
Valdete Dida Cenalia/
Më dhemb shpirti kur shoh Shqipërinë time të përgjakur, pleq të pambrojtur që përballen me dhunën, kur shoh studente me lot në sy, që kërkojnë të drejtat më elementare të jetës së tyre, dhe vajza e djem të rinj që, në vend të mbështetjes dhe shpresës, përballen me forcën e uniformave të policisë shqiptare që i maskarojnë.
Një pyetje më shpërthen nga thellësia e shpirtit:
Ju, policë me uniforma blu, a ju rrjedh ende gjak shqiptari nëpër vena? A i shihni këta pleq, këto vajza e këta djem si bashkëkombësit tuaj, si prindërit, motrat dhe vëllezërit tuaj? Apo para jush nuk qëndrojnë më njerëz, por thjesht qytetarë që duhen nënshtruar?
Si mund të ngrihet dora mbi një të moshuar të pambrojtur? Si mund të shembet përtokë një djalë i ri që kërkon të drejtat e tij? Çfarë urdhri mund ta shuajë ndërgjegjen njerëzore dhe ta kthejë uniformën, që duhet të simbolizojë sigurinë, në burim frike për qytetarin?
Pamjet e dhunës ndaj shqiptarëve në rrugët e Shqipërisë sonë, janë një plagë që nuk mund të pranohet si normale. Kur shohim mënyrën se si trajtohen pleqtë, studentët dhe protestuesit, dhimbja është aq e madhe, sa të vjen të pyesësh me revoltë, çfarë policie kemi përballë? Një polici shqiptare, që duhet të mbrojë popullin e vet, apo një polici kriminelësh e veshur me uniformën tuaj?
Nuk e them këtë sepse dua ta mohoj përkatësinë e askujt, por sepse më dhemb kur shoh shqiptarë që trajtojnë shqiptarët sikur të ishin armiq në tokën e tyre. Uniforma blu nuk duhet të jetë mburojë e pushtetit kundër popullit, por garanci e qytetarit përballë çdo padrejtësie.
Ndërsa pushteti flet për një Shqipëri të sigurt, shqiptarët vazhdojnë të largohen, sepse nuk gjejnë dinjitet, drejtësi dhe shpresë për fëmijët e tyre.
Vëllai im ishte i fundit nga familja jonë që mori rrugën e emigrimit. Jo nga dëshira, por nga pamundësia për të mbijetuar në vendin e vet, sepse zëri i tij nuk u dëgjua kurrë. Dy vajzat e tij, të diplomuara me rezultate të shkëlqyera ne Universitet, nuk gjetën një derë të hapur për meritën e tyre.
Dhe sot, kur në Evropë u kërkohet shqiptarëve të kthehen, duke u premtuar se Shqipëria qenka më e sigurt se kurrë, pyes veten, vallë për cilën Shqipëri flasin? Për atë të qytetarëve që protestojnë me lot në sy, apo për atë të atyre që i thurin lavde pushtetit dhe “lartmadhnisë”, ndërsa populli vuan?
Një vend nuk bëhet i sigurt duke dhunuar protestuesit. Nuk bëhet i begatë duke i lënë të rinjtë pa mundësi. Nuk bëhet demokratik duke ia mbyllur gojën qytetarit, duke ju hedhur gaz lotsjellës duke i “mposhtur” me presion uji.
E nuk bëhet atdhe duke i detyruar bijtë e tij të kërkojnë shpëtim përtej kufijve.
Shqipëria nuk është pronë e askujt! Është gjaku, mundi, sakrifica dhe kujtimi i brezave që luftuan e punuan për të. Është e pleqve që meritojnë dinjitet, e studentëve që meritojnë të ardhme, e të rinjve që meritojnë mundësi dhe e çdo shqiptari që dëshiron të jetojë i lirë në vendin e vet.
Nuk më dhemb vetëm Shqipëria që shoh sot. Më dhemb Shqipëria që ëndërruam, pushteti që na përzuri, ajo për të cilën punuam, sakrifikuam dhe shpresuam se do t’ua lëmë fëmijëve tanë.
Pyetja që më rëndon në shpirt është edhe sa familje të tjera duhet të shpërndahen nëpër botë? Sa të rinj duhet të humbasin shpresën? Sa lot duhet të derdhen në rrugët e Shqipërisë që të kuptohet se një popull nuk mund të mbahet përgjithmonë nën frikë, dhunë dhe përbuzje?
Sepse një ditë, pushtetet ikin, por plagët që i hapin popullit mbeten gjatë në kujtesën e tij.
Historia nuk do të kujtojë vetëm ata që dhanë urdhra, por edhe ata që, duke veshur uniformën e shtetit, harruan se përballë tyre qëndronte populli i tyre me sytë e mbushur plot “gjak” e dhimbje.
Kjo dhunë e ushtruar ndaj protestuesve është plagë mbi lirinë dhe dinjitetin e një kombi.