• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRISTO KIRKA, Kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”

June 27, 2013 by dgreca

Ne qender, ulur, Noli ne mes, majtas Kristo Kirka, djathtas Sotir Peci. Foto e vitit 1906/Nga Uran Butka*/

   Në vitin 1908  Kristo Kirka u zgjodh kryetar i shoqërisë “Besa-Besën” dhe punoi me vetmohim për ta bërë atë vatrën kryesore ku të mblidheshin dhe të bashkëvepronin gjithë shqiptarët. Shoqëria “Besa-Besën” u shndërrua në shoqërinë më të fuqishme të shqiptarëve të Amerikës dhe u bë faktori kryesor i bashkimit të të gjitha shoqërive të tjera në një federatë gjithëshqiptare.

   Në këto kushte lindi nevoja për një gazetë, zëdhënëse e shqiptarëve të Amerikës, por edhe tribunë e mendimit të çështjes sonë kombëtare. Më 15 shkurt të vitit 1909, shoqëria “Besa-Besën” nisi botimin e gazetës së mirënjohur “Dielli”. Vetë titulli i saj “Dielli”, i qëmtuar nga Fan Noli, ishte kuptimplotë: Dielli, që do të ndriçonte mendjen dhe rrugën e shqiptarëve. Numri i parë i saj doli në Boston më 15 shkurt 1909, si gazetë e përjavshme, mandej  dy herë në javë, ndërsa në kohën e Çekrezit u bë e përditshme, shqip dhe anglisht. Në krye të numrit të parë, shpallej diviza: “Dielli është organ i shqiptarëve kombëtarë, që kërkojnë vetëqeverimin për Shqipërinë”.

   Gjatë gjithë ekzistencës së saj, ka qenë një nga faqet më të rëndësishme të shtypit shqiptar. Qysh në krye, ajo ka përkrahur lëvizjet për autonomi në kuadrin e katër vilajeteve, mandej lëvizjet për ndergjegjësim kombëtar, për liri dhe pavarësi, luftën kundër politikave shoviniste e pushtuese të shteteve fqinje, si: Greqia, Serbia dhe Italia, kundër planeve të disa Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, si edhe ka propaganduar vijimisht idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet kombëtar e demokratik, sipas modelit të demokracive perëndimore.  Ndërkohë, ka pasqyruar jetën, veprimtaritë kombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ndihmën e tyre në dobi të atdheut e të  çështjes kombëtare.

   Redaktori dhe editori i parë i gazetës “Dielli” ishte Fan Noli, i cili me editorialet e tij të thukta, i dha drejtimin dhe peshën e duhur kësaj gazete kombëtare.

   Në mbledhjen e përgjithshshme të shoqërisë “Besa-Besën” në Boston, më 14 mars 1909, për të zgjedhur Pleqësinë e shoqërisë dhe për të këqyrur ecurinë e gazetës “Dielli”, folën Fan Noli, Kristo Kirka, Nikolla Poçi e të tjerë. Pleqësia e zgjedhur i bëri thirrje Faik Konicës , drejtor i gazetës “Albania” në Londër, që të pranonte drejtimin e gazetës “Dielli”, ftesë që  ai e pranoi.

   Në këtë mbledhje u zgjodh edhe redaksia e gazetës: G.Gjoleka menaxher, Kristo Kirka  gazetar dhe K.Kristofor arkëtar.

   Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë, më 9 tetor 1909 dhe vendosjen e këtij personaliteti të shquar për të drejtuar gazetën “Dielli”, u rrit dukshëm cilësia dhe fama e gazetës, por edhe veprimtaria kombëtare e shqiptarëve të Amerikës.

   Gjatë vitit 1909 u rishtrua çështja e bashkimit të të gjitha shoqërive në një të vetme. Pleqësia e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut”, përmes një letre botuar te gazeta “Dielli”, argumentonte domosdoshmërinë  e shoqërive të krijuara an’e kënd Amerikës. Shoqëria “Besa-Besën” mori nismën që të organizonte një sërë mitingjesh në qendrat kryesore ku banonin shqiptarët, për të propaganduar bashkimin. Mitingu i parë u organizua  më 1 nëntor 1909 në Phoenix Hall, ku erdhën shqiptarë nga Bostoni, por edhe nga Natick, Hudson, Buffalo, New Bedford, Worcester etj. Mitingun e hapi Kristo Kirka, kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”.  Në emër të kësaj shoqërie, ai bëri thirrje për bashkim, si një aspiratë  kombëtare. Oratorët  Faik Konica, Fan Noli,Themistokli Millona dhe Kol Kristofori folën për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë dhe për organizimin e shqiptarëve tëAmerikës.

   Mitingje  masive u organizuan edhe në Hudson, më 12 nëntor 1909, në Bedford, më 18 nëntor, në Natick, më 25 nëntor, në Worcester, më 1 dhjetor, në  Southbridge,  më 14  dhjetor.  Këto tubime luajtën një rol të rëndësishëm për fuqizimin dhe rritjen e shoqërisë “Besa-Besën”, por edhe në rrugëtimin drejt bashkimit. Thuajse një miting në javë, një gjë e pazakontë, por edhe një punë e palodhur, veçanërisht e organizatorit  Kristo Kirka, që kishte një energji të pashtershme dhe një vullnet  të pathyer.

   Gazeta “Dielli” e datës 28  janar 1910, shkruante: “Pleqësia e Besa-Besës mbajti një mbledhje të dielën e shkuar në zyrë të “Diellit”. Ishin në mbledhje Z.Kristo Kirka, kryetari; z. Tromara, sekretari dhe z.Andea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir nga pleqësia” [1]   Kryetari i shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka,  luajti një rol të rëndësishëm  bashkues. Por, krahas zgjerimit të shoqërisë “Besa-Besën” me anëtarë të rinj dhe mirëkuptimit gjithnjë e më të madh për bashkimin e gjithë shoqërive në një organizatë të vetme, u shfaqën edhe mosmarrëveshje të brendshme.  

    “Kulmin këto mosmarrëveshje e arritën në mbledhjen e 20 shkurtit 1910  të kësaj shoqërie, që u mbajt në Boston.  Kryetari Kristo Kirka, i cili e drejtoi këtë mbledhje, theksoi domosdoshmërinë dhe nevojën e një lidhjeje apo federimi në mes të shoqërive shqiptare të krijuara në Amerikë… Nga diskutimet që u bënë në këtë mbledhje, u dukën qartë kontradiktat midis kryetarit të shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka dhe drejtorit të “Diellit” Faik Konica, kryesisht për disa artikuj të botuar në gazetën “Dielli”. Kryetari i shoqërisë kërkoi me këmbëngulje që drejtimi i gazetës “Dielli” të kalonte në duart e kryesisë së shoqërisë, gjë që nuk u pranua  prej Faik Konicës, i cili theksoi se “përsa kohë do të ishte drejtor i këtij organi, nuk do të lejonte kërkënd të fuste hundët në punët e tij”.[2]         Mosmarrëveshjet u thelluan edhe për një problem tjetër që u ngrit në këtë mbledhje: botimi i një gazete tjetër në Boston të titulluar “Flamuri” dhe që drejtohej po prej Faik Konicës. “Flamuri” ndryshonte nga “Dielli”, sepse e kërkonte vetëqeverimin e Shqipërisë vetëm në rrugë kushtetuese. Konica theksoi se e kishte botuar me qëllim këtë gazetë, që ajo të hynte në Shqipëri, sepse gazeta “Dielli” nuk lejohej prej xhonturqve”.[3]

   Faik Konica dha dorëheqjen si drejtor i gazetës “Dielli”, ndërkohë që vazhdoi të botonte “Flamurin”. Shoqëria “Besa-Besën” zgjodhi një komision me Kristo Kirkën në krye, për të drejtuar shoqërinë dhe organin e saj, “Diellin”.

   Gjithsesi, kjo mosmarrëveshje ishte në dëm të shoqërisë e të gazetës “Dielli”, por edhe të projektit të bashkimit, ndaj të dyja palët bënë një marrëveshje, u ulën në bisedime, zgjodhën një komision të përbashkët dhe shkuan në votime demokratike, me votë të fshehtë. Kryetar i shoqërisë u zgjodh Josif  Pani. Kryesia e re  ia dorëzoi sërish gazetën “Dielli” Faik Konicës, maj 1910. Të dyja gazetat, për një kohë,  u bashkuan në një emër të përbashkët “Dielli dhe Flamuri”.

   Pavarësisht nga mospërputhja e mendimeve për probleme apo qëndrime të caktuara, midis Kirkës dhe Konicës vazhdoi bashkëpunimi në dobi të çështjes kombëtare.  

   Në përvjetorin e parë të  “Diellit”,  më 11 shkurt 1910, editori i gazetës, Faik Konica, tek përshkruante rrugën njëvjeçare, do të vlerësonte në mënyrë të veçantë veprimtarinë e shoqërisë  “Besa-Besën” dhe  të kryetarit të saj, Kristo Kirka: 

   “Me këtë numër, “Dielli” mbush motin e parë të botimit të tij.  Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjë herë, rri mbi një gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje  dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh sesa eci dhe ç’mbaroi gjer atje. Ashtu, edhe ne do të marrim forcë të re, duke shikuar punët që bëmë gjer sot…Shoqërisë  “Besa-Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur  të saj, Kristo Kirka, pleqësisë së nxehtë , kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra”[4]

   Pas shoqërisë “Besa-Besën”,  në SHBA u themeluan edhe mjaft shoqëri të tjera të rëndësishme, që ndikuan në bashkimin, ndërgjegjësimin dhe arsimimin e emigrantëve shqiptarë atje, por edhe ndihmuan bashkëkombasit e tyre në Shqipëri.

  Një nga këto, shoqëria korçare ”Arsimi”, e themeluar në vitin 1909 në Hudson, por e zhvendosur më pas në Boston, dha një ndihmesë të çmuar në arsimimin e emigrantëve shqiptarë  në Hudson e Boston, por edhe në zhvillimin e arsimit në qytetin e Korçës. Në krye të kësaj shoqërie ishte Kristo Kirka.

   Po ashtu, u formuan edhe shoqëritë “Shpresa” në Bideford, shoqëria “Dallandyshe” dhe “Mbarësia” në Marlboro, shoqëria ndihmëtare ”Bashkimi”, “Flamuri i Krujës” e të tjera.

   Të gjitha këto shoqëri dhe organet e tyre të shtypit e kishin kthyer shikimin  nga Shqipëria që lëngonte nën sundimin osman, por edhe që përpiqej të dilte nga kjo gjendje. Shoqëritë patriotike të Amerikës inkurajonin çeljen e shkollave shqipe, arsimimin në gjuhën shqipe, ngritjen e çetave të para të lirisë, luftën kundër shovinizmit dhe kishës greke,  përkrahjen e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1911, si edhe mbrojten e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA.

   Ja ç’shkruan gazeta “Dielli”, 18 nëntor 1910:

   “Ende pa marrë kryesinë Z. Kirka, anëtarët e Shoqërisë  korçare “Arsimi” qenë shumë të pakë, por që kur u zgjodh kryetar Z.Kirka, i cili kurdoherë  është rrëfyer atdhetar, anëtarët u shtuan shumë dhe është shpresë  që të vejë më përpara  shoqëria “Arsimi” për të përmbushur qëllimin e saj. Kryetari Kirka foli me hollësi për qëllimin e shoqërisë dhe u dha kurajo gjithë dëgjonjësve  që të mos dëshpërohen për mbylljen e shkollave shqipe në Shqipëri, se do të vijë  koha  që do të hapen prapë dhe atëherë shoqëria jonë ka për detyrë t’u ndihë shkollave shqip, për të cilat është ngritur”.[5]

   Kristoja ishte i mendimit që shqiptarët duhet të përfitonin nga liritë e shpallura nga xhonturqit, për të përhapur abecenë e njësuar , për të ngritur shkolla, klube kulturorë, shtyp të lirë dhe veprimtari të tjera, që të vetëdijësoheshin e të bashkoheshin shpirtërisht.

   “Gjuha dhe letërsia shqiptare bënë udhën e tyre, por me mundime. Armiqtë filluan luftën e rregullt kundra shqiptarizmës… Më 1908, kur u shpall lirija konstitucionale, në të gjithë anët ku ndodheshin shqiptarë, u hapnë klube, u botuan fletore, edhe u shtypnë e u përhapnë libra edhe u krijua Normaleja e Elbasanit për të pregatitur  mësonjës të aftë. Mirëpo , faktorët ngatërrestarë të huaj, duke u mbështetur n’elementët fanatikë të vendit, dëndësuan luftën në të katër anët. Lufta për shkronjat dhe gjuhën doli në krye. Xhonturqit kërkuan që shqipja të shkruhej me germa arabishte dhe të përhapej kultura osmane. Me qenë se shkronjat arabishte, përveç që nuk kanë zënore, por edhe si një gjuhë semitike, nuk përfshijnë as bashkëtingëllore, me një fjalë ishte një mjet  mashtronjës për t’i ndaluar shqiptarët në fushën e kulturës. Në tërë Shqipërinë bota u nda më dysh: partizanët e shkronjave latine dhe partizanët e shkronjave arabe. E para përfaqësonte kulturën evropiane edhe e dyta kulturën orientale, e para përfaqësonte nacionalizmën shqiptare, edhe e dyta fanatizmën fetare, e para gjallëri në jetë, e dyta vdekjen. Në këtë luftë, grekët dhe serbët ndihmonin propagandën e xhonturqve…Nacionalistët u detyruan  të formojnë çeta dhe t’organizojnë kryengritje. Me rëndësi ishte ajo e Kosovës, e cila përfundoi me zbritjen e kryengritësve në Shkup” – shkruante  Kristo Kirka.[6]

   Ai përpiqej që shqiptarët e Amerikës të mbanin gjallë gjuhën shqipe, të shkruanin e të lexonin në gjuhën e mëmës, të merrnin dituri dhe të kulturoheshin. Nga shoqëria  “Arsimi” organizoheshin kurse dhe shkolla sezonale për të mësuar gjuhën shqipe të shkruar.  Madje, Kristo Kirka, bënte thirrje për themelimin e një shoqërie theatrale, që të zbukuronte jetën e emigrantëve shqiptarë dhe të edukonte atdhetarizmin e tyre:

   “Thërriten gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në dramat “Besa” të Sami Frashërit, “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos etj. dhe çdo atdhetar që dëshiron të marrë pjesë në një shoqëri theatrale, të ndodhen në mbledhjen që do të mbahet më 29 të vjeshtës së dytë 1911, për të rregulluar një shoqëri theatrale”[7]

   Kështu, me nismën e Kristos,  u themelua shoqëria teatrale “Lahuta”, me qendër në Boston.  

  • Marre nga libri i shkrimtarit dhe studiuesit Uran Butka me titull”Kristo Kirka”


[1] Gazeta “Dielli” 28 janar 1910

[2] Po aty

[3] V. Duka, Shqiptarët në rrjedhat e shek.xx

[4] Gazeta “Dielli” , 11 shkurt 1910

[5] Gazeta “Dielli” 18 nëntot 1910

[6] Gazeta Fjala e Korçës, qershor 1944

[7] K.Kirka, thirrje për një shoqëri theatrale, Dielli, 19 vjesht’e dytë.

Filed Under: Histori Tagged With: Kristo Kirka, kryetar i Besa-Besen, Uran Butka

Kristo Kirka, “patrioti i dy Shqipërive!”

May 18, 2013 by dgreca

Shkruan:Prof. SAMI REPISHTI/
Ridgefield, CT. Këto ditët e fundit, miku dhe bashkëvuejtësi i im, Niko Kirka,më dërgoi një kopje të librit “Kristo Kirka”, të studjuesit Uran Butka, jetëshkrimi i një figure të njohun në botën shqiptare për dedikimin e tij idealit të demokracisë në Amerikë dhe në  Shqipëri. Libri, botue në Tiranë vitin e kaluem, përmban 296 faqe, dhe një seri fotografishë publike dhe familjare. Ashtë një punim që na gëzon.
“Ky bir i madh dhe i harruar”, patriot i dy Shqipërive, në Boston.Mass. para 1912-ës dhe ma vonë, në Shqipëri, martir  deri në fund të jetës, ashtë bir i Korçës qytet i traditës kombëtare shqiptare dhe djep i arsimit, kulturës dhe artit.
Kristo Kirka, i lindun në vitin 1886, trashëgoi atë që Korça kishte ma të mirë: përgatitjen e qytetarit të ndershëm dhe me shkollim. Në fillim të vitit 1904, në moshën 21 vjeçare emigroi në Amerikë, “… ku u ndez edhe më keq për punët e Shqipërisë”.(f.18), në një kohë kur Shqipëria ishte akoma një krahinë e humbun e një perandorie dekadente turke. Ashtë në këtë “Shqipëri të parë” ku refugjatët politikë përbajshin bërthamën e emigracionit, që Kristo Kirka gjeti pasionin e jetës tij: ai vijoi veprën e Petro Nini Luarasit, e përfaqësoi shoqëninë “Mall i Atdheut” në përpjekjet për themelimin e Vatrës. “Ideja dhe përpjekja e Kristos në atë kohë, përmblidhej tek fjala shqipe, tek lëvrimi i gjuhës shqipe, tek emigrantët shqiptarë”.(f.24) Kjo, mendonte ai, shprehte ndërgjegjen kombëtare për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.
Një prirje e hereshme e Kristos bahet leitmotivi i jetës tij: arsimi, përsëri arsimi për të gjithë! Ai ishte një rilindës i vërtetë! “Ideja a nacionalizmit rrjedh nga një dëshirë, që çfaqet tek njeriu për të lartësuar mendësisht, moralisht, esthetikisht dhe teknikisht popullin prej kah ka dalë…në përkrahjen e interesave kolektive të kombit”(f.15)
Në Amerikën e largët, në qendrat mërgimtare të Europës, të Egjiptit, dhe Rumanisë, e sidomos në ShBA po ngrihej hap mbas hapi, një “Shqipëri e re”, e lirë, pararojë e Nanës Shqipëri për shqiptarët. Në këtë Shqipëri të largët nga Nëna Shqipëri, emigranti Kristo Kirka u inkuadrue  si patriot i rendit të parë, pa hezitim dhe pa rezerva, me “…atë shpirt-mohim dhe guxim që i priu tërë jetën si ushtar lirie në mërgim dhe në atdhe”, shkruente Qazim Prodani. Dhe vazhdon:”Mëmëdheu ishte kulti i Kristos dhe kombi e shqiptarizma- feja e tij, besimi i shpirtit fisnik që qëndronte në atë trup të pastër,. i pastër si dëbora e Gramozit”(f.27)
Shqiptaret orthodoks si Kristo Kirka ”…jo vetem qe ndjeheshin etnikisht dhe kombetarisht shqiptare, por qendronin ne rradhet e para te levizjes per te drejtat kombetare te popullit shqiptar”(f.29) Bashke me patriotet tjere ne Shqiperi, Kristo Kirka ishte legjoni i nderit kombetar qe “…vune themelet e Shqiptarizmit e te shtetit kombetar shqiptar.“(f.30) “Une jam orthodoks, dhe si e degjon flas mire greqishten. Por nuk jam grek, jam shqiptar i kulluar dhe e kam per nder qe jam i tille”, i deklaronte ai profesorit grek Kicos ne Boston. Kane qene patriote te ketill si Kristo Kirka qe u bane nismetare dhe themelues te Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike. Per mendimin e tij edhe “Fan S. Noli pranoi te dorezohet prift per motive kombetare”!(f.38) Sepse, “…ai (Noli) besonte tek vetja e tij, se ne petkun e priftit e te predikimeve te tij, mund te sherbente shqiptaret e Amerikes, por edhe te Shqiperise, per te hyre ne rrugen e perlindjes dhe te qytetnimit”. (f.41) Shqiperia nuk ishte shtet ne ate kohe te veshtire. “Me 22 mars 1908, ne Kishen e Shen Gjergjit ne Boston, u tha e para meshe ne gjuhen shqipe ne një kishe orthodokse”. Hapi i pare u be ne Amerike!” (f.42)
Me  15 shkurt 1908, shoqeria “Besa-Besen” , e kryesueme nga Kristo Kirka, filloi botimin e gazetes “DIelli”. Deviza? Dielli eshte organ i shqiptareve kombetare, qe kerkojne veteqeverisjen per Shqiperi. Redaktori i pare: Fan S. Noli.
Tashti, te gjitha shoqenite e shumeta shqiptaro-amerikane kishin kthye koken drejt Shqiperise, dhe u ndergjegjsuen per detyrat kryesore: perkrahjen e levizjeve revolucionare ne Shqiperi, dhe mbrojtjen e çeshtjes shqiptare ne arenen nderkombetare, veçanerisht ne SHBA. “Ketu, thonte Kristo Kirka, jemi te lire te veprojme pa frike”. Dhe   ashtu bani!
Por u deshen shume perpjekje kambengulese te Komisionit te Bashkimit, i perbame nga vatranet patriote si Kristo Kirka, Elia  Tromara, Kostaq Kotta, Kostika Treska, Llambi Çikozi per te arritun deri ne themelimin e Federates VATRA. (Ashte shume domethanes fakti se te gjithe themelueset e VATRES jane shqiptare ortodokes. Një perbamje e ketill tregon qellimin fillestar te Vatres: ruejtjen e Shqiperise nga agresioni grek. Ne themelimin e Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike ky qendrim merr edhe një forme ma konkrete, randesia e te cilit, dhe efekti i tij pozitiv jane jashtezakonisht te medha, dhe me një fryme patriotike te rralle ne historine e vendit tone)
Me 24 mars 1912, u vendos te formohet “Shoqeria Federale” Vatra me Diellin si organ te saj.  Dhe (me shume randesi!)”…gazeta te mbahet vetem me te ardhurat e saj, nen kontrollin moral te shoqerise”(f.56)
Një nga delegatet ishte Kristo Kirka. Me 31 mars 1912, u pagezue  Federata Panshqiptare e Amerikes “VATRA”. Ne mbledhjet e 9 dhe 14 prill 1912, u shqyrtue dhe u aprovue edhe Kanunorja e Federates Vatra, Me 28 prill 1912, u mbajt mbledhja perfundimtare, dhe quhet dita e themelimit te Vatres. Perseri, figuron ne dokument emni i Kristo Kirkes, patrioti i “Shqiperise se pare” ne mergim, i cili u zgjodh anetar i Pleqerise se Perkoheshme, dhe Managjer i Dielli-t. Me 12 maj 1912, u formue Dega a Bostonit, dhe Kristo Kirka u zgjodh kryetar.
Me pase një ide te entuziasmit shqiptaro-amerikan per Shqiperine ne ato vite, duhet te kujtojme mitingun e 27 prillit 1913, kur Peticioni i derguem Konferences se Ambasadoreve ne London ne mbrojtje te çeshtjes shqiptare te neperkambun, u nenshkrue nga ma shume se 30.000 veta.
Mbas shpalljes se pavaresise se Shqiperise, 28 nandor 1912, Kristo Kirka vendos te kthehet ne atdhe me bindjen e plote se një bashkepunim ne mes te shtetit te ri dhe Vatres – e cila ne ate kohe kishte afer 40.000 anetare-  ishte rruga ma e mire per çeshtjen tone kombetare. Kontributi i Vatres gjate ketyne diteve fatale njihet botenisht. Me 18 maj 1913, edhe Komisioni i Vatres vendosi qe Kristo Kirka te shkoje ne Shqiperi qe te percjelle atje mendimin dhe qendrimin e Vatres, dhe te ndihmonte ne punet e Shtetit te ri shqiptar. Ate dite, ai u vleresue per kontributin e jashtezakonshem se veprimtar i Vatres dhe suksesin e tij me Diellin qe dyfishoi abonimet.

Perseri ne Boston, Kristo Kirka ne Kuvendin e jashtezakonshem te Vatres, 17-18 korrik 1915, u zgjodh si N/Kryetar i Vatres (kryetar Fan S.Noli). Por Noli shkoi ne Europe, dhe Kirka mori detyren e Kryetarit te Vatres. Dielli shkruente:” I vetmi shpetim per ne eshte te perqafojme politiken europiane, dhe jo ate austriake, italiane, angleze, franceze veçmas. Detyra e jone eshte qe te tregojme Europes se ne duam vetem Shqiperine dhe simpatizojme vetem ata qe do te perkrahin vendin tone”. Ne nandor 1915, Kristo Kirka ka qene një nga promotoret kryesor te formimit te Komitetit “Miqt e Shqiperise”.

Me 4 janar 1919, Kuvendi i jashtezakonshem i Vatres luejti një rol te dores se pare per çeshtjen kombetare. Dielli shkruente se asnjë komb  tjeter nuk e ka ndihmue çeshtjen e vet ne kete mase sa ndihmojne punetoret shqiptare te Amerikes. Deri ne mesin e shkurtit 1919, ndihma e Vatres ka kalue 120.000 dollare(f.94)($8million)

Ne mes te ketij aktiviteti te madh, u formue edhe Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike, si peshkopate autoqefale dhe prifti Fan S.Noli u shugurue si peshkop i kesaj Kishe, dhe si peshkopi i pare shqiptar. Ne Washington D.C. Kost Chekrezi e Kristo Dako perfaqesojshin interesat shqiptare, ndersa SHBA emnoi Robert Townsend si N/Konsull te Amerikes ne Korçe. Ky qendrim perkrahes dhe mirenjohes i Amerikes se Wilson-it ka qene rezultat i veprimtaise se Vatres ne SHBA. Ne mes te figurave kryesore qendron edhe ajo e Kristo Kirkes.

Edhe ma vone , ne nandor 1920 kryeministri shqiptar, I.Vrioni, emnoi Imzot Nolin Kryetar  te delegacionit shqiptar prane Lidhjes se Kombeve. Me 17 dhetor 1920, Shqiperia u pranue anetare e kesaje organizate botenore. (Keu duhet te njohim kontributin e britanikut Sir Cecil Roberts sekretar i L se K) Po ne ate kohe, Mit-hat Frasheri vjen ne Amerike dhe ne shoqenimin e Kristo Kirkes hape fushaten per “Huane Kombetare”. Njëkohesisht kerkohet hapja e një dege te një banke amerikane ne Tirane.. Deri ne shtator 1921,  u mbodhen 179.773 dollare,( aferisht $ 11 miljone me vleren e sotme) dhe u derguen ne Tirane.. Me 2 janar 1921, Vatra ngarkon Kristo Kirken me detyren e perfaqesuesit te saj te posaçem ne Shqiperi. Misioni kryesor ishte te formohej Partia Kombetare ne Shqiperi, e frymezueme nga “…iderat dhe parimet e Federates VATRA: te shohe burrat e shtetit shqiptar te bashkuar ne nje program, te forcuar ne nje parti, qe te mund te bejme balle rreziqeve te jashtme ne vitet e para te rilindjes sone kombetare” (f.114)

Kristo Kirka zen vend ne Korçe ku ndjehet shume nevoja e tij. Me 1921, ai harton programin (firmue nga 20 personalitete shqiptare) e një partie…qe u quejt “Partia Popullore” per shkak te prirjeve demokratie te saj” (f.121) Zgjedhjet e 1921-es i fitoi Partia Popullore. Kryetari u zgjodh Fan S.Noli. i sapo kthyem ne Shqiperi, ku u prit si “kryezot”., dhe u shpall qytetar nderi i Korçes..

Kristo Kirka u zgjodh deputet i Korçes. Pozita e re qeveritare i mundesoi atij punen me intensitet qe Fan S.Noli te kunorezohej peshkop i Korçes dhe i gjithe Shqiperise. Fati e deshi qe me 9 nandor 1921. Konferenca e Ambasadoreve njohu zyrtarisht shtetin shqiptar, dhe percaktoj definitivisht kufinjte e Shqipenise. Korça mbeti  ne Shqiperi.. Ne tetor 1922, Kisha Autoqefale Orthodokse  u njoh edhe nga Qeveria shqiptare. Anetar i Keshillit te Larte te Kishes ishte edhe Kristo Kirka.. Me kete cilesi ai autorizohet te shkoje si anetar i delegacionit kishtar prane Patriarkut te Istanbul-it me kerkese per njohjen e Kishes se re. “Ishte nje aksion i guximshem me koken ne torbe!” kujton ai. Patriarku refuzoi! Me 4 dhetor 1923, ne Kishen e Shengjergjit ne Korçe u organizue ceremonia  e fronezimit kanonik te Peshkop Nolit. Tashma ai ishte zyrtarisht Metropoliti Theofan, peshkop i Durresit (f.151) Ashtu si vite ma pare ne Boston, edhe ne Tirane, prezent ne krijimin ishte edhe Kristo Kirka.

Ai nuk u perfshi ne levizjen revolucionare te qershorit 1924, “…nuk ishte per permbysje revolucionare”.(f.153) Ky qendrim e ndihmoi te emnohet ne postin e konsullit te Shqiperise ne New York, qe ai e pranoi te punonte edhe per Vatren. Per arsye te kundershtimit te Traktatir shqiptaro-italian te vitit 1926, ai u denue me vdekje (ne mungese) Por ne SHBA ai u zgjodh anetar i Keshillit te pergjitheshem te Kishes Orthodokse Autoqefale Shqiptare ne Amerike. Ne vitin 1930, Kristo Kirka e konsideroi te perfunduem misionin e tij prej atdhetari dhe diplomati ne SHBA,   dhe me 1933,  bashke me familjen u kthye ne Shqiperi.

Ne vtitin 1936, per meritat e tia emnohet n/prefekt i Himares, një zone shume nevralgjike politikisht, dhe ma vone ne Bilisht.. Ne vitin 1938, shteti shqiptar ishte i interesuem me bashkue vatranet e perçare qe kishin humbe peshen e tyne prane qeverise amerikane.. Me kete detyre u ngarkue Kristo Kirka dhe Aqif Permeti”…per te sjelle një bashkim midis shqiptareve te Amerikes rreth Federates VATRA “(f.209)

Mbreti Zog kerkoi qe qendra e Vatres te mbetet gjithehere ne Boston, dhe te perdoren te gjitha fuqite qe qendra e Vatres, ketej e tutje te mbetet ne Boston”(Deklarate e Abdurrahman Matit(f.210)

Kohet e fundit, studjuesi Ilir Konomi, (“Faik Konica”), ka zbulue edhe kete fakt:” Misioni i tyre ishte te bindin Peshkopin (Noli) te kthehej ne Shqiperi per te kryesuar Kishen Orthodokse Autoqefale Shqiptare, e cila kishte fituar njohjen e Patrikanes se Konstandinopojes”.(f.156)

Kthimi perfundimtar i Kristo Kirkes ne atdhe u ba mbasi perfundoi misionin e tij ne Amerike. Perseri ne Bilisht,, me ardhjen e okupacionit Italian, ai u gjet perballe një levizjeje te elementeve komuniste. Ai u trondit, sepse “…e dinte mire se cili ishte thelbi i komunizmit:terrori!”(f.211)

Ai e kuptoi  zhvillimin e  gjendjes dhe shqetesohej shume. Lufta italo-greke e ashpersoi edhe ma shume situaten. Me hymjen e grekeve ne Korçe ai vendosi te mos largohej, megjithese njihej mire si anti-grek. Një dite, greket e arrestuen, dhe e derguen ne një kamp perqendrimi te quejtun Koqinja, afer Athines, ku gjeti edhe shqiptare te tjere, dhe u mbajt atje deri me 16 maj 1941, mbas kollapsit grek.

Me largimin e trupave greke, Kirka i dermuem, u kthye ne shtepi, dhe perseri ne detyre ne Bilisht. Por kesaj rradhe ai u perball me levizjen komuniste. Ne parim Kristo Kirka ishte anti-komunist i vendosun. Per kete, ai filloi te mbledh “fakte e prova” (influence e drejtesise amerikane) ne lidhje me veprimtarine komuniste, dhe jo te marre masa te pamotivueme. Por mbrenda vetes, ai kishte dyshimet e tia ne se detyra e N/prefektit e komprometonte. Ai tregon:”Ne kohe qe une kam qene ne Bilisht, kur ka qene okupacioni , per ata persona qe ishin ne sherbim te okupatorit, ishte një gabim’”(Dosja gjyqesore e KK) Ne vitin 1942, largohet nga Bilishti dhe emnohet Kryetar Bashkie ne Korçe, me funksione administrative e jo politike.

Por jeta bahej çdo dite e ma e veshtire. Ne fillim, dy forcat e rezistences, PKSH dhe B.K. i shikonte si “…dy anet alternative te luftes per çlirim” (f.225) dhe perpiqej te evitoje konfliktin. Por miqt e tij te ngushte ishin anetaret e Keshillit Qarkor te B.K. per Korçen.

Masakra e Ziçishtit, Devoll, ku u theren pabesisht 6 nacionaliste nga çetat e Dushan Mugoshes e tronditi shume. Si kryetar bashkie u perpoq qe skena te ketilla te mos perseriteshin ne Korçe, dhe qe aksionet kunder gjermaneve te mos baheshin ne qytet ose ne rrethina. “Detyra e çdo qeverisje, ne rradhe te pare, ashte te ruaj jeten e shtetareve te vet” thonte ai (f.230)dhe “Jemi vellezer, s’na ndani dot!!” ishte parulla kryesore. Me një seri fjalimesh dhe deklaratash publike ai u perpoq te zbute atmosferen e acarueme deri ne vellavrasje. Por pa sukses; Shqiperia po rreshqiste drejt shkaterrimit. Bashkepunimin me Levizjen Nac-Çlirimtare nuk e pranoi. Kristo Kirka, patriot i formuar, per te cilin ishte shume e qarte se ç’perfaqesonte levizja komuniste e maskuar si nacional-çlirimtare”(f.237) nuk mund te pranonte. Por, ai nuk u largue as nga Korça as nga Shqiperia!

Fitorja e komunisteve e mbylli Kriston ne shtepi, por u arrestue qe me 25 tetor 1944 dhe u lirue mbas 18 viteve. U vetembylle perseri ne shtepi. Ishte stina e gjyqeve ushtarake ne Korçe, si gjyqe te bujshme. Ne Tirane, ishin vatranet Kole Tromara, Bahri Omari, Aqif Permeti qe u denuen me pushkatim. Rrethi ngushtohej. Ma ne fund , me 12 maj 1946, u arrestue si “…armik i popullit e sabotator i pushtetit popullor…”  Terrori komunist nuk e kurseu ate qe nuk kurseu asgja per Shqiperine!

“Doli nga shtepia dhe nuk u kthye ma” tregon i biri, Niko Kirka. E mbyllen ne biruca plakun 63 vjeçar  dhe e torturuen per te pranue kauza te rrejshme. Me 17 dhjetor 1946, e denoine me 20 vjet burgim. Një nderhyjrje ne favor te tij nga Imzot Fan S.Noli nuk dha asnjë rezultat. Një muej mbas arrestimt te tij, u burgos edhe i biri, Niko Kirka, Bashkeshortja e tij,tani një nane e mjere, pa ndihme me dy foshnje u detyrue te mbijetoje pa burr e pa djale, te dy te burgosun per vite te gjata.

“Patrioti i dy Shqiperive,” Kristo Kirka, vdiq ne burgun e Burrelit me 27 prill 1955,  vetem, i smure, i harruem. Ky ishte shperblimi qe i jepte Shqiperia birit te saj qe i kushtoi jeten lirise dhe pavaresise se atdheut qe deshi pa kufi!

Një tragjedi shqiptare e shumfishte!

Maj 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: i dy Shqiperive, Kristo Kirka, patrioti, Sami repishti

KRISTO KIRKA- Emigrimi në SHBA

January 22, 2013 by dgreca

 Ne Foto: Boston 1906. Kristo Kirka në të majtë të Fan S Nolit, në të djathtë Sotir Peci.
Mërgimi  i shqiptarëve në Amerikë kishte nisur në fund të shek.XIX, ndërsa në shek.XX Amerika u bë vendi kryesor dhe më i lakmueshëm i emigracionit shqiptar.
Dallohen tri etapa të emigracionit shqiptar drejt Amerikës: e para fillon nga fundi i shek.XIX dhe mbaron në vitin 1920, me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar; etapa e dytë përfshin periudhën midis dy luftërave botërore dhe etapa e tretë  përfshin periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.
Periudha  e parë e këtij emigrimi ngërthen vitet 1892-1920, kohë e ndryshimeve të mëdha politike e kombëtare në Ballkan dhe në Shqipëri. Ajo ka si tipar kryesor  fluksin në përmasa të konsiderueshme të emigracionit shqiptar në Amerikë, përmirësimin e tij ekonomik, fillimin dhe zhvillimin e një lëvizjeje të fuqishme kombëtare në mbështetje të pavarësisë, shtetit  shqiptar dhe mbrojtjes  së integritetit territorial e kombëtar të Shqipërisë të rrezikuar nga pushtuesit fqinjë, por edhe nga pazarllëqet dhe interesat e Fuqive të Mëdha.[1]
Edhe pse kishte shkuar më parë ndonjë shqiptar i vetmuar, viti 1894 shënon vajtjen  në SHBA të  një grupi prej 17 korçarësh, me udhërrëfyes Kol Kristoforin, duke  formuar  bërthamën e diasporës shqiptare në Amerikë.
  Motivi parësor i shqiptarëve që emigronin nga vendi i tyre, ishte ai ekonomik.

Gjendja ekonomike e Shqipërisë në fillimet e shek.XX ishte e shkatërruar plotësisht. Ende nën pushtimin e të “sëmurit të Bosforit”, ajo vuante, veç të tjerash, edhe nga një krizë e rëndë ekonomike e pashpresë, e shkaktuar nga regjimi feudal otoman, prapambetja e gjithanshme, rrënimi total i bujqësisë dhe  taksat  e papërballueshme.

   Krahas emigrantëve ekonomikë, u shfaqën edhe emigrantët politikë, që gradualisht përbënin numrin më të madh ndër ata. Faktori politik ka luajtur një rol të rëndësishëm për emigrimin shqiptar drejt Amerikës. Madje, sipas burimeve të ndryshme, ky faktor ka rolin kryesor. Shpërthimi i kryengritjeve shqiptare antiosmane, trazirat e shpeshta brenda Perandorisë Turke dhe kriza e saj e thellë politike, luftërat e vazhdueshme, sidomos  Lufta italo-turke, shpërthimi i luftërave ballkanike, por edhe i mynxyrave të brendshme, shkelja e Shqipërisë nga ushtritë e huaja, pasiguria e jetës e të tjera kanë qenë  faktorët kryesorë që shkaktuan një valë të madhe emigracioni nga Shqipëria, kryesisht nga Shqipëria e jugut drejt SHBA. Ndër ta, duhet veçuar pushtimi i Shqipërisë së jugut nga ushtria greke në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, masakrat dhe terrori që  bënë  gjatë këtij pushtimi.[3]

   Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit, shkruante: “Nuk jemi më tepër se 50 e ca, që ne, duke marrë shembuj të tjerët, erdhëm këtu në Amerikë, e cila pas pakë do të jetë vendi, që do të ketë më shumë shqiptarë” [4]

   Emigrantët e parë shqiptarë u vendosën në qytetin e madh të Bostonit, por  u përhapën edhe në qytetet e tjerë të shtetit Massachusetts. Mandej, për arsye pune,  u përndanë edhe  në shtetet e New York-ut, Pennsylvani-së, Michigan-it, Missour-it, Ohio-s  etj.  Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë New England, që përfshinte shtetet: Maine, New Hampshire, Massachusetts, Rhode Island dhe Connecticut.[5]

   Emigantët shqiptarë u punësuan kryesisht në fabrikat e tekstileve, të këpucëve dhe industrinë e rëndë, por një pjesë e tyre u mor me tregti e biznes të vogël. Sipas gazetës “Kombi”, shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane dhe kishin hapur 6 restorante, tri furra buke, një berberhanë etj. Në faqet e kësaj gazete botoheshin reklamat për hotel-restorant “Skënderbeg”, hotel “Korça”, hotel “Albania”, restorant “Tomorri”, hotel “Ali Pasha” dhe biznese të tjerë.

   Megjithatë, mendoj se emigrimi për shkaqe politike ka qënë determinant, sepse gjatë kësaj periudhe ( 1900-1920) në hapësirën shqiptare ndodhën ngjarje të rëndësishme politike, siç ishte lufta e armatosur për çlirim kombëtar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, zaptimi i vendit  nga ushtritë greke e serbo-malazeze, që bënë masakra të padëgjuara, mandej pushtimi nga ushtritë italiane, austriake dhe franceze përgjatë Luftës së Parë Botërore, kryengritja antikombëtare e Haxhi Qamilit dhe rrëzimi i shtetit shqiptar, kthimi i Shqipërisë në një shesh lufte dhe interesash politike të forcave ndërluftuese ballkanike dhe europiane etj. Të gjitha këto situata kombëtare, por edhe mjaft ngjarje të rënda  lokale, e tronditën dhe e rrezikuan seriozisht jetën, qenien dhe ekzistencën shqiptare në trojet e tyre etnike, ndaj një pjesë e popullsisë shqiptare u largua nga Shqipëria për në vendet e tjera, kryesisht në  Turqi, Misir, Rumani, Bullgari, ku ekzistonin kolonitë e mëparshme të emigracionit shqiptar, por, më së shumti, në Amerikë, ku u mundësohej punësimi dhe jetesa.

   Studiuesi J.S. Roucek, i njohur për hulumtimin e emigracionit shqiptar dhe jugosllav në Amerikë, thotë se refugjatët politikë përbënin shumicën  e emigracionit shqiptar në SHBA.[6]

   Ky fakt bëri që edhe veprimtaria e tij kryesore të ishte politike, e lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

   Kjo periudhë e parë përkon edhe me migrimin dhe veprimtarinë e Kristo Kirkës në SHBA, refugjat për motive politike, por që u bë një nga veprimtarët më të shquar të çështjes sonë kombëtare.

   Ai është një nga të parët shqiptarë që shkeli në Tokën e Re, më 28 qershor 1904,   kur sapo ishin bërë përçapjet dhe ishin hedhur hapat e parë të lëvizjes kombëtare shqiptare nga  atdhetari dhe intelektuali i shquar  Petro Nini Luarasi, i cili kishte ardhur në Amerikë  në maj të vitit 1904, gati dy muaj më parë se Kristoja. Petro Nini Luarasi, ish-mësuesi i shkollave të para shqipe në Kolonjë dhe në Korçë, por edhe mësuesi i parë i Kristos, rilindësi që Patriarkana Greke e kishte shkishëruar e mallkuar, e vijonte veprimtarinë patriotike dhe arsimore mes shqiptarëve edhe në Amerikë. Ai themeloi në vitin 1905 në Buffalo dhe dhe Jamestown të New-Yorkut shoqëritë e para shqiptare “Pellazgu” dhe  “Mall’i Mëmëdheut”. Këto shoqëri  patriotike e arsimore mblodhën mjaft shqiptarë jo vetëm në Buffalo dhe Jamestown, por edhe më gjerë dhe u bënë  vatrat  e para të  rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA.

   Gazeta “Kombi” shkruante: “Qëllimi i shoqërisë me qendër në Buffalo, themeluar prej intelektualëve të vërtetë, është të mbjellë vëllazërinë, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave, që do të shtypë”.[7]

   Petro Luarasi, si një rilindës, e kishte kuptuar me kohë se bashkimi, organizimi  dhe mbrothësimi i shqiptarëve mund të bëhej me anë të dijes, ndaj ai u bë pishtar i saj. “Ai ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot me pamflete, revista e gazeta. Petron mund ta krahasojmë me Shën Janin, sepse përgatiti udhën e Lëvizjes Kombëtare për ata që ardhën pas tij” –shkruante Konstandin Demo.[8]

Ndërsa Fan Noli e quante Petro Ninin – të parin pionier të lëvizjes kombëtare në Amerikë.[9]

    Shoqëria “Mall’i Mëmëdheut” bëri thirrjen e parë për t’u bashkuar gjithë shqiptarët në një shoqëri të përbashkët.

    Kristoja gjeti te Petro Nini  mikun e vjetër të familjes Kirka. Kur ishte mësues i shqipes në shkollën shqipe të Korçës, Petroja vinte shpesh në shtëpinë e Dhimitrit, ku bisedonin për hallet e kazasë së Korçës, pengesat për gjuhën e shkollat shqipe, propagandën turke e greke si edhe për përpjekjen atdhetare shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë. Kristoja i vogël nuk merrte pjesë në këto kuvendime, por dëgjonte nga prindët fjalë të mira për mësues Petron dhe i rritej dashuria për atë. Por ja që e solli fati që ata të dy, të ndodheshin në të njëjtën kohë në Amerikë dhe të  bashkëpunonin si veprimtarë kombëtarë, madje, kur Petroja u kthye në Shqipëri, veprën e tij e vijoi Kristoja, i cili përfaqësoi edhe shoqërinë “Mall’i mëmëdheut” në përpjekjet për themelimin e “Vatrës”.

   Kristoja i ri u vendos në qytezën e Natick-ut, afër Bostonit, ku kishte disa  emigrantë shqiptarë  nga treva e tij. Si gjithë të tjerët, bënte punë krahu për gjashtë ditët e javës, ndërsa të dielave  shkonte  në Buffalo  dhe  bashkëpunonte  me Petro Ninin në shoqatën “Mall’i Mëmëdheut”, por edhe Petroja vinte shpesh në Natick, ku banonte Kristoja dhe mjaft miq të Petros.

   “Banonim së bashku, në grupe deri në dhjetë veta, në banesa që i quanim “konakë”. Gatuanim e hanim së bashku dhe secili paguante pjesën e vet, në mënyrë të barabartë. Kështu, kursenim më shumë para, që t’ua dërgonim familjeve në Shqipëri. Njëri zgjidhej kryetar i konakut dhe ai caktonte detyrat për të tjerët, siç ishte përgatitja e ushqimit, larja e enëve, pastrimi e të tjera. Në kësi rastesh, kur ishim tok, nuk mungonte as muhabeti e as humori. Një herë, kur unë isha kryetar konaku, mbasi u caktova të gjithëve detyrat, hidhet Ndrekoja dhe më thotë:

   – Po ti, Taqi, ç’do të bësh, se nuk i vure vetes asnjë punë!

   – Unë do të pres e do të përcjell miqtë, kur të na vijnë, se jam i pari i fshatit! – qesha unë.

   Po më e bukura ndodhi me Vasil Dardharin. Meqenëse ai punonte gjatë gjithë natës për të shpërndarë qumështin me karrocë nëpër shtëpitë e klientëve, e lamë të lirë nga çdo detyrë në konak, në mënyrë që ai të mund flinte gjatë ditës. Por vumë re që Vasili, sa kthehej nga puna në sabah,  në vend që të flinte, dilte jashtë për të shëtitur. Një ditë shokët e pyetën:

   – More Vaso, si ia bën ti pa vënë gjumë në sy?

   – Fle unë, fle, – u përgjigj qetë-qetë Vasili.

   – E kur fle, zotrote? Ne këtu jemi…

   – Fle gjatë natës, kur punoj.

   – Si?!

   – Po, fle që çke me të, kur kuajt ecin në rrugë dhe ndalen vetë para shtëpisë, ku do të lë shishet e qumështit. Janë mësuar tashmë, se i njëjti avaz është. Atëherë zgjohem, lë shishet te porta dhe hip përsëri në karrocë. Hya! Kuajt nisen dhe unë ia këpus gjumit prapë.

   U shkulëm së qeshuri.

   Megjithëse puna ishte e rëndë dhe  lodheshim shumë, e përballonim bashkërisht. Kur ndonjëri sëmurej apo nuk ishte në gjendje pune, e ndihmonim ne të tjerët. Por, mbi të gjitha, ishte mësimi në gjuhën shqipe, sepse një pjesë nuk dinte shkrim e këndim. Çdo të diel, mua më takonte të bëja dy orë mësim në gjuhën tonë. Dhe e bëja me shpirt. Ishte kënaqësi e madhe për mua, kur ata që s’kishin pasur mundësi të shkolloheshin  në Shqipëri, tani u shkruanin letra familjarëve të tyre në gjuhën e mëmës dhe merrnin letra prej tyre”. [10]

   Kristoja e  nisi përpjekjen me propagandimin e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut” , që u bë një nga organizatat më të fuqishme, ku u mbështet më vonë themelimi i Federatës “Vatra”. Ideja dhe përpjekja e Kristos në atë kohë përmblidhej tek fjala shqipe, tek lëvrimi i gjuhës shqipe tek emigrantët shqiptarë. Ai mendonte se nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe të lëvruar do të shkohej tek ndërgjegjësimi kombëtar dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare. Një njeri pa identitet kombëtar është një hiçgjë, u thoshte ai bashkëkombasve, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të pashkolluar.

   Në këtë kohë Kirka mendonte dhe vepronte si një rilindës. Pema e Rilindjes ishte shqiptarizmi apo nacionalizmi i ndritur shqiptar, ithtar i të cilit ishte dhe mbeti Kristo Kirka.

   “Ideja e nacionalizmit lindi, së pari, në mendjen e disa shqiptarëve inteligjentë dhe me ndjenja të larta, – shkruante Kirka. – Të parët e idesë nacionaliste na çfaqen Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri dhe, më parë, Naum Vithkuqari, që filloi të përpiqej për të gjallur kombësinë shqiptare, pikë së pari me krijimin e shkronjave e të librave shqip, me përhapjen e gjuhës letrare dhe bashkë me këto, dijenitë njerëzore midis shqiptarëve. Ideja e nacionalizmës rrjedh nga një dëshirë, që çfaqet te njeriu për të lartësuar mendërisht, moralisht, estetikisht dhe teknikisht popullin prej ku ka dalë. Kjo ndjenjë me të vërtetë është e shenjtë, sepse përbën një vetmohim në përkrahjen e interesave kolektive të kombit” [11]

   Gjatë viteve 1904-1906 në SHBA, veçanërisht në Boston, pati një valë të fuqishme emigracioni  jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga kolonitë shqiptare në Egjipt, Europë etj. Ndër ta edhe mjaft figura të shquara të mendimit e të lëvizjes kombëtare, si Sotir Peci (1905), Fan Noli (1906), të cilët i dhanë shtysë, motiv dhe vlera veprimtarisë patriotike të shqiptarëve atje.

   Në muajin qershor 1906, Sotir Peci botoi në Boston gazetën e parë në Amerikë, me emrin “Kombi”. Platforma politike e kësaj gazete ishte e njëjtë me programin politik të lëvizjes kombëtare në Shqipëri, e cila në atë kohë kërkonte një Shqipëri autonome në kufijtë e katër vilajeteve, në kornizë të Perandorisë Osmane, lejimin e hapjes së shkollave shqipe, krijimin e një administrate shqiptare, përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare etj.

   Fan Noli bashkëpunoi ngushtë me Pecin dhe të dy bashkë, ndonëse në kushte të vështira ekonomike, nxorën një gazetë bashkëkohore dhe shumë të dobishme për bashkimin dhe emancipimin e shqiptarëve. 

   Edhe Kristo Kirka ndihmoi në financimin  dhe përhapjen e gazetës “Kombi” tek shqiptarët e Boston-it dhe të Natick-ut. Ishte një moment kritik, kur gazeta e vetme dhe e dashur e shqiptarëve ndodhej përpara një falimentimi, sepse brenda një viti ajo hyri në një borxh prej 485 dollarësh të asaj kohe. Kjo gjendje e vështirë i detyroi Sotir Pecin dhe Nolin të shkonin në Natick, njëra nga qendrat kryesore të atdhetarizmit shqiptar dhe të kërkonin ndihmë për gazetën. Këtu ata gjetën atdhetarë të flaktë, si Kristo Kirkën, Andrea Panin, Kol Tromarën, Ilo Tromarën, Sotir Nokën e të tjerë, të cilët e shlyen së bashku të gjithë borxhin e gazetës dhe ndihmësuan që ajo të vazhdonte botimin. [12]

   Kështu, Kristo Kirka  u lidh ngushtë me kauzën kombëtare, sidomos me shtypin shqiptar  dhe u bë një nga organizatorët  e drejtuesit  kryesorë të gazetarisë  shqiptare në SHBA.

   Atëbotë, Kirka ishte ende i ri, plot energji, besim në vete dhe në çështjen kombëtare. Dhe, jo vetëm që merr pjesë në çdo veprimtari, por bëhet krah i Petro Luarasit, Fan Nolit, Sotir Pecit.

   Djaloshi që kishte lënë Korçën, po binte në sy për shpirtin atdhetar dhe energjitë e pakursyera. Ai shpejt fitoi besimin e lëvizjes patriotike shqiptare në SHBA.[13]

   Në kujtesën e tij djaloshare mbeti i pashlyer tubimi i 1 janarit 1907  në Jamestown, organizuar nga shoqëria “Mall’i Mëmëdheut”, me rastin e ardhjes së Bajo Topullit në Amerikë, si përfaqësues i Komitetit të fshehtë të Manastirit. Në këtë mbledhje, ku merrnin pjesë edhe mjaft shqiptarë që nuk ishin anëtarë të shoqërisë, ligjëroi aktivisti i njohur i saj, Thanas Floqi, si edhe mysafiri nga Shqipëria, Bajoja, i cili foli për çetat e para kryengritëse të lirisë në Shqipëri.[14]

   Po ashtu, mbresë të madhe i la mitingu i madh që u organizua nga shoqëria “Mall’i Mëmëdheut” në Boston,  për të nderuar kujtimin e dëshmorit të kombit, Spiro Vani Kosturi dhe për të protestuar kundër vrasjes së tij nga shovinistët grekë në Selanik, ku kishte shkuar të siguronte armë për kryengritësit e lirisë. Kristoja e kishte njohur Spiron në Korçë, ishin pothuaj moshatarë dhe miq familjarë. Spiroja ishte atdhetar i çartur, i ngjante të atit, Vanit, që s’kursente gjë për Shqipërinë. Në këtë miting shqiptarët mbanin në duar flamuj shqiptarë dhe amerikanë dhe mbajtën fjalime të zjarrta Petro Luarasi, Fan Noli, Sotir Peci e të tjerë.[15]

   Kështu, Kristoja i ri u fut dalëngadalë në rrjedhën kombëtare, si edhe në veprimtaritë e lira shoqërore të shqiptarëve në Shtetet e  Bashkuara të Amerikës. Këtë liri dhe këtë ndjesi nuk e kishte provuar kurrë më parë, ndaj edhe ishte aq i çlirët, i hedhur dhe optimist.  

   Qazim Prodani, një nacionalist i shquar kolonjar, shkruante në gazetën “Besa”:

   “Kirka popullor dhe shumë i dashur, rrallë bëhej mik me lehtësi, rrallë lidhte shoqëri menjëherë. Sepse rrallë gjente te njerëzit atë kuptim që ai i jepte kauzës shqiptare, detyrës së shqiptarit; atë shpirt vetmohimi dhe guximi, që e priu tërë jetën si ushtar lirie në mërgim dhe në atdhe.  Dhe një ditë me qiell të ngrysur, plot me re të zeza që mbulonin horizontin e Ballkanëve, djaloshi Kristo, pa i dirsur mustaqja, por q’e ndiente veten burrë, burrë shqiptar, merr rrugën e gjatë drejt Botës së Re. Nuk vete në kurbet të fitojë para, nuk e lë Shqipërinë për ta harruar. Jo, vete të punojë, të përpiqet, të luftojë për lirinë e Shqipërisë. Kërkon të shohë në Korçën e tij, në Shqipërinë katërvilajetëshe, të valojë flamuri me dy krerë, flamuri kuq e zi dhe asnjë tjetër.  Kristoja nuk ndjente dashuri më të madhe  në shpirt sesa dashuria për mëmëdhenë, ashtu si e thërriste ai në atë kohë. Dhe kësaj dashurije, iu kushtua tërësisht, sa i ri e plak, në luftë e në paqe, në Shqipëri e në dhe të huaj. Mëmëdheu ishte kulti i Kristos dhe kombi e shqiptarizmi – feja e tij, besimi i shpirtit fisnik, që qëndronte n’atë trup të pastër, i pastër si dëbora e Gramozit!”. [16]

   Në jetën e Kristo Kirkës së ri, ka luajtur një rol të veçantë njohja, miqësia dhe bashkëpunimi me Fan Nolin. Noli, pasi arriti në New York (maj 1906), shkoi në Buffalo, ku ishte ngritur shoqëria “Mall’ i Mëmëdheut”. Ai u vendos në këtë qytet për të ndihmuar në punët patriotike të shoqërisë dhe për ta kthyer atë në një vatër për të gjithë shqiptarët. Në Buffalo Noli filloi punë në një punishte tanini  dhe banonte në një konak ku flinin nëntë shqiptarë. Por miqësia me ta, sidomos bashkëpunimi me Petro Ninin, e bënin të përballonte çdo vështirësi.

   Në Buffalo u njoh edhe me Kristo Kirkën, i cili vinte atje në fundjavë për të marrë pjesë në veprimtaritë e shoqërisë “Mall’ i Mëmëdheut”. Kristoja e pëlqeu mendjen e ndritur të Nolit, kulturën e pazakontë dhe atdhetarinë e palëkundur të Nolit. Ata u bënë miq dhe e vazhduan miqësinë e bashkëpunimin gjithë jetën.

   Me nismën e  Fan Nolit, në fillim të vitit 1907, u themelua shoqëria “Besa-Besën”, e cila synonte të mblidhte rreth saj  shqiptarët e  New-England-it, por edhe më gjerë. Në krye të kësaj shoqërie u zgjodh Fan  Noli, kryetar dhe Gerri Adams, nënkryetar. Në janar dhe shkurt të vitit 1907 u formuan shoqëritë “Koha” ( New York) dhe “Lidhja” ( Saint Louis). [17] Faksimile 4

   Shoqëria “Besa-Besën” kishte në programin e saj politik mbështetjen e  të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe në atë kulturor, hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri, botimin dhe përhapjen e literaturës shqipe, që do të propagandonte idetë e lirisë dhe të përparimit, po ashtu edhe organizimin e shqiptarëve të Amerikës në një lob të fuqishëm në ndihmesë të kombit .  Kjo shoqëri caktoi si festë të saj Shën Gjergjin, për nder të heroit tonë kombëtar dhe kjo ditë do të kremtohej  nga të gjithë shqiptarët, ortodoksë e myslimanë.

   Të parët që e përkrahën formimin e shoqërisë Besa-Besën” dhe që krijuan menjëherë degën e kësaj shoqërie në Natick, ishin shqiptarët atdhetarë të këtij qyteti të vogël, por me kontribute të mëdha në çështjen kombëtare. Në Natick, tashmë ishin shtuar emigrantët shqiptarë. Kristoja u bë shpirti i tyre. Në mbledhjen themeluese të degës së shoqërisë “Besa-Besën” në  Natick, mori pjesë edhe Fan Noli, me cilësinë e kryetarit të shoqërisë, si edhe disa personalitete amerikane, që përkrahnin çështjen shqiptare. Pasi u miratua nga pjesëmarrësit kanunorja e shoqërisë, u bënë zgjedhjet e pleqësisë së kësaj dege dhe u zgjodh kryetar Ilo Tromara.[18]

   Kjo përpjekje kombëtare bëhej edhe më e domosdoshme, sepse  propaganda greke, agjentët dhe intrigat  e saj gëlonin, jo vetëm në Shqipëri, por e kishin shtrirë veprimtarinë antishqiptare edhe në SHBA, në qarqet politike të saj, madje edhe ndërmjet emigrantëve shqiptarë, për t’i përçarë  apo për t’i bërë për vete me të gjitha mënyrat e mjetet. Veçanërisht, nëpërmjet kishës greke.

    Themelimi i shoqërive të para shqiptare si edhe veprimtaria e tyre kombëtare, nuk shikohej me sy të mirë prej qarqeve politike greke. Ato i shqetësonte fakti që shqiptarët ortodoksë të Amerikës, të cilët grekët i konsideronin si grekë të Epirit, jo vetëm që ndjeheshin etnikisht dhe kombëtarisht shqiptarë, por qëndronin në radhët e para të lëvizjes për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Edhe individë apo grupe të caktuara nga emigrantët ortodoksë shqiptarë, që fillimisht ishin nën ndikimin e propagandës greke, po shkëputeshin prej këtij ndikimi.  Përjashtim bënin këtu grekomanët, të cilët, në bashkëpunim me rrethe të caktuara greke, vijuan veprimtarinë e vet sabotuese  ndaj lëvizjes patriotike shqiptare.[19]

   Madje, për të neutralizuar idetë dhe veprimtaritë kombëtare shqiptare, emigrantët politikë ekstremistë grekë krijuan në SHBA sillogjet e tyre antishqiptare, si “Ipiro Alvanikos Sillogos” në New York apo “Vëllazëria Epiriote” në Worcester, ku bashkoheshin edhe elementë grekomanë, si edhe kisha greke.

   Kristo Kirka, iu kundërvu politikës së sillogjeve “vorio-epirote”, që propagandonin edhe në SHBA se çdo i krishterë ortodoks është grek. Përkundrazi, ai vetë, por edhe shqiptarët e tjerë ortodoksë, si: Petro Nini Luarasi, Fan Noli, Sotir Peci, Kristo Floqi, Kristo Dako, Thanas Floqi, Sotir Mikeli,  Llambi Bimbli, Vangjo Miller, G.Gjoleka, At Naum Cere, Kol Rodhe  e shumë të tjerë ishin gurët e themelit të kombësisë shqiptare në Amerikë. Sikundër të parët e tyre rilindës ortodoksë: Kristoforidhi, Veqilharxhi, Vaso Pasha, Vreto, Mitko, De Rada, Koto Hoxhi e të tjerë,  vunë themelet e shqiptarizmës e të shtetit kombëtar shqiptar.

   Kristo Kirka rrëfen:

   “Aq e madhe qe propaganda greke kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, sa që, përveç atyre misionarëve të “Megaloidesë” që vepronin në Amerikë, dërgoheshin edhe të tjerë here pas here nga Athina. Një herë, u bënë lajmërime se një profesor i Universitetit të Athinës do të mbante një konferencë në Boston për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Disa nga ne, shqiptarët e Natick-ut, vendosëm që të shkonim në atë konferencë. Grupi ynë shkoi në sallën e konferencës një orë përpara fillimit dhe zuri vend në radhët e para.  Organizatorët u shqetësuan, por nuk na nxirrnin dot jashtë. Profesori Ricos   mbajti një ligjëratë të gjatë për historinë e Greqisë dhe askush nuk e trazoi. Por, kur hyri në temë dhe nisi të “argumentonte” me fjalë të rreme se “Vorio-Epiri” është grek, se çdo ortodoks në Shqipëri është grek, unë nuk durova dot, u ngrita më këmbë dhe e ndërpreva, duke i folur në gjuhën greke, të cilën e kisha mësuar  në gjimnazin grek të Korçës. “Unë jam ortodoks dhe, siç e dëgjon, flas mirë greqisht. Por nuk jam grek, jam shqiptar i kulluar dhe e kam për nder që jam i tillë. Kështu janë edhe ortodoksët e tjerë shqiptarë, përveç atyre që i gënjeni apo i paguani ju. Unë jam nga Korça, që ju e quani Vorio-Epir, po në Korçë nuk ka asnjë grek për be. Bile edhe Follorina, Kosturi, Konica, Janina dhe gjithë Çamëria, që ju i kini zaptuar padrejtësisht, janë shqiptare. Ti gënjen, nuk je historian i vërtetë, je falsifikator i historisë!”  Grekët që ishin në sallë, m’u vërsulën, por kërcyen shqiptarët që kishin ardhur me mua dhe filloi një përleshje e paparë ndonjëherë. Krisën grushtet dhe karriket. Konferenca u prish. Mua më rrethuan shokët dhe më nxorrën përjashta. Kur erdhi policia, ne ishim larguar. Ngjarja bëri bujë dhe shkruan gazetat amerikane, shkroi gjatë  edhe gazeta jonë “Kombi”. Kjo ngjarje bëri përshtypje edhe tek shqiptarët e Amerikës, që filluan të na mbështesnin dhe të afroheshin me ne, sepse u bindën se e drejta ishte me ne, por kjo e drejtë fitohej po të bashkoheshim dhe të organizoheshim. Na  u afrua edhe një arbëresh i Greqisë, me llagapin Greims, që e bëra mik. Sa herë që binte fjala për veprimtarinë time dhe përplasjen me grekët, më jepte të drejtë. Ai rrëfente sesi ishin asimiluar arvanitasit në Greqi me anë të dhunës, propagandës helene, kishës greke, ndërrimit të emrave dhe mohimit të çdo të drejte kombëtare, përfshirë edhe mohimin e shkollimit në gjuhën shqipe. “Po të thuash në Greqi që jam arvanitas,  ose të flasësh shqip, të shpërngulin nga trojet, të marrin pasurinë  dhe të degdisin në Anadoll”, – më thoshte miku im. “Ja, unë nuk di shqip, as fëmijët e mi nuk dinë”. Kur mori vesh ngjarjen me profesorin grek, erdhi e më përgëzoi. U ulëm të pinim kafetë dhe ai më tregoi se ishte zënë me grekët, duke mbajtur anën tonë.

   – Është thirrja e gjakut, – tha dhe më përqafoi.

   – Ore Kosta, i thashë, ti mbiemrin e ke Greims, të amerikanizuar. Si e ke pasur në Greqi?

   – Ngremutis, – m’u përgjigj.

   Unë mbeta me buzë në gaz. Ai dyshoi dhe më pyeti:

   – Ç’kuptim ka në gjuhën shqipe?

   U përpoqa t’i shpjegoja, sipas mëndjes sime, që ky emër përbëhej nga dy fjalë: ngre dhe mut, si  dhe kuptimin e tyre. Ai nuk u fye, përkundrazi u gjallërua, sytë filluan t’i shkëlqenin dhe ma ktheu:

   -Tamam. Gjyshi im ishte nga një fshat arvanitas në rrethinat e Athinës. Banorët ishin bujq të mirë, merreshin sidomos me kopshtari. Kam dëgjuar që i quanin barbaçë.

   – Ndoshta kjo shpjegohet me fjalët “bar” dhe “bahçe”, meqenëse ishin bahçevanë.

   – Nuk e di, tha Kosta, por di që tim gjysh, Kosta quhej, e thërrisnin “Ngremutis” në fshat, se ngrinte pleh me qerre dhe e çonte në kopshtet e fshatarëve. Tani e kuptoj nga e ka origjinën llagapi im shqiptar. S’e kam për turp, përkundrazi.

   Më bëri përshtypje ky ngazëllim i tij. Ky rrënjëshkulur, ky Kosta Greims, tashmë shtetas amerikan, që jeton në lobin grek, mallëngjehet e gëzohet kur e kupton dhe e ndjen plotësisht se është shqiptar, se ajo shtytje e brendshme i vjen nga shtresat më të thella të ndërgjegjes, se ajo klithmë e brendshme është thirrja e gjakut arbëresh, gjakut jo të shprishur! A ka gjë më tronditëse, por edhe më të madhërishme?” [20]

   Nga këto rrëfime mëmëdhetare, por edhe psikologjike, kuptojmë që Kristoja kishte një dell prej shkrimtari, por që, për rrethanat e jetës, nuk e kishte zhvilluar. Këtë prirje të tij  e vëmë re edhe në shkrimet  botuar në shtypin e kohës, në letëkëmbimet, sidomos në kujtimet e tij.

   Me përpjekjen dhe mbështetjen e Kristo Kirkës, veprimtari  tjetër i shquar në fushën e arsimit shqiptar, Kristo Dako, çeli në fillim të qershorit 1908 një shkollë në Natick, për t’u mësuar bashkëkombasve gjuhën shqipe dhe dijen, por edhe anglishten, që u duhej shqiptarëve për t’u integruar në shoqërinë amerikane.(Marre nga libri i Uran Butkes”Kristo Kirka”, 2012- Vijon)

 



[1] Beqir Meta Federata panshqiptare “Vatra”, 2002

[2] Kostandin  Demo, The Albanians in Amerika, Boston Mass 1960

[3] B. Meta,Federata Panshqiptare “Vatra”, Tiranë 2002

[4] Gazeta “Kombi” 30 qershor 1906

[5] J.S.Roucek, The Albanian and Yugoslav immigrants in Amerika,  1937-1938.

[6] Po aty

[7] Gazeta Kombi, korrik 1906

[8] The Albanians in Amerika, Boston Mass, 1960

[9] A. Uçi,Petro Nini Luarasi, Tiranë 2011

[10] N.Kirka. Për mëmëdhenë.

[11] Gazeta “Fjala e Korçës” Konferenca e K.Kirkës.

[12] K.Demo, vepër e cituar, f.60

[13] D. Greca, Gazeta “Albania”, 3 maj 2000

[14] Gazeta “Kombi”, janar 1907

[15] Sipas K. Demo, vepër e cituar dhe kujtimeve të K.Kirkës

[16]  Gazeta “Besa, nr.25, shtator 1955.

[17] K.Demo, vepër e cituar

[18] Gazeta “Kombi” 1906, nr.18

[19] V.Duka, Shqiptarët në rrjedhat e Shek.XX

[20] N.Kirka, Për mëmëdhenë.

Filed Under: Histori Tagged With: Kristo Kirka, noli, S Peci, Uran Butka

KRISTO KIRKA- Emigrimi në SHBA

November 17, 2012 by dgreca

Nga Uran Butka*/

   Mërgimi  i shqiptarëve në Amerikë kishte nisur në fund të shek.XIX, ndërsa në shek.XX Amerika u bë vendi kryesor dhe më i lakmueshëm i emigracionit shqiptar. Dallohen tri etapa të emigracionit shqiptar drejt Amerikës: e para fillon nga fundi i shek.XIX dhe mbaron në vitin 1920, me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar; etapa e dytë përfshin periudhën midis dy luftërave botërore dhe etapa e tretë  përfshin periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha  e parë e këtij emigrimi ngërthen vitet 1892-1920, kohë e ndryshimeve të mëdha politike e kombëtare në Ballkan dhe në Shqipëri. Ajo ka si tipar kryesor  fluksin në përmasa të konsiderueshme të emigracionit shqiptar në Amerikë, përmirësimin e tij ekonomik, fillimin dhe zhvillimin e një lëvizjeje të fuqishme kombëtare në mbështetje të pavarësisë, shtetit  shqiptar dhe mbrojtjes  së integritetit territorial e kombëtar të Shqipërisë të rrezikuar nga pushtuesit fqinjë, por edhe nga pazarllëqet dhe interesat e Fuqive të Mëdha.[1]

   Edhe pse kishte shkuar më parë ndonjë shqiptar i vetmuar, viti 1894 shënon vajtjen  në SHBA të  një grupi prej 17 korçarësh, me udhërrëfyes Kol Kristoforin, duke  formuar  bërthamën e diasporës shqiptare në Amerikë.[2]

   Motivi parësor i shqiptarëve që emigronin nga vendi i tyre, ishte ai ekonomik.

Gjendja ekonomike e Shqipërisë në fillimet e shek.XX ishte e shkatërruar plotësisht. Ende nën pushtimin e të “sëmurit të Bosforit”, ajo vuante, veç të tjerash, edhe nga një krizë e rëndë ekonomike e pashpresë, e shkaktuar nga regjimi feudal otoman, prapambetja e gjithanshme, rrënimi total i bujqësisë dhe  taksat  e papërballueshme.

   Krahas emigrantëve ekonomikë, u shfaqën edhe emigrantët politikë, që gradualisht përbënin numrin më të madh ndër ata. Faktori politik ka luajtur një rol të rëndësishëm për emigrimin shqiptar drejt Amerikës. Madje, sipas burimeve të ndryshme, ky faktor ka rolin kryesor. Shpërthimi i kryengritjeve shqiptare antiosmane, trazirat e shpeshta brenda Perandorisë Turke dhe kriza e saj e thellë politike, luftërat e vazhdueshme, sidomos  Lufta italo-turke, shpërthimi i luftërave ballkanike, por edhe i mynxyrave të brendshme, shkelja e Shqipërisë nga ushtritë e huaja, pasiguria e jetës e të tjera kanë qenë  faktorët kryesorë që shkaktuan një valë të madhe emigracioni nga Shqipëria, kryesisht nga Shqipëria e jugut drejt SHBA. Ndër ta, duhet veçuar pushtimi i Shqipërisë së jugut nga ushtria greke në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, masakrat dhe terrori që  bënë  gjatë këtij pushtimi.[3]

   Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit, shkruante: “Nuk jemi më tepër se 50 e ca, që ne, duke marrë shembuj të tjerët, erdhëm këtu në Amerikë, e cila pas pakë do të jetë vendi, që do të ketë më shumë shqiptarë” [4]

   Emigrantët e parë shqiptarë u vendosën në qytetin e madh të Bostonit, por  u përhapën edhe në qytetet e tjerë të shtetit Massachusetts. Mandej, për arsye pune,  u përndanë edhe  në shtetet e New York-ut, Pennsylvani-së, Michigan-it, Missour-it, Ohio-s  etj.  Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë New England, që përfshinte shtetet: Maine, New Hampshire, Massachusetts, Rhode Island dhe Connecticut.[5]

   Emigantët shqiptarë u punësuan kryesisht në fabrikat e tekstileve, të këpucëve dhe industrinë e rëndë, por një pjesë e tyre u mor me tregti e biznes të vogël. Sipas gazetës “Kombi”, shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane dhe kishin hapur 6 restorante, tri furra buke, një berberhanë etj. Në faqet e kësaj gazete botoheshin reklamat për hotel-restorant “Skënderbeg”, hotel “Korça”, hotel “Albania”, restorant “Tomorri”, hotel “Ali Pasha” dhe biznese të tjerë.

   Megjithatë, mendoj se emigrimi për shkaqe politike ka qënë determinant, sepse gjatë kësaj periudhe ( 1900-1920) në hapësirën shqiptare ndodhën ngjarje të rëndësishme politike, siç ishte lufta e armatosur për çlirim kombëtar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, zaptimi i vendit  nga ushtritë greke e serbo-malazeze, që bënë masakra të padëgjuara, mandej pushtimi nga ushtritë italiane, austriake dhe franceze përgjatë Luftës së Parë Botërore, kryengritja antikombëtare e Haxhi Qamilit dhe rrëzimi i shtetit shqiptar, kthimi i Shqipërisë në një shesh lufte dhe interesash politike të forcave ndërluftuese ballkanike dhe europiane etj. Të gjitha këto situata kombëtare, por edhe mjaft ngjarje të rënda  lokale, e tronditën dhe e rrezikuan seriozisht jetën, qenien dhe ekzistencën shqiptare në trojet e tyre etnike, ndaj një pjesë e popullsisë shqiptare u largua nga Shqipëria për në vendet e tjera, kryesisht në  Turqi, Misir, Rumani, Bullgari, ku ekzistonin kolonitë e mëparshme të emigracionit shqiptar, por, më së shumti, në Amerikë, ku u mundësohej punësimi dhe jetesa.

   Studiuesi J.S. Roucek, i njohur për hulumtimin e emigracionit shqiptar dhe jugosllav në Amerikë, thotë se refugjatët politikë përbënin shumicën  e emigracionit shqiptar në SHBA.[6]

   Ky fakt bëri që edhe veprimtaria e tij kryesore të ishte politike, e lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

   Kjo periudhë e parë përkon edhe me migrimin dhe veprimtarinë e Kristo Kirkës në SHBA, refugjat për motive politike, por që u bë një nga veprimtarët më të shquar të çështjes sonë kombëtare.(Lexo me Shume en Diellin special te 100 vjetorit te Pavaresise)



[1] Beqir Meta Federata panshqiptare “Vatra”, 2002

[2] Kostandin  Demo, The Albanians in Amerika, Boston Mass 1960

[3] B. Meta,Federata Panshqiptare “Vatra”, Tiranë 2002

[4] Gazeta “Kombi” 30 qershor 1906

[5] J.S.Roucek, The Albanian and Yugoslav immigrants in Amerika,  1937-1938.

[6] Po aty

Filed Under: Histori Tagged With: dielli, fragment, Kristo Kirka, Monografia, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT