• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mark Gjonaj në Shkollën Shqipe “Alba Life” në prag të vitit të ri shkollor 2021-2022

August 18, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Nga përvoja e mësimdhënies midis dy kontinenteve kuptoj që ajo që bashkon më së shumti shkollat në botë në prag të hapjes së tyre është parapërgatitja e mësuesëve, stafit për t’i mirëpritur me plot profesionalizëm nxënësit që do të ulen në bangat e klasava për vitin e ri akademik 2021-2021.

  Telefonatat e shumta, bisedat me prindërit, nxënësit, takimet pas daljes nga izolimi total botëror, doemos që i gëzon pamasë të gjithë të interesuarit për t’i sjellë fëmijët e tyre pranë Shkollës Shqipe “Alba Life”, një shkollë tashmë e njohur për seriozitetin, profesionalizmin dhe aktivitetet e shumta që organizon gjatë vitit. Është fakt që edhe pse bota u izolua Shkolla Shqipe “Alba Life”, që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut, mësimet nuk i ndërpreu kurrë pasi ishte e para shkollë në gjithë diasporën që filloi programin mësimor në platformën Google Meet në Online dhe kjo në saje të punës së përkushtuar të të gjithë mësuesëve tejet profesionistë, stafit, prindërve dhe nxënësve. Si misionarë të mesimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë kemi arritur rezultate të dukshme mbi të gjitha shumica e fëmijëve mund të mësojnë më shumë se një gjuhë. Drejtuesja e programit mësimor Dr.Valbona Zylo Watkins e cila është dhe profesore për spanjishten dhe letërsinë në universitet pohon se fëmijët duke mësuar dy gjuhë kanë avantazhe, si  aftësia për të përdorur informacionin në mënyra të reja, rritja e koeficentit të intelektit, vendosja e fjalëve në kategori, si “ushqim” ose “lodra”, pasuron fjalorin me fjalë të reja, merr aftësitë e leximit, mendon më shpejt në zgjidhjen e problemeve, behet një dëgjues i mirë dhe lidhet më shumë me Atdheun e të parëve. Z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” u mirëprit me plot dashamirësi në seminarin e drejtuar nga z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i Shkollave Shqipe si dhe nga të gjithë mësuesit dhe stafi i shkollës si Adelina Lacaj, Arta Xhaferri dhe Blerim Gjocaj, (koordinatore në Bronx), Elton Xhaferri, Majlinda Tafaj, Davida Hasanaj dhe Eriola Shahaj. Zonjat Hasanaj dhe Shahaj iu bashkuan si asistente Shkollës Shqipe të cilat u mirëpritën me shumë dashamirësi nga bordi i shkollës. Më duhet të shtoj se Z.Mark Gjonaj është i pari politikan Shqiptaro-Amerikan që është ulur në karrigen e Ansamblesë së shtetit të Nju Jorkut dhe në Bashkinë e Nju Jorkut.  Z.Gjonaj pohoi me krenari se Shkolla Shqipe “Alba Life” është e para që ka vizituar këtë qendër pranë spitalit “Jacobi” e cila do të inagurohet së shpejti dhe ne ndihemi krenar për ju si misionarë për mesimin e Gjuhës Shqipe.  Pasi prezantoi para mësuesëve të gjitha mjedieset me klasa tejet komode, palestrën ku do të bëjnë gjimnastikën si dhe kopshtin e gjelbërt ai tha se po bëjmë të gjitha përpjekjet që dita e parë e Shkollës Shqipe “Alba Life” të jetë e suksesshme dhe këtu këto mjedise të gumëzhijne vetëm shqip.  Ju lumtë për punën që po bëni vazhdoi Zoti Gjonaj.  Zoti Gjonaj po vazhdon në rrugën e ndritur të Rilindasve, Fan Nolit dhe Faik Konicës duke bashkëpunuar me thjeshtësi dhe kulturë me gjithë komunitetin. Z.Zylo falënderoi për pjesëmarrjen megjithëse është periudhë pushimesh, si dhe të gjitha mësueset që ndonese në Atdhe ishte mesnatë ato u paraqitën në Online si Gela Bulku, Mirevete Krasniqi.  Ditën tjetër seminarin e vazhdoi në Online me mësueset që nuk kishin mundësi të vinin fizikisht pasi janë me pushime në Atdheun tonë të dashur. E vecanta në seminarin në Online ditën tjeter ishte dhe pjesëmarrja e znj.Mira Shehu nga Halifax Canada, e cila ka shkollën e vet atje, por për shkak të pandemisë e bashkoi me Alba Life në Online.  Pasi falënderoi për bashkëpunimin ajo pohoi se do të vazhdojë dhe këtë semestër në Online me Alba Life, bashkëpunim që z.Zylo e mirëpriti me shume kënaqësi. Në seminar z.Zylo prezantoi stafin pjesëmarrës dhe falënderoi të gjtiha mësueset që po punojnë pa u lodhur, pandalur, me plot kulturë për mësimin e Gjuhës Shqipe në Diasporë.  Ai tha për përpjekjet e bëra për të marrë siguracionin e Shkollës Shqipe “Alba Life”.  Gjithashtu udhëzoi edhe pse jemi një staf vullnetarësh ne duhet duhet të ndjekim me përpikmëri rregulloren e Shkollës publike amerikane në shtetin e Nju Jorkut. Të gjitha mësueset dhe asistentet duhet të pajisen me certificatën e “Child Abuse”, si dhe u tha për udhëzimet e ministrisë së arsimit në Shqipëri për kriteret përkatëse në lidhje me pranimin e mësuesëve në shkollë. Foli për tekstet mësimore që do të përdoren për vitin e ri akademik 2021-2022.  Z.Zylo tha se nuk do ta ndërpresim mësimin në Online pasi kemi prindër që nuk kanë mundësi në oraret tona, si dhe prindër nga vende të ndryshme të botës që duan t’i sjellin fëmijët pranë shkollës Alba Life e cila dha një kontribut të dukshëm në kohën e pandemisë.  Duhet të punojmë fort për t’i sjellë fëmijët në muajin shtator si dhe të kontaktojmë me prindërit që kemi patur si dhe të rinj për të marrë informacionet përkatëse dhe si e duan mësimin, dmth cilin program për fëmijët e tyre. Ndërkohë foli dhe për programin artistik që po përgatitet për ceremoninë e hapjes si dhe të inagurimit të qendrës kulturore Jacobi ku udhëheqës artistike është Adelina Lacaj e cila do të bashkëpunojë me mësueset Entela Muda dhe Majlinda Tafaj. Inagurimi do të jetë madhështor ku do të ketë personalitete të larta si nga shteti amerikan, shqiptar po ashtu dhe nga Diaspora pasi për herë të parë realizohet ëndrra e komunitetit shqiptaro amerikan për të pasur mjediest e tyre komode në New York dhe kjo në saje të z.Mark Gjonaj. Mirë se te vini në shtator nxënës të dashur për të mësuar Gjuhën tonë të bukur Shqipe!

Gjuha Shqipe na bashkon sepse është asht i Kombit!

16 Gusht, 2021

Bronx, New York 

Filed Under: Politike Tagged With: Kozeta Zylo, Mark Gjonaj

Lamtumirë poeti kombëtar Agim Shehu

July 28, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Poeti, shkrimtari, eseisti, publicisti i jashtëzakonshëm Agim Shehu iku në parajse atje ku e ka vendin ky soj poeti.  Në këtë ditë të mbrame më shfaqesh me penën në dorë duke shkruajtur dhe nderuar mësuesit e parë, ashtu siç dinte të nderonte një poet si ju.  Ju i nderoni me përulësi si në këto vargje:  “A” e madhe e shtypit, e thjeshtë fare/ dy vija që puqen, dhe një vizë brënda…! Zogjtë hapnin sqepin si “A” e madhe/dhe në folé prisnin bukë nga nëna/ Dorën e vogël, mësuesi në klasë/folé zogu ma mbante në dorën e vet…/Ngjita këmbët e vogla te këmba e “A”-së/ dhe u nisa në jetë…

Ti ece në udhën e ndritur vetë dhe pse donin atë udhë të shenjtë ta errësonin të pagdhendurit.  Sa dhimbshëm e mora këtë lajm poet!  Dhimbje po aq e madhe që emigruat nëmoshën e tretë dhe ndërtuat një folezë tjetër në Zvicër.  Ike larg, shumë larg, shkrepave të akullta si në poezinë me metaforën “Retë refugjate”.   Lart në qiellin e ftohtë/ tufa reje refugjatë/ ecin varg drejt perëndimit/ Dinë nga nisen…/s’dinë ku venë! Të pasigurt në tokë,/udhën e bëjnë në qiell/ Të çdo moshe, të çdo ngjyre –era i largon nga vatra/ i shtyn tutje – “prapa diellit”/ Rezet u lëmojnë leckat, se arnat s’ua qepin dot.

Eci poeti labirintheve të kohës, herë vraponte si kalë i hazdisur, herë heshtëte si një Sokrat i urtë, herë takohej me Bajronin në ëndrra, e herë ngjitej në kala me Ali Pashanë.  Nga kalaja kundronte pamjen madhështore të Tepelenës me ujërat e mëndafshta të Vjoses, dhe si vegim i vinte përshkrimi mahnitës i Bajronit, poetit botëror i cili u magjeps nga pamja tepelenase kur e vizitoi.Por çuditërisht apo diçka hyjnore është se poetët e gjejnë ngushëllimin tek poezia dhe ja si shkruan: “Shpërblim për këngët s’mora, as nuk prita/ kolegët në pushtet i kisha prita/ Një vjershë e dashur m’u bë kupëz vere/ ku piva një gëzim që s’e arrita.  Nga poema: (Bisedë me rubairat).

Agim Shehu vdiq larg Atdheut i sëmurë.  Asnjë qeveritar, apo “topmodel” parlamentar nuk shkruajtën asnjë fjalë ngushëllimi, packa se në vesh të të dashurave të tyre mund t’ju kenë kënduar ndonjë këngë ose tekst të tij poetik si psh: Më trete formulë, më shkrive të gjalle/ si një copez akull në plus njëqind shkallë/ Folmë shpirti im, shpirt në maksimum/ se pa ty s’kam gjumë as në minimum!

Sonte kjo natë e mbrame ka përzgjedhur ngjyrën e ëmbël të Hënës si tek poezia “Qylymi i nënës sime”.  Ju ditët mjeshtërisht sikur të kishit shpikur Abetaren e poezisë të krijonit poezi, poezi klasi, poezi prej një poeti lirik nga më të shquarët dhe të magjepsit lexuesit e shumtë anë e mbanë botës ku frymojnë shqiptarë.  Sonte lexuesit tuaj kanë shtruar qylymin e nënës suaj duarartë në respekt të dhuratës së cmuar që ju ke lënë si: Gjalmin zgjedhur prej çdo ngjyre, nëpër gishta – shpjer e bjer…/Mbi tezgjah, krahët mes tyre/i formonin një ylber. Ngjyrën e ëmbël të Hënës/tek e verdha që shikoni/ -biri kur sëmurë ka qënë/nëna e derdhi ngjyr’ limoni.

Ju sot u ngjitët si Elena Gjika në qiell që ju e cmonit aq shumë dhe ashtu sic ajo vazhdon të bisedojë me perënditë pellazge jam e sigurte si lexuesja juaj e çdo poezie dhe rreshti se do të vazhdoni në rrugën e saj për Kombin pellazg.  Ju keni qenë në oponencë me qeveritë ndaj dhe asnjë president shqiptar nuk mori guximin t’ju dekoronte… E kush më shumë se ju o biri idenjëiProgronatit shkruajti kundër genocidit grek, kunder andarteve grekë që me ura zjarri dhe thika therrnin e vrisnin patriotët në Jugun e Shqipërisë!  E kush më shumë se ju shkruajti kundër genocidit serb që vrisnin dhe therrnin popullin martir të Kosovës!  Agim Shehu është njëpublicist i jashtëzakonshëm që ka ndikuar fort në opinionet e lexuesve dhe njëkohësisht ka kritikuar ashpër politikanët dallkaukë që e lanë vendin në një mjerim të tejskajshëm…dhe ja si shkruan në poezinë: “Karrikja me tri këmbë para OKB-së në gjenevë” 

Karrikja e Madhe – Statujë me tri këmbë/ rri te hyrja si mbi erë…/Kombi im prerë nga diplomatët,/është këmba e saj e prerë/ Ajo sheh zyrtarët asnjanës/ të vjetër e të rinj/ e u thotë: – gjersa unë jam e prerë/ ju çaloni, Zotërinj!

Në veprat e shkruara me plot enigma të shpirtit, të diskursit kritik, filozofik, të ethshëm, historik pasurooi mendjet tona dhe hoqi llumin e moçalit ku dëshirojnë ta drejtojnë disa antishqiptarë. 
Ju ikët krenar, në heshtje, pa zë, ia shalove Pegasit të artë të letërsisë për nëqiell.  Ju jeni dishepulli i Rilindasve, i humanizmit, erudit atdhetar zemërzjarr.  Ju jeni me kryet gjer tek maja malesh dhe mbeshtet gjoksin në Progonat qëi këndove me aq dashuri dhe përkushtim.  Ju ishit gati si një profet që parashikonit vdekjen e ngadaltë të llahtarshme e shoqërisë që politika kobzezë e ka future në moçalishte.  Poezitë tuaja jane një spektakël i vërtetë. 

Arti i poetit Shehu është një shkollë e nivelit të lartë, është një Harvard shpirtëror aty ku Baladat e Lirisë së Kosoves dhe Shqipërisë trondisin kontinentet me aktet e tragjedive që janë luajtur mbi popullin shqiptar.  Foshnjat e Kosovës të lidhura në djep mbahen mbi shpinë të poetit ndaj dhe ai përvajshem ligjëron me kuje labi:  Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet globi.  Kushdo që e lexon Baladën për Kosovën, me siguri Zoti i shfaqet thinjur, meket përballë kanibalëve serbë që hanë sy fëmijësh.  Metaforat e poetit janë gjerdanë në gushën e bukur të Atdheut, janë hymn për trojet tona ndaj dhe i këndon: Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri.

Agim Shehu është një krye lirik që me vargjet e tij herë të përkëdhel si fijëza Hëne Progonati e herë të qeras si një amvisë e bukur me mjaltë taze nga hojëzat e nje shpirti poetik.  Qysh në rininë e hershme të befason me figuracionin e dendur metaforik apo dhe paralelizmin figurativ që përdor midis dy lëndëve ekstreme letërsi dhe matematikë, por dhe aq të lidhura pazgjidhmërisht me njera tjetrën.  E kush nga studentet nuk i dinte përmendësh këto vargje!  Le ta ndjekim në poezinë: “Të dashurohesh nga nje matematikan” poezi që ndihet dhe duket sikur skuq honet dhe lëshon bisqe nën trungje të vjetra:

 “Ty po të drejtohem, vajze moj syzezë/ më do a po s’më do kjo është hipotezë/ Pamja jote e ëmbël, posi teoremë/ kur të shoh përpara sikur zgjidh problem/ Ti je elegante si ekuacion/ mesi yt i hollë posi ypsilon…

Ai iu bashkua bashkëshortes së tij fisnike, Zanës së Ali Asllanit i cili e pagëzoi me emrin e bukur shqiptar dhe kjo është një histori më vehte që fatmirësisht poeti e ka lenë të shkruar.  Ai jetoi me ikonën e mirësisë, ata jetuan si dyaristokrat të Arsimit shqiptar.  Dashuria e çiftit bashkëshortor ngeli e pastër si velloja e bardhë e Zanës e cila ecën si në balada dhe i lexojmë në këto vargje brilante si: “Vellua e bardhë e nuses/ kujtimet na erdhën pranë/ nga lëndina e bregdete/ një mjegull, mbi Vjosë matanë/ vellon e kish marrë me vete.

Në intervistën që kemi pasur në New York me poetin dhe bashkëshorten e tij fisnike Zana, ende në memorje më rri zëri i tij, si zëri i një Perëndie, apo i nje mësuesi të urtë dhe të mençur që fjala i rrjedh si ujëvarë e Peshtures, ujevare progonatase. 

Agim Shehu është një kryepoet dhe duhet t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”.

Lamtumire Agim Shehu!

Drite sjellshi nga Parajsa!

27 Korrik, 2021

Staten Island, New York

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kozeta Zylo, Letersia shqipe, Poeti Agim Shehu

Komuniteti shqiptaro Amerikan në Staten Island mblodhi fonde për Marko Kepin dhe ish Kongresistin Amerikan Vito Fosella

May 29, 2021 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në zyrën e Marko Kepit, Shqiptaro Amerikanët vinin grupe grupe për të mbështetur kandidaturën e Marko Kepit për Këshilltar në Bashkine e Nju Jorkut si dhe për ish Kongresistin Amerikan Vito Fosellën, kandidat per president në Staten Island, New York. 

Marko Kepi ka qenë me dekada në krye të organizatës së mirënjohur “Rrënjët shqiptare” dhe pikerisht me këtë organizatë kanë dalë në pah tiparet e një lideri të vërtetë.  Marko Kepi në fjalën e tij përshëndetëse tha midis të tjerash se: “Ne duhet ta mbështesim kandidaturën e ish kongresistit Vito Fosella, pasi ai e ka mbrojtur shumë kauzën tonë kombëtare.  Ai është një lider i vërtetë dhe në se ne fitojmë do të punojme fort së bashku për Staten Island ku jetojmë dhe punojmë si dhe për Nju Jorkun për një vend më të mirë dhe më të sigurtë”.

Marko Kepi ka ardhur në moshë shumë të re, por ai nuk ka harruar rrënjët nga vjen si dhe shpreh një mirenjohje të pakufishme për Amerikën që e priti.  Për këto arsye ai u regjistrua në Marine Corp të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të demonstruar dashurinë dhe vlerësimin e tij për një vend që i dha atij dhe familjes kaq shumë Liri dhe mundësi. 

Ai është diplomuar nga John Jay, Kolegji i Drejtësisë Penale, drejtimi në Shkenca Politike dhe Histori, dhe fitoi per Master Ekzekutiv i Administrimit të Biznesit (EMBA) nga Kolegji Wagner.

Marko Kepi së bashku me ekipin e tij mblodhi më shumë se çdo organizatë tjetër në Diasporë fonde për t’ju ardhur në ndihmë familjeve shqiptare që u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019ës.  Ai mblodhi 1.6 milionë dollarë për të pa strehët.  

Kongresisti Amerikan Vito Fosella në fjalën e tij përshëndetëse shprehu mirënjohjen e pakufishme për të gjithë komunitetin shqiptar të cilët janë një forcë aktive dhe e konsiderueshme në Staten Island dhe Amerikë.  Unë kam shumë miq shqiptarë dhe ndihem krenar pasi shoh çdo vit se si komuniteti juaj po rritet veçanërisht intelektualisht, pasi midis jush ka disa avokat, doktor, mesues, inxhinier, profesor, sportist, artist, politikan, biznesmenë të cilët e bëjnë qytetin tonë dhe më të bukur dhe më me vlerë, do të shprehej ish kongresisti Fosella para kamerave për TV “Alba Life”.  

Z.Fosella tha se gjithmonë e dënoj genocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës., kur ishja në Kongres e kam ngritur me force zërin kundër genocidit serb, por për ta njohur më mirë situatën më duhej të shkoja dhe t’i takoja direkt popullin e Kosovës.  Unë shkova dy herë në kampet e refugjatëve gjatë luftës në Kosovë dhe pashë me dhimbje njerëzit e vuajtur, torturat që kishin ushtruar serbët ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës, fëmijët me lot në sy, pleqtë të shpërngulur nga trojet e tyre. Këto takime në kampin e refugjatëve do të ngelen përgjithmonë në memorjen time.  Populli shqiptar ka një vend të veçantë në zemrën time.  

Vito John Fossella Jr. ka lindur më 9 mars 1965 dhe është një politikan republikan amerikan nga shteti i New York-ut i cili më parë përfaqësonte rajonin e 13-të të kongresit të shtetit në Dhomën e Përfaqësuesve të SH.B.A.-së për gjashtë mandate, nga 1997 në 2009 duke shërbyer si republikan i vetmuar nga New York City. Z. Fossella ka lindur në Staten Island, në një familje që përfshinte disa politikanë. Z.Fossella fillimisht mori detyrën në 1997, pasi fitoi një zgjedhje speciale të mbajtur për të zëvendësuar Susan Molinarin në dorëheqje.

Plot shqiptarë dhe aktivistë të njohur si z.Mundija, Jasin Gjoka, Agron Damzi etj të cilët kishin ardhur për të mbështetur Marko Kepin dhe kongresistin Vito Fosella u shprehën me fjalë miradie dhe po punojnë që të fitojnë, që siç tha studenti i shkëlqyer Gjoka po shkojmë derë me derë për të siguruar votat.

Z.Mundija dhe Gjoka janë në ekipin e z.Marko Kepi që po kandidon si këshilltar për në Bashkinë e Nju Jorkut. 

Ata u shprehën optimist për fitoren e tyre!

Vëllezër dhe motra shqiptarë ju ftoj të votoni Marko Kepin këtë bir të Kombit dhe le të bëjmë histori si shqiptarë në Staten Island!

29 Maj, 2021

Staten Island, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Keze Zylo, Kozeta Zylo

GJURMË NË NEW YORK- Agim Krajka, Dritë që s’do të fiket kurrë

March 2, 2021 by dgreca

Shkruan: Nga Keze Kozeta Zylo/

Me hidhërim e morëm lajmin e ikjes drejt parajsës të kompozitorit, artistit të shquar Agim Krajkës , “Nder i Kombit”.

Brezi im është rritur me këngët e muzikës së lehtë të kompozuara nga mjeshtri Agim Krajka….

E kush nuk i mësonte dhe këndonte këngët e Agim Krajkës, shumica e tyre u bënë hite.   Sa herë mblidheshim në mbremjet tona festive me nxënësit shumë prej këngëve të tij këndoheshin dhe kërceheshin me shpirt duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga artisja e madhe e Kombit Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Kënga përshtatej shumë me rininë e tyre të hershme, me capkënllëqet e moshës, me dashuritë e para dhe të fshehura, me ndonjë papërgatije në mësim.  Le të kujtojmë dy strofat e para, në fakt unë duke i shkruar po i këndoj si: “O ra zilja m’nisi frika/ kur mësuesi hyri në mësim/ dhe në vend si s’më ra pika/Kur ai thirri emrin tim/ Unë asnjë fjalë s’kisha mësuar/ Se mbrëmë në takim isha me ty/

Po nisi lemza e bekuar/ Në d’rrasë të zezë shihja dy sy”… 

Ai solli emancipimin në art, në muzikën e lehtë, popullore, të përpunuar e orkestrale. Kontributi i tij në art dhe muzikë përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ai është vleresuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.

Agim Krajka ishte dhe një idhull si fizarmonist. Ai luante me gishtat në tastierë sikur bënte balet në ajër dhe pushtonte skenën duke sjellë emocione tek dëgjuesit e shumtë.  

Edhe këtu në Amerikë në aktivitete të ndryshme i kam dëgjuar shpesh këngët të kompozuara nga Agim Krajka.

Në New York ku na hodhën fatet do të kishim shansin të takoheshim përsëri me Agim Krajkën.  Ai jo vetëm që ishte një kompozitor i madh, por dhe njeri, patriot i shquar.  Ai është në kujtesën tonë artistike dhe njerëzore.  Një ditë Agim Krajka na telefonoi në kolegj në Brooklyn ku punonim të dy me Qemalin.  Doemos e mirëpritëm me shumë gëzim telefonatën e tij.  Pasi na falënderoi për organizimin me studentët për festën e Flamurit na tha se dëshiroj të vi te marrë pjesë me grupin tim për t’ju përshëndetur ju dhe të huajtë në atë kolegj me këngë shqiptare.

Ardhja e tij në festën e Flamurit Kombëtar ishte shumë emocionante, i dha programit më shumë gjallëri dhe art.  Agim Krajka shoqërohej nga bashkëshortja e tij, e ëmbla Ami dhe grupi i fëmijëve në violinë dhe piano si motrat simpatike Alba dhe  Jona Çano si dhe Albert Stanaj me të motrën e tij të talentuar. Ata sot janë rritur dhe integruar plot kulturë në botën amerikane.  Kur artistët e vegjël filluan t’u binin veglave muzikore nën drejtimin e Artistit të shquar Agim Krajka salla u elektrizua dhe filluan të duartrokisnin papushim.  

Agim Krajka ishte dhe një orator i shkëlqyer, fjala e tij u dëgjua me shumë vëmendje, mesazhet e tij ishin dritëza shqipërie. Takoheshim në aktivitete të ndryshme me plot respekt dhe mirënjohje. Pas disa muajsh në emër të studentëve të Kolegjit në Brooklyn Qemal Zylo i dha pllake mirenjohje në shkollën shqipe që ishte e hapur në atë kohë në Bronx ku ata debutonin të dy me Amin.  Çfarë mirësie buronte nga shpirti i tyre!  Agim Krajka jetoi me familjen në New York për 16 vjet pastaj u kthyen përfundimisht në folezën e ngrohtë në Shqipëri që e donte aq shumë derisa dha frymën e fundit.  Shpirti i tij do të behet dritë që s’do të fiket kurrë.  

Artistët e mëdhenj jetojnë përjetësisht me veprat që lenë pas.

Lamtumirë Agim Krajka, artist i shquar i Kombit!

1 Mars, 2021New York

Filed Under: Featured Tagged With: Agim Krajka, drite, Kozeta Zylo

KUJTESA- Në 105 vjetorin e ditëlindjes së Dr.Lazer Radit!

January 29, 2021 by dgreca

U kujtofsh ndër breza Dr.Lazer Radi!

46 vjet i burgosur i internuar nën diktaturë familjarisht

Kur më futën në burg/ lashë gruan me gjithë vajzë/ kur dola nga burgu, gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur.  Nga libri: “Muret e muzgut”

Ju jeni bard i kulturës kombëtare, ku mund të kuvendohet burrërisht në odat e shtruara me qilimat me ngjyrat marramendëse, ju i latë popullit tuaj lehonë në shekullin e ri, djepin me shqiponjen e lirë dhe ne këndojmë këngët e pakëndueme këngët që t’i kemi borxh përjetësisht…  Ju jeni prijëtar që ndalon tehet e bardha të thikave mbi kokat e zogjve dhe ecën përpara me ballin që praron vetëm fllad lirie, edhe pse shtëllunga mjegulle të zeza ende fshihen pas plisit tënd të bardhë si bora e bjeshkëve.  E në këtë fantazi me ëndrrat e tua mbush qiellin me yje zjarr.  Në qerpik të yjeve zë rrënjë dhimbja që bëhet mal.

Në këtë 105 vjetor fjalët shqip në librat e tu më bëhen jehonë që vijnë nga bjeshkët e nëmuna ndërsa ti si Pëllumb Paqeje fluturon për të takuar miqtë e besës dhe tund kujtesën mjerisht të ndërtuar mbi themele harrese… Në këtë përvjetor me fjalën e parë shqip që ju kujtoj, është poezia e shkruar nga ju me titull “Abetarja”, që është libri i shenjtë i shqiptarëve. Dhe ja disa vargje të saj: “Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/”.

Në këtë 105 vjetor ndez një qiri në shenjë përshpirtjeje të përëndishme e lutem në shenjtërinë e fjalëve si para një shenjti dhe bëhem manushaqez naimjane e mpitë dhe e qetë.

Çdo shkronjë në librat tuaj është frymë, është ajër, është metaforë e gjelbërt, si sytë e vashës që të kishin magjepsur në rininë studentore. Ju qëndroni si ciceron nëpër muzeume dhe rrëfen historinë sa tragjike dhe të bukur të kombit tënd. Ecën nga njeri pavion në tjetrin me një trok shekulli të pandalur dhe pas një pushimi zanor lëshon në qiell një tufë pulëbardhash për të ikurit si ty, për të ikurit prej Soi.  Petalet e shpirtit tuaj puthin me mall që djeg zhur, gërmat e ndritura shqipe, dhe rinisin një këngë që s’do të mbarojë kurrë.  Së bashku rinisim një melodi të pakëndueme, një melodi kujtese që çan gjokset e maleve hijerëndë.

Keze Kozeta Zylo, 29 Janar, 2021 , New York

Filed Under: Featured Tagged With: 105 Vjet, Dr. Lazer Radit, Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT