• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Luljeta Lleshanaku: katarsisi, zgjidhja për krimet e komunizmit

May 11, 2018 by dgreca

1 LleshanakuShqipëria është vendi që përjetoi një nga regjimet më të egra komuniste, ku kundërshtarët e regjimit u vranë, u burgosën, apo u internuan me vite të tëra e ku dhjetra mijëra qytetarë, së bashku me familjet e tyre përjetuan vuajtje të mëdha fizike e mendore. Sot, mbas pothuajse tridhjetë vjetësh, vuajtjet që kaluan këta njerëz kanë mbetur ende të patrajtuara siç duhet. Këtë e pohojnë jo vetëm viktimat e sistemit, por edhe sociologët, shqiptarë e të huaj. Por çfarë detyrimi ka shoqëria shqiptare ndaj viktimave te komunizmit? Për të biseduar për këtë temë, e ftuar në studion e Nju Jorkut të Zërit të Amerikës, ishte Luljeta Lleshanakun, poete, autore e 8 librave me poezi në shqip dhe 12 në gjuhë të tjera, aktualisht Drejtoreshë për Kërkimet në Institutin e Studimeve të Gjenocidit Komunist në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Luljeta, sapo ndoqëm kronikën e kolegut tonë në Tiranë lidhur me aktivitetin e organizuar për të kujtuar të persekutuarit e periudhës së komunizmit. A mendoni që shoqëria shqiptare në gjithë këto vite ka treguar vëmendjen e duhur ndaj viktimave të komunizmit?

Luljeta Lleshanaku: Gjatë pesë viteve të fundit ka një lloj rikthimi të fuqishëm tek çështja e transparencës së të shkuarës komuniste në Shqipëri dhe kjo për disa arsye. E para është faktori ndërkombëtar, vëmendja që i kushtojnë organizatat ndërkombëtare transparencës së epokës së komunizmit; çuditërisht ka qenë e fortë gjatë 5 viteve të fundit. E dyta, është krijimi i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit ku punoj edhe unë. E treta, që është dhe institucioni tjetër që ka objektin, ose të drejtën legjitime të merret me këtë punë, është dhe krijimi i Institucionit të Autoritetit të Hapjes së Dosjeve; pra, aprovimi i ligjit për hapjen e dosjeve, i cili për fat të keq, ishte një moment kyç, që u bë vonë dhe duhet të ishte bërë së bashku me lustracionin. Vërtet u aprovua si një ligj vetëm për hapjen e dosjeve, edhe ai prapë në vetvete nuk është krejt i plotë sepse një pjesë e informacionit mbahet konfidencial. Ksëhtuqë le të themi që kemi një rikthim të çështjes së komunizmit në Shqipëri. Por se me çfarë ritmi dhe se sa vonë jemi, këtë e kuptojnë më mirë ata që merren me këtë punë. Unë merrem me këtë punë në Shqipëri dhe e di se sa të vonuar jemi. Në një histori e cila nuk ka dokumentacion zyrtar që ta mbështesë ose ai që është, është tepër i pamjaftueshëm, atëherë e vetmja mënyrë është marrja e dëshmive. Por nga momenti në moment, çdo minutë, madje dhe në këtë moment që po flasim, ne po humbasim dëshmitarët e asaj epoke. Pra është një proces, i cili filloi shumë vonë për fat të keq dhe tani që po flasim, jo-bindshëm; pra është një institucion i vogël që merrët me këtë punë dhe jo i plotë. Megjithatë, le të themi që u zhbllokua një situatë.

Zëri i Amerikës: Pra, ju thoni që ka një lloj përparimi në këtë aspekt. Megjithatë, sipas jush, përse vazhdojnë të shfaqen skena të tilla, si ato që u shfaqën më 5 maj ku nostalgjikë të regjimit, duke u shfaqur publikisht me simbolet e komunizmit, në fakt ofendojnë memorjen e shqiptarëve. Përse ndodhin këto skena?

Luljeta Lleshanaku: Ne pretendojmë të jemi së shpejti një vend anëtar i BE-së; mirëpo dy nga rezolutat më të fuqishme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e para e vitit 1996, që ishte për çrrënjosjen e trashëgimisë komuniste dhe e dyta për ndëshkimin e krimeve të komunizmit, asnjëra prej të dyja rezolutave nuk u zbatua. Është një hap shumë i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe integrimin në BE. Mirëpo nostalgjikë të komunizmit dhe të diktatorit Enver Hoxha ka dhe do të ketë gjatë gjithë kohës. Ajo që në një farë mënyrë e zgjidh apo i jep drejtim çështjes, është një akt zyrtar që ai të njihet si diktator, periudha e komunizmit të njihet zyrtarisht si periudhë krimesh kundër njerëzimit dhe është shumë e rëndësishme të futet në zbatim ai ligj i cili zbatohet në pesë nga vendet anëtare të BE-së, ish-shtete komuniste, ku penalizohet mohimi i krimeve të komunizmit. Natyrisht këtu futet edhe adhurimi i figurës së Enver Hoxhës, përdorimi i imazhit të tij. Duhet thjesht një ligj, kjo rregullohet me një akt zyrtar për të cilin ne jemi të vonuar.

Zëri i Amerikës: Në se në Shqipëri do të kishte ndodhur një proces ku persona të cilët patën qenë instrumente të verbëra të regjimit e që patën bërë krime të viheshin para drejtësisë, apo të gjykimit të shoqërisë, pra të ishte bërë një lloj pastrimi shpirtëror, a do të kishte ndihmuar kjo që të shëroheshin plagët e shkaktuara nga regjimi?

Luljeta Lleshanaku: Ky lloj katarsisi do të ishte e vetmja zgjidhje e saktë, e plotë dhe e pastër dhe duhej bërë, sigurisht, në vitet e para pas ndryshimit të sistemit. Përgjigja ime nuk është origjinale, se ajo është thënë më parë, por desha të them se thjesht fillimisht ka munguar vullneti politik e para, dhe e dyta, ai regjim që zgjati pothuajse 5 dekada, implikoi pjesën më të madhe të popullsisë, në mënyra të ndryshme. Kjo do të thotë se një pjesë ishin direkt persekutorë, ishin ekzekutorët dhe pjesa tjetër, nën presion, nën presion të fuqishëm, nën presion të dobët, u bënë pjesë e kësaj ndotjeje kolektive. Por një gjë më duket shumë interesante. Në vend që ata që ta kërkojnë transparencën e krimeve të komunizimit, të jenë vetë ish komunistët, sepse është një mënyrë për t’u distancuar nga një njollë e tillë; do të thotë “vërtetë ai qe një regjim komunist, vërtet unë qesh komunist, por ama nuk kam të bëj”, është një lloj distancimi personal, individual nga ajo e shkuar dhe janë përkundrazi, të persekutuarit politikë që kërkojnë transparencën dhe tashmë deri diku edhe ato pak shoqata të cilat merren me këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Luljeta, ju vetë jeni bijë e një familjeje të persekutuar nga komunizmi dhe keni përjetuar drejtpëdrejt persekutimin. Do të doja të përsëris një thënie kuptimplotë: Njerëzit duhet të falin, por nuk duhet të harrojnë….

Luljeta Lleshanaku: Unë nuk besoj shumë në institucionin e faljes. Unë të them të drejtën besoj shumë në institucionin e drejtësisë. Do të thotë, që të identifikohet krimi, është tjetër punë ndëshkimi, askush nuk kërkon ndëshkim; dhe lustracioni do ta kryente më së miri këtë funskion. Të idenetifikohet krimi. Komunizmi nuk është nocion abstrakt. Komunizmin e bënë njerëzit. Pra, secili duhet të mbante dozën e vet të përgjegjësisë. Ndëshkimi është tjetër gjë. Falja është tjetër gjë. Por ne nuk kemi arritur akoma të identifikojmë krimin e jo më atë vetëdije publike, atë vetëdije morale, që duket tepër romantike për kushtet, apo për përvojën time, ku të ketë edhe këtë përballje e të kërkuarit falje mbi përgjegjësinë e vet gjithësecili.

Zëri i Amerikës: Luljeta, desha të kaloj tek një temë tjetër. Ju ndodheni në Shtetet e Bashkuara për të promovuar librin tuaj më të fundit me poezi të përkthyer në anglisht nga Ani Gjika. Ç’mund të na thoni për këto promovime që keni patur?

Luljeta Lleshanaku: Ky është libri im i tretë që botohet në Shtetet e Bashkuara dhe i pesti në anglisht, sepse dy të tjerët janë botuar në Angli; sigurisht, unë jam në emocionet e fillimit, libri porsa ka dalë, ka vetëm dy javë. Jam në një turne leximesh: kisha dy lexime në Boston javën që shkoi; kam dy lexime në fund të kësaj jave në Nju Jork, në Librarinë McNeal në Bruklin dhe një tjetër në Shtëpinë e Poetëve në Manhaten. Është një situatë tepër interesante, sepse ti po i flet një audience krejt tjetër, dmth një lexuesi i cili di shumë pak, ose aspak për Shqipërinë dhe fare pak për Europën Lindore. Unë pretendoj që ky libër të sjellë diçka të re për ta, por njëkohësisht diçka shumë të njohur për ta, që të jetë universale. Tashti se sa është ruajtur kjo balancë, nuk kam nga ta di, pres se cili do të jetë reagimi; deri tani juam relativisht e kënaqur, është dy javë që ka dalë, Shoqata Amerikane e Poetëve e futi në listën e librave të rekomanduar, revista World Literature Today dhe linke të tjera… le të shohim. Unë shpresoj që po përjetoj atë emocionin e përballjes me audiencat, ku libri sapo ka rënë në dorë.

Zëri i Amerikës: Luljeta të falenderoj për bisedën dhe të uroj sukses.

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Katarsis, krimet e komunizmit, Luljeta Lleshanaku

KUJTESE PER KRIMET E KOMUNIZMIT

August 23, 2017 by dgreca

NE DITEN E KUJTESES EUROPIANE TE KRIMEVE TE KOMUNIZMIT/

29 Gjon kacaj

NGA  GJON  KAÇAJ*/

29 Fam miraka2

Ne Foto:- Familja Mirakaj kaloi 45 vjet në kampet e internimit/

Të përndjekurit politik të Shqipërisë, kanë një etalon përfaqësimi, Simon Mirakën. Shëndetpakët energjik, i vuajtur, tolerant, por gjithmonë i vendosur dhe plot besim se do ta fitojë betejën me kuçedrën e kuqe, falë guximit, ndershmërisë, intelektit e traditës familjare të një breznie e një geni të pastër me moralin e fisnikrisë, që s’arritën ta manipulojnë kurrë zullumqarët partiakë. Djaloshi 15 vjeçar, më i vogli i familjes Mirakaj, në internim  i përgjigjej çdo 12 orë gardianit në apel: Këtu jam!Dhe kjo u përsërit për 45 vjet. Madje edhe në qershor të vitit 1989 atij ia përsëritën denimin edhe 5 vjecarin pasardhes-5 vite të tjera internim, packa se u mbeti vendimi në letër Komisionit të dëbim internimeve sepse u përmbys e theu qafën diktatura komuniste.

Po përse u dënua ky fëmijë, që u burrërua kampeve të internimit? Sepse dyshohej se 10 vite të shkuara, pra kur ishte  vetëm 5 vjeç, kishte propoganduar për prishjen e marrdhënieve Sovjeto -Shqiptare, ndërkohë, që ato marrdhënie kishte kohë që ishin çare dhe propaganda e kuqe, dhe vetë antarët e komitetit Qendror dhe të byrosë politike  i shanin botërisht.

Eh ! Ata “burrat” me pantallona të shkurtëra vuanin në kampet e internimeve në Gjazë, Plug, Çermë, Grabian, Savër, e Gradishtë të Lushnjes, dhe në mesin e tyre zgjidheshin e arrestoheshin, si të rrezikshëm, djemtë e nacionalizmit shqiptar.

Kur mendoj për ish të përndjekurit, ndalem dhe veçoj bashkvuejtsin Simon Mirakaj, gjithëmonë stabil e i pa manipulueshëm nga intrigantët politik që  s’arriten ta triblojnë  politikisht, mbase mund të shprehem lirshëm si ish koleg pune mbas viteve 1990 edhe si të vetem të pa infiltruar në drejtimin e institucioneve të përndjekurëve politik. Figura e tij më shëmbëllen si drangue në përballje me kulçedrën ashtu si e përshkruen Fishta në kangën e 16-të,Kulçedra.

Populli shqiptar duhet të mos harrojë, por të kujtojë krimet e komunizmit. Sa shqiptarë u vranë në kufi në kërkim të lirisë? Qeveria komuniste ngrinte edhe kurthe e mashtronte si Amnistia e vitit 1987, që gjoja u riktheu lirinë, por kjo ishte tjetër gënjeshtër mashtruse- kishin ngritë një kurth tjetër,-kishin prodhuar ne makinën e tyre të propogandës mashtruse një dekret special për ndalimin e vrasjeve në kufi duke e etikitue ikjen si kalim të paligjshëm të kufinit e jo tradhti Kombtare, duke parashikuar një dënim  deri me  5000 lekë! Sa u mashtruan nga ky dekret?!

Té shumté ishin  ata qé u besuan edhe… e pësuen. Kush ka pasë fatin të lexoi librin: “Unë vi nga Shkodra” shkruar nga shkodrani Luigj Çekaj me banim në Nju-Jork do t’më kuptojë lehtësisht përse shkrova diçka për nënat shami zeza.Ne ate liber gjene shume tragjedi qe u ndodhen nga kalimet ne kufi. Ngushllime të gjithë nënave  që humbën djemët në kufi të tradhtuem  nga dekreti për ndalimin e vrasjeve në kufi të firmosur nga d.v. Ramiz Alia.

Mbas amnistisë  në vitin 1987,shtatë tiranës të liruem nga Spaçi e Qafë Bari udhtuen me tren nga Tirana në Elbasan dhe pastaj me autobusë në Prrenjas drejt kufinit në Rrajcë-Skenderbe me qëllim të kalonin kufirin nga piramida nr.40, të ndarë në dy grupe.

Kujtim Xhaja dhe Ilir Serjani të parët dhe pesë të tjerët mbasi do kalonin të parët,të cilin mbasi thyen klonin mbas mesnate duke u zvarris barkas e kame-dorë takuen pa dije telin ngjyrë bari të alarmit  që sinjalizonte grupet e gatshme kufitare.

Njësiti i parë me qenin e kufinit ndaluen në errsirë Ilir Serianin .

Sapo i vunë tyten e automatikut të skuqun nga të shtënat në ajër i dhanë dy mundësi.

Do vdiste nga plumbat apo donte të vdiste nga qeni.

-E due vdekjen nga qeni,- thirri Iliri,me qellim që shokët të fitonin kohë për të shpëtue.

Përzieria e copave të mishit me zhelet e shkyeme të njoma me gjak shtonin ulurima me nji tërbim të paimagjinuar arrinin deri në qiell.

Kujtim Xhaja, i strukun në errësirë, me nji thikë të vogël lëshohet me dhimbje në shpirt mbi qenin, që hakrrohej mbi shokune tij të shtrirë për vdekje.Edhe atë e coptuen breshëritë  pa i kursye plumbat.

Zëri i nënave ka mbetë i murosun në gjokset  e sejcilës.Ato kanë përjetuar tek shuhej për jetë shpresa, se nji ditë do të baheshin fatlume.

Nga 15 Gushti 1989 deri me 16 Shtator 1990  në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe po luhej tragjedia makabre e instaluar nga profesionistë me përvojë 45 vjeçare të sigurimsave të diktatorit të maskuar Ramiz Alia.

Si në të gjitha zonat kufitare të Shqiperisë, në bregun e Bunës  ekzekutuen Dodë Franin 24 vjeç e Gjon Kumbullakun 26 Vjeç!

Kryefjala ishte çasti kur dy kufomat e coptuara u ekspozuen para materrnitetit në Shkodër sikur paralajmronin nënat se fëmijët që do lindni do të kenë këtë fat.

Tregojne se nga tmerri që u panë sytë, njëra nga nënat e humbi fëminë!

Ndue Narkaj 23 vjeç, mbasi kalon kufirin në Stare e qëllojnë me breshëri kufitarët,dhe mbasi e tërheqin kufomën nga andej kufinit e zhveshin dhe i heqin orën e dorës pastaj i vënë zjarrin pyllit duke djegë nje hektar dhe si humanistë, familjes i dorzojnë orën e dorës dhe xhaketë.

Mas dy vitesh nji km larg pyllit të djegur në mes dy shkëmbenjësh gjejnë të mbështjellë me plastikë gjysmën e kufomës së djegur, mbasi familjarët i kishin informue se djali i tyre jetonte në diasporë.

Po Pllumb Pllumbaj 19 vjeç i larguar nga internimi vritet në mes klonit dhe brezit të butë afër postës kufitare në Hot dhe mbahet tre ditë i lidhur me tela gjëmbash në nji pusete të hidrovori në ujë me urdhër të komandantit të postës kufitare,sot aktualisht shefi i emergjencave të Shqipërisë, ashtu si arriti në qeverisjen tjetër shefi i sigurisë në presidencë.

Sokol Veshti 21 vjeç mbasi e plagosin në tentativë për të kalu kufirin dorzohet, por e ekzekutojnë. Autori emërohet kryetar dege në vitin 2014! Sa pa Kujtesë jemi ne shqiptarët?!

Cili shtet i botës apo gjykatë mundë të barazojë viktimen me kriminelin.

Po në cilin shtet të botës krimineli lartësohet dhe viktima përçmohet?

Kjo nuk duhet të ndodhë në Shqipërin demokratike si aleate e Sh.B.A.-së,e inkuadruar në NATO,e me ngut për tu anëtarësue në Bashkimin Europian.

Jo, të paktën ndëgjoni zërin e poetit Havzi Nela. Nuke ndjeni rënkimin?:

Kur të mësoni se kam vdekë

Kurë të thoni”Ndjesë pasë,

A e dini se çfarë kam hjekë”

Unë poeti zemerzjarrtë…

 

…..Thoni, dritë ai kerkoi

E vetë dritë nuk pa me sy….

 

Ja çfarë përjetonte  zëvends prokurori F.D malësori trim kur i uruem emërimin z.v. Prokuror i pergjithshëm:-E pranova emërimin me dhimbje ashtu si përjetova degradimin si  k/ prokuror në Kukës,mbasi gjykuam dhe denuam me tetë vite heqje lirie poetin Havzi Nela.

Jam ndier i fyer kur i dhamë një denim të pa merituar, pa mbështetje ligjore.

Mbas analizës mujore më dhanë largimin dhe fletë emërimin zv/ komandant toge në postën kufitare në  Pulaj të  Velipojës.

S’më erdhi keq për zbritjen nga detyra, sa u indinjova  mbasi u rigjykua poeti.

Denimi vdekje me litarë i nxituar……..

A thue prokurori në fjalë mbasi varja në litarë ishte publike dhe varrosja në nji shpatë mali i dhuroi kënaqsinë krytarit të gjykatës kushtetuese zotit Avdiu të firmosë çfuqizimin e ligjit për denime me vdekje ndonëse të detyruem nga nderkombtarët, a thue do tu rrëfen ndërkombtarëve gazetarët e gazetës “Koha Jonë” me të gjithë opozitarët që u bën thirrje të varfërve të djegin Shqiperinë për fajdet mbasi ata personalisht financuen të parët, duke tërheq mbas një muaj trefishi e shumës që kishin dorzu tek fajdet.

Ata sot janë të gjithë të pushtetshëm, kanë prona,gazeta, kanale televizivë etj….

Sot flitet për hapjen e dosjeve, të cilat dihet se janë manipuluar. Përse të hapen dosje të montueme fakirësh kur dosierët janë të montuar në pushtet.

*Autori është ish i bugosur politik, Ish Nënkryetar i të Burgosurve Politik të Shqipërisë,sot anëtar i degës së Vatrës në Detroit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon Kacaj, krimet e komunizmit, Kujtese, Simon Mirakaj

“SHQIPËRIA EVROPIANE” DHE KRIMET E KOMUNIZMIT

November 7, 2016 by dgreca

Shkruan: Eugjen Merlika/

1 eugjen-merlika (2)

 “Ajo që është keq për moralin është keq edhe për politikën”- J.J.Rousseau  në  “Letër D’Alembert-it”/

Ka disa ditë, që kur u njoftua dekorimi i 67 “ballistëve”, të pushkatuar më 21 tetor 1943 në Divjakë të Lushnjes nga Brigata e I sulmuese, prej Kryetarit të Shtetit, Bujar Nishani, një pështjellje e madhe ka pushtuar mediat dhe politikën shqiptare, me gjithë problemet e shumta e të mëdha që kjo e fundit duhet të përballojë.

Ndjeshmëria e madhe e mjediseve shqiptare kundrejt së shkuarës sonë, tregon se ne mbetemi shpirtërisht të lidhur me të, duke prapësuar çdo prirje për t’u shkëputur prej saj, kryesisht njollave e çfaqjeve negative. Mbas 25 vjetësh të tjetërsimit të sistemit ende ngurojmë të rishkruajmë historinë e mbetemi robër të së shkuarës, me të gjitha kundërshtitë e saj, me dëme të mëdha për ecjen tonë përpara. Kundërveprimet e ashpra, në të gjitha nivelet, ndaj vendimit të Kryetarit të Shtetit, për t’i u njohur mbas gati tre të katërtat e qindvjetorit, 67 shqiptarëve të thjeshtë faktin se ata kishin qenë viktima të një krimi politik, të padenjë për një popull të qytetëruar, dëshmojnë se idhtarët e atij krimi gjënden edhe sot mes nesh.

Ata janë jo vetëm në veshjen e ish zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, apo t’ashtuquajturve “veteranë”, të cilët n’atë kohë nuk kishin mbushur as njëzet vjeç, por edhe në brezat e tjerë, deri në të katërtin. Ndër ta bëjnë pjesë njerëz të pushtetit, tw ish roganeve të dhunës shtetërore, të shoqërisë civile, të partive politike, por edhe përfaqësues të inteligjencës jo proletare. Kjo masë jo e njëtrajtëshme, që në këto ditëështë paraqitur si një “bllok graniti”, në mbrojtje të “fitorjeve” të luftës N.Ҫl. dhe në ridënimin e gjithë kundërshtarëve të partisë komuniste gjatë e mbas luftës, me qëndrimin e saj të vendosur tregon se e gjithë frazeologjia për “demokracinë”, “vlerat evropiane” frymëzuese, Shqipërinë “perëndimore” e anëtare të Nato-s etj., janë të gjitha “gjethe fiku” për të maskuar një të vërtetë të hidhur e dëshpëruese. As brezi i katërt i Shqipërisë komuniste nuk don ose nuk është në gjëndje të ketë një ndërgjegje të tijin, të shkëputur nga dogmat e gjyshërve e nga mashtrimi i 70 vjetëve, kryesisht për luftën e dytë botërore.

Pa dashur të përsëris vetveten n’analiza t’asaj periudhe historike e pa hyrë në hollësitë e saj, më duket se bisedat e ditëve të fundit, në mediat pamore apo të shkruara, na venë përballë një problemi që, më shumë se sa me interpretimetnë kah historik t’atyre ngjarjeve, ka të bëjë me një çështje formimi moral të shoqërisë sonë. Përtej vendimit të ligjshëm të Presidentit që, për herë të parë në 25 vjetët e pas komunizmit, ka guximin të verë gishtin zyrtarisht mbi plagën më të thellë të sistemit që n’embrion, atë të dhunës e terrorizmit, me të cilët u mbruajt komunizmi shqiptar, simbas modelit të Rusisë bolshevike të Stalinit, më duket se të gjithë ata diskutime mund të përmblidhen në një pyetje të thjeshtë : si qytetarë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të botës, a duhet të kemi një qëndrim të prerë e pa mëdyshje kundër dhunës politike, ushtarake, policore, në të gjitha format e saj të larmishme, në të gjitha rrethanat e ngado që të vijë?

Nga përgjigja që ne, si shoqëri, me sinqeritet i japim kësaj pyetjeje, varet përkatësia jonë bindjeve, vlerave, ligjeve e praktikave të botës së qytetëruar e demokratike. I gjithë kundërveprimi masiv ndaj vendimit të Presidentit, mjerisht na provon se ne jemi ende shumë larg koncepteve njerëzore, që janë në bazën e moralit të vërtetë, jo pse nuk i njohim, por sepse paragjykimi dhe padija historike me të cilët jemi mbruajtur na e bëjnë të pamundur përqafimin e tyre.

Episodi, aq shumë i përfolur, është një shembull tipik i mos zbatimit të ligjeve të moralit në gjëndjen e jashtzakonëshme të luftës civile. Duke marrë për të vërtetë versionin zyrtar të ngjarjes, po sjell fragmente të shkurtëra të një dokumenti të AQSH : F.41, viti 1943, D. 32, Fl.4. Bëhet fjalë për letrën që komandanti i brigatës së I, Mehmet Shehu i dërgoi më 30 tetor 1943 Shtabit të përgjithshëm t’ushtrisë n.çl. Mbas një beteje mes partizanëve komunistë të Brigatës së parë dhe forcave balliste, të fituar nga të parët, u zunë robër 172 vetë dhe u vranë 10-15 të tjerë. Ka një ligj të lashtë sa bota dhe luftërat, jo gjithmonë të respektuar : robërit e luftës nuk vriten. Por si veproi fituesi kundrejt bashkatdhetarëve të tij? Ja çfarë thotë vetë ish Kryeministri i Shqipërisë: ”Robërit i gjykuam. Gjyqi përbëhej prej meje, nënkomisarit të komandës dhe një partizani të Bat. I të Brigatës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve. Të tjerët, 29 vullnetarë për brigatë dhe batalione të vendit, të tjerët u liruan të çarmatosur…… mua më duket se kemë qënë gabuar, kemi ekzazheruar, kemi qënë shumë të rreptë. Do të mjaftonte pushkjatimi i 15-20 ballistavet nga më përgjegjësit. Porse këtë rradhë gabimi, faji kryesor është i imi…… i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çastevet, qesh i mejtimit për këtë masë të pa masë!…… Gjurmët e këtij terrori (nënvizimi im)duhen çdukur dhe shpresojm se do t’a shdukim në t’ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem m’i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çastevet që në mua çfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikro-borgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.”

Se sa e sinqertë qe kjo “autokritikë” na e vërtetojnë dokumentat angleze, nga të cilët po shkëpus vetëm një frazë :”Në fshatin Ҫepan të Skraparit, ai (Mehmet Shehu) torturoi Seit Ҫepanin, të birin e Asllan Ҫepanit, duke i prerë me sharrë të dy këmbët dhe duke e lënë të vdesë në agoni”. Një skenë rrënqethëse, për primat filmash të tmerrit !

Një tjetër dëshmi është ajo e FrancoBenantit, një mjeku italian që shërbeu e luftoi në formacionet partizane : “Nga mesi i korrikut (1944), Mehmet Shehu dogji fshatin e Tërnovës, n’afërsi të Dibrës, duke vrarë 130 gra e fëmijë. Më 5 gusht në Kostenjë, në rajonin e Ҫermenikës, divizioni i tijmasakroi 32 të pafajshëm, mes të cilëve edhe disa të porsalindur. Menjëherë pas Breneshit, në zonën e Zaranikës, ai vari në litar 18 persona, për t’u hakmarrë për vdekjen e një partizani. Pastaj për të kurorëzuar veprën, Shehu u sul në zonën e Matit, në lindje të Tiranës, ku në ditët e fundit të gushtit, pushkatoi dhe dogji 76 persona.”

            Duke u kthyer përsëri në episodin e Divjakës, simbas Xhelal Staraveckës, atëherë komandant batalioni i Brigatës I, kriteri i zgjedhjes së të pushkatuarve, me ndërhyrjen e Dushan Mugoshës, ishte edhe fetar, sepse u liruan 19 robër ortodoksë. Ky fakt na kujton terrorizmin e islamistëve të Shebabit që, në universitetin e Kenias, vrisnin të gjithë ata qënuk mbanin përmëndësh Kuranin….. Vlen të përmendet edhe përgjigja e Enver Hoxhës, atëherë Komisar i shtabit të përgjithshëm, të cilën e gjejmë në dokumentin n. 33 të 5 nëndorit 1943 : “Ky ekzekutim, shoku Mehmet, si kundër që e njeh edhe vetë në letrën që i çon shtabit, është i tepëruar dhe pa vend dhe shumë i gabueshmë pse në vend që të na sjedhij fitime na dëmton….. Letra jote që i çon Shtabit të Përgjithshëm për këtë çështje, na siguron se do ti moderoç ndjenjat e inspiruara nga momenti dhe nuk do të përsëritet më gjë punë e tillë, dhe herë tjetër nuk do të mungojë gjakftohtësia….” Se sa u zbatua kjo porosi e pamë më sipër. Por brënda gjinisë vërejtjet pranohen, edhe se krimet e Mehmetit, të “spanjolit” simbas Pandi Kristos, një tjetër kolegutë luftës, “ngjethnin erën”siç shprehej dikur i madhi Shaekespaere. Por ata nuk e penguan që ai zotëri të qeveriste Shqipërinë për afër 30 vjet, dhe ende sot t’i këndohen bëmat e “lavdishme”!

Kjo ishte ngjarja, simbas pohimeve të vetë atij që e ka ideuar e zbatuar e ky është gjykimi i tij rreth saj e njëkohësisht edhe i Enver Hoxhës, të parit të komunistëve shqiptarë. Bazuar mbi të vërtetën e këtij fakti historik, Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve politikë i kërkoi Presidentit dekorimin e atyre viktimave të dhunës. Ndoshta Presidenti kërkoi të japë një provë të shkëputjes së pas komunizmit nga krimet e kësaj natyre të parardhësve, një ide e lëvdueshme, që gjeti një kor kundërshtimesh ndaj vendimit. Doli në pah një masë e madhe njerëzish, deri në nivelet më të larta të politikës, të cilët në këtë rast i u kundërvunë dënimit të krimit, edhe kundër logjikës më parake të moralit njerëzor, edhe kur ai u shfaq në format e tij më mizore, më tragjike.

Cila është përfytyresa që i japim t’ashtuquajturve “aleatë strategjikë”, Evropës e SHBA, sado të prirur qofshin segmentët e majta të tyre për të heshtur e për të mos vënë në dukje or’e çast krimet e komunizmit, duke dalë në mbrojtje të një krimi, të kritikuar atëherë nga vetë ushtruesit e tij ? Cili është mësimi që i përcjellim të rinjve tanë me këtë zell në hymnizimin e terrorit komunist të luftës e të mbas luftës së dytë botërore, ende treçerek shekulli mbrapa ? Ҫfarë besueshmërie mund të kemi si shoqëri e si shtet, duke vazhduar së mbajturi në piedistal kriminelët e hajdutët e duke poshtëruar kujtimin dhe veprën e atyre që kanë ndriçuar historinë tonë me shëmbujt e ndershmërisë, të shtatit moral e të atdhedashurisë ?

Kemi nevojë të nxjerrim në pah vlerat tona të vërteta, ato që u shpalosën madhërisht gjatë luftës së dytë botërore, jo duke masakruar njerëz, duke vrarë robër, gra e fëmijë, por duke shpëtuar qindra hebrenj të strehuar në shtetin tonë të bashkuar. Kemi nevojë të shohim përpara, jo duke ringjallur idhujt e rremë të historisë sonë, por duke i braktisur ata, duke i a dorëzuar gjyqit të historisë së vërtetë e duke pohuar me të madhe vullnetin tonë për të dënuar krimin, nga çdo anë që të vijë e çfarëdo ligjërimi të ketë. E parë në këtë vështrim e gjithë pështjellja e ditëve të fundit më duket se qe një rast i humbur në pohimin e vlerave tona e tëdëshirës sonë për të qenë pjesë e bashkësisë së qytetërimit të kontinentit tonë.

Nëntor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: “SHQIPËRIA EVROPIANE” DHE, Eugjen Merlika, krimet e komunizmit

Duhen dënuar të gjitha krimet e komunizmit, jo vetëm ato kundër klerit katolik

October 15, 2016 by dgreca

Lek MIRAKAJ:PD nuk ka të drejtë të seleksionojë se cilat viktima të komunizmit duhen vlerësuar më shumë/

Lek Mirakaj, anëtar i Këshillit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA,  ish i persekutuar politik, në statusin të facebooku-ut ka reguar me 14 Tetor ndaj kërkesës së PD-së për të miratuar një rezolutë ku të dënohen krimet e komunizmit ndaj klerit katolik. Ai autorizoi editorin që opinionin e tij të shprehur në FB, mund ta publikojë në Gazetën Dielli online. Ja komenti i tij i plotë  i shprehur në statusin në faqen e tij në facebook.Z. Lek Mirakaj shprehet në shënimin e tij se duhet dënuar të gjitha krimet e komunizmit dhe jo vetëm ato kundër klerit katolik.Ndiqeni:

Ja stausi i plotë:

“Sot P.D.paraqiti ne parlament nje rezolute qe denon krimet komuniste ndaj klerit katolike.

Si ish i persekutuar dhe si katolik, per me teper kur njeri nga martiret e shpallur nga Vatikani eshte kushuriri i im deklaroj se e ndjej vehten te pakenaqur nga ky veprim.

PD nuk ka te drejte te seleksionoje se cilet viktima te komunizmit duhen vleresuar me shumë.

Viktimat e komunizmit si klerike si qytetare te thjeshte meritojne te njejtin respekt.

Atje ku ndodhen sot si kleriket, si njerzit e thjeshte e shpesh pa nje vorr e pa emer, trajtohen me te njejtin respekt nga Ai qe i krijoi.

Nuk e besoj se kleriket katolike apo çfardo religjioni do e ndjenin vehten rahat nga kjo çfaqje aspak e ndershme.

Edhe njehere deshiroj t’i kujtoj hartuesve te ketij propozimi se jane shumë here me te shumta viktimat laike se ata fetare

dhe shpesh here dramat e viktimave qytetare kane qene shum here me dramatike se ata te klerikëve qe vete misioni i tyre e pranonte sakrificen si nje detyrim ndaj angazhimit ne momentin qe jane dorezuar si klerik.

Duke konsideruar si nje veprim te pa menduar mire i bej thirrje hartuesve ta terheqin propozimin dhe te kerkojne denimin per te gjitha krimet e komunizmit.”

mirakaj

Filed Under: Politike Tagged With: jo vetëm ato, krimet e komunizmit, kundër klerit katolik, lek mirakaj

INTERVISTA E NEXHMIJE HOXHES DHE KRIMET E KOMUNIZMIT

February 12, 2016 by dgreca

INTERVISTA E NEXHMIJES I “DHA JETE”KUJTESES HISTORIKE MBI KRIMET E KOMUNIZMIT…/
Nga Filip GURAZIU/
Jo vetem shoqeria shqiptare , por edhe ajo europiane e konsideron te nevojshem dhe te domosdoshem, sidomos per periudhen e tejzgjatur te tranzicionit demokratik postkomunist shqiptar, edukimin e brezit te ri me “Kujtesen historike te krimeve te komunizmit”.
Ne kete drejtim, intervista e gazetares Xhunga me vejushen Hoxha, gruan dhe bashkepunetoren me te ngushte te diktatorit komunist, perben rastin me te mire , ndoshta edhe te fundit, qe brezi i ri i lindur ne fund te viteve tetedhjete te mund te njihet ‘live’ me personazhin me te akuzuar per ndikimin negativ pro krimit dhe genocidit ne vendimet e diktatori komunist Enver Hoxha.
Eshte lehtesisht e kuptueshme se intervista u zhvillua sipas nje skenari te miremenduar nga te dy palet pjesemarrese ne ate ‘show’ televiziv, i programuar te zhvillohej nepermjet bisedave “roze” qe duhet te qendronin sa me larg problemeve pikante me te cilat anatemohet diktatori dhe gruaja e tij. Mirekuptimi mbi skenarin e mesiperm duhet te kete qene gjeja me e lehte, pasi te dy palet pjesemarrese trashegojne pika takimi ne bashkepunimin e familjeve te tyre me aktivitetin e sigurimit famekeq enverist.
Sipas nje kendveshtrimi siperfaqesor krijohet pershtypja sikur biseda me gruan e ish diktatorit komunist ja arriti qellimit, qe do te thote se Nexhmija se bashku me burrin e saje, Enverin, u paraqiten dhe dolen si njerez te mire, te qete, te dashur, te dhembshur, te vuajtur, te varfer, te ditur, patriote dhe idealiste, por kjo eshte njera ane e medaljes. Nje analize pak sa me e thelluar, lehtesisht nxjerr ne dukje edhe anen tjeter te medaljes; ate te hipokrizise dhe te mashtrimit gjate gjithe asaj bisede televizive, pasi plaka“e zgjuar” , besnike deri ne fund te parimit baze stalinist-enverist, atij te mashtrimit dhe demagogjise, pa i bere syri “terr” dhe me paftyresine e nje hipokriteje , pyetjeve te gazetares,ju pergjigj aq “drejte dhe sakte” saqe as logjiken e nje femije nuk arriti ta binde.
“Te lumte Nexhmije” !. Vertete i qendrove besnike parimeve dhe idealeve te diktatorit, burrit tend, por “ Na e bere qefin edhe neve; ish te perndjekurve politike” duke u bere e pabesueshme ne syte e atyre qe te ndoqen ne ate emisionin, fakt te cilin e vleresoj se tepermi , sepse keshtu , ne menyre krejtesisht te drejteperdrejte, larg çdo propogande, por direkt nga goja e jote , brezi i ri, i cili po merr fatet e demokracise shqiptare, arriti te kuptoje dhe nga kjo, te nxjerre konkluzionin ;se deri ku shkon paftyresia e atyre qe e dhunuan dhe e masakruan popullin shqiptar per 45 vite me radhe dhe sot, ne vend qe te kerkojne falje per krimet e bera, vazhdojne dhe mashtrojne me hipokrizi, por le te analizojme…:
1. Pyetje:Diskutohej në shtëpinë tuaj për paranë, për pronat, si ishin këto gjërat materiale?
Pergjigje:Enveri, sipas Nexhmijes , ishte aq idealist dhe painteresuar per pasurine materiale sa nuk i njihte as leket !?… “Ai merrte 16 mijë lekë, unë 11 mijë lekë. Kjo solli vështirësi edhe për familjen tonë pasi kishte momente që nuk ia dilnim dot…. Enveri megjithëse nuk e dinte këtë, më thoshte:- “Mos hyr në borxh”.
Koment:Pergjigja e mesiperme eshte e denje per romanin “Liza ne boten e çudirave”, pra e pabesueshme per shqiptaret. Ajo, (plaka mashtruese ) qane hallin ekonomik te familjes se saje, por nuk shqetesohet aspak per varferine e mijra dhe mijra familjeve shqiptaret qe merrnin rroge shume here me pak, ose per ato familje qe i kishin zbuar nga shtepite e tyre duke ja grabitur pronen dhe duke i internuar ne mes te kenetave ! ? A ka njeri qe mund te besoje ne sinqeritetin e fjaleve te gruas se diktatorit Hoxha? Natyrisht qe nuk ka! Me kot krenohen kinezet per Lej Fenin, ne paskemi patur shume me heret Lej Fenin shqiptar: EnverHoxhen, idealist i papare derisa nuk njihte as leket!
2. Pyetje:Kur u diskutua për fenë, për faktin që Shqipëria do të ishte vend ateist, kishat dhe xhamitë u prishën, ka qenë një vendim personal i Enver Hoxhës?
Pergjigje:Për këtë është folur kur ndodhi, as unë as ai nuk denim që një gjë e tillë po ndodhte. Ne e kemi thënë, dhe kjo është e vërteta, që iniciativa u mor nga poshtë. Natyrisht Sekretari i Partisë së Durrësit, nuk është se nuk e dinte, ndoshta dhe me shkollën Naim Frashëri që mori iniciativën, kishte rënë dakord…
Koment: Kush e beson nje perralle te tille, … !? Ne periudhen e diktatures enveriste, edhe gjerat shume here me te parendesishme se sa eleminimi i fese nuk mund te beheshin pa lejen e diktatorit. Ai dhe ajo jane ideatoret dhe zbatuesit e shkaterrimit te ndertesave te kultit, burgosjes dhe vrasjes me gjyqe te montuara te klerikeve te pafajshem shqiptar. Nexhmije; pergjigja qe dhe, eshte nje bumerang per ty. Sa per keshtu, me mire te mos e kishe bere fare intervisten se sa te poshterohesh ne kete menyre para shqiptareve.
3. Pyetje:Sa libra kishte biblioteka e Enver Hoxhës?
Pergjigje: Kishte nja 45 mijë libra. Kur i vinin libra nga jashtë, nga Franca për shembull, kishin një zakon të mirë ata nga Ministria e Jashtme, i dërgonin Enverit nga prodhimet më të mira. Më vonë na humbën fare, pasi e vodhën bibliotekën.
Koment: Ne pergjigjen e mesiperme mund te kuptojme perse familjes se Enverit nuk i dilte rroga mujore per ushqim! Ai i paskerka harxhuar tere parate per blerjem e librave ne France !?
4. Pyetje:Nuk flisnit për sigurimin e shteti, për dënimet, për internimet, këto nuk përmendeshin?
Pergjigje:Baza te ne ka qenë më konservatore, se ky kuadri që drejtonte vinte nga fshati, vinte nga lufta dhe niveli kulturor ishte i tillë. Më shumë stigmatizoheshin nga sektarizmi dhe konservatorizmi. Enveri jo. Unë gjithmonë kështu e kam përfytyruar, që Enveri vendimet më të vështira, si ekzekutimet, i ka bërë si një burrë shteti, i detyruar të bëjë detyrën, por në shpirt, në formim, në ndjenja ai ishte shumë i prekshëm, shumë i ndjeshëm, edhe mund t’i vuante, por ai e kish vendosur dhe ishte kalitur në këtë drejtim.
Koment:Te nderuar lexues, e kuptoni se deri ku qendron cinizmi i nje njeriu qe tere jeten e ka kaluar ne mes te gjakut dhe krimit?
Nexhmija ‘paraftyron’, nuk e di, por e merr me mend e ‘paraftyron’…!? “…Enveri kurre nuk mirrte vete vendime, sepse ne ate kohe vendimet ishin kolegjiale, Enveri kishte tendencen ti zbuste gjerat…”
O ZOT kujt ja thote keto, ne qe i kemi jetuar, apo popullit te Honolulus …!? Por çfar i konsideron ajo shqiptaret, bageti qe skane kujtese? Si mund te harrohen krimet mizore te diktatorit te dokumentuara edhe ne librin e B.Fevziut me gojen e arkivave!?. A ka gje me mizore qe te zhdukesh burrin e motres, bamiresin dhe mbrojtesin e vete Enverit? Po gjaku i 22 intelektualeve te pushkatuar pa proces gjyqesor me rastin e bombes ne ambasaden sovjetike a e shqeteson valle ndopak? Po ky krim, po ai krim, po zhdukja e tere shokeve te tij te luftes…jane vertete teper shume, nje gjenocid i vertete qe vetem nje perbindesh si Enveri do te mund ti bente. Si mund te lahet gjaku i dhjetramijrave shqiptareve te pushkatuar dhe te vdekur ne burgje nga tortuarat duke thene se krimet i bente baza sektariste dhe neve s’dinim gje !? Veni re nje detaj, qe duket i parendesishem, por teper domethenes! Plaka hipokrite, duke pershkruar jeten e rinise , kujton e qete, pa asnje shqetesim, e perseris pa asnje shqetesim, shoqet e saja qe me vone ajo dhe i shoqi i torturoi dhe i pushkatoi… !!
Nuk deshiroj ti perfundoj keto rreshta pa vene ne dukje ate qe qendron ‘pas kuinteve’ ne temen e politike se jashtme qe praktikoi Enveri. Sipas Nexhmijes cdo gje behej per te miren e vendit, kurse e verteta eshte krejte ndryshe, dhe shqiptaret qe e jetuan ferrin komunist e dine fare mire se: cdo gje behej dhe veprohej vetem per te siguruar postin e diktatorit dhe interesin e familjes se tij.! Ju kujtohet shprehja, tashme historike e udheheqies komuniste te atyre viteve “Edhe bare do hame dhe nuk dorezohemi”. Vertete rezistuan 12 vite duke i dhene bare popullit, por me ne fund komunistet e Enverit se bashku me Nexhmijen u dorezuan. Por per cfare sherbeu politika aq e ndritur e udheheqesit legjendar? Vetem per varferimin e popullit te tij deri ne ate shkalle sa cuditi boten mbare me eksodin masiv drejte ambasadave dhe arratisjen biblike me anije drejte Italise. “ “Njeriu i ri i Partise, prodhim i i xhaxhit diktor dhe largpames” rezultoi para gjithe botes si nje qenie e mjere, e cuditshme dhe jo tokesore, sikur vinte nga Marsi ! “Djalli ja la konopin mbi varr”, dhe eshte pikerisht ai moral dhe edukate qe trasheguam, me te cilin u formua “ njeriu i ri i partise” qe pengon sot shqiptaret te perparojme me rritmet e te tjereve, duke mbetur gjithenje ne vendin me te varfer dhe te korruptuar te Europes.Sidoqofte, “Kujtesa historike mbi krimet e komunizmit” u fuqizua nga intervista e Rudina Xhunges.
* Falenderojme autorin z.Filip Guraziu,qe shkrimin e tij e vuri ne dispozicion te lexueseve te Gazetes Dielli.

Filed Under: Analiza Tagged With: Filip Guraziu, Intervista e Nexhmije Hoxhes, krimet e komunizmit

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT