– PRESIDENTI THAÇI: FALËNDEROJ EURODEPUTETËT PËR KËTË VENDIM TË DREJTË/Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash rekomandimin e Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Ajo tha se sot votohet për mandatin e dialogut tripalësh mes Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave.
Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.
Ndërkaq, menjëherë pas votimi përmes një postimi në Twitter, Fajon tha se qytetarët e Kosovës janë edhe një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë.
“Përpjekjet vazhdojnë me qeveritë e vendeve të BE-së dhe nuk do të ndalem derisa të liberalizohen vizat”, ka shkruar Fajon.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, tha se Kosova është “një hap më pranë regjimit pa viza”, duke shtuar se qytetarët e Kosovës “meritojnë mundësitë e njëjta”.
KOSOVË-PËRSHËNDETET VOTIMI PËR HEQJE TË VIZAVE NË PARLAMENTIN EVROPIAN
PRISHTINË, 13 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/
PRESIDENTI THAÇI: FALËNDEROJ EURODEPUTETËT PËR KËTË VENDIM TË DREJTË
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan në ‘facebook”: Qytetarët e Kosovës sot janë edhe një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike në familjen evropiane, lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Me më shumë se 2/3 e votave të eurodeputetëve, Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Ky është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian. Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian. Si President i Republikës së Kosovës, në emrin tim personal dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, i falënderoj eurodeputetët për këtë vendim të drejtë. HTH
DEKLARATË E QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Qeveria e Kosovës përshëndet votimin e rekomandimit për heqje të vizave në Parlamentin Evropian dhe konsideron se kjo është edhe një shprehje e mirënjohjes për Republikën e Kosovës dhe për qytetarët e saj për punë dhe angazhimin për të qen pjesë e integrimeve evropiane.
Votimi i rekomandimit për heqjen e vizave është dëshmi edhe e punës dhe angazhimit të Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve tjera të Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha kriteret dhe obligimet që kanë dalë nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.
Qeveria e Kosovës pret që edhe Këshilli i Ministrave të BE-së, në kohën sa më të shkurtër të konfirmojë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ashtu siç ka qenë e përkushtuar deri sot, Qeveria e Kosovës do të jetë në dispozicion të ofrimit të argumenteve dhe garancive në procesin e miratimit të vendimit përfundimtar për liberalizimin.
Kosova është e bindur në rrugën e saj për të qenë pjesë e integrimit në strukturat euroatlantike dhe shprehim me vendosmëri përcaktimin tonë të palëkundur për të ardhmen tonë evropiane./b.j/