• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË PJESË PREJ POLITIKANËVE SHQIPTAR NUK MUND T’U BESOHET AS RUAJTJA E KOTECËVE TË PULAVE

March 25, 2020 by dgreca

        -Zgjedhjet në Kosovë: A është ky ndryshimi i madh në politikën shqiptare?

  • Me maska ose pa maska, madje edhe me thes mbi kokë, shqiptarët dhe bota u njeh tashti si të pa aftë për të bashkpunuar me njeri tjetri, madje edhe përball një krize kombëtare dhe ndërkombëtare, sic është përhapja e virusit korona. Mblidhni mendët, tregoni pak atdhedashuri dhe vullnet të mirë politik për tu marrë me sfidat serioze me të cilat përballet Kombi shqiptar dhe lini mënjanë grindjet politike, për një kohë më të përshtatshme. 

Nga Frank Shkreli/

Parlamenti i Kosovës zhvillon sot një seancë për të shqyrtuar mocionin për rrezimin e qeverisë Kurti, pa i mbushur ende as pesë javë jetë. 

Shpresa ime, pas zgjedhjeve Tetorin e kaluar në Kosovë, ishte se më në fund kemi të bëjmë me një model të ri qeverisjeje ndër shqiptarët, si rezultat i koalicionit midis Vetvendosjes dhe LDK-së. Fatkeqsisht, politikat dhe interesat e vjetra, të brendshme dhe të jashtme, paskan pasur plane të tjera. Ku tjetër në botë ndodhë që në kulmin e një krizë shëndetësore si kjo e virusit korona, të rrëzohet qeveria, duke i shkaktuar vendit edhe një traume tjetër, përvec asaj shëndetësore?

 Klasës politike shqiptare në Kosovë, por edhe në Shqipëri, i ka dalë boja. Për dekada tashti po e provojnë se një shumicë e tyre nuk është e denjë as të kujdeset për një kotec pulash, e jo më tu besohet përgjegjësia e qeverisjes së një vendi.

Me maska ose pa maska, madje edhe me thes mbi kokë, shqiptarët dhe bota u njeh tashti si të pa aftë për të bashkpunuar me njeri tjetri, madje edhe përball një krize kombëtare dhe ndërkombëtare, sic është përhapja e virusit korona. Mblidhni mendët, tregoni pak atdhedashuri dhe vullnet të mirë politik për tu marrë me sfidat serioze me të cilat përballet Kombi shqiptar dhe lini mënjanë grindjet politike, për një kohë më të përshtatshme. 

 Asnjeri prej jush, sado të zotin ta konsideroni veten, nuk i zgjidh dot problemet politike dhe ekonime, vetëm, as si individ as si parti. Por me marrvëshje politike, të bashkuar me një mendim e me një qëllim, mund të bëni mrekullira.

 Dështimet dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme të kësaj klase politike, si rezultat i grindjeve të tyre politike, nuk nderojnë sakrificat sublime të qindra mijëra shqiptarëve që gjatë shekujve ka dhënë jetën për liri dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, anë mbanë trojeve të tyre në Ballkan.

 Reflektoni! Delni mbi interesat personale politike, ekonomike dhe partiake. Mbroni interesat e përbashkëta kombëtare! Kjo është përgjegjësia kryesore që votuesit u kanë besuar ju. Rrezimi i qeverisë së koalicionit nuk është në interesin e Kosovës, në këtë moment, ndërkohë që vendi dhe bota gjendem përballë një sfide shëndetësore që po tund themelet, jo vetëm të shëndetit në botë, por edhe bazat ekonomike, duke rrezikuar edhe mirëqenien materiale të njerëzve anë mbanë botës. Reflektoni, seriozisht!
Ende nuk është vonë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosove, zgjedhje te reja

Shtetet e Bashkuara do të mbeten miku i Kosovës pavarësisht nga Presidenti Donald Trump

March 20, 2020 by dgreca

nga Shirley Cloyes DioGuardi/

Më 14 shkurt të vitit të kaluar, unë si Këshilltare për Çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kam botuar tekstin “Kosova duhet të qëndrojë në kurs” në portalet nëpër botë. Aty kam deklaruar se besoj që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa i kanë kapërcyer kufijtë duke i bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë taksën e saj të importit 100 për qind ndaj Serbisë. Për më tepër, kam deklaruar se kjo është një kontradiktë për Shtetet e Bashkuara që të pretendojnë se e respektojnë sovranitetin e Kosovës, ndërsa insistojnë që Kosova të pezullojë taksën.

Unë gjithashtu kam identifikuar thirrjen e Serbisë për shkëmbim të territorit si një përpjekje për të mohuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe për të rihapur diskutimin mbi statusin e Kosovës si një komb sovran – një status për të cilin Serbia ka punuar që ta minojë qysh nga koha kur pavarësia e Kosovës u njoh nga Presidenti George W Bush në vitin 2008 dhe qysh prej fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd në vitin 2011.

Perspektiva ime, së bashku me shumicën e miqve dhe mbështetësve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nuk ka ndryshuar. Unë besoj që Kosova duhet të vazhdojë të mbajë kursin e vet derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Nëse paqja, stabiliteti dhe rritja e Evropës Juglindore do të bëhen realitet, atëherë të dy vendet duhet të vijnë në tryezën e bisedimeve me kushte të barabarta

Në kundërshtim me deklaratat e disa liderëve politikë në PDK dhe LDK, marrja e këtij qëndrimi nuk e kërcënon partneritetin historik midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara. Dashuria e popullit shqiptar për Shtetet e Bashkuara është e betonuar përgjithmonë në veprimet e Presidentit Woodrow Wilson, i cili në fund të Luftës së Parë Botërore këmbënguli që të ashtuquajturat Fuqitë e Mëdha: Britania, Franca, Italia, Gjermania, Austro-Hungaria, dhe Rusia — të njohin Shqipërinë, sepse ajo ishte me një nga popujt më të vjetër të Evropës.

Bota gjithashtu e di se kur Sllobodan Millosheviqi filloi fushatën e tij gjenocidale kundër shqiptarëve kosovarë (pasi që vrau një gjysmë milioni boshnjakë), qeveria e SHBA – dhe në një masë të madhe për shkak të viteve të punës sime, Joe DioGuardit, dhe të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane – e solli Millosheviqin deri te ndalja dhe përfundimisht te gjykimi në Tribunalin e Krimeve të Luftës në Hagë. Në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara dhe shumë qeveri tjera nga gjithë bota e njohën pavarësinë e Kosovës.

Por tani jemi në një kohë tjetër të historisë së SHBA. Është vërtetuar mirë nga mediat kryesore të SHBA se Presidenti Donald Trump po përkulet ndaj makinacioneve të Rusisë dhe Serbisë dhe po vë në rrezik sigurinë e Evropës. Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, nuk mund të lejojë që të përkulet ndaj insistimit të administratës së Trumpit që të kthehet në negociata me një udhëheqje serbe që refuzon ta njohë Kosovën si një shtet sovran dhe që po punon shumë për të sjellë nën kontrollin e vet veriun e Kosovës dhe komunat me serbë të Kosovës në jug të Kosovës.

Jemi me fat që Shaun Byrnes, një diplomat amerikan i pensionuar që shërbeu si Shef i Misionit Vëzhgues Diplomatik të ShBA në Kosovë prej vitit 1998-1999 ka botuar një artikull shumë të rëndësishëm në www.peacefare.net, me titull “Një marrëveshje e keqe”. Në te, Byrnes ekspozon presionin intensiv që Presidenti Trump, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, i Dërguari Special i SHBA për Serbinë dhe Kosovën Richard Grenell dhe dhëndri i Trumpit Jared Kushner, në bashkëpunim me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, po i bëjnë kryeministrit Albin Kurti që të heqë tarifat për Serbinë. Byrnes shpjegon pse Kosova nuk duhet të pranojë këtë.

Unë besoj se konkluzionet e Byrnes në artikullin e tij të 13 Marsit 2020 janë të rëndësishme për të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e popullit shqiptar ku lexon se:

“Trumpi po kërkon një marrëveshje të shpejtë për të rritur perspektivat e tij të rizgjedhjes që po duken më të errëta për shkak të krizës ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e shoqëruar me rënien e çmimit të naftës dhe gjasat që ish Zëvendës Presidenti Biden do të jetë kandidati Demokratik.

“Nga ana e tij Thaçi … kishte dashur që të rrëzojë qeverinë Kurti për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekja e Kurtit për të zhdukur korrupsionin e përhapur. Qëllimi i Thaçit është që pastaj të krijojë një qeveri të re të koalicionit të përbërë nga LDK, partneri aktual i koalicionit të Kurtit dhe nga PDK, partia që e themeloi Thaçi.

“Ndërhyrja e Trumpit për të marrë përsipër dialogun i ka dhënë mundësinë Thaçit ta bëjë këtë. Ai po shfrytëzon kërcënimet për veprimin ndëshkues të SHBA si një goditje kundër Kurtit dhe po përpiqet të grumbullojë LDK dhe opozitën parlamentare për të kërkuar që tarifat të hiqen menjëherë. Në deklaratat publike këtë javë, Thaçi akuzoi se veprimet e Kurtit kërcënuan marrëdhëniet me SHBA dhe “të ardhmen e shtetit tonë”, një akuzë e papërgjegjshme.

“Përderisa lideri i LDK-së e mbështet Thaçin, tani për tani Kuvendi nuk po e mbështet Thaçin dhe situata është e bllokuar”. Vlen të përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës se asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do t’i japë fund armiqësisë së Serbisë me krahinën e saj të mëparshme. Derisa Serbia nuk e pranon se çka ka bërë në Kosovë nën sundimin e Millosheviqit marrëdhëniet e tyre nuk do të jenë as normale dhe as miqësore.

“Më shumë me rëndësi është se ne duhet t’i përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës që SHBA është dhe do të mbetet një mik i fortë dhe kjo nuk do të ndryshojë pavarësisht se çfarë mund të kërcënojnë Trump, O’Brien, Grenell, Pompeo dhe Kushner. Kosova nuk duhet të detyrohet të pranojë një marrëveshje me pasoja me një Serbi armiqësore që politikanët e saj dhe publiku i saj nuk e kanë parë për shkak të motiveve vetë-shërbyese të një politikani. “

Në një deklaratë publike në mars të vitit 2012, me titull “Ruaje Republikën e Kosovës, “Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane vërejti se: ” Ka një nënshtrim pothuajse total i klasës politike dhe publikut ndaj vullnetit të Departamentit të Shtetit të SHBA dhe të përfaqësuesve tjerë perëndimorë në Prishtinë. Gjithashtu, besimi se Shtetet e Bashkuara do të kujdesen për Kosovën, shpesh përdoret si justifikim nga ana e politikanëve dhe profesionistëve shqiptarë që të mos punojnë për të zgjidhur problemet e Kosovës, dhe kjo duhet të ndalet. “

Besimi i rrejshëm nga disa politikanë dhe profesionistë shqiptarë se administrata Trump do të kujdeset për Kosovën është ndalur me vendimin e kryeministrit Albin Kurti dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani që të mos përkulen ndaj kërkesave të presidencës së parë autoritare në historinë e SHBA, por të qëndrojnë në kursin e vet në emër të Kosovës.

Më në fund, të mos harrojmë mesazhin që një mik i fuqishëm i Kosovës dhe tani kandidat për President të SHBA, ZP Joe Biden, deklaroi tetëmbëdhjetë vjet më parë — në vitin 2002 në 12 vjetorin e punës së Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Hotelin Sheraton në Qytetin New York. Në fjalën e tij kryesore, Biden, në atë kohë udhëheqës i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, tha se:

“Vetë-interesi i pastër i Shteteve të Bashkuara qëndron në shekullin XXI duke filluar me një Evropë të tërë, të pandarë dhe të unifikuar”, sepse çdo herë që Evropa zhytet në kaos, “djemtë dhe vajzat tona vdesin, ekonomia jonë dobësohet, dhe ne e paguajmë çmimin. Nga kultura, historia dhe prirja, ne nuk jemi në gjendje të ndahemi nga ajo që ndodhë në Evropë. Fati i shtatë milion njerëzve shqiptarë në Ballkan … është gjithashtu thelbësor për interesin tonë të pastër. Nëse legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk njihet dhe mbrohet, të gjitha pjesët në rajon do të rrëzohen, dhe nëse nuk e stabilizojmë Ballkanin, ne do të paguajmë shtrenjtë. “

Përkthyer nga; Mire-Marku Rugova/

Filed Under: Politike Tagged With: Donald Trump, Kosove, miqesia, SHBA, Shirley Cloyes DioGuardi

Koronavirusi- ShBA, mbi 3,700 raste të konfirmuara, 69 të vdekur

March 16, 2020 by dgreca

…amerikanët nuk duhet të mblidhen në grupe më të mëdha se me 10 vetë, studentët duhet të vazhdojnë të ndjekin studimet nga shtëpia dhe duhet të shmangen udhëtimet jo të domosdoshme dhe vizitat tek njeri-tjetri./

Mbi 3 mijë e 700 është numri i personave të infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ndërsa 69 kanë vdekur.

ShBA vazhdon përpjekjet për të penguar përhapjen e epidemisë që ka arritur në 49 nga të 50 shtetet. Masat kanë çuar në mbylljen e shkollave e lokaleve si dhe anulimin e aktiviteteve publike në shumë vende.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe anëtarë tjerë të administratës po përpiqen të zbutin panikun, pasi raftet e dyqaneve në mbarë vendin po boshatisen nga frika e izolimit.

“Nuk keni pse bleni kaq shumë gjëra. Merreni me qetësi”, tha presidenti të dielën në një konferencë.

“Nuk kemi mungesë në furnizim, vetëm se njerëzit po blejnë tri deri në pesë herë më shumë sesa zakonisht”, tha ai.

Zoti Trump foli në konferencë me anëtarë të task forcës kundër koronavirusit por nuk pranoi pyetje.

Koronavirusi tha ai,“është diçka që e kemi nën kontroll”, përpara se nënpresidenti Mike Pence, drejtues i Task Forcës, të fliste një orë.

Disa zyrtarë u shprehën të kujdesshëm rreth rrugës që i pret ShBA.

“Më e keqja ende është para nesh” tha drejtuesi i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Dr. Anthony Fauci, ndërsa sekretari i shëndetit Alex Azar, paralajmëroi mundësinë që pandemia të mbingarkojë sistemin amerikan të kujdesit shëndetësor.

Komentet bëhen ndërsa më shumë shtete po urdhërojnë masa që ndalojnë grumbullimet publike.

Guvernatori Gavin Newsom urdhëroi mbylljen e të gjithave bareve në shtetin më të populluar të ShBA, Kaliforni.

Ai gjithashtu deklaroi se personat 65 e më shumë vjeçarë duhet të qëndrojnë në izolim në shtëpi, pasi janë të rrezikuar nga COVID-19.

Vendimi i guvernatorit të shtetit të Ohajos, Mike DeWine, ndalon qytetarët të hanë brenda restoranteve. Mundësia e vetme është të marrin ushqimin me vete ose të porosisin nga shtëpia.

Masa të njëjta janë ndërmarrë edhe në Nju Jork dhe Los Anxhelos, dy qytetet më të mëdha në vend. Kjo pas rregullave të reja të prezantuara nga kryetarët e bashkive të dy qyteteve që të mbyllen të gjitha vendet e argëtimit si kinematë.

“Po marrim një seri veprimesh në kuadër të përpekje për të shpëtuar jetët e më të dashurve tanë dhe fqinjëve” tha kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio.

Rekomandimet e Qendrës Kombëtare për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve sugjerojnë ndalimin e grumbullimeve të më shumë se 50 njerëzve gjatë 8 javëve të ardhshme.

FAUCI: ÇDO MUNDËSI ËSHTË NË TRYEZË

I pyetur nëse duhet të ketë masa mbarëkombëtare siç bënë vendet tjera, zoti Fauci tha se çdo mundësi është në tryezë dhe se gjithçka do të bëhet për të mbrojtur popullin amerikan.

Zyrtarët në 35 nga 50 shtete ose kanë mbyllur shkollat ose kanë rekomanduar të mbyllen.

Radhë të gjatë dhe panik është vërejtur në aeroportet e vendit ndërsa autoritetet po punojnë me rregullat e reja që synojnë parandalimin e virusit.

Radhët e gjata janë të papranueshme, tha sekretari në detyrë i sigurisë kombëtare, Chat Wolf, ndërsa shpjegoi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se procesi është rregulluar dhe se pritjet kanë rënë për 30 minuta.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare ata me shtetësi amerikane dhe banorët që kthehen nga vendet me të cilat janë ndërprerë fluturimet, duhet të kryejnë teste mjekësore para se të kthehen.

Nëse nuk kërkohet trajtim mjekësor, këta qytetarë dërgohen në shtëpi ku kalojnë dy javë në vet-karantinë.

Të huajt që jetojnë në ShBA por që kanë udhëtuar në vendet e ndaluara, nuk do të lejohen të kthehen në Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare tha se ata duhet të udhëtojnë në një vend të tretë, që nuk është vend i ndaluar nga ShBA, ku duhe të presin për dy javë në vet-karantinë përpara se të nisen për Shtetet e Bashkuara.

ShBA ka më shumë se 3 mijë e 700 raste të konfirmuara me koronavirus, në 49 nga 50 shtete.Në mbarë vendin janë raportuar 67 vdekje.

PAKETË EMERGJENCE

Senati, që kontrollohet nga republikanët, të hënën shqyrton një paketë të emergjencës të cilën dhoma e përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët e ka miratuar.

Legjislacioni parasheh fonde për bizneset e vogla dhe të mesme të cilave u janë rritur shpenzimet nga lejet e sëmundjeve. Fondi ndihmon edhe individët që humbën pagën pasi u futën në karantinë ose nga aktiviteti i reduktuar ekonomik.

Në qendër të masave emergjente të presidentit është shtimi i testimeve për koronavirus.

Shtetet e Bashkuara janë kritikuar për ritmin e futjes në përdorim të pajisjeve të testimit ndërsa zoti Trump kërkoi rritje të kapacitetit testues, që përfshin edhe pikat ku njerëzit shkojnë me makinë për t’u kontrolluar nëse kanë simptoma.

Shtëpia e Bardhë tha se 1.9 milion teste do të mundësohen këtë javë dhe një faqe online do të jetë e aksesueshme brenda pak ditësh, e cila do të jetë në shërbim të atyre që janë prioritet i testimit.

Rekomandimet për distancën shoqërore po i respektojnë edhe korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë të cilët nga e hëna janë më pak në numër. Secili reporter do të ketë ulësen e tij dhe një hapësirë boshe anash.

Rekomandimet që njerëzit të mos mblidhen në grupe solli vendimin e rrjetit të kafeneve të Starbucks që njerëzit mund të marrin kafe me vete por jo të ulen në mjediset e tyre.

***

Shqipëri: 51 qytetarë të prekur nga COVID-19

Ministria e shëndetësisë bëri sot të ditur se u ngjit në 51 raste numri i qytetarëve të prekur nga Covid-19, nga 42 që ishte dje.

Nga 31 teste tek persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, në 24 orët e fundit u konfirmuan kështu edhe 9 raste të reja me COVID-19. Rastet e reja u shtuan 8 në Tiranë dhe një në Fier.

Tirana ka sot 34 raste nga 26 që ishin dje, Fieri ka 6 raste nga 5 që ishin dje, Durrësi ka 5 raste, ndërsa Lushnja, Elbasani, Rrogozhina me nga 2 raste përkatësisht.

Zëvendës ministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha sot se në Spitalin Infektiv janë shtruar 20 persona nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina.

Tre prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja, një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të qëndrueshme.

Janë testuar gjithsej deri tani 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë 51 raste me COVID-19.

Zonja Rakacolli shtoi se nga testimi i personelit shëndetësor dolën pozitivë me COVID-19 edhe 4 punonjës në spitalin “Shefqet Ndroqi”, një mjek dhe 3 infermierë. Ata kanë qenë në kontakt me një pacient, i cili u vizitua nga një i afërm i tij, që vinte nga Italia, por nuk e deklaroi këtë fakt.

Pacienti i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili u infektua nga i afërmi dhe më pas ua kaloi virusin 4 punonjësve të shëndetësisë, tashmë është transferuar në Spitalin Infektiv.

Mjeku dhe 3 infermierët e Spitalit “Shefqet Ndroqi” që rezultuan pozitiv, janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar.

Ministria e shëndetësisë u kërkoi qytetarëve të mos shkojnë nëpër spitale për vete apo për vizita tek të afërmit, të moshuarit të mos dalin nga banesat, ndërsa ata që testohen duhet të tregojnë saktë nëse kanë udhëtuar jashtë vendit ata ose familjarë të tyre, që të mos rrezikojnë personelin shëndetësor.

Qeveria miratoi një akt normativ me masa të posaçme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Covid-19. Masat që u zbatuan në Tiranë e Durrës këtë javë do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë. 

Qeveria vendosi që të ndalojë edhe qarkullimin e këmbësorëve në gjithë vendin, duke nisur nga sot në orën 18 me orën lokale. Qytetarët jashtë këtij orari do të gjobiten.

Shqipëria ka bllokuar sot të gjithë pikat kufitare dhe udhëtimet me vendet fqinje, si dhe ka bllokuar gjatë fundjavës qarkullimin rrugor, baret, restorantet dhe ka mbyllur sistemin arsimor dhe të gjithë objektet, stadiume, kinema ku ka grumbullime masive të qytetarëve.

Kosovë: Shkon në 13 numri i të infektuarve me koronavirus

Në Kosovë numri i të infektuarve me koronavirus arriti në trembëdhjetë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shkroi në mëngjesin e së hënës se “bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste të reja pozitive me COVID-19. Të katër rastet janë nga fshati Stubëll i komunës së Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv me COVID-19, me datën 13 mars. E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë”, shkroi ai.

Shtëpia e Bardhë nxjerr udhëzime të reja për koronavirusin/

Shtëpia e Bardhë po u bën thirrje amerikanëve të moshuar të mos dalin nga shtëpia, gjithashtu po nxit të gjithë popullatën të shmangë vende publike me turma njerëzish, ndër to edhe restorantet.

Sugjerimet e reja janë pjesë e udhëzimeve të gjera që kanë bërë autoritetet për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Presidenti Donald Trump dhe grupi i punës që ai ka emëruar në përgjigje të koronavirusit nxorën udhëzimet e reja, në një kohë kur qeveria federale po punon për të shtuar ritmet e analizave për virusin dhe për të reduktuar dëmin nga paniku në tregjet financiare.

Ndër rekomandimet e reja: gjatë 15 ditëve të ardhshme amerikanët nuk duhet të mblidhen në grupe më të mëdha se me 10 vetë, studentët duhet të vazhdojnë të ndjekin studimet nga shtëpia dhe duhet të shmangen udhëtimet jo të domosdoshme dhe vizitat tek njeri-tjetri.

Nëse një pjesëtar i familjes rezulton pozitiv për virusin, të gjithë pjesëtarët e tjerë duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Në komentet në sallën e konferencave për shtyp, Presidenti Trump tha: “Nëse të gjithë bëjnë modifikime të tilla dhe sakrifica në jetën e përditshme, do të arrijmë si komb ta mundim virusin dhe së bashku do të fesojmë”.

Për shumicën e popullatës, infektimi me koronavirus do të shkaktojnë probleme të vogla, simptoma të lehta si kollë dhe temperaturë. Për disa, sidomos për personat e moshuar dhe ata që kanë problem shëndeti, mund të sjellë komplikime, ndër të cilat pneumoni. 

Pjesa më e madhe e njerëzve të prekur do ta kalojnë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njerëzit me simptoma të lehta e kalojnë për dy javë, ndërsa ata që e kanë më të rendë duan tre deri në gjashtë javë ta marrin veten.(Kortezi- Zeri i Amerikes)

Filed Under: Kronike Tagged With: Koronavirusi, Kosove, shqiperi

Kosovë-Përmbyllen aktivitetet e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut

January 17, 2019 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj: Në nderim të Heroit Kombëtar, simbolit të unitetit shqiptar dhe lidhjes sonë të përhershme me Perëndimin, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut/

 1 Harad shtatorja1 harad hoxh e prif1 LuleRugovaPrishtina-Shtatorja-

-Shtatorja e Gjergj Kastriotit në kryeqytetin e Kosovës në 28 Nëntor 2001- Presidenti histrorik Rugova: Sot është një ditë e madhe për Kosovën, sepse po e përurojmë monumentin e Heroit Nacional të shqiptarëve në Prishtinë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Per me shume fotografi shihni specialen ne Facebook-dielli vatra/

PRISHTINË, 17 Janar 2019/ Në Prishtinë zhvillohet sot në mbrëmje ceremonia e përmbylljes së aktiviteteve në Kosovë të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, ndërsa në mëngjes te shtatorja e Heroit Kombëtar bëri homazhe Kryeministri Ramush Haradinaj.

“Në nderim të Heroit Kombëtar, simbolit të unitetit shqiptar dhe lidhjes sonë të përhershme me Perëndimin, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, është shprehur Kryeministri i Kosovës, Haradinaj.

“Njëkohësisht sot nderojmë të gjithë të rënët për liri, veçanërisht vëllezërit Gërvalla, Jusufin e Bardhoshin dhe Kadri Zekën që janë vrarë në këtë ditë, vite më përpara”, tha ai.

Në Kosovë nga Janari 2018 janë zhvilluar aktivitetetet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të nisura me orën e madhe letrare “Ora e Gjergjit” dhe me një ekspozitë 55 portretesh për 550-vjetorin.

Një nga aktivitetet drejt përmbylljes së Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut në 2018-tën ishte në prag të Festës së madhe të gjithë shqiptarëve  28 Nëntorit – zbulimi i pikturës së restauruar të Gjergj Kastriotit, e cila gjendet brenda Katedrales Zoja Ndihmëtare në Prizren, qytetin më të madh jugor të Kosovës afër kufirit me Shqipërinë.

 Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit është shpallur në 28 Nëntor 2017 në Vlorë, në 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pas mbledhjes së katërt një ditë më parë të dy qeverive – Shqipërisë e Kosovës, në Korçë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 12 janarit 2018 formoi Komisionin ndërministror për vitin Mbarë-kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Kryetar i Komisionit është emëruar Jahja Lluka.

Në Prishtinë, Shtatorja e Heroit Kombatër Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është ngritur në 28 Nëntor të vitit 2001 në një ditë feste të madhe të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të tretën në Kosovën e lirë.

SHTATORJA E GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDËRBEUT NË PRISHTINË NË 28 NËNTOR 2001-RUGOVA: DITË E MADHE PËR KOSOVËN­

Shtatorja e Heroit Kombatër Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në Prishtinë, kopje e monumentit në Krujë – vepër e skulptorit Janaq Paço, është ngritur në 28 Nëntor të vitit 2001 në një ditë feste të madhe të Pavarësisë së Shqipërisë, të tretën në Kosovën e lirë, të cilën presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte ditë të madhe për Kosovën.

“Zonja dhe zotërinjë, qytetarë të nderuar të kryeqytetit, qytetarë të nderuar të Kosovës, mysafirë të nderuar nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva, të nderuar miq ndërkombëtarë dhe përfaqësues diplomatikë në Prishtinë. Sot është një ditë e madhe për Kosovën, sepse po e përurojmë monumentin e Heroit Nacional të shqiptarëve në Prishtinë”, tha në fjalën përuruese Rugova, duke folur para mijëra shqiptarëve nga trojet etnike e diaspora.

Ai vijoi se,  shumë gjenerata të mëparshme si dhe gjenerata jonë e kemi ëndërruar këtë ditë.

“Gjeneratat e reja, fëmijët tanë do të rriten me Skënderbeun, do të rriten me Heroin e vet dhe me fat të rinjve të Kosovës”, theksoi Rugova.Më tej tha se, do të ndiehen edhe më të qetë edhe dëshmorët e shumë brezave dhe ata të luftës së fundit për liri dhe pavarësi të Kosovës.

“Sot Kosova është e lirë, e bënë të lirë nipat dhe miqtë e Skënderbeut. Gjergj Kastrioti ndihet i lumtur për lirinë e Kosovës, të Dardanisë antike. Ndihet i lumtur, sepse miqtë e tij janë në Kosovë dhe me Kosovën, se Kosova dhe shqiptarët po bashkohen e integrohen në botën perëndimore, aty ku e kanë vendin. Në atë botë që e mbrojti me dinjitet dhe i hapi perspektiva për shekujt e rinj evropianë e perëndimorë, për prosperitetin e civilizimit njerëzor”, u shpreh Rugova.

Shtoi se, shekuj me radhë Skënderbeu ishte simbol i lirisë dhe i pavarësisë për shqiptarët, ishte simbol i lirisë dhe i pavarësisë për Kosovën.

“Poashtu, shekuj me radhë Skënderbeu ishte simbol i lirisë dhe pavarësisë për shumë popuj evropianë dhe të botës. Ishte simbol edhe për lirinë dhe pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e vazhdon këtë mision edhe sot”, theksoi presidenti historik Rugova.Ai falënderoi profesor Mark Krasniqin për angazhimet për ta sjellë e ngitur në Prishtinë  monumentin-shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe për ta vendosur në monument i kishte sjellur “një ari natyral të kristaleve të Kosovës”.

 “Me fat Prishtinë, me fat Kosovë, zoti e bekoftë Skënderbeun siç e ka bekuar. Zoti e bekoftë Kosovën, ju falenderit dhe urime për monumentin e Skënderbeut…Ju falendroj shumë juve qytetarë që keni ardhur ta ndani gëzimin së bashku këtu në Sheshin Skënderbe të kryeqytetit të Kosovës sonë të dashur. Me fat”, tha në përfundim të fjalës Ibrahim Rugova.Pastaj akademik Mark Krasniqi ia dorëzoi monumentin madhështor kryetarit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Salih Gashi, i cili u shpreh: “Më në fund erdhi edhe ky monument i shumëpritur dhe i lavdishëm për popullin tonë- ngritja e përmendores së Skënderbeut në Prishtinë”.

 Në festën e ngritjes së shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prishtinë folën edhe Namik Dokle, kryetar i atëhershëm i Parlamentit të Shqipërisë dhe ish-kryeministri në ekzil i Kosovës, Bujar Bukoshi.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Mbyllet Viti i Skenderbeut

KOSOVË, URIMET MË TË MIRA PËR KRIJIMIN E USHTRISË !

December 15, 2018 by dgreca

Asllani 07 (2)

NGA ASLLAN  BUSHATI/

Më 14 Dhjetor 2018, mediat  publikuan e na mbushën zemra  me një gëzim të shkallës madhore . Më së fundi, pas  një  kalvari  të gjatë lufte e pune, e nëpër  një  labirint të panumërt  mundimesh e vështirësisë, u formu zyrtarisht ( me vendim të Kuvendit të Kosovës),  Ushtria e Kosovës (UK-ja).

Ky është një  moment i shënuar historik për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë . Prandaj  gjëja  e parë që  duhet të bëjmë është t’ju shprehin nderimin më të thellë  gjithë atyre burra e grave shqiptare  të të gjitha kohrave ,që dhanë jetën për Kombin, që u plagosën, u gjymtuan, luftuan, u burgosën, shkrinë pasurinë, u lodhën e stërmunduan për të ardhur deri tek formimi i UK-së. Pas kësaj (por jo e dyta për nga rëndësia), është mirnjohja më e thellë  ndaj Kombit të madh Amerikan , që e mbrojti Shqipërinë nga coptimi në Lidhen e Kombeve dhe më pas së bashku me NATO-n, mundësoi clirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe sot mbështeti pa asnjë rezervë krijimin e UK-së.

Kështu pas pavarsisë së Shqipërisë e të  Kosovës , krijimit të Ushtrisë Shqiptare (USH) më 4 dhjetor 1912 , kjo e 14 dhjetorit të 2018-tës  është  e do të mbetet një nga datat më të shënuara në kalendarin e Kombit tonë. Meritë për këtë kanë të gjithë ata që morën armët dhe luftuan për clirimin e Kosovës, klasa e sotme politike e Kosovës,  që insistoi për ta shpejtuar këtë proces me të gjitha mënyrat e mjetet dhe diaspora shqiptare e vecanërisht kjo në SHBA .

Kur them kjo në SHBA, kam para syshë Vatrën, Ligën Civile Shqiptaro- Amerikane, LDK-në, shumë shoqata shqiptare në NY rrethinë e më gjërë, biznesmenë, personalitete të komunitetit të shumë fushave, intelektualë dhe cdo individ i komunitetit shqiptaro-amerikan që kontriboi  me mund djersë dhe  mjete monetare. Si një trup i vetëm, ata ishin në shumë  demostrata para OKB-së , para Kapitol Hill-it, para Shtëpisë Bardhë e deri në tavolinën ovale të ish Presidentit Bill Klinton. Ata ishin në shumë mitingje e veprimtari të dobishme të “Vendlindja thërret”, në organizimin, ngritjen, formimin dhe stërvitjen e Batalionit”Atllantiku”, përfshi edhe shkruesin e këtyre rrjeshtave. Ata lobuan në Kongres, Senat, Departamentin e Shtetit e të Mbrojtjes  për të siguruar ardhjen e kësaj dite.

Për gjithsa më sipër,e të gjithë së bashku, kemi bërë  vetëm detyrën ndaj Kombit. Nuk kemi nevojë për asnjë lëvdatë a mburrje të vecantë,madje  kemi   bërë edhe shumë punëra të tjera shumë të dobishme , të cilat nuk ja vlen që sot ti përmendim. Por me shumë modesti do të dëshironim që ata të na njiheshin si kontribut e veprimtari dobiprurëse të këtij komuniteti të cilat i kanë ndihmuar ardhjes së kësaj dite të lumtur ,formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Urimet më të mira Kosova jonë e dashur, që ja arrite kësaj dite të lumtur. Uk-ja rroftë e përparoftë për mot e jetë dhe shkroftë faqe të ndritura në librin e lavdisë botërore.

Filed Under: Komente Tagged With: asllan Bushati, Kosove, PËR KRIJIMIN E USHTRISË, Urimet më të mira

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shqetësimet e fëmijëve tanë”
  • Një “makondo” për vendlindjen
  • Ekspozita retrospektive e piktorit Xhevdet Spahija
  • Albanian Brain drain! Human Capital Flight!
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË AUSTRI, TË MËSOSH SHQIP NËPËRMJET RADIOS
  • KËNGA E GJORG GOLEMIT DHE FIGURA GJERGJ ARANITIT NË LETËRSI DHE ARTE
  • Kujtojmë 226-vjetorin e lindjes së Naum (Bredhi) Veqilharxhit (1797-1854)
  • Imzot Lazër Mjeda, Veprimtar i dalluar fetar dhe kombëtar në kohën e rreziqeve (1909 – 1921)
  • “Korridore të gjelbra”
  • Sllavët
  • 334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, teologut dhe shkrimtarit të shquar arbën
  • KISH  NË ZEMËR SHQIPËRINË
  • Testamenti i një njeriu të urtë të politikës shqiptare
  • Fshatrat shqiptare po shpopullohen nga mungesa e mbeshtetjes nga buxheti i shtetit
  • “Përjetësia e dyfishtë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT