• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në nëntor 2015 plotëson tërësisht kriteret për liberalizim të vizave

October 7, 2015 by dgreca

-Sot u mbajt mbledhja  e qeverisë, për nesër është ftuar seanca e Kuvendit të Kosovës, i cili që nga fillimi i sesionit vjeshtor mbahet i bllokuar nga opozita/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Tetor 2015/.-Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, sot, kryeministri Isa Mustafa tha se është paralajmëruar se së shpejti do të ndodh nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe se në momentin kur jepet vlerësimi se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike do të merret vendimi politik për caktimin e datës për liberalizim të vizave. “Mund t’iu them se sipas vlerësimeve tona, por edhe të komisionit i cili e ka bërë vlerësimin, ne kemi plotësuar plotësisht 87 kritere prej 95 sa janë. Kanë mbetur 8 të cilat i kemi plotësuar gati në shumicën prej tyre, por kanë mbetur që të përplotësohen krejtësisht”, theksoi kreu i qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Mustafa theksoi angazhimet e qeverisë që deri në 30 nëntor 2015 Kosova t’i përfundojë tërësisht të gjitha kriteret që shtrohen sa i përket liberalizimit të vizave.

“Unë ju garantoj që do të punohet shumë për këtë, dhe do të arrijmë që gjatë kësaj periudhe të mos ketë asnjë vërejtje sa i përket edhe këtyre çështjeve që kanë mbetur, që më tepër janë çështje teknike, të cilat do t’i realizojmë dhe do t’i adresojmë së shpejti. Unë jam i bindur që nuk ka mandej asnjë arsyetim që Bashkimi Evropian, përkatësisht institucionet e BE-së, të mos reflektojnë në datën e liberalizimit të vizave për Kosovën”, u shpreh Mustafa në mbledhjen e qeverisë që e drejton.

Kjo ishte mbledhja e 52-të e qeverisë së zgjedhur në Kuvendin e Kosovës para 10 mujash, në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.  Aktualisht, qeveria e Kosovës është e përballur me “aksione simbolike” e edhe peticion të opozitës.

Ndërsa, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e kësaj jave,  të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, ku për herë të dytë nuk mori pjesë opozita,  ka ftuar për nesër seancë plenare të Kuvendit, gjatë të cilës do të shqyrtohen pika të papërfunduara nga mbledhjet e kaluara,të pamundësuara e ndërprera nga opozita.

Por, opozita e bashkuar e tre subjekteve politike, LVV, AAK e Nisma, me gjithësej 31 deputetë në Parlamentin 120 anëtarësh, ka paralajmëruar se do vazhdojë me bllokimin e seancave plenare dhe me këtë qëllim do shkojnë edhe nesër në Kuvend.

Në kundërshtim të katër marrëveshjeve me Serbinë të 25 gushtit dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita në Kuvendin e Kosovës ka bllokuar seancat plenare duke pamundësuar mbajtjen e tyre që nga fillimi i sesionit vjeshtor, ndërsa po bojkoton mbledhjet e Kryesisë me shefat e prupeve parlamentare edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e 17 e 22 shtatorit. Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, ndërsa në të dytën që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin. Edhe rivazhdimi i seancës së parë të sesionit vjeshtor, të enjten, në 1 tetor, u pamundësua nga protesta e opozitës, edhepse nuk ishte në axhendë raportimi i qeverisë për marrëveshjet. Në këtë situatë, seanca e Kuvendit të Kosovës, e radhitur si e treta e sesionit vjeshtor, që ishte në axhendë të mbahej të premtën, është anuluar.

Opozita e bashkuar në Kosovë ka bërë të ditur se ka mbledhur më shumë se 160 mijë nënshkrime në peticionin ku kërkohet që “qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.

Lëvizja Vetëvendosje dje njoftonte se,  kryeministri Isa Mustafa “është gjuajtur me vezë nga aktivistët në Podujevë”. “Policia ka arrestuar dhunshëm dy aktivistë të Lëvizjes”, shtohej më tej.

Kryeministri Mustafa mori pjesë dje në manifestimin tradicional “Dita e Mjedrës”, organizuar nga Komuna e Podujevës në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe shoqatën  “Mjedra e Llapit”.

Duke iu referuar nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim që pritet të ndodhë së shpejti, kryeministri Mustafa, tha se me këtë marrëveshje sektori i bujqësisë, do të hyjë në një fazë të re të zhvillimit dhe të avancimit, duke kërkuar nga fermerët e Podujevës por edhe të Kosovës, të përgatiten për tregun e Bashkimit Evropian dhe të përgatiten për prodhime moderne dhe konkurruese.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, kriteret e liberalizimit, vizat

Kosova pret të votohet rezoluta për pranimin në UNESCO

October 6, 2015 by dgreca

-Takim koordinues me shtetet e Kuintit për procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe për proceset e tjera integruese/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Tetor 2015/ Kosova pret që Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s të votojë gjatë këtij muaji rezolutën për pranimin në UNESCO. Kështu u tha sot në një takim koordinues me shtetet e Kuintit për procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe për proceset e tjera integruese, bën të ditur MPJ kosovare.
Njoftimi i sapodërguar sonte thekson se, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka pritur sot në takim pune ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve të Kuintit në vazhdën e koordinimit të aktiviteteve në kuadër të procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) dhe për proceset e tjera integruese.
Zëvendësministri Selimi falënderoi ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve të Kuintit për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në UNESCO dhe në organizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kërkoi vëmendje të shtuar ndaj gjuhës negative dhe pozicionit tejet negativ të Serbisë që rrezikon edhe vet procesin e normalizimit.

 Selimi u zotua për vazhdimin e fushatës pozitive të Republikës së Kosovës, duke përfshirë angazhimin e të gjithë aktorëve relevantë në mesin e të cilëve edhe mediet, universitetet, institucionet shkencore e kulturore, shoqëria civile e kështu me radhë.

Në 28 shtator edhe Principata e Monakos nënshkroi si bashkësponsorizuese kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO. “Tani janë bërë 47 shtete që janë rreshtuar përkrah Kosovës në kërkesën që çështja e anëtarësisë të shqyrtohet nga Bordi Ekzekutiv në tetor”, bënte të ditur zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi nga Nju Jorku. “Po ecim përpara hap pas hapi”, shprehej ai.

Ndërsa zëvendësministri i Jashtëm kosovar,  Selimi në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi  në 12 shtator bënte të ditur se Kosova bëri hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO. “Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s, që përbën një numër rekord të bashkësponsorizuesve në historinë e re të UNESCO-s”, theksonte Selimi.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, rezoluta, UNESCO

Viets: Si edhe Gjermania, Kosova gjithashtu ka pasur një moment vendimtar

October 5, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 5 Tetor 2015 /B.Jashari/.-Rënia e murit dhe ribashkimi i dy shteteve gjermane ishin momente historike, tha sonte Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, gjatë pritjes me rastin e 25 vjetorit.

“Ashtu si edhe Gjermania, Kosova gjithashtu ka pasur një moment vendimtar në të kalaurën e afërt. Në vitin 2008 ky vend u bë i pavarur. Por shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte vetëm fillimi i një projekti sfidues: projekti i ndërtimit të një kombi multietnik ku njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe prosperitet. Për më tej, një projekt për ta bërë atë ekonomikisht të qëndrueshme”, theksoi Ambasadorja gjermane Viets.

Në pritje, Presidentja kosovare Atifete Jahjaga, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe emrin personal uroi 25 vjetorin e Ditës së Unitetit Gjerman.

 “Që nga 3 tetori i vitit 1990, Gjermania shembi muret, theu kufijtë ideologjikë dhe fizikë. E bashkoi Evropën rreth vlerave dhe aspiratave të lirisë, të demokracisë dhe prosperitetit. Frymëzoi breze të tëra për t’i dhënë fund represionit dhe për t’u rimëkëmbur për të jetësuar idealet e lirisë”, u shpreh Presidentja e Kosovës.

“Ne jemi shumë krenarë për një lidhje të fortë partneriteti dhe miqësie që populli i Kosovës e gëzon me Gjermaninë. Jemi falënderues për roli që ju luajtët në ndalimin e gjenocidit në Kosovë, në stabilizimin e Kosovës përmes pranisë së ushtrisë tuaj paqeruajtëse”, u shpreh ajo.

“I kemi vënë shpresat tona në këmbënguljen tuaj që Ballkani Perëndimor të ecë drejt integrimit evropian dhe në vizionin tuaj që ky integrim do t’i sjellë BE-së vlerë të shtuar, ndërsa për rajonin paqe afatgjate”, tha Jahjaga.(Ndiqni me poshte fjalimet)

***

Fjalimi i ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë, Angelika Viets, me rastin e 25 vjetorit të bashkimit gjerman gjatë pritjes në restorantin Orchide më datë 05.10.2015

Zonja Presidente,

Kryetar i Kuvendit,

Deputetë të Kuvendit,

Kryeministër, Ministra,

Shkelqësi, Zonja dhe Zotërinj,

Është kënaqësi e madhe të ju mirëpres në festimin e Ditës sonë Kombëtare, që sivjet shënon përvjetorin e 25 të ribashikimit gjerman.

Zonja dhe Zotërinj, të dashur bashkvendas

Ju përshendes përzemërsisht. Gëzohem që sot po festojmë bashkërisht 25 vjetorin e bashkimit gjerman.

Data 9 nëntor e vitit të kaluar shënoi 25 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit që ishte pika kulmore e protestave prej muajsh nga qytetarët e Gjermanisë lindore – një revolucion paqësor për liri dhe demokraci. Kjo nënkuptoi jo vetëm fundin e ndarjes së detyruar të gjermanëve në lindje dhe në përendim të murit, por gjithashtu ishte një pjesë e procesit që i dha fund ndarjes së kontinentit evropian. Pothuaj një vit më vonë, më datë 3 tetor 1990, ky revolucion paqësor çoi në ribashkimin formal të dy shteteve gjermane.

Rënia e murit dhe ribashkimi i dy shteteve gjermane ishin momente historike. Megjithatë, momenti i ribashkimit ishte gjithashtu fillimi i një nga  projekteve më sfiduese që Gjermania e pasluftës kishte për të realizuar  – në nivelin politik, ekonomik dhe të shoqërisë. Standaredet  e jetesës dhe të pagave duhej të ngriteshin, kompanitë shtetërore u shndërruan në biznese private konkurruese, ndërsa njëkohësisht Gjermania e ribashkuar duhej të diskutonte si të adresojë padrejtësitë e një sistemi politik të ndërtuar mbi shtypje e që kishte shkaktuar aq shumë dhimbje.

25 vjet pas, ne kemi kaluar një rrugë të gjatë. Është rritur një gjeneratë e re që nuk ka njohur një Gjermani të ndarë. Megjithatë, edhe pas 25 vjetësh, projekti akoma nuk është përfunduar.

Zonja dhe Zotërinj

Atë që kemi arritur, ne nuk do të ja dilnim ta bënim pa mbështetjen e miqve dhe fqinjëve tanë, pa të qenit të përfshirë në Bashkimin Evropian, një bashkim që ka bërë të papërfytyrueshme luftën dhe ka sjellë prosperitet në një rajon të tërë. Një Gjermani e ribashkuar nuk do të gëzonte asnjëherë një stabilitet dhe prosperitet të tillë nëse nuk do të ishte për projektin evropian.

Nuk ka asnjë dyshim që sot, projekti evropian po përballet më një numër sfidash: menaxhimi i krizës së Eurozonës, luftimi i papunësisë tek të rinjtë në shumë vende evropiane dhe – natyrisht – përballja me dyndjen më të lartë të refugjatëve që Evropa ka hasur që nga tmerret e Luftës së Dytë botërore.

Vendimi i njerëzve  nga rajonet e dërmuara nga lufta dhe të prapambetura ekonomikisht për të ardhur në Gjermani dhe në vendet tjera të BE-së – shpesh përmes rrugëve të vështira dhe të rrezikshme- është një kompliment për vlerat evropiane dhe për shoqëritë tona në BE. Por kjo gjithashtu do të thotë, që ne kemi përgjegjësi të dyfishtë: nga njëra anë, ne duhet t’i trajtojmë njerëzisht të ikurit nga lufta dhe përndjekja politike, edhe nëse njerëzit kërkojnë strehim në numra më të mëdhenj se kurdoherë më parë; dhe nga ana tjetër, ne kemi një përgjegjësi të mbështesim  vendet e origjinës për të ndërtuar prespektiva për qytetarët e tyre në mënyrë që njerëzit në rend të parë të mos kenë arsye të ikin.

Zonja dhe Zotërinj,

Ashtu si edhe Gjermania, Kosova gjithashtu ka pasur një moment vendimtar në të kalaurën e afërt. Në vitin 2008 ky vend u bë i pavarur. Por shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte vetëm fillimi i një projekti sfidues: projekti i ndërtimit të një kombi multietnik ku njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe prosperitet. Për më tej, një projekt për ta bërë atë ekonomikisht të qëndrueshme.

Është arritur shumë në vitet e fundit. Sot, Kosova është një vend i sigurtë, i njohur nga mbi 100 shtete. Vetëm në disa muajt e fundit janë bërë hapa të rendësishëm përpara. Së pari, parlamenti mori vendimin për të krijuar Gjykatën Speciale, e cila do të hetojë krimet e supozuara gjatë kohës së konfliktit. Kjo është një arritje e rendësishme në procesin e ballafaqimit me të kaluarën. Gjithashtu, marrëveshjet aktuale të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë shënuar një hap thelbësor drejt një normalizimi të raporteve mes dy vendeve. Projekti evropian ka treguar se është e mundur  për armiqtë e dikurshëm që të krijojnë raporte të mira fqinjësore – edhepse kjo kërkon kohë dhe guxim politik.

Gjithsesi, demonstratat në fillim të këtij viti dhe vala e migrimit dimrin e kaluar tregojnë që Kosova akoma përballet me shumë sfida në të ofruarit e paqes dhe prosperitetit për qytetarët e saj. Progresi i rendësishëm i bërë në fushat e Gjykatës Speciale dhe procesit të normalizimit, lejon tani koncentrimin në zhvillimin ekonomik në masë më të theksuar se deri më parë.  Është thelbësore për qeverinë që të luftoj papunësinë e lartë, të tërheq investime të huaja dhe të investoj në arsim. Popullata e re e Kosovës mund të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për vendin, por për këtë rinia gjithashtu ka nevojë për mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mire. Pa prespektiva dhe garë të drejtë, edhe më shumë të rinj do të kërkojnë mundësi përtej kufijve të Kosovës.

Gjermania, BE-ja dhe vendet e tjera janë të përkushtuara ta mbështesin Kosovën. Procesi i Berlinit e dëshmon pikërisht këtë. Procesi është nisur vitin e kaluar nga kancelarja Merkel me një konferencë në Berlin dhe është vazhduar këtë vit me Konferencën e Ballkanit Përendimor në Vjenë. Megjithatë, e gjitha që ne mund të bëjmë është të mbështesim. Pronësia duhet të jetë në rajon dhe në vendet e saj veç e veç. Duke parë që janë marrë vendime të vështira si krijimi i Gjykatës Speciale dhe Marrëveshjet e Brukselit, jam e bindur që liderët e Kosovës do të tregojnë gjithashtu guxim politik kur është në pyetje ekonomia.

Ashtu si edhe sfidat ekonomike të ribashkimit gjerman, sfidat ekonomike të një Kosove të pavarur kërkojnë përpjekje kombëtare. Si qeveria ashtu edhe bizneset, shoqëria civile dhe qytetarët duhet të përfshihen në mënyrë aktive në proces. Gjermania do të vazhdojë të përkrah Kosovën dhe projektin e saj kombëtar. Duke punuar së bashku, ne mund të sigurojmë një të ardhme paqësore dhe prosperuese si një anëtare në një rajon të integruar të  Ballkanit Përendimor dhe në një Evropë të integruar.

Para përmbylljes së këtij fjalimi, ju lutem më lejoni të shpreh falenderimin tim për sponsorët e organizimit të sontëm: AHP Volkswagen, Ecotrade dhe ExProject.

Një falenderim i ngrohtë për korin muzikor të ushtrisë, të cilët hapen mbrëmjen me një performancë të shkëlqyer. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë që po luani sonte këtu, pavarësisht fluturimit nesër në orët e hershme për në Gjermani.

Gjithashtu dëshiroj të falenderoj personelin tim dhe restorantin Orchide për përkushtimin e tyre dhe punën e madhe që ne sonte bashkërisht të mund të kalojmë një mbrëmje të këndshme.

Kam kenaqësinë e madhe të thërras të ngrejmë një dolli për Presidenten e Republikës së Kosovës.

Himn

Për Presidenten!

***

FJALIMI I PRESIDENTES JAHJAGA NË 25 VJETORIN E DITËS SË UNITETIT GJERMAN

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
E nderuara Ambasadore Viets,

Zonja dhe Zotërinj,

Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe emrin tim personal më lejoni që t’ju uroj ju dhe popullit gjerman 25 vjetorin e Ditës së Unitetit Gjerman.

Që nga 3 tetori i vitit 1990, Gjermania shembi muret, theu kufijtë ideologjik dhe fizik. E bashkoi Evropën rreth vlerave dhe aspiratave të lirisë, të demokracisë dhe prosperitetit. Frymëzoi gjeneratat të tëra për t’i dhënë fund represionit dhe për t’u rimëkëmbur për të jetësuar idealet e lirisë.

Njëzet e pesë vjet më vonë, ky unitet historik mbetet po aq i rëndësishëm. Sot më shumë se kurrë na duhet një vizion i thyerjes së kufijve dhe shembjes së mureve. Na duhet që t’i rikthejmë idetë që bashkojnë popujt mbi parimet e demokracisë dhe bashkëpunimit.

Sepse, puna jonë e përbashkët, për një Evropë të bashkuar dhe në paqe, nuk ka përfunduar. E kjo punë e papërfunduar ndihet në Kosovë më shumë se kudo tjetër.

Ne jemi shumë krenarë për një lidhje të fortë partneriteti dhe miqësie që populli i Kosovës e gëzon me Gjermaninë. Jemi falënderues për roli që ju luajtët në ndalimin e gjenocidit në Kosovë, në stabilizimin e Kosovës përmes pranisë së ushtrisë tuaj paqeruajtëse.

Atëherë kur hapët dyert për refugjatët që po iknin nga lufta dhe skamja, dhe tash kur po i përkrahni institucionet e Kosovës në vënien e themeleve për një ekonomi stabile të Kosovës.

I kemi vënë shpresat tona në këmbënguljen tuaj që Ballkani Perëndimor të ecë drejt integrimit evropian dhe në vizionin tuaj që ky integrim do t’i sjellë BE-së vlerë të shtuar, ndërsa për rajonin paqe afatgjate.

E kam parasysh që ne na presin shumë obligime të pa përmbushura ende.  Por, ne jemi të përkushtuar që së bashku me partnerët tanë, me ju, ta jetësojmë vizionin për Kosovën e sundimit të ligjit, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe më së shumti vendit me perspektivë të qartë, ku qytetarët e tij shohin të ardhme.

Ju faleminderit për praninë tuaj të fuqishme në Kosovë, për partneritetin dhe miqësinë!

Gëzuar!

 

Filed Under: Rajon Tagged With: ambasadorja Viets, gjermania, kosova

Kosova me “autostradë” energjetike drejt Shqipërisë mbërrin te kufiri në Qafë Morinë

October 4, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Tetor 2015/ Në “autostradën” energjetike – linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare, këtë javë, me përfundimin e shtatorit, u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike dhe janë shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Kryeshefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT, Naim Bejtullahu, dhe ambasadori i Kroacisë në Prishtinë, Zoran Vodopija, gjatë një vizite në terren patën rastin që të shohin punimet në finalizimin e ngritjes së shtyllës së fundit elektrike, 239, në kuadër të projektit, mu pranë kufirit Kosovë-Shqipëri në Qafë Morinë.

“Me këtë tempo të punimeve pritet që ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri të finalizohet para afatit kontraktual”,  ka theksuar Bejtullahu.

Ambasadori Vodopija është shprehur shumë i kënaqur për realizimin e suksesshëm të punimeve dhe cilësinë nga ana e kompanisë kroate “Dalekovod”, e cila po zbaton projektin në pjesën e Kosovës.

Në Kosovë, fundi i nëntorit 2015 do të shënojë përfundimin e projektit të “autostradës” energjetike drejt Shqipërisë, ndërkohë që me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë në kuadër të projektit edhe sot e ditëve të fundit kishte shkyqje në disa linja lokale.

Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë “autostradën” energjetike, ka thënë kryeministri kosovar Isa Mustafa, në një konferencë për shtyp në muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.

“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: autostrada energjitike, Behlul Jashari, drejt Shqipërisë, kosova

Kosova, njohje ndërkombëtare në sistemin e transmisionit të energjisë

October 2, 2015 by dgreca

-Marrëveshja vendos kufirin elektrik mes Kosovës dhe Serbisë dhe i  jep fund ndërhyrjeve të Serbisë në sistemin e transmisionit të Kosovës/

  PRISHTINË, 2 Tetor 2015/ Pas  nënshkrimit të Marrëveshja për kyçje në mes të KOSTT, si Operator i Sistemit të Transmisionit (OST) të Republikës së Kosovës dhe ENTSO-së organizatë evropiane e përfaqësuar nga 30 OST të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, deklaroise Kosova arriti njohje ndërkombëtare në sistemin e transmisionit të energjisë. Ministrja Tahiri vlerësoi lartë arritjen e kësaj marrëveshje ndërkombëtare mes KOSTT dhe ENTSO-së duke theksuar se me këtë marrëveshje Kosova ka fituar njohje ndërkombëtare në sistemin e transmisionit të energjisë dhe është bërë zonë e mëvetme rregulluese në veprimtarinë e saj të transmisionit të energjisë. Me këtë marrëveshje Kosova ka arritur subjektivitet ndërkombëtar në fushën e transmisionit të energjisë dhe tash e tutje KOSTT do të jetë partner dhe zonë e mëvetme rregulluese në sistemin e rregullimit të transmisionit të energjisë në rajon. Kjo arritje e madhe në fushën e energjisë është rezultat i Dialogut të Brukselit përkatësisht i marrëveshjes për Energjinë e arritur më 8 shtator 2013 dhe marrëveshjes së 25 gusht 2015, me të cilën u hoqën pengesat e Serbisë  e cila kishte bllokuar Kosovën në këtë çështje, theksoi Tahiri.

 Marrëveshja për energjinë e vitit 2013 kishte paraparë heqjen e pengesave të Serbisë ndaj avancimeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës në fushën e energjisë. Mirëpo, Serbia për dy vite me radhë kishte bllokuar njohjen e Kosovës si subjekt ndërkombëtar në fushën e transmisionit pranë organizatës evropiane ENTSO-S. Pas arritjes së marrëveshjes për zhbllokimin e kësaj pengese me 25 gusht 2015 në Bruksel, Serbia më në fund ka hequr pengesat politike dhe ka ndalur obstruksionet në këtë proces, theksoi ajo. Këto arritje janë në frymën e Traktatit të Komunitetit për Energjinë për Evropën Juglindore ku Kosova ka dëshmuar kapacitete shtetërore përmes KOSTT i cili ka avancuar punën e vet sipas standardeve evropiane. 

 Marrëveshja në fjalë vendos kufirin elektrik mes Kosovës dhe Serbisë dhe i  jep fund ndërhyrjeve të Serbisë në sistemin e transmisionit të Kosovës. Efektet pra janë politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe se KOSTT tash e tutje do të operojë si sistem i transmisionit të Kosovës sinkron me Sistemin Evropian të Transmetimit të energjisë elektrike./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Edita Tahiri, kosova, ne sistemin e energjise, njohje nderkombetare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT