Nga Arben LLALLA/Më 13 dhjetor 2017 kryeministri Edi Rama nënshkroi disa vendime të qeverisë së tij për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë “të vrarë” gjatë luftës italo-greke 1940-1941. Rama zyrtarizoi 28 tetorin si Ditë Homazhi në përkujtim të ushtarëve grekë. Ky është poshtërim dhe injorim ndaj kombit shqiptar, pasi grekët nuk erdhën për çlirimin e Shqipërisë, por për pushtimin e saj duke ngritur flamurin e aneksimit të jugut. Sipas logjikës së Ramës, atëherë Shqipëria duhet të shpallë ditën e nderimit të ushtarëve osmanë, serbë, bullgarë, austriakë, hungarezë, francezë, italianë, gjermanë, e kështu me radhë.Edi Rama e hodhi firmën në këtë vendim, pikërisht dy vjet pasi ai u shpall më 13 dhjetor 2015 Kalorës i Mbrojtjes së orthodoksisë greke nga Patriarku i Jeruzalemit, Teofili III. Si student i fondacionit grek, Sokratis Kokkalis për komunikim administrativ dhe shkencat politike, Edi Rama për të larguar vëmendjen nga nënshkrimi i ndërtimit të rreth 8.000 varreve greke bëri një deklaratë patriotike të zjarrtë ku na tha: “Jam nxënës i Nolit dhe Konicës, ata më kanë mësuar të flas…”.Edi Rama nuk paska lexuar hiçgjë nga shkrimet, veprat e Nolit dhe Konicës, por vetëm e paska me të dëgjuar emrat e tyre, sepse përndryshe diçka do kishte nxënë nga dy kolosët e gazetarisë, oratorisë, historisë, shqipërimit. Po të kishte ata të dy ndër mend nuk do të qe kundër Çështjes Çame, nuk do pranonte Medaljen dhe Kryqin e Kishës orthodokse greke. Rama nëse do të lexonte Nolin dhe Konicën do e dinte çfarë thonë ata për çamët dhe grekët.Kryeministri Rama të gjithë atë sallatë fjalësh që harxhoi për Çështjen Çame, e paska patur lojë me Dulen e të tjerë, sepse gishtin e ngjyer në Fondacionin Kokkalis e përdori për të firmosur varret boshe të Vorio Epirit. Pra, fjalia e mirënjohur e Ramës me Dulen: “Në s’të pëlqen çam, të them janë shqiptarë, në s’të pëlqen Çështje Çame ju them se është Çështje Shqiptare…”, mbytet në ujë, paska qenë vetëm politikë ditore.Nënshkrimi i njëanshëm për ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri, duke mos kërkuar reciprocitet për ndërtimin e një varreze të Çamëve në Greqi nuk do të thotë zgjidhje problemi, por shtim në ekstremizëm për ekzistencën e një plage që kullon ende gjak.Askush nuk e di se çfarë befasirash na ofron e ardhmja, por një gjë është e sigurtë që marrja e statusit si kandidat për anëtarësim në BE, nuk e fal Edi Ramën dhe të tjerët nga tradhtitë kombëtare. Historia mban shënime, atë paratë e Ramës nuk e korruptojnë dot.
Kryeministri iu vërsulet ish aleatëve
Akuzat e Ramës ndaj LSI dhe PDIU: pajisën me armë njerëz, futën në llum hipotekat, burgjet dhe AKU u bë si bandë…/
Karikature nga Bujar Kapexhiu-Kortezi”Mapo”/Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer akuzat në drejtim të dy ish-aleatëve të tij gjatë mandatit të parë qeverisës, LSI dhe PDIU-së, dhe ironizimet në drejtim të Partisë Demokratike. Në mbledhjen e Asamblesë, Rama referuar partisë që drejtohej nga Ilir Meta, sot President i Republikës, tha se “kanë pajisur me armë gjithë ata njërëz që mund të kthehen ne vrasës, pasi nuk janë në gjendje që ta drejtojnë mjetin në mënyrën e duhur. Kjo do të marrë fund”.
Rama përmendi llumin e madh në burgje dhe hipoteka, ndërkohë që paralajmëroi se përgjegjësit për llumin do të dalin para ligjit.“Kemi pasur llum kriminal dhe shtetëror në burgje dhe hipoteka. Në katër vitet e shkuara llumi ka arritur në nivele të papërfytyrueshme, do bëjmë qilizëm dhe do i bëjmë thirrje gjithë forcave të afta të ndërgjegjshme, nga ushtarakët në lirim që të bëhen pjesë e proçesit e nuk do ketë emërim partie në burgje, asnjë veteriner, masazhator e këngëtar që prezantohet si polic burgu. Ja i keni tundur zgjedhësve listat e bëra nga partia në burgje, mbushur me këngëtarë, masazhatorë, me lloj lloj njerëzish, kemi gjetur këngëtar dhe në asgjencinë e burimeve natyrore, këngëtarë të dështuar. Hipotekat u bënë një llum i madh”, tha Rama.
Pas akuzave ndaj LSI-së, Rama nuk ka kursyer as PDIU-në.
“AKU është një bandë shtetërore, ajo duhet të kalojë urgjent në shërbim ndaj qytetarëve, dhe jo si është si një thertore më vete. Gjaku në rrugë është barbari. Është për të vënë kujën kur theret një qen, një qenie e pafajshme, por askush nuk vë kujen për therjen më barbare kriminale të bagëtive ë sy të fëmijëve, familjeve, pa asnjë kusht higjenik. Thertoret do të mbyllen dhe do të funksionojnë sipas standardeve. Hollanda ther disafish më shumë se ne dhe ka vetëm tre thertore. Kjo duhet të marrë fund”, tha Rama.
Kryeministri nuk la mënjanë edhe seancën e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozita u ngujua për disa orë në sallën e seancave, pas përjashtimit të Lulzim Bashës, i cili nuk pranoi të largohej.“Ne jemi i vetmi vend që therim në parlament, therrim dhe në rrugë. Në parlament theret e vërteta, se procesi që ka filluar nga opozita është thyerja e rregullave dhe kthimi i parlamentit në një klub të degraduar.Është për të qarë kur dëgjojmë opozitën se na akuzon se ne po pengojmë vetingun. Ata shpresojnë që ne ta pengojmë vetingun. Godina e vetingut është trajtuar me përparësi nga ana jonë. Miqtë tanë ambasadorë kanë mbetur të mahnitur. Kur mahniten me gjërat e mira ata nuk e thonë”, tha Rama, duke premtuar se komisioneret e vetingut do të kene pagën më të lartë.
LSI punësoi deri dhe këngëtarë në administratë
Kryeministri Edi Rama ka shpotitur rëndë ish-aleatin e katër viteve të shkuara, LSI duke thënë se futi deri dhe këngëtarë në administratë.Pa e përmendur me emër, ankronimin tregërmësh të partisë së Metës, por dhe ndonjë këngëtar, Rama tha se të tillë janë gjetur deri në agjensinë e burimeve natyrore.Shefi i qeverisë kaloi në këtë pikë teksa po fliste në Asamble rreth zullumit, siç e quajti ai në sistemin e burgjeve. Ai iu drejtuar asambleistëve në fjalën e tij duke iu kujtuar listat e punësimit të LSI-së duke premtuar vende pune në burgje në këmbim të votës. Rama tha se ky sistem do pastrohet në mënyrë tërësore, pasi aty siç tha ai, janë punësuar deri dhë këngëtarë….dhe shtoi, “sigurisht të dështuar”.
Por kush është një prej këngëtarëve të punësuar nga LSI? Ky është Klajdi Musabelli, por ama jo në burgje por në ATSH si gazetar, pasi dhe ka përfunduar studimet në fakultetin e gazetarisë.
Kështu që nuk besohet që Rama ta ketë patur për të, gjersa as ATSH-në nuk e futi në listën e institucioneve ku duhet fshesa e tepsisë.
Ndërkohë, vetë Musabelli, edhe pse prej vitesh nuk është më aktiv në skena muzikore, nuk përfshihet tek të dështuarit.
Kryeministri ka harruar shqipen
Kryeministri Rama, mos e përbuz këtë Gjuhë Hyjnore!/
Nga Keze Kozeta Zylo/Mësimin e Gjuhës Shqipe më duhet t’ja mesojë së pari kryeministrit shqiptar “kryeqeveriut” Edi Rama, se peshku qelbet nga koka thotë populli.Mësimi i Gjuhës Shqipe nuk duhet vetem ne Diasporë, që shumë prej nesh u larguan nga politikanë të mjerë që sjellin vetëm mjerim dhe ikje, ikje, ikje… Për rrjedhojë fëmijët që lindin dhe rriten jashtë trojeve shqiptare po e humbasin Gjuhën tonë Hyjnore…
Me patriotizëm dhe punë të përkushtuar bëhen përpjekje për mësimin e Gjuhës Shqipe dhe në Diasporë dhe kjo s’mund të mohohet.
Ndërkohë që ne mësonjësit bëjmë përpjekje për t’ju mësuar fëmijëve Gjuhën Shqipe këtu në New York, apo kudo ku frymojne shqiptare, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në statuset e tij përdor fjalë të huaja kur s’është nevoja. Cdo foto që Rama e ka për zemër sidomos të militantëve të tij të bindur shkruan: PHOTO OF THE DAY, PHOTO OF THE MONTH, apo kur do të sjellë në kujtesën tonë figura që i ka përsëri për zemër Rama thotë në italisht: “AMARCORD”, kam bindjen se së shpejti do të sjellë dhe falënderimet që ka për miqtë serbë në serbisht si: “хвала”
Duke i lexuar këto statuse me fjalë të huaja të kryeministrit shqiptar ndjen dhimbje gjer në eshtër, pasi çdo gërmë shqipe është e shenjtë, sepse është gjaku i mijëra patriotëve shqiptarë që u martirizuan, u masakruan dhe helmuan nga patrikanat greke, serbe, turke etj…
Edhe pse i thuhet në komente mos fol me fjalë të huaja, kryeministri shqiptar me kokëfortësi dhe kapadaillek iu përgjigjet mos u mërzitni do të flasë përsëri me fjalë të huaja…
Po ju sjellë në vemendjen tuaj përgjigjen që i ka dhënë k/m Rama një komentuesi në lidhje me përdorimin e fjalëve të huaja:
Sadik Sejdinaj: “ kryeminister hiqe fjalen AMARCORD se u bere bajat me kete fjal me mir perdor fjalen mua me kujtohet sesa AMARCORD”
Edi Rama: Mos u merzit Sadik, nuk e heq “Marrë nga statusi i k/m Rama”
Duke e lexuar një përgjigje të tillë me plot fodullëk dhe përbuzje të kryeministrit shqiptar karshi komentuesve të statuseve të tij rreth përdorimit të fjalëve të huaja, medoemos në mendje të vinë si mallkim vargjet në poezinë e famshme “Gjuha Shqype” të Gjergj Fishtës i cili thotë:
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Staten Island, New York
Dhjetor, 2016
MARRËZIA E MADHËSHTISË NUK ËSHTË VETËM MARRËZI
– Kryeministri flet në Parlament si Dushan Mugosha në Mukje/
NE FOTO: Don Kishoti i Rilindjes….Ngjashëm kjo me Nanon kur puthabrekej me Millosheviqin në Kretë. Kur e kam dëgjuar të thotë ne parlament, jam partizan e jo ballist që ha pula( për mua si partizanët e ballistët kanë qenë bij të Shqipërisë tragjike)…/
– Nga KOLEC TRABOINI/ Gjithmonë ja kam pas frikën atyre që janë ne pushtet (jo frikë personale por sociale) dhe fakti që ka 25 vjet që gjithmonë i luftoj pa kompromis pushtetarët, tregon, sipas intuitës sime, se rreziku i kthimit të kohës së mallkuar të regjimit diktatorial i konglomeratit të dhunshëm tipik si Zog-Enver gjithmonë ekziston. Nuk kam asnjë aludim apo simpati për revanshistet (kthimi i se mbrapshtës në pushtet) por dhe të ngrihet ky farë Rame me një mediokritet të pashoq ( edhe si artist është një mjerim i gjallë) e të barrikadohet si të ishte jugosllavi Dushan Mugosha në Mukje, kjo nuk qëndron. Kjo kalon çdo kufi. Kjo është marrëzi. Ngjashëm kjo me Nanon kur puthabrekej me Millosheviqin në Kretë. Kur e kam dëgjuar të thotë ne parlament, jam partizan e jo ballist që ha pula( për mua si partizanët e ballistët kanë qenë bij të Shqipërisë tragjike), i kam hequr vizë përfundimisht dhe e konsideroj tru shkarë dhe ajo çfarë ka thënë një hajvanllëk. Ky njeri, duke qenë pjesë e nomenklaturës familjare komuniste kërkon të los edhe rolin e garipit popullor me morinë e fjalëve që veç një rrugaç i mjerë e pa strehë mund ti fliste. E njohur kjo si veçori e pinjollëve të bijve të oborreve të autokratëve. Ky kryeministër me oratori brutale, tip tallava,është një individ pa asnjë intuitë politike megjithëse makina ideologjike e propagandon dhe e shet në media si një gjeni. Mekanizëm i vjetër sa bota ky i sahanlëpirësve të pushteteve autokratike apo totalitare. Mekanizëm që dështoi e u shkërmoq në 1997, por që kryeministri i sotëm e paska harruar e dosido duhet t’ia kujtojmë. Të gjithë totalitarët kanë pasur pas vetes legenë të propagandës. Po nga do që ta lustrojnë dhe e pudrosin kot e kanë. Shembujt se si spekulohet me idetë e majta socialiste prej atyre që inspirojnë të vendosin pushtet absolut kemi plot në histori. Duçja pasi manipuloi turmat me ide socialiste si gazetar (ngjashmëri e rastësishme apo rregull i përgjithshëm për kapje pushteti kjo) kaloi në fashizëm. Nuk ka gjëra të pangjashme në këtë botë te vjetër. Mjafton të mos i harrojmë. Prandaj qëndron përherë aktuale ajo shprehja proverbiale e Julius Fuçikut para se të ekzekutohej nga nazistët: Njerëz ju dua. Jeni vigjilent!
NE DITELINDJEN E FISHTES KRYEMINISTRI SHKOI NE GJIROKASTER
FOTO LAJM ME RASTIN E DITËLINDJES SË AT GJERGJ FISHTËS/SHTEPIA E RRENUAR DHE E BRAKTISUR E AT GJERGJ FISHTES/
Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Kumbaro të djelën në GJirokastër për të parë nga afër zhvillimin e projektit të, “rijetëzimit të shtëpive të shkrimtarëve në Gjirokastër”.
Nga Frank Shkreli/
E Diela e 23 Tetorit shënoi 145-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës. Flamuri i kombit valvitet pranë bustit të vetmuar dhe të autorit të Lahutës së Malcisë të harruar, para shtëpisë gërmadhë ku dikur banonte poeti kombëtar, At Gjergj Fishta – dhe siç shihet në fotografinë më poshtë, në shkatërrim e sipër. Megjithse shteti shqiptar shtëpinë e Fishtës e kishte përcaktuar, sa për sy e faqe, me statusin “Monument Kulture” ç’prej vitit 1991 por i lënë pas dore për një çerek shekulli të të ashtuquajturës demokraci shqiptare – duke venë në dukje urrejtjen e turpshme shekullore të qeverisë komuniste të shekullit të kaluar dhe të qeverive post-komuniste shqiptare të këtij çerek shekulli, ndaj At Gjergj Fishtës.
Veni re kontrastin e theksuar të lënjes pas dore nga qeveria shqiptare, të shtëpisë ku jetoi Fishta , me lajmin që u përhap të djelën, në ditën e 145-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, sikur donin t’ia fusnin gishtin në sy Fishtës – se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro me “enturazhën” shoqëruese të ministrave dhe deputetve të zonës ishin për vizitë në Gjirokastër për të parë zhvillimin e një numër projektesh. Dhe jo vetëm çfardo objektesh, por projekte që synojnë, në “Restaurimin dhe rijetëzimin e banesave të Shkrimtarëve, Gjirokastër”, projekt ky i cili parashikon, ndër të tjera, ndërhyrje në strukturën e brendshme dhe të jashtme në 20 banesa të trashëgimisë materiale, për të evidentuar dhe konservuar vlerat historike dhe artistike të tyre, bazuar në modelin e shtëpisë së Kadaresë, njofton media shqiptare. Zonja Kumbaro ka pohuar se përveç kësaj, “Kemi një projekt tjetër për të restauruar 20 shtëpitë që ju i keni njoftuar tashmë, që i kemi quajtur Rrjetin e Shtëpive të Shkrimtarëve, sipas modelit të shtëpisë së Kadaresë.Lexuesi arrinë vet tek përfundimi se sa të përkushtuara janë institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar ndaj ruajtjes së kulturës shqiptare dhe ndaj kujtesës së atyre që e bënë këtë kulturë – trashgimtarëve të kulturës arbërore dhe mbrojtësve të vlerave dhe interesave të kombit shqiptar – trashgimtarëve, siç është At Gjergj Fishta i harruar.
Ndoshta është pak e rëndë ta them, por fatkqesia e këtij kombi është se përfaqsuesit e saj politikë, me entuziazëm, kanë kërkuar dhe kërkojnë pajtimin me sllavët, me grekët, me turqit me rusët, me kinezët, me italianët, me gjermanët, madje Enver Hoxha I dha shtjelm edhe Zotit për të adhuruar djallin. Duket sikur, shqiptarët janë vëllëzër me të gjithë, ndërkohë që nuk mund të pajtohen me At Gjergj Fishtën, i cili për ‘ta vazhdon të jetë gjithnjë “tradhtar”, “fashist”, ndër të tjera – por shqipot nuk mund të pajtohen as me njëri tjetrin, fatkeqsisht.
Kjo situatë, me të vërtetë kërkon një reflektim të thellë shpirtëror, nevojitë një rishqyrtim historik e të thellë të udhëkryqit ku gjënden sot shqiptarët për rivendosjen e vlerave morale dhe atdhetare por edhe të përcaktimit të ineteresave afatgjata të kombit, bazuar në këto vlera dhe në kujtimin e bartësve historikë të kombit shqiptar të këtyre vlerave, siç ishte At Gjergj Fishta.
Kujdes se kini humbur rrugën në oborr, siç thotë fjala popullore!