• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në ngjarje kulturore ndërkombëtare

January 2, 2018 by dgreca

-Kosova në 2017-tën pjesëmarrëse në ngjarje të rëndësishme kulturore me renome ndërkombëtare/

1 Minist Kult.JPG1 Kosova Kultu 2017.JPG

-Ministri Kujtim Gashi: Për herë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit  e Kosovës ka ndarë Çmimin ndërkombëtar “Letërsia shqipe”, i cili i është dhënë shkrimtarit të madh Ismail Kadare/

PRISHTINË, 2 Janar 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në vitin 2017 Kosova ka qenë pjesëmarrëse në shumë ngjarje të rëndësishme kulturore me renome ndërkombëtare.

“Në 2017-tën Kosova mori pjesë në edicionin e 57-të të Bienales së Venedikut, në Edicionin e 8-të të Lojërave të Frankofonisë në Abixhan të Bregut të Fildishtë, në programin Evropa Kreative, ndërsa është anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Artit dhe Agjencive të Kulturës, e cila është një rrjet global i këshillave të artit dhe ministrive të kulturës”, tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në konferenën për shtyp të fundvitit 2017 e në prag të 2018-tës.

Ministri theksoi edhe ndarjen e çmimeve vjetore në fusha të ndryshme të kulturës – për dramë origjinale shqipe, për letërsi, për teatër dhe për muzikë, si dhe promovimin kulturor të Kosovës.

 “Në kuadër të politikës së promovimit kulturor është përkrahur krijimtaria kulturore në vend, duke përfshirë aktivitetet e institucioneve publike kulturore: Teatri Kombëtar i Kosovës, Filarmonia-Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, Ansambli Shota, Galeria Kombëtare e Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Kosovafilmi dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, tha Gashi.

Ndërsa, vijoi ai, me qëllim të promovimit kulturor janë përkrahur edhe aktivitetet e kulturës së pavarur, përfshirë ato të asociacioneve dhe organizatave të pavarura kulturore, artistëve, etj. “Gjatë vitit  2017 janë përkrahur më shumë se 400 projekte me shumën totale mbi 1.200,000 euro”, tha ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ai theksoi edhe aktivitetet me qëllim të përkrahjes së autorëve dhe botueseve dhe përmes tyre të afrohet sa më shumë libri pranë lexuesve, mes të cilave përkrahjen 33 shtëpive botuese.

“Për herë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit  e Kosovës në vitin 2017 ka ndarë Çmimin ndërkombëtar ‘Letërsia shqipe’, i cili i është dhënë shkrimtarit të madh Ismail Kadare”, tha ministri.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizoi konferencën për shtyp të fundit për vitin 2017, ku ministri Kujtim Gashi prezantoi të arriturat, sukseset dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar Ministria.

“Edhe pse mandatin si ministër e kam marrë pak më shumë se tash e 100 ditë, gjatë kësaj periudhe kam qenë i përkushtuar që të zbatojë planin e punës së Ministrisë, të vazhdojë zbatimin e projekteve që kanë qenë në proces, por edhe kam shtyrë përpara politika dhe projekte që i kam propozuar bashkë me kabinetin tim”, tha ministri.

Ai bëri të ditur se, Ministria e Kulturës në 2017-tën ka pasë një buxhet prej 25,146.301 eurosh.

Foli edhe për ligjet që janë miratuar gjatë vitit 2017 – Ligjin  për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive dhe Ligjin për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

“Aktet nënligjore të miratuara gjatë vitit 2017 janë 9-të. Gjatë kësaj periudhe kohore Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka harmonizuar edhe 7 ligje me Ligjin për Kundërvajtjet”, tha ministri Gashi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Kultura, ngjarje nderkombetare

Bukuritë natyrore të Kosovës prezantohen në Zvicër

December 19, 2017 by dgreca

1 prezantimi-Kosova shënon me ekspozitë Vitin 2017, si Vit i shpallur Ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit/2 Prezantimi

 MELIDE, 18 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI/ Në qendrën e Arteve, “Ibrahim Kodra”, në Melide të Zvicrës, është hapur ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës”, ekspozitë kjo që synon të forcojë dhe zgjerojë marrëdhëniet sociale dhe kulturore në mes Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Kosovës.

1 ekspozita

Organizimi i kësaj ngjarje u bë si rezultat i bashkëpunimit me Komunën e Melides, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë dhe Muzeun Kombëtarë të Republikës së Kosovës, ndërsa ky projekt iu dedikua vitit 2017, i cili është shpallur nga Asambleja e 70-të e Kombeve të Bashkuara si Vit Ndërkombëtar i Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit për Zhvillim. Ky aktivitet u hap nga Drejtoresha e Artit të Fondacionit, “Ibrahim Kodra”, Maria Pacolli, e cila edhe prezantoi nismën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa me një video mesazh të pranishmëve iu adresua edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Turizmin Botëror, Taleb Rifai.

Njoftimi i dërguar nga MPJ e Kosovës thekson se, turizmi sot është bërë një katalizator i rëndësishëm i transformimit pozitiv, që mund të kontribuojë në një zhvillim të qëndrueshëm në ekonomi, shoqërim, ambient dhe fusha të tjera.

Ai, gjithashtu, mund të forcojë paqen, duke mbështetur mirëkuptimin në mes popujve, rritjen e vetëdijes së trashëgimisë së pasur në mes kulturave të ndryshme dhe duke ftuar gjithsecilin që të vlerësojë vlerat e tij.

Në këtë ekspozitë ka marrë pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bern, Nazane Breca, e cila ka theksuar se “kultura bën një kontribut të madh, që Kosova të njihet më shumë dhe që të zbulohen thesaret e saj”.

Ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës” në Qendrën e Arteve në Fondacionin “Ibrahim Kodra” ka prezantuar fotografitë e realizuara nga fotografët ndërkombëtarë dhe pjesëmarrësit në garën e fotografisë më të mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017, e cila ishte organizuar pak kohë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Autorët e fotografive të ekspozuara në këtë ekspozitë janë si më poshtë: Aleksandra Hiltmann, Arben Islami, Erza Rudi, Jeta Abazi Gashi, Maria Pacolli, Marieke Lebet-Booij, Shkelzen Rexha, Yllka Fetahaj, Agon Nimani, Arian Mavriqi, Armend Nimani, Bleron Caka, Dea Lajqi, Sehida Miftari.

Në ekspozitë janë shfaqur edhe punime tjera artistike, duke përfshirë artistin kosovar, Sylë Mujaj. Pas përfundimit të ekspozitës është shërbyer edhe ushqim tradicional nga Kosova. Ekspozita do të mbetet e hapur deri në 14 Janar 2017. /b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: bukurite natyrore, kosova, ne Zvicer

KOSOVA 10 VJET SHTET, REFORMA TË VAZHDUESHME

December 8, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi në Konferencën e Parisit: Për 10 vjet shtet, Kosova është vend i reformave të vazhdueshme/
1 Thaci Koso 10 vjet shtetPARIS, 8 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI/

– Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Konferencën e Parisit, që po zhvillohet në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës, sot para të pranishmëve ka folur për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës në kuadër procesit të integrimit në BE.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova si shtet i ri po zhvillohet politikisht dhe ekonomikisht për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve, mirëpo me rigorozitet i zbaton edhe politikat e zhvillimit për të përmbushur standardet evropiane në të gjitha fushat, sepse qëllimi ynë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Të gjitha politikat qeveritare i kemi zbatuar me standardet e BE-së, gjë që është në përputhje me qëllimin përfundimtar për integrimin tonë euroatlantik. Zhvillimi ynë politik dhe ndërtimi i institucioneve, reforma e administratës publike, reforma gjyqësore dhe forcimi i sundimit të ligjit është modeluar nga afër në përputhje me kriteret e BE-së”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai ka thënë se reformat e vazhdueshme janë të domosdoshme dhe ato bëhen jo vetëm që të jemi në gjendje të anëtarësohemi në BE, edhe pse është fakt se mbi 95 për qind e popullatës është në favor të anëtarësimit në BE.

“Planet tona në politikën ekonomike dhe të reformave strukturore janë konceptuar, dizajnuar dhe zbatuar në përputhje me kriteret e pranimit ekonomik, përkatësisht për të siguruar një ekonomi tregut të lirë, që është në gjendje të përballojë presionet konkurruese të tregut të BE-së”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se tash po punohet drejt krijimit të kushteve ekonomike për të rritur eksportet, për të tërhequr investime të huaja dhe për të integruar bizneset e Kosovës në zinxhirin e vlerave ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka thënë se sukseset e Kosovës i dëshmon edhe raporti i Bankës Botërore në të bërit biznes, ku Kosova kishte një përmirësim të ndjeshëm në renditje, nga vendi i 60 në atë të 40. Por, sipas tij, ngjashëm me fqinjët tanë, edhe ne kemi probleme me ekonominë joformale dhe për më tepër, Kosova ende sfidohet nga shkalla e lartë e papunësisë.

“Megjithatë, përmirësimet po bëhen vazhdimisht në të gjitha fushat relevante dhe duke marrë parasysh se në vitin e ardhshëm do ta festojmë dhjetëvjetorin tonë si një vend i pavarur, rezultatet janë mjaft inkurajuese”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se është e qartë se këto rezultate janë arritur edhe për shkak të perspektivës evropiane, duke përfshirë mbështetjen e konsiderueshme financiare të dhënë nga BE-ja përmes fondeve të IPA-s.

“Shpeshherë ndjehemi të zhgënjyer që procesi i integrimit evropian nuk është më i shpejtë, sepse vonesat po krijojnë hapësirë për aktorët e tjerë që përpiqen të cenojnë vlerat tona civilizuese perëndimore. Sido që të jetë, nënshkrimi i MSA-së në vitin 2015 ishte shumë i rëndësishëm dhe pritet që të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin tonë politik dhe ekonomik”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova ende është duke pritur që puna e saj në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave të kurorëzohet me sukses, sepse jemi vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk kemi të drejtë të lëvizim pa viza.

Në Konferencën e Parë të Parisit, presidenti Thaçi ka folur edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se ky dialog tani po hyn në një fazë të re dhe është shprehur i bindur se një marrëveshje përfundimtare do të arrihet brenda një të ardhme jo të largët.

“Dialogu deri tani ka dhënë shumë rezultate pozitive dhe mbetet çelësi i vetëm për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve respektive, si kusht i domosdoshëm për integrim në BE dhe NATO”, ka thënë ai.

Duke marrë në konsideratë kontekstin historik dhe gjeostrategjik, presidenti Thaçi ka thënë se BE-ja duhet ta ketë një valë të vetme të zgjerimit me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, që ato të anëtarësohen në BE në të njëjtën periudhë kohore, sepse ngjashmëritë ndërmjet tyre janë shumë evidente në të gjitha fushat./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: 10 Vjet shtet, kosova, Thaci

Engel: Kosova duhet të çlirohet nga pengesa e marrëveshjes së kufirit

December 6, 2017 by dgreca

1 eliot EngelÇështja e kufirit të Kosovës me Malin e Zi ndodhet në parlamentin e Kosovës, por shanset e miratimit të saj duken të vogla. Ligjvenësi amerikan Eliot Engel, i cili sapo është kthyer nga një vizitë në Kosovë, thotë për Zërin e Amerikës se është në interes të Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen dhe të ecë përpara me integrimet e tjera evropiane. Por nëse ata e refuzojnë, atëhere duhet të jenë të gatshëm të përballen me pasojat. Në intervistën për shefin e shërbimit shqip Arben Xhixho, zoti Engel ndalet edhe tek roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor si dhe përpjekjet e Rusisë për të penguar integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Engel, ju sapo jeni kthyer nga Kosova dhe, siç keni dëgjuar, çështja e kufirit me Malin e Zi është ndër temat më të nxehta. Qeveria e zotit Haradinaj e ka dërguar marrëveshjen në parlament për t’u votuar, por vetë partia e tij ka thënë se do të votojë kundër. Nëse marrëveshja nuk kalon në parlament, siç parashikojnë shumë njerëz, cili do të ishte çmimi që do të paguante Kosova?

Eliot Engel: Së pari, dua të them se kjo nuk është një çështje e vetme, por përfshin shumë gjëra të tjera. Unë do të desha të shihja normalizimin e vizave për Kosovën dhe mendoj se kjo do të ishte diçka shumë e mirë për të rinjtë dhe për të gjithë në Kosovë. Di gjithashtu se Bashkimi Evropian e ka lidhur liberalizimin e vizave me çështjen e kufijve në Kosovë. Është diçka e ndërlikuar dhe sigurisht, udhëheqësve të zgjedhur të Kosovës do t’u duhet të vendosin. Po të isha unë, do ta kisha ratifikuar marrëveshjen për ta hequr këtë pengesë një herë e mirë dhe për të ecur drejt gjërave vërtet të rëndësishme, siç janë përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për liberalizimin e vizave, që njerëzit të mund të udhëtojnë si në çdo vend tjetër të Evropës. Kjo do të hapte rrugën që të ndërmerreshin hapa për ta integruar Kosovën me familjen europiane. Nuk jam i sigurt nëse kapja fort pas çështjes së kufirit do të ishte rruga për t’i bërë këto, por unë e respektoj vendimin e udhëheqësve të Kosovës, sido që të jetë ai.

Zëri i Amerikës: Politikanët e Kosovës kanë shpenzuar mjaft energji me këtë marrëveshje dhe disa koalicione janë rrëzuar për shkak të saj. A mos po zmadhohet së tepërmi rëndësia e kësaj çështjeje? Sepse Kosova ka aq shumë çështje të tjera me të cilat përballet…

Eliot Engel: Mendoj se keni të drejtë, sidomos për faktin që Mali i Zi është një vend miqësor dhe jo armik dhe shumë gjëra mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi zgjidhen mbi baza miqësore. Mendoj se ka disa gjëra për të cilat nuk bëhen lëshime, por ka edhe të tjera për të cilat mban një qëndrim dhe lëshon nga pak. Mendoj se kjo është pikërisht njëra nga këto çështje. Unë e kuptoj se kjo është një çështje e ndërlikuar për të cilën njerëzit kanë emocione të forta. Di gjithashtu se më parë është arritur një marrëveshje, pra zyrtarët në Kosovë kanë rënë dakord për shënimin e kufirit. Por është krijuar një gjendje e vështirë. Unë do të doja që këtë çështje ta linim pas dhe të ecnim përpara për gjëra më të rëndësishme. Nëse nuk ratifikohet, ajo do të mbetet pezull dhe Bashkimi Evropian do ta përdorë këtë si një element trysnie mbi kokën e Kosovës. Kjo më shqetëson shumë.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë zgjidhje tjetër që Kosova të sigurojë liberalizimin e vizave nga BE-ja, nëse kjo marrëveshje nuk kalon në parlament?

Eliot Engel: Do të shpresoja që të kishte. Sigurisht, unë do të vazhdoj përpjekjet dhe personalisht do ta mbështes çështjen e vizave. Por nëse kjo do të ketë ndonjë ndikim, për këtë duhet të pyesni zyrtarët e Bashkimit Evropian. Bazuar mbi bisedat që kam patur me ta, duket se ata janë mjaft këmbëngulës që, së pari të zgjidhet shënimi i kufirit. E përsëris megjithatë se i kuptoj njerëzit në Kosovë, të cilët e ndjejnë se nuk duhet ta bëjnë. Nëse refuzon diçka dhe je gati të përballesh me pasojat, atëherë ashtu qoftë. Vendimi do të merret nga udhëheqësit e Kosovës, por punët do të vështirësoheshin nëse ky vendim nuk pranohet.

Zëri i Amerikës: Udhëheqësit e Kosovës u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara të jenë më të angazhuara në dialogun me Serbinë. Shtetet e Bashkuara janë tashmë të përfshira në të, por edhe ju kur ishit në Kosovë bëtë të njëjtën thirrje. A shihni ju ndonjë shenjë nga administrata ose Departamenti i Shtetit për të qënë më të angazhuara?

Eliot Engel: Jo, për fat të keq jo. Por unë do të vazhdoj të këmbëngul për këtë. Kemi disa probleme me Departamentin e Shtetit për momentin. Fondet që kemi miratuar për të janë shkurtuar ndjeshëm, ka shumë zyrtarë të lartë që kanë shërbyer aty me administrata demokrate apo republikane që po largohen, po dalin në pension, po japin dorëheqjen pasi është krijuar në atmosferë demoralizuese. Në projekt-buxhetin e paraqitur në Kongres, presidenti ka propozuar shkurtime të shumta për Departamentin e Shtetit dhe për agjencinë për ndihmat ndërkombëtare USAID, duke shkurtuar programe që janë të rëndësishme për diplomacinë. Gjithë roli i diplomacisë është që ajo të jetë e suksesshme për të shmangur luftën. Lënia bosh e shumë posteve të larta në Departamentin e Shtetit, mos emërimi i ambasadorve në vende të tilla të rëndësishme si Koreja e Jugut, për shembullt, të largosh njerëz dhe të mos i zëvendësosh ata, është një gabim i rëndë. Për fat të keq, diplomacia nuk është përparësi e kësaj administrate. Unë do të dëshiroja që presidenti dhe vendi ynë të ishin më të angazhuar në Ballkan. Nëse ne nuk do të ishim angazhuar në Ballkan më 1999, nuk e di nëse NATO-ja do të kishte ndërhyrë për të ndalur spastrimin etnik dhe gjenocidin. Ky ishte një nga momentet më krenare për NATO-n. Por qëndrimet tani janë shumë ndryshe. Unë do të vazhdoj të kërkoj nga udhëheqësit tanë që ta kenë Ballkanin, veçanërisht Kosovën në axhendën e tyre, por tani duket se axhenda e tyre është shkurtim i Departamentit të Shtetit, që është gabim i madh.

Zëri i Amerikës: Ballkani Perëndimor ndeshet sot me shumë sfida, një prej të cilave është ndikimi i Rusisë. Nënpresidenti Pence gjatë vizitës në Mal të Zi, jo shumë kohë më parë, tha se “Rusia punon për të destabilizuar rajonin, për të minuar demokracitë, për të përçarë vendet e rajonit nga njeri tjetri dhe nga pjesa tjetër e Evropës”. Sa i shqetësuar jeni ju nga roli i Rusisë?

Eliot Engel: Jam i shqetësuar. Deklarata që ju lexuat nga nënpresidenti Pence, godet pikërisht aty ku duhet. Nënpresidenti ka qënë anëtar i kongresit. Kemi shërbyer së bashku në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme. Ai është shumë serioz kur bëhet fjalë për çështjet e jashtme. Ai i njeh problemet dhe mbështet angazhimin e Amerikës. Shpresoj ta përfshijë atë pasi ai e kupton Ballkanin. Por, pa dyshim, ndikimi rus është një problem i madh, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vende të tjera. Rusët ndërhynë në zgjedhjet amerikane duke u përpjekur të ndikojnë në fitoren e Donald Trumpit, ata përpiqen të ndikojnë në zgjedhjet në vende të tjera, në vendet demokratikee, aleate me ne, qoftë në Britani, në Francë apo Gjermani, apo edhe në Ballkanin Perëndimor. Ekzistojnë lidhje të ngushta mes Rusisë dhe Serbisë. Kjo është shumë shqetësuese. Kur u takova me presidentin Vuçiç këtu në Uashington, ia përmenda këtë. Kjo është edhe një arësye se përse Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një ndikim më të madh. Përgjigja jonë nuk duhet të jetë të kthejmë kurrizin dhe të largohemi, ose të shkurtojmë programet e përpjekjet në Ballkan. Ne duhet t’i dyfishojmë ato. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kush ka qënë në pushtet, republikanët apo demokratët, kanë patur marrëdhënie të ngushta dhe dy vendet tona kanë qënë shumë pranë. Unë gjithmonë jam përpjekur dhe do të vazhdoj të përpiqem që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës, përkrah qeverisë së Kosovës. Unë do të jem pranë tyre. Kryeministri Haradinaj është një mik i vjetër prej kohe, ashtu siç është edhe presidenti Thaçi. Lidhja mes dy vendeve tona duhet të forcohet dhe unë do të bëjë gjithshka mundem që kjo të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Të martën qeveria ruse i klasifikoi nëntë media amerikane, mes të cilave edhe Zërin e Amerikës, si “agjentë të huaj”. Cili është mendimi juaj?

Eliot Engel: Ju duhet ta konsideroni atë si dekoratë. Sa herë rusët thonë diçka negative për ju, ose për këdo tjetër, është një nder. Rusia nuk është mësuar të ketë shtyp të lirë, media atje është e kontrolluar. Ata nuk duan ta kuptojnë konceptin se ne në Shtetet e Bashkuara kemi shtyp të lirë, njerëzit kanë mendimet e tyre, të majtë, të djathtë, pro ose kundër diçkaje. Është qesharake që Rusia ndërmerr veprime të tilla kundër Zërit të Amerikës dhe mediave të tjera, si CNN etj. Kjo është diçka tipike për një regjim totalitar, me një udhëheqës totalitar. Zoti Putin është bërë njeriu më i pasur në botë dhe synon të kontrollojë se çfarë dëgjojnë ose nuk dëgjojnë banorët në Rusi. Kur isha për herë të fundit në Ukrainë, në Ukrainën Lindore, banorët atje thonin se e vetmja gjë që dëgjonin ishte propaganda në gjuhën ruse nga Rusia. Kjo është ajo që do zoti Putin. Ai nuk do lëvizjen e lirë të ideve, nuk do pikëpamjet e ndryshme. Kjo është mënyra si vepron ai, si një udhëheqës totalitar dhe autoritar. Ne nuk e pranojmë këtë. Shtetet e Bashkuara janë krijuar mbi parimet e demokracisë dhe lirisë, shtypin e lirë dhe të drejtën për të folur lirshëm. Këto janë të gjitha të huaja për zotin Putin. Nuk do shqetësohohesha për klasifikimin që i ka bërë Zërit të Amerikës, ta keni për nder atë, unë e di se ju do të vazhdoni punën e mirë që keni bërë për t’u treguar njerëzve të vërtetën dhe ata vetë mund të vendosin.

Filed Under: Interviste Tagged With: Eliot Engel, kosova, pengesat e Kufirit

Kosova, të ardhme sigurt në kuadër të BE-së, NATO-s dhe OKB-së

December 5, 2017 by dgreca

 6 Thaci Forc Armat-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti fjalimin e fundvitit para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës/

PRISHTINË, 5 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, the sot se, Kosova dhe qytetarët e saj janë popull autokton evropian, prandaj e ardhmja e jonë, duke përfshirë edhe vlerat që përfaqësojmë, është e natyrshme dhe e sigurt në kuadër të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.

 “Kosova do të arrijë të përmbyllë me sukses periudhën e vuajtjeve dhe konfliktit me Serbinë, duke nënshkruar Traktatin e Paqes dhe Pajtimit”, u shpreh ai.

Thaçi theksoi se, qytetarët e Republikës së Kosovës duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror.

“Prandaj, është detyra e imja, detyra e juaja, detyrë e të gjithë neve, që të punojmë pa u ndalur për të mirën tonë të përgjithshme. Uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë”, u shpreh ai.2 Thaci 2Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  foli në një adresim publik për qytetarë të bërë nga kazerma “Adem Jashari” e Forcës së Sigurisë së Kosovës,  në Prishtinë, ku tha se Forcat e Armatosura të Kosovës po bëhen në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tanë. “Ashtu siç krenohemi sot me Forcën e Sigurisë së Kosovës, ashtu do të krenohemi me të edhe si forcë shumetnike, profesionale dhe mbrojtëse”, theksoi  ai.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti fjalimin e fundvitit para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

***

FJALIMI I PLOTE I PRESIDENTIT HASHIM THAÇI

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Jam krenar dhe shumë i privilegjuar që sot jam para jush. Ju me punën tuaj keni arritur t’i bëni krenarë prindërit tuaj, fëmijët tuaj, por mbi gjithçka, ju jeni krenaria e Republikës së Kosovës.Më lejoni t’iu falënderoj për këtë mundësi të adresimit sot.Ne duhet reflektojmë së bashku për të arriturat deri më tani.Të flasim për zhvillimet në vendin tonë dhe së bashku të gjejmë përgjigje të përbashkëta për sfidat dhe mundësitë që i kemi para vetes.Cilësia e demokracisë sonë nuk duhet të varet vetëm nga një sprovë e përfaqësuesve politikë me qytetarin vetëm përmes zgjedhjeve.Unë besoj se demokracia ndërtohet dhe forcohet nga shkëmbimi i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë i ideve dhe përvojave tona.

 Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

 Më lejoni që në fillim të shpreh mirënjohjen për faktin që sivjet kemi kaluar dy teste të rëndësishme të pjekurisë demokratike përmes organizimit të suksesshëm të zgjedhjeve.  Aq më tepër kur kujtojmë faktin që këto zgjedhje janë mbajtur në një atmosferë jo të lehtë politike, ku debatet e brendshme ishin më të gjalla dhe dinamike se kurdoherë më parë.

Të nderuar të pranishëm,

 Të kthejmë kokën prapa dhe kujtojmë të kaluarën tonë. Shpejtësia me të cilën Kosova ka arritur ta kthejë fatin e vet në rrugë të mbarë në tri dekadat e fundit është e pashembullt.Ne e kemi pasur fatin dhe nderin të jemi pjesë e gjeneratës historike që e nxorëm këtë vend nga shkelja, përbuzja, keqtrajtimi dhe nënshtrimi.Kemi bërë shumë për vendin tonë dhe për këtë jemi përgjithmonë ballëhapur. Por, a ka përfunduar puna jonë me kaq? Sigurisht që jo.Mendoj se ne mund të bëjmë shumë më tepër.Jemi afër nga data kur do të shënojmë dhjetëvjetorin e pavarësisë. Këto data na mundësojnë të shkëputemi nga përditshmëria dhe të bëjmë një reflektim të përbashkët. Të flasim për të arriturat dhe sfidat që i kemi tejkaluar, e po ashtu të mendojmë qetë edhe për ngecjet,  edhe dështimet, sado e pakëndshme të thuhet e mendohet kështu.Duhet të jemi plotësisht të sinqertë, Kosova sot është duke kaluar sfida jo të lehta.Ne kemi arritur të konsolidojmë shtetin tonë, duke shtrirë institucionet në secilin cep të vendit, mirëpo në shumë fusha të funksionimit dhe qeverisjes, ende mbesin punë për t’u bërë. Edhe pse sot ne funksionojmë si shtet, ende shumë fusha mbesin jashtë autoritetit tonë shtetëror.Një numër i pa justifikuar i misioneve ndërkombëtare ende funksionon në Kosovë, duke krijuar përshtypjen se jemi në një stad shumë të hershëm të tranzicionit. Në rrafshin ndërkombëtar ne kemi arritur një numër të madh të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por nuk jemi ende aty ku dëshirojmë dhe meritojmë të jemi. Projektet që ne kemi përpara nuk janë lehta.Sfida të mëdha kemi përpara, por nëse fokusohemi dhe punojmë së bashku, ne mund t’i përballojmë e tejkalojmë.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kohërat e vështira mund të na hutojnë, mirëpo ne nuk guxojmë të lejojmë që pengesat ta turbullojnë vizionin tonë. E kaluara e jonë është e dhimbshme, e dominuar nga shtypja dhe pushtimi.Gjithmonë do t’i kujtojmë me dhimbje të gjitha viktimat e pafajshme të luftës së përgjakshme. I kujtojmë me përulje, por edhe krenari të gjithë martirët dhe heronjtë që dhanë jetën e tyre për lirinë që ne sot e gëzojmë. Nuk harrohen dhe nuk duhet të harrohet kurrë deportimi i gjysmës së popullsisë sonë, në një përpjekje për spastrim etnik. Kjo dikujt mund t’i duket se po flasim për një histori të vjetër e të harruar, por jo.Po flasim për historinë tonë, për vëllezërit dhe motrat, të afërmit dhe miqtë tanë, për vuajtjen tonë. Vuajtja ende nuk ka përfunduar, sepse edhe sot shumë familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë duke mos e ditur se ku i kanë të afërmit e tyre.Me gjithë këtë barrë historike, ne nuk do të lejojmë që dhimbja dhe tmerri që kemi përjetuar, të na mbajnë peng.Nuk do të mendojmë dhe as nuk do të sillemi si viktima, sepse ne e kemi fituar luftën dhe kemi një histori me të cilën mburremi.Por, detyra historike që kemi para vetes është që ta fitojmë edhe paqen.Qëllimi ynë mbetet i qartë, të ndërtojmë një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.Republika e Kosovës si një vend i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, me përcaktim evropian dhe euroatlantik, duhet të jetë e pakontestuar dhe e integruar në familjen e kombeve botërore.

 Këto qëllime duhet t’i arrijmë me ngulm e vetëbesim, duke përmbushur standardet demokratike, por jo duke u bërë servil të projekteve shterpe, të cilat shpesh janë të importuara dhe të imponuara.Tashmë çdo ditë po shtohen zërat që po kërkojnë identitet më të qartë në mënyrën se si qeverisim.Për një kohë shumë të gjatë u jemi përshtatur nevojave të kohës. Kemi bërë lëshime të shumta në çështje që do të duhej të kishin një reflektim të brendshëm më të madh dhe përfillje më të madhe të asaj se kush jemi.I ftoj të gjithë që të mendojnë më shumë për atë se si mund ta bëjmë një Kosovë që reflekton kërkesat, nevojat, ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve të saj, para së gjithash.Deri sa besoj në nevojën për reformim të vazhdueshëm e modernizim, unë mendoj se këtë duhet të bëjmë në mënyrën që më së miri i përshtatet vendit tonë. Koha e misioneve të huaja ndërkombëtare në Kosovë ka kaluar.Ne i mbetemi mirënjohës bashkësisë ndërkombëtare për çdo të mirë që i ka sjell Kosovës, ashtu siç i mbajmë përgjegjës për të gjitha lëshimet dhe dështimet e tyre. Partneriteti i mirëfilltë funksionon në mënyrë reciproke.Bashkësia ndërkombëtare gjithmonë do të mund të llogaris në partneritetin e fortë dhe bashkëpunimin me ne, si parim bazë.Por tani, përgjegjësia për rrugëtimin tonë, për të sotmen dhe të ardhmen tonë, është në duart tona.Prandaj, të gjithë kemi përgjegjësi që të sillemi si zot shtëpie në vendin tonë.Para se të fajësojmë rrethanat dhe këdo për çfarëdo që na duket se nuk po shkon mirë, ne duhet të bëjmë një vetëreflektim. Sot shoqëria jonë është më e polarizuar, e fragmentuar politikisht dhe çdo gjë ka filluar të politizohet skajshëm.Unë e kuptoj se sa sfiduese është për të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë gjendje.Ata duhet të gjejnë forcën dhe ta tejkalojnë këtë model të ndarjes dhe përçarjes.Spektri politik në Kosovë mund të mos të pajtohet për çështje të caktuara, por ne nuk guxojmë që të humbim qoftë edhe një minutë duke lejuar degradimin e mëtutjeshëm të debatit.

Dhuna nuk ka vend në Kosovë.

Aq më tepër, dhuna në institucione dhe nga përfaqësues institucionalë është turp dhe nuk mund të justifikohet me asgjë .Fatkeqësisht, kjo qasje shkatërrimtare e brendshme e ka dobësuar dhe po e dobëson vendin tonë.Sulmet ndaj institucioneve, dëmtimi i pronës publike e private, duelet fizike të deputetëve, janë ndër fatkeqësitë më të dhimbshme sot.Pasojat janë shumë më të mëdha se titujt sensacionalë që këto situata prodhuan si brenda edhe jashtë vendit.Prandaj, lutja ime për të gjithë është që të distancohen nga ky lloj i sjelljes dhe të punojnë për ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëpunimit. Në Kosovë sot me lehtësi të madhe vihen në pikëpyetje dhe përdoren për politikë ditore çështje të interesit të përbashkët shtetëror.Ne urgjentisht duhet ta rindërtojmë konsensusin nacional për çështjet e interesit të përbashkët.Unë, si president do të vazhdojë të bëjë përpjekje të vazhdueshme që këtë element të përgjegjësisë sime ta respektoj dhe kultivoj në çdo aspekt të ushtrimit të funksionit tim. Janë disa gjëra që nuk do të duhej të varen nga ajo se kush është duke qeverisur e kush është në opozitë.Në tema të caktuara, qytetarët tanë janë të vendosur dhe unik.Uniteti i qytetarëve duhet të rezultojë në unitet të përfaqësuesve të tyre.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Zhvillimi dhe rritja ekonomike, punësimi, edukimi dhe shëndetësia janë disa nga çështjet që duhet adresuar në mënyrë urgjente.Zhvillimi i prodhimtarisë bujqësore, rritja e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike, investimet e huaja strategjike, janë çelësat e rritjes ekonomike. Po ashtu, është bërë punë e madhe në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, në sigurimin e kushteve më adekuate të mësimdhënësve, duke përfshirë rritjen e pagave. Përkundër kësaj, ne duhet të rifokusojmë përpjekjet tona në përmirësimin e mëtutjeshëm të cilësisë së arsimit, në mënyrë që të përmbushim nevojat e tregut të punës.Në të njëjtën kohë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vazhdojë të mbetet prioritet ynë.Imazhi i keq për Kosovën, në masë të madhe është rezultat i perceptimit për shkallën e lartë të korrupsionit.Prandaj, kjo situatë duhet të ndryshojë njëherë e përgjithmonë.Se sa do të jemi të suksesshëm në çdo fushë, varet nga cilësia e sundimit të ligjit.Nuk ka fushë që është përfolur, analizuar, diskutuar dhe investuar më shumë se sa fusha e sundimit të ligjit.Prandaj nuk ka dyshim për rëndësinë e këtij sektori.Qasjet dhe modelet speciale, shpeshherë eksperimentale, e rrallë të përdorura gjetiu, gati janë bërë normë në Kosovë.Me qindra milionë euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e misionit EULEX.Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare.E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj.Besoj ka ardhur koha që disa nga institucionet tona duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe vetëbesim.Mungesa e dijes dhe guximit për të kryer detyrën me nder, nuk mund të justifikohet.Prandaj mesazhi im i qartë për të gjithë zyrtarët që e duan punën e tyre dhe shtetin tonë është: zbatojeni ligjin plotësisht dhe pa dallim, sepse kështu nuk do t’i japim askujt pretekst për të pretenduar vazhdimin e misioneve në pafundësi.Në verën e vitit të ardhshëm, ne do të shohim përfundimin e plotë të mandatit aktual të misionit EULEX.Nëse deri tani kemi folur për tranzicion, për tkurrje, ne tani duhet të flasim menjëherë për fazën përmbyllëse.Ne jemi krenarë që jemi pjesë e qytetërimit të civilizuar evropian dhe jemi të përkushtuar t’i mbrojmë vlerat perëndimore, që i kemi trashëguar nga të parët tanë.Nuk ka gjë më të shenjtë, se sa ta ruajmë tolerancën fetare dhe ndëretnike.Prandaj, jemi dhe do të mbesim kampion në luftën kundër ekstremizmit, fundamentalizmit dhe çfarëdo forme të terrorizimit.Kosova njësoj sikur pjesa dërmuese e shteteve perëndimore, është prekur nga elementet fundamentalistë dhe terroristë.Mirëpo institucionet tona të sigurisë, me sukses janë ballafaquar me këtë kërcënim të rrezikshëm.Kështu do të jetë edhe në të ardhmen.Do të jemi të pa kompromis kundër atyre që synojnë që me dhunë të na e ndryshojnë kulturën, traditën dhe mënyrën tonë të jetesës.Ata shtetas të Kosovës të cilët kanë rënë në rrjetën e ideologjisë ekstremiste, fundamentaliste dhe terroriste, do të përballën pamëshirshëm me forcën e ligjit.Do t’u japim goditje të vazhdueshme atyre që rrezikojnë vlerat tona kombëtare dhe shtetërore.

 Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Këto janë tema jo të lehta për ne.Por, ne jemi këtu pikërisht për t’u marrë me tema të vështira.Padyshim, e tillë është edhe tema që mori vëmendje të madhe së fundmi që ka të bëjë me “Gjykatën Speciale”.Bashkësia ndërkombëtare e ka imponuar themelimin e saj.Institucionet tona e kanë pranuar një gjë të tillë, sepse në të kundërtën, ne do të ishim të pafuqishëm të parandalonim themelimin e një gjykate tjetër ndërkombëtare, nën ombrellën e OKB-së.E votuam në atë kohë për të ruajtur partneritetin me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.Unë mendoj se Gjykata Speciale nuk do të mund të arrijë të bëjë atë që e proklamon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës.Sikur të kishte drejtësi të tillë çfarë trumbetohet nga faktori ndërkombëtar, 100 gjykata speciale të këtilla do të duhej të bëheshin vetëm për krimet që Serbia e Millosheviqit i ka bërë në shtetet e Ballkanit dhe këtu në Kosovë.Ndërsa, paradoksi me të cilin ne ballafaqohemi është dëshpërues.E njëjta Serbi sot e ka derën e hapur për në BE, ndërsa Kosova mbahet e izoluar.Kosova dhe të gjithë ne e duam drejtësinë, por nuk pranojmë të diskriminohemi e poshtërohemi në emër të saj, vetëm e vetëm për të kënaqur ata që nuk e durojnë dot ekzistencën dhe suksesin e shtetit tonë.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kosova duhet të përfundojë tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të themelojë ushtrinë shumetnike, pra Forcat e Armatosura të Kosovës.Këtë jemi duke e bërë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tanë.Ashtu siç jeni sot, ju do të jeni forcë shumetnike, profesionale, mbrojtëse, që do të përfaqësoni me krenari shtetin tonë.Kosova duhet të ketë kapacitet të plotë mbrojtës dhe një ushtri moderne, që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë. Ashtu siç po e dëshmoni çdo herë, ju pjesëtarë të FSK-së po shkëlqeni në secilin ushtrim apo garë ku merrni pjesë.Ju po shkëlqeni në akademi ushtarake të njohura në botë.Uniforma që ju bartni është ëndrra e stërgjyshërve tuaj, e kthyer në realitet.Ju jeni profesionistë dhe keni shumë për t’u dhënë misioneve të ndryshme paqeruajtëse.Por, para së gjithash, ju e meritoni shansin e realizimit të potencialit të tuaj, duke u bërë së shpejti pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës.Ne jemi duke shikuar drejt ardhmërisë, por asnjëherë nuk do të harrojmë të gjithë ata që dhanë shumë për vendin tonë.Në themelet e lirisë sonë qëndron kontributi dhe sakrifica e shumë veteranëve të UÇK-së, që kurrë nuk hoqën dorë nga ëndrra e lirisë.Ne nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona që të sigurojmë mirëqenie dhe jetë të dinjitetshme për veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve.Këtë do ta bëjmë jo në dëm të funksionimit të shtetit, sepse për këtë jam i sigurt se askush nga ata nuk dëshiron të dëmtojë qëndrueshmërinë fiskale të shtetit tonë.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Jemi në një kohë kritike edhe në marrëdhëniet tona me botën e jashtme.Ne besojmë në vlerat thelbësore të BE-së.Vullneti i qytetarëve të Kosovës është në favor të anëtarësimit në BE.Nëse na jepet një mundësi e drejtë dhe një perspektivë e qartë, ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të reformuar, përmirësuar dhe përmbushur të gjitha kriteret e BE-së.Por, që kjo të ndodhë, BE-ja duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve tanë.Ne e dimë fare mirë që sot, perspektivën evropiane e kemi shpresë, dëshirë, synim, por jo edhe realitet të mirëfilltë. Kosova, si vendi më proevropian në Ballkan, është shteti më i izoluar në Evropë.E, në anën tjetër “Evropianët e rinj” sot janë evropianë të izoluar.Është kjo ndjenjë e pafuqisë, e dëshpërimit, e mërzisë që na bashkon të gjithë neve në Kosovë: qofshim politikanë, ekonomistë, biznesmenë, artistë ose edhe qytetarë të zakonshëm. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocimin, malli i një afaristi kosovar nuk ka më kurrfarë pengesash për t’u ofruar në tregun evropian,Por, vetë ky afarist, nuk mund të lëvizë dot në Evropë pa vizë.

 Kështu është edhe me artistët tanë.Filmat dhe veprat nuk njohin kufij, por këta kufij vlejnë për vetë autorët e tyre.Izolimi,  të lënit anash, të qenit i harruar, çdo ditë po shfrytëzohet prej ekstremizmave politikë dhe fetarë në Kosovë.Ky izolim po shfrytëzohet me qëllim të dobësimit të lidhjeve të kamotshme qytetëruese dhe kulturore të Kosovës me Evropën.Pse Kosova trajtohet kështu, kur dihet se Bashkimi Evropian, ka qenë pjesë e ndërtimit të demokracisë në Kosovë, në vitet 1999-2008, dhe më pas, kur BE ka qenë pjesë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës? Politikanë dhe diplomatë, policë, prokurorë dhe gjykatës, ekspertë të të gjitha fushave të BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së, janë pjesë e pandashme e sukseseve tona. Gjithsesi, ata janë edhe pjesë e gabimeve dhe dështimeve tona.Nuk ka integrim evropian pa tejkalimin e izolimit diskriminues të imponuar e të stërzgjatur.Më lejoni të jem i qartë, ne e dimë se Kosova nuk do të jetë e gatshme për t’iu bashkuar BE-së vitin e ardhshëm.Sidoqoftë, besoj të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe të shqetësuar nga fakti se procesi është i padrejtë.Liberalizimi i vizave është një shembull i qartë.Përveç që është lënë e fundit, Kosovës i janë dhënë 95 kritere, kur fqinjët e saj kanë pasur vetëm rreth 50 të tilla.Për më tepër, Kosova ka përmbushur plotësisht të 95-at nëse interpretohen sipas udhërrëfyesit formal.Kriteri i fundit i mbetur sipas BE-së për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duhet të plotësohet pa humbur kohë.Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar dje këtë marrëveshje të cilën unë me përgjegjësinë më të lartë shtetërore e kam nënshkruar më 26 gusht 2015.Çdo dështim i institucioneve tona shtetërore për t’i kryer me përgjegjësi obligimet ndërkombëtare, po i shërben BE-së si justifikim për të mbajtur Kosovën të izoluar.

Zvarritjet e panevojshme, qofshin ato për qëllim të blerjes së kohës, apo për shkak të tekave personale, apo të një grupi të caktuar, janë të papranueshme.Këto zvarritje janë të dëmshme jo vetëm për procesin e liberalizimit të vizave, por edhe për raportet ndërshtetërore me Malin e Zi.Prandaj, institucionet shtetërore duhet të marrin vendim tani, sepse vonesat sjellin vazhdim të izolimit dhe zbehin besueshmërinë tonë në sytë e shteteve mike.Ne nuk duhet t’i lejojmë vetes që të dështojmë në përmbushjen e obligimeve shtetërore dhe në të njëjtën kohë të bëjmë fajtor vetëm BE-në, apo bashkësinë ndërkombëtare.Institucionet tona kanë dështuar për gati tri vjet me radhë që të ratifikojnë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.Kështu, jo vetëm që e kemi humbur betejën e argumentit me BE-në, por e kemi luhatur besimin tek partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.E njëjta gjë mund të thuhet edhe për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.Po bëhen më shumë se katër vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe ratifikimit të saj në Parlamentin e Kosovës.Për fat të keq, qeveria ende nuk e ka përmbushur obligimin e vet për themelimin e Asociacionit, përkundër faktit se gjithçka është e qartë dhe plotësisht ligjore e kushtetuese.Prandaj, opinioni publik duhet t’i ketë gjërat të qarta.Për aq sa është fajtore BE-ja për izolimin e Kosovës, po aq janë fajtore institucionet shtetërore për mos përmbushjen e obligimeve të veta, duke i dhënë pretekst BE-së të na mbajë të izoluar. Nuk kam dyshim që qytetarët tanë do ta gjejnë mënyrën për ta tejkaluar izolimin.Kemi gjetur mënyra për të tejkaluar situata shumë më të vështira.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Po bëhet çdo ditë me e qartë që nuk ka integrim evropian të njëanshëm.Kosova nuk njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së.BE-ja duket e bindur se disa nga anëtarët e saj mund të vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.Si rrjedhojë kjo e bën të pamundur që Kosova një ditë t’i bashkohet BE-së.Ky është ai lloji i të menduarit të dyfishtë, që nuk pritet nga një institucion demokratik dhe transparent.A e gëzon Kosova një perspektivë evropiane apo jo?A munden disa vende, për shkak të problemeve të tyre të brendshme, të shuajnë shpresën e 2 milionë njerëzve që një ditë t’i bashkohen BE-së.Deri kur duhet ne të shtiremi sikur po integrohemi edhe deri kur do të vazhdojmë të sillen kinse problemi jemi ne.Procesi i integrimit mund të jetë i gjatë dhe i ngadalshëm, por së paku neve na duhet një perspektivë konkrete. Qasja e tanishme është e paqëndrueshme.Nëse nuk ka vizion dhe guxim e vullnet politik, frikësohem se jo vetëm që nuk do të kemi hapa përpara, por edhe më keq, do të shohim regres, sepse durimi po humbet me zbehjen e kredibilitetit të BE-së. Nganjëherë krijojmë përshtypjen se sa më shumë mundohemi ne, prodhohet më shumë skepticizëm tek disa vende të BE-së. Kosova është rast unik dhe përvoja jonë nuk ka asnjë paralele me rastet tjera në BE e gjetiu.Frika që njohja apo avancimi i Kosovës do të ketë efekt negativ te këto vende, është joracionale dhe një qasje e gabuar. Bashkimi Evropian e ka kuptuar që nuk ka mënyrë tjetër më të mirë për të siguruar paqen afatgjate në rajonin tonë, përveç anëtarësimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.Unë dua ta them qartazi se Bashkimi Evropian vetëm forcohet duke hapur derën për popujt e mbetur ende jashtë tij.Ky duhet të jetë një vendim i shpejtë strategjik i BE-së dhe assesi një proces i pafund teknik dhe procedural.Veprimi dhe vendimi me adekuat i BE-së do të ishte anëtarësimi i pesë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE në bllok, pra në të njëjtën kohë.Konsideroj dhe shpresoj se Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së, duhet të marrin në konsideratë realitetin tonë.Këtë realitet ta përfshijnë në udhërrëfyes gjatë hartimit të strategjisë për zgjerim, që do të bëhet publik në fillim të vitit të ardhshëm.Edhe në raport me fqinjët tanë, Kosova është faktor i stabilitetit dhe nuk mund të anashkalohet.Askush nuk do të na shkelë më kurrë, kjo është e sigurt.Të gjithë ata që janë të interesuar që të kenë një bashkëpunim me ne, duhet të na trajtojnë si të barabartë.

 Ne jemi për një stabilitet dhe bashkëpunimi rajonal, por kostoja dhe përfitimet duhet të jenë evidente për të gjithë.Kosova ka më shumë se pesë vite që ka hyrë në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.Besoj se, po pati vullnet politik në BE dhe te miqtë tanë ndërkombëtarë, ne do të mund të kalojmë në një fazë të re, më ambicioze dhe me domethënëse se deri më tani.Ne jemi të përkushtuar ndaj dialogut, sepse përmes tij kemi arritur të avancojmë konsolidimin dhe integritetin shtetëror të Kosovës. Sot, si rezultat i kësaj përpjekjeje, kemi shtrirje të institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës.Sot kemi një sistem të drejtësisë unik dhe gjithëpërfshirës, kemi një polici në të gjithë territorin e vendit.

Këtë proces tani duhet ta përfundojmë me një marrëveshje historike përfundimtare për normalizim dhe pajtim.Ky proces duhet të përfundojë me marrëveshje ndërshtetërore, traktat ndërkombëtar që siguron një paqe afatgjate, njohje të ndërsjella dhe që mundëson integrimin në strukturat euroatlantike.Siç kam thënë, kjo duhet të jetë një përpjekje jona e përbashkët, prandaj edhe së shpejti do të propozojë një model të krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës politik.Në këtë ekip do të krijohet hapësirë e mjaftueshme për të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe të shoqërisë civile.Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të përfshira edhe më drejtpërdrejtë në këtë dialog.Ne duhet të mendojmë më shumë edhe rreth bashkëpunimit rajonal me të gjitha vendet e rajonit.Jemi të gjithë dëshmitarë të shumë nismave në kuadër të procesit të integrimit evropian për të avancuar bashkëpunimin me të gjithë në rajon. Një e nismë e tillë ambicioze është edhe zona ekonomike rajonale, që do të mundësojë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe profesionistëve. Unë mbështes ide të tilla, por ne si Kosovë do t’i respektojmë obligimet që i marrim.Por, kjo mund të bëhet vetëm pasi të hiqen barrierat dhe vetëm atëherë kur Kosova të trajtohet si e barabartë.Ne kemi përkushtim të plotë për paqen, për stabilitetin, por dëshirojmë të ecim para se të vrapojmë.

Duhet bërë e qartë që ky lloj bashkëpunim mes fqinjësh duhet të rezultojë në shërbim të të gjithëve, e jo të agjendave dhe lehtësimit të ecjes përpara të vetëm disa vendeve të caktuara të rajonit.Edhe një gjë, bashkëpunimi ndodh vetëm duke u trajtuar të barabartë dhe askush tjetër përveç nesh, nuk mund të flasë në emër të Kosovës.Për më tepër, përpjekjet e ndonjë shteti të caktuar për të dominuar ose udhëhequr rajonin tonë në çfarëdo forme, janë përpjekje të kota.Ëndrrat e së kaluarës duhet të harrohen, sepse ato na përçajnë.Vetëm e ardhmja e bazuar në vlera civilizuese dhe reciproke, mund të na bëjë bashkë.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Me lejoni të përmbyll këtë adresim publik për ju dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës kudo që janë, duke ritheksuar se: Kosova dhe qytetarët e saj janë popull autokton evropian, prandaj e ardhmja e jonë, duke përfshirë edhe vlerat që përfaqësojmë, është e natyrshme dhe e sigurt në kuadër të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.Kosova do të arrijë të përmbyllë me sukses periudhën e vuajtjeve dhe konfliktit me Serbinë, duke nënshkruar Traktatin e Paqes dhe Pajtimit.Qytetarët e Republikës së Kosovës duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror.Prandaj është detyra e imja, detyra e juaja, detyrë e të gjithë neve, që të punojmë pa u ndalur për të mirën tonë të përgjithshme.Uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë.

Faleminderit për durimin dhe vëmendjen tuaj!

Filed Under: Komente Tagged With: fjalimi i presidentit, Hashim Thaci, kosova, NATO, OKB

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT