• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVË-SERBI, TAKIM NË UASHINGTON NË 2 SHTATOR 2020

August 14, 2020 by dgreca

I Dërguari i Posaçëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell: Ne jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, në 2 Shtator për të biseduar/

-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi: Mirëpres takimin në Shtëpinë e Bardhë për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi falënderues për dedikimin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon/

-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti:  SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Më 2 Shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 14 Gusht 2020/ Kosova dhe Serbia do të takohen në 2 Shtator 2020 në Uashington, ku sipas deklaratave sot në Prishtinë,  temë e diskutimit do të jetë ekonomia.

I Dërguari i Posaçëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e ka paralajmëruar takimin:

“Ne jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, në 2 Shtator për të biseduar”.

Pas këtij njoftimi të Emisarit Amerikan, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot është shprehur: “Mirëpres takimin në Shtëpinë e Bardhë për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi falënderues për dedikimin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi:

 “SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Më 2 Shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit.
Kosova është e bekuar me miqtë që ka”.

Një takim Kosovë-Serbi në Uashington në Shtëpinë e Bardhë ishte paralajmëruar më herët për në në 27 Qershor 2020. Por, Presidenti  Thaçi  ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës ndaj tij, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti deklaroi në 25 Qershor 2020 se, “për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën”.
Kryeministri i Kosovës bënte të ditur se e ka njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 Qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar 16 Korrik 2020 në Bruksel, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit  2018.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012  në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.

Nga Brukseli është njoftuar se nikoqir i takimit Kosovë-Serbi ishte Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës Hoti në deklaratën pas takimit me Presidentin e Serbisë Vuçiç ka konfirmuar se një nga temat e diskutimit sot në Bruksel ishte edhe çështja e të zhdukurve të luftës në Kosovë,  të përfunduar para më shumë se 21 viteve.

Në 21 Korrik 2020 në një njoftim të dërguar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës  theksohej:

“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”.

Në 4 Gusht 2020, Koordinatori Hyseni derisa ndodhej në SHBA, ku ka pasur disa takime me zyrtarë amerikanë,  njoftonte:

 “Sot në pamundësi të takimit në Uashington (Ambasadori Grenell ishte në Kaliforni) pata një bisedë të gjatë telefonike me Ambasadorin Richard Grenell, i Dërguar i Posaçëm i Presidentit Trump.
Bisedën e përqendruam në aspekte të veçanta të zhvilimeve në Kosovë dhe rajon. Ambasadori Grenell mbetet i përkushtuar dhe i angazhuar fuqishëm rreth dialogut Kosovë – Serbi, i cili duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë. Normalizimi i raporteve përmes zhvillimit ekonomik dhe mbështetja e projekteve investive mbeten në fokus të agjendës dhe përkushtimit të Ambasadorit Grenell”.

JANAR 2020: I DËRGUARI I PRESIDENTIT AMERIKAN TAKIME NË KOSOVË

Në 22 e 23 Janar 2020 i Dërguari i Posaçëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell zhvilloi takime në Prishtinë, prej ku shkoj edhe në Beograd.

Në 9 Tetor 2019 njoftohej se Përfaqësuesi Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell do mbërrinte në Prishtinë pak ditë pas emërimit.

Në 4 Tetor 2019, në një kumtesë dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë bëhej e ditur se “Presidenti Donald J. Trump ka shprehur sot qëllimin e tij për të emëruar këtë individ në një post kyç në administratën e tij:

 Richard Grenell nga Kalifornia, që të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si Ambassador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë.

Richard A. Grenell ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga 8 maji i vitit 2018. Z. Grenell është shkrimtar dhe komentues i politikës së jashtme, dhe ka themeluar firmën ndërkombëtare konsultuese Capitol Media Partners në vitin 2010. Për gati dy dekada ai ka shërbyer si këshilltar kryesor për komunikime për zyrtarët publikë në nivelin federal, shtetëror, lokal dhe ndërkombëtar, si dhe për kompanitë të ranguara në Fortune 200. Z. Grenell është personi që ka shërbyer më së gjati si zëdhënës i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara (2001 – 2008), dhe gjatë kësaj kohe ai ka punuar për katër ambasadorë. Ai ka diplomuar në Evangel University dhe ka magjistruar në fushën e administratës publike në Fakultetin e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit.”

Po në 4 Tetor 2019,  Presidenca e Kosovës në një  komunikatë të dërguar theksonte se, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka realizuar një bisedë telefonike me Ambasadorin Richard Grenel të cilin  Presidenti Donald Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kishte emëruar të dërguar special për negociatat paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 Presidenti Thaçi ka mirëpritur emërimin e Ambasadorit Grenell si i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi si dhe rolin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

“Emërimi juaj shton konfidencën dhe besimin tonë në këtë proces dhe në mundësinë për të arritur një marrëveshje të paqes, përfundimtare, me Serbinë”, është shprehur Presidenti Thaçi në këtë bisedë telefonike. “Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, theksonte Presidenti Thaçi.

Filed Under: Featured Tagged With: 2 Shtator, Kosove-Serbi, takimi ne Washington

KUR SERBIA HUMBI GJYQIN ME KOSOVËN NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË

July 22, 2020 by dgreca

17 Shkurt 2008, Kosova u shpall Shtet i Pavarur.

-Para 10 viteve, në 22 Korrik 2010, Kosova doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008/

Gjykata Nderkombetare.

Kalandar-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

Korrespondenti i gazetes Dielli ne Kosove gazetari Behlul Jashari me ish Ministrin e Jashtem te Kosoves ne ate Kohe, z. Skender Hyseni.

PRISHTINË, 22 Korrik 2020/ Para 10 vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Para 10 viteve, atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

DEKLARA E PAVARESISE SE KOSOVES.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

ME BEOGRADIN NUK DO TË KETË BISEDIME PËR STATUSIN E KOSOVËS, NDARJE APO SHKËMBIM TERRITORESH

SONY DSC

-Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në ditën e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)  para 10 viteve: Marrëdhëniet e mira me Serbinë, interes i përbashkët për integrim në BE e NATO/

Hyseni me Kryeminsitrin e sotshem Avdullah Hoti.

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) tregoi qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor, deklaronte ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar para 10 vitesh për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. “Opinioni këshilldhëns i GJND-së, tregoi qartë se pavarësia e Kosovës, nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hyseni, në intervistë telefonike nga Haga.

Ministri Hyseni në 22 Korrik 2010 ishte i pranishëm kur GJND dha mendimin këshillimor në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh në favor të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i GJND-së Hiasashio Ovada deklaroi se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se, “ne e dimë që Kosova dhe Serbia e kanë të ardhmen e tyre në BE dhe NATO, e për këtë arsye marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të domosdoshme”. Ai nënvizoi se “këtë fakt, e kemi përcaktuar qartë prej kohësh, tani është në dorën e Serbisë që të tregohet në nivelin e përgjegjësive të duhura”.

 Hyseni vuri në dukje se “nga vendimi i GJND-së, nuk ka asgjë që do të mund linte mundësi sado të vogla që të hidheshin dilema rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Ministri pohoi se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi varet ekskluzivisht nga Serbia. “Kemi shprehur vullnetin për raporte të mira fqinjësore me Serbinë, sikurse i kemi ndërtuar me të gjithë fqinjët e tjerë por ky rast është interes i përbashkët”, tha ai.

 Hyseni rithekson faktin se me Beogradin nuk do të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ndarje apo shkëmbim territoresh, ide rreth të cilave është spekuluar muajt e fundit. “Kosova dhe Serbia janë fqinjë të përhershëm dhe si të tillë, sot apo nesër, pas një kohe apo pas shumë kohësh, do duhet të bisedojnë për çështje të natyrës praktike që i lidhin këto vende të pavarura dhe sovrane”, tha Hyseni.

Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni, u shpreh i sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën pasi ka një numër vendesh që janë zotuar për këtë ndërsa u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende, e veçanërisht atyre vendeve që kanë pritur opinionin këshilldhënës të GJND-së, që ta bëjnë këtë sa më parë.

Kosova shpalli pavarësinë në 17 Shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga 69 shtete, theksohej në fund të intervistës së 22 Korrikut 2010.

Ndërsa, deri tani – 10 vjet pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Kosova është njohur nga 116 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

SKENDER HYSENI U EMËRUA KOORDINATOR SHTETËROR PËR DIALOG

Zyra e Kryeministrit të Kosovës në një komunikatë dje, në 21 Korrik 2020, bëri të ditur: Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog.

 GJITHMONË ISHIM DHE VAZHDOJMË TË JEMI NË TË DREJTËN TONË!

Shkruan: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi 

Sot u bënë 10 vjet kur u vulos përfundimisht subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të ri të Kosovës. Ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran. Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë! 

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

  • Per me shume fotografi shko ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Serbi, Ne Gjykaten Nderkombetare, Para 10 vitesh

Kosovë-Serbi, takim në Bruksel pas 20 muajsh

July 16, 2020 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Hoti pas takimit të sotëm me Presidentin e Serbisë Vuçiç në Bruksel: Njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi. Me kërkesën tonë, dy temat e takimit ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike/

 PRISHTINË, 16 Korrik 2020- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar sot në Bruksel, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit  2018.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012  në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.

Nga Brukseli është njoftuar se nikoqir i takimit të sotëm Kosovë-Serbi ishte Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës Hoti në deklaratën pas takimit me Presidentin e Serbisë Vuçiç ka konfirmuar se një nga temat e diskutimit sot në Bruksel ishte edhe çështja e të zhdukurve të luftës në Kosovë,  të përfunduar para më shumë se 21 viteve.

Deklarata e plotë e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është kjo:

Pas 20 muajsh, sot e rifilluam procesin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi.

Me kërkesën tonë, dy temat e takimit të parë ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Për ne tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme. Jemi të vendosur që çështja e të pagjeturve të mbyllet sa më shpejt, sepse ndjejmë obligim moral ndaj familjeve të tyre.

Destinacioni i Kosovës është integrimi euro-atlantik. Dialogu nuk ka alternativë. Me mbështetjen e miqve do të arrijmë qëllimin tonë, sepse është në interes të Kosovës dhe Serbisë, në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe në interes të BE-së dhe SHBA-së.

Gjatë këtij procesi të vështirë, ne besojmë plotësisht në miqtë tanë ndërkombëtarë, siç kemi besuar në të kaluarën kur ata e mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove-Serbi, takimi pas 20 muaj

KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL

July 12, 2020 by dgreca

SPECIALE E GAZETES”DIELLI”: KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL/

-Dialogu rifilloi sot, në 12 korrik, përmes një videokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/

Beograd, 12. jula 2020. – Predsednik Republike Srbije Aleksandar Vucic ucestvuje na video-konferenciji Dijalog Beograda i Pristine pod pokroviteljstvom Evropske unije, kojom predsedava visoki predstavnik Evropske unije za spoljne poslove i bezbednosnu politiku Zozep Borel. FOTO TANJUG/ INSTAGRAM “BUDUCNOSTSRBIJEAV”/ an, fotografija niske rezolucije

-Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018/

-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/

-Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 12 Korrik 2020/ Kosova dhe Serbia rifillojnë dialogun në Bruksel, sot përmes njëvideokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimit virtual sotka bërë të ditur se palët janë pajtuar edhe për axhendën e takimit të radhës të enjten e javës së ardhëshme në Bruksel.

 “Ne sapo përfunduam takimin virtual mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Hoti. Kam kënaqësinë të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është kthyer në binarë pas 20 muajsh”, ka thënë Lajçak.

Ai ka shtuar se, “si rezultat i takimi të sotëm jemi pajtuar për elementet kryesore të procesit”.

“Jemi pajtuar poashtu për axhendën e takimit të radhës i cili do të zhvillohet në Bruksel të enjten që vjen me pjesëmarrjen personale. Dua të falënderoj të dyja palët për angazhimin e tyre konstruktiv sot”, ka thënë Lajçak, citon Koha në raportimin e korrespondentit në Bruksel.

Korrespondenti i Gazetës DIELLI në Kosovë në vazhdimësi ka raportuar për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, nga raundi në raund, që nga fillimi:

Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018, i cili, siç u deklarua atëherë  ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 qershor, ndërsa i dyti në 18 korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 shkurt 2008.

Takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 korrik e të katërtit në 24 qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

DATAT E TË GJITHA TAKIMEVE TË NIVELIT TË LARTË KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor

Raundi 20 – në 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 shkurt

Raundi 25 – në 21 prill

Raundi 26 – në 23 qershor

Raundi 27 – në 29 qershor

Raundi 28 –  në 25 gusht

Raundi 29 – në 13 tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi – Nikoliç -2 takime

-1 shkurt

-24 janar

Thaçi – Vuçiç

-3 korrik

-31 gusht

Viti 2018:

-23 mars

-24 qershor

-18 korrik 

-7 shtator  (vetëm takime të ndara me Mogherinin)

-8 nëntor 

Viti 2020:

Hoti -Vuçiç

12 korrik (takim virtual)

16 korrik (pritet takimi në Bruksel)

KOSOVA, NË DIALOG PËR NNJOHJE NGA SERBIA – TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA

Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.

Këto theksoshen në fjalimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti të mbajtur në10 korrik 2020 në konferencën virtuale të Samitit të Parisit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në10 korrik nga ora 10:30, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.

“Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hoti në një konferencë shtypi këtë javë në Prishtinë.

PRESIDENTI THAÇI TË HËNËN DO TË UDHËTOJË PËR NË HAGË I FTUAR NGA SPECIALJA PËR INTERVISTIM

 Në 8 korrik 2020 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Duke njoftuar këtë Presidenti Thaçi shkruante:

“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.

Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.

Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!

Zoti e bekoftë Kosovën!”.

Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku  përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së,  Kadri Veseli.

 “Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Filed Under: Politike Tagged With: dialogu ne Bruksel, Hoti, Kosove-Serbi, Lajcek

KADARE: JO RISHIKIMIT TE KUFIJEVE KOSOVE-SERBI

September 13, 2018 by dgreca

Ismail Kadare kundër rishikimit të kufijve Kosovë-Serbi: Do të cenonte paqen në Ballkan/1-ok-kadare-300x212

Ne Foto: Shkrimtari Kadare me rsh Presidenten e Kosoves Atifete Jahjaga gjate nderimit te tij/

-Shkrimtari i njohur Ismail Kadare shprehet kundër rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se një lëvizje e tillë do të cenonte stabilitetin në Ballkan./

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare shprehet kundër rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se një lëvizje e tillë do të cenonte stabilitetin në Ballkan. “Gjithsesi duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit te Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqiptaret dhe serbet dialog e marrëveshje po në Bruksel, por asesi në dem të sovranitetit te Kosovës! Askush s’ka te drejte, Serbia hic e me hic, te cenoj integritetin territorial te Republikës së Kosovës. Reciprocitet mes Veriut dhe Luginës së Preshevës meqë këta te fundit nuk janë rehat. Nisur nga historia, vuajtjet e popullit të Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Europës. Çdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë….’

Më pas, duke komentuar situatën e nxehtë në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, Kadare, thekson se, “situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Prandaj, po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…” – thekson shkrimtari i madh.

Ndërkaq, sa i përket vizitave të kreut të shtetit serb në Kosovë, Kadare thotë se, “ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”. Ndërkaq, në këndvështrimin se si e sheh Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan pas një shekulli te shtetit shqiptar vjet pas pavarësisë, Kadare ne  thekson se ndihet i kënaqur, duke pohuar se “kombi ynë në përgjithësi ka arritur shumë suksese, sidomos dekadën e fundit, në çdo sferë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset e tjera të Ballkanit, me përjashtim te Krahinës së Preshevës të cilit  trevat i kemi keq. Por, kjo nuk do të thotë të ndalemi këtu. Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë. Sepse shqiptarët sot gjenden në kulmin e zhvillimeve dhe ata janë në rrugë të mbarë”. “Përfaqësuesit e popullit tonë, dhe jo vetëm këta, por të gjithë ne bashkërisht: shkrimtarë, intelektualë, rinia, meqë gjendemi para një sërë sfidash, na presin edhe shumë detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e kombit tonë, ndaj nuk duhet ndalur së punuari, duhet vazhduar misioni ynë për zhvillimin e kombit tonë, për një të ardhme edhe më të mirë dhe të sigurt e orientuar drejt Europës”, ka thëne ne fund Kadare. (Kortezi- Presheva Jone)

Filed Under: Featured Tagged With: Ismail Kadare, Kosove-Serbi, Kufijeve, kundershton, rishikimin

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 13
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT