• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në takimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

June 21, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 21 Qershor 2016/ Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës i udhëhequr nga, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, është duke marrë pjesë në Strasbourg të Francës  (prej  20-24 qershor) në punimet  e Sesionit të tretë të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe në mbledhjet e komisioneve, me theks të veçantë në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci.

Po ashtu delegacioni i Kuvendit të Kosovës është takuar me anëtarët e delegacionit austriak në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ,të udhëhequr nga Gisela Wurm – shefe e delegacionit të Austrisë.Gjatë  këtij takimi u shkëmbyen pikëpamje lidhur me bashkëpunimin ndërmjet dy delegacioneve si dhe u kërkua mbështetja e delegacionit austriak në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjatë punimeve  të këtij Sesioni  delegacioni i  Kuvendit të Kosovës pritet të mbajë takime të tjera bilaterale./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, në takimin e Asamblesë Parlamentare, të Këshillit të Evropës

Mogherini-Thaçi: Kosova duhet të jetë optimiste

June 21, 2016 by dgreca

-Për vendimin për liberalizimin e vizave/

-Presidenti i Kosovës pritet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë/

 PRISHTINË, 21 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, u shpreh sot në Bruksel se Kosova duhet të jetë optimiste për vendimin për liberalizimin e vizave dhe kërkoi që sa më parë të përmbushet edhe kriteri i fundit, ai i miratimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ajo gjithashtu ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të mbeten të përkushtuara për ndërtimin e bashkëpunimit të sinqertë me njëri-tjetrin, thekson njoftimi nga Brukseli i sapodërguar nga Presidenca e Kosovës.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, u prit edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Presidenti Thaçi e informoi Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogherini, për të arriturat e Kosovës dhe për përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon.Duke folur për procesin e vizave, Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova tani pret një vendim meritor.Ai foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se ky proces ka ndikuar pozitivisht në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në tërë Ballkanin Perëndimor.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot edhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.Gjithashtu, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian.

 

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, Mogherini-Thaçi:, Optimiste, vizat

Kosova, 8 vjet me Kushtetutën e Pavarësisë

June 15, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kosova në festë – kryeqyteti, Prishtina/
-Kosova në rrugën drejt Pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/
-Dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës para 8 viteve/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,  15 Qershor 2016/ Dita e sotme, 15 qershori, shënon 8 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.Kushtetuta hyri në fuqi në 15 qershor 2008, pasi u miratua nga Parlamenti i Kosovës në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik.

Dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës para 8 viteve. Dekretimin e bëri Presidenti i afëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Në 8 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës shteti i Kosovës është i njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së dhe e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale.

Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë..

Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova ka pasur Kushtetutën e saj prej vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi maksimale organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës tash janë shtatë shtete.

Kosova, në vitin 1990, pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese i suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit,  shpalli Deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë.

Prej vitit 2001 deri para 8 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Tetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur shënohet në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohet 17 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 qershorin e vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të  NATO-s,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.

Filed Under: Editorial Tagged With: 8 vjet, Behlul Jashari, kosova, me Kushtetutën e Pavarësisë

Kosova, zyrtarisht anëtare e Gjykatës së Përhershme Arbitrazhit

June 14, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: NEWBORN, simboli i Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë/

-Anëtarësimi  në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës/

PRISHTINË, 14 Qershor 2016-B.Jashari/.- Republika e Kosovës tashmë zyrtarisht është anëtarja e 121 me të drejta të plota e  Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë.  Anëtarësimi  në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në njoftimin e dërguar pak më parë. Për këtë, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka falënderuar përfaqësuesit e  shteteve përkrahëse duke e vlerësuar anëtarësimin lajm të mirë për Kosovën.

“Me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar procesin që nga janari, nga votat e shteteve  anëtare u konfirmua edhe zyrtarisht pranimi i Kosovës në këtë organizatë. Faleminderit shteteve pëkrahëse për votimin dhe diplomatëve të Kosovës për lobimin. Koordinimi i mirëfilltë me partnerët po sjellë edhe rezultatet diplomatike”, është shprehur ministri Hoxhaj.

MPJ kosovare thekson se, anëtarësimi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit do ta ndihmojë Kosovën  në aspektin ekonomik sepse do të ofrojë siguri për sipërmarrësit e huaj për të investuar, pasi që  kjo gjykatë do t’iu mundësojë investitorëve të jashtëm që kontratat me Republikën e Kosovës t’i bëjnë duke parashikuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga Gjykata e Arbitrazhit.Anëtarësimi në këtë organizatë përveç tjerash konsolidon më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe e pajis shtetin me një mjet të rëndësishëm për të trajtuar e zgjidhur mosmarrëveshje të ndryshme ndërkombëtare me shtete apo palë të tjera publike e private.

Filed Under: Rajon Tagged With: Gjykata e perhershme, kosova

Kosova, 17 vjet liri e paqe

June 12, 2016 by dgreca

-Para 17 viteve, Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja, NATO nisi të hynte në mëngjesin e hershëm të 12 qershorit 1999 në ora 05 e 17 minuta/

Shkruan: Behlul JASHARI, korrespondenti në Prishtinë sot plot një vit nga 12 qershori 2015 i Gazetës DIELLI, i cili ka raportuar nga kolona e tankeve të para të NATO-s, që hynin në Kosovë/

PRISHTINË, 12 Qershor 2016/ Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.

Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare – agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) e në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën.
Ishte ora kur liria po vinte e po iknin forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, dhe që po linin pas luftën me një bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Drejt Kosovës, qyteteve, fshatrave e shtëpive të tyre të shkretëruara e të djegura ishin nisur më këmbë refugjatët e kampit afër kufirit në Bllacë, Maqedoni. Ata njerëz, që dukeshin më të gëzuarit e gjithë botës, në qytezën kufitare kosovare Hani i Elezit binin në gjunjë, puthinin tokën e atdheut të tyre dhe tanket e misionit humanitar e shpëtimtar  të NATO-s, të cilat po u hapnin rrugën për kthimin e madh dhe lirinë e përjetshme. “Është më shumë se ëndërr, është më shumë se gëzim”, shpreheshin në atë mëngjes të dëbuarit që po ktheheheshin në shtëpitë e tokën e tyre.

Forcat serbe kishin ikur nga kufiri dhe po largoheshin nga Kosova, por kishin lënë prapa zonat e minuara, dhe dukej se për këtë zgjatnin me orë kontrollet te Ura e Kashanit mbi lumin Lepenc e te tuneli i afërt në Grykën Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvillonin operacionin për mënjanimin e rreziqeve nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin mbi të të helikopterëve, fillimisht më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githnjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Në Grykën e Kaçanikut, forcat kriminale të Milosheviçit kishin lënë prapa edhe grafite në faqe shkëmbinjësh: “Kosova zemra e Serbisë” e “Serbia deri në Durrës”, e që shkonin edhe shumë larg, “Serbia deri në Tokio”,  “ Serbia deri në Sidnei”…Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës kosovare Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

“Të akredituar deri natën e 11/12 qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën tradicionale të Kosovës, Rilindja.

Përtej këtyre grafiteve të përçudshme, si një përgjigje dhe ralitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi. Nga Kaçaniku, nëpër Fushën e Pajtimit, në orët e pasditës, kolona e NATO-s mbërriti në qytetin e Ferizajt, mbi të cilin nga larg shiheshin re tymi.

“Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin para se të ikin. Ende nuk kanë ikur të gjitha”, tregonin shqiptarët e mbetur atje.

Ata kishin dalë për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet: “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO – Kosova e Lirë”. Kishin dalë në mikprijen e madhe, me falënderimin e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Fëmijëve anëve të rrugës që përshëndesnin me valëvitje duarsh e plot gëzim ushtarakë të NATO-s u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Një vajzë, nxënëse e shkëlqyer e fillores, po shtrëngonte bombonin në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”.  Ishin ata fëmijtë që kishin përjetuar tmerret, e me muaj të tërë as s’kishtin parë ëmbëlsira e ishin përballur edhe me urinë në mungesë të bukës. Tregonin se kishin jetuar me shumë frikë të fshehur nëpër bodrume…

Ndërkohë që kolona kishte marshuar edhe më tej, pas ndonjë ore edhe fushat rreth qytetit të Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arritën deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet dukej mbeti për të nesërmen…

“Po shkojmë në Prishtinë, të shohim si duket në natën e fundit të okupimit”, thanë disa nga gazetarët nga anë të ndryshme të botës, të cilëve iu bashkova, edhepse e dija se të shkohet para se ta marrë kontrollin NATO rreziku ishte shumë i madh, kishte shumë rreziqe nga të cilat mëzi isha larguar…

Vetëm para pak më shumë se një muaji, në 6 maj 1999, i larguar nga kryeqyteti, duke raportuar nga kufiri jugor i Kosovës, kisha dhënë lajmin në ATSH “Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”.

Me atë titull kisha raportuar: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që mund të bombardohen nga NATO-ja…Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë postes së re të Prishtinës, në lagjen Dardania, thonë dëshmitarë okularë që kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni. Shumica e të ardhurve janë femijë dhe gra, ndërsa burrat janë marrë nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojnë për më se 200 te rinj e burra shqiptarë që i kanë ndarë nga familjet dhe i kanë marrë në rrugën midis Obiliqit dhe Prishtinës. Të deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojnë per ekzekutimin e 13 shqiptarëve. Mijërat e të dëbuarve gjatë 24 orëve të fundit janë kryesisht nga rajonet e Llapit, Prishtinës, fshatrat e Ferizajt dhe të Lipjanit”.

Kishim mbërritur në kryeqytet, Prishtinë, para mbrëmjes së 12 qershorit, duke kujtuar edhe largimin pasi në mbrëmjen e 24 marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  për ATSH-në e Radio Tiranën për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Në atë mbrëmje të 12 qershorit të para 17 viteve, në Prishtinë shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar, në të gjitha anët kishte breshëri armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur. Paramilitarët e Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotelin në qendër apo të sapohyrë, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po iknim me shpejtësi, me automjetin që udhëtonim…

Kisha dhënë edhe lajmin e parë të rikthimit në Prishtinë… Po ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 majit nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve të ATSH-së” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”…

Në të gjitha anët në Prishtinë breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë mbrëmjes së ditës kur nisi lira, edhe gjatë gjithë natës që po e kalonim në një banesë të shqiptarëve të dëbuar. Nata e fundit e forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte disa shqiptarë të vrarë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje…Kishte edhe plumba qorr që binin, të shkrepur nga shumë armë serbe.

Gazetari i njohur edhe për raportimet nga Maqedonia e Lugina e Preshevës në kohë lufte të shqiptarëve për të drejtat e tyre, Bedri Sadiku, që ishte në një automjet tjetër reporterësh nga gjithë bota, ja si e përshkruan hyrjen e tij në Prishtinë dhe kryeqytetin e Kosovës në pasditën e 12 qershorit 1999, në një shkrim në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja:

“Në Prishtinë hymë gati gabimisht, dhe pastaj edhe me qëllim. Ky rrugëtim duhej të shkonte sipas porosive të NATO-s.  Konvojet e NATO-s shkuan në drejtim të Shtimes dhe Lipjanit,  kurse ne me makinën tonë shkuam drejt për në Prishtinë dhe  në Lapnasellë e Çagllavicë hasëm menjëherë në forcat policore,  ushtarake dhe paramilitare serbe…

Në afërsi të Hotel Grandit dhe para tij kishin mbërritur ekipe të gazetarëve të huaj nga Beogradi.  Me këtë rast për pak u shkaktua edhe një incident me disa gazetarë, për shkak të emblemës së Press Qendrës së NATO-s dhe shenjës së NATO-s…

Në ora 16 pa 5 minuta helikopterët e parë të NATO-s fluturuan mbi Prishtinë-paralajmëronin çlirimin e kryeqytetit të Kosovës

Pasi bëmë disa fotografi rrugëve të Prishtinës,  diku rreth orës 16 pa 5 minuta u nisëm në drejtim të Shkupit…Me t’u nisur drejt Veternikut,  dy helikopterë të NATO-s dolën mbi qiellin e Prishtinës dhe bënë disa xhiro mbi Dardani e Dragodan dhe në pjesën qëndrore të qytetit, që paralajmëronin ardhjen e forcave të NATO-s edhe në Prishtinë dhe fillimin e çlirimit nga thundra kolonialiste serbe edhe të kryeqytetit të Kosovës. Një pjesë e këtyre forcave,  që drejtoheshin nga britanikët, i ishin afruar edhe Lagjes së Spitalit, ndërsa grupe ushtarësh ishin vendosur nga gjysma e Veternikut përpjetë, si pararojë e forcave të NATO-s e të KFOR-it,  që pritej të hynin natën dhe në mëngjes në Prishtinë dhe që tashmë kishin mbërritur deri te Llugaxhia. Prishtina do ta kalonte vetëm edhe një natë nën thundrën pushtuese serbe,   në pritje të agimit të parë në liri…

Në  ditën e 13 qershorit 1999, në mëngjes, qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolna e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste rrugës nëpër një kodrinë nga ana jugore dhe mbushte sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Kosovës.

Nga këto pamje, në ATSH dhe RTSH në Tiranë shkonte lajmi: “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat e Milosheviçit të largohen…”

Erë shkrumbi e shtëpive e objekteve tjera të djegura ndihej në Prishtinë. Forcat serbe i kishin vënë flakën edhe selisë së Zyrës së SHBA – përfaqësisë së  parë të një shteti nga 6 qershori 1996 që shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta, si dhe selisë së Presidencës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht.

Dyqanet dhe klubet ishin të mbyllura dhe të plaçkitura…

Në 13 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina në ATSH: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar në ATSH: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.

Dhe, vazhdoja raportimin në ATSH: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12- katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Kështu ishte 17 vite më parë…

Dhe, 17 vjet pas 12 qershorit historik 1999,  Kosova feston Ditën e Lirisë – Ditën e Paqes, kur NATO nisi marshin shpëtimtar me forcat tokësore, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, që kishte nisur në 24 mars, kur goditjet e para që i raportova nga Prishtina ndodhën rreth orës 20:00. Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e  hyri në fuqi në 11 qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende.

Në 17 vjetorin e lirisë,  Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008 është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së, e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale dhe drejt të gjitha njohjeve.

Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Filed Under: Histori Tagged With: 17 vjet liri e paqe, Behlul Jashari, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT