• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në Panairin e Ushqimit në Nju Jork-“Summer Fancy Food Show”

June 29, 2015 by dgreca

Nga: Behlul Jashari/

Kosova dhe produktet ushqimore të saj po prezantohen për herë të parë në panairin më të madh të ushqimit “Summer Fancy Food Show” që mbahet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 28 deri më 30 qershor. Gjashtë kompani prodhuese kosovare (Fluidi, Frutomania, Pestova, Korporata Rugove, Liri dhe Fungo) me rreth 100 lloje të produkteve cilësore janë në mesin e 2500 prodhuesve nga mbi 40 shtete të botës në një ngjarje të përmasave ndërkombëtare që gjatë tre ditëve pritet të tërheqë mbi 25000 vizitorë të regjistruar.

“Ky panair paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e produkteve kosovare përtej oqeanit dhe anembanë botës, ndërsa vetë pjesëmarrja e shtetit më të ri në botë në këtë panair ka zgjuar kërshërinë e vizitorëve të shumtë, të cilët kanë pasur vlerësime pozitive për cilësinë e produkteve kosovare”, deklaroi sot Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Prezantimi i Kosovës në panair po bëhet nën organizimin e Oda Ekonomike Amerikane dhe me mbështetje të Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht të Agjencisë për Përkrahjen e Investimeve dhe Ndërmarrjeve të Kosovës, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, New York, panair ushqimor

KOSOVA PA GJYKATEN SPECIALE

June 27, 2015 by dgreca

Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi Gjykatën Speciale/Nga: Behlul Jashari/

PRISHTINË, 26 Qershor.-Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës, krijimin e Gjykatës Speciale. Për miratim duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.Pasdite e sotme ka rinisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pati ballafaqime gjatë debatit pro e kundër propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës dhe Gjykatës Speciale, e ndërprerë pas mesdite për të riflluar në orën 15:00. Në deklarime, dy forcat më të mëdha politike të koalicionit qeverisës që kanë 68 deputetë u shprehën pro, e tre të opozitës me gjithësej 31 deputetë kundër, ndërsa grupet parlamentare të komuniteteve pakicë nuk u deklaruan. Pa grup parlamentar janë 5 deputetë, 4 shqiptarë e 1 serb.

Në debatin që po vazhdin pasdite në Kuvendin e Kosovës, deputetja e partisë më të madhe të koalicionit qeverisë, PDK, Ganimete Musliu u deklarua kundër Gjykatës Speciale. “Unë do t’i them jo kësaj gjykate sot”, tha ajo pasi përkujtoi masakrat e forcave serbe në Kosovë. Edhe deputeti tjetër i PDK, Nait Hasani duke përkujtuar mes tjarash masakrën e forcave serbe në burgun e Dubravës u shpreh kundër Speciales dhe propozoi që votimi të jetë i fshehtë.

Para saj, deputeti i VV-së, Ilir Deda duke u deklaruar kundër tha se “sot është ditë e rëndë për Kuvendin e Kosovën”, ndërsa theksoi alternativën që vetë Kosova të formojë në ved, e jo jashtë, Gjykatën Speciale për krime lufte.

Para deputetit të fundit në listën e gjatë të diskutuesëve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli duke marrë pjesë në debatin pa kufizim në kohë tha se ai do të votojë pro sepse, “Gjykatën Speciale nuk mund ta ndalim me çfarëdo votimi sot”.

Albin Kurti i VV-së, ishte deputeti i fundit në debatin e sotëm në Kuvendin e Kosovës me ritheksim të qëndrimit kundër Speciales të grupit të tij parlamentar më të madh opozitar 16 anëtarësh. “Kush mendon për Kosovën nuk ia bën asaj Gjykatën”, u shpreh ai.

Në fund zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi foli si lider i partisë më të madhe, fituese e gjashtë palë zgjedhjeve në Kosovë, si e theksoi ai. “Çdo herë që kemi ndërmarrë veprime jo të lehta ka dalë një sukses më madhor për Kosovën”, theksoi Thaçi duke u shprehur pro votimit të propozim-amendamentit kushtetues. Ai theksoi suksesin e Kosovës me 111 njohje të pavarësisë nga shtetet anëtare të OKB-së. Ish-kryetari i VV-së, Kurti e deputeti i Nisma-s, Zafir Berisha, polemizuan me Thaçin, ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi që mos të vazhdohet me diskutime dhe të kalohet në votim. “Mendoj që mosvotimi i Gjykatës Speciale sot, që besoj se është vullneti i deputetëve ashtu, është një vendim i këtij parlamenti, ne i marrim përgjegjësitë, jemi deputetë  dhe na presin detyra tjera që nga e nesërmja”, tha Haradinaj.

Në vazhdim u diskutua për menyrën e votimit, pas propozimit të deputetit të PDK-së Nait Hasani që votimi të jetë i fshehtë, gjatë të cilit kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se nuk do marrin fare pjesë në votim, meqë  spas tij do ishte shkelje e Kushtetutës pjesëmarrja në votim ndryshimin kushtetues për Specialen. Me shumicë votash u vendos që votimi të jetë i hapur.

Shqyrtimi i Propozim-Amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i propozuar nga qeveria, ishte sot pika e vetme e axhendës së seancës së nisur, me mbi gjysëm ore vonesë, të Kuvendit kosovar drejt krijimit të Gjykatës Speciale.

Fillimisht, në Kuvend foli kryeministri Isa Mustafa, i cili ftoi të gjithë deputetët për të votuar Propozim-Amendamentin. Seanca plenare e Kuvendit ishte parashikuar për në orën 10:00, e një orë më herët është mbledhur Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila pritej të rimblidhej gjatë ditës.

Ndërsa opozita po kërkonte largimin e forcave policore nga Kuvendi dhe pyeste “pse keni bërë këtë shtetrrethim të Parlamentit të Republikës së Kosovës”.

“Forca shtesë nuk ka në Kuvend”, tha kryeparlamentari Kadri Veseli, ata janë jashtë ndërtesës së Kuvendit dhe kjo është çështje e Ministrisë së Brendshme, tha Veseli.

“Unë kisha kërkuar publikisht që as në oborrin e Kuvendit të mos ketë forca shtesë policore”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Në vijim folën përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Kryetarët e grupeve Parlamentare të partive të koalicionit qeverisës, Shaip Grabovci-PDK e Ismet Beqiri-LDK, u shprehën pro votimit të propozim-amendamentit, ndërsa opozita, duke nisur me kryetarin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, shprehen kundër. “Një gjykatë ku gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk do ta votoja edhe po ta dija që kjo do ta shkaktonte fundin e botës”, u shpreh ai.

Në emër të grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lideri i kësaj partie, deputeti Ramush Haradinaj, ritheksoi qëndrimin kundër. Kjo gjykatë, sipas Haradinajt, nuk ka të bëjë me individë, por me tërë Kosovën

Po ashtu kundër u rishpreh Nisma për Kosovën – deputetja Valdete Bajrami.

Kështu të tre partitë opozitare unanimisht u shprehën kundër. Ndërsa, grupi parlamentar i Lista Srpska nuk u paraqit për diskutim dhe qëndrimin e saj. Po ashtu nuk u paraqit grupi parlamentar i komuniteteve tjera pakicë Gjashtë Plus.

Në vazhdim, zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, ritheksoi qëndrimin pro duke theksuar se “ne duhet të mos e harrojmë të kaluarën dhe të mbrojmë të vërtetën”. Kuvendi vazhdoi seancën me diskutimet e deputeteve.

Kuvendit të Kosovës i është dërguar si informatë Projektligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligji për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, pas miratimit unanim të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë në mledhjen ne qeverisë së Kosovës në 19 qershor.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, theksoi se nuk bëhet fjalë për shqyrtim të miratimit të Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por është informim me përmbajtjen e tij për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai bëri të diur se projektligji “është hartuar krejtësisht nga BE-ja dhe ka filluar me themelimin e grupit teknik nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar që të shqyrtohet legjislacioni i pranuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

“Ky është draft që nuk ka më hapësirë për negocim nga ekipi i ekspertëve”, tha ministri Kuçi, duke theksuar se, “është menduar që me përmbajtjen të njoftohet qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe më pastaj me procedura të rregullta edhe kushtetuese, edhe me rregullore të Kuvendit por edhe atë të qeverisë, të merren vendimet e duhura”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se, “përgjigja përfundimtare, edhe e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë se ky është teksti i fundit në të cilin nuk ka hapësirë që të bëhen ndryshime”.

Ai ka vlerësuar se, një kontribut i madh i grupit kosovar të ekspertëve ka qenë heqja e fjalës dhe shprehjes gjenocid nga teksti i ligjit, të cilën e ka përmbajtur në versionin e mëparshëm dhe përshtatja e ligjit me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto fusha.

“Ne kemi aprovuar në qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për këto ndryshime është dhënë mendim pozitiv edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ndryshimet kushtetuese dhe Ligji për Dhomat e Veçanta janë rrjedhojë e letërkëmbimit të Presidentes së Republikës së Kosovës me Baroneshën Ashton, që është bërë vitin e kaluar, dhe e Ligjit mbi ratifikimin e këtij letërkëmbimi që ka aprovuar Kuvendi i Kosovës me votat e mbi dy të tretat e deputetëve ”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Po ashtu ai ka bërë të ditur se nuk ka asgjë të re në përmbajtjen e këtyre ligjeve dhe amendamenteve që nuk ka qenë pjesë e zotimit përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës se do të përmbushen detyrimet ndaj kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për vënien e drejtësisë së plotë, duke konsideruar se edhe ky do të jetë një kontribut i Kosovës në këtë aspekt.

“Ritheksoj se as ndryshimet kushtetuese dhe as ky ligj nuk ka të bëjë fare me kontestimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne do të mundohemi dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që të afirmojmë dhe t’i ruajmë vlerat e UÇK-së. Por, çështja është që të zbardhet drejtësia për dyshimet ndaj individëve të caktuar, për të cilët askush nga ne nuk e di se kush janë dhe kush do të jenë, sepse janë çështje që drejtësia duhet t’i zbardhë në një proces të plotë të drejtësisë. Prndaj, unë propozoj që ne t’ia dërgojmë Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë fazë si informim dhe në momentin kur bëhet aprovimi i ndryshimeve të Kushtetutës, me vendim të qeverisë, projektligjet marrin formën për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Edhe zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ka shprehur vlerësimin më të lartë për punën që ka bërë grupi punues, në krye me ministrin e Drejtësisë, Kuçi.
“Vlerësoj se, në veçanti pas tërheqjes së çështjes apo termit gjenocid që ka qenë e përfshirë në propozimet e para, ne, si qeveri e pranojmë këtë informatë për ta dërguar edhe si ekip qeveritar.  Është me interes që të pranojmë për t’ia dërguar si informatë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, është shprehur ai.

Gjithashtu, ka vijuar Thaçi, duke marrë parasysh edhe kultivimin e raporteve tona me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me këtë proces ne evitojmë edhe pretendimin e kundërshtarëve të pavarësisë që kjo çështje të shkojë në Këshill të Sigurimit.

“Prandaj, mendoj se tërheqja e termit gjenocid, domosdoshmëria e themelimit të kësaj gjykate, obligimet që dalin nga letërkëmbimi i Presidentes Jahjaga me Baroneshën Ashton, i vitit të kaluar, gjithashtu përgjegjësitë tona që kemi karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe obligimet ndërkombëtare dhe duke u nisur edhe prej vizionit për të ardhmen evropiane dhe perëndimore të Republikës së Kosovës, mendoj se tani ky Projektligj e lehtëson orientimin, përcaktimin dhe votimin edhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për votim pro”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.

Po ashtu, ai shprehu besimin që edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik, në kuptimin e dërgimit të mesazhit të konsensusit qytetar, në të njëjtën kohë.

“Prandaj, vlerësoj se do të ishte mirë dhe me interes që gjithë kabineti qeveritar në mënyrë unike, t’i japë këtë mbështetje punës së grupit punues dhe natyrisht jo vetëm si partnerë të koalicionit, por shpresoj që në një bazë edhe më të gjerë politike do të kemi një mbështetje edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tërë ky proces ka kaluar nëpër një proces të një pune të përbashkët të të gjithëve, gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, të luftës së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe të ruajtjes dhe kultivimit të plotë të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian”, theksoi zëvendëskryeministri Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli,  ka deklaruar djee themelimin e Gjykatës Speciale e konsideron si një sfidë tjetër të vështirë, me të cilën është duke u përballur Kosova në javët dhe muajt e fundit, por që duhet të dalë e fituar.

Kreu i Kuvendit ka theksuar se, “Kosova duhet ta tejkalojë këtë sfidë me racionalitet dhe pjekuri politike e historike, dhe nuk bën assesi që të dalë e humbur nga kjo sfidë”.

“Kosova duhet të dalë e fituar dhe faqebardhë. Që kjo të ndodhë, ne duhet të ngrihemi mbi emocionet tona individuale dhe të veprojmë me arsyen shtetërore. Në të njëjtën kohë, na duhet të ruajmë të palënduar partneritetin me botën perëndimore, me të cilën i kemi arritur të gjitha sukseset historike të Kosovës, çlirimin, pavarësinë, konsolidimin e shtetit. Përveç këtij partneriteti, ne nuk kemi rrugë tjetër të ecjes përpara. Vizioni euroatlantik është zgjedhja jonë finale”, ka thënë kryetari i Kuvendit kosovar,  Veseli.

Ai ka folur kështu dje në Prishtinë në Konferencën e Tretë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës,  para seancës se sotme të Kuvendit kosovar.

Opozita kosovare dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së edhe me protesta, që janë paralajmëruar edhe për sot, janë shprehur kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Drejt projektligjit për Gjykatën Speciale, “shqyrtimi i propozim-amendamentit nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga qeveria e Republikës së Kosovës”, ishte pika e vetme e rendit të ditës në seancën e 29 majit, por u shty (me 78 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime) me propozimin e koalicionit qeverisës. “Në mungesë të materialeve nuk ofrohet mundësia për deputetët për të parë se çfarë do të votojnë dhe meqë draftligji pritet të kthehet nga Brukseli, ne propozojmë që të shtyhet mbledhja, derisa të kemi materialet e nevojshme për analizim për këtë çështje”, u tha me atë rast  nga pozita.

Ndërsa, opozita tha se kishte “vetëm dy alternativa të mundshme: Gjykata Speciale ose nuk duhet të vijë fare në Kuvendin e Republikës së Kosovës ose do të duhej të shtyhej deri në pafundësi”.

Duke nisur nga ora kur ishte ftuar seanca plenare, e edhe në  17 qershor, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, me mbështetje edhe nga opozita, zhvilluan protesa kundër miratimit të Gjykatës Speciale, para ndërtesës së Kuvendit dhe të qeverisë së Kosovës, ndërsa paralajmëruan protesta të tjera.

Për miratimin e propozim-amendamentit duheshin dy të tretat e votave të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë ato të komuniteteve pakicë që përfaqësohen me 20 deputetë.

Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentim po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.

Një ditë para seancës së Kuvendit, dy parti opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën kanë bërë deklarata në mbështetje të protestës së thirrur nga veteranët e UÇK-së për sot nga ora 09:30 në Sheshin Skënderbeu, pranë qeverisë dhe Kuvendit, për të kundërshtuar votimin e Gjykatës Speciale.

“Sot, në Kuvendin e Kosovës do të synohet ndryshimi i Kushtetutës, në dëm të Republikës. Kosovës po i imponohet një sistem paralel i drejtësisë, një gjykatë diferencuese në baza etnike që synon ndryshimin e të vërtetës mbi luftën çlirimtare të popullit të Kosovës”, deklaron Vetëvendosje, sipas së cilës,  “Republika që nuk po mbrohet nga pushteti, duhet të mbrohet nga qytetarët”.

Nisma për Kosovën  ka deklaruar se, “konsideron se vet kërkesa për themelimin e Gjykatës Speciale e cila do t’i ndjek krimet e pretenduara mbi baza etnike e jo krimet e luftës të kryera në Kosovë është një pretendim i pa shembullt”. Po ashtu, “konsideron se ndryshimet kushtetuese që po i përgatiten Kosovës rrënojnë sovranitetin e vendit”.

Shqyrtimi i Propozim-Amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga qeveria, është sot pika e vetme e axhendës së Kuvendit kosovar drejt krijimit të Gjykatës Speciale.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behelul Jashari, GJYKATA SPECIALE, kosova

Kosova, notë verbale Sllovenisë, për kthimin e Haradinajt

June 19, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 19 Qershor.- Republika e Kosovës i ka dërguar notë verbale Republikës së Sllovenisë. Përmes kësaj note verbale, Kosova i ka shpjeguar autoriteteve sllovene, se Haradinaj ka qenë me mision special diplomatik dhe zyrtarisht ka kërkuar që t’i kthehet menjëherë pasaporta diplomatike, duke u thirrur në Konventën e Vjenës.

Kjo është bërë e ditur për mediat sllovene nga vet Ministria e Jashtme e Sllovenisë. “Ministria e Jashtme për STA shpjegoi se sot ka marrë një notë verbale të Ambasadës së Kosovës në të cilën pala e Kosovës shpreh shqetësimin e saj dhe pakënaqësitë me paraburgimin e Ramush Haradinajt në Slloveni”, shkruan portali STA.

Kjo notë verbale, sipas autoriteteve sllovene, i është përcjellë edhe Gjykatës së Qarkut në Kranj. /KosovaPress/

Filed Under: Kronike Tagged With: kosova, note, Sllovenise

Rivarrimi i Isa Boletinit, Kosova “vishet” me flamuj për Heroin Kombëtar

June 3, 2015 by dgreca

Ministri i FSK-së, Haki Demolli ka thënë se me rastin e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini më 10 qershor të gjitha qytetet e Kosovës do të dekorohen me flamuj kombëtar dhe ata shtetërorë.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli, gjatë mbledhjes së sotme të ekzekutivit ka shpjeguar në detaje se si do të bëhet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini në Boletin të Zveçanit duke thënë se pjesa kryesore e saj do të bëhet në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.
Sipas Demollit, më 10 qershor të gjitha qytetet e Kosovës do të dekorohen me flamuj kombëtar dhe ata shtetërorë,
Ministri i FSK-së ka bërë me dije se për sigurinë e ceremonisë do të përkujdeset policia e Kosovës dhe KFOR.
Ndërkohë qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka akorduar 50 mijë euro për rivarrimin e heroit kombëtar Isa Boletini.

Filed Under: Kronike Tagged With: Isa Boletini, kosova, Rivarrimi

Kosova pret rekomandime pozitive për liberalizimin e vizave

June 3, 2015 by dgreca

Kosova pret rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me kriteret e përcaktuara për liberalizmin e vizave Schengen për qytetarët e Kosovës.
Ministria për Integrime Evropian në qevrerinë e Kosovës ka përmbyllur tashmë raportin e dytë ku përfshihet përmbushja e kritereve evropiane të përcaktuara nga misioni vlerësues i Bashkimit Evropian.
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë dokument janë përfshirë aspektet teknike dhe pakot ligjore të domosdoshme për këtë proces.
Tani, Çollaku pret që Bashkimi Evropian t’i ndërmarrë veprimet e veta, ku ndër të tjera përfshihet dërgimi i një misioni të ri vlerësues në Kosovë.
“Pastaj, bazuar në të gjeturat e këtij misioni vlerësues do të bëhet një raport tjetër nga ana e Komisionit Evropian, i cili do të shqyrtohet nga Komisioni Evropian dhe normalisht nga shtetet anëtare dhe më pastaj do të shohim se cilët do të jenë hapat pasues”.
“Ne presim që misioni vlerësues i Bashkimit Evropian të bëjë një vlerësim korrekt, meritor të punës që është bërë në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe bazuar mbi këtë meritë ne pastaj të marrim edhe një rekomandim pozitiv nga ana e Komisionit Evropian”, ka thënë Çollaku.
Ministri Çollaku pret që procedurat që do të aplikojë Brukseli për këtë rast, të përmbyllen deri në fund të këtij viti.
Megjithatë, zyrtarë të Bashkimit Evropian, përveç kritereve teknike në shumë raste kanë përmendur edhe çështje tjera që ndërlidhen me reformat në administratë apo edhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Shefi i sektorit të politikës, ekonomisë dhe integrimit evropian në Zyrën e Bashkimin Evropian, Thomas Gnocchi ka thënë se Kosova po hyn në fazën përfundimtare sa i përket liberalizimit të vizave, por sipas tij, kriza gjashtëmujore politike si dhe ajo e migrimit ilegal kanë ndikuar shumë negativisht, sa i përket udhëtimit të kosovarëve në vendet e BE-së pa viza.
“Para së gjithash është paragrafi numër tre, rendi publik ligjor dhe siguria, ku ka më së shumti rekomandime, e të cilat mendoj se ndërlidhen me adresimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Gnocchi.
Por, ministri Bekim Çollaku, thotë në anën tjetër se reformat apo edhe çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit nuk mund të përmbyllen me përmbushjen e kritereve teknike për liberalizim të vizave, ngase ato do të vazhdojnë tutje si një angazhim i përhershëm ngjashëm me shtetet tjera.
“Çështjet tjera që ndërlidhen me reformat dhe me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë çështje që nuk përmbyllen me procesin e liberalizimit të vizave. Ato janë çështje permanente që do ta përcjellin Kosovën jo vetëm deri në momentin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, mirëpo edhe më tutje”, ka theksuar ministri Çollaku.
“Është bërë punë e madhe në ndërmarrjen e reformave të ndryshme si në drejtësi, administratë publike, në ekonomi e sektor të ndryshëm, por këto reforma nuk kanë përfunduar. Ato janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë në të ardhmen. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit’, ka thënë Çollaku.
Pritjet e institucioneve të Kosovës janë që nga mesi i vitit 2016 qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq në rast se Brukseli vendos kritere shtesë, atëherë kjo besohet se do ta shtynte këtë proces dhe këtë pritje për të paktën edhe një vit tjetër.(Zijadin GASHI)

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, liberalizimi, vizat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT