• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi, vazhdojnë bisedimet në Bruksel

September 27, 2015 by dgreca

-Fokusi i bisedimeve është vlerësimi i gjendjes në zbatimin e disa prej marrëveshjeve ku janë shënuar ngecje dhe zgjidhjet e mundshme/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 27 Shtator 2015/ Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga  ministrja për Dialog, Edita Tahiri, sot udhëton drejt Brukselit, për të marrë pjesë në raundin e radhës së bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, mes Kosovës e Serbisë.

Fokusi i bisedimeve është vlerësimi i gjendjes në zbatimin e disa prej marrëveshjeve ku janë shënuar ngecje dhe zgjidhjet e mundshme, ndërsa temat kryesore do të jenë liria e lëvizjes,  marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, kthimi i dokumenteve kadastrale dhe funksionimi i zyrave ndërlidhëse.

Në takimin për çështjen e diplomave universitare do të marrë pjesë edhe ministri për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Arsim Bajrami.

 Në këto takime, qeveria e Republikës së Kosovës do të paraqes qëndrimet e saj për problemet e krijuara nga Serbia në zbatimin e marrëveshjeve në fjalë si dhe do të kërkojë përshpejtimin dhe zbatimin e plotë dhe cilësor të këtyre marrëveshjeve duke theksuar rolin e Bashkimit Evropian si mjaft të rëndësishëm për konsolidimin dhe progresin e këtij procesi.

Takimet do të mbahen në 28 dhe 29 shtator 2015. Për secilën nga temat që do të bisedohen, opinioni do të njoftohet për rrjedhat dhe rezultatet e bisedimeve, paralajmërohet në njoftimin e dërguar nga qeveria e Kosovës.

Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë në nivel të lartë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa të 28-in në 25 gusht 2015. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bisedimet, Kosove-Serbi, ne Bruksel, vazhdojnë

Kosovë-Serbi, raundi 28-të, arrihet marrëveshje për katër çështjet

August 25, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Gusht 2015/Kosova dhe Serbia arritën marrveshje për katër çështjet sot në Bruksel. “Marrveshja është arritur dhe është nënshkruar para pak çastesh, përfshinë katër segmentet më të rëndëishme për të cilat kemi dikutuar edhe më herët”, deklaroi pak më parë nga Brukseli zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi. Kjo bëhet e ditur edhe nga deklarata të delegacionit të Beogradit.
Kryeministrat e Kosovës e Serbisë janë takuar në raundin e 28-të, të pestin të Isa Mustafës e Aleksandar Vuçiçit, të tretin për katër çështje: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini fillimisht takoi veçmas kryeministrin kosovar Mustafa, pastaj kryeministrin serb Vuçiç, për të vazhduar me takimin e përbashkët trilateral, si edhe në raundet e kaluara.
“Mund të them lirisht se të gjitha marrëveshjet, me përgjegjësi të plotë e theksoj, janë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e ligjet e Republikës së Kosovës, gjithashtu në përputhshmëri me standardet evropiane”, theksoi Thaçi në një intervistë televizive nga Brukseli pak më parë.
Shefja e diplomacisë evropiane, Federcia Mogehreni, ka njoftuar për arritjen e katër marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Katër marrëveshjet e nënshkruara pas një dite të gjatë në dialogun me Serbisë dhe Kosovës. Arritje historike në procesin e normalizimit”, ka thënë ajo në profilin e saj në Tëitter, cituar nga media.
Ende nuk bëhen të ditura detajet e këtyre marrëveshjeve.

Filed Under: Rajon Tagged With: arrihet marrëveshje, Kosove-Serbi, për katër çështjet, raundi 28-të

Kosovë-Serbi, raundi i 28-të bisedime të vështira

August 25, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari PRISHTINË, 25 Gusht 2015/ Bisedime të vështira po zhvillohen sot në raundin e 28-të kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel, sipas burimeve të Beogradit.
Bisedimet kanë filluar para mëse 10 orësh, por ende nuk ka njoftime për takim të përbashkët të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa e kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësuesen, Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila krerët e dy qeverive i ka pritur në takime të ndara.
“Dialogu i Beogradit e Prishtinës po vazhdon dhe në qendër të vëmendjes janë katër tema – energjetika, telekomi, Bashkësia e komunave serbe dhe lëvizja e lirë nëpër urën në Mitrovicë”, citohet Ketrin Rej, zëdhënsja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, cituar nga media serbe.
Ndersa, Suzana Vasiljeviç, këshilltarja për media e kryeministrit të Serbisë, në Tviter ka shkruar se kanë nisur negociatat në Brukse dhe se janë duke u zhvilluar konsultime të delegacionit serb.
“Bisedime të vështira” për “4 çëshje kyçe: Bashkësia e komunave serbe, energjetika, ura dhe telekomunikacioni”, citohet një anëtar i delegacionit të Beogradit.
“Krijimi i një korridori territorial është jashtëzakonisht problematik”, shprehet kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka qenë ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa në Bruksel po negociohet Asociacioni-Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërkohë, zhvillohen “konsultime të delegacionit serb në Bruksel”, bënin të ditur burime të Beogradit, derisa po zhvillohej raundi i 28-të kryeministror i dialogut Kosovë-Serbi.
Këshilltarja për media e kryeministrit të Serbisë në Tviter ka postuar një foto me anëtarë të delegacionit të Serbisë të kryeministrit Aleksandar Vuçiçi, i cili ka takuar Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pas takimit që ajo ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa, në mbledhjen e qeverisë pas kthimit nga raundi i 27-të deklaronte se në dialogun me Serbinë në Bruksel “temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
Nga delegacioni i Kosovës nuk ka ende konfirmim të ndonjë marrveshje, ndërsa sipas medias serbe, deri tash është dakorduar zgjidhja për telekomin, ndërsa deri në fund të këtij raundi pritet të arrihet paketa e marrëveshjeve, që përfshinë edhe Bashkësinë e komunave serbe, energjetikën dhe urën e lumit Ibër në Mitrovicë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, bisedime të vështira, Kosove-Serbi, raundi i 28-të

Kosovë-Serbi, në Bruksel nesër raundi 28-të kryeministror, sot takim në nivel teknik

August 24, 2015 by dgreca

-Mustafa: Asociacioni i komunave me shumicë serbe asnjë përgjegjësi ekzekutive/ Thaçi: Shpresoj marrëveshje të rëndësishme/ Vuçiç do mbajë sot në Beograd një konferencë shtypi/
-Katër temat: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Gusht 2015/Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë udhëtojnë për në Bruksel, ku nesër zhvillohet raundi i 28-të i nivelit të lartë kryeministror, para të cilit sot mbahet një takim në nivel teknik.
Në tavolinë bisedimesh të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç përsëri do jenë katër çështje të diskutuara edhe në dy raundet e kaluara, në 23 dhe në 29-30 qershor: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas deklaratave në qeverinë e Kosovës, për Asociacionin e komunave janë përafruar qëndrimet, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, për kodin telefonik marrëveshja është e përfunduar praktikisht, ndërsa çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me urën mbi Ibër nuk janë përfunduar dhe kanë mbetur që të diskutohen në vijim.
Qëndrimi që ka prezantuar Kosova në raundin e 27-të kryeministror në Bruksel është që të bëhen përpjekje që këto katër marrëveshje të përfundohen dhe që si pako të realizohen, duke e nënshkruar secila veç e veç.
“Është vazhduar të punohet edhe gjatë kësaj periudhe me Brukselin, po më tepër në nivel teknik, sa i përket përafrimit të disa zgjidhjeve lidhur me Asociacionin e komunave, ka akoma çështje të hapura, dhe ne do të mundohemi që të gjitha këto çështje t’i përafrojmë”, është shprehur kryeministri Mustafa në konferencën e fundit për shtyp në Prishtinë, këtë muaj, duke iu përgjigjur interesimit të medias.
“Kur flitet për përafrimin, ne insitojmë në ate dhe do të qëndrojmë në mënyrë konsekuente që Asociacioni të mos ketë asnjë përgjegjësi ekzekutive dhe të mos jetë pushtet i tretë në Kosovë. Po, të gjendet mënyra se si Asociacioni do të përkrahë, do të ndihmojë zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor edhe zhvillimin tjetër të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar kryeministri kosovar, Mustafa.
Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Vuçiç, do mbajë sot në Beograd një konferencë shtypi, bën të ditur media serbe, e cila nuk paralajmëron ndonjë temë të veçantë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në 21 gusht, ku ishte edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka shprehur shpresën se në Bruksel, në raundin e nesërm të 28-të në nivel të lartë të kryeministrave, do ketë marrëveshje.
“Unë sot dëgjova disa fjalë mjaft të ashpra nga z. Daçiç. Unë e kuptoj se ai është në një fushatë zgjedhore dhe mund të ketë nevojë të përdorë një gjuhë nacionaliste, por Dialogu me Serbinë ka vazhduar dhe po vazhdon të sigurojë normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të integrimit evropian. Javën e ardhshme ne do të takohemi përsëri në Bruksel dhe unë shpresoj se ne do të biem dakord për të mbyllur pakon e marrëveshjeve të rëndësishme”, ka thënë Thaçi të premtën e javës së kaluar në KS të OKB.
Marrëveshja e parë për telekomin, ka shtuar ai, do të sigurojë që Kosova të marrë kodin e pavarur telefonik ndërkombëtar. “Kjo do t’i sjellë vendit miliona euro, sepse deri tani kemi përdorur kodet e Monakos, Serbisë dhe të Sllovenisë”, ka thënë Thaçi.
Marrëveshja e dytë për energjinë, ka vijuar ai, ka për qëllim për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë sistemit paralel të shpërndarjes së energjisë në veri të Kosovës, sistem ky i vendosur paligjshëm nga Serbia. “Ligji i Kosovës do të mbizotërojë dhe do të jetësojë krijimin e një tregu konkurrues të shpërndarjes në të gjithë territorin e Kosovës dhe tatimet përfundimisht do t’u paguhen autoriteteve financiare të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.
Kryediplomati i Kosovës ka thënë më tej se, marrëveshja e tretë do të sigurojë që barrikada e vendosur në veri, e ashtuquajtur “Parku i Paqes”, nuk do të pengojë më lirinë e lëvizjes.
“Marrëveshja e katërt pritet të krijojë një shoqatë të paraparë me Planin e Ahtisarit: Asociacionin e komunave serbe. Unë ju siguroj, zoti President, se ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Ne kemi decentralizuar shumë nivelin komunal dhe ky nivel do të mbetet baza e demokracisë sonë qytetare”, ka thënë Thaçi.
Ne, ka theksuar ai, shpresojmë të nënshkruajmë këto marrëveshje javën e ardhshme në mënyrë që udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor të mund të takohen në Vjenë, në samitin e ardhshëm të vendeve tona në kontekstin e “Procesit të Berlinit”.
“Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen dhe do të diskutojnë format praktike të bashkëpunimit, qoftë përmes investimeve të përbashkëta infrastrukturore, shkëmbimeve të të rinjve apo edhe demarkacionit të kufijve tanë”, ka thënë Thaçi.
Kosova, ka vijuar ai, do të luajë një rol në disa procese të rëndësishme dhe do të promovojë me Serbinë një autostradë të re që lidh Serbinë me bregdetin shqiptar dhe malazez nëpërmjet autostradës së Kosovës. “Projekti i ashtuquajtur Prishtinë-Nish do të lidhë pjesë të rëndësishme të Ballkanit”, është shprehur Thaçi për autostradën nga kryeqyteti i Kosovës në qytetin jugor të Serbisë.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 27 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Filed Under: Rajon Tagged With: Bisedimet, kater prioritete, Kosove-Serbi

Kosovë-Serbi, në Bruksel për katër çështje edhe raundi i 28-të kryeministror

August 20, 2015 by dgreca

-Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë kërkuar që gjatë takimit të ardhshëm të arrihet marrëveshja për formimin e bashkësisë së komunave serbe. Tahiri: Formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk lidhet me afate/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 20 Gusht 2015/ Kosova dhe Serbia, javën e ardhshme në 25 gusht në Bruksel, në raundin e 28-të të nivelit të lartë kryeministror përsëri do kenë në tavolinë bisedimesh katër çështje të diskutuara edhe në dy raundet e kaluara: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodin telefonik, energjinë dhe urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas deklaratave në qeverinë e Kosovës, për Asociacionin e komunave janë përafruar qëndrimet, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, për kodin telefonik marrëveshja është e përfunduar praktikisht, ndërsa çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me urën mbi Ibër nuk janë përfunduar dhe kanë mbetur që të diskutohen në vijim.
“Ne kemi prezantuar qëndrimin tonë, që jemi për atë që të bëjmë përpjekje që këto katër marrëveshje t’i përfundojmë, dhe që si pako t’i realizojmë, natyrisht duke e nënshkruar secilën veç e veç”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë, pas kthimit nga raundi i 27-të në Bruksel.
Kreu i qeverisë së Kosovës këtë e ka ritheksuar edhe në konferencën për shtyp javën e kaluar, duke u përgjigjur në interesimet e gazetarëve, ku ka bërë të ditur se një ditë para takimit me kryeministrin e Serbisë do zhvillohet në Bruksel edhe një takim në nivel teknik në 24 gusht.
“Është vazhduar të punohet edhe gjatë kësaj periudhe me Brukselin, po më tepër në nivel teknik, sa i përket përafrimit të disa zgjidhjeve lidhur me Asociacionin e komunave, ka akoma çështje të hapura, dhe ne do të mundohemi që të gjitha këto çështje t’i përafrojmë”, është shprehur Mustafa të enjten e para një jave në konferencë shtypi.
“Kur flitet për përafrimin, ne insitojmë në ate dhe do të qëndrojmë në mënyrë konsekuente që Asociacioni të mos ketë asnjë përgjegjësi ekzekutive dhe të mos jetë pushtet i tretë në Kosovë. Po, të gjendet mënyra se si Asociacioni do të përkrahë, do të ndihmojë zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor edhe zhvillimin tjetër të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar kryeministri kosovar, Mustafa.
Në 30 qershor njoftohej se, nuk është arritur asnjë marrëveshje finale në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel të raundit të 27-të në nivel të lartë kryeministror, të nisura një ditë më parë në mëngjes, e të përfunduara pas mesnate.
“Pas 16 orësh të punës ne i finalizuam dy tekste të dy marrëveshjeve – në parimet e krijimit të Asociacionit/Komunitetit me shumicë serbe në komunat e Kosovës, dhe për zbatimin e marrëveshjeve në fushën e telekomit. Marrëveshja finale politike muk ka mundur të arrihet. Tash ne do të reflektojmë në hapat e ardhshëm”, theksohej në deklaratën e ndërmjetësueses, përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Edhe në këtë raund, të 27-tin, Kosova dhe Serbia, me delegacionet e udhëhequra nga kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç kanë zhvilluar dialogun për të njëjtat tema si në 23 qershor në raundin e 26-të.
Në 8 korrik, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri i Mustafa ka thënë se në dialogun me Serbinë në Bruksel“temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
Bashkësia e komunave serbe në Kosovë, renditej e para nga katër temat. Media në Serbi ka renditur të dytën energjetikën, të tretën telekomunikacionin dhe të katërtën “Parkun e paqes” siç e quajnë barrikadën në urën kryesore mbi lumin Ibër të qytetit të Mitrovicës, që ndanë veriun me shumicë serbe nga jugu me shumicë shqiptare.
Çështja e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk lidhet me afate kohore, deklaron ministrja për Dialogun në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.
“Tani jemi duke diskutuar për parimet themelore mbi të cilat duhet të themelohet asociacioni. Për këtë ka pasur një përparim, por bisedimet do të vazhdojnë në takimet e radhës që janë më 24 gusht në nivelin teknik dhe më 25 gusht në nivelin e kryeministrave të ndërmjetësuar nga Mogherini”, thotë ajo.
Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë në një komunikatë të përbashkët drejtuar qeverive në Prishtinë dhe Beograd kanë kërkuar që gjatë takimit të ardhshëm, në kuadër të dialogut politik në Bruksel, të arrijnë marrëveshjen për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
Ministrja kosovare Tahiri ka thënë se, si do të shkojnë proceset kjo nuk mund të kufizohet me data e me afate.
“Prandaj, kërkesat e komunave serbe që kanë dalë nuk mund të kenë ndonjë ndikim sepse negociatat kanë një rrjedh të vetën dhe ne si qeveri e Republikës së Kosovës do të jemi të angazhuar për të arritur marrëveshje”, ka thënë ministrja e Dialogut, e cituar sot nga shtypi kosovar.
Ajo është shprehur e bindur se asociacioni komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë. “Ne kemi thënë që nga fillimi, qëndrimi i qeverisë së Kosovës është i qartë se asociacioni do të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës, ashtu siç e thotë edhe marrëveshja e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve. Pra, jemi të prerë, ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, është shprehur Tahiri.
Por, sipas subjektit politik më të madh opozitar kosovar, Lëvizjes Vetëvendosje, me Asociacionin komunave me shumicë serbe “Kosova po shkon drejt Bosnjes”. “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përgatiten për kundërshtim të fuqishëm të kompromiseve që po bëhen në Bruksel, pasiqë nuk ka më dyshim që vetëm përmes organizimit qytetar do të arrijmë ta mbrojmë shtetin tonë nga defunksonalizimi dhe ndarja etnike”, shprehej VV në një deklaratë.
Në Bruksel, kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 27 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Takimi i parë kryeministror në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik Kosovë-Serbi, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
Marrëveshja 15 pikëshe për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar para mëse dy vitesh, në 19 prill 2013, nga Thaçi e Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton, në 6 pikat e para ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë:
“1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen.
2. Bashkësia/Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).
3. Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues iAsociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.
4. Në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi në gjendje të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë/Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
5. Asociacion/Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
6. Bashkësia/Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues”.
Në Kosovë, Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Serbi, kryeministror, në Bruksel për katër çështje edhe raundi i 28-të

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT