
Prof. Afrim Krasniqi/
Imagjinoni një moment: Në mes të përplasjes polici-studentë, lajm i fundit në media, live, – shefi i sistemit deklaron dorëheqjen. Në 10 sekonda studentët ndërpresin protestën dhe nisin brohoritje, policët heqin skafandrat dhe përqafohen me studentët, trupat speciale tërhiqen në reparte, Tirana mbushet me fishekzjarrë festive dhe tregtarët hapin lokalet për të festuar më qytetarët, qytetarët që fshihen pas divaneve dalin në sheh për të pasur ndonjë foto kujtim nga koha e Flamingove, doktorët në spitale lehtësohen dhe marrin leje të shkojnë në familje, oligarkët ofrojnë pije falas duke treguar sa të keqpërdorur e nën presion kanë qenë nga qeveria, administrata ndryshon foton e profilit në mediat sociale duke zgjedhur ndonjë foto rinore nga protesta, ai ikën në Surrel e pastaj diku tjetër ku nuk lejohet ekstradimi, SPAK nis hetimet VIP, – institucionet rikthen në funksion, përfshirë parlamenti për zgjedhjen e qeverisë së re, gjykatat, bankat, administrata, shkolla, universiteti dhe media në darkë mbushet me intervista të deputetëve socialistë që krenohen se ata ishin kundër dhunës por nuk e thonin dot publikisht, demokratët festojnë buzë Lanës duke parë nëse edhe doktori e respekton kërkesën e protestës ndaj tij, partitë e vogla kuptojnë se janë të vogla dhe kërkojnë një koalicion mbijetese, rinia kërkon rotacion cilësor demokratik, dialogu për reformat dhe ndryshimet që duhet të bëhen për rikthimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri, ndërkombëtarët thonë se fitoi demokracia dhe Shqipëria e kaloi testin.
Më 2027 mbyllim kapitujt me një qeveri konsensuale teknike dhe bëjnë zgjedhje më të lira për parlamentin dhe kryetarët e bashkive, duke pasur më shumë se 3-4 alternativa reale në fletëvotimi si mundësi zgjedhjeje, bandat nuk do të kenë më deputetë në parlament, e mbi të gjitha, -mesazhi merret, – askush në 2-3 dekadat e ardhshme nuk tenton më të dalë mbi popullin dhe shtetin; partitë nisin procesin të shndërrohen nga grupe biznesi në grupe identitare programore, vendi merr frymëmarrje, shoqëria bëhet më e hapur, diaspora e turistët rikthehen dhe rinia rikthen shpresat se Shqipëria bëhet. Dhe pastaj presim nëse BE do mbaj premtimin gjeopolitik për të na pranuar.
Vetëm imagjinojeni! Pastaj hapni sytë, kthehuni në realitet dhe shikoni momentin, – oferta e zgjidhjes? Rrogë 3 herë më të lartë sesa profesorëve për policinë speciale të llojit të IMT që rrah të rinjtë. Realiteti? Protestë 4 muaj paqësore qytetare që përsëritet çdo mesdite dhe nga orët e fundit të ditës kur nis errësira një pakicë me akte dhunë të papranueshme ndaj pronës private e publike, policë që kërkojnë kriminelin te 15 vjeçarët dhe njëherësh nderojnë me ndihmë e makina VIP-ët e vërtetë të krimit.
Një numër i madh të rinjsh studentë që gjimnazistë që po trajnohen nga interneti sesi të mbroheni nga gazi, shkopinjtë e gomës, dhuna brutale, ashtu edhe korrupsioni abuzues i qeveritarëve e zyrtarëve të lartë, por dhe nga fushatat denigruese të patronazhistëve dhe të turmave militante të pushtetit; duke rimenduar emigrimin dhe duke parë çdo ditë në TV paradën e luksit të oligarkisë politike dhe recitimet e deputetëve injorantë të mandatuar nga burgjet, bandat, oligarkët apo 2-3 familjet që kontrollojnë partitë tona kryesore politike, e bashkë me to, edhe sistemin politik, ekonomik dhe median.
Një Shqipëri që rrezikon të rrëshqasë në krizë edhe të thellë politike dhe sociale për shkak se dikush ka humbur lidhjet me realitetin. Sepse siç Dritero thoshte, “Në vendin tim e në vendin tënd / një i çmendur, një vend e çmend”.
Për të kuptuar më mirë ku jemi dhe çfarë po rrezikojmë të humbim.