• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë një tjetër nobelisti – Séamus Heaney

August 31, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Një tjetër zi e goditi botën e kulturës ndërkombëtare dhe pikërisht letërsinë. Jeta e çdo njeriu, për më tepër e poetit është e lidhur me dashurinë për vendlindjen, për atdheun për botën. Në këtë ndërthurrje të këndvështrimeve të tij, rilindja e jetës, e shoqërisë, e kulturës dhe e vetë poezisë, nuk mund të qëndrojnë larg vëmendjes së tij. Nëse në jetë ke një ideal të fuqishëm, që mban në vetvete jo vetëm dëshirën tënde, por të miliona njerëzve, e për më tepër duke iu referuar historisë së Irlandës, nuk mund të tërhiqesh prapa, por duhet të përpiqesh ta realizosh atë. Kjo kërkon që këtij ideali t’I bashkohen edhe shumë të tjerë që ta ndërgjegjësojnë popullin se me një përpjekje të përbashkët, mund të realizohet gjithçka, cilido qoftë kundërshtari ai pengesa e ëndrrave legjitime të një kombi. Nuk ka armë që të mund ta ndalë ëndrrën e një populli për pavarësi, ka vetëm pengesa të cilat, koha e ka treguar gjithmonë, bien sapo përballen me zërin e një populli të tërë. Ta duash vendin tënd, do të thotë që të mos e harrosh të shkuarën e largët, por edhe të afërt, pasi në to do të gjesh ngjarje, njerëz, tradita, përpjekje pa të cilat vetë kombi nuk do të ketë kuptim. Poeti irlandez i mishëronte më së miri të gjitha këto virtyte, prandaj edhe mori vlerësimet e merituara Brenda dhe jashtë vendit. Një poet i vërtetë idealet e tij i lidh pazgjidhmësisht me fatet e atdheut të vet, larg pazareve të ndyta të poltikave ekspansioniste apo shtypëse në emër dominimit. Heaney ndërroi jetë në moshën 74 vjeçare, por ai është poeti i madh irlandez, nobelisti dublinez për vitin 1995 dhe në motivimin e Stokholmit lexojmë këto fjalë: “Për bukurinë lirike dhe thellësinë morale që ekzalton mrekullitë e përditëshme dhe të shkuarën që jeton”.

Lindi në vitin 1939 në Irlandën e Veriut nga një familje katolike dhe është një prej fëmijëve midis 9 vëllezërish. Rininë e kaloi në Belagi dhe pas moshës së fëmijërisë dhe adoleshëncës, në vitin 1957 u regjistrua në Universitetin mbretëror të Belfastit, ku edhe u diplomua në letërsi. Në vitin 1976 u vendos në Dublin ku dha letërsinë angleze deri në vitin 1984 e më pas në Universitetin e Harvardit dhe në vitin 1989 mori katedrën e poezisë në Oksford. Përfaqësuesi më i madh bashkëkohor i rilindjes poetike irlandeze, një prej poetëve të mëdhenj të ‘900, eksponent i madh i kulturës irlandeze. Irlanda e tij shfaqet në lirikën e poetit përmes pejsazheve, kujtimeve të rinisë dhe temave rilindase irlandeze dhe në të gjitha veprat e tij dalin ngjarjet që lidhen me problemin e pavarësisë irlandeze. Poetika e tij është e lidhur me tokën, me jetën poltike të vendit dhe siç e ka shkruar vetë tek poezia “Dukë rrëmuar”, tek kultura, tek pejsazhi dhe mitet irlandeze, “duke përdorur penën ashtu si gjyshi dhe babai shatin”. Duke rrëmuar është titulli i një prej krijimeve të tij më të famshme:

Por unë nuk e kam shatin që t’i ndjek

njerëzit kështu,

Mes gishtit tregues dhe gishtit të madh,

E kam penën e

Me të do të rrëmoj.

Kryevepra e tij konsiderohet padyshim volumi North(Veriu). Volumi i tij i parë është Vdekja e një natyralisti 1966 e më pas u botuan Drita elektrike, Distrikti dhe Cirku, Kapërcime, Duke rrëmuar, Stacioni Island, Vëmendje. Proza të zgjedhura 1968-1976, Poezi të zgjedhura, Një derë në errësirë, T’i shohësh gjërat, North, Qeveria e gjuhës. Prozë e zgjedhur 1978-1987 dhe Zinxhirri njerëzor 2011.

Është irlandezi i tretë që fitoi Nobelin pas Yeats dhe Samuel Beckett. Ka qënë i lidhur shumë me Italinë dhe kulturën italiane. Mori titullin e lartë Qytetar nderi i Mantovës dhe me atë rast foli për pasionin e tij për poezinë italiane dhe për Danten që e konsideron burimin e tij të parë të frymëzimit. “ Fillova të interesohem për të në vitet ’70, kur i kujtova njerëzit e parë të vrarë prej Irës apo nga ushtria britanike, I lashë ata të flisnin përmes poezisë sime. Jam i sigurtë se nuk do ta bëja pa shembullin e Dantes”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Arian Kallco, Lamtumire, Seamus Heaney

LAMTUMIRE DRITA SILIQI!

August 11, 2013 by dgreca

Nga Betim Muço/

Të nderuar familjarë, miq e dashamirë,/

Jemi mbledhur sot këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit një gruaje që u lind larg prej këtij vendi por që kjo tokë bujare u bë dhe toka e saj për rreth 15 vitet e fundit të jetës. Përcjellja nga kjo jetë e njeriut të dashur është një rit aq i lashtë sa vetë njerëzit mbi dhe. Kurdoherë në këto raste për ta thuhen fjalë rë mira e lavdëruese shpesh herë edhe kur këto fjalë nuk janë merituar. Por kjo e fundit nuk ndodh e nuk ka sesi të ndodhë në këtë përcjellje mortore të Dritës sonë të dashur. Ç’fjalë të tjera mund të thuhen për të përveç kurajos e heroizmit që demonstroi në jetë, përveç inteligjencës e punës së palodhur, përveç mirësisë, fisnikërisë e dashurisë që ajo shpëndau aq bujarisht?

Drita Siliqi Shundi lindi e u rrit  në mesin e një familje të shquar për atdhedashuri e profesionalizëm, vendosur në Tiranë qysh në fund të shekullit të 17-të. Shumë djem e vajza nga kjo familje  përfunduan studimet universitare dhe gjatë shekullit të 20-të punuan si mësimdhënës të shquar nëpër shkolla të larta, nëpër qendra studimore e institucione të rëndësishme. Dashuria e lidhi atë me pinjollin e një familjeje tjetër të shquar nga Shkodra, Drago Siliqin, një shkrimtar, kritik e botues i ri  e premtues për kohën. Nuk dihet se si do të kishte qenë fati i Dritës në qoftë se i shoqi i saj i ri nuk do të kishte humbur jetën në aksidentin tragjik. Me talentin, temperamentin e iluminizmin e tij, vështirë se Drago Siliqi, njeriu që u dha një pranverë të vërtetë botimeve në vitet ’60 në Shqipëri  do të qe pajtuar me fushatat komuniste anti-kulturë që pasuan. Këtë ma ka thënë dikur me bindje miku i tij i asaj kohe, Ismail Kadare. Jam i sigurtë që gruaja e tij e dashur do ta kishte ndjekur atë burgjeve e internimeve. Po fati e solli ndryshe. Drita Siliqi rrojti shumë pakë me të dashurin e saj por e mbajti dashurinë e tij si yllin polar gjithë jetën. Me një heroizëm e kurajo të pashoqe ajo rriti e edukoi dy vajzat e saj, Laurën e Darinën duke qënë për to babë e nënë në të njëjtën kohë. Ndërkohë mëkoi me letërsinë breza nxënësish  e studentësh si mësuese në shkolla të mesme e pedagoge në universitet dhe punoi e palodhur në organet e shtypit. Ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë letrare e botuese, që nga botimet e antologjive poetike, problemet e gruas shqiptare në shtypin e rilindjes, pavarësisë dhe luftës çlirimtare e deri te përkthimet siç ishin librat më të fundit nga Oriana Fallaçi. Vitet e fundit të saj u jetuan në trekëndëshin Amerikë-Kanada-Shqipëri. Këtu në kontinentin e ri ajo pa të rriten nipërit e mbesat, stërnipërit e stërmbesat. Jetoi mes dashurisë së vajzave të saj, të dhëndurëve Gjergjit e Arbenit dhe të gjithë atyre që e njihnin dhe e çmonin. Duke ikur, Drita e la pas dritën e saj për të gjithë të dashurit. Lum si ajo që la pas kaq dritë e dashuri dhe u kujtoftë përherë me mall sa qofshim gjallë.

*Fjala e lamtumires qe mbajti shkrimtari Betim Muço ne ditepercjelljen e se ndjeres Drita Siliqi 9 gusht, 2013

KUSH ISHTE DRITA SILIQI

Drita Siliqi Shundi (2 mars 1933-5 gusht 2013)

Drita Siliqi (Shundi) lindi në Tiranë, më 2 mars të vitit 1933, në një familje patriote tiranase. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tirane. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga nje familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit.

Ndërsa ishte student në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme Petro Nini Luarasi dhe Sami Frashëri të Tiranës, dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën Shqiptarja e Re.

Në vitin 1957,  Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur  Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat Darinën dhe Laurën.

Gjithë jetën e saj Drita Siliqi ja dedikoi vajzave të saj, nderimit të emrit të bashkëshortit Drago Siliqi si dhe një pune të palodhur intelektuale. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e nje shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e Rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur”dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci.

Në vitin 2000 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj.  Ajo la prapa prapa vajzat e saj Darina  Demiri (Siliqi) dhe Laura Konda (Siliqi) me bashkëshortët e tyre Arben Demiri dhe Gjergj Konda, mbesat Lora Carlessimo (Demiri) me familjen e saj dhe Stella Demiri, nipërit Tedi Konda dhe Martin Konda, si dhe një stërnmbesë e një stërnip.(Ne Foto Drita dhe Drago Siliqi)

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Betim Muco, Drita Siliqi, Lamtumire

Lamtumirë Vinçenco Çeramit – gjeniu poliedrik

July 19, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Lamtumira është fjala që na ndan me njerëzit tanë më të dashur. Fjalë e dhimbshme dhe plot peshë, sidomos kur të largohet përgjithmonë një mik i vërtetë me të cilin ke ecur në rrugën tënde të krijimtarisë, aq më shumë që ka qënë mësuesi yt i madh i jetës. Lamtumira është fjala e fundit që i ndan njerëzit që ndoshta njohjet i kanë patur të pakta, por sado të pakta t’i kenë patur, ka mbetur  diçka në jetë që të rilidh me të. Por edhe ata që nuk e patën mundësinë që ta njohin nga afër, përsëri sado egoistë dhe nihilistë të tregohen, përsëri, herët a vonë, do të ndeshen me emrin dhe veprën e tij. E prej Çeramit na ka mbetur një pasuri e tërë letrare, kinematografike e skenike, kështu që do të kemi padiskutim momente të bukura ritakimi me të. Edhe për ne shqiptarët e përtejdetit do të ishte mirë që jo vetëm filmat, por edhe veprën e tij letrare ta njohim, duke e sjellë në gjuhën tonë. Kjo është detyra e përkthyesve dhe e shtëpive botuese që të mos ezitojnë, por të fillojnë nga puna qysh tani. Janë mbi 30 vepra të shkruara prej tij që presin të përkthehen, ose të paktën prej tyre disa nga kryeveprat të cilat e bënë të famshëm autorin më parë si shkrimtar e pastaj si skenograf. Besoj se në të gjithë atë përvojë ka gjithmonë leksione që duhen lexuar dhe mësuar, për secilin prej nesh.

Lindi në Romë në vitin 1940, shkrimtar, dramaturg, poet, skenograf. Në vitin 1976 botoi romanin e parë Një borgjez i vogël, i vogël; Prani e dashur 1978; Lamtumirë Lenin 1981; Djali prej xhami 1983; Lepuri 1988; Hipokriti 1991; Njerëzit 1993; Zoti ‘900 1994; Këshilla një shkrimtari të ri 1996; Takimi 2005; Jetë të gënjeshtra 2007.

“Desha ta falenderoja publikisht mikun Çerami, është një person shumë bujar, ëmbëlsia e tij të gjeg. E fuste dorën në xhep dhe nxirrte jashtë futrunë. Më ka mësuar shumë gjëra. Që në fillim më mësoi se frymëzimin e presin diletantët, të tjerët i përveshin mëngët dhe i futen punës. Më mësoi sintaksën, sintezën. Është një njeri që ia hap zemrën të gjitha enigmave dhe di t’i zgjidhë të gjitha ato. Po e përshëndet me fjalët e një poeti të madh: Vinçenco, mos rri e vështro, mos u shqetëso, nëse bien yjet, por shikoji që t’i mbash mend. E ardhmja sapo filloi” – u shpreh aktori i çmimit Oskar Beninji.

 

Kur i propozuan çmimin e merituar të karrierës, ai nuk shkoi vetë, ashtu si Benini dhe Piovani, të tre të bashkuar nga një lidhje dhe bashkëpunim mbi 20 vjeçar, por dhe nga përvoja magjike që i çoi deri tek Çmimi Oskar për filmin Jeta është e bukur. Në takimin me presidentin Napolitano vajza e vet lexoi mesazhin e të atit, duke e mbyllur me fjalët : Shpresa jonë, në errësirën në të cilën luftojmë është se më në fund shteti dhe ndërmarrjet private duhet të vendosin bashkë të investojnë për bukuritë e Italisë dhe të bëhen të vetëdijshëm se kultura, talenti, fantasia janë një burim real. Lidhja me Romën e shkrimtarit të njohur mbeti shumë e fortë, pasi ai lindi në zemrën e Italisë, të artit dhe kulturës. Ja si shprehet ai për qytetin e tij që aq shumë e deshi dhe e respektoi, pasi dhe vetë qyteti e deshi birin e vet: “Të gjitha librat e mi dhe romanet janë plot me qytetin e Romës. Në të gjitha vendet ku kam shkuar Roma më ka sugjeruar gjithmonë diçka që më pas e futa në shkrimet e mia”.

 

Shpesh kemi dëgjuar dhe shkruar se jeta e një njeriu të madh në fillesat e saj nuk ka qënë prej një gjeniu, përkundrazi të jepet përshtypja se nuk do ta lidhë asgjë me pasionet e jetës. Një ditë përgënjeshtrohen të gjitha dhe talenti i fshehur shpërthen fuqishëm dhe e ngre zërin e vet. Më pas është një punë e madhe që e kalit atë dhe e vë para provave të jetës, të profesionit dhe kulturës. Edhe Çerami është një prej atyre rasteve që ndoshta edhe vetë mësuesi i tij nuk e besonte, por surprizat në jetë nuk mbarojnë kurrë.

Një prej kujtimeve të para për të kur ishte nxënës e sjell një profesor : “Vinçencoja është shumë i drojtur, mbeti vitin e kaluar, se nuk u përgjigjej pyetjeve. Duhet ta kuptojmë, sepse ishte i sëmurë”. Ai profesor ishte 28 vjeçari Pier Paolo Pazolini që nuk  ia doli që t’ia kthente fjalën Vinçencos së vogël, por  në sajë të një teme : Një të dielë në mal, e ndihmoi të kuptonte se fjalët do të ishin më tej jeta e vet.

“Ishte një temë për friulianë, ku dija unë gjë për mallet? Kisha parë vetëm një, Terminilon dhe në verë”- thotë Cerami. E shpiku në përshkrimin e vet : Terminilo e shkatërruar nga orteqet dhe e banuar nga njeriu i urryer i borës. Druhej se e kishte tepruar, por Pazolinit i pëlqeu, e lexoi me zë në klasë. Sukses i madh.

“Më bëri përshtypje. Mezi pres të shkruaj një tjetër. Pa e ditur e zbulova letërsinë” – u shpreh autori. Më vonë Pasolini e mori si ndihmësregjisor në filmat e vet. Lidhjet me kinemanë vazhduan dhe romani i tij i parë, Një borgjez i vogël, i vogël, u bë film me aktorin Alberto Sordi. Ka shkruar për emrat e mëdhenj të kinematografisë italiane Belokio, Amelio, Bertoluci, Skola, Veronezi, Moniceli etj. Por Çerami ishte dhe poet. Epitafin e shkroi vetë në një prej poezive të tij të fundit : “Çdo mëngjes prej vetes më pëlqen e ardhmja e shkuar / dhe në mbrëmje qaj për të”. Kryebashkiaku Marino u shpreh se me vdekjen e tij, Roma humbi një mik. Vërtet një mik të dashur, në një dashuri ëndrrash midis Qytetit të përjetshëm dhe atij që me veprën e tij ia shtoi përjetësinë. Po e mbyll me fjalët e Beninjit, shenja e mirënjohjes më të ndjerë ndaj tij që vështirë se do të harrohet: “Pa të nuk do të kisha mundur as të ecja në muzikën e jetës. I detyrohem për gjithçka. Sot kemi një poet më pak në botë, një gjë që na bën të gjithëve më të trishtë”.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Arjan Th Kallco, Lamtumire, Vicenco Cerami

LAMTUMIRE ALFRED ZIJAJI!

February 9, 2013 by dgreca

KOHA I KISHTE REZERVUAR BREZIT TONË NJË VEPËR TË MADHE ATDHETARE/

 Nga Enver MEMISHAJ/

 Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha në telegramin e ngushëllimit që i dërgoi familjes së të ndierit Alfred Zijai, theksoi atë meritë që të tjerët e “harruan” apo nënvleftësuam se njeriu të cilit po i shtinin një dorë dhe për në banesën e fundit kishte qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike.

Alfred Ziaji la pas gjurmë të pa shlyera jo vetëm në historinë e futbollit shqiptar, por edhe në historinë e lavdishme të qytetit të tij, Vlorës, prandaj është më mirë të pyesim se si rrojti ky bir i shquar i Vlorës dhe jo si vdiq në një moshë fare të re, 52 vjeçare.

Për jetën e tij heroike po flas me lot në sy në këtë shkrim.

*     *     *

Viti 1990, ishte viti që bëri epokë në historinë e shqiptarëve. Shqiptarët, u ngritën për lirinë e tyre dhe i dhanë fund sundimit të komunistëve gjakatarë. Ata hynë në udhën drejt një shteti demoktarik dhe ligjor si e gjithë Europa.

Në dhjetor të këtij viti në Tiranë u themelua Parta Demokratike. Vlonjatët, me ndjenjën e atdhetarizmit dhe intuitën e lirisë, si gjithmonë në historinë e Shqipërisë vrapuan në Tiranë.

E ndjenin se po afronte ndryshimi i madh. Alfred Ziaji, duke përfituar nga miqësia me profesor Gramoz Pashkon luajti një rol aktiv në përhapjen e ideve demokratike dhe themelimin e Partisë Demokratike, në Vlorë.

Në këto rrethana vrulli më 29 dhjetor 1990 në Vlorë ishin strukturuar dy grupe demokratike:

Grupi Afrim Jupit, siç u quajt më vonë nga populli, që përbëhej nga: Afrim Jupi, Manol Bono, Maksim Hitaj, Irma Halili.

Grupi Roland Tafilit, sipas emërtimit që atij i vuri populli, që përbëhëj nga: Roland Tafili, Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha, Bujar Borshi.

Ndërmjet këtyre grupeve qëndronte Alfred Ziaji, me njohje dhe shoqëri me grupin e Roland Tafilit, i cili me aftës, me autoritet dhe meritat e ti, me porosi nga Gramoz Pashko i bashkoi të dy grupet.

Këta nuk kishin dijeni të qarta se si do arrihej përmbysja dhe ndryshimi epokal, por ata adhuronin lirinë, kishin intuitën, dëshirën, vendosmërinë, guximin dhe trimërinë. Në kushtet e terrorit komunist, veprimtaria pothuajse zhvillohej ilegalisht.

Ata nuk e kishin zgjeruar mbledhjen për të ruajtur konspiracionin dhe pra për të mbrojtur veten. Megjithatë këta bij të denjë të Vlorës e vranë frikën, prandaj kur unë përdor fjalën guxim dhe trimëri nuk bëj asnjë hiperbol por vetëm pohoj një realitet. Të gjithë ata që e jetuan atë kohë mizore, e dinë fort mirë se për çdo fjalë të lëshuar pa dashje apo me shaka kundër regjimit, nuk i zinte gjumi me netë të tëra, se mos shoku apo miku i spiunonte, se mos vëllait apo motrës i shkiste goja dhe përfundoje në burg.

Kordinatori i dy grupeve, Alfred Ziaji, pasi kishte biseduar me profesorin e ekonomisë, Gramos Pashko dhe kishte marrë prej tij miratimin që të vinin të deleguar nga Tirana, për formimin e Komisionit Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike, caktoi ditën e shtunë më 29 dhjetor 1990 të takoheshin në shtëpinë e tij.

Autoi i këtij shkrimi, e njihte mirë çiftin e bukur Ziaji, Kujtimin dhe Irfanen, Çifti ishte prerë për njeri tjetrin, të bukur të dy, por bukurinë më të madhe e kishin në shpirt dhe në sjelljen e tyre. Kujtimi kishte humbur dy vëllezër, në kushte që nuk u sqaruan asnjëherë dhe për këtë ai shikohej si “armik populli”.

Karakteri dhe shpirti tij demokratik, intuita dhe guximi e futën në udhën e luftës për përmbysjen e dikaturës komuniste, prandaj ai hapi dyert e shtëpisë së tij, pa mendur për pasojat që mund t`i vinin.

 

Në këto rrethana vrulli më 29 dhjetor 1990 u formua Komisioni Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike Vlorë nga disa intelektualë trima e të mençur si: Afrim Jupi, Roland Tafili,

Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha, Alfred Zijai, Bilal Çela, Manol Bono, Aleks Tahiri, Bujar Borshi, etj, të cilët treguan në atë moment madhor historik se ishin trashëgimtarë të denjë të

të parëve të tyre, mishërim i atij shpirti të lirë vlonjat që ka bërë emër e ka zënë vend nderi në historinë tonë.

Pasi diskutuan si të deleguarit edhe të pranishmit edhe pse kishte mendime të kundërta si për kthimin e pronave mbrojtur nga Bujar Borshi dhe Ventigjar Hamzaraj, pavarësisht nga

rezervat që patën grupet ndaj njeri tjetrit, pranuan dhe vendosën të gjithë njëzëri, formimin e Komisionit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Vlorës dhe firmosën proçesverbalin përkatës.

Kryetar i partisë u zgjodh Afrim Jupi, dhe sekretar Roland Tafili.

Fillimisht mbledhjet e PD-së janë zhvilluar pothuajse ilegalisht në shtëpinë e Kujtim Zijait dhe më pas në shtëpinë e Ventigjar Hamzarajt. Mbledhje janë zhvilluar edhe në shtëpinë e Afrim Jupit, atje janë bërë edhe takime të Sali Berishës me drejtuesit e PD-së së Vlorës.

Alfred Ziaji, Kreshnik Çipi dhe Rrapo Taho si aktivist të shquar e kthyen të gjith skuadrën e futbollit “Flamurtari” me PD-në, duke ushtruar një ndikim të madh tek të gjithë qytetarët.

*     *     *

Po kush ishte në atë kohë Alred Ziaji ?

Ai  kishte lindur në Vlorë në vitin 1961. Përfaqësuesi tipik i mënçurisë dhe guximit të rinisë vlonjate. Ishte diplomuar në Akademinë e Sporteve, dhe në fakultetin e Drejtësisë. Futbollist i shquar i “Flamurtarit” të Vlorës dhe i kombtares së Shqipërisë. Pedagogia e tij, në Akademinë e Sporteve, Mimoza Pashko, në vitin 1986 e kishte njohur me bashkëshortin e saj, pedagogun e ekonomisë në Universitetin e Tiranës Gramos Pashko, me të cilin lidhi miqësi. Bindjet e tij dhe kjo lidhje miqësore e shpunë atë në vijën e parë të Lëvizjes Demokratike. Një mik i tij, Mihal Çela, e kishte prezantuar me Ventigjar Hamzarajn, i burgosur politik, dhe ky e prezantoi me vëllezërit Shaska, Farinë dhe Bedrinë dhe së bashku diskutonin dhe propogandonin kundër diktaturës komuniste. Më pas u bashkuan edhe me Roland Tafilin dhe Hasko Hoxhën dhe u përgatitën për themelimin e Partisë Demokratike. Ai thotë se: “Radjon, “Zërin e Amerikës” e dëgjonim tek shtëpia e Ventigjar Hamzarajt, dhe më pas propagandonin idetë që dëgjonim atje”.

 

*    *     *

Për të propaganduar idetë demokratike që përfaqësonte Partia Demokratike, për bërë të ditur themelimin e Partisë Demokratike në Vlorë,  Komisioni Nismëtar thirri në një miting.

Nuk është gabim që dita e themelimit të Partisë Demokratike të Vlorës të quhet data 6 janar 1991, sepse këtë ditë populli i Vlorës duke iu përgjigjur thirrjes së Partisë Demokratike doli në

shesh, konfirmoi dhe miratoi Partinë Demokratike. Komisioni Nismëtar i Partisë Demokratike të Vlorës, tashmë ishte plotësisht i ligjshëm, i zgjedhur dhe miratuar nga populli.

Ishte një miting historik, madhështor dhe që do të mbahet mënd gjatë nga vlonjatët. Ne që morëm pjesë në atë miting dhe që më vonë u bëmë pishtarë të udhës demokratike të vlonjatëve

e kuptuam se historia e qytetit tonë po hynte në një epokë të re fatlume për Shqipërinë, duke lënë pas një epokë vuajtje, mjerimi dhe lotësh.  Fati i kishte rezervuar brezit tonë këtë vepër të madhe atdhetare

Alfred Ziaji kujton se: “Më 6 janar ishte ndeshja e futbollit ndërmjet “Flamurtarit dhe “Elbasanit”. Nga mitingu ne shkuam në ndeshje të cilën e fitoi Elbasani 2 me 1. Por kur ne bëmë golin i gjithë stadiumi shpërtheu në entuziazëm u ngrit në këmbë me dy gishtat lart, gjë që tregonte se qytetarët vlonjatë e kishin aprovuar themelimin e Partisë Demokratike dhe se ishin me të”. Policia kishte bllokuar rrugët gjoja që të mos kishte ngjarje të pa parashikuara, po në fakt ajo synonte të ndalonte popullin që të merrte pjesë në miting, dhe kështu të ulte autoritetin e Partisë Demokratike në popull. Rrapo Taho ka udhëhequr Lagjen e Re, dhe në krye të demonstruesve ka çarë rrethimin e policisë që të mbeteshin rrugët e lira për të shkuar populli në miting. Po kështu policia refuzoi mbajtjen e mitingut, me pretekstin absurd se gjoja ajo ishte e angazhuar me ndeshjen e futbollit “Flamurtai” -“Elbasani”, dhe se kërkesa për mitingun duhej

firmosur dhe vulosur nga qëndra në Tiranë .

Më 13 mars 1991, u bë Kuvendi i Parë i Partisë Demokratike të Vlorës, ku ndërmjet 20 anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie figuronte edhe emri plot dritë i Alfred Ziajit, siç mbeti I tillë gjatë gjithë jetës tij.

Në intervistën e parë, më 23. 6. 1991, që ka dhënë si kryetar i Partisë Demokratikë z. Afrim Jupi ka deklaruar ndërmjet të tjerave: “Detyra ndaj popullit dhe atdheut na futi në këtë udhë…

*    *     *

Vlera e xhestit epokal të 9 burrave që formuan Komisionin Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike, ose më saktë, Partinë Demokratike qëndron në atë, se ata filluan dhe çelën një

epokë të re për historinë e Vlorës, prandaj vitet kalojnë dhe ata  rrisin përmasat e tyre.

Ishte koha kur kishte mbaruar rezistenca e individit dhe tashmë kushtet kishin thirrur në skenën shoqërore, rezistencën e partive politike. Këta ishin të parët që vranë frikën dhe u rritën në sytë e

vlonjatëve dhe gjithë Shqipërisë. Askujt nuk i shkonte në mëndje se si do të shkonin më tej zhvillimet politike dhe shoqërore, aq më tepër për mungesën e informacionit, prandaj të gjitha ata që, që në ditën e parë që u sanksionua rezistenca meritojnë të vlerësohen dhe të dallohen nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ata u bënë aktorët e jetës politike e shoqërore. Ata  burra u ngritën mbi dhunën që brente vëndin.

Vështirë të gjesh njësi matëse për të vlerësuar veprën e këtyre burrave që themeluan Partinë Demokratike dhe të atyre vlonjatëve që, që të nesërmen u bashkuan me Partinë Demokratike dhe nuk u ndanë prej saj edhe në ditët e terrorit komunist të viteve 1997 – 1998, ata bënë epokë.

Një qytet njihet dhe identifikohet prej emrave të mëdhenj që ai nxierr e rrit dhe këta burra që, që nga 6 janari i vitit 1991, ecën pa u ndarë nga Partia Demokratike, janë prej këtyre emrave të

mëdhej të qytetit të tyre. Nderim të veçantë meritojnë një shumicë e qytetarëve vlonjatë, të cilët mbasi mbaruan misionin e tyre historik u kthyen në shtëpitë dhe hallet e tyre, ose vazhdojnë të japin kontribute pa këruar asnjëherë grada dhe ofiqe, këta dhe vëtm këta, këta “njerzit e pa

njohur”, përbëjnë vlerat e vërteta të shoqërisë shqiptare.

Të nënët qytetarët e shquar vlonjat ndërmjet të cilëve edhe emri plot dritë e lavdi i Alfred Ziajit, gdhëndën një datë historike, 29 dhjetor 1990 dhe 6 janar 1991, ndërsa Vlora ende nuk u ka kthyer borxhin këtyre burrave t`i bëjë qytetar nderi të sajë. I kam pyetur edhe për pasurinë, nismëtarët e parë të Partisë Demokratike dhe ata të gjithë më janë përgjigjur me një fjali të

vetme:

– Pasuria jonë janë idetë tona që triumfuan mbi diktaturën.

Ja pra pse duhej përmëndur dhe përse duhej vlerësuar i paharruarai Alfred Ziaji, Vlora duhet të jetë krenare për këta bij të denjë të sajë.

Në vitin 1990, ata qenë të bukur dhe me flokë të zes, sot atyre u janë thinjur flokët por zëmrën e kanë të re, si në vitin e lavdishëm 1990.

 

*   *   *

S h ë n i m:

Për më shumë shih: Enver Memishaj “Lëvizja demokratike në Vlorë 1990 – 1991”, Tiranë 2011

Filed Under: Kronike Tagged With: Alfred Zijaji, Enver Memisha, Lamtumire, Lepenica

LAMTUMIRË…!

February 5, 2013 by dgreca

Kujtime nga dita e ikjes…/

Nga ROZI THEOHARI, Boston/

Ethet e nisjes për në Amerikë… Udhëtimi për herë të parë
me aeroplan… Përgatitje valixhesh…acarim nervash…
Mërzitje… rendje poshtë e përpjetë nëpër zyra e noterë…
Isha kaq e dhënë pas gjithë këtyre, sa nuk e kuptova si erdhi
nata e parafundit në apartamentin tonë të vogël, në Tiranë.
Hyrje-dalje miqsh, kushërinjsh, krushqish, komshinjsh. Kulmi
arriti në aeroport kur erdhi një tabor njerëzish për të na përcjellë.
Një mikeshë plakë e familjes sonë më pyeti, e fundit: “E di
amerikançen?”, pyetje që më solli një buzagaz të vogël tek hipja
shkallët e aeroplanit në Rinas. Por zbrita buzëplasur në
aeroportin e Zyrihut, kur, veç çantave të mia të rënda, u
detyrova të ngarkohesha edhe me një çantë të një
bashkudhëtareje nga Tirana, e cila udhëtonte vetëm. Gruaja
tiranase, e mbingarkuar me çanta, e pa pisk punën e filloi të
bërtiste mes grumbullit të njerëzve që prisnin të posaardhurit,
përtej parmakëve.
“Po si s’u duk ndonjë shqiptar, që të na ndihmojë?! Ja, ti je
shqiptar, -i tha ajo njërit prej tyre, – eja na ndihmo.”
“Nga e di që jam shqiptar?”- pyeti ai i habitur.
“Nga fytyra,- foli ajo me zor,- jemi një racë!”
“E po, unë kam tridhjetë vjet në Zyrih e po mundohem të
mos dukem si shqiptar, ju, për një sekondë e zbuluat të fshehtën
time,” – tha ai. Dhe na ndihmoi mjaft. Quhej Qemal.
Udhëtimin e dytë të gjatë me aeroplan, me linjën Swissair, e
bëra natën nga aeroporti i Zvicrës, në aeroportin Logan të
Bostonit. Ulur pranë dritares së avionit shihja përjashta si në
boshllëk errësirën ngjethëse dhe nuk mund ta imagjinoja se sa
shpejt kalonim mbi kufij shtetesh përsëri e përsëri, ose mbi dete
dritash të qyteteve të mëdha evropiane ku mund të dalloje
paralelet e rrugëve dhe vertikalet e kolonadave të ndërtesave
shumëkatëshe. Dhe një zë i brendshëm, përkëdhelës e
nanuritës, s’pushonte së mërmërituri se aty poshtë ekzistonte
çdo gjë që kishte kuptim e lidhje me jetën tënde. Aty zhvillohej
historia e njerëzimit, aty dëgjohej muzika e poezia, aty bëhej
dashuri e lindej fëmija, rridhnin lot gëzimi e trishtimi, luhej
me fatin…Atje poshtë ëndërrohej. Ndërsa lart, tek ndodhesha
unë, ndoshta ëndërrohej më shumë por edhe kujtohej,
reflektohej, imagjinohej…
Tok me familjen tonë udhëtonin edhe një çift pleqsh me
djalin e tyre i cili, pasi kishte punuar disa vjet në Kuins, Mass,
kishte blerë një shtëpi e tani po kryente atë që në gjuhën e
dokumenteve quhet “bashkim familjar.” Plaku, nga që
s’dëgjonte mirë, fliste me zë të lartë e dukej sheshit se çdo fjalë
e tij shkaktonte plagë në zemrën e të birit. “Baba, të shikosh sa
shumë do të të pëlqejë shtëpia dhe bahçja me pemë…” “Eh,
mor bir,- rënkonte i ati,- s’më hyn në sy asgjë…unë jam një
rrënjëdalë…ja ç’jam unë tani…!”
E shpërqendruar dhe e ngurosur siç isha, truri im ngjante
me një kamera fotografike të parregullt, që i nxjerr figurat
kokëposhtë, të dubluara e fluide. Përfytyroja dhe e krahasoja
plakun me një pemë me rrënjë të shkulura dhe shkoja më tej
me fantazinë, duke e mbjellë drurin me degët thellë në tokë,
kurse trungu i cungët e rrënjët e përhapura lart në ajër
dridheshin frikshëm nga era ulëritëse e shkurtit dhe dukeshin
si duar që i jepnin munxet superqiellit. Se ishte natë shkurti ajo
e udhëtimit tonë, që dukej se s’do të mbaronte kurrë dhe unë,
më tepër se për veten time, mendoja për plakun ulur para meje,
i cili nuk do të kthehej më kurrë në qytetin e vogël të lindjes.
Ashtu siç nuk ishin kthyer baballarët e gjyshërit tanë. Dhe tani
po shkonim ne, brezi i dytë dhe i tretë t’i zëvendësonim, t’i
kërkonim e t’i vizitonim nëpër varret, kushedi se ku e nga i
kishin…Si gjysmagjeli i përrallës, po vinim të gjenim gjysmën
tjetër të babait e të gjyshit. Ik…ik…e s’ka! Një ikje nga gjithçka
e përtej gjithçkaje.

Kujtimet. Ato të lënë pa gjumë, qofsh edhe lart në aeroplan…
Ding-danget e këmbanës së kishës së fshatit çdo të shtunë pasdite
lajmëronin ardhjen e postës nga qyteti. Ne fëmijët, tufa-tufa e
veç e veç, ngjitnim me një frymë të përpjetën e lodhshme të
rrugicave me kalldrëm, deri sa mbërrinim në sheshin e shkollës
ku ndaheshin zarfet e mezipritura. Me imagjinatën time prej
fëmije ushqeja ëndrrën e më pëlqente të besoja se Zoti ndodhej
në Amerikë që të mbronte babanë dhe gjyshin. Kështu, sa herë
që binte të shtunave këmbana e kishës, më dukej se dëgjoja zërin
e babait që kumbonte me tinguj të vazhdueshëm, metalikë e
pulsues: “Të dashurit e mi, jam mirë, jam mirë…”
Ne shtyheshim përpara shkallares së gurtë dhe prisnim me
padurim, duke parë zemërdridhur postierin që i nxirrte zarfat
nga çanta një nga një. “Plikot” nga Amerika dalloheshin
menjëherë nga vijëzat dekorative kuq e blu rreshtuar paralelisht
në buzë të zarfit bojë qielli. Frymëmarrja jonë mbetej pezull
deri sa dëgjonim emrin e nënës apo të gjyshes. Pastaj, me letrën
kuq e blu që e valavitnim në erë si flamur, zbrisnim të tatëpjetën
po me shpejtësinë e ngjitjes, hapnim portën, turreshim gjithë
gëzim tek ndenjësja e drunjtë në oborr, ku ishin ulur në pritje
gratë e mëhallës, nëna e gjyshja fytyrëvrerosura. Sepse rëndom,
zarfi sillte lajme të këqia për të gjallët e për ata që s’ishin
më…Iku filani…Iku dhe i ati i filanit…Zoti i ndjeftë…!” Gjyshja
psherëtinte gjithnjë kur thoshte: “Na ikën burrat me këmbët e
tyre e do të na kthehen brenda në zarf!” (Zarfi që lajmëronte
vdekjen ishte i bardhë me kornizë të zezë.)

Pikëllimi. Jehona e largët dhe e afërt e lotëve të dhembjes së
shpirtit me tërhiqnin me forcën e rëndesës e më zbrisnin poshtë
në tokë. Disa ditë para se të merrnim udhëtimin e gjatë, shkuam
për vizitë në shtëpinë e një familjeje devollite, miq të njohur
prej vitesh, të ngushëllonim për vdekjen e papritur të djalit të
tyre në Kaliforni…Hodha sytë edhe një herë përtej dritares së
aeroplanit, në sfondin e errët ku zbardhonte fytyra ime e
pasqyruar në qelq. Aty për aty më erdhën në mend disa vargje,
nxora lapsin dhe, pasi nuk gjeta letër, shkrova mbi një revistë
të ilustruar, të cilën na e kishte dhënë stuardesa. Fjalët
shtyheshin e nguceshin në hapësirën e ngushtë, të bardhë,
mbetur bosh në bordurën e shkrimeve, duke formuar vargje të
shkurtra, të cunguara, të shtrembra.

Kam frikë nga nata e zezë,
Kam frikë, kam frikë…
Shtrojeni këtë tryezë me lule jargavani,
Vini në mes vazon me hirin
E të ndjerit, ditëziut, jetikurit
Bregut tjetër-Atlantikut.
Ndizni ca qirinj
Aty, rreth e rrotull,
Mbushni dhe filxhanët e kafesë
Apo verë, nga një gllënjkë,
Le që, kujt i gëlltitet…
E tij, fantazmë, vërtitet.
Dhomave e skutave të shtëpisë.
Shkallët e drunjta kërcasin,
Fotot nga muri shkasin,
Hija,
Depërton
Dystohet,
Përqafohet
Me kurmin dhe gjymtyrët e të gjallëve.
Varur në eter, jehon e fërgëllon
Britma stërgjyshore e vajeve…
“Ç’do të bëni me hirin?”
Pyesin të tromaksur njerëzit me sytë e ngrirë…
“Do ta hedhim aty, te përroi i mullirit,
Një ditë ndaj të gdhirë, në të gdhirë…”

Im shoq, ulur në krahun tim, ma mori revistën nga dora,
dhe, duke lexuar vjershën, m’i ndriti sytë me një qortim të cilin
vetëm unë e kuptoja. Qetësisht, bëra një lëvizje në ajër me dorën
e djathtë sikur doja ta hidhja revistën jashtë dritares.
Buzëqeshje. Ndërkohë stuardesa po shpërndante pije freskuese.
Plaku kërkoi raki. Poshtë ndenjëses sime mbaja një çantë me
shishet e rakisë, xhezven dhe filxhanët e kafesë, sende të lidhura
pazgjidhshmërisht me vatrën e zjarrit të shtëpisë. Aty, në hirin
e oxhakut ku ka rënë loti i parë i nënave tona, ku është pjekur
kulaçi i bardhë e ku është ngrohur e tharë qengji i
porsalindur…Shishet me rakinë e kumbullës na i kishin
dhuruar dardharët. Pikën e kazanit. Plaku këmbëngulte për
rakinë. Kërkova me duar nëpër çantë dhe nxora një shishe. Ia
hoqa tapën dhe aroma e njohur prej vitesh e atij lëngu të bekuar
më ringjalli. Ia zgjata shishen të birit, ndërsa vazhdoja të mbaja
tapën në dorë, që s’ishte tjetër veçse një koçan misri. Për të
mbyllur shishet me raki ne dardharët përdornim koçankat e
thara të misrit, të cilat i prisnim në copa të vogla. Vjeshtës, kur
shkoqnim misrin, vendosnim përtokë një tepsi të madhe me
kallëpe misri dhe mblidheshim të gjithë rreth e rrotull, të
mëdhenj e të vegjël, fërkonim së bashku dy kallëpe, nga të
cilët njëri shkoqej. Bënim shakara, hidhnim romuze e
shkoqeshim në muhabet. Ndërsa përjashta, prapa derës së
madhe prej druri në oborr, qëndronte e varur një torbë leshi e
mbushur me kripë—në roje e gatishmëri. Në rast rreziku e
largimi të shpejtë nga fshati, banorët rrëmbenin vetëm torbën
me kripë e vraponin të fshiheshin në pyll. Aty zienin barishte
me kripë për të mbajtur shpirtin gjallë.

Migracion ose migrim. Një term (një fjalë e ngarkuar
emocionalisht) që përdoret për të emërtuar lëvizjen e njerëzve
në botë. Migrim i pavullnetshëm—skllevërit. Migrim i
vullnetshëm –ne, emigrantët.
Ne, unë motra e dy vëllezërit po i afroheshim ngadalë hotel
“Dajtit” në Tiranë, në një ditë maji të vitit 1991. Ambasada
amerikane në ditët e saj të fillimit, ende pa ndërtesë, përdorte
hotel “Dajtin” për banim e zyra. Ambasadori amerikan në
Shqipëri, zoti Ryerson, i sjellshëm e i buzëqeshur, jo vetëm që
na priti ngrohtë, por u interesua e na pyeti gjatë për familjen
tonë, mbasi ishim ndër të parët shqiptarë që paraqiteshim në
zyrën e tij për t’u bërë qytetarë amerikanë e për t’u pajisur me
pasaporta amerikane. Vëllai i madh nxori nga xhepi numrin e
social security (soushell sikjuriti) të babait tonë, i cili kishte
vdekur para dy vjetësh në Detroit, USA. Ai baba, të cilin e
kishim sharë nën buzë gjatë jetës sa e sa herë që nevojitej të
plotësonim dokumentet e biografisë sonë për në shkollë, për
zyrat e kuadrit etj. Dhe, po nën buzë, tani po e falenderonim.
Zoti Ryerson, që nuk kishte sekretar, i plotësoi vetë
formularët për ne të katër dhe së fundi, pasi i firmosëm, na
kërkoi të ngrinim lart dorën e djathtë e të bënim betimin. Betimin
për t’u bërë nënshtetas amerikanë, në një nga sallonet luksoze
të Dajtit! Aty ku, pak kohë më parë, të zinin ethet vetëm po të
përmendje emrin “Amerikë”, qoftë edhe duke ecur në trotuarin
përballë. Ironi e fatit!
Dolëm të katër nga hoteli, më tepër të hutuar sesa të gëzuar.
U ulëm në një kafene për të mbledhur veten…mendimet tona
të çakërdisura. Ishim të katër rreth një moshe mesatare. Motra
nxori nga çanta e na tregoi syzet “plus 1” që kishte blere atë
ditë. Pastaj e gjithë biseda u përqëndrua te babai, i cili nuk
ishte më, por ne dëshironim me gjithë shpirt që ai të rronte
akoma. Si me një palimpsest ai kishte shtrirë duart që nga toka
e largët tej Atlantikut për të na marrë në gjirin e vet. Filluam të
tregonim kujtime nga jeta e tij, aq sa dinim nga letërkëmbimet
apo sa kishim dëgjuar nga të tjerët.

Ëndrra të varura në direkët e vaporit. Babai erdhi në
Amerikë qysh kur ishte 12 vjeç, me 1916, bashkë me xhaxhanë.
I kishin qepur një pallto prej batanije të leshtë, blu me vija gri.
Kur lundrimi po merrte fund dhe vapori po i afrohej Nju-Jorkut,
ai zuri të vraponte e të bërtiste nga gëzimi mbi kuvertë, me
sytë e mbërthyer drejt horizontit. Emigrantet u ngritën në
këmbë, veshën palltot e rënda dhe nxituan te parmakët të
vështronin tokën e re: “Ja ku është, ja, Amerika!” Kur dalloi
Statujën e Lirisë, në kulmin e entuziazmit, djaloshi e zhveshi
pallton dhe, me tërë forcën e krahut, e vërviti në oqean. “Ç’bëre
ashtu, more bir?- e qortoi xhaxhai.- Në xhepin e palltos kishe
dokumentet!” Por palltoja, për fat, ishte penguar në një nga
direkët e vaporit. Ajo mbeti aty e varur per disa çaste, e lëkundur
nga era, duke tundur mëngët, sikur donte të përshëndeste tokën
e kërkuar. Aty ishin varur shpresat e babait, që rrojti e punoi
gjatë, rëndë e me mundim në atdheun e tij të dytë. Ato mëngë të
vogla palltoje ishin një mesazh përcjellës e mikpritës.

Në ato mëngë të vogla fëmije
Mijëra duar
Tunden triumfalisht,
Duar të racës sime
Të së kaluarës, të së sotmes e të së ardhmes…

Edhe këto vargje që i shkrova tani, duke fluturuar përmes
mjegullës së dendur, i “hodha” në oqean si pluhur i hollë që
bie nga qielli e ato shkuan të bashkohen me ëndrrat e dikurshme
të tim eti.

Si nje rreth vicioz—shkuarje e kthim në të dy anët e
Atlantikut…Efti duhej të kishte qenë vajzë e zgjuar kur, pasi u
martua, nga fillimi i shekullit të kaluar, iu ngjit të shoqit nga
prapa, kapërceu oqeanin dhe erdhi edhe ajo në USA. Nga një
vajzë fshatare, bijë kasapi, që shkonte derë më derë e pyeste,
“Doni mish?”, Eftikija në Amerikë u bë zonjë e madhe, ashtu
siç e kishte ëndërruar. Dhe ajo e tregoi këtë kur erdhi disa herë
në atdhe, aty nga vitet’ 50. Ajo e zgjidhte muajin e vizitës në
qershor, kur korija e fshatit të saj të lindjes uturinte nga kënga
e bilbilave dhe kur qengjat e pjekur në hell kishin mishin më të
shijshëm. Ajo u “takste” bashkëfshatarëve 200 dollarë peshqesh
për piknikun e përbashkët në pyllin e ahut gjethenjomë. Ta
pret mendja, fshati boshatisej nga frymorët, aty dhe të sëmurët
e pleqtë e moçëm i transportonin me batanije që i mbanin katër
veta për cepash. Pylli oshëtinte nga kënga e djelmoshave të
rinj që u binin kitarave e mandolinave. Qengji e kukureci
vërtiteshin në hell ashtu siç vërtitej vallja dardhare e ndarë në
tri rrathë bashkëqendrorë: rrethi i plakave, i nuseve dhe i
vajzave të reja. Ftohej edhe Efti në valle, në rrethin e nuseve,
sigurisht, sepse në rrethin e plakave, ku ndodheshin moshataret
e saj, ajo stononte me fytyrën e freskët si lule top dëbore. Dy
veta dalloheshin më shumë në këtë festë mbarëfshatare: prifti,
që vishte rrobat më të shkëlqyera të kishës, dhe zonja Efti me
një kapele të kuqe mëndafshi sa një tepsi në kokë dhe fustanin
po të kuq, zbukuruar e mbërthyer me kordele, perla e karfica
të ndritshme. Efti tundte e lëvizte byzylykët e artë në duart
tërë unaza e manikyr, ndërsa dardharet e lodhura nga punët
e bujqësisë, të vetmin byzylyk kishin nyjen e tërkuzës, me të
cilën ngarkoheshin disa herë në ditë. Prandaj Efti binte në sy
mahnitshëm mes tyre. Me Eftin, ashtu si dhe me soap operat,
Amerika e kishte kryer shumë mirë punën e vet për të reklamuar
mënyrën amerikane të jetesës dhe për të ushqyer ëndrrat e
fantazitë e të rinjve që e kanë lakmuar gjithmonë tokën e
premtuar. Vite më vonë, një shoqja ime amerikane me origjinë
nga Suedia, më tregonte se stërgjyshërit e saj, kur emigruan
me 1840, ishin të bindur se në Amerikë bari jeshilonte në të
katër stinët, ndërsa nëpër rrugët e qyteteve të Amerikës do të
gjenin plot florinj. Një karem i mirë për të ndjellë…njerëz. Ja
cila ka qenë pasuria më e madhe e Amerikës në të gjitha
kohërat—njerëzit, emigrantët, të cilët kanë bërë e vazhdojnë
të bëjnë mrekullira me fuqitë e tyre fizike e mendore, kur u
hapet rruga e suksesit.
Stuardesa ndali hapat pranë nesh dhe pyeti: “Doni peshk
apo mish?” Prapa saj qëndronte një karrocë e ngarkuar me
pjata me gjellë që avullonin shijshëm. Ngrita kokën, vështrova
sytë e saj të lyer me rimel e m’u duk se pashë Eftin.

Litari—sinonim i femrës fshatare. Zgjatimi i trupit—
gjymtyra e pestë e gjyshes, vajzës, mbesës. Burrat mbetën
kurbetit, gratë në ditë të sikletit! Ja si këndohej nëpër dasma:

Këto nuset e Dardhës veshur me xibuna,
Ç’e shuan të ritë e jetën pa burra!
Ameriqi, e shkretë Ameriqi,
Na i veshe nënat me fustan të zi,
Na i le nuset me duar në gji!

Teto Viqja e porositi burrin në letër t’i dërgonte nga Amerika
një litar të mirë për t’u ngarkuar me dru. I shoqi s’e kurseu,
por i dërgoi dhjetë pashë litar të bardhë, të dredhur bukur e të
fortë. Por tetos i vinte keq ta përdorte dhe vazhdonte të
ngarkohej me litarët e vjetër copa-copa e gunga-gunga. Kur
vdiq, teto Viqes i gjetën në sëndykun bosh vetëm litarin e ri
amerikan, të cilin e përdorën për ta lëshuar qivurin në gropë.
Aty mbeti dhe litari…

Po i afroheshim kontinentit amerikan milje pas milje. Në
ekranin e madh të televizorit diktuam imazhin e aeroplanit
tonë i cili me lëvizjet e ngadalta të amebës, la pas oqeanin e
tani po fluturonte mbi brigjet shkëmbore të shtetit Mein. Tej
dritares, në vijën e hollë rozë të horizontit, që ndante qiellin gri
nga oqeani shkumëbardhë, na përshëndetën rrezet e para të
agimit.
Mirëmëngjes, Amerikë! Toka e indianëve, e pilgrimeve, e
amerikanëve dhe e ëndrrave! Të shoh për herë të parë e të
përshëndes nga qielli! Mirëmëngjes!
Mbas një udhëtimi të rehatshëm, ndërsa stuardesa na zbraz
në filxhanë kafe të ngrohtë, të fortë e aromatike, unë imagjinoj
udhëtimin e parë të evropianeve me 1620, me vaporin e vogël
“Mayflowr” aty poshtë, mes valëve të tërbuara të oqeanit që e
vërvitin e luajnë me të si me një lodër. Më ngjethet mishtë e
mbushem me mornica kur më dalin para sysh figurat e
pilgrimeve mbi kuvertën e anijes, me ato pelerinat e tyre të
fryra e të gufuara nga era e ftohtë e Atlantikut. Më vijnë ndër
mend disa vargje që kam përkthyer nga poezia “Imigrantët”,
të cilën poeti i madh amerikan Robert Frost e ka shkruar nergut
për udhëtimin e parë të “Mayflowrit”.

Tjetër vapor nuk gjen apo avullore
Të ketë mbledhur kaq shumë njerëz—mizëri,
Me ëndrrat e tyre pilgrimet drejtonin “Mayflowrin”,
Eh, anijëza nuk iu nda ankthit njerëzor
Deri sa i nxori të gjithë në breg…me zor…!

“Mirëmëngjes!”—na përshëndeti ekuipazhi i aeroplanit
dhe na uroi mirëseardhjen në kontinentin e ri.
Plaku gjatë natës, e kishte përgjysmuar shishen e rakisë. Ia
dhashë ta merrte me vete.

Ameriqi, o moj Ameriqi
Po të vijmë plot
Me shishet me raki…

Po të vijmë zemërvrarë për tokën tonë, e për jetën tonë që
lamë pas…Por po vijmë edhe plot ide, energji e shpresa…
Mirëmëngjes, Amerikë!

(Nga libri “Mbi thinja fryn ere”)

Filed Under: Kulture Tagged With: Lamtumire, Rozi Theohari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT