Nga Gaspër Marku/- Mëngjesin e së dielës së 27 dhjetorit, vetëm pak ditë nga festa e ndërrimit të viteve kur të gjithë po përgatiten të festojnë ardhjen e Vitit të Ri 2016, shkodranët marrin një lajm aspak të mirë, ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur Bik Ndoja.
Në një moshë të thyer 90-vjeçare, si pasojë e një sëmundje të rëndë që e mundonte gjatë periudhës së fundit, shkodranët kanë humbur bashkëqytetarin e tyre, këngëtarin e madh popullor, mjeshtrin e famshëm të jareve shkodrane që askush nuk i interpretonte më mirë se ai.
Një humbje tepër e madhe, jo vetëm për familjen e njohur dhe plot traditë të këngës popullore Gjergji-Ndoja, por për tërë komunitetin shkodran e më gjerë, së cilës i përkiste Bik Ndoja. Këngët dhe magjia e interpretimit të mjeshtrit Bik Ndoja kanë qenë përherë pjesë e gëzimeve të familjeve shkodrane, ku përpos përformancës së përcjellë në skenën e teatrit “Migjeni”, ai gjente kohë t’ia plotësonte dëshirën bashkëqytetarëve të tij për të marrë pjesë në dasmat dhe ahengjet tradicionale, që Shkodra përherë i ka pasur të vetat.
Nga e majta në të djathtë Bik Ndoja Mark Kaftalli Muhamet Grimci Abdullah Salabegu Lah MemaTrupi i tij i pajetë do të përcillet mesditen e së hënës për në banesën e fundit në varrezat e Rrmajve të qytetit të Shkodrës, por më parë drejtoria e teatrit “Migjeni” dhe bashkia e Shkodrës kanë organizuar homazhe në hollin e teatrit ku ai këndoi për shumë e shumë vite nga ora 11.00 deri në 13.00 të së hënës.
Largohet fizikisht kështu një nga perlat e muzikës popullore shkodrane, por emri i tij dhe sidomos këngët e tij do të vijojnë të jetojnë gjatë brez pas brezi në qytetin e tij të lindjes por edhe më gjerë, ku ai këndoi për shumë e shumë vite, sidomos në Kosovë, të cilën ai e kishte aq përzemër dhe që realisht kosovarët e donin jashtë mase.
I lindur dhe rritur në një nga rrugicat karakteristike të Rusit të Vogël në një familje shkodrane me tradita muzikore dhe shumë artdashëse si ajo Gjergji, nga gjiri i të cilës kanë dalë breza të tërë artistësh, Biku që në fëmijëri dhe deri sa mbylli sytë përgjithmonë ka spikatur për talentin e këngëve të interpretuara prej tij.
Bik Ndoja-bashkeshortja NetaPor, përveç kësaj, ai ka qenë edhe një rrobaqepës i talentuar, profesion që në rini iu desh ta ushtronte për t’i ardhur në ndihmë familjes, ndërkohë që për vite të tëra ka qenë ndër shtyllat kryesore të ansamblit të teatrit “Migjeni”, Radio Shkodrës dhe Radio Televizionit Shqiptar.
Orkestra e tyre e famshme me drejtues fizarmonicistin Karlo Radoja, ku përveç Bik Ndojës këndonin me po aq zell, pasion e mjeshtri edhe orkestrantët Mark Kaftalli, Muhamet Grimci, Abdullah Salabegu e Lah Mema ka qenë për vite e vite me radhë ndër më të dashurat dhe të preferuarat e shkodranëve.
Ndërkohë, po aq të veçanta kanë qenë koncertet që Bik Ndoja përcillte në publik me kolegët e tij të nderuar Shyqyri Alushi, Luçie Miloti, Xhevdet Hafizi etj, duke marrë duartrokitje të pafund nga spektatorët për atë interpretim brilant të këngës popullore shkodrane, serenatave dhe ahengut tipik shkodran; “Elbarojen ta pata fal”, “Si dukat i vogël je”, “Kënga e Ded Gjo’Lulit, “S’ma din hallin qi kam”, “Jare te due”, etj. Për karrierën e tij të pasur artistike Bik Ndoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, titullin “Krenaria e qytetit” akorduar nga Bashkia e Shkodrës, “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, akorduar nga Qendra Kombëtare e veprimtarive folklorike, etj.
Ndarja nga jeta paraditen e së dielës e mjeshtrit të madh të këngës popullore shkodrane ka tërhequr jo pak vëmendjen e opinionit publik në Shkodër dhe më gjerë, deri edhe përtej kufijve të Shqipërisë, të cilët menjëherë nuk kanë nguruar të përcjellin ngushëllimet e tyre për humbjen e kësaj figure të rëndësishme të artit shqiptar.
Një nga ato është edhe ajo e kolegut tonë Ramadan Bigza, ish-gazetarit të Radio Shkodrës që për fatin e tij të mirë gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka pasur rastin ta ketë të ftuar sa e sa herë në studion e Radio Shkodrës shumë e shumë vite më parë.
Nga Athina e Greqisë ku ai jeton prej më shumë se 20 vitesh, Bigza shkruan: “Lamtumirë Bik Ndoja, lamtumirë “Mjeshtër i Madh”- E kam me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, i cili që nga viti 2011 ka në sirtaret e tij të gjithë dokumentacionin për ta bërë “Mjeshtër të Madh”, këngëtarin e njohur popullor Bik Ndoja. Por jeta e mjeshtrit të këngës shkodrane nuk e ka pritur Presidentin deri në pafundësi. Ai është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare. Shkodra në këtë ditë të diel duket edhe me vogël, nuk e ka atë entuziamin e saj karakteristik. Edhe pse me një kohë plot diell, qielli duket se është vranësuar. Në oborrin e saj nuk do të këndojë më bylbyli Bik Ndoja. Eshtë një humbje e madhe për popullin dhe kulturën e tij. E megjithatë, ky Mjeshtër i Madh ende nuk është pagëzuar si i tillë nga shteti i tij. Por Bik Ndoja me zërin e tij brilant është bërë për popullin mjeshtër e kaluar mjeshtrit. Sot ai u largua fizikisht, por shpirtërisht ai ka për të mbetur përjetësisht në mendjet dhe zemrat e çdo qytetari shkodran. Lamtumirë Bik Ndoja. Lamtumirë “Mjeshtër i Madh”!.
Emocionuese janë edhe komentet e dy këngëtarëve të njohur shkodranë, Bashkim Alibali dhe Frederik Ndoci, të cilët kanë mësuar shumë në bashkëpunimin që kanë pasur në skenë dhe jashtë saj nga mjeshtria e të madhit Bik Ndoja. “Me hidhërim të thellë mora vesh ndarjen nga jeta e të pazëvendësueshmit, e yllit të jares shkodrane, e njeriut gjithmonë të qeshur, i pa kursyer në ndihmën për këngëtarët, njeriut me shpirt të madh, i atij që na dha thesar, por vete kishte një jetë modeste. Tashti që nuk asht ma, do të kujtohen pushtetarët. Kam respektin ma të madh dhe i detyrohem për ndihmën që më ka dhanë. Ngushëlloj familjen për këtë humbje të madhe dhe shpirti i pushoftë në paqe, siç ishte edhe vetë shumë paqësor”, shkruan këngëtari i njohur shkodran Bashkim Alibali.
Ndërsa, një tjetër këngëtar po aq i njohur shkodran, Frederik Ndoci në mesazhin ngushëllues shkruan: “Lamtumirë Artisti ma i madh i jares shkodrane. BIK NDOJA…Shkodra, Gjakova, Ulqini, Struga, ndoshta edhe shumë shqiptarë përloten.. Sa kryeministra kaloi ky kollos, e sa pak u vlerësu? Nuk e di sot a do të pikëllohen ish qeveritarët që nuk patën mundësi për një titull -“Mjeshtër i Madh”, që nuk e la kush pa e blerë atë titull, por që varfëria e këtij kollosi nuk pat atë mundësi ta blinte. Nesër do të jetë shumë hipokrizi për ndonjë qeveritar që do të marrë pjesë në lamtumirën e fundit… Bik Ndoja, me shuarjen tande do shuhet edhe një gamë dhe vlerë e madhe e artit shqiptar, jarja të cilën askush si ti nuk e lëvroi për më se 70 vite. Mi fal lotët që s’po më pushojnë o kollos”./m.m/
Lamtumirë për një mik si Zef Lleshi
Nga Bledi KASMI/
…Ndërroi jetë gazetari dhe miku ynë, Zef Lleshi. Nuk është është e lehtë të ndahesh nga një mik dhe aq më e vështirë të shkruash për të në këto momente. Kushdo që e ka njohur, ka pasur mundësi të takojë tek Zef Lleshi, njeriun me zemër të madhe. Janë të rrallë njerëzit si Zefi me aq energji pozitive, në këtë botën tonë të veshur me shumë urrejtje dhe mllef. Hokatar dhe babaxhan, Zefi kalonte momentet më të vështira të jetës gjate muajve te fundit jo duke pritur vdekjen, jo duke iu dorëzuar sëmundjes, jo duke u rrrëzuar, por duke e marrë atë me shaka, si e gjithë kjo jetë e shkurtër e secilit prej nesh.
“Më duket si një film i parë”, thoshte Zefi pak ditë më parë, duke mos qenë aspak i frikësuar për atë që e pret në botën tjetër. Ishte përgatitur për ditën e fundit ndaj dhe mendja e tij ishte aq e kthjellët sa është e rrallë sot të gjesh njerëz me kurajo të tillë si Zefi.
Ai postonte në facebookun e tij pa fund tregime humoristike nga spitali ku kurohej. Tallej me vdekjen sepse vdekja kishte dështuar që ta trembte Zefin.
Ai postonte foto pa u druajtur nga ndryshimi fizik që i kishte sjellë sëmundja dhe dukej se në vend që të ishim ne që ti jepnim kurajo Zefit në ato momente, ishte Zefi që na tregonte ne të gjithëve, se secili prej nesh ka nevojë për pak reflektim përpara se të mbërrijmë në stacionin nga ku nuk ka kthim pas, drejt të cilit jemi të destinuar të mbërrijmë.
Zefi kaloi me sukses një provë të vështirë, sikurse është jeta e kësaj bote dhe ne lutemi që mirësia e tij në këtë botë të gjejë paqen e dëshiruar në botën tjetër.
Ngushëllimet tona si “RD” në këto momente shkojnë për bashkëshorten tij Liza, vajzën Blerina dhe djalin Dritani.
Të prehesh në paqe miku yne, Zef!
Varrimi i tij do të bëhet sot në orën 14.00 në vendlidnjen e Zefit në fshatin Rrënjë e Zezë të Rrëshenit.
Lamtumirë Ajlen dhe Galip!
Nga Ilir Levonja/
Bota është e tronditur mbrëmë nga pamjet që shpërndan në internet disa fotoreporterë dhe dhe aktivistë të të drejtave të njeriut. E para qe Liz Sly reportere e Washington Post, për luftën në Siri.
Më pas Nadim Houry, Peter Bouckaert dhe David Miliband. Kryetari i Laburistëve britanikë. Këto janë dhe personat më të ndjekur për momentin në twitter. Madje statuteve të tyre u referohet edhe New York Times. Bëhet fjalë për një djalë të mbytur, 3 vjeçar me emrin Ajlan Kurdi. Atë e ka gjetur një oficer i policisë së qytetit Bodrum, në Turqi. Nga ku pretendohet se fëmija është pjesë e një grupi prej dymbëdhjetë vetash. Të cilët po i drejtoheshin ishullit Kos në detin e Kretës. Mirëpo, tragjedia nuk mbaron me kaq. Diku më tutje, gjendet edhe trupi vëllait të Ajlanit. Galipi pesë vjeçar. Eshte e pabesueshme. Dhe miliona e zërave të indinjuar ka kapërdirë natën deri sa duket sikur njerëzimi është zgjuar.Nga Siria, një vajzë hedh në faqen e Los Angeles Time, gazetës më të madhe të Kalifornisë, këto vargje:
Toka është e mbushur plot me martirë
Detet po përpijnë trupat e tyre,
Kur zemrat njerëzore refuzojnë të japin strehë
Të jesh tashmë njeri qënka veç asgjë.
Nafisa Sulejman Kushdo që zgjohet sot.
Kushdo që merr frymë.
Kushdo që ecën ca çape për diku.
Kushdo prej nesh, kudo…. I duhet të mbaj pak frymën dhe të provojë nëse i ka mbetur sado pak ndjesi njerëzore.
Të pyesi veten, se a ka zemër të fort. Të shpiki një lutje, por jo nga ato të Zotit. Të Zotit të sunitëve, katolikëve, orthodoksëve, më the e të thashë. Ta shpiki ashtu si i vjen për mbarë. Si ia ndjen shpirti. Shpirti i tij, ai i njeriut. Sepse edhe Zotin me sa duket e ka marrë porrropia. Eshtë mekur pas absolutizmit të Tij karshi ekzistencës së të vobektëve. A e keni vënë re. Shërbëtorët e të Madhit janë më fanatikë se ushtarët e të ashtuqujturave luftra të shenjta. Luftë për mbrojtjen e këtij apo atij. Çfarë të them…, gjithsesi lutuni për dy djem. Dy vëllezër. Dy të vegjël. Dhe mbyllini sytë kur t’i shikoni. Sidomos foton e Ajlanit tre vjeçar. Një herë përmbys. Një herë në duart e oficerit turk. Me rrobat e lagura nga uji i kripur. Me flokët plot shkëlqim. Një kërthi i pa jetë për shkak se klasa politike botërore ka dështuar. Merreni kështu pasi sot, nuk ka më qytetar lindje apo perëndimi. Por ka qytetar. Dhe në çdo grimë frymëmarrje besoni se kafshëria tek njeriu është më
brutale se nga vendi i origjinës së saj.
Lamtumirë Ajlen dhe Galip, ne sot nuk jemi sirianë.
Ambasadorja e SHBA Jacobson, kontribut shumë të çmuar Kosovës
Ne Foto:Grupi i Grave deputete te Kuvendit te Kosoves priti në një takim lamtumirës ambasadoren e SHBA,Tracey Ann Jacobson/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Korrik 2015-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pati sot takimin përshëndetës me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.
“Ajo po largohet për në detyrën e saj të re, duke lënë prapa një kontribut shumë të çmuar në proceset e përparimit të vendit tonë”, shprehet kryeparlamentari kosovar.
“Unë e falënderova znj. Jacobson për kontributin e saj, ndërsa ajo më premtoi se do të mbetet një mike e përhershme e Kosovës, ashtu siç janë edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Veseli në ‘Facebook’.
Edhe Grupi i Grave Deputete, kryesuar nga Blerta Deliu-Kodra, priti sot në një takim lamtumire ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
“Në emër të grave deputete dua t’ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme që ju si ambasadore, por edhe i gjithë stafi juaj, i ka dhënë fuqizimit të gruas në Kosovë, përkrahje e cila është dhënë direkt nga Ambasada, apo përmes projekteve të USAID-it dhe NDI-is, të cilat vazhdojnë të jenë partnerë të fuqishëm për avancimin e gruas”, u shpreh Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se, Grupi i Grave Deputete është grup gjithëpërfshirës i të gjitha grupeve parlamentare dhe komuniteteve, grup i cili ka arritur që për çështje me interes për gruan t’i tejkalojë dallimet politike, etnike e religjioze.
Ambasadorja Jacobson tha se ky është takimi it fundit në Kuvend para se të largohet nga Kosova. Ajo vlerësoi lart punën e grupit të Grave, si grup gjithëpërfshirës, i cili është zë i fuqishëm për gruan dhe demokracinë, për mirëqenien e gruas, fëmijëve dhe zhvillimin e vendit.
Në takim deputetet shprehën fjalë falënderimi edhe për përkrahjen e përhershme që SHBA-ja i ka dhënë dhe i jep Kosovës.
Ambasadores iu dhurua një mirënjohje për kontribut të palodhshëm për të drejtat e grave dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre efektive në jetën shoqërore e politike në Kosovë.
LAMTUMIRE LIRI KUPI, QENDRESTARE E KAMPEVE TE INTERNIMEVE
*FAMILJA, BASHKEVUAJTESI DHE KOMUNITETI SHQIPTAR PERCOLLEN ME NDERIME LIRI KUPIN/
* Në kujtim të Liri Kupit – 8 Shkurt, 1933 – 15 Prill, 2015/
Nga Beqir SINA – Queens New York/
QUEENS NYC: Të mërkurën, 15 Prill 2015, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë në Nju Jork, në moshën 82 vjeçare, e ndjera Liri Kupi, bashkëshortja e Fatbardh Kupit, duke i lënë në pikëllim të thellë, burrin fëmijët, dhe familjarët e saj të dashur dhe të gjithë rrethin miqësor e të njohurit.
E ndjera ndërroi jetë në spital në Kuins, pas një sëmundjeje të rëndë.
Shërbimet funerale nisën ditën e Premte, më 17 Prill 2015, dhe vazhduan edhe të shtunën në Shtëpinë Mortore -(Funeralin): Schwartz Brothers-Jeffer Memorial Chapel, në Queens Blvd lagjia Forest Hills – Kuins. Te Shtunë me 8 Prill 2015 u përcoll me të gjitha nderimet për në banesën e fundit me pjesëmarrjen e dhjetra vetëve, anëtarëve të familjes, miqve dhe dashamirëve të saj, ish bashkëvuajtësit nga kampet e interrnimit, nga Grabiani, Gradishtë, Gjazë, Savër, Pluk, Shtyllas e Lubonjë, dhe emigrantëve të vjetër.
Lamtumira e fundit për në jetën e amnueshme me një ceremoni mortore u zhvillua në kompleksin e varrezave qytetare në Kuins – Kew Gardens Cemetery, aty ku prehen eshtrat e heroit të 7 prillit, Abaz Kupi.
Bashkëvuajtësi i saj – mik i ngushtë, i familjes Kupi, zoti Lekë Mirakaj, duke i dhënë lamtumirën e fundit, u shpreh se nga emocionet e pa fund – ashtu si çdo njeri e kishte shumë vështirë të thoshte të gjitha për këtë njeri që po e përcjellin për në jetën e amnueshme, mes dashurisë, lotëve dhe kujtimeve
Ai tha se : “Kjo grua fisnike, trime, burrnesh e thjeshte dhe e ndershme, kjo Nanë e madhe, që rriti me sakrifica dhe krenari katër fëmijë si pllumat, e cila mori rrugën e kalvarit të vujatjeve të pa fund të regjimit diktatorial, fare e re, nga qyteti deri tek kasollet me kashtë në kodrat e Grabianit, në një kohë që fare lehtë mund të kishte zgjedhur një rrugë tjetër për të ardhmen e saj në atë kohë-zgjodhi dashurinë e saj për Bardh Kupin. Dhe këtë zgjedhje në atë kohë të vështirë ajo nuk bëri se Bardhi ishte djali i Abaz Kupit, por se tek ky djalë në atë kohë ajo shikonte njeriun e saj me të cilin do të lidhte jetën. Pra, burrin dhe shokun e pandarë të jetës me të cilin krijojë një familje të mrekullueshme, teksa e ndoqi dhe nuk iu nda atij duke qendruar së bashku me hallet e vuajtjet, e asaj kohe, deri sa më në fund pa disa ditë të bukura me rënjen e komunizmit”.
Duke folur për jetën e saj prej qendrestarjeje,me lot në sy Mirakaj – kujtoi se :”Liria qysh në atë moment, që mori përsipër – pra hyri në atë kasolle interrnimi – duke e hijeshuar dhe ndriçuar atë si nuse e re e bukur dhe fisnike,në vend të fustanit të bardhë të nusërisë, hodhi mbi trupin e saj, atë “fustanin me vellon” e pasojave, atyre vujatjeve dhe sakrificave, që regjimi i dha asaj dhe familjes Kupi në atë kohë. Liria, këtë nuk bëri ngaqë Bardhi ishte djali i Abaz Kupit, për të marrë përsipër nderin e përvilegjin që të jepte emri i asaj familje, por ngaqë ajo e dinte se me dinjitet, do të nderonte veten dhe familjen e saj”, tha Lekë Mirakaj në fjalën e lamtumirës.Po ashtu Mirakaj solli edhe mesazhin ngushellues te kryetarit te Shoqates te ish perndjekurve politik demokrat te Shqiperise, z. Simon Mirakaj dhe te gjithe familjes Mirakaj.Ai percolli edhe ngushellimet e vellezerve, Esat, Bedri dhe Caush Coku, bashkevuajtes te Fatbardh Kupit.
Liria – për të gjithë ata që e njohën do të kujtohet gjatë si një ndër qëndrestaret e kampeve të internimit, ku ajo nuk iu nda të shoqit gjatë sagës së vuajtjeve, edhe kur ai ishte nëpër burgje dhe internimet gjysëmshekullore të diktaturës komuniste.
Për Lirien (Lirie Kupi) sot në liri – mund të shkruhen romane, me personazhe të tillë për se si vajzë e re qytetare, dhe e familjeve të perviligjuara të asaj kohe, të arrijë të dashurohet me një internuar, ish të burgosur politik, dhe të martohet me të në kampin e internimit në Gradishtë, pikërishtë me të birin e Abaz Kupit, Fatbardhin, deri sa me atë martohet dhe krijon një familje të shëndoshë, me katër fëmijë si engjej.
Ajo është nga ato vajza të pakta, të diktaturës enveriane, që i përkiste një familjeje jo të persekutuar, të atij regjimi dhe që jetonte në qytetin e Lushnjes, mes pervilegjeve të asaj kohës. Por, nga dashuria e madhe me djaloshin e internuar Fatbardh Kupin, të birin e “armikut” e “tradhëtarit” të popullit, si e damkosi diktatori Enver Hoxha, atë dhe familejn Kupi, Liria, ashtu fare e re dhe një vajzë e bukur me origjinë permetare, por që banonte në Lushnje, gjimnaziste, zgjodhi jetën e vuajtjeve, dhe sakrificave, pranë burrit të saj, që i kaloi gjithë jeta nëpër burgje dhe internime, deri sa erdhi demokracia dhe ata erdhën në Amerikë.
Familja e Abaz Kupit, pjesëtare e së cilës ishte edhe e ndjera Lirie Kupi ka bërë, dhjetra vjet burg si dhe ka bërë 51 vjet internim 4 vjet gjatë kohës së pushtimi fashist dhe 47 vjet gjatë kohës së diktaturës komuniste në Porto-Palermo.
Në librin e shënimeve Organizata e Gruas Shqiptare Amerikane “Shprese & Paqe”, shkuante se me dhimbje të thellë ato shprehinin ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të heroines e patriotes shqiptare, si e kan quajtur ato Liri Kupin
“Kësaj gruaje vitale, të guximtshme që kurrë së përkulen vuajtjet e jetës, hallet e së shkuarës pa shkak nga diktatura komuniste në Shqipëri. Liri Kupi ishte një intelektuale e mirëfilltë, krijuese e heshtur përsa i përket fushës së letërsisë.Ajo shkruante libra, e poezi. Ishte një pasionate e madhe e librit. Ruajmë të paharuar me të ndjerën kujtimet më të mira. Ngushëllojmë me këtë rast bashkëshortin z. Bardh Kupi dhe fëmijët. I paharuar qoftë kujtimi dhe jeta e saj! shkruan MImoza Dajci presidente e Organizatës së Gruas Shqiptare Amerikane “Shprese & Paqe”, në Nju Jork.
Luan Haxhi Gashi një anëtarë e një familje të njohur nga Kuksi, arratisur vite më parë nga Shqipëria, shkruan në librin e shënimeve se : “Ngushllimet ma të ndjeshme Familjes Kupi për këtë humbje të pazëvendësueshme. Pushoftë në paqe shpirti i të ndjemës, e cila ndriti veten, familjen, bashkëshortin dhe fëmijtë e saj, në kohën e diktaturës komuniste. Vuajtjet,sakrificat e saj janë pjesë e historisë që ajo mjerisht ajo dhe bashkëshorti i saj i kaloj në kampet e interrnimit duke qenë shembull i një Nane fisnike”.
Professor Sami Repishti një shkrimtar, humanist dhe historian shqiptar, i cili i ka shërbyer shumë për njohjen e çështjes shqiptare në perëndim. Një ish i burgosun politik në Shqipërinë komuniste dhe në ish -Jugosllavinë sllavo-komuniste ndërsa shpreh ngushëllimet e tij, ma të thella, për bashkëvuajtësin e tij, z., Bardh Kupi dhe të gjithë familjes Kupi, për këtë humbje të dhimbeshme të Zonjës Liri Kupi, thotë :” Pushoftë në paqe shpirti i saj, shpirti që mbajti të gjallë nji trup të shumë vuejtun të njënës nga viktimat e dërmueme nga terrori komunist. Qendresa e saj do të mbetet shëmbull për të gjithë ata që kërkojnë heroizëm në rezistencën anti-komuniste të demokrateve shqiptare”
Biri i vetëm i Kristo Kirkës (autoritet i kohës së vetë, vdekur në burgun e Burrelit më 1955), Niko Kirka, i cili ishte një ndër bashkëvuajtësit me familjen Kupi, i cili edhe vetë vuajti burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar, për 8 vjet rresht, i ndjekur këmba – këmbës, nga fantazmat ish- Sigurimit të Shtetit , në atë kohë shprehet në librin e ngushëllimeve duke thënë :” Ngushullime më të thella, për humbjen e bashkëshortes dhe bashkëluftëtarës në luftën tënde shumë të gjatë në mbrojte të dinjitetit njerëzor. Ngushullime fëmijëve për humbjen e Nënës së tyre të madhe. Ngushullime gjithë familjes Kupi për humbjen e një nga shtyllave më të forta të saja. U prehtë shpirti saj në paqen e përjetëshme “- Familja Niko Kirka
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- Next Page »