RINOVOHET ARKIVI SHTETËROR I KOSOVËS
-Objekti i Agjencisë së Arkivave të Kosovës do të rinovohet tërësisht, punët nisin këtë vit/
-Në Arkivin Shtetëror të Kosovës – edhe arkivi i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 26 Qershor 2018/Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do mbështetet për realizimin e një projekti i cili parasheh renovim në tërësi të objektit dhe punët do të nisin këtë vit.
Këtë e premtoi sot Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë vizitës në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ku zhvilloi takim me Kryeshefin Ekzekutiv, Ramë Manaj, i cili njoftoi me gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës në këtë institucion.
“Ne kemi përfunduar një intervenim të vogël, kemi vendos raftet e reja. Këtu zotohemi që Ministria e Kulturës dhe unë si ministër do të jemi në mbështetjeje të drejtorit, menaxhmentit, stafit, por edhe për të filluar një investim të ri në këtë objekt, një investim të gjithanshëm, duke përfshirë depotë, objektin, sistemin kundër zjarrit, pastaj aklimatizimin, aparatet për kontrollimin e lagështisë, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike për këtë institucion të rëndësisë së veçantë për vendin tonë. Është një projekt që e kemi tashmë të gatshëm, dhe ai do të fillojë të zbatohet së shpejti”, tha Ministri i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Gashi.Duke folur për rëndësinë e madhe që kanë arkivat në Kosovë Ministri tha se, pasi që lënda arkivore ka rëndësi historike, kulturore, shkencore dhe ka cilësinë e monumentit të kulturës, ajo duhet të ruhet në mënyrë të përhershme.“Andaj, në përputhje me rëndësinë e madhe që ka lënda arkivore, ky investim në objektin e Arkivit të Kosovës është një prej prioriteteve të Ministrisë dhe procedurat për investim në këtë objekt do të hapen brenda disa ditëve”, theksoi Ministri Gashi.
Gjatë takimit, ku pati dakordim edhe që të iniciohet ndryshim-plotësimi i Ligjit për Arkivat, Kryeshefi Ekzekutiv, Manaj, u shpreh falënderues për vizitën, por edhe për përkrahjen e Ministrisë dhe të Ministrit për të investuar në përmirësim të kushteve dhe rrethanave të punës nëpër objektet e arkivave.“Në takim kemi bërë përpjekje që të prezantojmë gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës, gjendje e trashëguar fatkeqësisht jo të mirë, sfidat me të cilat ballafaqohemi. Kushtet janë shumë limituese dhe kanë të bëjnë me ambientet e pamjaftueshme, me mungesën e hapësirës dhe joadekuate, me mungesën e teknologjisë dhe kapaciteteve njerëzore deri te kapacitetet teknike për digjitalizim. Por, duke pasur parasysh premtimin e ministrit, shpresojmë që gjendja në këtë agjenci të përmirësohet” tha Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj.Arkivi Shtetëror i Kosovës është një shtëpi e madhe-pallat dokumentesh shumë të rëndësishme dhe historike, të pazëvendësueshme e të pakompensueshme.
NGA ARKIVI I GAZETËS DIELLI:
TAKIM ME KRYESHEFIN EKZEKUTIV TË AGJENCISË SHTETËRORE TË ARKIVAVE TË KOSOVËS, RAMË MANAJ DHE DREJTORËT HAMIT SHALA E RUZHDI PANXHA
Pasditën e së enjtes së 22 shtatorit 2006 në Shtëpinë e madhe të dokumenteve, në takim me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha kemi biseduar edhe rreth kompletimit të Arkivit të Rilindjes të dërguar në Arkivin Shtetëror të Kosovës edhe me pjesët tjera të arkivit të gazetës tradicionale që ndodhen ende në Kompleksin Rilindja, ku Pallati 18 katësh është shndërruar në ndërtesë qeveritare. Në cilësinë kryeradaktorit të gazetës tradicionale kosovare Rilindja deri në numrin e fundit që ka dalë në 30 dhjetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë, në 29 janar 2007, me një vendim të veçantë të Kryeministrit kam nënshkruar marrëveshjen e hartuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e cila poashtu është nënshkruese, me Arkivin Shtetëror të Kosovës për dërgimin atje të gjithë Arkivit të Rilindjes, i cili edhe duhet të vlerësohet si edhe çdo pronë tjetër e Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja për realizimin e të drejtave të punëtorëve të saj.
(Pjesë nga shkrimi i datës 24 Shtator 2016 i korrespondentit të Gazetës DIELLI nga Kosova, Behlul Jashari, i cili ishte kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja nga fillimi i vitit 2002 e deri në numrin e fundit që ka dalë në 30 dhjetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë, si dhe kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës “Bujku” – pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, numri i parë i së cilës doli në 18 janar 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës Rilindja nga regjimi okupues serb në Kosovë)
Kosova, 10 vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së pavarësisë
-Amendamentimi i Kushtetutës në 2012-tën për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndryshimet e ardhshme priten për Ushtrinë/
-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 15 Qershor 2018/ Para 10 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Më parë akti më i lartë juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.
Dita e Kushtetutës, 9 prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.
Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar shefi i UNMIK-ut.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu, “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.
Zhvillimet më të rëndësishme brenda dhjetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator, ka miratuar amendamentimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.
“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.
Deri në 10 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës Pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.
Ndryshimet e ardhshme kushtetuese pritet të jenë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.
Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.
Kosova prej vitit 1974 ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.
Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën në mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990, shpalli Deklaratën Kushtetuese në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator 1991 u organizua edhe edhe referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992. Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Prej vitit 2001 deri para 10 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti Hashim Thaçi.
Albanian Excellence shpall nga Nju Jorku, “Zonjat qe bejne Shqiptarine”
Kauza: Ne ndihme te grave te dhunuara gjate luftes ne Kosove ne vitin 1999-/
Nju Jork, 5 Qershor/AE/.- Albanian Excellence, do te shpalli ne Nju Jork me 24 qershor, “Zonjat qe bejne Shqiptarine “, nje projekt shume dimensional qe do te zhvillohet ne muajin dhjetor (deri me tani ne Shqiperi) dhe qe nderon vlerat e zonjave shqiptare kudo jane ashtu si edhe do te beje per here te pare te ditur, kauzen e ketij projekti , “Ne ndihme te grave te dhunuara gjate luftes ne Kosove , ne prag te 20 vjetorit te luftes se Kosoves te vitit 1999”.
Do te jete takimi “Zonjat shqiptare ne Nju Jork 2”, nje takim qe do te evidentoje historite e suksesit te tre zonjave te nderuara ne fushen e biznesit, nga, Shqiperia Kosova, Maqedonia, kur do te shpallet kjo nisme e Albanian Excellence e ndermarre qe ne nisje te vitit 2018 , me krijimin dhe te nje bordi me pjesmarrjen e personaliteteve te jetes publike shqiptare me kryetare , avokaten e njohur, zonjen Eni Cobani e cila do te jete prezente ne kete takim me nje lidhje direkte nga Tirana kur dhe do te pershendese shpalljen e kesaj nisme nga metropoli me i madh i botes, Nju Jorku.
Ne kete takim , ku do te marrin pjese zonja qe kane arritur sukses ne jeten amerikane , drejtorja ekzekutive e Albanian Excellence, Flora Nikolla, do te mbaje fjalen e rastit gjate se ciles do te tregoje permbajtjen , qellimin dhe si do te zhvillohet ky projekt i cili do te kurorezohet me botimin e nje libri me idete konkrete te zonjave shqiptare te suksesit me tezat e ndryshimit qe propozojne per te ardhmen e Shqiptarise ne profesionet qe ato ju perkasin si dhe me nje mbremje Gala , ku zonjat do te nderohen me trofe nga Albanian Excellence.
Zonjat Beti Beno(avokate) zonja Liljana Gashi(pronare, Presidente e Corporations dhe LLC) , zonja Ana Marky Walsh, (Certified Empowerment life coush&Spiritual Jewelry), do te jene zonjat qe do te referojne ne kete takim jeten e tyre profesionale, cilat kane qe ne pikat ku ato mbeshtesin suksesin e tyre, ashtu edhe menyren e punes dhe te jetes qe kane zhvilluar per te qene te suksesshme ne profesionet e tyre. Referatet e tyre nw kwtw takim, do te jene gjithashtu pjese e librit, “Zonjat qe bejne Shqiptarine , qe promovohet ne muajin dhjetor deri me tani eshte emnduar ne Tirane, me deshiren per te qene edhe ne Prishtine“.
Te tri zonjat e perzgjedhura nga bordi i Albanian Excellence, do te nderohen me certikata nderi nga Albanian Excellence me titullin “Zonjat qe bejne Shqitarine”.
E ftuar do te jete ne kete takim , edhe sopranoja e njohur me banim ne Nju Jork, zonja Deshira Ahmeti Kerliu, e cila do te interpretoje disa nga perlat e muzikes shqiptare dhe asaj boterore.
Shpallja e “Zonjat qe bejne Shqiptarine “ si dhe te Kauzes , “Ne ndihme te grave te dhunuara gjate luftes ne Kosove ne vitin 1999 , nga Nju Jorku”, zhvillohet nga Albanian Excellence, pas Mbremjes Gala te zhvilluar dy vjet me pare ne Manahattan ne sallen Symphony Space, me pjesmarrjen e Presidentit te Republikes se Shqiperise te asaj kohe, zoti Bujar Nishani, gjate se ciles u promovua libri “Zonjat shqiptare ne Nju Jork”, nga Flora Nikolla dhe Kozeta Zylo .
Ne skenen e realizuar nga Andis Gjoni u nderuan te gjitha zonjat e perzgjedhura per te qene ne kete liber (rreth 70), ndersa u firmos edhe memorandumi “Te jesh grua ne shekullin e XXI”, i cili do te vijoje te firmezohet edhe gjate ketij takimi , i cili ne qender, ka vleresimin e zonjave te suksesit nga gjithe hapesira mbareshqiptare dhe qe kesaj here ka vendosur te perzgjedhe tre zonja te nderuara te cilat kane patur nje jete te realizuar si nga ana njerezore, profesionale ashtu edhe familjare.
Edhe shpallja ne Nju Jork, e kauzes, Ne ndihme te grave te dhunuara gjate luftes ne Kosove ne vitin 1999, merr nje rendesi te madhe , kur mbahet parasysh jo vetem ndihma e madhe qe eshte dhene nga Nju Jorku, per dhunen e genocidin e pranveres se vitit 1999 ndaj shqiptareve te Kosoves, por edhe per faktin se shume zonja te ikura mga genocidi serb, erdhen ne Nju Jork, duke nisur e ndertuar nje jete krej te re.
Ky event do te zhvillohet ne shtepine e zonjes Liljana Gasha , ndersa ne grupin e punes per realizimin e ketij eventi jane zonjat Loreta Stamo dhe Eva Agolli, pjese e librit ‘ Zonjat shqiptare ne Nju Jork”.
Nga krijimi i Albanian Excellence ne vitin 2012, ne 100 vjetorin e Pavaresise se shtetit shqiptar, Albanian Excellence, ka realizuar nje mori eventesh cilesore qe deshnojne potencialin e nadh te kombit shqiptar ne bote. Rreth 600 jane emrat evidentuar nga Albanian Excellence ne shtate botimet e kesaj qendre e cila ka nje mision fisnik ne vleresimin e vlerave qe kemi si komb.
Kosove- Bordi i Grave Deputete Takon Delegacionin Amerikan
Kosove- Bordi i Grave deputete,delegacionin nga Kongresi Amerikan/
Bordi i Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot një takim delegacionin nga Kongresi Amerikan, të kryesuar nga Omri Rahmil, këshilltar politik i kongresmenit Peter Roskam. Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mjaku Topalli, duke falënderuar zyrtarët amerikanë për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe legjislativit të SHBA-ve për Kosovën në të gjitha segmentet, i njoftoi ata me mënyrën e organizmin, punën dhe aktivitetet e grupit që ajo drejton.
Mjaku-Topalli theksoi se fushëveprimi i GGD-së përfshin adresimin e çështjeve që lidhen me të drejtat e grave, si forcimi i rolit të tyre në çdo segment të jetës, barazia gjinore dhe qeverisja e mirë.Edhe anëtaret e tjera të këtij grupi: Lirie Kajtazi, Arbërie Nagavci, Besa Baftiu, Teuta Haxhiu, Duda Balje dhe Jasmina Zhivkoviq, potencuan çështje të ndryshme nga veprimtaria e përditshme e GGD-së, ndërsa bashkëpunimin me agjencitë e SHBA-ve në Kosovë i konsideruan të një rëndësie të veçantë.Drejtuesi i delegacionit, Omri Rahmil, si dhe anëtarë të tjerë të delegacionit, i njoftuan përfaqësueset e GGD-së me përfaqësimin gjinor në Kongresin Amerikan, ndërsa bënë të ditur se në garën e fundit aktuale vërehet një rritje e numrit të grave.Ata u interesuan për shumë çështje që lidhen me veprimtarinë e GGD-së dhe të Kuvendit në përgjithësi.
Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të USAID-it dhe NDI-së në Uashington dhe në Kosovë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- …
- 47
- Next Page »