• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Oda Ekonomike e Kosovës, kryetar zgjedhet Berat Rukiqi

July 11, 2018 by dgreca

-Oda Ekonomike e Kosovës përfundon procesin zgjedhor, kryetari i ri Berat Rukiqi: Objektivat kryesore në mandatin 4 vjeçar do të jenë të fokusuara në mbulimin e hendekut të krijuar nga paaftësia e institucioneve për të siguruar rritje ekonomike të qëndrueshme, përkatësisht duke u fokusuar në përkrahjen dhe promovimin e eksportit, në harmonizimin e nevojave të tregut të punës me sistemin edukativo-arsimor si dhe në digjitalizimin e ekonomisë konform trendeve globale/

1Berat rukiqi2 Rukiqi flet4 gerxhaliu

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ PRISHTINË, 11 Korrik 2018/ Oda Ekonomike e Kosovës përfundon procesin zgjedhor, kryetar u zgjodh Berat Rukiqi.

Pas një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent zgjedhor, për përzgjedhjen e organeve qeverisëse të Odës Ekonomike Kosovës, proces në të cilin morën pjesë mbi 1,800 anëtarë të Odës Ekonomike, në bazë të parimit një anëtar një votë, nga të gjitha shoqatat sektoriale si dhe nga njësitë rajonale të Odës (29 shoqata dhe 7 njësi rajonale), sot u zgjodhën strukturat drejtuese, përkatësisht organet e Odës Ekonomike të Kosovës.
Procesi zgjedhor u kurorëzua me zgjedhjen e kryetarit të ri të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili njeherit ishte kandidati i vetëm. Rukiqi ka një përvojë të gjatë në sektorin publik dhe privat, duke qenë i angazhuar për 1 vit në Zyrën e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, 11 vite në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës, 10 vite si staf i rregullt në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”, 4 vite kryesues i Bordit të Drejtoreve të Korporatës Energjetike të Kosovës, anëtarë i Bordit të “Millennium Foundation Kosovo”, si dhe është bashkëthemelues dhe bashkëpronar në kompaninë “Trosha”.
Në fjalimin para delegateve kryetari i ri i Odës Ekonomike të Kosovës u zotua për partneritet të fuqishëm me bizneset dhe sektorin privat në përgjithësi për përfaqësim të denjë të zërit të tyre në raport me institucionet vendimmarrëse në vend dhe partneret ndërkombëtarë.

“Objektivat kryesore në mandatin 4 vjeçar do të jenë të fokusuara në mbulimin e hendekut të krijuar nga paaftësia e institucioneve për të siguruar rritje ekonomike të qëndrueshme, përkatësisht duke u fokusuar në përkrahjen dhe promovimin e eksportit, në harmonizimin e nevojave të tregut të punës me sistemin edukativo-arsimor si dhe në digjitalizimin e ekonomisë konform trendeve globale”, theksoi Rukiqi.
Kuvendi i ri i Odës Ekonomike të Kosovës falënderoi angazhimin e strukturave të kaluara drejtuese të Odës Ekonomike të Kosovës për zhvillimin e saj, veçanërisht kryetarin e OEK-ut, Safet Gërxhaliu. Përveç kryetarit, Kuvendi i ri i Odës ka 71 anëtarë, i cili zgjodhi edhe Këshillin e ri Drejtues me përbërje nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Po ashtu zgjodhi Këshillin Mbikëqyrës dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Parim Bajramin. Të gjitha strukturat drejtuese të Odës Ekonomike të Kosovës janë zgjedhur për mandat 4 vjeçar./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Berat Rukiqi, kryetar, oda ekonomike

REALIZIM I REFORMËS NË DREJTESI KËRKON V. ZHITIN PRESIDENT DHE S. NGJELËN KRYETAR TË GJYKATËS KUSHTETUESE

January 16, 2017 by dgreca

Opinion nga Thanas L. Gjika/
Situata parazgjedhore mjaft e nderë tregon se Partia Socialiste, që kryeson sot qeverinë e Republikës së Shqipërisë i ka kurdisur planet pa marrë parasysh kërkesat e opozitës e në vecanti ato të të përndjekurve të ndërgjegjes, forcës më brilante të shoqërisë sonë. Mirëpo rëndësia që kanë posti i Presidentit dhe ai i Kryetarit te Gjykatës Kushtetuese për ecurinë e reformës në drejtësi, na shtyn të shprehim disa mendime pse personalitete të shquar të opozitës shqiptare nga radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, si shkrimtari i talentuar Visar Zhiti dhe analisti i mprehtë avokati Spartak Ngjela duhet të caktohen dhe të zgjidhen sa më parë në postet e rëndësishme të Presidentit dhe të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.Deri sot të përndjekurit e ndërgjegjes janë mbajtur larg nga pushteti, prandaj Shqipëria është kthyer në një vend prej të cilit duan të ikin të gjithë të rinjtë, sepse aty mungon morali dhe vlerësimi i së vërtetës, sepse këtë mund ta sjellin vetëm ata që kanë vuajtur prej diktaturës komuniste dhe jo ish komunistët, ish sigurimsat e bijtë e tyre që kanë veshur rroba blu ose rozë.
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, nëse do vërtet të realizojë reformën në drejtësi duhet pa tjetër të luftojë për të sjellë në postet e duhura njerëz që do ta ndihmojnë me ndershmëri për ecurinë e kësaj reforme.
VISA ZHITI, është intelektuali i shquar me bindje të thella demokratike, nga radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, shkrimtar shumë i talentuar, i vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Me veprat e tij të shumta letrare dhe gazetareske ka zënë vendin e shkrimtarit më prestigjoz të ditëve tona, është rast ideal dhe i pakonkurueshëm për t’u propozuar dhe zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë.
Visar Zhiti
Zgjedhja e këtij personaliteti shqiptar, që ngjan aq shumë me Vaclav Havelin e Republikës Çeke, do të krijonte një imazh tjetër për Shqipërinë në planin ndërkombëtar, kurse në plan kombëtar do të tregonte se partitë politike, sidomos PS-ja, po ecin drejt emancipimit.

SPARTAK NGJELA është avokat nga profesioni, ka njohuri të thella shkencore në shkencat juridike dhe historike. Ai ka shkruar analizat më të thella në plan juridik e filozofik për të metat dhe krimet e diktaturës komuniste. Ai është një nga analistët më aktivë për ecurinë e reformës në drejtësi. Përgatitja e tij e shumanshme si jurist, historian e filozof e bëjnë këtë personatitet, që vjen nga radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, një person të pakonkurueshëm për t’u caktuar dhe zgjedhur në postin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Duke zgjedhur të tillë personalitete me formim të lartë demokratik në postet që sugjeruam, reforma në drejtësi do të ecë shpejt dhe Shqipëria do të bëhet atdhe i dashur për të gjithë shqiptarët. Edhe në Shqipëri do të mbizotërojë kultura perëndimore europiane e individualitetit dhe e personalitetit të ndershëm.
Attachments area

Filed Under: Komente Tagged With: Gjykates Kushtetuse, kryetar, Spartak Ngjela, Visar Zhiti-President

Aqif Blyta kryetar i Novi Pazarit të shpallet hero kombëtar !

March 11, 2015 by dgreca

Iniciativa e Nexhmedin Spahiut,që Aqif Blyta të shpallet hero kombëtar, shumë e qëlluar dhe kaherë e domosdoshme./
Shkruan:Ismet Azizi/
Ne Foto:Aqif Blyta kryetar i Novi Pazarit (1941-1945) /
Gjakovari Aqif Blyta ishte njëri ndër politikanët dhe patriotët shqiptarë të Sanxhakut të Pazarit të Ri ndërmjet dy luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aqif Blyta është veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Aqif- efendia në rolin e komandantit është më i merituari në mbrojtjen e N. Pazarit nga çetnikët. Aqif efendiu është lindur në N. Pazar në vitin 1887. Në N. Pazar babi i tij Emin-aga Blyta kishte ardhur nga Gjakova.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizimit ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës ishin nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues, me tërheqje shorti, kishin caktuar Hasë Rozhajën por më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Aqif Blyta organizon mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit të Ri dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive shqiptare nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën, të cilin e kishte dhëndërr (burri i motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave
Shqiptarët dhe popullsia myslimane e Sanxhakut e mbajnë në mend Aqif ef. Blytën si një një tribun popullor, lider me autoritet të padiskutueshëm, orator i aftë dhe poliglot. Këtij personaliteti të rëndësishëm i takojnë të gjitha meritat për futjen e popujve të besimit islam siç ishin Shqiptarët, Boshnjakët dhe Turqit të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në jetën parlamentare të Mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1945).
Aqif Blyta, po ashtu, është njëri nga themeluesit e Xhemijetit – partisë politike që përfaqësoi dhe mbrojti interesat e tre kombeve, e cila u ndalua në vitin 1924, pas një shkrimi protestues të udhëheqësisë së saj drejtuar parlamentit për krimet e tmerrshme të malazezëve kundër popullatës në Shahoviq dhe Pavin Pole (më shumë se 1.000 të therur dhe masakruar). Xhemijeti ishte edhe kundër shkatërrimit të xhamisë Burmali në Shkup (në nëntor 1924), në të cilën vend është ndërtuar ndërtesa e Klubit të Oficerëve serb (e shkatërruar nga tërmeti në vitin 1963).
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Mbretërisë së Jugosllavisë, midis 6-7 nëntor dhe 6 dhjetor 1941, Aqif Blyta arinë të organizojë mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe kundërvimit të tri sulmeve të forta çetnike, ku u vranë 756 njerëz, nga të cilat dy të tretat ishin nga radhët e luftëtarëve të mbrojtjes së Pazarit të Ri, që në atë kohë kishte rreth 8.000-10.000 banorë. Për fat të mirë, në qytet nuk ka pasur viktima të civilëve, pavarësisht nga gënjeshtrat e përhapura kinse aty janë vrarë 7000 qytetarë serbë (e që as sot nuk janë në atë numër).
Jemi dëshmitarë të përhapjes së të pavërtetave të shumta, absurditeteve dhe mashtrimeve të krimeve jo-ekzistuese, çmimit “Iron Cross” (që kurrë nuk i dhuruar ndonjë myslimani), të persekutimit të hebrenjve, duke iu shmangur faktit se vet personalisht Aqif Blyta i ka marrë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb së paku 420 të tillë, ndërsa lidhjet e tij me Turqinë i ka shfrytëzuar për t’i kaluar ato pak familje hebreje me të cilat kishte lidhje biznesore apo miqësore”, thuhet në një reagim të historianëve të Sanxhakut, në lidhje me diskreditimin nga opinioni serb ndaj personalitetit të Aqif Blytës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aqif Blyta, hero Kombetar, i Novi Pazarit, kryetar

KRISTO KIRKA-Kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”

February 19, 2015 by dgreca

NGA URAN BUTKA*/
Në vitin 1908 Kristo Kirka u zgjodh kryetar i shoqërisë “Besa-Besën” dhe punoi me vetmohim për ta bërë atë vatrën kryesore ku të mblidheshin dhe të bashkëvepronin gjithë shqiptarët. Shoqëria “Besa-Besën” u shndërrua në shoqërinë më të fuqishme të shqiptarëve të Amerikës dhe u bë faktori kryesor i bashkimit të të gjitha shoqërive të tjera në një federatë gjithëshqiptare.
Në këto kushte lindi nevoja për një gazetë, zëdhënëse e shqiptarëve të Amerikës, por edhe tribunë e mendimit të çështjes sonë kombëtare. Më 15 shkurt të vitit 1909, shoqëria “Besa-Besën” nisi botimin e gazetës së mirënjohur “Dielli”. Vetë titulli i saj “Dielli”, i qëmtuar nga Fan Noli, ishte kuptimplotë: Dielli, që do të ndriçonte mendjen dhe rrugën e shqiptarëve. Numri i parë i saj doli në Boston më 15 shkurt 1909, si gazetë e përjavshme, mandej dy herë në javë, ndërsa në kohën e Çekrezit u bë e përditshme, shqip dhe anglisht. Në krye të numrit të parë, shpallej diviza: “Dielli është organ i shqiptarëve kombëtarë, që kërkojnë vetëqeverimin për Shqipërinë”.
Gjatë gjithë ekzistencës së saj, ka qenë një nga faqet më të rëndësishme të shtypit shqiptar. Qysh në krye, ajo ka përkrahur lëvizjet për autonomi në kuadrin e katër vilajeteve, mandej lëvizjet për ndergjegjësim kombëtar, për liri dhe pavarësi, luftën kundër politikave shoviniste e pushtuese të shteteve fqinje, si: Greqia, Serbia dhe Italia, kundër planeve të disa Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, si edhe ka propaganduar vijimisht idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet kombëtar e demokratik, sipas modelit të demokracive perëndimore. Ndërkohë, ka pasqyruar jetën, veprimtaritë kombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ndihmën e tyre në dobi të atdheut e të çështjes kombëtare.
Redaktori dhe editori i parë i gazetës “Dielli” ishte Fan Noli, i cili me editorialet e tij të thukta, i dha drejtimin dhe peshën e duhur kësaj gazete kombëtare.
Në mbledhjen e përgjithshshme të shoqërisë “Besa-Besën” në Boston, më 14 mars 1909, për të zgjedhur Pleqësinë e shoqërisë dhe për të këqyrur ecurinë e gazetës “Dielli”, folën Fan Noli, Kristo Kirka, Nikolla Poçi e të tjerë. Pleqësia e zgjedhur i bëri thirrje Faik Konicës , drejtor i gazetës “Albania” në Londër, që të pranonte drejtimin e gazetës “Dielli”, ftesë që ai e pranoi.
Në këtë mbledhje u zgjodh edhe redaksia e gazetës: G.Gjoleka menaxher, Kristo Kirka gazetar dhe K.Kristofor arkëtar.
Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë, më 9 tetor 1909 dhe vendosjen e këtij personaliteti të shquar për të drejtuar gazetën “Dielli”, u rrit dukshëm cilësia dhe fama e gazetës, por edhe veprimtaria kombëtare e shqiptarëve të Amerikës.
Gjatë vitit 1909 u rishtrua çështja e bashkimit të të gjitha shoqërive në një të vetme. Pleqësia e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut”, përmes një letre botuar te gazeta “Dielli”, argumentonte domosdoshmërinë e shoqërive të krijuara an’e kënd Amerikës. Shoqëria “Besa-Besën” mori nismën që të organizonte një sërë mitingjesh në qendrat kryesore ku banonin shqiptarët, për të propaganduar bashkimin. Mitingu i parë u organizua më 1 nëntor 1909 në Phoenix Hall, ku erdhën shqiptarë nga Bostoni, por edhe nga Natick, Hudson, Buffalo, New Bedford, Worcester etj. Mitingun e hapi Kristo Kirka, kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”. Në emër të kësaj shoqërie, ai bëri thirrje për bashkim, si një aspiratë kombëtare. Oratorët Faik Konica, Fan Noli,Themistokli Millona dhe Kol Kristofori folën për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë dhe për organizimin e shqiptarëve tëAmerikës.
Mitingje masive u organizuan edhe në Hudson, më 12 nëntor 1909, në Bedford, më 18 nëntor, në Natick, më 25 nëntor, në Worcester, më 1 dhjetor, në Southbridge, më 14 dhjetor. Këto tubime luajtën një rol të rëndësishëm për fuqizimin dhe rritjen e shoqërisë “Besa-Besën”, por edhe në rrugëtimin drejt bashkimit. Thuajse një miting në javë, një gjë e pazakontë, por edhe një punë e palodhur, veçanërisht e organizatorit Kristo Kirka, që kishte një energji të pashtershme dhe një vullnet të pathyer.
Gazeta “Dielli” e datës 28 janar 1910, shkruante: “Pleqësia e Besa-Besës mbajti një mbledhje të dielën e shkuar në zyrë të “Diellit”. Ishin në mbledhje Z.Kristo Kirka, kryetari; z. Tromara, sekretari dhe z.Andea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir nga pleqësia” Kryetari i shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka, luajti një rol të rëndësishëm bashkues. Por, krahas zgjerimit të shoqërisë “Besa-Besën” me anëtarë të rinj dhe mirëkuptimit gjithnjë e më të madh për bashkimin e gjithë shoqërive në një organizatë të vetme, u shfaqën edhe mosmarrëveshje të brendshme.
“Kulmin këto mosmarrëveshje e arritën në mbledhjen e 20 shkurtit 1910 të kësaj shoqërie, që u mbajt në Boston. Kryetari Kristo Kirka, i cili e drejtoi këtë mbledhje, theksoi domosdoshmërinë dhe nevojën e një lidhjeje apo federimi në mes të shoqërive shqiptare të krijuara në Amerikë… Nga diskutimet që u bënë në këtë mbledhje, u dukën qartë kontradiktat midis kryetarit të shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka dhe drejtorit të “Diellit” Faik Konica, kryesisht për disa artikuj të botuar në gazetën “Dielli”. Kryetari i shoqërisë kërkoi me këmbëngulje që drejtimi i gazetës “Dielli” të kalonte në duart e kryesisë së shoqërisë, gjë që nuk u pranua prej Faik Konicës, i cili theksoi se “përsa kohë do të ishte drejtor i këtij organi, nuk do të lejonte kërkënd të fuste hundët në punët e tij”. Mosmarrëveshjet u thelluan edhe për një problem tjetër që u ngrit në këtë mbledhje: botimi i një gazete tjetër në Boston të titulluar “Flamuri” dhe që drejtohej po prej Faik Konicës. “Flamuri” ndryshonte nga “Dielli”, sepse e kërkonte vetëqeverimin e Shqipërisë vetëm në rrugë kushtetuese. Konica theksoi se e kishte botuar me qëllim këtë gazetë, që ajo të hynte në Shqipëri, sepse gazeta “Dielli” nuk lejohej prej xhonturqve”.
Faik Konica dha dorëheqjen si drejtor i gazetës “Dielli”, ndërkohë që vazhdoi të botonte “Flamurin”. Shoqëria “Besa-Besën” zgjodhi një komision me Kristo Kirkën në krye, për të drejtuar shoqërinë dhe organin e saj, “Diellin”.
Gjithsesi, kjo mosmarrëveshje ishte në dëm të shoqërisë e të gazetës “Dielli”, por edhe të projektit të bashkimit, ndaj të dyja palët bënë një marrëveshje, u ulën në bisedime, zgjodhën një komision të përbashkët dhe shkuan në votime demokratike, me votë të fshehtë. Kryetar i shoqërisë u zgjodh Josif Pani. Kryesia e re ia dorëzoi sërish gazetën “Dielli” Faik Konicës, maj 1910. Të dyja gazetat, për një kohë, u bashkuan në një emër të përbashkët “Dielli dhe Flamuri”.
Pavarësisht nga mospërputhja e mendimeve për probleme apo qëndrime të caktuara, midis Kirkës dhe Konicës vazhdoi bashkëpunimi në dobi të çështjes kombëtare.
Në përvjetorin e parë të “Diellit”, më 11 shkurt 1910, editori i gazetës, Faik Konica, tek përshkruante rrugën njëvjeçare, do të vlerësonte në mënyrë të veçantë veprimtarinë e shoqërisë “Besa-Besën” dhe të kryetarit të saj, Kristo Kirka:
“Me këtë numër, “Dielli” mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjë herë, rri mbi një gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh sesa eci dhe ç’mbaroi gjer atje. Ashtu, edhe ne do të marrim forcë të re, duke shikuar punët që bëmë gjer sot…Shoqërisë “Besa-Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur të saj, Kristo Kirka, pleqësisë së nxehtë , kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra”
Pas shoqërisë “Besa-Besën”, në SHBA u themeluan edhe mjaft shoqëri të tjera të rëndësishme, që ndikuan në bashkimin, ndërgjegjësimin dhe arsimimin e emigrantëve shqiptarë atje, por edhe ndihmuan bashkëkombasit e tyre në Shqipëri.
Një nga këto, shoqëria korçare ”Arsimi”, e themeluar në vitin 1909 në Hudson, por e zhvendosur më pas në Boston, dha një ndihmesë të çmuar në arsimimin e emigrantëve shqiptarë në Hudson e Boston, por edhe në zhvillimin e arsimit në qytetin e Korçës. Në krye të kësaj shoqërie ishte Kristo Kirka.
Po ashtu, u formuan edhe shoqëritë “Shpresa” në Bideford, shoqëria “Dallandyshe” dhe “Mbarësia” në Marlboro, shoqëria ndihmëtare ”Bashkimi”, “Flamuri i Krujës” e të tjera.
Të gjitha këto shoqëri dhe organet e tyre të shtypit e kishin kthyer shikimin nga Shqipëria që lëngonte nën sundimin osman, por edhe që përpiqej të dilte nga kjo gjendje. Shoqëritë patriotike të Amerikës inkurajonin çeljen e shkollave shqipe, arsimimin në gjuhën shqipe, ngritjen e çetave të para të lirisë, luftën kundër shovinizmit dhe kishës greke, përkrahjen e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1911, si edhe mbrojten e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA.
Ja ç’shkruan gazeta “Dielli”, 18 nëntor 1910:
“Ende pa marrë kryesinë Z. Kirka, anëtarët e Shoqërisë korçare “Arsimi” qenë shumë të pakë, por që kur u zgjodh kryetar Z.Kirka, i cili kurdoherë është rrëfyer atdhetar, anëtarët u shtuan shumë dhe është shpresë që të vejë më përpara shoqëria “Arsimi” për të përmbushur qëllimin e saj. Kryetari Kirka foli me hollësi për qëllimin e shoqërisë dhe u dha kurajo gjithë dëgjonjësve që të mos dëshpërohen për mbylljen e shkollave shqipe në Shqipëri, se do të vijë koha që do të hapen prapë dhe atëherë shoqëria jonë ka për detyrë t’u ndihë shkollave shqip, për të cilat është ngritur”.
Kristoja ishte i mendimit që shqiptarët duhet të përfitonin nga liritë e shpallura nga xhonturqit, për të përhapur abecenë e njësuar , për të ngritur shkolla, klube kulturorë, shtyp të lirë dhe veprimtari të tjera, që të vetëdijësoheshin e të bashkoheshin shpirtërisht.
“Gjuha dhe letërsia shqiptare bënë udhën e tyre, por me mundime. Armiqtë filluan luftën e rregullt kundra shqiptarizmës… Më 1908, kur u shpall lirija konstitucionale, në të gjithë anët ku ndodheshin shqiptarë, u hapnë klube, u botuan fletore, edhe u shtypnë e u përhapnë libra edhe u krijua Normaleja e Elbasanit për të pregatitur mësonjës të aftë. Mirëpo , faktorët ngatërrestarë të huaj, duke u mbështetur n’elementët fanatikë të vendit, dëndësuan luftën në të katër anët. Lufta për shkronjat dhe gjuhën doli në krye. Xhonturqit kërkuan që shqipja të shkruhej me germa arabishte dhe të përhapej kultura osmane. Me qenë se shkronjat arabishte, përveç që nuk kanë zënore, por edhe si një gjuhë semitike, nuk përfshijnë as bashkëtingëllore, me një fjalë ishte një mjet mashtronjës për t’i ndaluar shqiptarët në fushën e kulturës. Në tërë Shqipërinë bota u nda më dysh: partizanët e shkronjave latine dhe partizanët e shkronjave arabe. E para përfaqësonte kulturën evropiane edhe e dyta kulturën orientale, e para përfaqësonte nacionalizmën shqiptare, edhe e dyta fanatizmën fetare, e para gjallëri në jetë, e dyta vdekjen. Në këtë luftë, grekët dhe serbët ndihmonin propagandën e xhonturqve…Nacionalistët u detyruan të formojnë çeta dhe t’organizojnë kryengritje. Me rëndësi ishte ajo e Kosovës, e cila përfundoi me zbritjen e kryengritësve në Shkup” – shkruante Kristo Kirka.
Ai përpiqej që shqiptarët e Amerikës të mbanin gjallë gjuhën shqipe, të shkruanin e të lexonin në gjuhën e mëmës, të merrnin dituri dhe të kulturoheshin. Nga shoqëria “Arsimi” organizoheshin kurse dhe shkolla sezonale për të mësuar gjuhën shqipe të shkruar. Madje, Kristo Kirka, bënte thirrje për themelimin e një shoqërie theatrale, që të zbukuronte jetën e emigrantëve shqiptarë dhe të edukonte atdhetarizmin e tyre:
“Thërriten gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në dramat “Besa” të Sami Frashërit, “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos etj. dhe çdo atdhetar që dëshiron të marrë pjesë në një shoqëri theatrale, të ndodhen në mbledhjen që do të mbahet më 29 të vjeshtës së dytë 1911, për të rregulluar një shoqëri theatrale”
Kështu, me nismën e Kristos, u themelua shoqëria teatrale “Lahuta”, me qendër në Boston.

*Marre nga Monografia e Uran Butkes”Kristo KIRKA)

Filed Under: Histori Tagged With: Besa-Besen, Kristo Kirka, kryetar, Uran Butka

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT