NGA ASLLAN BUSHATI/
Më 14 Dhjetor 2018, mediat publikuan e na mbushën zemra me një gëzim të shkallës madhore . Më së fundi, pas një kalvari të gjatë lufte e pune, e nëpër një labirint të panumërt mundimesh e vështirësisë, u formu zyrtarisht ( me vendim të Kuvendit të Kosovës), Ushtria e Kosovës (UK-ja).
Ky është një moment i shënuar historik për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë . Prandaj gjëja e parë që duhet të bëjmë është t’ju shprehin nderimin më të thellë gjithë atyre burra e grave shqiptare të të gjitha kohrave ,që dhanë jetën për Kombin, që u plagosën, u gjymtuan, luftuan, u burgosën, shkrinë pasurinë, u lodhën e stërmunduan për të ardhur deri tek formimi i UK-së. Pas kësaj (por jo e dyta për nga rëndësia), është mirnjohja më e thellë ndaj Kombit të madh Amerikan , që e mbrojti Shqipërinë nga coptimi në Lidhen e Kombeve dhe më pas së bashku me NATO-n, mundësoi clirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe sot mbështeti pa asnjë rezervë krijimin e UK-së.
Kështu pas pavarsisë së Shqipërisë e të Kosovës , krijimit të Ushtrisë Shqiptare (USH) më 4 dhjetor 1912 , kjo e 14 dhjetorit të 2018-tës është e do të mbetet një nga datat më të shënuara në kalendarin e Kombit tonë. Meritë për këtë kanë të gjithë ata që morën armët dhe luftuan për clirimin e Kosovës, klasa e sotme politike e Kosovës, që insistoi për ta shpejtuar këtë proces me të gjitha mënyrat e mjetet dhe diaspora shqiptare e vecanërisht kjo në SHBA .
Kur them kjo në SHBA, kam para syshë Vatrën, Ligën Civile Shqiptaro- Amerikane, LDK-në, shumë shoqata shqiptare në NY rrethinë e më gjërë, biznesmenë, personalitete të komunitetit të shumë fushave, intelektualë dhe cdo individ i komunitetit shqiptaro-amerikan që kontriboi me mund djersë dhe mjete monetare. Si një trup i vetëm, ata ishin në shumë demostrata para OKB-së , para Kapitol Hill-it, para Shtëpisë Bardhë e deri në tavolinën ovale të ish Presidentit Bill Klinton. Ata ishin në shumë mitingje e veprimtari të dobishme të “Vendlindja thërret”, në organizimin, ngritjen, formimin dhe stërvitjen e Batalionit”Atllantiku”, përfshi edhe shkruesin e këtyre rrjeshtave. Ata lobuan në Kongres, Senat, Departamentin e Shtetit e të Mbrojtjes për të siguruar ardhjen e kësaj dite.
Për gjithsa më sipër,e të gjithë së bashku, kemi bërë vetëm detyrën ndaj Kombit. Nuk kemi nevojë për asnjë lëvdatë a mburrje të vecantë,madje kemi bërë edhe shumë punëra të tjera shumë të dobishme , të cilat nuk ja vlen që sot ti përmendim. Por me shumë modesti do të dëshironim që ata të na njiheshin si kontribut e veprimtari dobiprurëse të këtij komuniteti të cilat i kanë ndihmuar ardhjes së kësaj dite të lumtur ,formimit të Ushtrisë së Kosovës.
Urimet më të mira Kosova jonë e dashur, që ja arrite kësaj dite të lumtur. Uk-ja rroftë e përparoftë për mot e jetë dhe shkroftë faqe të ndritura në librin e lavdisë botërore.