave historike. Në këto treva u lindën dhe u formaun: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem Bejta, Shote Galica, Dervish Mitrovica, Rexhep Mitrovica, Ajdin Draga, Nexhip Draga, Ferat Draga, Xhafer Deva, Shaban Polluzha etj.

Në planin shoqëror, Mitrovica paraqet qytetin më të socializuar të Kosovës. Mitrovica është qyteti i dytë në Kosovë (pas Prishtinës) për nga numri i banorëve, por është i pari qytet në kuptimin e qytetarisë, përsa i përket shtresëzimit social e krahinor në Kosovë. Është i vetmi qytet me një klasë të formuar punëtore, e domosdoshme kjo për qytetarizimin e mentalitetit politik. Në Mitrovicë, përveç se bashkohen 4 lumenjë, bashkohen edhe tri krahina: Drenica, Shala dhe Kosova e Vogël, dhe poashtu bashkohen tri nëndialekte.

Në planin politik, Mitrovica nuk arriti të krijojë klan sundues në Kosovë siç arritën Gjakova, Gjilani e Llapi, por tri lëvizjet më të mëdha politike dhe më ekselente në historinë e gjithëmbarshme të popullit shqiptar patën për bazë mentalitetin politik të kësaj treve dhe këtij qyteti: Kryengritja e Hasan Prishtinës e vitit 1912, që është më e madhja në historinë shqiptare (30.000 luftëtarë); 2.Lufta për mbrojtjen e Novi Pazarit (1941), dhe 3. Lëvizja e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, që mblodhi mbi 500.000 demonstrues në Prishtinë (1989).

Si të mbrohet Mitrovica?

Siç u pa më sipër, Mitrovica është kryeqytet i natyrshëm i Kosovës (gjeografikisht, historikisht dhe politikisht). Kosova pa Mitrovicën nuk është më Kosovë. Elektorati i Kosovës jo vetëm që duhet të vetëdijësohet për këtë, por edhe duhet t’u tregojnë sërbëve dhe opinionit ndërkombëtar se është i vetëdijshëm për këtë.

Duhet ta thotë hapur dhe troç se Kosova pa Mitrovicën nuk na duhet gjë. Dhe jo vetëm ta thotë, por edhe ta dëshmojë këtë. E dëshmia më e mirë hëpërhë është shpallja e saj kryeqytet i Kosovës. Madje jo me dekret presidencial a parlamentar, por me referendum, i cili do të bëhej bashkë me zgjedhjet e 22 Marsit.

Ky ndërrim i kryeqytetit për momentin nuk do të kushtonte më tepër se sa transferim i barakës së Prisidencës së Kosovës nga Prishtina në Mitrovicë. Tani kur bisedimet (bashkë me luftën) shqiptaro-sërbe janë të pashmangëshme në praninë e faktorit ndërkombëtar, bërja e Mitrovicës kryeqytet i Kosovës do ta përjashtonte çdo lloj kombinacioni për ndarje të Kosovës. Natyrisht, kjo do të ishte një lëvizje e guximshme e Ibrahim Rugovës dhe klanit të Llapit, por është i vetmi hap politik shpëtimi.

Të mbrosh Mitrovicën do të thotë më tepër se sa të mbrosh një pjesë të Kosovës. Të mbrosh Mitrovicën do të thotë të mbrosh Kosovën.

  • Nga autori do te publikojme nej cikel artikujsh rreth Kosoves,qe ai ia ka derguar redaksise sone. Faleminderit!
  • Kjo analize eshte publikuar ne:

“Blic”, Tiranë, 04.03.1998

“Fokusi”, Cyrih, 04.03.1998

“Bota Sot”, Cyrih, 05.03.1998

“Albania”, Tiranë, 07.03.1998

“Kombi”, Prishtinë, 13.03.1998

“Flaka”, Shkup, Mars 1998

 

Filed Under: Analiza Tagged With: duhet ta ketë, kosova, kryeqytet Mitrovicën, Nexhmedin Spahiu

Kosovës i avancohet statusi në Frankofoni, bëhet anëtare e asociuar

October 11, 2018 by dgreca

1 Thaci Armeni.JPG

Në Samitin e 17-të të Frankofonisë, që po i zhvillon punimet në Jerevan të Armenisë, shtetet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë kanë votuar unanimisht që Republikës së Kosovës t’i avancohet statusi i saj në këtë organizatë, nga vëzhguese në anëtare të asociuar.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është lajmi i mirë i radhës për Kosovën.  “Lajmi i mirë i radhës për Kosovën vjen nga Armenia. Nga vëzhguese, Kosova u bë anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. U jemi mirënjohës shteteve anëtare për afirmimin e Kosovës në familjen frankofone dhe për mbështetjen e vazhdueshme të tyre”, ka shkruar Thaçi. Në mesin e krerëve të shteteve që po marrin pjesë në këtë samit janë edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, Princi Albert II i Monakos, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe shumë liderë të tjerë të vendeve frankofone.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: anetare e asocionuar, Frankofoni, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT