• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova shpall 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”

July 11, 2016 by dgreca

-Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, e deklaruar në 15 janar 2016 nga qeveria kosovare/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 11 Korrik 2016/ Kosova shpall 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancë plenare sot, kryesuar nga nënkryetari Sabri Hamiti, me votim unanim miratoi propozimin  e Kryesisë së Kuvendit për shpalljen e 5 Shtatorit “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që më 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, e deklaruar në 15 janar të këtij viti nga qeveria kosovare në mbledhjen ku kryeministri Isa Mustafa ka prezantuar iniciativën e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala. “Duke pasur parasysh që ky vit do të jetë vit i shenjtërimit të Nënë Terezës, këtë vit simbolikisht ta cilësojmë edhe si Vitin e Nënë Terezës në Kosovë, të cilin do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, afirmimin e mirëkuptimit, afirmimin e ndihmës, afirmimin e raporteve të mira dhe korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, më 13 pika në axhendë, e nisur të enjten, me vijim edhe të premtën e ndërprerje në mungesë kuorumi, vazhdoi edhe sot në ditën e tretë me shqyrtimin e tre raporteve për vitin 2015, të Radiotelevizionit të Kosovës e të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për të cilët nuk pati vota të mjaftueshme dhe Raportin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili u miratua me shumicë votash.

Para përfundimit të seancës sot, me votim të fshehtë, Kuvendi zgjodhi Nenad Llaziçin, nga komuniteti serb, anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me mandat 5 vjeçar.

Javën e kaluar, të enjten, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 si dhe Projektligjin për ndihmën shtetërore.

Të premtën, Projektligji për investimet strategjike në Republikën e  Kosovës nuk mori votat e mjaftueshme dhe nuk kaloi në tre votime në seancën plenare. Në votimin e tretë 40 deputetë ishin pro, 1 kundër e 3 abstenime, ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha edhe se nuk kishte as kuorum bazuar në atë se votuan gjithësej vetëm 44 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Kishte edhe deputetë të koalicionit qeverisës në sallën e seancës që nuk votuan fare, si u konstatua edhe në debatin pas votimit, ndërsa kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa,  kërkoi që projektligji të rikthehet në procedurë duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm për investimet strategjike dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Gjatë tre ditëve të seancës së Kuvendit të Kosovës kishte edhe debate e replika. Nga tre partitë opozitare pjesëmarrëse ishte vetëm Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën e vazhduan bojkotin.

Filed Under: Kronike Tagged With: “Dita e Bamirësisë, 5 Shtatori, Behlul Jashari, kosova, Nena Tereze

Kosova, mirëpritje diasporës: Ti je pjesë e atdheut

July 7, 2016 by dgreca

-Në fokus, regjistrimi i diasporës dhe mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, përmes të cilit arrihet të ruhet më së miri identiteti kombëtar/

PRISHTINË, 7 Korrik 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Me vizitat e sotme në Pejë dhe Gjakovë, ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, i përfundoi takimet me komuna, qëllimi i të cilave ishte koordinimi i aktiviteteve dhe mobilizimi për t’i pritur bashkatdhetarët.

Në të dyja takimet, ministri Murati u njoftua për përgatitjet që i kishin bërë këto komuna për bashkatdhetarët, që ata ta ndiejnë afërsinë me atdheun.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari –Lila, dhe ai i Pejës, Gazmend Muhaxheri, theksuan se, përveç aktiviteteve të ndryshme kulturore e sportive, i kanë shtuar kapacitetet edhe sa u përket shërbimeve komunale, duke punuar me orar të zgjatur, në mënyrë që bashkatdhetarëve t’u krijohen lehtësi në kryerjen e procedurave komunale për nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme që u nevojiten.

Risi e komunë së  Gjakovës ishte edhe lëshimi i portalit informativ www.gjakovaportal.com, në të cilin mërgimtarët mund t’i gjejnë të gjitha informacionet, qoftë ato për mundësinë e investimeve, qoftë informacionet për zhvillimet ditore, në sferën politike, kulturore, sportive e të tjera.

Duke pasur parasysh se të gjitha këto aktivitete realizohen në kuadër të fushatës “Ti je pjesë e atdheut”, ministri Murati rekomandoi që ato të shfrytëzohen edhe për regjistrimin e diasporës, përmes zyrtarëve regjistrues për diasporë, të cilët do të aktivizohen në pika të ndryshme ku frekuentohen më shumë nga mërgimtarët.

Po ashtu, në takimet që komunat do t’i mbajnë me bashkatdhetarët, ministri sugjeroi që të sensibilizohet opinioni i diasporës për mësimin e gjuhës shqipe, të përçohet mesazhi që sa më shumë fëmijë ta vijojnë shkollën shqipe në diasporë.

Edhe sa i përket fushës së ekonomisë, ministri Murati  u rekomandoi komunave që të mbajnë ndonjë debat ose tryezë me bizneset nga diaspora, bashkë me ato të vendit, ku komuna do të mund të ofronte projekte për investitorët shqiptarë nga diaspora, t’i orientonte ato se ku mund të investojnë, të krijojnë kontakte mes vete, por të ofrojnë edhe ide.

Në fokus të të gjitha takimeve ishte regjistrimi i diasporës dhe mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, përmes të cilit arrihet të ruhet më së miri identiteti kombëtar në diasporë.

Filed Under: Mergata Tagged With: kosova, mirëpritje diasporës: Ti je, pjesë e atdheut

Kosova, në një moment të ri dhe historik

July 7, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Prishtina/

-Nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian me shumicë të votave është aprovuar rekomandimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës/

 PRISHTINË, 7 Korrik  2016-Gazeta DIELLI/ Krerët e shtetit të Kosovës njoftojnë dhe vlerësojnë miratimin e propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, duke theksuar se është një moment i ri dhe historik.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Miratimi i propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian është edhe një dëshmi tjetër e përkrahjes dhe e gatishmërisë së institucioneve të BE-së për heqjen e vizave për qytetarët tanë.

Ky është moment i ri dhe historik për Kosovën.

I falënderoj eurodeputetët për angazhimin aktiv dhe vlerësimin real të të arriturave tona.

Tani është radha që pa vonesë të veprojmë dhe t’i marrim vendimet ne si Kosovë.

E ardhmja evropiane është e vetmja alternativë për Kosovën.

Kryeministri Isa Mustafa: Sot, morëm një lajm shumë pozitiv nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, ku me shumicë të votave është aprovuar rekomandimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Tani institucionet do t’i adresojnë çështjet e mbetura dhe t’i krijojmë mundësi qytetarëve tanë të lëvizin të lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Të punojmë së bashku që të arrijmë këtë sukses të përbashkët!

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli: Sot pata një bisedë telefonike me Znj. Tanja Fajon, raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, lidhur me përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave dhe çështjet të cilat kërkojnë përkushtim institucional në raport me këtë proces. Unë e përsërita qëndrimin tim që ky proces duhet të përfundojë sa më shpejtë, i sigurt që interesat e qytetarëve të Kosovës do të mbizotërojnë mbi axhendat tjera. Znj. Fajon përsëriti gatishmërinë e saj për të ndihmuar në ballafaqimin me sfidat që janë para nesh. Shfrytëzova rastin të falënderojë Parlamentin Evropian për miratimin e propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme. Kjo është një vazhdimësi e mbështetjes së Parlamentit Evropian në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe inkurajim për institucionet e Kosovës. Parlamenti Evropian mbetet aleat yni dhe do të vazhdojmë përkushtimin për realizimin e planit tonë të përbashkët.

Këto ishin deklaratat e sotme, ndërsa në 4 maj 2016 Komisioni Evropian i propozoi  Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke e transferuar Kosovën në listën e vendeve pa viza për qëndrim afatshkurtër në zonën Shengen. Propozimi është bërë së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit që konfirmon se Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, në një moment, të ri dhe historik, vizat

Kosova në Samitin në Paris

July 3, 2016 by dgreca

-Për në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Isa Mustafa udhëtoi nga Prishtina, ministri Enver Hoxhaj nga SHBA/

 PRISHTINË, 3 Korrik 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Paris ku do të marr pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor.Të hënën, kryeministri Mustafa do të marrë pjesë në takimin qendror të Samitit, ku do të jenë të pranishëm presidenti francez François Hollande, kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Christian Kern, kryeministri italian Matteo Renzi, zëvendëspresidentja e KE-së, njëherësh përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

 Njoftimi dërguar sot nga Kryeministria kosovare thekson se, në samitin e tretë që zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, do të jenë të pranishëm kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, Isa Mustafa kryeministër i Kosovës, Miro Cerar kryeministër i Sllovenisë, Tihomir Oreskoviq kryeministër i Kroacisë, Milo Gjukanoviq, kryeministër i Malit të Zi, Emil Dimitrev kryeministër i Maqedonisë, Denis Zvizdiq kryeministër i Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Gjatë punimeve të Samitit do të bëhet vlerësimi i progresit të arritur në projektet e deritashme si dhe pritet të iniciohen projekte të reja. Temë e Samitit do të jenë edhe avancimi i bashkëpunimit ndërmjet shteteve në rajon, fuqizimi i ekonomisë dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve.

Gjatë Samitit të Parisit, kryeministri Mustafa do të takohet me drejtuesit e shteteve të BE-së si dhe homologët nga vendet e rajonit. Takime të ndara, kryeministri Isa Mustafa, do të zhvillojë edhe me drejtues të lartë të Bashkimit Evropian, ku do të theksoj përkushtimin e Republikës së Kosovës në proceset eurointegruese si dhe do të kërkojë përkrahje për fillimin sa më të shpejtë të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së.

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbërritur në Francë nga SHBA, ku gjatë qëndrimit në Nju Jork ka takuar përfaqësuesit e më shumë se 15 shteteve të akredituara pranë OKB-së me axhendë lobimi dhe anëtarësimi në organizata. 

“Nesër do të marrë pjesë në Samitin e Parisit me vendet e Ballkanit Perëndimor si vazhdimësi e Procesit të Berlinit. Kosova pritet të përfitojë projekte konkrete dhe prezantojë vizionin e saj për rajonin dhe të ardhmen evroatlantike”, thekson ministri i Jashtëm kosovar.

 

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, në Samitin në Paris

Kosova para 26 viteve shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi: Fillim i së nesërmes…

July 2, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Festa në Kuvendin e Republikës së Kosovës, 2 Korrik 2016/

-Në 2 Korrik1990 isha pranë delegatëve të Kuvendit të Kosovës nën shtetrrethim, para dyerve të mbyllura e snajperëve, në ngjarjen historike dhe shkruajta redaksionalin  “Fillim i së nesërmes”, botuar në ballinën e gazetës tradicionale Rilindja/

-Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishin paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të cilat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur/

-Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 2 Korrik 2016/ Ishte “Fillim i së nesërmes”, e cila tash është e sotmja… Në Kosovë, para 26 viteve, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 e Kuvendit nën shtetrrethim e deputetëve që mbajtën seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve, shpallte pavarësinë e Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’ u realizuar e plotë në 17 shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli.  Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990 janë dy aktet kushtetuese juridike të rëndësishme që i kanë paraprirë mbajtjes së Referendumit të shtatorit 1991. Jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, është shprehur Ramajl në një intervistë që kam zhvilluar.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut,  të cilën e përcolli në mënyrë të natyrshme nxjerrja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës  në 7 Shtator 1990,  amendamentet e saja dhe më vonë referendumi gjithëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, për kohën kur u nxorën,  besoj se shprehin kontinuitetin e vullnetit politik të shqiptarëve që nga luftërat për pavarësi, për çlirim kombëtar dhe për krijim të shtetit sovran, të mishëruara në përpjekjet e pareshtura që të jemi zot të vetvetes, të jetojmë të lirë, të pavarur, e të respektuar”, ka theksuar Ramajli.

Ai kujton se, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, u miratuan dhe u shpallën nga Kuvendi pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se ish-Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes.

“Deklarata Kushtetuese ishte dhënie e formës kushtetuese juridike vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë dhe ishte një vlerësim dhe akt i drejtë, që në kushtet e krijuara të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Kosova si njësi e pavarur, vet e në mënyrë të pavarur duhet të vendosë për fatin e sajë”, ka theksuar Ilaz Ramajli.

Në ambientet e Kuvendit kosovar, kryeparlamentari Kadri Veseli organizoi sot pritje për delegatët që miratuan Deklaratën Kushtetuese, të cilën e ka vlerësuar akt të parë juridik që përmblidhte aspiratën e pavarësisë nga shteti okupues, një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.

Në këtë solemnitet ishin të pranishëm edhe deputetë të përbërjes aktuale kuvendore dhe mysafirë të tjerë e familjarë të delegatëve të kohës së 2 Korrikut historik 1990.

Kryeparlamentari Veseli me këtë rast theksoi se në këtë Kuvend janë marrë vendime të rëndësishme dhe historike për vendin tonë, që kanë përcaktuar rrjedhat dhe proceset historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova në 40 vitet e fundit. Njëri nga këto vendime të rëndësishme, theksoi Veseli, padyshim ka qenë edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990.

Kryeparlamentari Veseli përshkroi kontekstin historik në të cilën ndodhej Kosova dhe rajoni, duke theksuar se atëherë kishte filluar procesi i pashmangshëm i dezintegrimit, duke filluar me masat e dhunshme për të suprimuar Kushtetutën e vitit 1974, sikundër aktiviteti dhe aspirata e lëvizjes tonë kombëtare për shkëputje të plotë të Kosovës nga Federata jugosllave.

“Në rrethanat e kohës, Deklarata e 2 Korrikut shprehte këtë aspiratë popullore. Ajo e bënte të paligjshëm agresionin kushtetues kundër Kosovës të ndërmarrë nga Serbia në vitin 1989 dhe krijonte premisat e platformës së pavarësisë së Kosovës. Kjo deklaratë ishte një moment i forcimit të mëtutjeshëm të unitetit kombëtar në Kosovë, rreth vizionit që duhej ndjekur vendi ynë në ato vite të kthesave të mëdha botërore”, theksoi kryetari Veseli.

Ky, vijoi ai, ishte vizioni për një Kosovë të lirë, të pavarur, demokratike, me orientim të qartë properëndimor, vizion që qëndroi në themele të rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare, por edhe në themele të politikës së sotme të shtetit të Kosovës, prej të cilit nuk është hequr dorë e nuk do të hiqet as sot.

Më tej, kryetari Veseli foli për prioritetet aktuale të institucioneve të Kosovës, duke qenë vazhdimësi e traditës më pozitive të të kaluarës tonë politike.

“Ne duhet të vazhdojmë të forcojmë shtetin tonë, sistemin tonë demokratik, vlerat që përfaqëson Kushtetuta jonë, sundimin e ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut, të drejtat e komuniteteve dhe shoqërinë sekulare, zhvillimin ekonomik mbi parimet e ekonomisë së tregut të lirë. Ne nuk kemi tjetër përgjigje, sepse jemi dhe do të mbetemi përgjithmonë vend evropian, fizikisht dhe shpirtërisht”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Përfaqësuesit e delegatëve, Iljaz Ramajli, Bujar Gjurgjeala dhe Muharrem Shabani, falënderuan kryetarin Veseli për kujdesin e vazhdueshëm ndaj datave me rëndësi historike, dhe në veçanti, për shënimin, tashmë tradicional, të 2 Korrikut nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 26 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arresoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar, kujtonte:
“Mëngjesi i 2 Korrikut më çeli në një shtëpi, e cila nuk ishte e imja në Vushtrri, as e të afërmëve të mi në Prishtinë, ku një ditë më herët erdha pasi u përshëndeta me familjen…Fjeta tjetërkund, që t’i shmangem arrestimit, meqë kishin filluar ndjekjet penale kundër meje e delegatëve të tjerë… Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Një nga protagonistet, delegatet e Kuvendit të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, Feride Hyseni, në një bisedë që kam zhvilluar ka vlerësuar se, “është një datë e rëndësishme historike për Kosovën, për tërë kombin”.

“Unë jam shumë krenare që jam aktore e asaj ngjarje”, ka theksuar ajo duke shprehur edhe gjithë gëzimin se Kosova sot është ajo e ëndërrave dhe idealeve të  shumë brezeve, edhe të 2 Korrikut 1990, është shtet i lirë dhe i pavarur.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 17 vjet nga qershori 1999, Kosovës shtet  tetë vite – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga mëse 111 shtete anëtare të OKB-së.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990, me të cilët u takova dhe bisedova edhe sot në festë, kujtojnë edhe mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në atë ngjarje historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishin paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të cilat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, një ekzemplar të së cilës e kam të ruajtur edhe pas 26 vitesh, që kur ma dhanë vetë delegatët në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës, menjëherë pasi u lexua.

Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 ishte:

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:

DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI Të PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)

  1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
  2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
  3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
  4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
  5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,

duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990.                Delegatët nënshkrues të                                                                                  Deklaratës:

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, myslimanë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).

Gazetari Zenun Çelaj ka treguar për Gazetën Dielli se ai ka daktilografuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990,  dhe se teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit. Me këtë ndryshim qe pajtuar edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.

Teksti i Deklaratës ka qenë në duar të delegatëve dy javë para se të miratohej para dyerve të mbyllura të Parlamentit të Kosovës, por nuk arriti të hynte në rend të ditës për shkak të obstruksioneve të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit dhe të delegatëve serbë e malazez.

Filed Under: Histori Tagged With: 26 Vite, Behlul Jashari, kosova, Kushtetuse, shpalja e Deklrates

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT