Nga: Behlul Jashari/
PRISHTINË, 28 Qershor.-Delegacionet nga Kosova dhe Serbia shkojnë në Bruksel, ku në 29 qershor, zhvillohet raundi i 27-të i dialogut në nivel të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA. Pas raundit të 26-të, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se bisedimet midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç, janë përqendruar në çështjet e pazgjidhura midis palëve, si: energjia, telekomi, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në veri të Kosovës dhe liria e lëvizjes.“Përparim i mirë është bërë në të gjitha çështjet. Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë për këto katër çështje në orët e ardhshme dhe ne do të mblidhemi shumë shpejt, në ditët e ardhshme, për të finalizuar marrëveshjet”, ka thënë Mogherini përmes një deklarate për media.Ajo po ashtu ka bërë të ditur se Memorandumi i Mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve të makinave është nënshkruar në margjina të takimit.
KOSOVA KA ÇËSHTJE TË PADISKUTUESHME E TË PANEGOCIUESHME
Kryeministri i Kosovës, Mustafa, nuk është deklaruar për mediat as para, as pas takimit në Bruksel, ndërsa pas kthimit në Prishtinë, në një mbledhje të qeverisë, tha se, “ gjatë takimit të datës 23 qershor janë trajtuar disa prej çështjeve që kanë qenë të parapara, si çështja e parimeve themelore lidhur me asociacionin e komunave, çështja e energjisë, çështja e kodit telefonik, çështja e kalimit mbi urën e Ibrit dhe poashtu është arritur që të nënshkruhet Marrëveshja lidhur me policat e sigurimit”.
“Mund të them se për çështjet e tjera, sa i përket asociacionit të komunave, energjisë, për të cilat është diskutuar në mënyrë specifike, të tjerat nuk kanë arritur të diskutohen thellësisht. Kemi mbetur që të punojmë edhe më tutje në nivel të ekspertëve për të sqaruar disa çështje që kanë qenë shumë të hapura ndërmjet nesh dhe jemi marrë vesh që të vazhdojmë këtë të hënë”, shtoi ai.
Ne, vijoi Mustafa, jemi angazhuar që të gjitha këto çështje të zgjidhen në suaza të parimeve të cilat ne i kemi përcaktuar më parë dhe unë mendoj se ashtu edhe do të ndodhë.
“Jemi marrë vesh që dialogu të vazhdohet për të njëjtat tema, që të mos dalim dhe të themi se kush kujt çka i tha, sepse ajo nuk na ndihmon ne që të zhvillojmë një dialog konstruktiv, por që, çështjet të cilat i kemi biseduar atje të jenë çështje të një dialogu i cili zhvillohet natyrisht nganjëherë edhe me pajtime dhe mospajtime, por që të bëjmë përpjekje që t’i përafrojmë qëndrimet duke u bazuar në parimet e domosdoshme që ne duhet t’i respektojmë, që është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet që janë në fuqi, që është prona e Kosovës, që është e padiskutueshme dhe e panegociueshme”, tha kryeministri Mustafa.
“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që dialogu të jetë konstruktiv dhe që zgjidhjet të jenë ato të cilat do të ndihmojnë që ne në të ardhmen t’i lëmë anash problemet të cilat i kemi tani të hapura, por edhe të orientohemi në perspektivën tonë zhvillimore dhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi kreu i qeverisë kosovare.
Kryeministri i Serbisë, Vuçiç, ka folur në Bruksel, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Mustafa, ku ka thënë se bisedimet kanë qenë shumë të vështira dhe se nuk është arritur ndonjë marrëveshje finale.
“Kemi shënuar mjaft përparim, para së gjithash për çështjen më të vështirë që është Asociacioni i Komunave Serbe. Shpresoj se në ditët e ardhshme, së paku këtë marrëveshje mund ta finalizojmë, por po punojmë intensivisht dhe seriozisht për të gjitha temat e tjera”, ka thënë Vuçiç.
Ndërsa sot, kryeministri serb Vuçiç, ka thënë se në takimin e nesërm në Bruksel, pjesë e dialogut me Prishtinën, shkon me besim të mirë dhe ka theksuar se Serbia është e gatshme për kompromis, por se ka thënë se “nuk varet prej nesh se çfarë do të ndodh”.
Sipas Vuçiç përfaqësuesit e Prishtinës kanë shkelur marrëveshjen për mos-dhënie të detajeve në lidhje me bisedimet që janë zhvilluar në Bruksel herën e fundit.
Kryeministri i Serbisë, sipas raportimit të medias, ka shprehur edhe pakënaqësinë e tij në lidhje me mos-themelimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës.
Edhe në takimin e nesërm temat kryesore pritet të jenë të njëjta me ato të takimit të kaluar. “Bashkësia e komunave serbe” në Kosovë, renditej e para nga “katër temat” e raundit të 26-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd. Media në Serbi ka renditur të dytën “energjetikën”, të tretën “telekomunikacionin” dhe të katërtën “Parkun e paqes” siç e quajnë barrikadën në urën kryesore mbi lumin Ibër të qytetit të Mitrovicës, që ndanë veriun me shumicë serbe nga jugu me shumicë shqiptare.
Burimet zyrtare në Prishtinë po ashtu kanë theksuar katër tema, me dallim vetëm në renditje, “energjinë, telekomin, barrikadën mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë dhe Asociacionin e komunave serbe”, duke bërë të ditur se për këto çështje para takimit të kryeministrave të Kosovës e Serbisë në Bruksel kanë qëndruar dhe kanë vazhduar të jenë atje grupet punuese kosovare në kuadër të dialogut.
KOSOVA DHE SERBIA PËR KATËR VITE BISEDIMESH NË BRUKSEL KANË ARRITUR 20 MARRËVESHJE
Për katër vite bisedimesh në Bruksel, që nisën me teknike e kaluan në nivel të lartë kryeministror, Kosova dhe Serbia kanë arritur 20 marrëveshje. Këtë e bëri të ditur sot në Prishtinë ministrja për Dialogun në qeverinë kosovare, Edita Tahiri, në konferencën e tretë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës, ku foli për temën “Progresi në dialogun e Brukselit dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës”.
“Sot katër vite pas, janë arritur njëzet e dy marrëveshje me Serbinë, disa janë zbatuar nga Serbia, e disa janë rrugës së zbatimit, dhe në disa fusha Serbia ka shënuar ngecje serioze në zbatimin e marrëveshjeve”, u shpreh ajo.
Ministrja Tahiri tha se dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka dhënë rezultate të rëndësishme në disa plane. Vlen të veçohen rezultatet në forcimin e kushtetutshmërisë, ligjit dhe demokracisë në tërë vendin dhe shuarja e strukturave paralele serbe në fushat ku janë arritur marrëveshjet, pastaj përparime ka pasur në normalizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë, dhe në mënyrë të veçantë dialogu i Brukselit ka kontribuar në perspektivën euro-atlantike për Kosovën. Ajo pastaj u ndal në veçanti tek procesi i zbatimit të marrëveshjeve në fushën e drejtësisë dhe shuarjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” si dhe informoi mbi takimin e radhës në Bruksel në nivel kryeministrash ku do të trajtohen dhe eventualisht mbërrihen marrëveshjet për temat që janë në rend dite. Ajo shprehu pritshmërinë që do të ketë rezultate për përmbylljen e çështjes së kodit shtetëror telefonik, për të cilën do të aplikojë shteti i Austrisë, pastaj do të ketë përparime në çështjet e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, në përkufizimin e parimeve të përgjithshme për asociacionin dhe për heqjen e barrikadës nga ura e lumit Ibër.
Ministrja Tahiri shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të polisave të sigurimit të automjeteve mes dy shteteve, e cila marrëveshje do të ulë koston e tarifave dhe mundësojë një lëvizje më të lirë për qytetarët dhe në veçanti për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Kosova me dialogun e Brukselit po dëshmohet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe vetë Dialogu i Brukselit po konsiderohet si kontribuuesi kryesor për paqen në rajon duke qenë se në vendet tjera nuk ka pasur zhvillime inkurajuese, duke pasur parasysh që në Maqedoni ka probleme demokratike dhe etnike ku nuk ka pasur përparime në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe po ashtu Bosnja vazhdon me sfidat e saja”, tha ministrja Tahiri.
Në Bruksel të hënën e 29 qershorit 2015 takohen për herë të katërt kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, ndërsa nga 26 raundet e zhvilluara deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Takimi i parë kryeministror në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa i 26-ti në 23 qershor 2015. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik Kosovë-Serbi, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre.
PYETJE NË KUVENDIN E KOSOVËS: PËR ÇKA U DAKORDUAT DHE ÇKA DO TË NËNSHKRUANI TË HËNËN ME DELEGACIONIN E SERBISË NË BRUKSEL?
Pas raundit të 26-të, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës në 25 qershor ka nisur me pyetjet për delegacionin kosovar se çka biseduan e për çka u dakorduan në raundin e 26-të kryeministror në 23 qershor dhe çka do të nënshkruajnë të hënën me delegacionin e Serbisë në Bruksel. Gjatë koha për deklarimeve jashtë rendit të ditës, këto pyetje i bënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, dhe deputetja e Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, duke theksuar opinonin e tyre se bashkësia e komunave serbe në veri do jetë një autonomi apo republikë.
“Te ne po krijohet rajoni autonom…Ky rajon autonom as nuk ka lojalitet ndaj shtetit të Kosovës, do të jetë në plotëni i udhëhequr politikisht prej Republikës së Serbisë”, u shpreh deputeti Deda. Sipas tij, “kompromiset në emër të Kosovës po vazhdojnë dhe janë duke u shkelur vijat e kuqe”.
“Për çka keni biseduar dhe çfarë vendimesh keni arritur me palën serbe…Ju do të jeni ata që në Bruksel do ta firmosni një marrëveshje në dëm të vendit, atë të bashkësisë serbe, apo thënë më mirë krijimin e një Republika Srpska brenda Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne dhe qytetarët e vendit tonë”, është shprehur deputetja Bajrami.
Gjatë këtyre deklarimeve jashtë rendit të ditës, ku u bënë edhe pyetje, kryeministri Isa Mustafa e zëvendëskryeministri Hashim Thaçi nuk ishin prezentë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, prandaj as nuk pati përgjigje.
Shtypi i Prishtinë në mëngjesin e 23 qershorit theksonte se, “në bisedimet e sotme në Bruksel, pala serbe do të insistojë në themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe brenda dy muajve”. “Nëse realizohen pritjet e Beogradit zyrtar që Asociacioni i Komunave Serbe të themelohet brenda dy muajve, atëherë veriu i Kosovës do të mbetet nën kontrollin e Serbisë edhe për një kohë të pacaktuar. Prandaj kërkohet nga pala kosovare që sot në Bruksel të mos arrijë ndonjë marrëveshje, që ua zgjat jetën strukturave paralele që financohen nga Serbia”, shtohet më tej.
Përkujtohej se, “në Prishtinë është thënë disa herë se Asociacioni do të themelohet vetëm kur të sigurohet shpërbërja e tërësishme e strukturave ilegale” dhe se pjesë e tyre “në veriun e Kosovës nuk është vetëm ‘Mbrojtja Civile’ (‘Civilna Zastita’) për të cilën është arritur një marrëveshje për transformim”.
Marrëveshja 15 pikëshe për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar para dy vitesh, në 19 prill 2013, nga Thaçi e Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton, në 6 pikat e para ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë:
TEKSTI I MARRËVESHJES KOSOVË-SERBI, PARAFUAR NË 19 PRILL 2013 NË BRUKSEL
1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen.
2. Bashkësia/Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).
3. Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.
4. Në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi në gjendje të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë/Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
5. Asociacion/Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
6. Bashkësia/Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues.