• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi i Ri i Kosovës, seanca konstituive në 22 Mars 2021

March 15, 2021 by dgreca

-Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka caktuar për datën 22 Mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII  të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 Shkurtit/

-Të dielen e 14 Shkurtit 2021 Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme/

-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001/

-Legjislatura e tretë, e  zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007,  ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/

-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 15 Mars 2021/ Kuvendi i Kosovës me 120 deputetët e zgjedhjeve të parakohëshme të 14 Shkurtit 2021 konstituohet pas një jave – në 22 Mars 2021.

“U.d. Presidentja Vjosa Osmani, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ka caktuar për datën 22 mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII  të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi”, thekson njoftimi i dërguar sot nga Presidenca e Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani dhe kryetari i partisë fituese – Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë zhvilluar sot takimet e para me subjekte politike për t’u konsultuar për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve.

Në Kosovë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021, sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,  Lista e Lëvizjes Vetëvendosje është fituese me 438.335 vota  – 50,280 përqind  – 58 mandate deputetësh të Kuvendit 120 anëtarësh,  e numri dy në këtë listë Vjosa Osmani është më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300 756 vota. Gjatë historisë së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më shumë vota ka marrë vetëm Presidenti historik i Kosovës Ibrahim  Rugova.

Nga votimet në zgjedhjet e Kosovës të 14 Shkurtit 2021 janë edhe këto rezultate përfundimtare të certifikuara:

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 17,009 përqind – 148.285 vota e 19 deputetë.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 12,731 përqind – 110.985 vota e  15 deputetë.

E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,124% përqind – 62.111 vota e 8 deputetë.

Me vendet e garantuara me Kushtetutën e Kosovës serbët kanë 10 deputetë dhe komunitetet tjera pakicë poashtu 10 deputetë.

Nisma Soacialdemokrate me 2,523 përqind – 21.997 vota  dhe parti të tjera shqiptare nuk e kanë kaluar pragun prej 5 përqind dhe nuk do jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kosova të dielen e 14 Shkurtit 2021 votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme.

Në Vitin e Ri 2021 Kosova shkoi në zgjedhje parlamentare  të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohëshme të 6 Tetorit të vitit 2019.

Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3  Shkurt u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në  3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem  prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

 Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

 Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

 Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

 Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

 Zgjedhjet e shtata parlamentare në liri, të katërta në pavarësi, u zhvilluan në 6 Tetor 2019 . Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,961,213, pjesëmarrja në zgjedhje 826,916 votuesë – 44.56%.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurt 2021 – të tetat në liri e të pestat në pavarësi numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,851,927, pjesëmarrja në zgjedhje 48.78% – numri i pranuar i fletëvotimeve të vlefshme 877,503.

 Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të dhunës e shtetrrethimit nga Serbia okupatore.

 Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Konstituimi me 22 Mars, Kuvendi I ri

ZHVILLIM I PAPRITUR NË SEANCËN KONSTITUIVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS

December 26, 2019 by dgreca

Speciale e Diellit nga Prishtina/

-Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca propozohet nga lideri i partisë Albin Kurti për kryetar Kuvendi dhe zgjedhjet edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e jo nënkryetarja e saj Vjosa Osmani, e cila në negociatat për bashkëqeverisje LVV-LDK  ishte përmendur si kryeparlamentare e ardhëshme. Në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës erdhën pa marrëveshje dy partitë fituese të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019 LVV e LDK/

-Nënkryetarë të Kuvendit u zgjodhën: Arbërie Nagavci (LVV), Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe nga pakicat Sllavko Simiq (LS-Lista Serbe) e Fikrim Damka (komunitetet tjera/

-Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, të gjithë Nënkryetarët dhe të gjithë Deputetët/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti i akredituar në Kosovë Behlul Jashari – raportim nga Kuvendi i Kosovës

PRISHTINË,  26 Dhjetor 2019/ Një zhvillim i papritur ndodhi sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me propozimin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të nënkryetarit të partisë Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit dhe me zgjedhjen e tij edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e së cilës Vjosa Osmani si kandidate për kryeparlamentare ishte përmendur në negociatat për bashkëqeverisje që deri tani rezultuan pa marrëveshje të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, LVV e LDK, të cilat ishin në opozitë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës është e drejtë ekskluzive e partisë ose koalicionit të parë në rezultatin e zgjedhjeve të propozojë kryetarin e Kuvendit.

Por, zhvillimi i sotëm i papritur në Kuvend e bënë të vështirë apo edhe të pamundur një marrëveshje bashkëqeverisje mes LVV e LDK e zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër, prandaj mund të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nëse nuk do negociohet edhe më tej e nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje, përfshirë ndarjen e posteve.

Një alternativë tjetër është të provohet që kushdo që arrinë t’i tubojë së paku 61 nënshkrime përkrahëse për t’u votuar të nominohet për kryeministër, edhe pse kjo paraqet problem nëse do ishte shkelje e Kushtetutës së Repubilikës së Kosovës, e cila në Nenin 95 nuk është krejt e qartë se si duhet të procedohet nëse i nominuari i parë për kryeministër i partisë fituese të zgjedhjeve nuk arrinë të ketë votat e duhura për t’u zgjedhur.

Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 4 Kushtetuta  përcakton se  “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i 

Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës 

Procedurë”.

Neni 95 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i plotë është ky:

“Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]

1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për 

Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e 

nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.  

2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet 

përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. 

3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të 

Kuvendit të Kosovës. 

4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i 

Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës 

procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall 

zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. 

5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria 

bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin 

që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. 

 6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet 

me ligj.”

Në seancën e sotme konstituive, me 75 vota për, kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës u zgjodh deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Nënkryetarë të Kuvendit u zgjodhën: Arbërie Nagavci (Vetëvendosje), Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe nga pakicat Sllavko Simiq (LS-Lista Serbe) dhe Fikrim Damka (komunitetet tjera)

 Zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit ka shënuar sot edhe konstituimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit.

Zgjedhjes së kryetarit dhe Kryesisë së re i parapriu verifikimi i kuorumit dhe mandateve të deputetëve, nga komisioni i përkohshëm i themeluar nga Kuvendi, si dhe më pas betimi i deputetëve.

Nga Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh 111 deputetët e pranishëm dhanë betimin në seancën e kryesuar nga deputeti më i vjetër Jahja Kokaj dhe deputetja më e re e kësaj legjislature, Fjolla Ujkani.

Në vazhdim, konform rendit të ditës, u procedua me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kryetar të Kuvendit propozoi deputetin Glauk Konjufca, për të cilin 75 deputetë votuan për, 27 ishin kundër dhe 6 të tjerë abstenuan.

Pas këtij votimi kryesuesi konstatoi se kryetar i Kuvendit zgjidhet Glauk Konjufca.

Seanca vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë shqiptare. Në pako për nënkryetarë të Kuvendit u votuan Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës. Në votim morën pjesë 111 deputetë, prej të cilëve 104 votuan për, 1 ishte kundër dhe 3 abstenuan.

Lista Serbe propozoi deputetin Sllavko Simiq, ndërsa deputeti Fikrim Damka u propozua nga komunitetet e tjera pakicë.

Të propozuarit morën besimin e 92 deputetëve, ndërsa 2 të tjerë votuan kundër dhe 2 abstenuan.

Pas zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca mbajti një fjalë rasti, gjatë të cilës falënderoi të gjithë ata që mundësuan themelimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 “Ne qysh në fillim duam t’ju falënderojmë që e themeluat Legjislaturën VII. Ju falënderojmë që na besuat këtë detyrë të rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi. Ne ju garantojmë që si Kryesi e Kuvendit të Republikës së Kosovës do t’i kryejmë detyrat tona ashtu siç kërkohet, me shumë nder, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe sipas Kushtetutës sonë që është në fuqi. I falënderojmë ambasadorët e pranishëm në këtë seancë themeluese të Kuvendit dhe të gjithë mysafirët të cilët na kanë nderuar me praninë e tyre”, theksoi ndër të tjera kryetari i ri i Kuvendit.

 Kryetari Konjufca falënderoi gjithashtu edhe qytetarët për besimin, përderisa njoftoi për mbylljen e punimeve të seancës konstituive të legjislaturës së re dhe paralajmëroi se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit do të merret vendimi kur do mbahet seanca vijuese.

DEKLARATË NGA AMBASADA E SHBA-ve NË PRISHTINË

Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, të gjithë Nënkryetarët dhe të gjithë Deputetët. I nxisim udhëheqësit politik ta formojnë qeverinë e re e cila sa më parë do ti përmbushë mandatin e votuesve. Ne mezi presim që të bashkëpunojmë me qeverinë e re në çështjet urgjente që kanë të bëjnë me paqen, drejtësinë dhe mirëqenien.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi I ri, Zhvillim I papritur

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT