• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THEMI BELLO, POETI QË U VARROS ME DUARTROKITJE

June 12, 2017 by dgreca

1 Themiu

Nga Kozma GJINI/Vendlindja, Bishqethmi, një çast mbajti frymën. Ndërsa bilbilat nga degë lisash gjelbëruar të fshatit, përcjellin vajtueshëm kortezhin e gjatë të njerëzve për në kishë. Një kontrast pamjesh: Njerëzit kokulur në heshtje varri, bilbilat në cicërima mozaik orkestral funebre. Një lajm i beftë ta trondit shpirtin, si me ta shkul zemrën nga vendi. Se të vjen si shkreptima në qiellin pa re. Të dhemb xhani dhe të njomen sytë teksa përjeton ikjen e papritur të njeriut që dje ke qënë duke pirë një kafe, që ke udhëtuar në rrugëtim diku për në Tiranë të botoje një libër, të bëje muhabet më shokë e miq, të bëje një shaka. Por s’ka realitet të dytë për atë që ikën e s’kthehet më. Krahas qindra miqve, ndodhen pranë arkivolit të tij me një kurorë lulesh e kokulur: Fatbardh Rustemi, Elmaz Qerreti, Irakli Papa, Lambrini Nano… Kurse Faslliu Haliti me një sms do të na njoftonte i pari lajmin e kobshëm me ngushëllimin që t’ia përcillnim familjes “Bello”. Shoku më i afërt i tij, mësuesi Trifon Bame tregon: “Kur Themiu emigroi në vitet ‘90 në Itali edhe pse pa lekë në xhep, pyeste se ku ndodheshin varrezat e arbëreshëve. “Janë larg. Ke ndonjë të afërm atje që je kaq i vendosur?” e pyeti një rrugëtar. “Po, tha ai. Jeronim De Radën”. La pas të habiturin dhe ec e ec i gjeti varrezat dhe preku me dorë mbi qivurin e De Radës ku vuri një tufë lulesh me aromë Shqipërie. Pa lekë në xhep miqtë e mi. Ja, ky ishte Themi Bello ”E pra, ky njeri na iku nga duart pak ditë më parë. Me keqardhje e dhimbje të thellë nëpërmjet internetit, e morën vesh lajmin e kobshëm të ndarjes nga jeta, aksidentalisht, të shkrimtarit dhe mikut tonë të mirë, Themi Bello (një postim i vëllait, Vlashit) dhe nisën qindra ngushëllime nga jashte vendit: Raimonda Moisiu, Fatmir Terziu, Petraq Risto, Kristaq Papa, Bexhet Jacellari… e pafund emra te njohur të letrave shqipe. Nuk ishte një vdekje nga zoti, si i thonë, nuk ishte një vdekje nga ndonjë sëmundjeje, se sëmundjet janë shënja që të gatitesh, por qe një fatalitet dhe fataliteti vetëm pranohet. Dorëzohemi pa kushte përpara tij. Ishte një tragjedi. Si e tillë edhe këto radhë janë vetëm si homazh dhe vlerësim për njeriun që ia morën jetën pabesisht në mes të rrugës, në mes të ditës, teksa shijonte bukuritë e Divjakës, nga kishte edhe njerëzit e gruas, Letës.
Është kjo arsyeja që shumëkush fajin për këtë fatkeqësi ia faturonte shtetit.Se shteti e ka në dorë jetën tonë e së paku, nëse nuk na e mbron dot, të të mos na e marrë mizorisht. Po nejse. Mjerë ai që iku. Se nuk është as i pari, e as i fundit. Me shpirt e zemër e themi se jemi të prekur thellë nga largimi i “detyruar” i tij prej kësaj bote. Iku i miri Themi Bello, në një kohë kur kishte shumë e shumë vepra ndër duar.Se ai këto vitet e fundit ka botuar thuajse çdo vit nga një libër. Dukej sikur po nxitonte të arrinte stacionin, si një parandjenjë se nuk do t’i botonte dot sa të ishte gjallë. A thua se e dinte se do t’ia prisnin jetën në mes. Pak ditë më parë pikërisht në Shtëpinë Botuese “Nacional” ai piu një kafe e bëri marrëveshjen me botuesin për një libër të ri që është në prag botimi. Si një fëmijë jetim do të jetë ky libër.

Atë ditë u pershendetem miqesisht me drejtorin e gazetes “Nacional” me shkrimtarin Mujë Bucpapaj.
Vullneti dhe talenti e radhiti Themi Bellon ndër shkrimtarët e pëlqyer të fëmijëve.Edhe pse në emigrim, ai nuk reshti së shkruari e së botuari libra në shqip dhe italisht për të cilat kishte kënaqësinë t’i promovonte në qytetin e tij të lindjes, në Lushnjë. ”Në vëndlindje ndjej kënaqësinë e lexuesve”, thoshte autori.Se, sa i takon pronës…ai nuk reshti se trokituri zyrë më zyrë po nuk e bëri dot të tijën atë që ta fal dhe zoti.Vinte me mendësi evropiane i gjori Themi, po s’e dinte se këtu ka një mijë yçkla e spërdredhje labirintesh korruptive që të hysh në derën e drejtësisë.Themi Bello e ka nisur krijimtarinë letrar që në fillim të vitit 1970, në fshatin e tij të lindjes, Bishqethëm.Si kokëshkretë që ishim, ai nga Bishqethmi e unë nga Shakuj, mateshim me të mëdhenjtë që nga faqet e të rrallës revistë kritike të kohës : “HOSTENI” duke marrë edhe reston me vete.Fabulat, përrallat dhe tablotë muzikore të Themi Bellos mirëpriteshin nga organet botuese dhe skenëvënëse. Në një kohë të shkurtër ai mundi të krijonte stilin e tij duke u bërë një autor i spikatur. Themiu e njihte botën e brendshme të të vegjëlve, kërkesat e tyre dhe për këtë e ndihmoi profesioni i mësuesit, arsim të cilin ia rrëmbeu shtetit të kaluar, pasi nuk iu dha e drejta e studimit për shkak të një “klecke” në biografi.Qënia mësues e ndihmoi të hapte portën e kësaj letërsie nga ku që në vitet e para u vlerësua me çmime lokale dhe kombëtare, duke u bërë me emër e i radhitur krahas shkrimtarëve të njohur të vendit.Edhe pse në emigrim, ai s’rreshti së shkruari për të vegjëlit e për të rriturit.Me gjithë epërsinë cilësore krijuese, Themiu i përkiste atyre njerëzve që nuk i bënin reklamë punës së tyre. Ai dëshironte çuditërisht që çdo gjë ta prekte, ta njihte sa më imtësisht, si një fëmijë që prish lodrën e re të sapoblerë, sepse kurioziteti për të marrë informacion e tjetërsonte. Shokët e redaksive të kohës do t’i kërkonin vjersha, fabula, fejtone, tregime, përralla….”Fjala u lidh me këngën, shkronjat me pentagramin” do të thoshte mësuese Ana në nekrologjinë prekëse. Sepse ai nuk e hoqi nga supet fizarmonikën.Një botues arbëresh i kishte dhuruar një “oliveti” dhe Themiu sikur kishte prekur qiellin me dorë.Më 1993 tërhoqi familjen në Cezena të Italisë.Themiu është krenaria e fshatit të vendlindjes.Ai botoi disa libra si: “Pasqyra magjike” “Kujtime fëmijërie”, “Haremi”, “Hakmarrja”, “Takim me Danten”, “Shfaqja e madhe”, “E çmendura”, “Vdekja e parlamentit”etj. Themiu është vlerësur me çmimin e dytë për filmin vizatimor. Në kompjuter ka lënë ende mjaft shkrime e libra të cilat vetëm i zoti ua dinte kur do t’u vinte dita e botimit….Në moshën 70 vjeçare ia prenë jetën. Një çast mirënjohjeje, një minutë heshtje! Një grusht dhe, duartrokitje, lule dhe lotë…
Ky ishte poeti që u përcoll në varr me duartrokitje. Ti nuk ke vdekur, Themi!Se njeriu vdes, kur harrohet.Ne nuk do të harrojme sa të kemi jetën.Lamtumirë miku ynë i dashur, Themi Bello!

Gazeta Nacional ngushëllon familjen Bello

Të nderuar anëtarë të familjes Bello,

Jam thellësisht i prekur nga lajmi i vdekjes së parakoshme dhe tragjike të mikut tonë të shtrenjtë dhe njërit prej simboleve të prozës bashkëkohore shqipe, shkrimtarit brilant Themi Bello.
Në këtë kohë të pikëlluar, pranoni ngushëllimet e mia, të gazetës “Nacional” dhe “Nacional Media Group”për Ju dhe gjithë familjen e nderuar Bello në Lushnje dhe kudo që ndodhen.
Ne miqtë e tij, por besoj edhe lexuesit e gazetës “Nacional” ku Themi Bello bashkëpunoi prej vitesh, nuk do të harrojnë kurrë letërsinë e tij, mirësinë e Tij, fisnkërinë dhe kontributin e tij në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Lutem që perëndia t’i japë atij prehje të përjetshme dhe familjes Bello forcën për të duruar dhembjen e madhe!
Ngushëllimet e mia dhe të Grupit Mediatik “Nacional”

Mujë Bucpapaj
Drejtor
Tiranë me, 7. 6. 2017

Familjes së shkrimtarit Themi Bello

Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dega Lushnjë, me dhimbje të madhe e të thellë, i shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes së poetit dhe shkrimtarit tonë, Themi Bello, për ndarjen e tij të parakohshme dhe aksidentale nga jeta.
Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve
Kryetari
Faslli Haliti

Lushnjë, më 07/06/2017

(Kortezi:GAZETA NACIONAL)

GAZETA DIELLI NGUSHELLON FAMILJEN, MIQETE, TE AFERMIT, KOLEGET! SHPIRTI NE PAQE THEMI BELLO!

EDITORI

DALIP GRECA

Filed Under: Emigracion Tagged With: Kozma Gjini, Lamtumire, Themi Bello

LAMTUMIRE Françesk Radi!

April 3, 2017 by dgreca

Ka ndërruar jetë sot  ne dreke në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, kantautori Françesk Radi. Lajmi konfirmohet nga burime pranë këtij spitali.

Këngëtari i mirënjohur ishte i shtruar prej një jave në reanimacionin e QSUT-së, pas një hemorragjie cerebrale. Pas goditjes në tru, ai ra në gjendje kome për të mos u zgjuar më.

Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme .

Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972.

Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.

Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të muzikantit të shquar Françesk Radi

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta të muzikantit, këngëtarit, kompozitorit dhe instrumentistit të shquar shqiptar Françesk Radi:

“Të dashur familjarë të Françeskut të ndjerë,

Me hidhërim dhe dhimbje të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm.

Më lejoni që në këtë ditë të dhimbshme t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të qytetarëve shqiptarë, duke ju siguruar se në cilësinë e Kreut të Shtetit gjendem shpirtërisht pranë jush në këto çaste tejet të vështira e të trishtueshme!

Me largimit e parakohshëm nga kjo jetë të Françeskut të ndjerë, muzikës shqiptare, kolegëve dhe admiruesve të tij do t’u mungojë intepretuesi virtuoz, këngëtari i rrallë, tekstshkruesi gjenial, muzikanti i talentuar dhe autori i paarritshëm i një krijimtarie të pasur këngësh e kompozimesh, që pasuron cilësisht e në mënyrë origjinale thesarin e trashëgimisë muzikore bashkëkohore e shpirtërore të popullit shqiptar.
Edhe një herë ngushëllimet më të ndjera dhe Françeskut i pastë dritë shpirti përjetësisht!”, shprehet Presidenti Nishani në ngushëllimin e tij.

***

Gazeta”Dielli”  i shpreh ngushëllime familjes së Francesk Radit!.

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Francesk Radi, Lamtumire

“BIJTE E SHQIPES”-LAMTUMIRË DRITEROI YNË !

February 7, 2017 by dgreca

Nga ceremonia e organizuar  në Filadelfia/
NGA LLAZAR VERO/
01
 
 Në të gjitha trojet shqiptare, kudo në botë ku jeton edhe një shqiptar i vetëm, është ndjerë me dhimbje dhe respekt të veçantë, ndarja nga kjo jetë e poetit, romancierit, publicistit, skenaristit, dramaturgut, atdhetarit të shquar  – DITERO AGOLLIT. Ai u nda nga ne i rrethuar si asnjë autor dhe shqiptar tjetër, i rrethuar nga dashuria e pastër e gjithë bashkatdhetarëve. Si askush në periudhën midis dy shekujve ai na mësoi si të duam atdheun, gjuhën shqipe, jetën me gjithë larmishmërinë e saj.
06
Në sallën e veprimtarive të Qëndrës Kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia do të organizohej lamtumira dhe nderimi i figurës së madhe të Dritero Agollit. Në krye të saj në një tavolinë ishte vendosur portreti i poetit të dashur të popullit tonë me një shirit të zi në këndin e sipërm të tij, dhe një vazo me lule. Filluan të vinin bashkatdhetarët e parë. Qëndronin paksa përballë portretit të tij, në shënjë nderimi dhe kalonin në sallën tjetër. Kështu njëri pas tjetrit dhe disa herë në grupe të vogla bashkatdhetarët shprehnin dhimbjen dhe respektin për këtë krijues dhe luftëtar të paepur për mbrothësinë e kombit shqiptar. Dritero Agolli ishte ndër autorët më të lexuar dhe të dashur të popullit tonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në këtë fillim të shekullit të ri. Dhe sekreti ishte i thjeshtë. Me penën e tij ai solli midis nesh jetën me dhimbjen dhe gëzimin e saj dhe bukurinë e gjuhës shqipe. Jo më kot studiuesit e artit të tij thonë se tek vepra e tij gjen Naimin dhe Çajupin, Mjedën dhe Nolin, Migjenin dhe Poradecin.
03
 
Pastaj, të gjithë u ngritën në këmbë dhe me një minutë heshtje nderuan jetën dhe veprën e të madhit DRITERO.
02
 
 Mbi të gjitha tek Driteroi njeriu i thjeshtë gjente shokun dhe mikun, që i vinte dorën në ballë atdheut kur kishte halle, kur kishte dhimbje. E nisi rrugën e jetës si trim dhe si trim e mbylli. Faqebardhë.04
 Kështu duke folur  lirshëm për këtë emër të madh të të njërit prej shqiptarëve të mëdhenjë të kombit tonë, të gjithë bashkë kaluan tek salla e veprimtarive ku u urganizua dhe ceremonia e lamtumirës të poetit tonë të dashur Dritero Agolli.
05
 Ceremonin e hapi kryetari i shoqatës z. Tajar Domi i cili pasi shprehu dhimbjen për humbjen e këtij qytetari të madh të kombit tonë u kujtoi pjesëmarrësve se vetëm tre muaj më parë në këtë qëndër kishim festuar 85 vjetorin e lindjes së tij nga e cila u vendos që t’i dërgohej poetit tonë të dashur një letër përshendetëse dhe urimi për një jetë më të gjatë. Ishte vet z. Tajar Domi që ia dorëzoi letrën familjes së Driteroit në mes të muajit Nëntor, duke marrë mirënjohjen dhe respektin për këtë veprim të thjeshtë, vlerësues dhe dashamirës të komunitetit tonë për njeriun e madh të letrave dhe mendimit qytetar.
 
  Më pas e mori fjalën z. Sadik Elshani që solli mbresat e tij nga krijimtaria e këtij autori të shquar të kombi tonë, duke filluar nga poema e tij e famëshme “Devoll, Devoll” dhe duke vazhduar me shumë të tjera dhe sidomos me romanin  e madh “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” apo me “Njëriu me top” etj. Mbresat e tij shtriheshin në një hapsirë të gjërë kohore që niste në vitet e shkollës së mesme në Kosovë dhe vazhdonte në vitet studentore për të mos u ndarë deri në ditët tona e më së fundi deri në këtë ditë të mbrame lamtumire. Z. Sadik e mbylli fjalën e tij me disa vargje të tij kushtuar Dritero Agollit: ” Përherë do të jesh në këtë botë,/Si një trandafil në gotë,/ Poet i shpirtit të kombit tonë/…..”.
 
 Me të njëjtën ndjenjë dhimbje dhe respekti foli edhe z. Vlashi Fili , shkrimtar dhe sekretar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Pasi shprehu ndjenjat më të larta të dhimbjes dhe respektit për këtë figurë madhore të kulturës shqiptare ai lexoi një poezi të tij kushtuar Driteroit të madh, ku ndërmjet të tjerash shkruan: “Driteroi as ka vdekur as vdes,/ Atë do ta kemi përherë midis nesh.” 
 
Si në një ditë ngushëllimesh secili nga pjesëmarrësit donte të sillte kujtime dhe mbresa nga jeta dhe krijimtaria e  poetit dhe njeriut tonë të madh. Llazar Vero solli disa kujtime të tij nga dita kur po përgatitej për shtyp poema e madhe e Driteroit  “Nënë Shqipëri”, emocionet dhe këmbëngulja e poetit deri në çastet e fundit për të saktësuar çdo fjalë dhe varg. Ndërsa zonja Mirela Prifti recitoi poezinë e njohur të tij : “Kur të jesh mërzitur shumë” që është kthyer në një këngë të dashur për të gjithë me muzikën e Ardit Gjebresë.: ” …Kur të jesh mërzitur shumë,/ Në raft të librave kërkomë,/Aty do të jem fshehur unë,/ Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë./…
 
  Sipas traditës shqiptare, i zoti i shtëpisë, Tajar Domi i ftoi për një kafe të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni. Njërëzit vinin dhe shkonin dhe fjala e mirë zinte vend në bisedat e tyre për njeriun e tyre, e dukej sikur kërkonin ta mbanin përherë të gjallë mes dashurisë dhe respektit, një dashuri dhe respekt që nuk mund të matej as me mijëra kilometra të largësisë me vendin amë, Shqipërinë.
 
LLAZAR VERO
Filadelfia, më 5 Shkurt 

Filed Under: Komunitet Tagged With: bijte e shqipes, Dritero Agolli, Lamtumire

LAMTUMIRE ANITA TAKE!

January 13, 2017 by dgreca

1 anita TakeDje,  me 12 janarne moshen 83 vjecareu nda nga kjo bote Anita Take, njera nder kengetaret me te njohura te muzikesa se lehte shqiptare, nje ze i fuqishem, nje ze i dashur i muzikes shqiptare. Kenget e saj ishin te dashura e te adhuruara nga breza te tere shqiptaresh ne te gjitha trojet tona etnike. Kenget e saj me tekste mjaft te zgjedhur e te bukura jane te rrjedhshme, melodi te thjeshta e plot ritem, kryesisht me motive shoqerore dhe me motive te dashurise. Kenge lirike, himne te dashurise, plot frymezim per jeten, te kenduara me nje ze plot ngrohtesi njerezore.  Ishte nder kengetaret tona te para te muzikes se lehte me nje karriere te pasur qe shtrihet ne nje periudhe mbi 50 vjecare. Ishte edhe me fat ne jete, se u njoh dhe u be shoqja e jetes se kompozitorit te njohur, Agim Prodanit, themeluesit te muzikes se lehte shqiptare. Ata bashkepunuan ngusht si kolege profesioniste qe kenget, kompozimi dhe interpretimi te dalin ne formen e perkryer.

Per arritjet e saj artistike ajo eshte shprehur: “Arritjet e mia artistike mund t’i permbledh vetem me tri fjale: pune, pune dhe vetem  pune. Mendoj se nuk mjafton vetem pasioni dhe talenti per te bere dicka ne nje fushe te caktuar, por natyrisht ne lidhje me suksesin, ka te beje kembengulja, serioziteti dhe qellimi qe i ke vene vetes”. Vertet nje recete e mire per te arritur suksese ne te gjitha fushat e jetes.

Anita Take sot u nda nga kjo bote, por ajo do te jetoje me kenget e saj, me zerin e saj te embel do te mbetet gjithmone ne zemrat tona. Nuk mund te kete mbremje vallezimi pa kenget e Anita Takes, kenget plot ritem e gjalleri, hov rinor. Nuk mund ta festojme Festen e Nenes pa “Kengen e nenes”, kenduar nga Anita Take. Kenget e saj me te njohura jane: “Mosha”, “Kenga e nenes”, “Ne bankat e shkolles”, “Me do apo s’me do”, “Vajza me trendafila”, “Per ty”, etj.

U prehte e qete ne dheun e Shqiperise, ne krahet e kenges!

Sadik Elshani

Filadelfia, 12 janar, 2017

Filed Under: Kronike Tagged With: ANITA TAKE!, Lamtumire, Sadik Elshani

HYTBI TARELLI, NJË JETË MES PIKTURAVE DHE SKULPTURAVE

November 9, 2016 by dgreca

 

hytbi-tarelli-ne-studioNGA KADRI TARELLI/ Durres/ Në javën e parë të vjeshtës së tretë, në Toronto të Kanadasë, pas një sëmundje të shkurtër, pa pritu ndroi jetë artisti Hytbi Tarelli, mjeshtër i daltës dhe penelit, autor i shumë veprave të shpërndara në muzeume, në institucione publike dhe ndër shokë, miq e të afërmve dhe familjarëve të tij. hytbiu-dhe-baca-rifat-jashariE filloi rrugën e artit, si fillim të pikturës, që në moshë fare të re. Mbase kështu e fillojnë të gjithë, megjithatë më pëlqen të citoj fjalët e gazetarit të njohur Fuat Memeli në Gazeta “Illyria”. 29. 06. 2014, me shkrimin të titulluar: Me artistin shqiptar në Kanada, Hytbi Tarelli. “Nga vizatimet me thëngjij, te piktura e skulptura”, ku vazhdon:“…. Ja, ky është Hytbi Tarelli, e cili nisi rrugën e artit nga vizatimet me thëngjij dhe arriti te punimet në pikturë e skulpturë. Regjimi i kohës, e pengoi atë të vazhdojë shkollat e artit, por ai mësoi si autodidakt, duke ia “vjedhur” profesionin piktorëve e skulptorëve shqiptar. Kështu ai po realizon ëndërrën e jetës së tij, të cilën nuk ka forcë që t’ia pengojë”…E ndoqa krijimtarinë e tij që në hapat e para, si vëllai më i madh. Kishte shumë besim te unë, ndaj e nxita të vazhdonte punën, duke i thënë: “Shumë bukur. kështu vazhdo, veç rregulloi ca viza këtu e ca atje”. Fluturonte nga gëzimi dhe rrinte deri natën vonë duke vizatuar. Nuk mbahej nga kënaqësia, kur më tregonte se vizatimet e tij ishin vendosur në korridorin e shkollës dhe shokët e përgëzonin. Nuk e di sa kohë harxhonte me pasionin e tij, veç kujtoj një mëngjes, kur më tregoi, se gjithë natën kishte punuar bustin e Leon Tolstoit, model nga një faqe libri. Të them të drejtën u mahnita për aftësinë krijuese dhe e nxita: “Këtë bust të vogël çoje tek fabrika e tullave për ta pjekur, pasi merr ngjyrë të bukur e bëhet i fortë si tulla”. U miqësua me punëtorët që e pranuan me kënaqësi dhe kujdeseshin aqë shumë për krijimet e tij. Që atëherë shumë punime skulpture i ka në terrakotë.

hytbi-tarelli-5

Për Shkodrën më fliste me admirim, që kur ishte student në kursin matematik-fizik, e më pas kur u vendos familjarisht në atë qytet. Shpesh ma kujtonte: “Çuditem për natyrën gazmore të shkodranëve, veçanërisht të piktorëve dhe skulptotëve të shkolluar, që më pranojnë në shoqërinë e tyre pa paragjykime, si shok e koleg artist, pavarësisht se unë jam amator para tyre”. Shpesh më tregonte fotografitë e shkrepura në ekspozitën vetiake që hapi në atë qytet, në vitin 1988, ku edhe unë e ndihmova t’i vendoste bukur e sipas tematikës. Sa shumë artistë, miq e shokë shkodranë ishin në atë ceremony të bukur e mbreslënëse. Sytë i mbeteshin tek katër buste të vegjël në terrakotë, të “Ahengut shkodran”, i përkëdhelte me shikim si punimet më të bukura të tij, të vendosura shtruar mbi një postiqe të bardhë. Eh, sa ishte munduar për të gjetur atë lëkurë dashi!mother_teresa_large

Emigracioni hapi shtegun për lëvizje drejt një bote të panjohur. Hytbiu mërgoi si fillim në Greqi, e pas shumë përpjekjesh në Kanada, në Toronto. Aty çeli studjon e tij, ku kalonte pjesën më të madhe të kohës, duke punuar në pikturë e sidomos në skulpturë.emblema_e_beselidhjes-_hytbi_tarelliMë e përzgjedhuar temë ishte të përjetësojë në telajo, apo në baltë e allçi, figurat e mëdha të historisë, që i kanë dhënë emër dhe nder kombit tonë: Skënderbru, bust i lyer në flori,, Nënë Tereza, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Ded Gjon Luli, Adem Jashari, etj, etj. Për këtë nuk çuditemi po të kujtojmë fjalët e të diturit Faik Konica:

…..“Duhet të jesh jashtë Shqipërisë,

e të jesh larg për të kuptuar,

se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël,

ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri!”.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA
OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Në të gjitha ngjarjet me shqiptarët në Toronto, është i pranishëm edhe Hytbiu, që i nderon të gjithë me punët e tij artistike. Po përmend njërën prejtyre: Ditën e enjte, me datën 23 Shtator 2010, në shkollën “Mother Teresa Catholic School” në Markham, u festua me madhështi 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës. Një statujë e shenjtores shqiptare Nënë Tereza, e punuar me pasion nga artisti Hytbi Tarelli, i’u dhurua nga Dr. Kondaj në emër të komunitetit shqiptar, zonjës Susan La Rosa, drejtoreshë e Bordit të Shkollave Katolike të zonës së York-ut. Të pranishmit u shprehën:

Emili Forrester, drejtore e shkollës thotë në fjalën e saj: “Falënderimet e mia speciale për sa keni bërë për shkollën tonë. Ju na frymëzuat me pikturën dhe skulpturën e mrekullueshme. Ndjehemi të veçantë dhe të bekuar, që mbështetemi te Nënë Tereza, të cilën tani e kemi edhe më pranë këtu në mesin tonë. E vini re !? Nga portreti duket sikur na shikon dhe kujdeset për ne”.415_large

Më pas Dr. Ruki Kondaj, Presidente e shoqatës Shqiptaro – Kanadeze në Toronto e vlerëson kështu: “Piktura e Nënë Terezës, Gonxhes Shqiptare, të cilën sapo e zbuluam këtu në këtë shkollë, është një vepër artistike e bukur dhe me përmasa të mëdha. Të gjithë e vlerësojnë shumë. Është punuar me shumë përkushtim dhe dashuri. E meriton shkolla që mban emrin e shenjtores sonë. Për ne është nder dhe krenari, që figura të tilla të artit, janë pjesë e komunitetit Shqiptar këtu në Toronto”. (Pjesë të shkëputura nga “Pasqyra Shqiptare”. Kanada. 23 Shtator 2010)

Vetë piktori dhe skulptori Hydbi Tarelli me modesti thotë: “Që kur kam ardhur këtu në Kanada, kam punuar shumë nga figurat tona kombëtare, po Nënë Tereza ze një vend të veçantë. Vepra e saj me fuqi magjike dhe hyjnore, më frymzon jo vetëm mua si shqiptar, po me qindra, mbase edhe mijra artistë në të gjithë botën. E ndjej veten të përkëdhelur nga fati, që munda të realizoj në pikturë dhe sculpturë, shqiptaren me përmasa botërore”. (“Fjala e lire”. 19. 10. 2010. pjesë e shkëputur nga shkrimi: K. Tarelli. “Nënë Tereza në shkollat kanadeze. Ceremoni me rastin e 100 vjetorit).

Një ngjarje tjetër e madhe në jetën dhe veprimtarinë e artistit mëmëdhetar, është vajtja në Kosovë: “….. Është për t`u përgëzuar nisma e Hydbiut, këtij mërgimtari atdhetar, që ndërmerr një udhëtim të tillë, duke pasur parasysh vështirësitë e rrugës së gjatë; me avion deri në Rinas, më pas me mjete të rastit drejt Kosovës”. Kështu Shkruan Bashkim Kadiu në  “Gazeta 55”. 25. 08. 2014. në artikullin: “Busti i Adem Jasharit vjen nga Kanadaja në Prekaz, Kosovë. Liria i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve”. Në fund shkrimin e mbyll me këto fjalë: “Duke i uruar Hytbiut rrugë të mbarë drejt Kosovës, e përgëzoj për veprën dhe veprimin atdhetar. Dashuria për kombin nuk ka kufi e nuk mbaron kurrë, trashëgohet e përcillet ndër breza”. (2)

Unë pata fatin të jem shoqërues në të gjitha veprimtaritë e Hytbiut, këtu dhe në Kosovë. Me këtë rast publikova shkrimin: “Shtatorja e Adem Jasharit, nga Toronto u vendosnë Prekaz. Kosovë. Aty mes të tjerave theksoja: ….“Duket si një aventurë çmendurie ky veprim, kur gjykoj shpenzimet që u përballuan tërësisht nga vetë autori, pa përmendur peripecitë e një udhëtimi kaq të gjatë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një skulpturë me përmasa jo të vogla, rreth një metër e lartë. …… Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari u sos për bukuri aty ku e kërkonte vendi, në “Mekën e shqiptarëve”, në Prekaz të Skënderajt, në Kosovë”. Fjala e lire. 25. 08. 2014. 

maxresdefault

Tani mbas dy vjetësh, Tahir Veliu, një tjetër mërgimtar nga Kosova, që jeton e punon në SHBA, në një shkrim ku ka shumë dhimbje dhe krenari, shkruan për mikun e tij Hytbiun, duke përmendur me admirim këtë ngjarje tek “Tribuna shqiptare”. 08. 11. 2016 : Ishte pikërisht data 26 korrik e vitit 2014, pasi bëmë nderime pranë varrezave të Dëshmorëve në Prekaz dhe vumë kurora lulesh tek varri i komandantit Legjendar Adem Jashari, së bashku me Hytbiun, z. Kadri Tarelli, z. Naser Berisha, Prof. Dr. Nusret Pllana, Dr. Nexhip Berisha, z. Milaim Dulla, z. Valmir Hylenaj, z. Endrit Thaçi dhe z. Arsim Sejdini i’u drejtuam kullës së familjes Jashari për t’i nderuar, duke dërguar bustin e Adem Jasharit, të cilen e solli Hytbiu nga Toronto në Prekaz.

Hytbiu e kishte ëndërr pjesëmarrjen në një konkurs kombëtar. E plotsoi dëshirën me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kur u organizua konkursi ndërkombëtar, kushtuar kësaj ngjarjeje kaq madhore për kombin tone. Ai u paraqit me një punim dinjitoz. Veç ta dëgjoje kur fliste, i merrte zjarr e gjithë qënia. E përjetonte duke lëvizur duart me shikimin lart: “Lartësia e shyllës së flamurit do të jetë 100 m e lartë, pak metra më larg një gjysëm harku me simbol kështjelle, në basorelif Ismail Qemali dhe “akti i mëvetësisë”, me fjalët e gdhendura si në pergamen. Flamuri do të duket që larg nga të gjitha pikat e Tiranës. Është e shenjtë mëvetësia”.Në këtë ditë të dhimbjes, është Kristaq Turtulli që shkruan për mikun e tij Hytbiun, një poezi me mjaft dhimbje e ndjenja të holla njerëzore:

…….

Pikturoje netët polare.

Vjeshtën në mahnitje

Dhe dimrin në dremitje.

……..

Bustet me Skënderbe dhe nënë Terezë,

Janë më shumë se një Shqipëri, thoshe.

…………

Gjithnjë falje dhe dhuroje buzëqeshje,

Se në shpirt kishe mirësi shenjtërie. (Publikuar tek “Fjala e lire” dhe revista “Dituria”, në Suedi)

………..

Në mbyllje të këtij shkrimi lamtumire për artistin Hytbi Tarelli, po vendos dy vargje lehtësimi:

          “Një lis i madh u pre në pyll

Në qiell u ngrit e ndrit një yll”.

Durrës më: 09. 11. 2016.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hytbi Tarelli, Lamtumire, nej jete ems pikturave, skulpturave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Skulptori Gëzim Muriqi vjen me “ringjalljen” e Skënderbeut
  • Mistika dhe Fizika
  • “Atdhetari i shtigjeve të lirisë” – monografi për heroin e kombit Xhavit Hazirin!
  • THE UNITED STATES DAILY (1928) / AHMET ZOGU FALENDERON PRESIDENTIN AMERIKAN CALVIN COOLIDGE PËR NJOHJEN DHE URIMET E TIJ ME RASTIN E NGJITJES NË FRONIN E SHQIPËRISË (TELEGRAMI)
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi dhe Kongresistin Torres
  • Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet
  • Shoqata studentore shqiptare në Columbia “Columbia University Albanian Society,” organizon: Bashkëbisedim mbi Eposin e Kreshnikëve
  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT