
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/
Vendi asht praktikisht pa Parlament, sepse Kryeministri nuk lejon funksionimin normal dhe mbledhjen e tij. Ndërkohë, Kryetari i Parlamentit nuk kryen detyrat e tij kushtetuese për mbledhjen e organit sovran, sipas kalendarit të aprovuem.
Vendi, prej 5 ditësh asht edhe pa një Këshill Ministrash, që si rregull ushtron përgjegjësi kolegjiale, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Drejtësisë heshtin përballë nji krize që po prek themelet e rendit kushtetues, të drejtat e liritë qytetare.
Presidenti i Republikës nuk po ushtron as ato funksione kushtetuese mbetëse, pas reduktimit të vazhdueshëm të kompetencave të tij: nuk asht në gjendje të thërrasë as tryezen e partive politike dhe nuk ngucet moralisht as për thirrjen e nji mbledhjeje konsultative me intelektualët aktivë në jetën publike, për të gjetur rrugëdaljet nga kriza.
Opozita parlamentare, ndërkaq, për arsye të pakuptueshme, asht vënë në pamundësi reale për të përdorë mjetet institucionale që Kushtetuta dhe sistemi parlamentar ia njohin, për thirrjen në seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit.
Duket se të gjithë janë komodë me heshtjen, ose, thanun ndryshe, askush nuk guxon t’ia prishë heshtjen dhe dramën e panikut që ka përfshi KM, në bunkerin e tij, që nuk e dimë ku ndodhet.
Kemi mbërritë në një pikë ku mekanizmat e kontrollit, balancimit dhe përgjegjësisë institucionale janë paralizue pothuajse njëkohësisht dhe tanësisht.
Kur institucionet pengohen, paralizohen ose heshtin, shteti pushon së funksionuari si republikë kushtetuese dhe rrezikon të reduktohet në vullnetin e nji njeriu, që i fshihet publikut. Sonte ngjante se Prime Minister Office komandohej nga analfabeti i ndritun Skender Hitaj. Çfarë fatkeqësie për Shqipninë! (Për të mos u harruar hyrja triumfale e këtij tipit në ndërtesën e Këshillit të Ministrave: me çfarë lehtësie ! me çfarë tagri kryepolici hyn vetë, si zot shpije, në zyrën kryesore ekzekutive?!)
Jo vetëm pas nji situatë të tillë, por që kur ky tipi e shndërroi oborrin e ministrisë së dijes në burg ku lidheshin me zinxhirë studentët, SPAK duhej së paku të kishte nisë, kryesisht dhe pa asnjë vonesë, verifikimin e veprimeve të dyshuara si të paligjshme të drejtuesve të Policisë së Shtetit, si dhe të mosveprimeve të mundshme të Ministrit të Brendshëm, lidhur me lejimin, tolerimin ose mosparandalimin e shkeljeve procedurale dhe të të drejtave kushtetuese të qytetarëve gjatë ndërhyrjeve policore.
Në nji shtet të së drejtës, askush nuk mund të jetë jashtë kontrollit të ligjit dhe asnjë zinxhir komandues nuk mund të mbetet i paprekshëm nga hetimi kur ngrihen dyshime serioze për cenimin e lirive dhe garancive kushtetuese.
Edhe Avokati i Popullit, institucioni që pikërisht në momente të tilla duhet të jetë ndër zërat e parë në mbrojtje të qytetarëve dhe të të drejtave të tyne, duket sikur asht zhdukë nga qarkullimi publik.
Nji shkallë e tillë e bllokimit institucional, nuk asht pa as në dimnin e madh të viteve 1990–1991, kur Shqipnia po dilte nga diktatura. Vërshimi i milicisë patronazhiste me armë ndër rrugicat e Tiranës ka ndodhur për herë të fundit natën e 4 shkurtit 1944.
Paradoksi i natës së 17 tetorit 2026 asht edhe ma i randë: institucionet ekzistojnë formalisht, Kushtetuta ekziston, ligjet ekzistojnë, por nji pjesë thelbësore e mekanizmave që duhet t’i vëndosin ato në lëvizje, ose nuk funksionojnë, ose heshtin, ose pengohen të ushtrojnë kompetencat e veta.
Kjo nuk asht ma vetëm krizë politike. Asht krizë e funksionimit të vetë rendit kushtetues, asht nji grusht shteti, asht pragu i fundit drejt kaosit.
Pyetja qe të gjithë ia dimë përgjegjen asht kjo: kush asht autori i grushtit kundër funksionimit të institucioneve të shtetit demokratik?