• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

28 PRILL 1912-2022; 110 VJETORI I THEMELIMIT TË VATRËS / ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL

April 28, 2022 by s p

…NJOLLA E KRIMINELIT MBI BALLIN E ATDHETARIT 

ARSHI PIPA: Vdiq Flamurtari i moçëm!/ Si rrojti: vdiq me nder/ I pastër, i devoçëm,/E pa u përkulë nji herë./… Ndër qela- u sos t’Burrelit,/Me dhunën e tradhëtarit,/Me njoll’n e  kriminelit/ Mbi ballin e atdhetarit/…

NGA DALIP GRECA*

ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL

       Me 28 prill 1955 pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit të orëve të para të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish kryetar i Shoqatës atdhetare”Besa Besën”,kryetar i shoqatës “Arsimi”, bashkthemelues i Vatrës, nënkryetar i saj, shoqërues i dorëzimit të Imzot Nolit Prift, deputet në Parlamentin shqiptar, nën/prefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i Bashkisë së Korçës, një ndër themeltarët e Vatrës, menaxheri i parë i Diellit si gazetë e Vatrës, dhe krah i djathtë i Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kristo Kirka.  

Shpirti i atdhetarit u shua në ditën e themelimit të Vatrës, me 28 prill, si për të dëshmuar se jeta e tij prej martiri ishte pazgjidhshmërisht e lidhur me Vatrën kombtare, së cilës ai dhe patriotët e tjerë i dhanë përjetësinë.

        Jeta e atdhetarit u shua në burgun politik të Burrelit, një ndër më të egrit e diktaturës komuniste. Atdhetarit të orëve të para edhe sot nuk i janë gjetur eshtrat. Nuk ka varr. Vatrani që kishte vënë jetën në themelet e atdhetarizmit ndëshkohej në mënyrën më çnjerëzore. Cili komb tjetër i ka ndëshkuar atdhetarët në mënyrë kaq kriminale?
      Kristo Kirka pat ardhë në Amerikë që më 1905. Ai qe një ndër atdhetarët që iu përkushtua kombit dhe ishte me fat që pat miqësi e aktivitet të përbashkët me Sotir Pecin, Fan S. Nolin, Faik Konicën, Kristo Floqin,Koço Kotën, Elio Tromarën e të tjerë patriotë, që përbëjnë elitën e diasporës në SHBA. Që më 1906 iu përgjigj thirrjes së Sotir Pecit për të ndihmuar gazetën”Kombi” ,e para gazetë e shqiptarëve të Amerikës, dhe jo vetëm dhuroi, por edhe mblodhi ndihma për të.Kur Noli iu bashklua Pecit si redaktor i Kombi-t, Kristo Kirka, e shoqëroi në Natick dhe u bëri thirrje të ndihnin Kombin, që të vazhdonte botimin. I pari dhuroi kursimet e veta Kirka dhe pas tij Kol Tromara, Andrea Pani, Ilo Tromara, Sotir Noka, Ilo Zdruli dhe shumë të tjerë. Noli i falenderoi me fjalë zemre.Kur Noli do të themelonte shoqatën Besa-Besë, Kirka ishte pjesë e shoqatës.
      Kur Noli do të dorëzohej prift, Kristo Kirka ishte në komisionin dëshmus të ortodoksëve shqiptarë pranë Kishës Ruse në Nju Jork, së bashku me Sotir Pecin, Vangjel Miller, Spiridon e Gaqo Dushi , Kol Rodhe e të tjerë patriotë korcarë, që i dhanë shpirt lëvizjes kombtare në SHBA.
Më 1908 Kristo Kirka është zgjedhur kryetar i Shoqërisë Besa-Besën, detyrë që duket se e ka mbajtë dhe më 1910, ç’ka e dëshmon një letër e Faik Konitzës, e 11 shkurtit të atij viti,kur kryente detyrën e editorit të Diellit dhe i drejtohej me mesazhin falenderues:”Shoqërisë Besa-Besën, kryetarit të palodhur të saj Kristo Kirka,pleqësisë së nxehtë, kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj…”.

  Kristo Kirka kontribuonte paralelisht në disa shoqata, që vepronin atë kohë në SHBA. Me 1911 ai kryente detyrën e arkëtarit të Shoqërisë teatrale”Lahuta” që e kishte qendrën në Cochituate në Massachusetts. Ishte dhe kontributi i tij që kjo shoqatë kulturore vuri me sukses në skenë dramën”Vdekja e Pirros”(1910), shkruar nga Mihal Grameno dhe komedinë “Një gjyq në Rekë” të Kristo Floqit më 1911.

Ndërkohë, kontributi i tij në shoqatat “Besa-Besë” dhe “Arsimi” ishte parësor. Ai ishte në krahun përparimtar në debatet që paten shpërthyer në Shoqatën Besa-Besë në vitet 190-1911, ku debatohej se ç’krah duhej të merrte shoqata, atë të Austro-Hungarisë apo të Turqisë që po gremisej.Dielli shkruantë në numrin e 9 nëntorit 1911se Kristo Kirka kishte triumfuar me kritikat e rrepta kundër përçarsve.

 Qëndrimin e tij pro Austro-Hungarisë, Kirka e shfaq edhe në një takim në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ai denoncoi krimet serbe në Kosovë dhe shprehu përkrahje për Austrinë, e cila duke çliruar tokat shqiptare të Kosovës martire, do të fitojë përgjithnjë dashurinë dhe mirënjohjen e kombit shqiptar.

Për Kirkën, dy fqinjët tanë, grekët në Jugë dhe serbët në Veri, ishin armiqtë tanë, që rrezikojnë ekzistencën e Kombit të lashtë shqiptar. Në një miting të madh, organizuar me 2 shkurt 1913, ku shqiptarët protestuan kundër masakrave dhe barbarive greke në jug të Shqipërisë. Demonstrata u organizua nga Shoqëria”Arsimi” e Korçës, ku Kirka ishte në bordin drejtues, dhe kishte qenë kryetar i saj. Edhe Vatra ishte pjesë e organizimit të kësaj demonstrate.Në krye të mitingut ishte Kristo Kirka. Dielli, në kronikën e vet përshkruse, ka përcjellë pjesë nga fjalimi i kryetarit Kirka,i cili ngriti lart vlerat e qytetit të tij të lindjes, Korçës, si djep i Shqiptarisë, ku u ngrit e para shkollë shqipe, ku u botuan të parat gazeta shqip, të parat shtypshkronja. Ai tha se do të ishte një çnderim i madh nëse Korça mbetej jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

 Kirka firmosi telegramin e mitingut të madh të Bostonit, drejtuar ministrit të Jashtëm britanik, Sir Edward Grey. Në të shkruhej” Mijëra shqiptarë të krishterë protestojnë kundër masakrave që po bën ushtëria greke nër burrat dhe gratë në Korçë dhe fshatarve rrotull, si dhe kundër pothua 80 fshatrave cilët i përmbysnë rrotull Devollit. Një telegram i tillë iu dërgua dhe qeverisë së përkohshme shqiptare. Në arkivin e familjes Kirka, ruhet dhe telegrami, që atë Kohë Kristo Kirka mori nga delegatët shqiptarë, që ndodheshin atë kohë në Londër. 

Gazeta Dielli e 27 Shkurtit 1913 e ka përcjellë tekstin e atij telegrami:” I nderçmi atdhetar; Ju përhirojmë për atdhesinë që çfaqni.Korçarët, kurdoherë atdhetarë, u çfaqnë në këto çaste kritke të zotët të luftojnë për të drejtat e tyre.Me sa na mundet, u përpoqmë dhe përpiqemi që Korça, një nga më të bukurat xhevaire të kurorës shqiptare, t’i mbetet Shqipërisë dhe mundim t’ju sigurojmë që do t’i shpëtojë nga thonjtë armiqëve…”

Vatra, me patriotë të tillë si Kristo Kirka, shpëtoi Korçën dhe Gjirokastrën nga thonjtë e grekëve. Eshtë e njohur deklarata e Venizellosit se ishte Vatra ajo që ia hoqi nga duart Vorio Epirin.

 Sipas Diellit të 2 majit 1913, në një tjetër miting të madh, shqiptarët e Amerikës protestuan fuqishëm kundër vendimeve të Konferencës së Londrës.Menaxheri i gazetës”Dielli” Kristo Kirka, denoncoi grabitjen e tokave shqiptare me vendime të ndërkombëtareve. Kirka ngre lart luftën e trimave shqiptar të Kosovës me gjeneralin popullor Isa Boletini dhe e mbylli fjalimin me vargjet e poezisë”Oso Kuka”.
Kristo Kirka ishte delegat në të gjitha takimet themeluse të Federatës “Vatra” dhe në mbledhjen themeluse ai u zgjodh menaxher i Diellit. E kreu edhe detyrën e kryetarit të degës së Vatrës nr 1 për Bostonin, që në themelimin e degës, ndërkohë u zgjodh nënkryetar dhe kreu edhe detyrën e kryetarit.
Atdhetari i përkushtuar gjatë të gjithë kohës ishte në krye të veprimtarive antigreke që organizonin shqiptarët e Amerikës. Madje në mitingun madhështor të 2 shkurtit 1913, në “Phoenix Hall” në Boston, organizuar nga Shoqëria Korçare “Arsimi” me përkrahjen e “Vatrës” ai ishte drejtus i mitingut kundër barabarizmave greke në jug të Shqipërisë.
Kristo Kirka sipas gazetës Dielli , 2 maj 1913, ishte në krye të një mitingu të organizuar në Boston në mbrojtje të kufijëve të Shqipërisë, si reagim kundër vendimeve coptuse të Konferencës së Londrës.
            Më 1914, atdhetari i palodhur, ndodhet në Rumani dhe me delegacionin e shqiptarëve të Rumanisë shkon në Durrës dhe urojnë dhe mbështesin Princ Vidin. Po atë vit Kristo Kirkën e gjejmë në Korçë, i emëruar përgjegjës për punët publike. Gjatë përpjekjeve të grekëve për të aneksuar Korçën, Kristo Kirka ishte në krah të Themistokli Gërmenjit, me detyrë përgjegjës për mbrojtjen e postblloqeve të qytetit nga sulmet e andartëve grekë.Pas hyrjes së grekëve në Korçë, Kristo Kirka me atdhetarë të tjerë detyrohen të lënë vendin. Rikthehet sërish në radhët e Vatrës duke u bërë si më parë një përkrahës i zjarrtë i Nolit.

    Në janar 1921,Këshilli i Vatrës e ngarkon Kristo Kirkën përfaqësues të posaçëm të Vatrës në Shqipëri.Duke qenë një figurë që gëzonte besim në popull ai u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Shqiptar për katër vite.Më 1924 Qeveria e Nolit e dërgoi konsull në Boston.
      Në vitin 1933 rikthehet në Shqipëri, edhe pse ishte kundërshtar i monarkisë, për atdhetarizëm emërohet nënprefekt në Himarë dhe më pas në Bilisht.Ishte i fundit kryetar bashkie i Korçës para instalimit të diktaturës komuniste, para ardhjes në pushtet të komunistëve.Refuzoi ftesën për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit. Sapo komunistët hynë në Korçë, arrestohet nga njësiti guerril; e lirojnë pas një jave. Pas dy muajsh e propozojnë për kryetar fronti për shkak të popullaritetit që kishte; por sërish refuzon, duke paraqitë si shkak moshën e mahde. Me 12 maj 1946 arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg. Arrestohet vatrani që kishte lënë Amerikën për të bërë Shqipërinë! Atdhetarizmi shpërblehet me burg! Pas 9 vitesh vuajtjesh në burgun e tmerrshëm të Burrelit, dha shpirt, por trupi i tij nuk iu kthye familjarëve.Martiri mbeti pa varr!
Poeti antikomunist, Arshi Pipa,bashkëvuajtës me Kristo Kirkën, do të shkruante aso kohe  elegjinë përjetësuse”Elegji për atdhetarin Kristo Kirka”. Në vargje shpërthen dhimbja për atdhetarin dhe mllefi për diktaturën, që i mohoi dhe varrin:

Vdiq Flamurtari i moçëm!
Si rrojti: vdiq me nder.
I pastër, i devoçëm,
E pa u përkulë nji herë.

Ndër qela- u sos t’Burrelit,
Me dhunën e tradhëtarit,
Me njoll’n e  kriminelit
Mbi ballin e atdhetarit

A u pezmatu, a u-lodh
Se ashtu u-shpërblye i pafati?
Se fëmija pranë s’ju ndodh
Se vorr, as vorr, nuk pati?

Nuk fali, nuk mallkoi.
Por kur fjala ju-pre
Ndigjuem qysh thellë ankoi:
“Për Flamur!…për Atdhe…!

(Arshi Pipa- Libri i Burgut)

VATRA, SHTETI I MUNGUAR SHQIPTAR

Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra dha gjithëçka për të shpëtuar Shqipërinë, madje sakrifikoi jetët e drejtuesëve të saj..Siç ka shkruar Faik Konica, një ndër shtyllat e Federatës, sekretari i Komisionit të  bashkimit të shoqërive që vepronin në SHBA më  1912,- “Vatra” mori përsipër të veprojë  në vend të shtetit të vdekur shqiptar.”

 “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës ka bërë punë të mëdha për Shqipërinë: Emëroi dhe financoi delegatët e Shqipërisë në Evropë dhe Uashington, që i shërbyen çështjes kombëtare në  çastet më të vështira gjatë Luftës së Parë  Botërore e më pas.

 Ishin harxhet e Vatrës ato që financuan jo vetëm diplomatët shqiptarë, por edhe miq të Shqipërisë si dhe agjensi të huaja të specializuara që punuan në ato vite për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare. Protestat e shumta, telegramet dhe deklaratat e organizuara nga Vatra në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare pranë kancelarive, konferencave, forumeve ndërkombëtare, qenë  jetike për kombin.

Ishte Vatra ajo që me 3 qershor 1917 nisi fushatën e lobimit për mbrojtjen e pavarsisv së Shqipërisë nën moton”Për shpëtimin e Shqipërisë”, ku u mblodhën 150 mijë dollar. Pa kaluar tre vjet nisi fushata tjetër në ndihmë të qeverisë shqiptare “Huaja Kombëtare”, ku mblodhën më shumë se 198.000.00 dollarë amerikanë, që për kohën ishin shuma të mëdha, ndërkohë që punëtorët a pakualifikuar s’arrinin të merrnin më shumë se 5-7 dollarë në javë.

Një kontribut i çmuar i Vatrës ishte ai për zgjimin e kombit dhe ndriçimin e vetëdijes kombëtare.“Dielli” dhe Federatës “Vatra”, zgjuan nga plogështia shekullore jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe ata të Shqipërisë.Ndihma që dha” Vatra” për arsimimin e shqiptarëve dhe kulturën kombëtare, janë të pamohushme. Më shumë se 200 mijë tekste shkollore për shkollat shqiptare i sponsorizoi “Vatra”,ndërkohë që nxiti botimin dhe përkthimin e dhjetëra veprave letrare, përkrahu materialisht dërgimin e studentëve shqiptarë në shkollat amerikane etj. Nga diaspora e Amerikës Shqipëria fitoi edhe Kishën Autoqefale Orthodokse, që u bë një nga shtyllat e forcimit të shtetit.

Pas Luftës së Parë  Botërore, si dhe në prag të Luftës së Dytë  Botërore, shumë prej vatranëve patriotë iu përgjigjën zërit të Atdheut,  lanë Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë. Disa prej tyre u ndëshkuan nga diktatura komuniste që u instalua në Shqipëri, pa qenë  fajtorë e pa u gjykuar si të atillë. Atdhetarët e orëve të para ranë në kurthin e diktaturës,e  cila shumëzoi me zero kontributin atdhetar dhe sakrificat e mëdha që ata kishin bërë për Shqipërinë.

Është jashtë çdo logjike që atdhetarizmi të shpërblehet me plumba apo me burgime të rënda. Ajo “Vatër” që i kishte paraprirë formimit të shtetit të munguar shqiptar, ajo VATER, që mbrojti Shqipërinë përmes Amerikës në Konferencën e Paqes, merrte shpërblimin e dhunshëm duke u hequr të drejtën për të jetuar vatranëve patriotë, vetëm e vetëm pse nuk kishin pranuar idologjinë vëllavrasëse komuniste. Tre nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës; Kolë Rodhja, Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Kryetari i Vatrës Kol Tromari, komandanti i Trupave vullnetare të Vatrës Aqif Përmeti, Editori i Diellit Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij, siç kishte ndodhë edhe me Kristo Kirkën.

PARADOKSI- VATRANËT U SHPËRBLYEN ME PLUMBA 

Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetari i Vatrës më  1917 dhe 1918, që i kishte dhënë  Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë, deri edhe jeten? Po Bahri Omari, editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, komandant i Trupava Vullnetare të Vatrës që la Amerikën për të mbrojtë Shqipërinë nga barbaritë e grekëve?  Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit:”Jepni për Nënën”? Shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të Beratit.U mbeti ndër duar hetuesve komunist gjatë torturave çnjerzore në qelitë e vdekjes! Edhe vatranë të tjerë: Ish kryetari i Vatrës dhe editor i Diellit Aqile Tasi,Koço Kota, Kristo Floqi, Kol Rodhe, Kol Kuqali, Andon Frashëri, do të plaseshin në burgjet e diktaturës.

        Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të  madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare. 

PA KOMENT-LETRA E KRISTO KIRKËS PËR MID’HAT FRASHËRIN

Boston Mass, 27 prill, 1920

Z. Mid’hat Frashëri,

Delegat i Vatrës.

40 Rue de l’Artois

Paris, Francë

Muarëm letrën tuaj me datë 21 Mars

Për dr. Adhamidin, përsa na shkruani, u habitmë, se nuk dimë gjësendi dhe nuk kemi dëgjuar gjë. Do ish mirë po të kini më tepër dritë, të na bëni të njohur.

      Sa për politikën që mban Dielli dhe të cilën e gjeni Italo-file vimë t’ju themi se Dielli nuk ka mbajtur politikë të tillë, por munt disa nga artikujt e tij t’ju duken si të tillë. Redaksia e Diellit si dhe neve, ju lutemi tepër që hera-herën të na shkruani nga një raport, i cili të botohet në gazetë dhe të shfaqni politikën tonë. Kësisoj Dielli të shkelë mbi ato gjurmë, se pa mos patur një dritë të tillë, gazeta nga ndonjë herë munt të gabohet pa dashur. Me raporte më të dendur dhe më të gjatë, Vatra dhe Dielli, ndritohen mjaft dhe dinë të punojnë më mirë.

   Nga një kabllo që muarmë me datë 20 prill nga dr. Mihal Turtulli, delegati i Vatrës, muarëm dhe demicjen e tij(dorëheqjen), si delegate i Vatrës. Kjo na hidhëroi tepër se nuk dimë shkaket që doktori jep dorëheqjen.Duket që e gjen të tepërt që Vatra të ketë delegatë sot kur qeveria ka të sajët.

  Nuk dimë edhe se si gjykoni juve mbi këtë çështje, duhet delegatët e Vatrës të qëndrojnë edhe në Paris apo duhet të veprojnë në Shqipëri, ku ka fushë veprimi më të gjërë dhe është  nevoja për ta?

    Më 17 të këtij muaji, ju dërguam një kabllo, siç ju dërguam dhe delegatëve të tjerë të Vatrës, ku ju thoshim se duhet në këto raste të jeni të bashkuar dhe në harmoni me delegacjen zyrtare të Qeverisë sonë. E gjetmë të arsyeshme se një mosbashkëpunim dhe një përçarje na duket në këto kohëra është tepër i rrezikshëm.

    Në raportin financial të zotit Mehmet Konica me datë 22 nëntor, 1919 vemë re si ai ju ka dërguar për broshurën ”Shqiptarët dhe sllavët” franga 2910.20(dy mijë e nëntëqind e dhjetë). Gjithashtu u ka dërguar për rrogë franga 3.095.20(tri mijë e nëntëdhjetë e pesë e 20) për rrogën dhe harxhe. Vatra u ka dërguar së këtejmi në Midi-Clarence, Svicre, më 13 dhjetor 1919  franga 10.000(Dhjetemijë). Me që Kuvendi i Vatrës i përmotshëm po afrohet, dëshirojmë që të kemi një raport financial për këto të holla dhe për rrogën tuaj , që kështu dhe hesapet e mvarura t’i mbyllim dhe t’ia paraqitim Kuvendit. Shpresojmë të na dërgoni këtë raport përpara 15 Qershorit që vjen.

         Ju përshëndosh atdhetarisht dhe mbetem juaji me besë

                Kristo Kirka

Zëvendës/Kryetar i Vatrës

Arkivi Qendror I Shtetit

Fondi 35, dosja 38,fletet 142-143


Diçiturat e fotografive:

 1-Kristo. Kirka 17 Janar  1883- 28 Prill 1955

2- Fan S. Noli, Sotir Peci, Kristo Kirka, Boston 1908

3-Imzot Noli, shoqeruar nga Kristo Kirka, Korçe, 11 dhjetor 1921

5-Kristo Kirka dhe ambasadori amerika Grant Hugh, qershor 1938 ne Hoçisht, Korçe.

4- Kristo Kirka, Konsull ne Nju Jork, 1925..

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Kristo Kirka

HOMAZH- 28 PRILL, PERVJETORI I VDEKJES NE BURGUN E BURRELIT I BASHKETHEMELUESIT TE VATRES, KRISTO KIRKA

April 28, 2020 by dgreca

NGA URAN BUTKA*/

Katerina, vajza e dytë e Kristos, e përjetoi e para vdekjen e babait. “Ishte fundi i muajit prill 1955. Babai kishte tashmë dhjetë vjet në burg. Mamaja kishte disa javë që na thoshte se qeveria do të bënte me siguri një falje të përgjithshme dhe do ta lironin babanë. Bile, kishte parë edhe një ëndërr dhe i ishte mbushur mendja se lirimi i babait ishte punë ditësh. Në mëngjezin e 27 prillit, u ngrita herët, sepse e kisha unë radhën për të shkuar  në Burrel.  “Ushqimet mos i merr prapa, me qenë se ai do të lirohet, po jepjau të burgosurve të tjerë”- më porositi nëna. U nisa bashkë me nënën e Gjergj Kokoshit.  Arritëm me shumë peripeci e mundime në Burrel, por ishim mësuar. E kush i tregon ato! Menjëherë shkuam te burgu. Te porta e hekurt takuam zonjën Ikbale Prodani dhe zotin Xhelal Koprencka, që kishin ardhur të takonin Sami Koprenckën, mikun e babait. Samiu vuante në burg, ndërkohë që edhe  të birin, Xhelalin më  vonë e burgosën dhe pasi e ridënuan pesë herë, e pushkatuan. Donin t’i zhduknin gjithë brezat e nacionalistëve, siç ndodhi edhe me familjen tonë…U futëm tek oborri i jashtëm. Tek një vendroje, vizitorët thoshin emrin e të burgosurit dhe dorëzonin ushqimet. Kur erdhi radha ime, gardiani më tha se nuk mund t’i mbante ushqimet, sepse im atë ishte shumë i sëmurë dhe ushqimet nuk i bënin fajde. Unë këmbëngula që t’i pranonte ushqimet se babai do të bëhej mirë, por gardiani nuk ma zgjati. Iu luta që të më linte ta takoja, po ai nuk më dëgjonte më dhe merrej me të tjerët. I lashë ushqimet atje dhe u ktheva e dëshpëruar sa më s’ka. Rastësisht pashë drejtorin e burgut, i veshur ushtarak dhe me çizme të gjata e të llustruara. U binte çizmeve me një kamxhik të zi dhe bënte shëtitje nëpër oborr. Emri nuk më kujtohet, por sjellja  e tij dhe torturat çnjerëzore kundrejt të burgosurve, e kishin bërë të famshëm. Megjithatë, mora guximin dhe iu afrova. “Shoku drejtor, jam e bija e Kristo Kirkës, i thashë. Gardiani më thotë se është shumë i sëmurë dhe nuk mund ta takoj.  Të lutem, më lejo ta shoh e t’i them dy fjalë të fundit, se ndoshta nuk e shoh më!” .

Ai ngriti kokën dhe më këqyri me një vështrim të padeshifrueshëm, që edhe sot e kam të ngulitur në tru. Më përshkoi një drithërimë e akullt. Nuk do të më lejojë, mendova hidhur. Ai u kthye nga rojet dhe tha: “Lëreni!”. Desha ta falënderoja, po s’kisha pikë fuqie, më ishte tharë goja dhe më ishte mpirë mendja. Vetëm eca e përhumbur pas rojeve. U hap një derë dhe hyra në oborrin e dytë. U çel dhe dera tjetër, nëpërmes së cilës hyhej brenda në burg. Atje pashë Nesti Orolloganë, kushëririn e mamasë dhe Andon Frashërin, mikun e babait, që bënë të më afroheshin për të më thënë diçka, por rojet i shtynë tutje.

Babanë e kishin shtrirë në një krevat druri në infermieri. I kishte rënë një nur i bukur. Dukej sikur më priste. Baba, jam Rina!- i thashë me zë të dridhur, po ai nuk m’u përgjigj. Baba, baba! – e shkunda, po ai nuk reagoi. Iu hodha përsipër, e putha, e lava me lotë. Ai ishte  gjallë, ndoshta më dëgjonte, ndoshta kërkonte ndihmë. Dhe unë e shkreta s’i jepja dot asgjë! Në infermieri nuk kishte njeri, veç rojes që heshtte. Dola te dera, pas së cilës ishin mbledhur disa të burgosur. Dallova Mihal Zallarin. Ku është doktori?- pyeta. A ka doktor këtu?  Ai uli kokën dhe nuk m’u përgjegj. Atëherë, dola nga burgu, me mendimin që të gjeja një mjek në qytet. Në ambulancën e qytetit gjeta doktor Bakallin. E pyeta se ç’ kishte babai dhe se çfarë ilaçesh duheshin. Është në gjendje kome, më tha dhe u mundua të më mbushte mendjen se do ta kapërcente edhe këtë herë. Vrapova për te axhensia e kamionëve dhe atje gjeta nënën e Gjergj Kokoshit, që po kthehej për në Tiranë, edhe ajo tejet e mërzitur, se Gjergji ishte tuberkoloz në gradë të fundit, megjithatë e mbanin në një birucë të nbushur me ujë. I dhashë një letër për Nikon, ku i shkruaja: “Babai është shumë sëmurë. Të niset mamaja me ilaçet”.

Atë natë nuk vura gjumë në sy. I kisha humbur shpresat. Mendimi se në burgun e Burrelit i futin njerëzit për t’i vdekur, nuk më hiqej nga koka.Të nesërmen, më 28 prill, pa gëdhirë ende, shkova te burgu për të pyetur, po s’ma hapi njeri derën. Kur erdhi ora e takimit, roja më dha lajmin e kobshëm se babai kishte ndërruar jetë. E mblodha veten dhe kërkova të më dorëzohej trupi. Një oficer më tha se trupi mund të merrej pasi të mbushej afati i dënimit, domethënë pas 11 vjetësh të tjerë! I ktheva shpinën dhe ika nga sytë këmbët… Me zonjën Prodani dhe Xhelal Koprenckën, hipëm mbi një kamion për t’u kthyer. Rrugës, afër Milotit, ku kishim ndaluar, pashë nënën mbi një kamion tjetër, që shkonte për në Burrel. I thirra me sa fuqi që kisha dhe kamioni u ndal. Shkova për atje përhumbshëm. Ajo e kuptoi menjëherë se ç’kishte ndodhur. U zumë në grykë me njëra tjetrën dhe u shkrimë në vaj. “Nuk i gëzove fëmijët!”- i thoshte ajo nëpërmes ngashërimeve.

Pas 40 ditësh u kthyem sërish në Burrel, për të parë vendin ku e kishin varrosur dhe për t’i vënë një tufë me lule. Por rojet na sorrollatën dhe më në fund na treguan një vend me shkurre te Qershiza, ku kishte vetëm kocka… Edhe sot, nuk e dimë se ku i ka eshtrat…

Rrëfejnë bashkëvuajtësit

Osman Kazazi, që kishte kaluar plot 42 vjet në burgjet komuniste, fliste  shpesh për Kristo Kirkën, që e kishte njohur në burgun e Burrelit. Osmani e përmendte Kriston si shembull të nacionalistit idealist.  “ Vdekja e tij na pikëlloi të gjithëve.  Ishte një ditë zije për të burgosurit” – thoshte Osman Kazazi.[1]

Fatbardh Kupi, djali i Abaz Kupit, i dënuar  në një gjyq  me Kriston, tregon:

“E kam takuar për herë të parë në burgun e Tiranës patriotin Kristo Kirka. ( Më vonë, mbas vitit 1992, kur nxorra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dokumentet e dosjes sime gjyqësore, u habita kur pashë që bashkë me mua, Lekë Dostin, Dedë Gjonmarkun, ishte “gjykuar e dënuar” edhe Kristo Kirka! E pamundur! Nuk e kisha  parë  as në hetuesi dhe as në gjyq. Madje nuk ia dëgjova emrin kërkund. Pyeta Lekën dhe Dedën , por edhe ata më thanë se Kristoja nuk ishte gjykuar bashkë me ta. As që e kishin njohur më parë. Atëherë e kuptova që ishte një proces gjyqësor i montuar. Kriston e kishin bashkuar me grupin tonë “armiqësor” vetëm me letra, formalisht, për ta implikuar në veprimtari grupazhi kundër pushtetit, sepse hetuesinë dhe gjyqin ia kishin bërë më vete). Me sa mbaj mend, ai erdhi  nga burgu i Korçës në vitin 1946. Thoshin se ishte burgosur vetëm e vetëm se nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët. Kisha shumë respekt në burg për patriotët që nuk i ishin nënshtruar regjimit të Enver Hoxhës dhe njoha shumë karaktere të fortë e të papërkulur aty. Një ndër ata burra ishte edhe Kristo Kirka. Ishte burrë pa fjalë dhe të impononte respekt me sjelljen e tij. Kisha dëgjuar për aktivitetin e tij atdhetar dhe  respekti që ndjeja për të ishte i veçantë. Ne të rinjtë flisnim shpesh herë për të dhe përpiqeshim që të  përfitonim nga sjellja dhe qëndresa e tij.  Edhe pse ishte me bindje dhe parime republikane dhe një ndër miqtë e afërt të Fan Nolit, Kristo Kirka kishte punuar me ndërgjegje atdhetarie për Mbretërinë, si nëpunës, veçanërisht kur kishte shërbyer si nënprefekt në Himarë dhe Bilisht. Mendoj se duhet të jetë një mësim  për politikën e sotme trajtimi që i bënte Mbreti Zog kundërshtarëve politikë: i emëronte ata në administrate, madje edhe në detyra të rëndësishme. Kështu kishte vepruar edhe me Kristo Kirkën, duke e emëruar nënprefekt në Himarë, ai i besoi atij një pozicion tepër delikat, ndërkohë që tentohej për helenizimin e Himarës. Kujt më mirë se sa një atdhetari orthodoks të përmasave të Kristo Kirkës mund t’i besohej një mision aq delikat?  Më ka mbetur në mendje  një rast, kur komanda e burgut organizoi të ashtuqujturin “Front demokratik” brenda burgut, një farsë qesharake, që synonte krijimin e organizatës të të besuarve e të spiunëve. Disa u anëtarësuan në të, kryesisht  tipa servilë e pa personalitet, me përjashtim të ne të rinjve antikomunistë. Krahas nesh, edhe Kristo Kirka nuk pranoi dhe nuk u bë pjesë e saj, duke e bojkotuar në mënyrën e tij autoritare, pa komente. Para syve të mi u rrit më shumë respekti ndaj atij atdhetari fjalëpakë. Ndjehem mirë që isha me të në një kohë aq të vështirë”. [2]

Abduraman Kreshpani, nacionalist dhe antifashist i njohur, i arrestuar nga italianët për pjesëmarrje në demonstratën e  28 nëntorit 1939 në Vlorë dhe i internuar në Ventotene, mandej i burgosur edhe nga komunistët në burgun e Burrelit, rrëfen: “Kisha dëgjuar  për Kristo Kirkën se ishte një nga atdhetarët ortodoksë më të vendosur të Korçës, që kishte ardhur nga Amerika për të luftuar me pushkë  kundër grekut më 1914-tën dhe deputet në parlamentin e parë shqiptar, në vitet tridhjetë. Kështu, kisha formuar  përfytyrimin e luftëtarit  energjik  dhe të politikanit fjalëzjarrtë. Por, kur e njoha në burgun e Burrelit, më la tjetër përshtypje. Ndoshta, kishte bërë të vetën mosha e thyer, por edhe kushtet e rënda të burgut të Burrelit. Xha Kristoja ishte i thinjur, i qetë, fliste ngadalë, por çdo fjalë i zinte vend. Fliste vetëm për të shkuarën,  për tema historike. U shmangej bisedave aktuale.  Shoqërohej me pak njerëz, por ama të gjithë e respektonin, bile edhe gardianët. Nuk kishte bërë vaki më parë, por edhe më pas, që të hynte brenda në burg ndonjë person i jashtëm, aq më pak një familjar i ndonjë të  burgosuri. Komandanti i burgut e lejoi vajzën e xha Kristos, kur ky ishte në agoni të vdekjes, që të hynte dhe ta takonte të atin. Kjo përbënte një ngjarje në burg dhe ne bisedonim gjatë për të. Vajza e tij kaloi nëpërmes birucave tona tepër krenare, si të ishte një engjëll mbrojtës. E para gjë që më erdhi në mendje, ishte fakti që nënat, gratë dhe vajzat e të burgosurve, në ato kushte të skëterrshme, ditën të ruanin moralin e dinjitetin e tyre dhe të familjeve të tyre. Dua të them, se përkushtimi, vuajtja dhe qëndresa madhështore e nënave, grave e motrave tona, ishin më të mëdha sesa vuajtjet dhe qëndresa jonë nëpër burgje. Nuk ka penë që t’i përshkruajë”.[3]

Leka Dosti, djali i Hasan Dostit, ish-i burgosur në Burrel, kujton:

“Tomorrin dhe mua na transferuan nga burgu i Tiranës në Burgun e Burrelit. Atje morrëm vesh nga të burgosurit se s’kishte veçse pak muaj që kishte vdekur Kristo Kirka nga një hemoragji cerebrale. Në atë burg-ferr, vdekjet nga torturat, sëmundjet dhe mungesa e ushqimit, ishin të zakonshme. E jashtëzakonshme ishte lejimi i vajzës së Kristos, që ta takonte të atin, që kishte rënë në koma. S’kishte ndodhur deri atëherë dhe as më pas ndonjë rast i tillë, sepse nevojitej autorizimi i Ministrisë së Brendshme. Mirëpo, mbas lutjeve të Katerinës, komandanti i burgut, me emrin Xhipe Mersini, lab nga Vlora, urdhëroi të hapeshin dyert e hekurta dhe ajo u ndodh pranë shtratit të të atit, që kishte humbur ndjenjat. Vajza e shkretë shpërtheu në vaj me zë të lartë, sa u dëgjua gjithandej. Kishte ardhur për të takuar babanë, por e gjeti thuajse të mbaruar. E mblodhi veten, e falënderoi me zonjëllëk komandantin, i la aty ushqimet për të burgosurit e tjerë dhe iku nga sytë këmbët… Në burgun e Burrelit ishte një ekonomi ndihmëse për nevojat e komandës. Atje punonin të burgosurit, ndër ta edhe Kudret Kokoshi, Engjëll Kokoshi, Ali Maliqi e të tjerë. Një ditë, kur po qarkonim nëpër oborr në orarin e “ajrosjes”, Ali Maliqi na tha: “Duke punuar në “çifligun” e burgut, kaloi aty pari komandanti. Gjeta rastin t’i them: “Më lejoni t’ju falënderoj për sjelljen tuaj fisnike ndaj vajzës së të ndjerit Kristo Kirka ”. Pa e kthyer kokën, ai tha”  Ishte burrë i ndershëm”. U habita pa masë, që ndershmëria e Kristo Kirkës e kishte prekur edhe zëmrën e një gardiani të egër!”[4]

Ish-i burgosuri Beqir Ajazi, e kujton kështu Kristo Kirkën: “E kam njohur të

ndjerin Kristo në burgun e Burrelit. Në një kaush të madh, i cili nuk ishte më i gjerë se 10×8 metra, ku dergjeshin plot 72 të mjeruar, me qypin urinar prapa derës.  U  binda menjëherë se zoti Kirka spikaste dukshëm mbi gjithë të tjerët. Me një trup të madh, veshur me një pallto gub të zezë dhe me pamjen fisnike, të dukej fodull, por sa t’i afroheshe e të bisedoje më të , ndërroje mendim. Ishte njeri i mësuar dhe me përvojë të madhe, i dhimbsur dhe i gjindur, i dashur me të gjithë, por “sans façon” me askënd. Me qenë se kishte jetuar shumë vjet në Amerikë dhe kishte punuar te “Vatra”, ai ishte modeli i atdhetarit dhe i demokratit. E donte Shqipërinë me gjithë fuqinë e shpirtit. Përbuzjen më të madhe e kishte për politikën e shtetit grek, që pasi ishte rritur në dëm të Shqipërisë e të Maqedonisë, ishte përfshirë pas ëndrrës marroqe të megalo-idesë. Populli shqiptar don të ketë të ardhme, sepse është një popull paqesor dhe i zgjuar, që nuk mposhtet, thoshte Kristo Kirka. Tek e dëgjoja, mua më dukej se ai kishte lindur për të drejtuar, por drejtimin në atë kohë e kishin uzurpuar xhahilët”.[5]

Dhimbjen e thellë për vdekjen e Kristo Kirkës e ndieu edhe bashkëvuajtësi i Burrelit, intelektuali antikomunist, Arshi Pipa, i cili e shpreh me dy fjalë arsyen e dënimit dhe të vdekjes së xha Kristos, siç i thërrisnin në burg.

   “I arrestuem për të vetmin faj se nuk kishte qenë i gatshëm me brohoritë regjimin komunist, ai u dënue të mos delte i gjallë nga burgu”[6]

Lajmi për vdekjen e Kristo Kirkës  u përhap fshehtazi gojë më gojë nëpër Shqipëri, ndërsa në diasporë u dha gjerësisht nga shtypi shqiptar i atjeshëm.

Gazeta  “The Albanian-American”  botoi në maj të vitit 1955 një shkrim nekrologjik me rastin e vdekjes së Kristos, me titull “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë. Vazhdon pa mëshirë shfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e kuqe. Edhe Kristo Kirka vdiq në burg!”

“Pas Kol Rodhes, Bahri Omarit, Kolë Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut dhe shumë shqiptaro-amerikanëve të tjerë, që u vranë nga komunistët e Shqipërisë ose vdiqën nëpër burgjet  e tyre të tmerrshëm, ja edhe lajmi i vdekjes  së patriotit Kristo Kirka në burgun e “kryetrimave” të stalinizmës. Shqiptari i Amerikës sot ndien një dhembje  të madhe  në zemër, sidomos për ata burra me leshra të thinjura, që i kanë kushtuar çështjes shqiptare shumë nga mendja e djersa e tyre, për ta parë atë vend të dashur, të lirë, të vëllazëruar e të përparuar. Njeriu, pra, që këtu në Amerikë, i kushtoi tërë jetën e tij vendit të lindjes, ka qenë Kristo Kirka.

Hiqeni Kristo Kirkën nga historia e shqiptarëve të Amerikës dhe s’do të kini më një histori të shqiptarëve të Amerikës! Kronologjia  e aktiviteteve patriotike të Kristo Kirkës, tretet me  realizimet proshqiptare këtu në Amerikë: Gazeta “Kombi”, Shoqëria “Besa-Besën”, Kisha Kombëtare Ortodokse, federata “Vatra”, gazeta “Dielli”, të gjitha këto vepra të shqiptarëve të Amerikës. Kristo Kirka është një nga mjeshtrit e mëdhenj.  Ata që u përpoqën, që vojtën dhe e bënë Shqipërinë, tani akuzohen nga komunistët si armiq e tradhtarë, vriten, burgosen e vdesin në tortura të llahtarshme. Burgu ku vdiq Kristo Kirka, është një fushë lufte, ku ai qëndroi dhe ra dëshmor  për Shqipëri. Pse e vranë Kristo Kirkën, që ndihmoi në themelimin e asaj Shqipërie, ku sot sundojnë komunistët? E vdiqnë për të njëjtat arsye që vranë dhe vazhdojnë të vrasin gjithë shqiptarët mëmëdhetarë: Mihal Bellkamenin, Seid Kemalin, Vinçens Prenushin dhe lart nga 100.000 shqiptarë të tjerë!” [7]

Disa muaj më vonë, në shtator të vitit 1955, luftëtari nacionalist dhe mërgimtari i shquar intelektual, Qazim Prodani, shkruante në gazetën “Besa”:

“Bir i Korçës, djep i shqiptarizmit, Kristo Kirka, burrë e shqiptar i madh,  me virtyte morali e patriotizmi të lartë, mbylli sytë nën thonjtë e armiqve të kombit në burgun e Burrelit. Burrat e destinuar për histori, që shpirtëzojnë legjendën e krenarisë së një kombi, që “thyhen, por nuk përkulen”, rrojnë dhe vdesin të mëdhenj si Kristo Kirka. Kush e njohu Kristo Kirkën dhe nuk gjeti tek ai burrin shqiptar si në kohët e lashta, burrin-shkëmb, të patundur, fisnik, të urtë, të mënçur. Zot i këtyre cilësive, Kristoja ynë dhe i shqiptarizmit, e përjetësuan në botë emrin e kombit arbëror, e bënë të pavdekshëm për nder, trimëri, qendrueshmëri dhe shpirtmadhësi…Jeta e martirëve-misionarë të historisë kombëtare, me vrull e luftë fillon dhe me përpjekje e luftë sublime mbaron. Nuk prisnim që Kristoja të mbyllte sytë në shtëpi. Gjersa vendi nuk kishte liri,  Kristoja do të vdiste ose në istikamin e lirisë ose në duart e armiqve të Shqipërisë.  Por Kristoja nuk ka vdekur, pse kurrë nuk vdesin martirët  dhe heronjtë e një kombi!” [8]

Po kurorën për vdekjen e Kristo Kirkës, e thuri me fjalë zemre e vargje të madhërishëm, poeti Arshi Pipa, bashkëvuajtës me të ndjerin Kirka. Poeti e shkroi elegjinë në burg, kur ndërroi jetë Kristo Kirka, i cili edhe në çastin e mbramë, tha: “Për flamur… për Atdhe!”. Ndaj edhe poeti klith: “Vdiq flamurtari i moçwm!”

ELEGJI  PËR  ATDHETARIN  KRISTO  KIRKA

Vdiq flamurtari i moçëm!

Si rrojti, vdiq: me nder.

I pastër , i devoçëm,

pa u përkulë nji herë.

Ndër qela u sos t’Burrelit’

me dhunën e tradhtarit,

më njoll’n e kriminelit

mbi ballin e atdhetarit.

A u pezmatue, a u lodh

Se ashtu u shpërblye i pafati?

Se fmija pran s’iu ndodh,

se vorr, as vorr, nuk pati!

Nuk fali, nuk mallkoi.

Po kur fjala iu pre

Ndigjuem qysh thellë ankoi:

“Për flamur!…Për Atdhe!”

O shok, o prind i shtrenjtë,

qi len familjen tonë,

kjo porosi e shenjtë

për ne do t’jetë gjithmonë!

Nga burrat qi themelin

Shqipnis i patën kallë

Sot ca të pakët ngelin:

Ti qe nga numri, i rrallë.

Me përnderim dashnuer

përkul’mi para teje.

Me flamur ti n’krahnuer

Sulmove n’ball beteje.

Besnik para çdo prove

sa pate frym s’e le.

Krenar për të luftove

dhe me të s’bashku re.

At flamur nji ndër shokë

E ngren ma nalt, e shtjell.

Pusho, kufomë nën tokë,

Ngushllou, o shpirt, ti n’qiell! [9]

“Martirin, që kishte tentuar të bëhej engjëlli mbrojtës i atdheut, e  kryqëzuan komunistët, duke e lënë edhe pa varr. E shpirti?  Doemos në qiell!”- shkruan editori i sotëm i “Diellit”, Dalip Greca.[10]

[1] U Butka: Intervistë me Osman Kazazin, v. 1991

[2] Fatbardh Kupi, E kam takuar në burg Kristo Kirkën, mbresa, 2011

[3] Abduraman Kreshpani, kujtime për Kristo Kirkën

[4] Leka Dosti, kujtime, 2011.

[5] Beqir Ajazi, kujtime për K.Kirkën, 4 mars 2012

[6] Arshi Pipa,  libri i burgut

[7] The Albanian Amerikan, April-May, 1955

[8] Gazeta “Besa”, shtator 1955

[9] Arshi Pipa, Libri i Burgut, 1959

[10] D.Greca, Albania, 3 maj 2000

*Marre nga Libri i Uran Butkes”Kristo Kirka” , fitues i cmimit “Pena e argjendet”

Filed Under: Histori Tagged With: homazh, Kristo Kirka, Uran Butka

KRISTO KIRKA, BASHKETHEMELUSI I VATRES U SHUA ME 28 PRILL

April 28, 2018 by dgreca

Kristo Kirka, Bashkëthemeluesi i VATRËS, u shua në Burrel me 28 Prill/

1-Kirka-Konsull

NGA URAN BUTKA/Ne foto: Kristo Kirka, Konsulli i Shqiperise ne Nju Jork/
Kristo Kirka(1883-1955), patrioti shqiptar, një nga themeluesit e Federates “Vatra” në SHBA, bashkëpunëtor i Nolit e Konicës, deputet i Parlamentit shqiptar (1921-1924), konsull në Nju Jork, zv.prefekt i Bilishtit, kryetar i Bashkisë së Korçës, më pas nënprefekt i Korçës, gjatë pushtimit fashist e nazist, nacionalist, i cili nuk pranoi të bashkëpunonte me komunistët dhe të vihej në krye të Frontit Demokratik, u shua ne burgun e Burrelit. Në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burgim. Vdiq pasi kishte kryer 10 syresh në Burgun e Burrelit në moshën 72-vjeçare. Nuk dihet se ku i prehen eshtrat. Ndërkaq, i biri 19-vjeçar u dënua me 8 vjet burg, ndërsa gruaja e vajzat u persekutuan.

GJYQI

Kristo Kirkën e gjykoi dhe e dënoi Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 17.12.1946, me trup gjykues kryetar Gjon Banushi, major, ish-partizan dhe prokuror ushtarak, kapiten Petrit Hakani, i njohur për egërsinë dhe dënimet ekstreme politike të qytetarëve në të gjithë Shqipërinë. Kristo Kirka u përfshi në një gjyq politik bashkë me të pandehur që s’i kishte parë e njohur kurrë: Fatbardh Kupin, i biri i Abaz Kupit, Dule Kuke, bujk, Nuredin Koxhej, bujk, Ded Gjon Marku, i biri i Gjon Markagjonit, Skënder Dine, i biri i Fiqri Dines, Nikolla Mole, komisioner, Loro Kubini, ish-oficer, nako Labi, tregar, teki Mezini, ish-partizan, Abdulla Ceka, Bujk, Rexhep Ceka, Bujk.
Organi i akuzës kishte hartuar një akuzë në terma të përgjithshme për 12 të pandehurit, të cilët nuk i lidhte asnjë veprimtari apo kontakt me njëri-tjetrin. Ndërsa akuza e veçantë për Kristo Kirkën, si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit”, përpiluar nga prokurori ushtarak Petrit Hakani, ngrihej mbi tri “faje të rënda” të Kristo Kirkës, që Gjykata i mori si të mirëqena: “I pandehuri Kristaq Kirka, gjatë kohës së okupacionit fashist ka qenë si nënprefekt në Bilisht dhe ka raportuar nëpunësa me rastin e largimit të tyre nga okupacioni fashist, ka shtypur popullin tue e akuzue përpara autoriteteve fashiste, me rastin e luftës italo-greke. Me qenë se i pandehuri më vonë është emëruar kryetar i Bashkisë Korçë, tue mbajtë nji qëndrim antipopullor dhe antikombëtar dhe në interes të fashizmit, veprimtaria e të cilit provohet me nji varg shkresash që ndodhen në dosjen e tij përkatëse… Mbas kapitullimit të Italisë dhe me okupimin e Shqipërisë prej nazizmit, i pandehuri merr pjesë në organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar, duke u bërë anëtar i Komitetit qarkor dhe më vonë emërohet zv.prefekt i Korçës. I pandehuri, me anë demagogjie, ka gabuar njerëz duke i futur në radhët e kësaj organizate… Mbas çlirimit të Shqipërisë, me rastin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, i pandehuri, duke qenë në lidhje me Kol Rodhet etj. Dhe të gjithë së bashku në lidhje me reaksionin e jashtëm janë munduar për të sabotuar zgjedhjet për të përmbysur pushtetin popullore me ndërhyrjen e jashtme”.
Gjykata Ushtarake e dënoi Kristo Kirkën, më 17.12.1946, me 20 vjet burgimi. Nuk kishte rëndësi për Gjykatën nëse ishin apo jo të vërteta akuzat, nëse pranoheshin apo jo nga të pandehurit. Rëndësi kishte që ata të dënoheshin si armiq dhe, në emër të popullit, të mbushnin burgjet e kampet e përqendrimit të punës së pranguar si dhe t’u sekuestroheshin pasuritë. Natyrisht Kristo Kirka i kundërshtoi dhe i rrëzoi akuzat e pathemelta në ngarkim të tij dhe pranoi me sinqeritetin që e karakterizonte, veprime apo lidhje shoqërore reale, edhe pse mund ta dëmtonin. Në gjyqin e inskenuar dhe të zhvilluar vetëm në një seancë të shkurtër formale, Kristo Kirka mbajti qëndrim dinjitoz. Në fjalën e fundit, sinqerisht, sepse thoshte të vërtetën, por edhe njerëzisht, sepse i dhimbsej jeta tha: “Në jetën time nuk kam bërë ndonjë send për kundra popullit. Kërkoj nga trupi gjykues mëshirë dhe të vendosë me një ndërgjegje të pastër”. Familja Kirka dhe Harizi ishin të shqetësuara për fatin e Kristos. Por, edhe miqtë dhe bashkëluftëtarët e tij, brenda e jashtë Shqipërisë. Djali i Petro Harizit, Dhimitri, emigrant në SHBA, i shkroi Fan S. Nolit nga Worcester-i për të ndërmjetësuar pranë qeverisë shqiptare që ta shpëtonte mikun e tij të ngushtë. Natyrisht, nuk mund t’i shkruanin pjesëtarët e familjes Kirka nga Shqipëria, sepse letrat e tyre censuroheshin nga regjimi dhe nuk shkonin në destinacion. Fan S. Noli u interesua menjëherë pranë qeverisë shqiptare dhe i ktheu këtë përgjigje me telegram Dh. Harizit: I dashur Tako: Sipas letrës suaj, shkrova menjëherë atje ku duhet për çështjen e Zotit Kirka. Kam shpresë që lutja ime t’i hynjë në punë dhe t’ia lehtësonjë gjendjen. Me bekimin prej zemre, mbetem Uronjësi juaj me Krishtin Pshkop F.S. Noli Të bën përshtypje përdorimi nga Noli i emrit të shkurtuar Tako, siç i thërrisnin Dhimitrit në familje, gjë që tregon për marrëdhëniet intime të tij me familjet Kirka dhe Harizi. Por, as letra e Nolit nuk ndryshoi gjë në atë sistem të paarsyeshëm e të pandjeshëm. Kristoja u kthye nga një njeri, në një numër në Burgun e Tiranës, mandej në atë të Burrelit. Një muaj pas arrestimit të tij, i vunë hekurat të birit.

VDEKJA E KRISTO KIRKES

Katerina, vajza e dytë e Kristos, e përjetoi e para vdekjen e babait. “Ishte fundi i muajit prill 1955. Babai kishte tashmë 10 vjet në burg. Mamaja kishte disa javë që na thoshte se qeveria do të bënte me siguri një falje të përgjithshme dhe ta lironin babanë. Bile, e kishte parë edhe në ëndërr dhe i ishte mbushur mendja se lirimi i babait ishte punë ditësh. Në mëngjesin e 27 prillit, u ngrita herët, sepse e kisha unë radhën për të shkuar në Burrel. “Ushqimet mos i merr prapa, me qenë se ai do të lirohet, por jepja të burgosurve të tjerë”, më porositi nëna. U nisa bashkë me nënën e Gjergj Kokoshit. Arritëm me shumë peripeci e mundime në Burrel, por ishim mësuar. E kush i tregon ato! Menjëherë shkuam te burgu. Te porta e hekurt takuam zonjën Ikbale Prodani dhe zotin Xhelal Koprencka, që kishin ardhur të takonin Sami Koprenckën, mikun e babait. Samiu vuante në burg, ndërkohë që edhe të birin, Xhelalin, më vonë e burgosën dhe pasi e ridënuan pesë herë, e pushkatuan. Donin t’i zhduknin gjithë brezat e nacionalistëve, siç ndodhi edhe me familjen tonë… U futëm tek oborri i jashtëm. Tek një vendroje, vizitorët thoshin emrin e të burgosurit dhe dorëzonin ushqimet. Kur erdhi radha ime, gardiani më tha se nuk mund t’i mbante ushqimet, sepse im atë ishte shumë i sëmurë dhe ushqimet nuk i bënin fajde. Unë këmbëngula që t’i pranonte ushqimet se babai do të bëhej mirë, por gardiani nuk ma zgjati. Iu luta që të më linte ta takoja, por ai nuk më dëgjonte më dhe merrej me të tjerët. I lashë ushqimet atje dhe u ktheva e dëshpëruar sa më s’ka. Rastësisht pashë drejtorin e burgut, i veshur ushtarak dhe me çizme të gjata të lustruara. U binte çizmeve me një kamxhik të zi dhe bënte shëtitje nëpër oborr. Emri nuk më kujtohet, por sjellja e tij dhe torturat çnjerëzore kundrejt të burgosurve e kishin bërë të famshëm. Megjithatë, mora guximin dhe iu afrova. “Shoku drejtor, jam e bija e Kristo Kirkës, i thashë. Gardiani më thotë se është i sëmurë dhe nuk mund ta takoj. Të lutem, më lejo ta shoh e t’i them dy fjalë të fundit, se ndoshta nuk e shoh më!”. Ai ngriti kokën dhe këqyri me një vështrim të padeshifrueshëm, që edhe sot e kam të ngulitur në tru. Më përshkoi një drithërimë e akullt. Nuk do të më lejojë, mendova hidhur. Ai u kthye nga rojet dhe tha: “Lëreni!” Desha ta falënderoja, po s’kisha pikë fuqie, më ishte tharë goja dhe më ishte mpirë mendja. Vetëm eca e përhumbur pas rojeve. U hap një derë dhe hyra në oborrin e dytë. U çel dhe dera tjetër, nëpërmjet së cilës hyhej brenda në burg. Atje pashë Nesti Orolloganë, kushëririn e mamasë dhe Andon Frashërin, mikun e babait, që bënë të më afroheshin për të më thënë diçka, por rojet i shtynë tutje. Babanë e kishin shtrirë në një krevat druri në infermieri. I kishte rënë një nur i bukur. Dukej sikur më priste. Baba, jam Rina, i thashë me zë të dridhur, po ai nuk m’u përgjigj. Baba, baba, e shkunda, po ai nuk reagoi. Iu hodha përsipër, e putha, e lava me lot. Ai ishte gjallë, ndoshta më dëgjonte, ndoshta kërkonte ndihmë. Dhe unë e shkreta s’i jepja dot asgjë! Në infermieri nuk kishte asnjë njeri, veç rojës që heshtte. Dola te dera, pas së cilës ishin mbledhur disa të burgosur. Dallova Mihal Zallarin. Ku është doktori?, pyeta. A ka doktor këtu? Ai uli kokën dhe nuk m’u përgjigj. Atëherë dola nga burgu, me mendimin që të gjeja ndonjë mjek në qytet. Në ambulancën e qytetit gjeta doktor Bakallin. E pyeta se ç’kishte babai dhe ç’ilaçe duheshin. Është në gjendje kome, më tha dhe u mundua të më mbushte mendjen se do ta kapërcente edhe këtë herë. Vrapova për tek axhensia e kamionëve dhe atje gjeta nënën e Gjergj Kokoshit, që po kthehej për në Tiranë, edhe ajo tejet e mërzitur, se Gjergji ishte tuberkuloz në gradë të fundit, megjithatë e mbanin në një birucë të mbushur me ujë. I dhashë një letër për Nikon, ku i shkruaja “Babai është shumë sëmurë. Të niset mamaja me ilaçet”. Atë natë nuk vura gjumë në sy. I kisha humbur shpresat. Mendimi se në Burgun e Burrelit i futin njerëzit për t’i vdekur, nuk më hiqej nga koka. Të nesërmen, më 28 prill, pa gdhirë ende, shkova tek burgu për të pyetur, po s’ma hapi njeri derën. Kur erdhi ora e takimit, roja më dha lajmin e kobshëm se babi kishte ndërruar jetë. E mblodha veten dhe kërkova të më dorëzohej trupi. Një oficer më tha se trupi mund të merrej kur të mbushej afati i dënimit, domethënë pas 11 vjetësh të tjerë! I ktheva shpinën dhe ika nga sytë këmbët. Me zonjën Prodani dhe Xhelal Koprenckën, hipëm mbi një kamion për t’u kthyer. Rrugës, afër Milotit, ku kishim ndaluar, pashë nënën mbi një kamion tjetër, që shkonte për në Burrel. I thirra me sa fuqi që kisha dhe kamioni u ndal. Shkova për atje përhumbshëm. Ajo e kuptoi menjëherë se ç’kishte ndodhur. U zumë në grykë me njëra-tjetrën dhe u shkrimë në vaj. “Nuk i gëzove fëmijët”, i thoshte ajo përmes ngashërimës. Pas 40 ditësh u kthyem sërish në Burrel, për të parë vendin ku e kishin varrosur dhe për t’i vënë një tufë me lule. Por rojet na sorollatën dhe më në fund na treguan një vend me shkurre tek Qershiza, ku kishte vetëm kocka… Edhe sot nuk e dimë se ku i ka eshtrat(Marrë nga Monografia”Kristo Kirka” Lauruar me cmimin”Penda e Argjendët)

ELEGJIA

Ish bashkevuajtesi i tij, poeti Arshi Pipa, i tronditur nga vdekja tragjike e rilindasit shqiptar i kushtoielegjine Kristo Kirkes:

Vdiq flamurtari i moçem!
Si rrojti vdiq me nder,
I paster, i devoçem
E pa u perkule njehere

Nder qela u sos t’Burrelit
me dhunen e tradhetarit,
me njolln’ e kriminelit
mbi ballin e atdhetarit

Nuk foli, nuk mallkoi.
Por kur ra fjala ju pre,
Ndigjuem qysh lehte ankoi:
“Per flamur!… Per atdhe!”

Filed Under: Featured Tagged With: bashkethemelusi i Vatres, Kristo Kirka, u stua me 28 Prill

KRISTO KIRKA, BASHKETHEMUESI I VATRES, U SOS NE BURGUN E BURRELIT…

April 29, 2017 by dgreca

Gjyqi dhe vdekja në Burgun e Burrelit e bashkëthemeluesit të “VATRËS” KRISTO KIRKA/
1 Kirka Konsull

Ne Foto:Kristo Kirka, konsull ne Nju Jork/

Botohet me rastin e 62 vjetorit të vdekjes në Burgun e Burrelit(28 Prill 1955) të Kristo Kirkës, bashkëthemeluesit të Vatrës,Menaxherit të Diellit, kryetarit të Besa-Besën,ish nënprefektit të Himarës, Bilishtit dhe kryetarit të Bashkise së Korcës, Kristo KIRKA-Nder i Kombit, i cili ndërroi jetë me 28 prill 1955 në burgun e Burrelit.

1 ambasad

Ne Foto: Kristo Kirka me ambasadorin Amerikan, Grant, Hocisht 1939/

NGA URAN BUTKA /

Kristo Kirkën e gjykoi dhe e dënoi gjykata ushtarake e Tiranës, më 17.12.1946, me trup gjykues: kryetar Gjon Banushi, major, ish- partisan dhe prokuror ushtarak, kapiten Petrit Hakani, i njohur për egërsinë dhe dënimet ekstreme politike të qytetarëve në të gjithë Shqipërinë.2 Kirka1

1920, ne Kuvendin e Vatres. Kristo Kirka nne majte te Peshkop Nolit/

Kristo Kirka u përfshi në një gjyq  politik bashkë me të pandehur që s’i kishte parë e njohur kurrë: Fatbardh Kupin, i biri i Abaz Kupit, Dule Kuke, bujk, Nuredin Koxhej, bujk, Ded Gjon Marku, i biri i Gjon Markagjonit, Skënder Dine, i biri i Fiqri Dines, Nikolla Mole, komisioner, Loro Kubini, ish-oficer, Nako Labi, tregtar, Teki Mezini, ish-partizan, Abdulla Ceka, bujk, Rexhep Ceka, bujk.

Organi i akuzës kishte hartuar një akuzë në terma të përgjithshme për të 12 të pandehurit, të cilët nuk i lidhte  asnjë veprimtari apo kontakt  me njëri-tjetrin. Ndërsa akuza e veçantë për Kristo Kirkën, si “ armik i popullit dhe sabotator i pushtetit”, përpiluar nga prokurori ushtarak, Petrit Hakani, ngrihej mbi tre “faje tërënda” të Kristo Kirkës, që gjykata i mori si të mirëqena: “I pandehuri Kristaq Kirka, gjatë kohës së okupacionit fashist ka qenë si nënprefekt në Bilisht dhe ka raportuar nëpunësa me rastin e largimit të tyre nga okupacioni fashist. Ka shtypur popullin  tue e akuzue përpara autoriteteve fashiste, me rastin e luftës italo-greke.4 me delegacionin Wied

Ne Foto: Me delegacionin e Kolonise shqiptare te Rumanise ne Durres duke uruar Princ Wiedin.Nga e manta, ne membre, i dyti/

Me qenë se i pandehuri më vonë është emëruar kryetar i bashkisë Korçë, tue mbajtë nji qëndrim antipopullor dhe antikombëtar dhe në interes të fashizmit, veprimtaria e të cilit provohet me nji varg shkresash që ndodhen  në dosjen  e tij përkatëse…

Mbas kapitullimit të Italisë dhe me okupimin e Shqipërisë prej nazizmit, i pandehuri merr pjesë në organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar, duke u bërë anëtar i komitetit qarkor dhe më vonë emërohet zv.prefekt i Korçës. I pandehuri, me anë demagogjie, ka gabuar njerëz  duke i futur në radhët  e kësaj organizate…

Mbas çlirimit të Shqipërisë, me rastin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, i pandehuri,  duke qenë  në lidhje me Kol Rodhet etj. dhe të gjithë së bashku në lidhje me reaksionin e jashtëm, janë munduar për të sabotuar zgjedhjet, për të përmbysur pushtetin popullor me ndërhyrjen e jashtme”.[1]

Gjykata ushtarake  e dënoi  Kristo Kirkën, më 17.12.1946, me 20 vjet burgim. Nuk kishte rëndësi për gjykatën nëse ishin apo jo të vërteta akuzat, nëse u vërtetuan gjatë procesit të hetimit e të gjykimit, nëse pranoheshin apo jo nga të pandehurit. Rëndësi kishte që ata të dënoheshin si armiq dhe, në emër të popullit, të mbushnin burgjet e kampet e përqëndrimit të punës së pranguar si edhe t’u sekuestroheshin pasuritë.

Natyrisht, Kristo Kirka i kundërshtoi dhe i rrëzoi akuzat e pathemelta  në ngarkim të tij dhe pranoi me sinqeritetin që e karakterizonte, veprime apo lidhje shoqërore reale, edhe pse mund ta dëmtonin.

Në gjyqin e inskenuar dhe të zhvilluar vetëm në një seancë të shkurtër formale, Kristo Kirka mbajti qëndrim dinjitoz. Në fjalën e fundit, sinqerisht sepse thoshte të vërtetën, por edhe  njerëzisht, sepse i dhimbsej jeta, tha : “Në jetën time nuk kam bërë ndonjë send për kundra popullit.  Kërkoj nga trupi gjykues mëshirë dhe  të vendosë me një ndërgjegje të pastër”.

Familjet Kirka dhe  Harizi ishin të shqetësuara për fatin e Kristos. Por edhe miqtë e bashkëluftëtarët e tij, brenda e jashtë Shqipërisë.

Djali i Petro Harizit, Dhimitri, emigrant në SHBA, i shkroi Fan S.Nolit nga Worcester-i, për të ndërmjetësuar pranë qeverisë shqiptare, që ta shpëtonte mikun e tij të ngushtë. Natyrisht, nuk mund t’i shkruanin  pjesëtarët e familjes Kirka nga Shqipëria, sepse letrat e tyre censuroheshin nga regjimi dhe nuk shkonin në destinacion.

Fan S.Noli u interesua menjëherë pranë qeverisë shqiptare dhe i ktheu këtë përgjigje me telegram Dh.Harizit:  Boston, Mass, Tetor  3, 1946

I dashur Tako:

Sipas letrës suaj, shkrova menjëherë atje ku duhet për çështjen e Zotit Kirka. Kam shpresë që lutja ime t’i hynjë në punë dhe t’ia lehtësonjë gjendjen.

Me bekim prej zemre, mbetem

Uronjësi juaj me Krishtin

Peshkop  F.S. Noli

Të bën përshtypje përdorimi nga Noli i emrit të shkurtuar Tako, siç i thërrisnin Dhimitrit në familje, gjë që tregon për marrëdhëniet intime të tij me familjet Kirka dhe Harizi…

Por as letra e Nolit, nuk  ndryshoi gjë në atë sistem të paarsyeshëm e të pandjeshëm. Kristoja u kthye nga një njeri në një numër në burgun e Tiranës, mandej në atë të Burrelit.Një muaj pas arrestimit të tij, i vunë hekurat edhe të birit.

***

VDEKJA E KRISTO KIRKËS

Katerina, vajza e dytë e Kristos, e përjetoi e para vdekjen e babait.

“Ishte fundi i muajit prill 1955. Babai kishte tashmë dhjetë vjet në burg. Mamaja kishte disa javë që na thoshte se qeveria do të bënte me siguri një falje të përgjithshme dhe do ta lironin babanë. Bile, kishte parë edhe një ëndërr dhe i ishte mbushur mendja se lirimi i babait ishte punë ditësh. Në mëngjezin e 27 prillit, u ngrita herët, sepse e kisha unë radhën për të shkuar  në Burrel.  “Ushqimet mos i merr prapa, me qenë se ai do të lirohet, po jepjau të burgosurve të tjerë”- më porositi nëna. U nisa bashkë me nënën e Gjergj Kokoshit.  Arritëm me shumë peripeci e mundime në Burrel, por ishim mësuar. E kush i tregon ato! Menjëherë shkuam te burgu. Te porta e hekurt takuam zonjën Ikbale Prodani dhe zotin Xhelal Koprencka, që kishin ardhur të takonin Sami Koprenckën, mikun e babait. Samiu vuante në burg, ndërkohë që edhe  të birin, Xhelalin më  vonë e burgosën dhe pasi e ridënuan pesë herë, e pushkatuan. Donin t’i zhduknin gjithë brezat e nacionalistëve, siç ndodhi edhe me familjen tonë…U futëm tek oborri i jashtëm. Tek një vendroje, vizitorët thoshin emrin e të burgosurit dhe dorëzonin ushqimet. Kur erdhi radha ime, gardiani më tha se nuk mund t’i mbante ushqimet, sepse im atë ishte shumë i sëmurë dhe ushqimet nuk i bënin fajde. Unë këmbëngula që t’i pranonte ushqimet se babai do të bëhej mirë, por gardiani nuk ma zgjati. Iu luta që të më linte ta takoja, po ai nuk më dëgjonte më dhe merrej me të tjerët. I lashë ushqimet atje dhe u ktheva e dëshpëruar sa më s’ka. Rastësisht pashë drejtorin e burgut, i veshur ushtarak dhe me çizme të gjata e të llustruara. U binte çizmeve me një kamxhik të zi dhe bënte shëtitje nëpër oborr. Emri nuk më kujtohet, por sjellja  e tij dhe torturat çnjerëzore kundrejt të burgosurve, e kishin bërë të famshëm. Megjithatë, mora guximin dhe iu afrova. “Shoku drejtor, jam e bija e Kristo Kirkës, i thashë. Gardiani më thotë se është shumë i sëmurë dhe nuk mund ta takoj.  Të lutem, më lejo ta shoh e t’i them dy fjalë të fundit, se ndoshta nuk e shoh më!” .(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

 

Filed Under: Featured Tagged With: 62 vjetori i lindjes, Kristo Kirka

Më 28 korrik 1912 u miratua buxheti i parë i Federatës “Vatra”*

July 28, 2016 by dgreca

Më 28 korrik 1912, u mbajt një mbledhje e posaçme e Kuvendit të “Vatrës”, e drejtuar nga Kristo Kirka, për problemet e buxhetit të saj. Në atë kuvend u miratua buxheti i parë i Federatës “Vatra”. Sigurimi i një buxheti të mirë, i dha mundësi “Vatrës” të përballonte gjithë ato veprimtari që lidheshin me mëvehtësimin e Shqipërisë, delegimin e parfaqësuesve të saj në Shqipëri dhe në Europë, dërgimin e vullnetarëve të lirisë, organizimin e konferencave dhe mitingjeve e të tjera.

Vatra e përkrahu kryengritjen e përgjithshme shqiptare të motit 1912.  Por, kur u krijua Aleanca  Ballkanike dhe nisi lufta e saj kundër Turqisë, situata e Shqipërisë u ndërlikua, po ashtu  edhe  qëndrimet e “Vatrës” u tronditën. Luftën Ballkanike, vatranët e denoncuan si një luftë të pansllavizmit kundër Turqisë dhe një luftë grabitqare kundrejt Shqipërisë. Madje, ata e konsideronin rrezikun sllavo-grek si rrezikun kryesor për Shqipërinë. Nën këtë vështrim, liderë të “Vatrës” si Konica, anuan nga një aleancë e mundshme me Turqinë, që  të shpëtohej copëtimi i Shqipërisë nga vendet ballkanike. Konica e shihte si një rrezik aleancën e Shqipërisë me shtetet ballkanike, duke sjellë në vëmendje synimet e tyre, madje edhe shembullin e aleancës me Malin e Zi në kryengritjen e vitit 1911, në të cilën luftuan shqiptarët  kundër pushtuesve osmanë, ndërsa Mali i Zi u përpoq t’i merrte Shqipërisë disa territore.

Kristo Kirka nuk ishte as për një aleancë me Turqinë, që synonte ta mbante Shqipërinë nën rrënojat e saj, as për një aleancë me vendet ballkanike, që synonin ta copëtonin e ta fshinin atë nga harta e Ballkanit. Kirka ishte për një qëndrim asnjanës të Shqipërisë në konfliktin ballkanik, ndërkohë që shqiptarët duhet të luftonin brenda vendit për lirinë e pavarësinë e tyre, që të bëheshin  faktor i ekzistencës.

“Vatra” fillimisht anoi nga përcaktimi i Konicës, madje edhe mitingu i 7 tetorit 1912 u shpreh për mbështetje të Turqisë, por në nëntor të vitit 1912 ndryshoi qëndrim dhe përkrahu luftën çlirimtare për pavarësi, duke shpehur mospajtimin e saj me politikën xhonturke. Në prag të shpalljes së Pavarësisë, dega e “Vatrës” në Boston, me nismën e Kristo Kirkës, organizoi më 17 nëntor 1912 një tubim të madh në mbështetje të luftës për mëvehtësi. Nga ky miting, ku ligjëruan oratorët Konica, Noli dhe Cere, iu dërguan telegrame Presidentit amerikan Taft dhe kryetarëve të shteteve të Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë dhe Papës së Romës, që të mbronin të drejtat e shqiptarëve dhe të mos lejonin coptimin e Shqipërisë. [1]

“Vatra” e priti me entusiazëm patriotik ngritjen e flamurit kombëtar  dhe shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Madje, në këtë akt madhor të kombit shqiptar, ishte e pranishme dhe çeta e vullnetarëve shqiptarë të ardhur nga Amerika.[2]

Sipas Qamil Panaritit, editor i gazetës “Dielli”, flamuri që u ngrit në Vlorë, ishte sjellë nga Bostoni në Korfuz nga vullnetarët e shoqërisë “Besa-Besën”, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për t’iu bashkuar kryengritësve shqiptarë. Marigo Pozio, që vizitonte Korfuzin në atë kohë bashkë më të shoqin tregtar, e mori flamurin nga bashkëkombasit e saj, të cilët e kishin të vështirë ta sillnin atë në Shqipëri pa u diktuar dhe e pruri në Vlorë, ku dora e Ismail Qemalit e ngriti ditën e Pavarësisë.       Federata “Vatra” nëpërmjet kryetarit të saj, Faik Konicës, i dërgoi një telegram urimi Qeverisë së Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë. Ai i lutej Mbledhjes së kombit që të mos pranonte kandidaturën e një princi muhamedan. “Mos e bëni Shqipërinë një mbretëri orientale si Afganistani, Tunizia etj. Ideali ynë është një Shqipëri Europiane, si Norvegjia, Danimarka dhe Belgjika. Prandaj duam më mirë një mbret nga një derë europiane, i cili do të sjellë në Shqipëri traditën e Perëndimit. U lutem veças deputetëve myslimanë që të tregojnë atdhetarinë e tyre duke zgjedhur  një princ të krishterë. Po të veprojnë ndryshe, do të bëjnë një lajthitje të pandreqshme”[3]

Nga një letër e Faik Konicës drejtuar Kristo Kirkës,  më 3 dhjetor 1912, e rikonfirmojmë këtë mendim të tij  për një çështje kaq të rëndësishme:

“Me qenë se një part i fortë në Shqipëri përpiqet për të zgjedhur si mbret të Shqipërisë një princ muhamedan dhe po të bëhet e tyrja, Shqipëria do të shohë shumë dëm si nga qytetaria e përparimi ( se ahere do të jemi një mbretëri gjysm’anadollake), si nga simpathit’ e Europës që do t’i humbasim, komisioni është i mendjes që në këtë rasë “Vatra” ka detyrë, si organi më i fortë i interesave kombëtare, të punojë për të vënë në fron një princ të krishterë nga një derë mbretërore t’Europës”[4]

Disa ditë pas shpalljes së Pavarësisë, u mbajt në Boston, më 8 dhjetor 1912, kuvendi i jashtëzakonshëm i kryetarëve të “Vatrës”, nën drejtimin e At Naum Ceres. U vendos që sekretari i përgjithshëm i federatës , Faik Konica të shkonte në në Europë dhe në Shqipëri, që të përçonte  mendimin  për të caktuar në fronin e Shqipërisë një princ nga një derë mbretërore europiane si edhe për të themeluar një kushtetutë të shtetit shqiptar.

Edhe Kristo Kirka, që ka firmosur këtë vendim si kryetar i degës së Bostonit, ishte i mendimit që për shtetin e brishtë shqiptar, të rrethuar me armiq dhe të panjohur ende nga Europa dhe Amerika, duhej një princ i huaj i krishterë, që Shqipëria të kishte mbështetjen dhe mbrojtjen europiane. Noli dhe, më pas, Konica u vendosën në Londër, ku lobuan me personalitetet britanike për njohjen e pavarësisë dhe të shtetit shqiptar.

Kirka ishte i gëzuar që, më më fund, u shpall pavarësia dhe u ngrit shteti shqiptar, por ishte edhe i brengosur që ky shtet ishte i cunguar dhe i rrezikuar nga brenda e nga jashtë.

“Më në funt, u krijua shteti  shqiptar i pavarur, – shkruante ai, – por me kufinj tepër të ngushtë, me kufinj as gjeografikë, as ethnikë, as edhe ekonomikë” [5]

“Vatra”, që e përshëndeti shpalljen e Pavarësisë, mbajti një qëndrim kritik ndaj qeverisë së Ismail Qemalit dhe nuk i dha mbështetjen e duhur, ndikuar nga Faik Konica .  Konica, që kishte ardhur në  Shqipëri  të parashtronte platformën politike të “Vatrës”, nuk e kreu si duhet këtë detyrë, kështu nuk u realizua ai bashkëpunim i dëshiruar midis emigracionit shqiptar në Amerikë dhe qeverisë së Vlorës. [6]

Madje, ai përkrahu për disa kohë Esat Pashë Toptanin në intrigat për rrëzimin e qeverisë së Ismail Qemalit, gjë që e dëmtoi pozitën e qeverisë së përkohshme, e cila ishte në vështirësi të mëdha dhe presione politike të brendshme dhe të jashtme. Shembullin e Konicës e ndoqën edhe disa patriotë të tjerë, që, të mashtruar nga demagogjia dhe loja e fshehtë antikombëtare e Esat Toptanit, u larguan nga Vlora për në Durrës, në mbështetje të këtij të fundit, i vetëshpallur princ i Shqipërisë së Mesme. Në nëntor të vitit 1913, Faik Konica u nda me Esat Toptanin, pasi e kuptoi nga afër rrezikun që paraqiste politika e tij antikombëtare.[7]  Edhe “Vatra” e ndryshoi qëndrimin ndaj Esatit, duke vlerësuar realisht veprën madhore të Ismail Qemalit dhe të burrave të mëdhenj të Pavarësisë.

Qeveria e Vlorës  kontrollonte një pjesë të vogël të territorit shqiptar. Pjesa më e madhe mbahej e pushtuar nga vendet fqinje: Shkodra – nga ushtritë malazeze, Shqipëria verilindore – nga sebët dhe ajo e jugut, përfshirë Korçën e Gjirokastrën – nga ushtritë greke.

Ja sesi e analizon Kristoja këtë situatë kritike në Shqipëri e më gjerë: “Grekët, jo vetëm Çamërinë, që e gllabëruan, por donin të merrnin edhe Korçën e Gjirokastrën. Sa për serbët, ata ishin fare intransigjentë. Me qenë se Shkodra mbetej nën Mal të Zi, dhe me qenë se Serbisë i lipsej një çfryrje në bregdet, përveç Kosovës  e luginës së Drinit, kërkonte edhe luginën e Shkumbinit dhe skelën e Durrësit. Sipas marrëveshjes së tyre, Shqipëria do të përbëhej prej luginës së Matit dhe Erzenit. Kur thonë ballkanasit për Shqipëri, kuptojnë një Shqipëri në miniaturë dhe këtë e quajnë një koncension. Aleanca trefishore Gjermani, Austri dhe Itali, që interesohej për  brigjet e Adriatikut Lindor që të mos binin në duart armike, doli në fushën diplomatike dhe tha se, në është që Turqia Ballkanike do të ndahej mes popujve ballkanikë në emër të nacionaliteteve, ka edhe një nacionalizmë tjetër, që është nacionalizma shqiptare. Vendet ballkanike fqinj edhe përkrahësit e tyre, Rusia e Franca, në një shkallë të lehtë dhe Inglitera, pretendonin  se shqiptarët nuk janë të zot të formojnë shtet, grinden mes tyre, kanë fe e besime të ndryshme, nuk kanë kulturë, prandaj është e kotë të krijohet një shtet shqiptar. Kjo politikë e kjo propagandë antishqiptare kishte marrë aq zhvillim, sa kur dërgata shqiptare vajti në Londër dhe desh të bisedonte apo të botonte diçka në gazetat e atij qyteti, nuk mundi të gjente vend. Vetëm kur Austria  nuk u kufizua vetëm me fjalë diplomatike, por ngriti një million ushtarë dhe doli në shesh edhe Gjermania, atëhere, që të mos shkaktohej luftë botërore, nga ana e Konferencës së Londrës u pranua pranimi i një shteti shqiptar. Por vendet ballkanike ishin vazhdimisht kundër Shqipërisë, duke përsëritur po ato qëndrime”[8]

Në trevën e Korçës, ushtria e rregullt greke dhe andartët  bënë masakra të parrëfyera, që tronditën botën. Kristo Kirka , që merrte lajme prej andej, inicioi  një protestë të madhe, më 2 shkurt 1913, organizuar nga shoqëria “Arsimi”  dhe  e mbështetur nga “Vatra”, për të dënuar pushtimin grek të Korçës dhe masakrat e saj e të andartëve ndaj popullsisë shqiptare.  Në këtë miting u miratua një telegram drejtuar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në të cilin theksohej se Korça ishte një qytet shqiptar dhe kërkohej largimi i ushtrive greke prej andej.

Nuk vonoi edhe përgjigjja e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe të “Vatrës” nga Europa:

Telegram. Londër.[9]

Kristo Kirkës,

14, Ferdinant Street, Boston, Mass.

“Telegrami u mor. Ju përgëzojmë për patriotizmën. Jeni duke luftuar për të drejtën. Prisni letër”

Dino, Konica, Noga

Pak  më vonë, më 27 prill 1913, u organizua nga “Vatra” mitingu më i madh i shqiptarëve në atë kohë në Boston, nga ku iu dërgua Konferencës së Ambasadorëve  një rezolutë e firmosur prej  30.000 vetësh, në mbrojtje të çështjes shqiptare të nëpërkëmbur. [10]

Mitingun e drejtoi  atdhetari Kristo Dako, ndërsa Kristo Kirka, në krye të degës së Boston-it,  bëri një punë të palodhur për mbledhjen e këtij tubimi, hedhjen  mijëra nënshkrimeve dhe organizimin madhështor, që s’ishte parë gjer atëherë.

   Ndërkohë, Kristoja ndiqte punët e Kishës shqiptare në Boston, e cila, me largimin e Nolit për në Angli, ku zhvillonte punimet  Konferenca e Ambasadorëve, nuk po funksiononte siç duhej për përparimin e saj dhe të çështjes shqiptare. Atëherë, ai  dha  publikisht dorëheqjen si kontrollor i komisionit kishëtar, duke kërkuar edhe mirësimin e gjendjes anarkike.

“Demicie

Botërisht po u bëj të njohur gjithë degëve kishëtare dhe anëtarëve të kishës “Shën Gjergji”, demicien time si kontrollor i komisionit kishëtar në Boston. Shkaku i demicies është anarkia që mbretëron te komisioni kishëtar dhe te prifti. Nuk merren parasysh as praktikat që janë lidhur ndër mbledhjet e komisionit dhe të kontrollorëve, as marrëveshjet që janë bërë në mes të komisionit të Bostonit dhe degëve me komisionin e Kishës “Shën Kolli” në Southbridge, Mass. Pas atyre që ngjanë këto ditët e fundit, shtrëngohem të jap botërisht demicien, se, sipas mendjes time, njerëzit që formojnë komisionin, s’janë të zotë të kuptojnë vendin dhe barrën q’u kanë besuar anëtarët në gjithë degët. Sa për priftin, mund të them, sa për tani, vetëm këto: është i zoti për çfarëdo tjetër pune, por jo edhe për përparimin e çështjeve kombëtare dhe kishëtare”

Kristo Kirka [11]

 

 

[1] The Albanian struggle in old World  and New, Boston, 1939

[2] Po aty

[3] V.Duka, Shqiptarët në rrjedhat e sh.XX

[4] Arkivi i Federatës “Vatra”.

[5] Gazeta Fjala e Korçës, e cituar.

[6] B.Meta, Federata panshqiptare “Vatra”

[7] Kalendari i Vatrës, v. 1918

[8] Gazeta Fajala e Korçës, Konferenca e K.Kirkës.

[9] Gazeta “Dielli” 13 shkurt 1913

[10] Gazeta “Dielli” 29.04.1913

[11] Gazeta ”Dielli” 25 prill 1913

*Marre nga Libri”KRISTO KIRKA” i Uran Butkes, fitues i Pendes se Argjendet

Filed Under: Featured Tagged With: 28 korrik 1912, Kristo Kirka, Uran Butka

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT