Pa asnjë rezultat konkret ka përfunduar takimi rreth një orësh mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Pas takimeve të ndara me Mogherinin, dy presidentët patën takim trepalësh nga i cili dolën me deklarata kontraverse.
I pari që foli pas takimit ishte Vuçiq. Ai me tone të nervozizmit deklarimet i orientoi kah kritikat ndaj Kosovës për vendimin për vendosjen e tarifës për mallrat serbe. Ai tha që Prishtina po provon të bëjë ushtrinë një pjesë të së cilës, sipas tij, Kosova do ta nisë drejt veriut.
Pas tij mediave iu drejtua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që kritikoi qasjen e Serbisë në dialog duke e quajtur diskurs agresiv. Thaçi ka pranuar se po ka diskutime jo të lehta me palën serbe, por ka shtuar se dialogu nuk ka alternativë.
Me të përfunduar takimi edhe zyra e Mogherinit ka lëshuar një njoftim për media me ç’rast ka kërkuar nga dy vendet të shpejtojnë angazhimin ndaj dialogut.
20:38
BE-ja pret që Kosova e Serbia të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut
Në një komunikatë për media të Federica Mogherinit, thuhet se Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e raporteve ndërmjet tyre dhe perspektivës konkrete të aspiratave të tyre evropiane, raporton Koha.net.
Në diskutimet e saj me dy presidentët Federica Mogerini theksoi nevojën që Kosova dhe Serbia të sigurojnë një mjedis të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit.
20:31
Thaçi thotë se Serbia pati diskurs agresiv në takim
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka quajtur takim jo të lehtë, takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, të enjten në Bruksel.
Sipas Thaçit, ky ishte takim i fazës finale të dialogut. Ai e ka quajtur arrogant diskursin e Vuçiqit.
Ka thënë se “mbetet sfidë jo e lehtë e Kosovës që të ballafaqohet me palën serbe”.
Ai ka thënë se duhet që skena politike e Kosovës të bashkohet e të jenë pjesë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese.
“Është mundësi e vogël për marrëveshje, por duhet të vazhdojmë. Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia dhe delegacioni serb. Diskursi ynë ishte i argumenteve dhe anës së drejtë për arritjen e një marrëveshjeje të balancuar”, ka thënë Thaçi më tej.
Sipas Thaçit, një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse është rruga e duhur për të dy vendet.
“Klima nuk është e mirë, por dialogu e marrëveshja janë rruga e vetme. Jam me shpresë se pas shumë gjembave do të ketë një marrëveshje përfundimtare”, ka shtuar Thaçi.
Ai ka thënë se në dialog nuk do të lejohen ultimatume e as zëra agresivë nga Serbia.
Sa i përket një takimi të ardhshëm, Thaçi ka thënë se kjo do të ndodhë në një të ardhme jo të largët pa specifikuar afat kohor. Ka shtuar se kjo i takon përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherinit.
20:26
Vuçiq: Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse s’respektojnë marrëveshjet e nënshkruara para 10 vjetësh
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me nervozizëm u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas përfudnimit të takimit me homologun e tij nga Kosova, Hashim Thaçi në Bruksel, në takimin që është mbajtur nën lehtësimin e Federica Mogharini.
Vuçiqi ka thënë se “Serbia është e hapur për dialog, por edhe pala tjetër duhet të respektojë marrëveshjet”, raporton Koha.net.
Një pjesë të madhe të diskutimit të tij, Vuçiqi e ka orientuar me kritika drejt vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.
Gazetari i Grupit KOHA, Augustin Palokaj, e ka pyetur Vuçiqin, se a parashihet në marrëveshjen përfundimtare njohja reciproke midis Kosovës e Serbisë, siç e ka thënë presidenti Thaçi, dhe hapja e rrugës drejt anëtarësimit në BE.
Kurrë s’kam folur për shkëmbim territoresh
“E çfarë t’ju sigurojmë edhe më, e ne të mos fitojmë asgjë? Çfarë dëshirash tjera keni? Ne jemi të gatshëm që të flasim për shumë gjëra, por duam të dimë se çfarë do të fitojë Serbia. E kur ta marrim vesh këtë atëherë mund të flasim për gjithçka tjetër”, ka thënë Vuçiqi në përgjigjen e tij, raporton Koha.net.
E çfarë është ajo që Serbia kërkon që ta fitojë, ka qenë pyetje e radhës.
“Këtë e dinë të gjithë ata që janë në bisedime këtu”, ka thënë ai.
A nënkupton kjo “shkëmbim territoresh”, është pyetur më tej.
“Nuk kam folur unë për shkëmbim territoresh. Asnjëherë”, ka thënë Vuçiq.
“Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse nuk janë në gjendje të respektojnë marrëveshjet të cilat i kanë nënshkruar para 10 vjetësh”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq: Shqiptarët kanë vrarë e dhunuar serbë në luftë
I pyetur për daljen në publik të Vasfije Krasniqit, viktimës së dhunës seksuale në luftën e Kosovës, Vuçiq ka thënë se Serbia është marrë me kriminelët e vetë të luftës, por ka shtuar se Kosova nuk po bën diçka të tillë.
“Ka shumë njerëz që janë dënuar për krime lufte, por asnjë nga Prishtina dhe ka shumë kriminelë lufte nga Prishtina, që kanë dhunuar serbë e kanë vrarë, kanë bërë transplantim organesh në Tropojë e Kukës. Serbia u mor me kriminelët e luftës dhe ne do të merremi gjithmonë me kriminelët e luftës, por pala tjetër asnjëherë nuk e bëri këtë”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq serbëve: Kosova po synon të nisë një garnizon të ushtrisë në Veri
Teksa u është drejtuar qytetarëve të Serbisë, presidenti Vuçiq u ka se duhet të presin ditë të vështira në kuptimin politik.
Ka paralajmëruar në qëllimet e Prishtinës për themelimin e ushtrisë “dhe që një garnizon ta dërgojë drejt veriut, që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe atë që kemi me NATO-n”.
“Ajo që ndodh nesër është çështja e tretë – evropianët po tentojnë të na nxjerrin nga rrjeti energjetik në veri të Kosovës, pa të drejtë”, ka thënë ai.
Ka thënë se themelimi i Asociacionit ka qenë i qartë edhe për tejkalimin e çështjes së pengesave sa i përket çështjes së rrjetit energjetik.
“Pasi që nuk u themelua Asociacioni, me faj të Prishtinës, tash po tentojnë që ata të na e rrëmbejnë, të në rrëmbejnë të drejtën për rrymë, të humbasim largpërçuesit drejt Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi”, ka thënë Vuçiq.
Siç ka thënë ai kundër Serbisë janë deklaruar Gjarmania, Franca, Italia, Zvicra, Belgjika, Luksmburgu, Kroacia, Holanda, përderisa qëndrimin e Serbisë e përkrahin: Spanja, Slovakia dhe Bosnjë-Hercegovina.
“Po luftojmë sa mundemi por shanset janë të vogla”, ka thënë ai tek ka shtuar se vendimi për këtë do të merret të hënën.
20:13
Përfundon takimi në Bruksel
Ka përfunduar takimi trepalësh mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Pas takimit, mediave po iu drejtohet Vuçiqi.
19:16
Nis takimi trepalësh në Bruksel
Ka nisur në Bruksel takimi trepalësh mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Aleksndar Vuçiq, me lehtësimin nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Takimi trepalësh ka nisur pas takimeve të ndara që Mogherini pati me Thaçin dhe Vuçiqin.
18:55
Thaçi pas takimit me Mogherinin: U pajtuam për dinamizimin e dialogut
Presidenti Hashim Thaçi pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se u pajtuan për dinamizimin e dialogut.
“Sapo e përfundova takimin bilateral me Përfaqësuesen e Lartë për Poliikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherinin. U pajtuam për dinamizimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
18:45
Mogherini takon Vuçiqin
Pak minuta ka zgjatur takimi mes Hashim Thaçit dhe Federica Mogherinit.
Pas këtij takimi, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lajmin për këtë takim e ka dhënë zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiq.
18:29
Thaçi takohet me Mogherinin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Takimi i nisur tash, është i pari për ditën e sotme në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Pas këtij takimi pritet që Mogherini të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe më pas pritet të ketë një takim trepalësh.
17:50
Thaçi në Bruksel: Do të bëjmë përpjekje maksimale që të përafrojmë qëndrimet për arritjen e marrëveshjes
Hashim Thaçi, president i Kosovës, ka thënë se në takimin e së enjtes me presidentin serb Aleksandar Vuçiq do të bëjë përpjekje maksimale që të përafrojë qëndrimet me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obliguese.
Pak para këtij takimi në Bruksel, Thaçi ka thënë se me marrëveshje gjithëpërfshirëse nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ka përsëritur se nuk do të jetë lehtë dhe se ka pengesa deri në arritjen e kësaj marrëveshje.
“Jemi këtu për të zhvilluar takimin e radhës për procesin final të mundësisë për arritjen e marrëveshjes mes dy shteteve, marrëveshje ligjërisht obliguese për njëra-tjetrën në rrafshin ndërkombëtar. Marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombe të Bashkuara. E di se nuk është e lehtë. Por marrëveshja është mundësia më e mirë për të ardhmen evropiane të të dy vendeve. Do të bëjmë përpjekje maksimale për të arritur marrëveshjen. Është mundësi e radhës e organizuar nga Federica Mogherini, Bashkimi Evropian me mbështetjen e Amerikës”, ka thënë Thaçi para gazetarëve para hyrjes në takim.