• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Serbia nuk mund t’i përvetësojë pronat e Kosovës

March 23, 2017 by dgreca

Janë mbi 180 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës jashtë territorit të saj, nga të cilat 110 gjenden në territorin e Serbisë.

Në bazë të ligjeve në fuqi, këto prona administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe shteti ku gjenden pronat përkatëse, nuk ka të drejtë t’i përvetësojë, thonë zyrtarë të Qeverisë se Kosovës dhe njohës të kësaj çështjeje.

Por, menaxhimi i pronës së Kosovës nga AKP, deri më tani ka qenë i pamundur për arsye se Beogradi zyrtar nuk e njeh autoritetin e AKP-së.

Drejtori i Bordit te AKP-së, Petrit Gashi, i pati deklaruar më heret Radios Evropa e Lirë, se pronat jashtë Kosovës, kryesisht gjenden në Krahinën e Vojvodinës, në territorin e ish- Jugosllavisë dhe prej tyre edhe 11 prona janë të Trepçës në Serbi.

“Kosova nuk ka asnjë pronë shtetërore në Serbi dhe në vendet e tjera të ish Jugosllavisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Pronën shtetërore, thotë ai, edhe Serbia sikurse shtet tjera, kanë të drejtë ta regjistrojnë në pronësi të tyre.

Në anën tjetër, Serbia nuk mund të bëjë regjistrimin në pronësi të saj, asetet e ndërmarrjeve shoqërore, për shkak se, siç thotë Kelmendi, kjo çështje është e rregulluar më vendim të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, në kohën kur e administroi Kosovën.

“Kosova gjithmonë ka qenë instanca e fundit, ka qenë Krahinë Autonome e Kosovës ndërsa Republika, Federata, Armata e Jugosllavisë, shumë agjenci tjera kanë pasur prona në Kosovë. Kurse Kosova nuk ka pasur prona shtetërore jashtë territorit të saj”, tha Kelmendi.

Edhe Mejdi Bektashi, profesor i lëndës Analiza ekonomike e së drejtës, në Fakultetin Juridik, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se pronat e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës nuk mund të barten në pronësi të shtetit të Serbisë.

Edhe pse Bektashi dyshon se disa prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në Serbi, janë privatizuar apo shfrytëzohen nga persona të ndryshëm në mënyrë joligjore.

“Unë sa kam informacione, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve kosovare që kanë operuar në Serbi janë privatizuar, por edhe disa ndërmarrjet serbe në Kosovë, që më krijimin e AKP-së, ose janë privatizuar ose janë në fazën parapërgatitore për privatizim”, shprehet Bektashi.

Bektashi thekson se zgjidhja e çështjes se pronave në mes Kosovës dhe Serbisë është më e komplikuar.

Ai thotë se ky nuk është problem pronësor apo ekonomik por është problem politik, i cili mund të zgjidhet vetëm përmes suksesionit.

“Por, suksesioni në mes Republikës se Kosovës dhe Republikës së Serbisë nuk mund të fillojë derisa nuk ofrohen qëndrimet dhe nuk kemi njohje të dyanshme. Ky ndoshta do të jetë akti i fundit që ndërmerret disa muaj para njohjes se Republikës se Kosovës”, thotë Bektashi.

Kurse autoritetet serbe në Beograd, disa herë kanë kërkuar zgjidhjen e çështjeve të pronave, madje ato kanë kërkuar që “kjo çështje të negociohet në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar”.

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se çështja e pronave në territorin e Kosovës “nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve që zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë”.

Kjo çështje është ngritur pas një vendimi të Qeverisë se Kosovës, për kalimin në pronësi të Kosovës të pronave të paluajtshme të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës.(REL)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosova, pronat, Serbia

KONGRESMENI ELIOT L. ENGEL MBI POLITIKËN AMERIKANE NDAJ KOSOVËS

March 23, 2017 by dgreca

  Përgatitur nga Frank Shkreli/

Përfaqsuesi demokrat në Kongresin amerikan, njëherazi edhe nën-Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Politikën e Jashtme dhe njohës i mirë i çështjeve shqiptare në Ballkan, Eliot Engel mbajti të mërkurën një fjalim mbi politikën e Shteteve të Bashkuara karshi Republikës së Kosovës.

Fillimisht, miku i njohur i shqiptarëve numëroi ato që ai tha se janë suksese dhe arritje të viteve të fundit të shtetit më të ri në Evropë, duke përfshirë ndër të tjera medaljen e parë të artë olimpike të Kosovës, mbajtjen e konferencave me rëndësi ndërkombëtare mbi bashkpunimin dhe tolerancën në fushën fetare atje, antarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në ente të tjera botërore, si dhe njohjen diplomatike deri tashti të pavarësisë së Kosovës nga më shumë se 110 shtete të botës.   Ai theksoi në fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqsuesve, se këto janë vetëm disa prej arrijtjeve të deri tanishme të shtetit të ri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër të parat shtete që kanë njohur më së pari pavarësinë e Kosovës dhe sot jemi mbështetsi më i fortë i saj dhe me të drejtë”, nënvijoi kongresmeni Engel.  Së pari, Kosovën e njohu si shtet të pavarur  Presidenti Xhorxh Bush dhe marëdhëniet vazhduan të forcoheshin gjatë administratës së Presidentit Barack Obama. Si përfundim, Republika e Kosovës, theksoi ai, krenarisht e konsideron veten si mbështetsja më e fortë e Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Mirëpo, Zoti Eliot Engel nënvijoi se kjo nuk do të thotë se Kosova është një vend i përsosur në çdo pikëpamje. “As ne nuk jemi një vend i përsosur”, u shpreh ligjvensi amerikan, por “Korrupsioni në Kosovë duhet të luftohet dhe reforma në drejtësi po zhvillohet me një ritëm tepër të ngadalëshëm, ndërkohë që përqindja zyrtare e papunësisë sillet diku rreth 30 për qind. Si rrjedhim, është e qartë se në Kosovë mbetet shumë për tu bërë”, deklaroi njëri prej mbështetsve më të mëdhej të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithsi, në Kongresin amerikan.

Por, në fjalimin e tij mjaft të gjatë, Zoti Engel iu këthye përsëri optimizmit të tij mbi të ardhmen e Kosovës, duke thënë se nga vizitat e shumëta që i ka bërë atij vendi gjatë viteve, ai ka parë secilën herë përparimin e bërë atje, duke thënë se “Jam i bindur për të ardhmen e shkëlqyer të Kosovës.”  Ai u shpreh se siç e ka thënë shpesh herë, se kurdo që udhtojë nepër botë si shtetas amerikan, askund nuk më presin me më shumë dashuri e miqësi se ç’është rasti kur vizitoj Kosovën. “Njerëzit në Kosovë”, shtoi ai, “me të vërtetë i duan amerikanët dhe çdo gjë amerikane”.

Ai iu drejtua Dhomës së Përfaqsuesve të Shteteteve të Bashkuara duke thënë se në këtë moment, “Mënyra më e mirë për të ndihmuar Republikën e Kosovës është me mbështetje të fortë, ashtu siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara gjatë viteve”.  Por, ai tha se ekzistojnë pengesa të mëdha ndaj zhvillimit normal të Kosovës, shumica e të cilave vijnë nga jashtë kufijve të Kosovës.   Ai tha se Kosova dëshiron, ashtu si të gjitha vendet e rajonit, të bëhet pjesë e një Evrope të sigurt e të integruar, me antarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.  Si shëmbull i këtyre pengesave nga jashtë, ligjvensi amerikan përmendi mos njohjen e shtetit të Kosovës nga “Pesë vende evropiane dhe bllokimin e antarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve Bashkuara nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia”, u shpreh ai.

“Në fakt, Serbia po përpiqet të bllokojë Kosovën në çdo rast dhe kohët e fundit ka shtuar tensionet” në rajon u kujtoi ai kolegëve të tij.  Si masa tensioni të mbsëhtetura nga Serbia, ligjvensi amerikan Eliot Engel përmendi trenin propagandistik të mbishkruar në 21 gjuhë të huaja me fjalët, “Kosova është Serbi”, me qëllim për të shkaktuar trazira në radhët e popullsisë së vogël serbe në Kosovë — dhe ndërtimin e murit famëkeq në Mitrovicë.  Për më tepër, “Serbia, vazhdon tu mohojë drejtësinë familjeve shqiptare të qindra viktimave si rezultat i fushatës serbe të spastrimit etnik kundër shqiptarëve, përfshirë rastin e tre vëllëzërve Bytyqi, shtetas amerikanë”, theksoi Z. Engel.  Ai përmendi gjithashtu edhe urdhër arrestin e Interpolit serb për Ramush Haradinaj, i cili u arrestua nga autoritetet franceze, por i cili është gjetur dy herë i pafajshëm nga tribunali ndërkombëtar, theksoi Engel.  Franca, tha ai, “Duhet ta lejojë Ramush Haradinajn të këthehet në Atdhe. Mjaft është mjaftë”, deklaroi kongresmeni amerikan para Kongresit.

Në vijim, ai shprehu dyshimin e të ashtuquajturit sukses të bisedimeve, midis Beogradit e Prishtinës, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke thënë se “Serbia po pengon integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe se kësaj duhet t’i thuhet stop njëherë e mirë!”  Në fjalimin e tij, Zoti Engel iu drejtua kolegëve ligjvenës në Kongres duke thënë se, “Ju mund të habiteni të mësoni se pas 9 vjetësh si shtet i lirë e i pavarur, Kosova ende nuk ka një ushtri të vetën.  Pra, një shtet i pavarur e sovran, pa ushtri!  Kosova”, tha ai, “ka një Forcë Sigurie, por asgjë në krahasim me forcat e mëdha të armatosura serbe dhe të furnizuara mirë nga Rusia”, në kufirin e saj.  Ai theksoi se është aburd fakti që Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin, tani për tani, themelimin e një ushtrie të shtetit të Kosovës.   Është një qëndrim që duhet të ndryshojë sa më parë nga ana e Washingtonit, pasi armët dhe furnizimet ruse vazhdojnë të dërgohen pa pengesë në Serbi, me miratimin e Vladimir Putinit.

Megjithëtë, Eliot Engel theksoi se marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën janë të forta dhe e ardhmja e tyre është e shkëlqyeshme.  Duhet të qëndrojmë dhe të vazhdojmë në këtë rrugë, ka thënë ai.  “Si shtet i ri”, Kosova nënvijoi ai, “ka nevojë për ndihmë. Ne e dimë më mirë se çdo kush se sa e vështirë është të ndërtohet demokracia, nganjëherë haset në pengesa e herë të tjera është e mevojshme ndihma”, u shpreh ai para Kongresit.   Z. Engel nevijoi se mbështetja amerikane për Kosovën tani, është më e rëndësishme se kurrë më parë.   Kjo është arsyeja, theksoi miku i shqiptarëve në Kongresin amerikan, që Shtetet e Bashkuara të punojnë për thellimin e marrëdhënieve tona, të shtojmë mirëkuptimin dhe të vazhdojmë të mbështesim stabilitetin anë e mbanë gadishullit ballkanik.  “Kjo është mënyra e vetme për të garantuar një Kosovë më të begatshme, më demokratike dhe multi-etnike dhe kjo është mënyra që Shtetet e Bashkuara të krijojnë gjtihashtu edhe një rajon të lirë dhe në paqë në Ballkan, si pjesë e një Evrope të bashkuar.

Në fund të fjalimit, Elot Engel u bëri thirrje Shteteve të Bashkuar që të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës si shtet i lirë e i pavarur.  Për shumë vite, shtoi ai, popullit të Kosovës u ishin mbushur veshët me gënjeshtra e propagandë kundër Shteteve të Bashkuara gjatë sundimit të regjimeve komuniste shekullin e kaluar, por ata nuk i kanë besuar kurrë ato rrena, tha Z. Engel. “Populli i Kosovës, pohoi ai, është mirënjohës për të gjitha ato që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për atë vend në të kaluarën.  Është një popull të cilin e dua për mik, për miq të tillë kemi nevojë”, u shpreh Engel.

Zoti Engel e përfundoi fjalimin e tij të mërkurën, në sallen e madhe të Dhomës së Përfaqsuesve, me një mesazh për popullin dhe qeverinë e Kosovës, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë jush dhe do të jenë gjithmonë me ju”. Ndërsa iu drejtua qeverisë së Serbisë me këto fjalë: “Ne përkrahim aspiratat e popullit serb për antarësim në Bashkimin Evropian, por Serbia duhet të ndalojë menjëherë masat që ka ndërmarrë për bllokimin e antarësimit të Kosovës dhe të ndërpresi njëherë e mirë masat luftënxitëse kundër Republikës së Kosovës.” Të dy shtetet, tha në fund të fjalimit të tij Z. Engel, “duhet të antarësohen në Bashkimin Evropian dhe eventualisht në NATO, pa u penguar nga njëra tjetra.”

Përgatiti Frank Shkreli

 

Më poshtë teskti i plotë i fjalimit të Z. Engel në anglisht:

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kongresmeni Engel, kosova, politika amerikane

Në 18 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë: Binomi i pandarë – NATO dhe Kosova

March 23, 2017 by dgreca

Shkruan: Prof. Asoc, Dr. Enver Bytyçi/2 enver-Bytyci-1Nesër mbushen 18 vite nga koha kur avionët e NATO-s filluan bombardimet kundër caqeve ushtarake të Serbisë. Në orën 19. 45 të datës 24 mars 1999 avionët e Aleancës lëshuan mbi Jugosllavinë e mbetur bombat e para, duke shënuar fillimin e një fushate historike për t’i dhënë fund një konflikti më shumë se njëshekullor në Kosovë. Presidenti amerikan, Bill Clinton, atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se ai kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Duke njoftuar urdhërin e tij për bombardimet kundër Serbisë, Bill Clinton u tha amerikanëve se “Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Milosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftra të tmerrshmë në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”. Presidenti amerikan në atë fjalim para kombit amerikan përcaktoi dhe objektivat strategjike të operacioneve ushtarake, të cilat konsistonin në demonstrimin e forcës kundër agresionit të Milosheviçit në Kosovë, që ai të ndalë sulmet kundër civilëve të pambrojtur, si dhe të dobësohej fuqia ushtarake e Serbisë, me qëllim që ajo të mos mund të vazhdonte me tej agresionin e saj ushtarak në Kosovë. Dhe jo vetëm Bill Clinton… Thuajse në të njëjtën njëjtën orë dolën atë natë në ekranet e televizioneve kombëtare udhëheqësit kryesorë të Europës Perendimore për t’u kumtuar popujve të tyre vendimin për t’i ardhur në ndihmë një populli që po përndiqej, masakrohej dhe shpërngulej prej trojeve të veta, shqiptarëve të Kosovës. Tony Blair në Londër, Gerhard Schreoder në Berlin, Shirak në Paris e të tjerë burra shteti u detyruan të justifikonin aksionin ushtarak të ushtrive të tyre, me qëllim që ky aksion të merrte dimensionet e veta reale. Kancelarit gjerman i duhej të shpjegonte se pse Gjermania për herë të parëpas Luftës së Dytë Botërore do ta nxirrte ushtrinë e saj jashtë kazermave të mbyllura e do t’i bashkëngjitej veprimeve luftarake të Aleancës. NATO për herë të parë në historinë e saj 50 vjeçare u bashkua njëzëri për t’i dhënë një mësim të mirë agresionit serb në Kosovë dhe për të parandaluar katastrofën humanitare dhe zgjerimin e konfliktit në rajon. Ishte aksioni i parë ushtarak i Aleancës në një territor jashtë vendeve anëtare të saj. Ishte gjithashtu kthesa më e rëndësishme në vendosjen e rendit të ri botëror pas rënies së Murit të Berlinit. Ishte kjo një ndërmarrje ushtarake më e madhja në historinë e NATO-s, pas shterrimit të të gjitha mjeteve diplomatike e politike preventive për t’i dhënë fund terrorit serb të Milosheviçit në Kosovë. Katër ditë pas fillimit të bombardimeve,më 28 mars, ministri i Mbrojtes i Gjermanisë, Rudolph Scharping kishte folur për herë të parë “për krime kundër njerëzimit” të Beogradit në Koosovë. Ndërsa pak ditë më pas, ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, masakrat e dhunën e Milosheviçit në Kosovë i konsideroi si “Makineria e vdekjes e Milosheviçit” dhe foli për “SS-të serbë”, ndërkohë që kundështarët e sulmeve të NATO-s i quajti “përkrahës të fashizmit të ri”. Fischer shkoi më tej, kur masakrat në Kosovë i krahasoi me Aushvicin. Ai u shpreh se “Nuk kam mësuar vetëm nga nocioni “kurrë më luftë”, përkundrazi, kam mësuar nga nocioni “kurrë më një Aushvic i ri”. Po ashtu Tony Blair paralajmëroi se Europa nuk mund të pranonte që në fund të shekullit të XX të përsëritej koha e nazizmit. Nato vazhdoi bombardimet e saj kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë në një hark kohor prej 78 ditësh. Gjatë gjithë kësaj kohe Aleanca koordinoi jo vetëm programin e përditshëm të sulmeve ajrore, por edhe operacionin mediatik, me qëllim që opinioni publik të ishte gjithnjë i informuar dhe të mbështeste operacionet ushtarake të NATO-s. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bruksel dhe në disa qendra të tjera europiane u krijuan qendrat mediale të informacionit. Më e rëndësishmja prej tyre ishte Qendra Mediale e Operacioneve (Media Operations Centre – MOC) në selinë e NATO-s në Briuksel, ku u angazhuan së paku 20 ekspertët më të mirë të përpunimit të informacionit. Këtë qendër e drejtonte Alastair Campbell, një nga këshilltarët më të zotë te Tony Blair. U formuan gjithashtu kompanitë e performancës së imazhit të luftës. Të gjithë personazhet mediatikë, zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea, gjeneralët, ekspertët, politikanët, u angazhuan të argumentonin se “Përse kjo luftë kishte kaq shumë rëndësi për rendin e ri botëror”. Zëdhënësi Jamie Shea thoshte se “Kosova ishte e para luftë mediatike. Përdorimi i medias, beteja për përpunimin e opinionit ishin po aq të rëndësishme sa edhe sulmet ajrore”. Ndërkaq videokonferencat patën një efekt të jashtëzakonshëm sa i përket ritmikës së trajtimit të tematikave dhe proceseve. Megjithatë, siç ndodh në të gjitha rastet e konflikteve në botë, edhe në rastin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë konflikti çoi në polarizimin e palëve kundërshtare. Kundërshtarët e intervenimit të NATO-s në Kosovë e trajtuan konfliktin si pjesë të interesit dhe strategjisë së Perendimit dhe NATO-s, veçmas SHBA-ve, për zgjerimin e zonave të influencës. Organizatat e Lëvisjes për Paqen demonstruan dhe protestuan fushqishëm kundër luftës dhe ndërhyrjes së Aleancës në Kosovë. Në këto demonstrime kishte ndikim dhe intervenim nga pala kundërshtare Serbia dhe Rusia. Por pati gjithashtu raste kur kjo qasje u dekonspirua. Psh gjatë një proteste anti-NATO në Berlin protestuesit me kombësi serbe kishin hedhur parullat “Vdekje shqiptarëve”! Kjo e kompromentoi qëllimin e protestës, sepse në opinionin publik perendimor u dha mesazhi se “kërkohej ndalimi i përdorimit të forcës, për të legjitimuar dhunën e terrorin serb në Kosovë”. E gjithë dinamika e zhvillimeve të 78 ditëve të intervenimit ushtarak të NATO-s për Kosovën u zhvillua përmes debatit, nëse sulmet ajrore të saj ishin ose jo legjitime. E vërteta është se për këto sulme nuk pati një mandat të Këshillit të Sigurimit, siç edhe parashikohet në nenin 52 të Kartës së OKB-së. Kjo ndodhi për shkak se Rusia paralajmëroi veton e saj sa i përket autorizimit të aksionit ushtarak kundër Serbisë. Mungesa e një mandati të Këshillit të Sigurimit i çoi shumë ekspertë të konkludonin se bombardimet e NATO-s në Kosovë ishin të paligjshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Formalisht kjo ka një impakt jolegjitimiteti. Por në përmbajtje ekziston një e vërtetë tjetër substanciale. Kjo për disa arësye: 1. Masat e diplomacisë preventive të Bashkësisë Ndërkombëtare për ndërprerjen e dhunës serbe në Kosovë jane unikale, të papërsëritshme, së paku deri në këtë kohë. Për t’i dhënë fund këtij konflikti bashkësia ndërkombëtare, SHBA-të, NATO dhe BE punuan në koordinim me njëri-tjetrin në një periudhë kohore të gjatë. Ata u udhëhoqën nga përvoja e mëparshme e mosveprimit në Bosnjë, ku makineria ushtarake serbe shkaktoi terror masiv e masakroi mbi 150 mijë muslimanë, në emër të idesë së çmendur të “Serbisë së Madhe”. Cituar nga historiani me famë europiane, Holm Sundhaussen, Milosheviçi më 1989 kishte deklaruar se “Serbia ose do të bëhet e madhe, ose nuk do të ekzistojë fare”. Kjo formulë hitleriane e kishte zgjuar komunitetin ndërkombëtar. Prandaj bota demokratike krijoi instrumentet e parandalimit të dhunës e agresionit serb në Kosovë. U krijua Grupi i Kontaktit, në të cilin bënin pjesë SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Italia. Këshilli i Sigurimit e shqyrtoi situatën në Kosovë katër herë dhe në rezolutën 1190 të 30 shtatorit 1998 arriti në përfundimin se “Situata në Kosovë rrezikon një katastrofë humanitare dhe që ta përhapë konfliktin në të gjithë rajonin”. Ky konstatim, i votuar edhe nga Rusia, sipas kapitullit VII të OKB-së justifkon ndërhyrjen ushtarake për t’i dhënë fund konfliktit. Nëse Rusia nuk dha Ok e saj për këtë operacion, kjo ka të bëjë kryekëput me interesat e saj gjeopolitike, por jo me qëllimet dhe misionin që përcakton Karta e OKB-së. Kjo do të thotë se legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë e ka cënuar qëllimisht e drejta për veto e Rusisë. Ndërkohë përmbajtësisht ajo parashikohet në Kartën e OKB-së, përkatësisht në kapitullin VII të saj. 2. Legjtimitetin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë e përforcon fakti se para kësaj ndërhyrjeje u zhvillua në Ramboullet të Francës Konferenca për Kosovën, marrëveshjen e së cilës e firmosi pala shqiptare dhe e refuzoi pala serbe. Refuzimi i marrëveshjes nga Beogradi ishte fundi i një procesi dialogues dhe preventiv që konflikti të zgjidhej me mirëkuptim dhe në mënyrë paqësore. 3. Por këtë legjitimitet e përforcon gjithashtu fakti se në përfundim të luftës Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë të posaçme, atë me nr 1244, e cila e vuri Kosovën nën protektoratin ndërkombëtar dhe sigurinë e saj nën autoritetin e NATO-s. Kjo rezolutë e votuar edhe nga rusët pas kapitullimit të Milosheviçit e shndërroi në null gjithë procesin e mëparshëm, duke legjitimuar jo vetëm bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, por edhe duke përcaktuar të ardhmen e Kosovës sa i përket statusit dhe ushtrimit të vullnetit politik të shqiptarëve dhe banorëve të tjerë të saj. 4. Sa i përket legjitimitetit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ekspertiza mund të operojë edhe me një lloj deduksioni të tillë: Nëse Këshilli i Sigurimit do të autorizonte një ndërhyrje të forcës në Kosovë e ndërkohë NATO nuk do të donte ta ndërmerrte këtë aksion, cili do të ishte rezultatntja e një autorizimi të tillë? Eshtë krejt e natyrshme se Këshilli i Sigurimit nuk mund të impononte një aksion ushtarak të NATO-s. Helmetkaltërit e OKB-së do viheshin në situatën e masakrës së Sebrenicës. Prandaj më i rëndësishëm se një autorizim i KS ishte dhe mbetet vullneti i vendeve anëtare të NATO-s për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë. Kompaktësia e vendeve anëtare të NATO-s ishte suksesi më i madh i këtij aksioni. Duhet thënë se në këtë proces pati përpjekje për të ndaluar sulmet me rastin e festave të Pashkëve Ortodokse, por ato përpjekje dështuan. Një inciativë të tillë e ndërmori ministri i Jashtëm i Italisë, Lamberto Dini, i mbështetur nga Greqia dhe Franca, por Madllein Olbright dhe Joschka Fischer paralizuan përpjekjet e tyre për t’i dhënë Milosheviçit një sinjal se ai mund të tolerohej në terrorin që ushtronte kundër shqiptarëve në Kosovë. Më 9 qershor 1999 u nënshkrua në Kumanovë marrëveshja për paqen midis NATO-s dhe përfaqësuesve të Milosheviçit. Më 10 qershor u miratua në KS të OKB-së rezoluta 1244, e cila e shkëputi Kosovën përfundimisht nga Serbia dhe i dha asaj të drejtën për vetëvendosje. Më 12 qershor 1999 trupat ushtarake të NATO-s nën siglën e KFOR-it hyjnë në Kosovë dhe e vendosin atë përfundimisht në hartën e një vendi të lidhur me Aleancën Atkantike, Bashkimin Europian dhe vlerat amerikane të demokracisë. Pa këtë ndërhyrje Kosova nuk do të mund të shpallej e pavarur më 17 shkurt 2008. Megjithatë asaj i mbetet ende rrugë derisa të pranohet në OKB dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Kosova ka nevojë të integrohet në BE e sidomos në NATO. Institucionet e saj nuk duhet të harrojnë se mund të konsolidohen së pari përmes përkushtimit të politikës, por edhe përmes mbështetjes së vazhdueshme të NATO-s, SHBA-ve dhe Bashkimit Europian.

Filed Under: Featured Tagged With: 18 vjet, Dr. Enver Bytyci, kosova, NATO, Prof. Asoc

Kosova në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

March 22, 2017 by dgreca

-Nënkryetarët e Kuvendit te Kosoves Haliti e Petrovic marrin pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sarajevë/

1 Haliti e PopovicSarajevë, 22 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Në Sarajevë ka filluar punimet Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilat po merr pjesë edhe një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.Njoftimi i dërguar thekson se, delegacionin nga Kosova po e kryeson Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe nënkryetari tjetër, Slobodan Petrovic.Për tri ditë sa do të zgjas mbledhja e 94-të “Rose-Roth” e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të analizohet situata politike dhe e sigurisë në rajon dhe në vendet që po kalojnë kriza të mëdha, për sa i përket sigurisë, luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, sigurisë në Evropë, shtensionimit të marrëdhënieve dhe uljes së tensionit nacionalist në mes vendeve e kombeve të shteteve të Ballkanit.Në këtë mbledhje fillimisht kanë folur kryetari i Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës dhe nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Sverre Myrli.Në mbledhje po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e shteteve të Lindjes së Mesme, të Afrikës, si dhe të rajonit. Arsyeja e mbajtjes së kësaj mbledhjeje në këtë përbërje është ndërlidhja e ngjarjeve të fundit.Delegacioni i Kosovës gjatë kësaj mbledhjeje do të angazhohet që ta promovojë idenë e paqes, lirisë, integrimit të rajonit në BE, promovimin e dëshirës dhe gatishmërisë për të vazhduar dialogun në mes të popujve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti me Serbinë.Po ashtu janë planifikuar edhe takime me delegacionet e vendeve të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Delegacioni i Kuvendit të Kosovës me përfaqësuesit e NATO- s do të bisedojë edhe lidhur me rrugët që duhet ndjekur për të realizuar objektivin e Kosovës, për ta themeluar ushtrinë dhe për të qenë anëtare e barabartë me vendet tjera në këtë organizatë./b.j/

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Asamblea e NATO-S, Behlul Jashari, kosova

Vendimi i Gjykatës së Hagës për Kosovën dhe pengmarrjet e Ramush Haradinajt

March 21, 2017 by dgreca

NGA MAL BERISHA/

1 Mal Haradinaj

Drejt Hagës për Shpalljen e Ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës./

Atë ditë të 21 korrikut të vitit 2010 po udhëtoja nga qendra e Tiranës, drejt aeroportit të Rinasit dhe dëgjoja programin botëror të BBC. Papritmas dëgjova një lajm që ndërpreu programin: Udhëheqësi i guerilëve shqiptar të Kosovës Ramush Haradinaj sapo është arrestuar dhe është duke u dërguar në burgun e Scheveningenit në Hagë. Ai do të ballafaqohet me akuza të reja për krime të rënda të kryera gjatë  luftës në Kosovë.U shokova, dhe thashë me vete: Si është e mundur? Nesër shpallet opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Dhe ja përsëri dikush e godet kaq fort Kosovën. Në moment telefonova kryeministrin dhe e njoftova për lajmin. Ai ende nuk ishte informuar. i tregova se isha udhës për në Hagë për të ndjekur seancën e nesërme të gjykatës ku pritej të jepej opinioni mbi ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Më uroj rrugë të mbarë. Ndjeva shqetësimin në zërin e tij dhe pak para se të mbyllnim telefonat më tha:

-Dëgjo, sa ditë do qëndrosh në Hagë?

-Tre  ditë,  i thashë.

-Shko bashkë më ambasadorin tonë dhe takojeni Ramush Haradinajn në burg. Bëji të fala nga unë dhe siguroje për mbështetjen tonë. Rrugë e mbarë!

Ankthit të pritjes për dhënien e opinionit përfundimtar mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga GJND, iu  shtua edhe ky fakt. Përse tani? Përse sot? Përse duhej kompromentuar çdo gjë? A nuk prisnin dot edhe dy ditë, tri apo katër?

Pengmarrja e Parë në Hagë

Ramushi nuk ishte nga ata burra që fshihej. Ai u dorëzua herën e parë në mënyrën më burrërore. Vetëm një burrë, një shqiptar nga Dukagjini mund të bënte atë që bëri ai. Në rastin e arrestit të parë, kur ai ishte Kryeministër, mblodhi kabinetin e tij dhe ju shpërndau detyrat si çdo ditë tjetër. Askush nuk dalloi dot qoftë edhe një drithërimë në zërin e tij. Komunikoi, bisedoi, bëri edhe shaka. Mbledhja mbaroi. Kur anëtarët e kabinetit të tij ishin gati të largoheshin, ai iu tha:

-Oh me falni se kam edhe diçka për t’ju kumtuar sot: Që prej këtij momenti unë nuk jam më Kryeministri juaj. Sapo të dalim nga kjo sallë unë iu dorëzohem organeve të drejtësisë ndërkombëtare dhe udhëtoj për Hagë i akuzuar për krime lufte. Kosovës i uroj suksese!

Gjithkush që ishte në atë sallë mbeti i shokuar. Ai u dorëzua vetë. U bë edhe gjyqi ndaj tij. Ai doli i pafajshëm dhe u kthye në atdhe. Natyrisht që postin e Kryeministrit e humbi por fitoi një emër të madh. Në politikë ai u bë edhe më aktiv. Por ja, tani gjendet në Hagë përsëri.  Përsëri peng për herë të dytë.

Në Hagë, në pritje për vendimin e GJND

Në mbrëmjen e datës 21 korrik 2010, arrita në Hagë. Aty më priti ambasadori ynë z. Gazmend Barbullushi. Ai ishte një mik dhe koleg shumë i mirë. Atë natë darkuam bashkë dhe u takuam edhe me delegacionin e Kosovës të drejtuar nga Ministri i Jashtëm z. Skënder Hyseni.  Gjatë darkës shkëmbyem shumë biseda, tregime, shqetësime.

Ambasadori i Kosovës në Hagë na tregoi për ndodhinë e asaj dite më delegacionin serb. Kishte koinçiduar që pala kosovare ishte vendosur në një hotel në qendër të Hagës dhe kishte arritur më përpara se pala serbe. Anëtarët e delegacionit të Kosovës po pinin  kafe në lobin e hotelit. Në atë çast vjen delegacioni serb i drejtuar nga Vuk Jeremiç, Ministër i Jashtëm i Serbisë. Ata futen në hollin e hotelit dhe ndërsa stafi i ambasadës po merrej me sjelljen e bagazheve dhe check – in, Jeremiç vuri re se në hollin e hotelit ishte Ministri  Hyseni dhe pala kosovare. Ai menjëherë i drejtohet ambasadorit të vet:

– Në një hotel me këta jemi të vendosur ne?

– Nuk e di, ishte përgjigjur ambasadori i tij. Nuk e  kam idenë për këtë.

– Si nuk e ke idenë?! Në një hotel me këta do rri unë? iu hakërrye ambasadorit.

– Nuk më paska vajtur mendja, ishte përgjigjur ambasadori.

– Atëherë, mu zhduk që këtej dhe nuk dua të shoh më! Ju tjerët merrni valixhet dhe të ikim menjëherë.

Kështu delegacioni serb u largua menjëherë dhe u vendosën në një hotel tjetër në Hagë.

Kjo ngjarje dukej si një ugur i mirë për ne  shqiptarët. Në fakt, gjykata e kishte mbajtur aq mirë sekretin e opinionit të vet, saqë askush nuk mund të thoshte me siguri se cili do të ishte vendimi. Thjesht mund të hamendësohej.  Kështu kaloi ajo mbrëmje me ethet e pritjes së të nesërmes…

Shpallja e Opinionit të GJND

Ambasadori Barbullushi kishte njohje të lavdërueshme me anëtarë të ndryshëm të Gjykatës Ndërkombëtare. Por frika e tij se kishte gjykatës që ishin tërësisht kundra dhe sa ata mund të përbënin shumicën ishte shumë e madhe. Ai merak i tij tanimë ishte kthyer në një ankth edhe për ne tjerët. Sidoqoftë tani duhej thjesht të prisnim orën 15.00 të datës 22 korrik 2010 dhe të dëgjonim kumtimin e vendimit.

Në orët e para të paradites bëmë një shëtitje para ndërtesës së gjykatës. Ajo është një ndërtesë shumë e bukur, ndoshta më e bukura e Hagës e njohur me emrin Pallati i Paqes ose në gjuhën hollandeze: Vredespaleis.

Pallati i Paqes, Vredespaleis, Hagë

Kjo gjykatë është hapur me datën 28 gusht të vitit 1913. Ajo është krijuar fillimisht si një ndërtesë  simbolike për Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit për ti dhënë fund luftës, si produkt i Konferencës së Paqes së Hagës së vitit 1899. Në atë kohë Andrea Dickson White ishte njeriu që kontribuoi më shumë për ndërtimin e kësaj gjykate. Për këtë ai i shkroi mikut të tij Andre& Carnegie. Në fakt ideja ideja për ngritjen e Pallatit pat filluar në një diskutim midis diplomatit rus Frederik Martnes dhe diplomatit amerikan Andreë &hite në vitin 1900. Ata donin të gjenin një vend për Gjykatën e Arbitrazhit dhe ta  vendosnin në Hagë.  White iu drejtua mikut të vet filantropist Andre& Carnegie. Ky i fundit në vitin 1903 i dha atij një milion e gjysëm dollarë, një shumë e jashtëzakonshme për kohën.  Andre & Carnegie ishte një industrialist i famshëm skocez – amerikan i lindur në vitin 1835 dhe një nga filantropistët më të famshëm në botë. Ai është njeriu që i dhuroi Ne& Jorkut atë që sot quhet Carnegie Hall, një nga qendrat më të bukura muzikore në botë, pa përmendur sa e sa vepra tjera që ka dhuruar gjatë jetës së tij. Pallati është i stilit të rilindjes së vonë.  Ndërtesa është vërtetë një vepër arti. Të tilla janë edhe dhuratat që e dekorojnë atë. Aty ka vazo 3.2 tonëshe e dhuruar nga Rusia, dyer të rënda të dekoruara të dhëna nga Belgjika, mermer të sjellë nga Italia, një shatërvan nga Danimarka, qylyma murale nga Japonia, orë për Sahatin e Kullës nga Zvicra, qylyma persiane nga Irani, dru prej Indonezisë dhe Shteteve të Bashkuara. Brenda tij gjenden buste, portrete të kampionëve të paqes nga e tërë bota dhe nga të gjitha fushat. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi më i rëndësishëm juridik i Kombeve të Bashkuara. Gjykata u themelua në vitin 1945 bazuar në një Kartë të Kombeve të Bashkuara dhe filloi punë në muajin Prill të vitit 1946.
Me pak fjalë, ky ishte pallati në të cilin do të futeshim atë ditë për të dëgjuar vendimin mbi opinionin e asaj gjykatë të përbërë prej 15 anëtarësh. Stuartët e gjykatës na treguan se ne duhej të uleshim në anën e djathtë të sallës.  Pasi ishim ulur, erdhi delegacioni serb. Jeremiçi hyri me kokën lart, “parakaloi” (përsëri gabim) para delegacionit tonë dhe me shpejtësi shkoi dhe u vendos në anën tjetër të sallës. Këto veprime më kujtonin plotësisht veprimet diplomatike të kohës së luftës së ftohtë, kur thjesht gjetja rastësore në një mjedis me diplomatin – armik, mund të pasohej me masa represive ndaj atij që nuk kishte bërë kujdesin e duhur.

Në atë moment mu kujtua një histori e treguar nga Konsulli i Përgjithshëm në Stamboll, Enver Zeneli kur po e dorëzonte detyrën në vitin 1992. Ai më pat thënë se ju jeni me fat që do punoni në këtë kohë. Gjatë kohës së punës time, më thoshte ai,  këtu kam qenë i instruktuar që në asnjë rrethanë të mos i jepja dorën rusit, amerikanit, izraelitit.  Nëse kjo ndodhte, unë duhej të kthehesha vetë në shtëpi dhe të mbaja përgjegjësinë. Kështu që ndonjëherë kur shkoja në pritje futesha në salle dhe fap, psh me shfaqej përpara rusi, ndërsa menjëherë djathtas hopa më shfaqej amerikani. Pastaj i shmangesha atij dhe ja ku më dilte përpara një tjetër, izraeliti për shembull. Mos o zot po të qëllonte edhe kinezi! Çfarë duhej të bëja atëherë? Menjëherë duhej të largohesha, ose…

Çastet e shpalljes së vendimit

Gjatë kohës kur Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada po lexonte vendimin, një gjykatës trupmadh, mbante një kontakt me sy me ambasadorin tonë dhe dukej sikur i thoshte që: Edhe pse unë nuk desha, ja që e arritët atë që deshët. Në fakt më vonë ambasadori më tregoi se ai ishte një gjykatës nga Republika Ceke, i cili kishte qenë kategorisht kundër. Por natyrisht kur shumica në atë gjykatë voton pro ose kundër, pakica i bindet plotësisht shumicës. Kështu vendimi shpallet si vendim unanim.

Leximi i materialit zgjati aq sa nuk e mbaj mend. Ajo që u skalit në kujtesën tonë ishte fjalia magjike e shqiptuar nga gjykatësi Ovada:

“Gjykata ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare”.

Në u ngritëm në  këmbë dhe filluam të përqafoheshim nga gëzimi. Ishte përjetim i rrallë. Dhe në atë përjetim atë ditë më mbeti në mendje largimi kokulur i Vuk Jeremiçit dhe anëtarëve të delegacionit të tij. Pastaj edhe ne u larguam të lumtur sa më s’ka për të festuar bashkë me delegacionin e Republikës së Kosovës.

Vizitë tek i Pengmarruri për herë të Dytë

Ditën tjetër bashkë me ambasadorin vajtëm të shihnim heroin e Kosovës, Ramush Haradinajn  në burgun e Hagës, Scheveningen. Pas procedurave të gjata dhe shpjegimeve për natyrën e takimit, një seri dyersh prej hekurash u hapën dhe u mbyllën njëra pas tjetrës. Arritëm në kafenenë e burgut, u ulëm pranë një tavoline në një si ndarje më vete, ose një dhomëz e ndarë midis tjerave prej nga shiheshim shumë mirë për çdo veprim që mund të bënim nga një treshe policësh të cilët ishin ulur në një si podium. Pas pak aty dha ballë Ramushi. i fortë,  i qeshur, i vendosur, ai shtrëngoi duart me ne dhe u ulëm. Patëm një bisedë interesante dhe unë së pari e urova për Opinionin pozitiv të Gjykatës së Hagës për Kosovën. Ai e shfaqi hapur gëzimin për këtë. Pastaj biseda u përqendrua tek arresti i tij dhe tek pafajësia  e cila do ta kthente përsëri si hero në Prishtinë. Në një moment të bisedës e pyeta:

A e keni parë ndonjë prej serbëve që  gjenden këtu?

Po më tha, i pata parë më parë kur isha herën tjetër, por edhe unë ju shmangem edhe ata më shmangen mua. Milosheviçin e shihja por sa herë e shihja më kapte një ankth dhe ai e ndjente si dukej sepse përherë fshihej pas rojeve dhe qëndronte larg. Radovanin nuk e kam parë. Ai vazhdoi me emrat dhe sapo përmend Sheshelin, ky i fundit kaloi aty pranë na pa dhe u ndal.

O Ramush, si je? i foli ai në serbisht.

Mirë, mirë u përgjigj Ramushi,  ia ktheu me indiferencë. Pastaj ai i tha disa fjalë të cilat ne nuk i kuptuam por Ramushi na i përktheu. I kishte thënë se këtë radhë je këtu sepse  deshën t’ia bënin më të lehtë Tadiçit vendimin e GJND së. Ti je kurbani i kësaj dite.

Ndërsa Shesheli fliste unë pashë në sytë e atij krimineli tërë urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve të përmbledhur në atë vështrim agresiv ndaj Ramushit.

Patëm bisedë të gjatë me Ramushin derisa u ndamë me premtimin se asgjë nuk do të kursehej për çlirimin e tij.

Gëzimi i fitores në Hagë kishte edhe brengën për sakrificën e Ramush Haradinajt. Në atë aspekt ndoshta Shesheli kishte të drejtë. Ishte peng për herë të dytë, i atij vendimi të Hagës.

Pengmarrja e Tretë

Prej disa kohësh, z. Haradinaj gjendet i marrë peng për herë të tretë. Tani ai pret një vendim të një gjykate tjetër të një rajoni të Francës, vendit të lirive njerëzore(!)

Edhe pse z Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga GJND në Hagë, ai përsëri është ndaluar në Francë, bazuar në një urdhër të lëshuar nga Interpoli me kërkesë të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, lëshuar në vitin 2004!(?) Të ndalosh çlirimtarët me kërkesën e një krimineli, pastaj ti gjesh të pafajshëm, pastaj ti zësh prapë, prapë ti lëshosh dhe prapë ti ndalosh, nuk është asgjë më pak se pengmarrje.

Si atëherë në vitin 2010 kur e vizitova në Hagë, vajta dhe e takova në Strasburg me datën 18 mars 2017. Këtë radhë jo me detyrë shtetërore por në një gjest individual respekti për veprën dhe sakrificat e tij. Kësaj radhe ishte një vizitë tek një mik, tek një patriot, tek një çlirimtar i Kosovës, tek një luftëtar i paepur për lirinë, tek një njeri që e ka gjakun e vëllezërve në themelet e kësaj lirie. Kjo nuk ishte aspak një vizitë tek një politikan kosovar, madje as tek një ish-kryeministër, por tek një shqiptar i ballafaquar me padrejtësinë në emër të drejtësisë.

Mirë u kthefsh në Kosovë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjykata Hages, kosova, Mal Berisha, Ramush Haradinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Historia e Postës Shqiptare, ura e komunikimit mes shqiptarëve
  • Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit Mbretëror të Skënderbeut
  • E vërteta do të vazhdojë të flasë…
  • Luigji Pirandelo njihte gjuhën shqipe, a ishte arbëresh?
  • KRONIKA E KOHËS SË REVOLTËS…
  • A BIG DAY FOR KOSOVA IN THE U.S. CONGRESS
  • “Helmimet në Kosovë 1990-1992”
  • Rikornizimi i Luftës së Trojës: Një luftë e harruar civile pellazge
  • Shqipëria e çudisë letrare…
  • Kursit i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, si kontribut atdhetar në mërgatën shqiptare të Greqisë
  • Sounds of Albania…
  • Fuqia e vërtetë…
  • Qyteza dardane në Kodren e Pecës – Kukës
  • Realiteti i përballueshmërisë për amerikanët
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN, PRINCIN E MIRDITËS, MBI DORËZIMIN E SHKODRËS DHE FATIN E ARDHSHËM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT