Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës/
Association of former Political Prisoners of Kosova/
Deklaratë për media/
Për hetim ndërkombëtar të vrasjeve të dyshuara, në burgun e Shkupit/
Shoqata e ish të burgosurve politikë e Kosovës shpreh sërish indinjatën e anëtarësisë së saj si dhe të opinionit të gjerë, lidhur me pasojat e tragjedisë së shkaktuar nga haranga e fundit e formacioneve politiko-ushtarake të Maqedonisë, në lagjen shqiptare të Kumanovës,që rezultoi me dhjetëra të vrarë e të plagosur,me qindra të dëbuar nga shtëpitë e tyre të granatuara e të shkrumuara dhe me një popullatë të tërë të tmerruar e të traumatizuar.
Idiniatën e madhe e shtojnë edhe më shumë dyshimet e bazuara, të konfirmuar edhe nga videoinçizimet e publikuara dhe obduksioni i kryer i të vrarëve,sipas të cilave një numër i viktimave janë ekzekutuar ose mbytur në torturë,pas dorëzimit dhe arrestimit të tyre, gjë që përbën shkelje të rëndë të dispozitave të Deklaratës Universale të OKB – së për të Drejtat e Njeriut, Konventës evropiane të Drejta e të njeriut dhe protokoleve përkatëse kunder krimit të torturës, nënshkruese e së cilave është edhe Republika e Maqedonisë.
Duke qenë edhe vetë objekt i dikurshëm i burgosjes dhe torturës shoviniste,ish të burgosurit politikë, kërkojnë zbardhjen dhe publikimin e gjithë të vërtetës për masakrën e Kumanovës dhe ngrenë zërin kundër dhunës së ushtruar brutale dhe terrorit shtetëror,veçmas kundër popullatës civile, qytetarëve të pafajshëm dhe atyre të dorëzuar e të prangosur. Cilado që të jetë e vërteta ajo nuk mund ta justifikojë në asnjë mënyrë brutalitetin dhe barbarinë që pati si bilans aq jetë të humbura në të dy anët,aq shumë plagosje e lëndime dhe aq shkatërrime e dëmë materiale e shoqërore.
Shoqata e ish të burgosurve politikë kërkon me ngulm hetim të specializuar, të pavarur dhe objektiv ndërkombëtar, vecanërisht për dyshimet e bazuara për mbytje të të burgosurve në torturë, pas dorëzimit dhe arrestimit të tyre, në kundershtim flagrant më aktet universale të të drejtave të njeriut.
Shoqata fton qendrat ndërkombëtare të vendosjes, organizatat ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe mekanizmat ndërkombëtarë të paqendërtimit, që të angazhohen në konstatimin e shkaqeve të vërteta që prodhojnë situatata të tilla të mbarsura më konflikte e rreziqe të mëdha dhe të fokusohen veçmas, në skanimin gjendjes së papabartë të popullatës shqiptare në Maqedoni dhe të politikave të padrejta e diskriminuese e luftënxitëse, që ndiqen në vijimësi dhe sidomos tashi, kur kreu politik i maqedonisë është përfshirë nga një krize e rëndë politke dhe është mbërthyer në darët e forta të influencave të rrezikshme revanshiste gjeostrategjike, dhe mbi këtë bazë, të shqyrtojnë nevojen e ndërmarrjes e pashtyeshme të masave përkatëse të diplomacisë preventive,në funksion të parandalimit të eskalimit të situatës së tensionuar në Maqedoni dhe më gjerë.
Eliminimi i shkaqeve është mënyra më e mirë për eliminimin e pasojave, përsëritjen e tragjedive si ajo në Lagjen e trimave në Kumanovë dhe ndërtimin e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në interes të secilit popull veç e veç dhe të të gjithëve, bashkërisht, në familjen evropiane.
Prishtinë, Për Kryesinë e Shoqatës
Maj 2015 Hydajet Hyseni ( kryetar)
Unioni Global i Bizneseve Shqiptare në Diasporë i gatshm për investime në Kosovë e Shqipëri
Nga Prishtina Beqir Sina/
Biznesmenët dhe afaristët shqiptarë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës, që të përkushtohen edhe më shumë për t’i krijuar hapësirë dhe ambient për investime në vendin e tyre, diasporës për të treguar edhe një her vetn e tyre ashtu si në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës/
PRISHTINË,.- Unioni Global i bizneseve shqiptare në Diasporë, prej ditës së mërkur, ka nisur një forum ekonomik katër ditor – me takimet vjetore, të cilat filluan në Prishtinë – “Sëis Diamond Hotel”, dhe mbyllen sot e shtunë në Tiranë, në shënimin e përvjetorit të parë të formimit të këtij unioni.
Në këto takime që llogariten të jenë më të mëdhat, që prej themelimit, morën pjesë 17 kryetarët e rrjeteve të unioneve shqiptare në botë dhe biznesmenë shqiptarë të dalluar me veprimtarinë e tyre në diasporë.
Gjatë ditës së djeshme kryetarët e rrjeteve të unionit shqiptar formuan platformën e Unionit Global,duke e votuar atë së bashku me statutin e saj, si dhe i përcaktuan rregullat e funksionimit të unionit. Nga ky takim u vendos që edhe për një vit kryetar i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare, të mbetet biznesmeni i njohur shqiptarë në Dallas- SHBA, zoti Nazar Mehmeti, dhe nëkryetar zoti Elmi Berisha nga Nju Jorku, si dhe Ismet Sjmali sekretar i përgjithsëhm.
Ndërsa, me këtë rast Nju Jorku, u zgjodh vendi mikpritës ku do të mbahet vitin e ardhshëm takimi i dytë i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës shqiptare.
Gjatë, këtyre katër ditëve biznesmenët e dalluar shqiptarë në botë, diskutuan në frymën e mirëkuptimit mbi modalitetet e të bërit biznes në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe treguan përvojat e tyre të suksesit në biznes në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Forumin katërditor ekonomik, për çdo ditë me profesonalizëm dhe përkushtim të madh e ka udhëhequr zoti Naim Deduashaj, i cili në pozitën e Drejtorit të Investimeve të Diasporës, është edhe ideator dhe krijuesi i organizimit të këtij Rrjeti të Bizneseve Shqiptare në Diasporë.
Ky forum, u shpreh në fillim të fjalës së tij, zoti Dedushaj, është një shëmbull konkret se si të ndihmohet zhvillimi i vendeve tona respektivisht Kosova dhe Shqipëria nga Diaspora shqiptare, nëpër botë, e cila ka dhën një kontribut të jashtzakonisht të madh në shërbim të kombit shqiptar. “Ne sot, tha ai ndihemi krenar që në mesin tonë kemi së bashku me ne janë edhe disa afaristë dhe veprimtarë të dalluar të diasporës, tonë, nga Europa, Australia dhe SHBA, të cilët kurr nuk u ndalën duke punuar për çështjen Shqiptare, e në veçanti për Kosovën – duke qenë edhe pjesë e fuqishme e luftës për liri dhe e realizimit të pavarësisë së Kosovë”.
I gjithë forumi, është moderuar gjatë këtyre ditëve nga sekretari i përgjithshëm i këtij unioni, z. Ismet Smajli, biznesmen shqiptar nga Amerika, dhe kordinatori për Europë, zoti Yll Blakaj nën kryetar për Europën, pjestar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, e cili është edhe meritori mbasi ka mundësuar takimin vjetor, që u mbajt këto ditë në Prishtinë dhe Tiranë.
Në forumin ekonomik të mbajtur sot, me temën “Përmirësimi i Ambientit për investimet nga investitorët e diasporës në Kosovë”, ky uninon ka kërkuar para Kryeministrit të Kosovës zotit Isa Mustafa dhe anëtarëve të kabinetit të tij pjesëmarrës në këtë forum, ndihmën e institucioneve për të investuar në Kosovë.
Ku edhe krerët e institucioneve, të Kosovës, fuqishëm u premtuan atyre ambient të sigurt për investime, dhe të gjitha lehtësirat e të bërit biznes.
Madje, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u zotua se Qeveria, që ai udhëheq do t’i krijoj kushtet për gjithë investitorët e diasporës kosovare të vijnë dhe të investojnë në vendin e tyre.
“Ardhja juaj këtu dhe investimet tuaja në Kosovë nuk janë të njëjta si investimet e tjera, sepse këtu kthehen njerëzit tanë, kthehen ata që e njohin mentalitetin, që e njohin kulturën, që dëshirojnë t’i ndihmojnë vendit të tyre dhe të cilët së bashku me kapitalin sjellin edhe dijen dhe përvojat që i nevojiten Kosovës. Po ashtu vlerësojmë remitencat që keni sjellë në Kosovë, pasi përmes jush ne kemi mbuluar shumë nga nevojat tona”, tha Mustafa.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, shtoi se ata kanë aprovuar një program qeveritar në të cilin janë munduar që të krijojnë një ambient të përshtatshëm për biznesin nga dispora.
Ndërsa, presidenti i Rrjetit të Biznesit të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti tha se ky është takimi i dytë i këtij rrjeti mes shqiptarëve në diasporë, por është një fillim i i mbarë dhe i madh, mbasi si u shpreh ai “Dita e bukur duket qysh në mëngjes” tha kreu i këtij unioni.
Edhe biznesmeni Lazim Destani, kërkoi që të shfrytëzojnë këtë sinergji ekonomike për zhvillimin e përgjithshëm të trojeve shqiptare.
Lazim Destani duke shprehur edhe një herë kënaqësin dhe përshëndetur me këtë rast këto takime , si kryetar nderi I këtij Unioni, ai tha se ndihesh krenar dhe I nderuar për të qenë pjesë e këtij forumi I cili nga aspekti ekonomik me të drejtë mund të quhet – struktura më e fuqishme në trojet tona etnike. “ Le ta shfrytëzojmë këtë sinenrgji të madhe ekonomike të diasporës për zhvillimin e përgjithshëm të trojeve tona” bëri thirrje në fillim të fjalës së tij biznesmeni I fuqishëm shqiptar nga Maqedonia , presidenti I kompanisë Ecolog, dhe kryetar nderi I Rrjetit të Biznesmenëve nga Diaspora, duke shtuar se “Në ktë format, ne jemi partneri me adresë më revalante për autoritetet dhe insitucionet tona për të koordinuar dhe hapur rrugët për investime dhe biznese në këto troje”.
Më tej në fjalën e tij zoti Destani ishte edhe pak kritik, ndaj institucioneve shqiptare -liderve shqiptar të cilët I “thumbojë paksa jo drejtëpërdrejt.
“Mbasi ne ia dalim, tha presidenti I kompanisë Ecolog, zoti Destani, të jemi konkurues madje në SHBA, Europë, Kanada, e gjithë andej, ku konkurenca është shumë më e madhe se në Ballkan, kurse këndej akoma hasim në vështërsi dhe barrier të natyrave të ndryshme”.
Më tej Destani ceku faktin se afaristët dhe biznesmenët shqiptarë në diasporë, nuk kërkojnë asgjë më tepër, se gjithë andej nëpër botë, thjesht që të investojnë në këto troje, ku akoma simbas tij importojmë shumëçka – kur ne dimë dhe kemi resourse t’I prodhojme dhe bejmë vetë, më lirë dhe më mirë.
“Nëse nëpër botë ia kemi dalë pyeti ai atëhere pse jo në viset tona jo? Të bashkuar në biznese dhe investime, le të ndertojmë të ardhmen tonë të përbashkët, le të investojmë për pasardhësit tanë . këtë të gjithë , ne dhe ju ua kemi borxh atyre dhe vatanit” përfundojë fjalën përshëndetëse, Presidenti I nderit I Unionit Global të biznesve Shqiptare në Diasporë.
Në kryetari I Përgjithshëm I këtij Unioni, zoti Elmi Berisha, biznesmen I sukseshëm , dhe veprimtar I dalluar I komunitetit shqiptar në SHBA, solli një përshëndetje të zjarrtë të të gjithë afaristëve dhe biznesmenëve të shqiptarëve të Amerikës, kryesishtë në zonën e ashtuquajtur të “Tri-Shteshtit”.
Gjatë gjithë kësaj kohe, u shpreh zoti Berisha që Kosova ka qenë e lirë, dhe, besojë, se nuk ka qenë ndonjëher më e përshtashme se sa tani për të investuar nga ne të gjithë, dhe të japim edhe kontributin tonë në zhvillimin e përparimin e saj. Nga që mendojë se erdhi, edhe koha që të bien brengat, dhe të bien disa barriera, duke dal në pah dëshira dhe mundësit e mërgatës shqiptare, nën udhëheqejen e qeverisë tuaj- zoti Kryeministër Mustafa
“Mbasi, tha ai ashtu si e përmendet edhe ju zoti Kryeministër, diaspora shqiptare gjatë gjithë historisë së saj ka luajtur një rolë historic, duke filluar qysh nga koha e formimit të shtetit shqiptarë, me Vatranët, dhe më tutje, deri në ditët e sotme, ku edhe lufta heroike e armatosur, u suportua dhe ndihmua shumë nga diaspora shqiptare, . Shqiptarët në diasporë, krijuan mundësi të reja kur erdhi fjala deri tek lufta për liri dhe pavarësinë e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve të nëpërkëmbura në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Çamëri, ku edhe ju e lideri historik Rugova, ishit pjesë e sistemit paralel atëhere”
Më tej zoti Berisha tha se :”Megjithëse, në Kosovë gjatë çlirimit të saj dhe pavarësisë situata e saj ka pasur lëvizje të ndryshme, të cilat mund të pohohet se mbas viti 2001 sikur ranë pak, kryesishët ishte ajo diaspora shqiptare dhe ajo në SHBA, dhe Europë, e cila e riktheu besimin, duke e rigjallëruar jetën e përditëshme në Kosovë e në të gjitha trojet shqiptare, ku një meritë të veçantë sot i jepet edhe afaristëve dhe biznesmenëve shqiptarë, veprimtarëve të dalluar të saj – në vendin mik Ii madh i shqiptarëve, pra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së fundi , duke ju drejtaur edhe Kryeministrit dhe anëtareve të kabinetit qeveritar nënkryetari I Rrjetit të Biznesve Shqiptare në Botë, zoti Elmi Berisha , tha se: “Më lejoni që duke shprehur besimin se kjo qeveri dhe ky kabinet qeveritar, ky lider, do të na ofrojë më të mirën, të gjithëve ne, për të ardhur dhe investuar në Kosovë dhe të ndihmojmë edhe ne ne në zhvillimin e saj – jam më se i bindur; se edhe një herë, duke besuar edhe në mundësit tona , në dedikim tonë moral , njerëzor dhe kombëtar, ekonomik dhe poliitik, diaspora shqiptare, veprimtarët e saj, afarustët dhe biznesmenët, do të bëjnë më të mirën për Kosovën” Por, zot Kryeministër, Mustafa, dhe ju qeveritar vetëm na jepni një shancë dhe na “hapni rrugët”, se mëpastaj jemi ne vet, që do ta tregojëm siç e kemi treguar vetveten për atë se çfarë mundet dhe do të bëjmë për Kosovën dhe zhvillimin e saj “
Mbështetje bizneseve kosovare në botë, u dha edhe nga ministri i Diasporës Valon Murati, i cili shoqërojë delegatët e unionit edhe në takimet e tyre në Istog, u tha atyre se do të bëjnë përpjekje që të ndryshojnë ambientin për investime.
Gjatë prezantimit të tij para të pranishmëve ministri i Diasporës Valon Murati potencoi se rrjetëzimi i diasporës e posaçërisht rrjetëzimi i bizneseve shqiptare të diasporës është një prej projekteve më të rëndësishme të realizuara nga ministria që ai udhëheq.
Ai gjithashtu foli edhe për mekanizmat që është duke i krijuar Qeveria e Kosovës për të kanalizuar remitancat e dërguara nga Diaspora në investime direkte dhe zhvillim ekonomik të vendit, duke tentuar që këto remitanca nga konsumi të drejtohen drejtë investimeve. Ministri Murati gjithashtu theksoi se Unioni Global i Bizneseve Shqiptare të Diasporës është një nga partnerët më të rëndësishëm të Qeverisë së vendit.
Në anën tjetër Ministri i Zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci foli për rëndësinë e këtij takimi si një rast i mirë për të dëgjuar njëri tjetrin dhe për të parë idetë dhe propozimet nga bizneset tona në diasporë. Ai theksoi prioritetin e Qeverisë për të bashkëpunuar me sektorin privat dhe përmendi reformat strukturale që është duke i ndërmarrë Qeveria e Kosovës në favor të sektorit privat.
Ligji për investime strategjike dhe Fondi inovativ janë dy prej ndërmarrëseve kryesore të Qeverisë së Kosovës për të krijuar një klimë më të mirë të investimeve në Kosovë, theksoi ministri Stavileci.
Ndërsa, kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptare për Gjermaninë, Ejup Berisha, që është dega më e suksesshme e bizneseve shqiptare, kërkoi nga kryeministri që t’iu ndihmoj atyre që të investojnë në Kosovë
Në takim morën pjesë dhe diskutuan edhe, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, Ministrja Hykmete Bajrami minitre e MTI,kryetari i Pejës Gazmend Muhaxhuni, Besina Mustafa drejtore KIESA, Osman Shaini sekretar e përgjithshëm në MeD, Hakif Gashi kryetar, Arian Zeka, drejtor egzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Samir Krasniqi i Odës Ekonomike Gjermane, përfaqësuesi i UNDP – IOM sekretari i parë i ambasadës së Finlandës, dhe afaristë e biznesmen kosovar.
Ndërkaq gjatë ditës së djeshme forumi ka vazhduar takimet e planifikuara me biznesmenë të komunës së Istogut dhe kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova. Takimi me biznesmenët që kanë investuar në Kosovë bëhet për tu njoftuar nga afër me punën e tyre.Forumi ka në axhenden e tyre edhe takime të tjera me krerët më të lartë të shtetit ndërsa përfundon gjatë ditës së shtunë me takimet në Tiranë.
Takimi gjithëkombëtar i Unionit të Bizneseve shqiptare, union ky i formuar një vit më parë me iniciativën e Ministrisë së Diasporës dhe i përkrahur nga UNDP-ja kishte si nikoqir të këtij takimi vjetor Rrjetin e bizneseve shqiptare në Austri, i cili funksionon që prej një viti në Vjenë.
Unioni i Biznesit i ka rrjetet e veta në 17 shtete të ndryshme të botës. Katër rrjete janë në Amerikë, një në Kanada dhe të tjerat në të gjitha shtetet ku ka shumicë shqiptare në Evropë. Gjatë themelimit të këtij Unioni janë zgjedhur edhe kryetarët e saj. Kryetar global i Unionit është zotëri Nazar Mehmeti, nën/kryetar Elmi Berisha,sekretar Ismet Smajli, ndërsa kryetar për Evropë Yll Blakaj.
Kryetar nderi është biznismeni i suksesshëm nga Tetova – Lazim Destani
EMIGRIMI NGA KOSOVA-Më pak autobusë për në Beograd?
Nga Arton Konushevci/
Interesimi i qytetarëve të Kosovës që të migrojnë në mënyrë të paligjshme në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian duket se ka nisur të shënojë rënie.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, e pohojnë një gjë të tillë, por gjithsesi edhe në stacionin e autobusëve në Prishtinë deklarojnë se për dallim nga ditët e kaluara, interesimi për të blerë biletë për në Serbi, ka rënë.
Drejtori i stacionit të autobusëve, Nol Dedaj, i tha Radios Evropa e Lirë se numri i udhëtarëve për relacionin Prishtinë-Beograd është zvogëluar.
“Mbrëmë kemi pasur tre autobusë që kanë udhëtuar për në Beograd. Sa i përket relacioneve të tjera ndërkombëtare kemi kërkesa normale, si çdo herë tjetër”, tha Dedaj.
Bileta Prishtinë – Beograd ishte bërë e shumëkërkuar në dy muajt e fundit. Mijëra qytetarë thuhet të kenë shfrytëzuar kufirin e Serbisë me Hungarinë për të depërtuar për në vendet e Bashkimit Evropian, të nxitur nga shpresa për një jetë më të mirë. Numri i saktë i atyre që kanë migruar nuk dihet ende.
Dukuria e migrimit të paligjshëm ka bërë që autoritetet në Serbi të shtrëngojnë masat e kontrollit, duke vënë në funksion edhe xhandarmerinë e këtij shteti. Në planin e ri për një kontroll më të fuqishëm të brezit kufitar midis Serbisë dhe Hungarisë, janë angazhuar edhe përfaqësues të institucioneve të rendit nga Gjermania dhe Austria.
Të dyja këto vende thuhet të jenë destinacion për emigrantët e paligjshëm nga Kosova.
Gjatë janarit, për shkak të kalimeve ilegale të kufirit të Serbisë me Hungarinë, në Gjykatën komunale të Suboticës janë proceduar 550 raste.
Subotica është qytet në veri të Vojvodinës, i cili gjendet rreth 20 km larg kufirit me Hungarinë dhe ka shërbyer si vend-takim ndërmjet emigrantëve nga Kosova dhe kontrabanduesve.
Institucionet e Kosovës kanë shpeshtuar thirrjet e tyre drejtuar qytetarëve të Kosovës, që të mos marrin rrugën e paligjshme të migrimit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar të martën në Tiranë se institucionet janë duke ndërmarrë masa për parandalimin e migrimit ilegal.
“Qytetarët e Kosovës duhet ta shohin perspektivën e vet në Republikën e Kosovës. Të gjithë bashkërisht, ata dhe ne si institucione duhet ta përmirësojmë gjendjen tonë dhe të kemi një Kosovë më të zhvilluar ekonomikisht. Në të njëjtën kohë të kemi edhe një perspektivë më të veçantë të jetesës sonë në Republikën e Kosovës”, tha Veseli, duke kërkuar më shumë durim nga qytetarët.
Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka miratuar vendimin për themelimin e një komisioni, i cili do të shqyrtojë mundësinë për faljen e borxheve për personat fizik dhe juridik. Ky veprim nga ana e qeverisë është parë si një prej hapave që mund të ndikojë të ulë interesimin për migrim.
Falja e borxheve nga Qeveria e Kosovës, do të bëhet nga ana e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, si dhe të gjitha borxhet që i kanë qytetarët deri më 31 dhjetor të vitit 2008.
Histori përmbi Mamushë
Nga Zina Tosku/- Një hark në formë kulle qëndron para nesh. Poshtë gjallon rruga që lidh Prizrenin e Kosovës me komuna të tjera . Çuditërisht, zhurma e makinave duket sikur zbehet në rrugën dytësore ku ndodhemi.
Jemi në Mamushë, komuna e vetme turke në Kosovë, ku 98 % e banorëve janë turq. Jeta aty është identike si në Turqi. Mbi harkun e kullës lexojmë mirësevini në Mamushë. Na thonë se ky hark në anën e kundërt shkruan po të njëjtën gjë por në gjuhën turke.
Në ballkon të çdo shtëpie valëvitet flamuri turk, në çdo shtëpi dhe në rrugë flitet turqisht dhe nga minaret pesë vakte këndohet ezani. Mamusha ngjan si një kala, sapo hyn në territorin e saj.
Mamusha ndodhet në jugperëndim të Kosovës, në pikëbashkimin e komunave të Prizrenit, të Suharekës dhe Rahovecit në largësi prej 16 km nga Prizreni. Vendbanimet fqinje të Mamushës janë Novaku, Smaçi, Medveci, Pojani, Nëpërbishti, Tërrnja, Retimja dhe Optorusha. Me një popullësi prej 6.300 banorësh e me një sipërfaqe prej 23 km katrorë, Mamusha është terren krejtësisht i rrafshët .
Askush nuk e di me saktësi por ka dy tregime në lidhje me toponimin e Mamushës. Thuhet se është dhënë urdhër për themelimin e fshatit nga mbreti sultan Mahmudi 2, ku fillimisht emri i fshatit ishte MAHMUTSHAH dhe me kalimin e kohës u shndërrua në Mamushë.
Të tjera tregime lidhen me Mahmut Pashën mytesarifin e Sanxhakut të Prizrenit, periudha e qeverisjes së Mahmut Pashës rastis në kohët e themelimit të fshatit dhe emri vendbanimit vjen nga emri i tij.
Me rritjen e numrit të banorëve pas themelimi të Mamushës, janë ndërtuar edhe objektet e nevojshme. Emin Pasha e ka ndërtuar ujësjellësin për Mamushë,kurse vëllai Mahmut Pasha e ka ndërtuar kullën e sahatit.
Sipas tregimeve, këmbana zëri i së cilës dëgjohej në distancë deri në 20 km ishte pasuri lufte e fituar në betejën e federevës dhe se pas luftës ballkanike më 1913, serbët e çmontuan këmbanën dhe e derguan diku tjetër. Familjet në Mamushë emërtoheshin me emrat e kryefamiljarëve. Deri më 1960, në fshat ekzistonin vetëm gjashtë mëhalla, si mëhalla Potokut, mëhalla e Mesme etj.
“Turqit e Mamushës, më 1999 e shkruan eposin më të madh në historinë e tyre”, na tregon shoqëruesi ynë.
A thua vallë çtë ken bërë për të madhe këta të Mamushës?
Rreth 45 mijë shqiptarë nga fshatrat fqinje arritën t’i ikin plumbave serbë dhe të strehohen në Mamushë.
Serbët hezituan të ndërrmernin ndonjë aksion ushtarak ndaj Mamushës, ndoshta se pas tyre ishte Republika e Turqisë. Por pas një kohe erdhën në fshat dhe filluan të bëjnë pazare me fshatarët e saj
Mamushasit u thanë serbëve se nuk pranonin te dorezonin shqiptarët dhe se ata pranonin të lejonin shkuarjen e mysafirëve vetëm nëse ju jepnin garanci se në mënyrë të sigurte dhe nën mbikëqyrjen e vëzhguesve do të transferoheshin në kampe në Shqipëri.
“Po po serbët u detyruan të pranojnë këtë kusht dhe në këtë mënyrë 45 mijë shqiptarë u shpëtuan nga mamushasit.
Të rinjtë e Mamushës
Këta janë njerëz të qetë e të qeshur. Këtu tradita e të kënaqurit kur të troket dikush në shtëpi nuk ka humbur ende. Në fillim miqësohemi me kryetarin e komunës së mamushasit Arif Butuç , i cili herë pas here e ndërpret bisedën me sytë e ngulur me merak nga të rinjtë e aktivizuar për herë të parë në këshillin rinor.
Na rrëfen historinë e fshatit. Jemi se bashku me të rinjtë, mes tyre edhe një vajzë me emrin Muala Berisha.
Ajo tregon sesi ka marë iniciativën e para për të qënë pjesë e këshillit të komunës, në një vend ku vajzat dhe femrat nuk dalin.
Me këmbënguljen e organizatës Worl Vision u arrit të krijohej ky këshill rinor, i cili nëpërmjet trajnimeve, aktiviteteve kërkonte të përfshinte femrat në jetën social-kulturore.
Të dalësh kundra rrymës së familjeve tejet konservatore të vajzave që qëndrojnë në shtëpi, e të marësh pjesë në trajnime të ndryshme të projektit që organizata world vision paraqiti në këtë komunë, ishte e guximshme, nga ana e saj.
Ndërsa na shërbejnë çajin e zi në zyrën e zotit Butuç, Muala tregon lumturinë dhe kënaqësinë e saj , për faktin që ishte e para pjesë e kësaj lëvizjeje në komunë. Tanimë sekretare në komunë, Muala e veshur me një xhup blu , më xhinse të ngushta, buzëqësh ndërsa tregon, ndoshta pak nga ndrojtja apo ndofta nga lumturia dhe dëshira e madhe për të ndryshuar mentalitetin.
“Në fillim isha e vetme por duke shkuar shtëpi më shtëpi, ne arritëm të mernin vajzat nga shtëpia, për ti treguar që trajnimet e World Vision apo aktivitetet nuk kishin asgjë të keqe”.
Për Mualën, gjashtëmbëdhjetë vjeçare ishte paksa më e lehtë sesa vajzat e tjera të ishte pjesë e këshillit Rinor Lokal, pasi edhe familja e saj ndodhej jasht vendit, e ndofta kjo një tjetër arsye për të shtuar dëshirën e madhe të saj për të qënë aktve. Muala, kishte marë një ftesë nga Mirat Bytyç, për të qënë pjesë e këshillit rinor dhe ajo kishte qënë femra e parë.
Tanimë, me këmbënguljen e saj janë tetë femra pjesë e këtij këshilli.
“Ka qënë e vështirë pasi prindërit e kishin të vështirë të pranonin se vajza e tyre të mund të dilte nga shtëpia” por duke ia shpjeguar se nuk kishte asgjë të keqe të ishe pjesë e trajnimeve të world Vision filluan të kuptonin më shumë dhe të lejonin vajzat e tyre. Kryetari i Komunës, ndërsa na tregon për Mamushën, ai thote se familjet në Mamushë janë aq shumë koservatore saqe deri para disa vitesh e kishin shume të vështirë të vazhdonin universitetin vajzat.
“Tash kemi mundur të dërgojmë për të vazhduar universitetin në Stamboll 150 vajza”, thotë Butuç. Falë mbështetjes që u është bërë të rinjve të Mamushës , të rinjtë kanë filuar të kuptojnë të drejtat e tyre.
I riu Mirat Butuç tregon sesi kanë ndryshuar një element në shkollën e Mamushës. Falë iniciativës së tyre, një mësues që jepte një lëndë në shkollë nuk ishte kompentent në atë lëndë mësimi dhe kjo u ndryshuar. Falë këmbënguljes së të rinjve dhe trajnimeve të ëorl vision, ky është viti i parë që komuna e mamushës mer buxhet më vete për të rinjtë.
E ndërsa, Muala buzëqesh lehtë tek dëgjon kryetarin e komunës, tanimë ajo gjen akoma më shumë mbështetje për ti treguar komunës së saj, që femrat sikurse kanë nevojë të ushqehen, të shkollohen e martohen, ato kanë po të njëjtat të drejta për të jetuar sikurse meshkujt.
E ndërsa largohemi nga zyra e zotit Butuç, mirësjellja e tyre dhe përshëndetja në turqisht e shqip na jep idënë e dy kombësive ose më saktë e dy kulturave që janë përshtatur aq bukur me njëra tjetrën. Ndonëse sot, për Mualën ishte e lehtë dhe e bukur për të na përcjellë, dje ishte e pamendueshme të mund të ishte pjesë e këshillit rinor, për një komunë, një komunitet që ende flet me gjuhën e fanatizmit. Muala, dha veten për një mundësi edhe për të tjerët.
Në Vushtrri
Nën ftohtësine e klimës së komunës së Vushtrisë në Kosovë, takojmë Vlora Krasniqi. Dhe ajo si Muala në Mamushë, është jo vetëm aktiviste në qytetin e vushtrrisë por edhe kryetare e Këshillit Rinor Lokal në këtë zonë.
Një projekt ky i World Vision dhe i mbështetur nga organizata të tjera për ngritjen e kapaciteteve brënda këshillave rinore duke i trajnuar sidomos në menaxhimin e projekteve e zhvillimin organizativ.
Vlora na tregon se edhe për të nuk ishte e lehtë në një qytet si Vushtrria, pasi njerëzit janë të parët për të paragjykuar, për të qënë koservatore dhe jo aktivë ne jetën sociale. Sigurisht që për Vlorën, do i duheshin ide dhe energji për të organizuar takime me të rinjtë, aktivietete të ndryshme, energji pozitive që Vlorës nuk i mungon. Me një qëndrim dinjitoz e të fortë, Vlora tregon sesa ka organizuar një fushatë sensibilizuese për të mbrojtur shëndetin e njerëzve. Ide e bukur, të mund të marësh nga dikush një cigare duke e pire dhe duke i dhënë në këmbim një kokërr mollë.
Si simbol i jetës së shëndetëshme për Vlorën tanimë, fushatat ndërgjegjësuese janë bërë pjesë e jetës së saj. Pyetjes nëse ajo ka qëllime të larta në jetë, ajo u shpreh se “tash për momentin un dua të aktivizoj venin tim, çikat për të aktivizuarr jetën sociale në qytet”, par ma nej , nuk di ça me thon”.
Në kuadër të këtij projekti për të zhvilluar jetën sociale në Vushtrri, është hartuar dhe manuali i brëndshëm i funksionimit të këshillave si dhe është krijuar një traditë e takimeve të rregullta mujore si këshill edhe me pushtetin local. Organizata World vision ka mbështetur në kosovë përveçVushtrrisë dhe Mamushës, edhe tetë këshilla të tjerë rinore.
Projektet janë financuar nga Bashkimi Evropian dhe ka zgjatur pothuajse dy vite me rradhë.
Për Vlorën, të qënurit kryetare nuk është një privilegj që e ka gjetur të gatshëm por një mundësi që ajo ja ka krijuar vetes dhe çdo moshatareje të saj që kërkon të shohë ëmbëlsinë dhe bukurrnë e të jetuarit në mënyrë të barabartë.
KUFIZIMET, SFIDAT DHE PROBLEMET ME LIRINË E LËVIZJES NË TERRITORIN E KOSOVËS
Nga Faton Mehmetaj*/
Liria e lëvizjes është pjesë e garantuar me Kushtetutë tek ne, në shtetet e Europës dhe të botës, është një normë ombrellë që përfshinë më vete shumë traktate e konventa, që garantojnë dhe sigurojnë lirinë e lëvizjes.
Pa liri të lëvizjes nuk ka shtet funksional. Cenimi dhe bllokimi i lirisë së lëvizjes e cënon sovranitetin e vendit. Ndërkaq, cënimi i sovranitetit ngërthen në vete probleme shumë më komplekse, ku mund të implikohen mekanizma të shumtë duke i përfshirë edhe ata ndërkombëtarë. Mosfunksionimi i lirisë së lëvizjes haset tek shtetet e dobëta, apo që janë në shtetndërtim e sipër, siç është rasti i Kosovës. Edhe tema ime, “Kufizimet, sfidat dhe problemet me lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës”, trajton problemet e lirisë së lëvizjes brenda territorit të Kosovës, vështirësitë që ka Kosova me lëvizjen e lirë, faktorët që determinojnë në pengimin e lëvizjes së lirë, rolin e KFOR-it, të EULEX-it dhe të mekanizmave të tjerë të sigurisë, në sigurimin e lirisë së lëvizjes e çështje të tjera që e plotësojnë këtë temë në tërësi.
Që nga viti 2000 e gjer më sot, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme me lirinë e lëvizjes në disa pjesë të saj. Nuk do të hyj në detaje se a është përmirësuar liria e lëvizjes që nga ajo kohë apo jo, por nga hulumtimet që kam bërë në këtë punim del se problemet me lirinë e lëvizjes janë evidente edhe sot e kësaj dite në shkallë mjaft të lartë.
Në Kosovë problemet me lirinë e lëvizjes i ka komuniteti shumicë – shqiptarët, të shkaktuara nga pjesëtarë të minoritetit serb që jetojnë në Kosovë, të cilët fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të instrumentalizuar nga Beogradi zyrtar.
Fillimisht po përmendi Mitrovicën, që është rast i veçantë ku liria e lëvizjes për qytetarët shqiptarë në disa pjesë është e bllokuar pothuajse tërësisht që nga viti 2000 e këndej.
Pos problemit akut me pengimin e lirisë së lëvizjes në Mitrovicë, problem tjetër i kufizimit të lirisë së lëvizjes janë vendbanimet me shumicë serbe – enklavat, ku liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët e komuniteteve të tjera nuk është e nivelit të kënaqshëm. Zakonisht qytetarët shqiptarë ndihen të frikësuar dhe nuk lëvizin nëpër vendbanimet me shumicë serbe.
Sa për ilustrim po përmendi këtu marsin e vitit 2004, ku për ditë të tëra serbët kishin bllokuar rrugën në Çagllavicë, kinse për shkak të plagosjes së një qytetari serb. Pastaj, kishte ndodhur mbytja mizore në lum e tre fëmijëve shqiptarë të Çabrës në lumin Ibër dhe një varg problemesh të tjera, që e ngritën në këmbë tërë popullatën shqiptare që për shumë kohë e vështirësoi lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës. Ky është një ndër shembujt më konkretë që tregon se nëse teprohet me pengimin e lëvizjes së lirë cilat mund të jenë pasojat.
Përveç këtyre, liria e lëvizjes është e kufizuar edhe në hapësirat territoriale që iu kanë dhënë disa manastireve ortodokse në Kosovë, që tashmë njihen si “eksterritore”.
Ndër problemet serioze që Serbia i ka shkaktuar Kosovës në aspektin e lirisë së lëvizjes është mosnjohja dhe mospranimi i dokumentacionit të qytetarëve të Kosovës për të lëvizur nëpër territorin e saj për në shtetet e ndryshme të Europës e botës. Pengesat fillestare të Serbisë në këtë drejtim janë bërë për arsye se Serbia nuk i ka pranuar dokumentet e Kosovës si valide. Kjo ka sjellë pengesa të mëdha në fushën e sigurisë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Me këtë rast qytetarët e Kosovës, sidomos shqiptarët janë përballur me sfida dhe probleme nga më të ndryshmet, të shkaktuara nga Qeveria e Serbisë. Të njëjtat probleme Serbia i ka shkaktuar edhe me refuzimin e tabelave të veturave të Kosovës ku qytetarët e Kosovës janë përballur me probleme të lëvizjes së lirë.
Një dimension tjetër ku liria e lëvizjes është e kufizuar, janë fshatrat e brezit kufitar përgjatë kufirit me Serbinë, Maqedoninë e Malin e Zi. Një pjesë e konsiderueshme e fshatrave shqiptare që gjenden në afërsi të kufirit me Serbinë u janë ekspozuar ekspeditave të vazhdueshme të xhandarmërisë serbe që hyn në brendi të territorit të Republikës së Kosovës pa kurrfarë pengese.
Edhe pse qytetarët shqiptarë të fshatit Karaçevë dhe të fshatrave të tjera përreth kanë bërë protesta të vazhdueshme, kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe në fshat, duke e njoftuar edhe KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, problemi i tyre nuk është zgjidhur asnjëherë. Nga presionet e xhandarmërisë serbe, e cila ka shkaktuar pasiguri në masë, pengesat që u ka shkaktuar qytetarëve të kësaj ane për të lëvizur lirshëm në vendin e tyre dhe presionet e tjera të vazhdueshme i kanë detyruar të shpërngulën nga ky fshat mbi 135 banorë. Nga presionet e xhandarmërisë, banorët e këtyre fshatrave po shpërngulen çdo ditë, dhe shumë shpejt kjo pjesë mund të mbetet e pabanuar, apo me shumë pak banorë, siç ka ndodhur edhe me mbi 50 fshatra në Kosovë që janë mbetur pa banorë apo me shumë pak banorë në hapësira të ndryshme kryesisht kufitare.
Pak a shumë pengesa në lirinë e lëvizjes kemi edhe në disa fshatra të Gorës, në të cilat janë formuar struktura paralele, të influencuara nga qeveria e Serbisë. Me mungesën e lëvizjes së lirë janë përballur dhe po përballen edhe një pjesë e banorëve shqiptarë që jetojnë brenda enklavave serbe. Që nga viti 2000 e gjer në ditët e sotme, me mungesën e lirisë së lëvizjes janë përballur edhe pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-i, UNMIK-ut, OSBE-së e të mos flasim për mekanizmat vendorë të sigurisë, si Policia e Kosovës, etj. Madje edhe pjesëtarët e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë shpesh janë bllokuar nga pjesëtarët e komunitetit serb, madje janë sulmuar fizikisht, por ka pasur edhe raste kur janë sulmuar edhe me armë zjarri, duke pasur edhe të vrarë e të plagosur në radhët e tyre. Ky fenomen e ka ndërlikuar shumë konceptin e lirisë së lëvizjes dhe të sigurisë në përgjithësi, ngase KFOR-i, EULEX-i, Policia e Kosovës etj., si garantues të lirisë së lëvizjes dhe të sigurisë në përgjithësi nuk kanë mundur të japin garanci për lirinë e lëvizjes, sepse shpesh herë nuk kanë qenë as ata në pozita për ta siguruar as vetveten.
Përveç ofrimit të sigurisë nga ana e KFOR-it dhe policisë, është e domosdoshme që udhëheqësit kosovarë të ndërmarrin masa të qarta dhe të duhura për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha bashkësitë, duke i trajtuar njëlloj të gjithë penguesit e lirisë së lëvizjes, sepse kanë kaluar 15 vite e gjendja në rrafshin e lirisë së lëvizjes e shkaktuar nga segmentet që u përmendën më lartë asnjëherë nuk ka shkuar drejt përmirësimit.
Mendoj se për përmirësimin e kësaj gjendjeje duhet të bëhen studime, hulumtime, analiza, të merren mostra, të nxirren konkluzione, të bëhen udhëzime nga struktura të caktuara të ekspertëve ndërkombëtarë e vendorë për ta hartuar një platformë të zgjidhjes së këtij problemi njëherë e përgjithmonë.
*(Kjo kumtesë është paraqitur në Konferencën Shkencore: “Liria e Lëvizjes në Kosovë – Sfidat dhe kufizimet e brendshme dhe rajonale”, organizuar nga Lëvizja Europiane për Integrime Ndërshqiptare (LEIN), më 27 janar 2015, në Prishtinë).
- « Previous Page
- 1
- …
- 39
- 40
- 41
- 42
- 43
- …
- 47
- Next Page »